- Shpallja
e Dogmës prej Papës Piu IX në 1854 –
Fresko në
Muzeun e Vatikanit
Me
8 Dhetuer Kisha shêjte Katolike celebron nji prej festave mâ
të mëdha në nder të Nânës së
Zotit, Të Xanunit Pafaj të Virgjinës MARI. Në
letren e tij apostolike të 8 Dhetuerit 1854, Ati ynë shêjt,
Papa Piu IX, deklaroi solemnisht dhe përcaktoi në mnyrë
dogmatike që e Shêjtnueshmja Virgjina MARI, Nâna e
Zotit, âsht xanë pa mkat të rrjedhshëm :
«
Me besim të plotë në Zotin dhe i bindun se ka ardhë
momenti i duhun me përcaktue të Xanunit Pafaj të
Shêjtnueshmes Virgjinës MARI, Nânës së
Zotit, të cillen e dishmojnë dhe e nxjerrin mrekullisht në
dritë vetë profecitë hyjnore, Tradita shêjte
katolike, ndjenjat e përhershme të Kishës, aprovimi i
admirueshëm i barijve (meshtarve) katolikë dhe i
besimitarve, aktet e ndrituna dhe konstitucjonet e pasardhsve tanë;
mbasi kena egzaminue çdo gjâ me kujdesin mâ të
madh dhe mbasi i kena ofrue Zotit lutje të zjarrta e të
vazhdueshme, kena mendue se nuk duhet të vonojmë mâ
me sanksionue dhe përcaktue nëpërmjet gjykimit tonë
suprem të Xanunit Pafaj të Virgjinës, e me knaqë
kshtû dishiren shumë të devoçme të botës
katolike dhe të vetë devocjonit tonë ndaj të
Shêjtnueshmes Virgjën, në mnyrë që me
nderue për herë e mâ shumë Birin e saj të
vetëm, Zotin tonë JEZU-KRISHTIN, sepse i gjithë nderi
dhe lavdia që i dhurojmë Nânës kthehet në
lavdinë e Birit.
«
Prandej, tuej mos pushue kurrë s'ofruemit, me përvujtní
dhe krezhëm, lutjet tona personale s'bashkut me lutjet publike
të Kishës Atit nëpërmjet Birit të saj, që
të dinjote me drejtue dhe forcue shpirtin tonë nëpërmjet
virtytit të SHPIRTIT SHEJT; mbasi kena lutë asistencen e
tânë oborrit qielluer dhe thirrë me ofshamat tona
Shpirtin ngushllues, tuej veprue sot nën inspirimin e Tij, për
nderin e të Shejtnueshmes dhe të pandames TRINI, për
lavdinë e Virgjinës, Nânës të Zotit, për
nâltsimin e Fesë Katolike dhe për rritjen e Besimit
të krishtênë, nëpërmjet autoritetit të
Zotit tonë JEZU-KRISHTIT, të shêjtnve apostuj
sh'Pjetrit e sh'Palit dhe autoritetit tonë, ne deklarojmë,
shpallim dhe vendosim se doktrina simbas të cillës e
Shêjtnueshmja Virgjina MARI, që në momentin e parë
të t'xanunit të saj, nëpërmjet nji hiri dhe
privilegji specjal të Zotit të Gjithpushtshëm, në
konsideratë të meritave të JEZU-KRISHTIT, Shëlbuesit
të njerzimit, âsht ruejtë prej çdo njolle të
mkatit origjinal âsht nji doktrine e zbulueme prej Zotit e për
rrjedhojë ajo duhet besue vendosmënisht dhe vazhdimisht
prej të tanë besimtarve. N'kjoft se ndokush, mos kjoft
thanë prej Zotit, do të kishte arrogancen me mendue në
zemren e tij ndryshej prej sa âsht vendosë prej nesh, ta
msojnë dhe ta dijnë se, i dënuem prej vetë
gjykimit të vet, ai âsht mbytë në mosbesimin e
tij dhe ka braktisë unitetin e Kishës; dhe për mâ
tepër, n'kjoft se nëpërmjet fjalëve, shkrimeve
apo çfarëdolloj mjeti tjetër të jashtëm,
do të guxonte me i shprehë kto ndenja të zemrës
së tij, ai do të psojë 'ipso facto' dënimin e
parashikuem në të drejten kanonike. »
Katër
vjet mâ vonë, pra në vjetin 1858, për me
konfirmue se vendimet e Papës janë gjithmonë të
pagabueshme në çâshtjet që lidhen me Fenë
dhe moralin, vetë Virgjina e Papërlyeme iu shfaq nji vajze
të re, shêjtes Bernadetë, në Lurd, nji fshat i
vogël në jug të Francës, tuej aprovue fjalët
e Vikerit të KRISHTIT mbi tokë dhe tuej thanë se âsht
e Xanuna e Pafaj : 'Conceptio Immaculata'.
