sabato, dicembre 24, 2011

Puer natus est nobis...
Nji Fmí ka lindë për né (Is., 9,6)

Viti i botës 5199
 
 
 
 
 Hunc astra, tellus, aequora,
Hunc omne quod coelo subest,
Salutis auctorem novae
Novo salutat cantico.


N'kyt ditë, hýjet, toka, detet dhe t'âna krijísat që lëvizin nën kupën e qiellit t'víjnë me përshndétë me nji hímn t'ri ardhjen e Shëlbuesit. (Liturgjia romane e Krishtlindjes)
 
 
 
 * * * *
 
 
     Festa e Krishtlindjes âsht aq madhështóre dhe besimtarët katolíkë e lusin até me aq zêll e devocjón saqë do t'ishte e padêjë për né t'krishtênët mos me meditue pak n'kyt natë t'bekueme mbi kyt mistèr t'lavdishëm. Misteri i Krishtlindjes êmnohet dhe mbetet mister sepse ai kalon forcën e inteligjencës njerzuere dhe hín n'botën e t'vërtètave t'Fesë t'zbulueme prej vetë Zotit.

N'festën shêjtë t'Krishtlindjes, Kisha Katolike kujton nji ngjarje historike unike dhe nderon, veçanërisht në lutjet e Meshës së tretë të kësaj dite të bekueme, lindjen e dytë të Shëlbuesit tonë prej nji Nâne Virgjën. Krishti Fmí vjen me ndriçue njerëzimin me prezencën e Tij hyjnore, tuej bashkue, prej veprimit të Shpirtit-Shêjt, n'Personën e vetme hyjnore të Jezu-Krishtit, që âsht vetë Persona e dytë e të Shêjtnueshmes Triní, Natyrën hyjnore me Natyrën njerëzore, dhe me fillue veprën e madhe t'Shëlbimit t'njerzimit.

Krishtlindja quhet lindja e dytë, sepse lindja e parë e Personës së dytë të Shêjtnueshmes Triní, që âsht Biri i Zotit, Fjala e Zotit n'përjetësi ose Jezu-Krishti në kohë, vjen prej inteligjencës së Atit, Personës së Parë të Shêjtënueshmes Trini. Kjo lindje e parë âsht e vazhdueshme dhe e përhershme, sepse nuk ka pasë kurrë fillim dhe nuk ka me mbarue kurrë. Kjo âsht nji lindje me anë së cillës Ati i komunikon përjetësisht Birit, Personës së dytë të adhurueshme të Shêjtënueshmes Trini, të njâjten natyrë të Tij hyjnore. Nuk janë tre Zotën por Nji Zot në Tre Persona hyjnore pafundsisht t'adhurueshëm.

Qé si e këndon Kisha Katolike Krishtlindjen në liturgjinë e saj të shêjtë :

"Sot paqja e vërtetë a ulë prej Qiellit për né; Sod Qiejtë janë bâ burim mjaltit për të tânë botën; Për né sod âsht dita e nji Shëlbimi t'ri, e nji riparimi të vjetër dhe e një lumnije të përjetshme."

Papa  sh'Leoni i madh në sermonin e parë të Krishtlindjes shkruen :

"Të dashtunit e mij, sod Zoti ynë ka lindë. Gzohuni pra, sepse nuk bân me kênë të trishtushëm kur lind jeta. Askush nuk përjashtohet prej ktij gëzimit. Të tânë njerëzit munden me marrë pjesë sepse Zoti ynë Jezu-Krishti, shkatërruesi i vdekjes dhe i mëkatit, tuej mos gjetë mbi tokë kërkênd t'pafajshëm, [me përjashtim të Virgjinës Marí], ka ardhë me pague lirimin e të tânë njerzve.

"I drejti t'mbushet me gëzim sepse aj ka me marrë s'shpejtit pagesën për drejtësinë e tij; mkatnori t'ngushëllohet n'mjerimin e tij sepse atij ka me iu ofrue falja e mkateve kurse pagani t'forcohet sepse kanë me e thirrë me i dhanë jetën."

E me t'vërtetë, n'çdo Krishtlindje, Krishti Zot, n'dashtninë e Tij t'pafundme hyjnore, na kujton se Aj ka ardhë për né n'kyt botë me pague, nji herë e përgjithmonë, me Gjakun e Tij të paçmueshëm, lirinë dhe të drejtën tonë për jetën e pasosun; Aj ka ardhë për né që dikur kena kênë anmiqtë e Tij, skllèvën t'mkatit dhe t'djallit, t'dënuem n'Ferr përjetësisht; Krishti Zot ka ardhë për né me na kujtue se kjo jetë tokësore âsht nji fushë betejet për me fitue kunorën e Parrizit, e cilla i nepet vetëm fitimtarëve që kanë triumfue, me ndihmën e Zotit, kundër vedit, kundër botës dhe kundër djallit; Krishti Mbret ka ardhë me na msue se mbas ktij pelegrinazhit t'shkurtë n'kyt luginë lotësh vjen deka, gjykimi, Parrizi për të drejtit dhe Ferri për t'papenduemit. Lum ata që deka ka me i gjetë n'dashtnín e Zotit; mjerë ata që deka  ka me i xanë n'anmiqsinë e Zotit; Derisa ka kohë, ka edhe shpresë dhe Zoti e ndjek mëkatnorin deri në frymën e tij të fundit për me e konvertue dhe shelbue. Por mbas deks nuk ka mâ kohë, nuk ka më falje por vetëm gjykim.

