giovedì, dicembre 12, 2013

Rregullat e Krezhmes Shenjte për Kishen Katolike universale

(bazue në Dekretet e Selisë-Shejte në kohen e Shejtnisë së tij, Papës Piut XII)






Simbas ligjeve të Kishës Katolike universale, gjatë Krezhmes shejte besimtarët katolikë duhen me mbajtë njinesën dhe abstinencen, nën dënimin e mkatit të randë.

Në kohen e Krezhmes tâna ditët, përjashtue të Dielat, janë ditë njineset, kurse e Mërkurja e Përhime, të Premtet dhe të Shtundet e Krezhmes janë ditë njineset dhe abstinencet.

                                                               Njinesa

                                                   Mbi Vaktin kryesuer

Për me mbajtë njinesen duhet me hangër vetëm 1 vakt kryesuer n'ditë. Nuk ka limit n'sasínë apo llojet e ushqimeve që merren n'kyt vakt kryesuer të njinesës por ai nuk duhet me u zgjàtë mâ shumë se 2 orë dhe nuk duhet me u ndërpré për mâ shumë se 30 minuta. N'kjóftë se vakti ndërprehet për nji kohë mâ t'gjatë se 30 minuta, bâhet mkat veniel (i lehtë) ; n'kjóftë se ndërpritet për mâ shumë se 1 orë, pa arsye shumë serioze (p.sh me ndêjë te kryet e atij që âsht tuej dekë), bâhet mkat mortar (i rândë). Ata që parashikojnë se nuk kanë me mujtë me mbajtë Krezhmen, për arsye shndetit, pune t'rândë, etj., duhen me u kshillue me Rrfysin e tyne apo me nji meshtar t'aprovuem dhe të konsakruem në mnyrë të vlefshme, dhe jo me pseudo-meshtarët që shërbejnë sod gjithkund në dioqeza.


                                                      
Mbi vaktet e vogla

Përveç ktij vakti kryesuer, Kisha Katolike lejon ato besimtarë që e kanë të domosdoshme me marrë pak ushqim n'mjes e n'darkë. Dikur, në mjes sasija e lejueme shkonte deri në 60 gram, kurse n'darkë, rreth 250 gram. Lejohet konsumimi i bylmetnave n'kto dy vakte të vogla, por jo konsumimi i mishit apo i langjeve të mishit ; nuk lejohet kurrsesi me hangër midis ktyne 3 vakteve, por lejohet pímja e langjeve joushqýese, si uji, vêna e birra, n'kjoft se asht e nevojshme. Sidokjoft, konsumimi i shumë langjeve midis vakteve mundet me zvoglue apo me hjekë komplet meriten e njinesës dhe abstinencës. Si rregull i përgjithshëm, për sa i përket sasisë së ushqimit, dy vaktet e mjesit dhe të darkës së bashku nuk duhen me barazue vaktin kryesuer. Vakti kryesuer merret zakonisht kah misdita ose në orët e para të mbasdites ; për nji arsye t'randsishme, asht e mujtun gjithashtu me hangër kah darka vaktin kryesuer dhe me marrë në mesditë vaktin e vogël (rreth 250 gram).   

Në kjoft se dikush ka hangër dy vakte të plota në nji ditë njineset (me vetdíje ose prej injorancës), atherë njinesa âsht prishë për at ditë. Megjithaté, mkati duhet kallxue n'Rrëfim.
                                                                  
Abstinenca

Abstinenca âsht mos-konsumimi i mishit apo i langjeve të mishit, por në ditë abstinencet lejohen me u përdorë vezët, tàmëli (qumështi). (Kanoni 1250)

Në kjoft se dikush ka hangër mish në ditë abstinencet, me díje ose jo, ai mundet prapë me e mbajtë abstinencen për at ditë dhe nuk i lejohet me hangër mâ mish n'at ditë. Megjithaté, mkati i randë duhet kallxue n'Rrëfim.

Në ditët e abstinencës âsht e ndalueme me hangër mishin e shtazorve, zogjve, përfshi ktu dhjamin, gjakun, palcin, trunin, zemren, melqinë e tyne, etj. Në të kundërt, në ditë abstinencet lejohet me u hangër peshku.