Ishte
e nevojshme, thotë sh'Alfons MARIA Liguori, veprat e të
cilit janë aprovue prej Kishës Katolike, që sejcili
prej tre Personave Hyjnore të ruante MARI-në prej mkatit
origjinal, Ati tuej e konsiderue si Bijen e Tij, Biri, si Nânen
e Tij dhe SHPIRTI-SHEJT, si Nusen e Tij.
Ishte
e nevojshme që Ati të përjashtonte MARI-në prej
mkatit të rrjedhshëm sepse ajo ishte Bija e Tij, biles
'Bija e madhe' ashtû si shkruhet : « Jam lindë
para tana krijesave » (Eccles., 24). Ky rresht biblik i
âsht atribue gjithmonë MARI-së prej interpretuesve,
etënve shêjtë dhe vetë Kishës Katolike në
Festen e t'Xanunit të Papërlyem. Simbas Skotisve (prej
teologut të njoftun françeskan, doktorit Duns Scot) ky
titull i nepet Zojës Bekueme sepse ajo kje predestinue në
të njêjten kohë me Birin e saj në dekretet e
Zotit, para krijimit të botës. Simbas Tomistve (prej
teologut të madh dominikan, doktorit êngjellor sh'Tomë
Akuinatit), titulli 'Bija e madhe' i nepet Nânës të
Zotit, si 'Bija e madhe' e hirit, e predestinueme me kênë
Nâna e Shelbuesit mbas marrjes parasysh të mkatit që
do të hinte në botë. Për rrjedhojë, ishte e
nevojshme që MARIA të mos ishte kurrë skllave e
djallit dhe të ishte gjithmonë në posesjon të
Krijuesit të saj ashtû siç shkruhet : « Dominus
possedit me in initio viarum suarum » (Proverbi 8).
Prandaj me të drejtë Mgr Denis, arqipeshkvi i Aleksandrisë,
e quen MARI-në Bija unike dhe e vetme e jetës për me e
dallue prej të tjerave që lindin në mkat e që
janë bija të vdekjes.
Ishte
e nevojshme që Ati të krijonte Virgjinën e Bekueme në
gjêndje të hirit, pra në miqsi me Zotin, sepse e
destinonte me kênë pajtuesja dhe riparuesja e njerzimit,
ndërmjetse midis Zotit dhe njerzve. Ishte e nevojshme që
Zoti të ruante MARI-në prej mkatit origjinal sepse e
destinonte me i shtypë kryet gjarpnit (djallit); pra n'kjoft se
MARIA duhej të ishte 'Grueja e fortë' në botë për
me mposhtë luçiferrin, nuk duhej që ajo të
ishte mundë mâ parë prej anmikut t'saj e t'onit, e as
që ti ishte nënshtrue pushtetit të tij. Në sajë
të mirësisë hyjnore, Virgjina e Bekueme u privilegjue
me kênë krejtsisht e pastër prej çdo lloj
mkatit e në kyt mnyrë ajo mujti me mposhtë dhe shtypë
kryenaltsinë e anmikut të saj dhe t'onit. Por mbi
gjithshka ishte e nevojshme që Ati i përjetshëm të
përjashtonte Virgjinën shêjte prej mkatit sepse e
destinonte me kênë Nâna e Birit të Tij hyjnor,
thotë sh'Bernardini i Sienës. Edhe sikur t'egzistonte vetëm
arsyeja e nderit të Birit të Tij, kjo arsye do të
ishte e mjaftueshme me krijue MARI-në të papërlyeme e
pa njollë.
Avantazhi
i parë i fmijve âsht me lindë prej prindve fisnikë,
me êmën. Në botë, mungesa e shkencës dhe e
pasunisë durohet mâ lehtë sesa mungesa e êmnit
të mirë të familjes, sepse n'kjoft se jena të
vorfën mundena gjithmonë me u pasunue; n'kjoft se jena
injorantë, mundena gjithmonë me studjue; por n'kjoft se
vijmë prej nji familje jofisnike âsht e pamujtun me
ndryshue të kaluemen; edhe sikur në të ardhmen do të
fitojshim nji emën fisnik prapë dikush mund të na
kujtonte gjithmonë origjinën e ultë.
Në
të njêjten mnyrë Zoti duhej të lindte Birin e
Tij prej nji Nâne fisnike tuej e ruejtë prej mkatit, sepse
nuk do të zgjidhte që Biri hyjnor të lindte prej nji
nâne të infektueme prej mkatit për me i dhanë
shkas luçiferrit me fajsue Shëlbuesin tonë, si nji
turp, lindjen e Tij prej nji nâne që kishte kênë
skllavja e tij dhe anmikja e Zotit. Jo, pa dyshim, dhe Zoti siguroi
me bollëk lavdinë e Birit të Tij tuej bâ të
mujtun që Nâna e Tij të ishte gjithmonë e
papërlyeme.
Prej
nji dekreti special, thotë Kisha greke, me 25 mars, të
Providencës hyjnore, Virgjina shêjte qysh në fillim
të egzistencës së saj pati të gjithë
pastërtinë që duhet të kishte ajo që duhej
të ishte Nâna e dênjë e JEZU-KRISHTIT. Kisha
latine, në lutjet e saja, thotë se Zoti përgaditi
trupin dhe shpirtin e MARI-së për me e bâ nji banesë
të dênjë për Birin e Tij hyjnor në tokë
Për
mâ tepër, Zoti tuej kênë pafundsisht i pastër
dhe perfekt, ishte e nevojshme që të kishte gjithashtu nji
Nânë të pastër, perfekte e pa njollë, dhe
egzaktsisht kshtû ndodhi thotë sh'Bernardini i Sienës.
Kjo doktrinë âsht e mbështetun mbi msmin e sh'Palit që
thote se « ishte e domosdoshme që Shelbuesi jonë
të ndahej jo vetëm prej mkateve por edhe prej mkatnorve »;
e si mund të ndahej JEZU-KRISHTI prej mkatnoreve n'kjoft se do
të kishte nji Nânë mkatnore?
Vendi
ku në 1858 Virgjina e Papërlyeme u duk në Lurd të
Francës
SHPIRTI-SHEJT
thotë se « lavdia e birit âsht nderi i atit dhe
çnderimi, turpi i tij » (Eccl. 13). Ja pse
JEZU-KRISHTI ruejti prej korrupsionit trupin e MARI-së mbas
dekës, sepse Ai nuk nderohej me lanë me u korruptue at trup
virgjën me të cilin Ai vetë ishte veshë, ashtû
si pohon edhe sh'Agustini. Por n'kjoft se do të ishte e turpshme
me lindë prej nji nâne me nji trup të korruptueshëm,
do të ishte nji turp edhe mâ i madh me lindë prej nji
nâne me nji shpirt të infektuem prej korrupsionit të
mkatit. Nga ana tjetër, « mishi i JEZU-KRISHTIT âsht
i njêjtë me até të MARI-së, »vazhdon
shpjegimin sh'Agustini, « kshtû që mbas
Ringjalljes mishi i Shelbuesit ka kênë i njêjtë
me até që ka marrë në barkun e papërlyem
të MARI-së. S'fundmi, përfundon Arqipeshkvi i Hipos,
n'kjoft se ky privilegj i lavdishëm nuk ishte në doren e
Shejtnueshmes Virgjën (mbasi ajo âsht vetëm nji
krijesë, ndonse mâ perfekte se tana krijesat e tjera dhe
se gjithçka që ajo ka e ka prej Birit të saj hyjnor)
ai ishte në doren e Birit që ajo lindi në botë »
: 'si non congruit Mariae, congruit Fili quem genuit.' (Hom. de
Ass. 37)
Sh'Agustini
tuej folë mbi mkatet nuk dishiron që mbi kyt subjekt të
flitet për MARI-në, për respekt, thotë ai, për
Zotin që ajo ka meritue me pasë për Bir, i Cili i dha
hirin me kênë e ruejtun prej çdo mkatit. (De
grat., tom 7., c. 37)
Nuk
kje turp për JEZU-KRISHTIN me u thirrë, në përbuzje,
Biri i MARI-së, si Biri i nji Nânë të thjeshtë,
sepse Ai erdhi në tokë për me dhanë shembullin e
përvujtnisë dhe durimit, por do të ishte kênë
për Té turp n'kjoft se do të ndigjonte prej gojës
së djallit fjalët : « A nuk ka lindë aj
prej nji nâne mkatnore që dikur ishte skllavja jonë? »
Biri
i Zotit erdhi në botë me shelbue njerzimin. Egzistojnë
dy mnyra për kyt gjâ, simbas sh'Agustinit : e para, tuej
ringritë atë që âsht rrxue, dhe tjetra, tuej e
rujtë mos me u rrxue. Kjo e fundit âsht pa dyshim mâ
fisnike, shton sh'Agustini, sepse kshtû shmanget dami apo
njolla që shpirti pson prej rrximit.