Kanonet 1250-1254 urdhnojnë njinesen për çdo t'krishtênë prej moshes 21 vjeç deri në moshen 61 vjeç (Kanoni 1254 § 2) dhe abstinencen për çdo besimtar që ka mbushë 7 vjeç (kanoni 1254 § 1).

Zyrtarisht Krezhma shejte Katolike katërdhet-ditore, simbas ritit latin, fillon të Mërkuren e Përhime, prej mesnatës, dhe mbaron të Shtunden e Madhe, në mesnatë (Dekreti « Maxima redemptionis nostrae », 16 Nanduer 1955).

    Smundja, puna e randë, studimi ose msimdhan'ja e zg'jatun, shndetligsíja ose nji arsye tjetër serioze munden me anulue komplet njinesën dhe abstinencën, ose munden me kenë shkak i ndryshimit (shtimit) të sasisë së udhqimit që katoliku merr në vaktet e Krezhmes ; por për aprovimin e ktij ndryshimi apo anulimi, simbas mundsisë të sejcilit, duhet marrë leja e nji meshtari katolik tradicional, si p.sh. e atyne meshtarve t'konsakruem simbas Ritit latin të Kishës Katolike (FSSPX, CMRI, IMBC, etj).

    Duhen shmangë pseudo-meshtarët në dioqeza që ndjekin kishen moderniste të antipapës Françesku-Bergolio, që zakonisht janë në moshë të re, mbasi janë të "konsakruem" në mnyrë të parregullt apo të pavlefshme me ritin e pavlefshëm të 1968 të antipapës Palit VI. N'Shqipni, meshtarët e vërtetë, pra ata që janë konsakrue në mnyrë të vlefshme nëpërmjet ritit gjithmonë të vlefshëm romak, i përcaktuem s'fundmit prej Papës Piut XII, nëpërmjet Konstitucionit apostolik « Sacramentum Ordinis » (vjeti 1949), duhet t'jenë s'pakut rreth moshës 70-75 vjeçare. Të tjerët, që janë "konsakrue" në mnyrë të pavlefshme me anen e ritit të pavlefshëm të 1968 të antipapës apostat Palit VI, i përdorun sod n'Vatikan e n'dioqeza, nuk janë meshtarë të vërtetë dhe nuk kanë as fuqinë sakramentale e as fuqinë juridikcjonale me celebrue Meshen apo me falë mkatet në rrëfim apo me vojue t'smuetit. Për rrjedhojë, kta pseudo-meshtarë nuk kanë as juridikcjonin me ju çlirue prej abstinencës dhe njinesës, n'rast nevojet.

    Virgjina e Papërlyeme MARIA, Nâna e tenZot, ju ndihmoft me ba nji Krezhme të mbarë dhe të frytshme !

Shënim :

* Rregullat e mâsipërme janë për Kishen Katolike Universale ; vende te ndryshme munden me pasë rregjim tjetër, prandej, sipas mundsisë, duhen konsultue arshivat e Arqipeshkvisë mbi rregullat e krezhmës në Kishat lokale t’aprovueme prej Selis-Shejte në kohen e Papes Piut XII.

* Në kohen e Mesjetës, Kisha Katolike ka pasë urdhnue me mbajtë edhe Krezhmen e vogël, Krezhma e Kohës së Ardhjes, e cilla âsht Krezhma 4 javshe që paraprin KRISHTLINDJEN. Sod (tuej ndjeke rregullat e Krezhmes si n'kohen e Papes Piu XII), kjo krezhëm e vogel nuk âsht mâ e detyrueshme, nën mkat, por ata që munden me e mbajtë me ndihmen e Zotit, si devocjon, për dashni për Hyjin, ta mbajnë dhe Ati qielluer ka me i bekue. 

Bibliografi :

- Ligji i të drejtes kanonike të Kishës Katolike (riti latin), 1917.
- Rev. P. Héribert Jone O. M.Cap., « Précis de théologie morale catholique », 1958.
- Rev. P. L. Muller, S.Sp., « Somme de théologie morale », 1936. 
- Rev. P. Emile Jombart S.J., « Manuel de droit canon », 1958.