« Për
rrjedhojë , thotë Doktori serafik, shêjti
Bonaventura, âsht me anen e ksaj mnyre, mâ fisnike dhe mâ
të përshtatshme për Nânen e Zotit, që MARIA
âsht shelbue. »
Kardinali
Hugues shton se « Shelbuesi i ka çlirue prej mkatit
gjithë njerzit e tjerë mbas ramjes, por Ai çliroi
Nânen e Vet prej turpit të ramjes në mkat »
S'fundmi,
mbasi ishte e nevojshme për Atin që të ruante
Virgjinën shêjte prej mkatit origjnal si bija e Tij, për
Birin, si Nânen e Tij, ishte e nevojshme gjithashtu edhe për
SHPIRTIN-SHEJT që ta ruante si Nusen e Tij, gjithmonë
virgjën e të papërlyeme. Prandaj Hyji, tuej iu drejtue
MARI-së i thotë « Ju keni nji bukuri perfekte
dhe njolla e mkatit nuk âsht kênë kurrë në
jue » (Cant.4). Simbas sh'Ildefonsit dhe sh'Tomë
Akuinatit, kto fjalë i thuhen MARI-së, kurse sh'Bernardini
i Sienës dhe sh'Laurenti Justinian thonë se kto fjalë
thuhen egzaktsisht për të Xanunit e Papërlyem të
Virgjinës.
SHPIRTI-SHEJT
e ka quejtë MARI-në 'kopsht i myllun', 'burim i vulosun'
(Cant. 4:12) sepse anmiku i njerzimit nuk ka hi kurrë te
Virgjina e Papërlyeme për me e njollosë, por ajo ka
kênë gjithmonë e mbrojtun prej tij dhe ka ruejtë
gjithmonë nji pastërti perfekte të shpirtit dhe të
trupit. SHPIRTI-SHEJT e ka dashtë Virgjinën shêjte mâ
shumë se tanë engjëjt dhe shêjtnit e tjerë
s'bashkut; Ai e ka dashtë qysh prej fillimit dhe e ka ngritë
në shêjtni mbi tanë njerzit dhe engjëjt, thotë
Profeti mbretnor David, për me diftue se MARIA ka kênë
shêjte qysh prej momentin të parë të të
xanunit të saj. Tanë shpirtnat e drejtë dhe shejtë
janë bij të hirit hyjnor kurse MARIA âsht e vetmja e
xanun në hirin hyjnor.
Engjëlli
Gabriel, para se Virgjina shêjte me kênë Nâna
e Zotit, e gjeti plot me hir hyjnor. Ky hir, thotë sh'Tomë
Akuinati, ka shejtnue jo vetëm shpirtin por edhe trupin e
MARI-së në mnyrë që ajo të veshte mandej
Fjalen e përjetshme, Personen e dytë të Shejtnueshmes
TRINI. Kshtû e Shejtnueshmja Virgjina MARI, qysh në të
xanunit e saj, âsht pasunue dhe mbushë me hir shêjt
prej SHPIRIT-SHEJT.
T'kena
pra devocjonin mâ të madh për t'Xanunit Pafaj të
Virgjinës MARI, sidomos gjatë ksaj oktave që Kisha
shêjte Katolike ia kushton Nânës së Zotit në
nder të Konçeptimit të saj të Papërlyem.
Ta nderojmë Patronen e Shkodres dhe tanë Shqypnisë me
nji pastërti të madhe shpirtnore dhe trupore për me
mujtë me tërhjekë mbi vedi dhe familjet tona bekimet e
panumërta hyjnore që kjo Nâne e bekueme âsht
gadi me na i dhanë për mâ të madhen lavdi të
Zotit dhe shêjtnimin e shpirtnavet.
Praktikë
në nder të Virgjinës të Papërlyeme, simbas
shêjtit të madh misionar sh'Françesk Ksavierit
Të
keni nji devocjon të përzemërt për t'Xanunit
Pafaj të Virgjinës së lavdishme dhe thirreni shpesh
nën titullin e t'Papërlyemes, sidomos në tundimet
imorale. Me kyt praktikë devotët e të Papërlyemes
MARI janë fitimtarë kundër djallit të
imoralitetit. Në sajë të ksaj praktike shêjti i
madh, apostulli sh'Françesk Ksavieri, i Kompanisë së
JEZUS-it (S.J.), bani aq shumë mrekullina në Indi dhe
Japoni tuej pagzue 11 mbretën dhe tuej konvertue rreth 1
milion muhamedanë dhe të pafé.
Bibliografi
:
M.
Menghi-D'Arville, L'Annuaire de MARIE.., Montréal,
1857.
Abbé
Barbier, La Sainte Vierge d'après les Pères,
Lyon, Paris, 1867.