Sh'Pali na zbulon dishka prej fundin t'frikshëm e t'mnershëm t'mkatnorit që ka përbuzë dashtnín e Zotit :

"Asht e tmerrshme me râ n'duert e Zotit t'gjâllë." (Hebrejve 10:31)

Sa herë që ne vazhdojmë me mkatnue, po aq herë ne shkelim Gjakun e shêjtë të Jezu-Krishtit Zot të derdhun me aq bujarí për sejcilin prej nesh, po aq herë ne refyzojmë lumnín dhe jetën e pasosun dhe po aq herë ne pranojmë vdekjen e përjetshme.
O çmenduní njerzore që nuk ka fjalë me e përshkrue !

Shekuj mâ parë, Zoti i premtoi Noésë, Abrahamit, Jakobit, Moisiut, Mbretit David, profetit Izai dhe brezave çifute n'robnín e Babilonisë lindjen e Krishtit. Zoti i premtoi atyne nji Shëlbyes t'vërtetë për me i zgjídhë prej skllavnís' mëkatit dhe tiranis' djallit.

Qé pra edhe mesazhi kryesor që shpesh injorohet prej vetë t'krishtenve :  Festimi i Krishtlindjes, në thelb, nuk ka lidhje as me tavolinat e mbushuna plot, as me shkëmbimin e dhuratave, as me zbukurimin e bredhave e as me ndonji traditë tjetër folklorike, të cilat, n'vetvedi, nuk janë t'gabueme por ata janë burim tundímit sepse anashkalojnë arsyen e vërtetë t'uljes së Birit të Zotit mbi tokë.

Krishti ka ardhë personalisht n'kyt botë rreth 2000 vjet mâ parë dhe vjen çdo Kriishtlindje në zemrat e besimtarëve të vërtetë katolik me anën e Kungimit Shêjt për me na pastrue prej mkateve, për me na shêjtnue dhe për me na transformue n'bij t'Hýut, të ngjashëm me Zotin. Ky âsht edhe qëllimi i vetëm i egzistencës tonë tokësore :

"Bânju t'shêjtë sepse Un jam i shêjtë."(Levitët 11:45-46) 

"Bânju perfekt ashtû si Ati juej qielluer âsht perfekt." (Mateu 5:48)

Zoti e din se njerzit nuk munden me u shêjtnue pa ndihmën e Tij, por Ai i thotë atyne me e dishirue kyt shêjtní dhe me bâ të tâna përpjekjet njerzore drejt ktij qëllimit. Mandej, ajo shka duket e vshtirë për njerëzit âshtë e lehtë për Zotin :

"Jezusi i tha atyne : Gjânat e pamúnduna për njerëzit, janë të múnduna për Zotin." (Luka 18:27)

Kshtû na flet Krishti Fmí n'gràzhdin e vorfën n'kyt Natë Kshndèllash... Shëlbuesi ynë ka lindë për né... Engjëjt lajmërojnë ardhjen e Zotit-Njíri me kângët e tyne t'harèshme e t'harmonishme, tingujt ênjëllorë t'cillave i napin ngrohtsí qiellit dimnor prej ku nji Hyll hyjnor ndriçon êrrsínen e njerzimit mbi rrèzet e nji Misteri t'papërsëritshem.

Mbasi êngjëlli Gabriel i pat zbulue n'ândër Misterin e Mishnimit t'Zotit, sh'Jozefi së bashkut me Virgjinën Marí nuk pushuen s'bekuemit, s'adhuruemit e s'falenderuemit Zotin e gjithpushtetshëm për dashtnín e Tij t'pafundme për mkatnorët dhe iu luten Hyjit me prue sa mâ parë Shëlbuesin e premtuem.

Veçanarisht lutjet, virtytet dhe dashtnija perfekte e Virgjinës Mari pët t'Madhin Zot përshpejtuen ardhjen e Shëlbuesit dhe bâne até që dishirat e zjarrta t'patriarkëve, lutjet e sinqerta t'profetëve dhe thirrjet e psherëtimat e vazhdueshme të t'drejtëve nuk kishin mujtë me bâ tash 4000 vjet. Zoja e Bekueme âsht krijesa mâ e përkryeme që Zoti ka krijue ndonjherë mbas natyrës njerzore të vetë Jezu-Krishtit.

Nâna e Zotit kishte dijeni, prej fjalve t'ênjëllit Gabriel, se vetë Shpirit-Shêjt kishte me formue n'barkun e saj virgjën dhe t'papërlyem Krishtin Zot, pa asnji ndërhymje njerzore, dhe se ajo kishte me lindë Shëlbuesin tuej ndêj gjithmonë virgjën : Virgjën para lindjes, Virgjën gjatë lindjes, Virgjën pas lindjes, gjithmonë Virgjën (sh'Bonaventura).

Profetët kishin profetizue disa herë se Shëlbuesi kishte me lindë n'Betlehèm, n'qytetin e Mbretit David. Zoti, n'Providencën e Tij t'mistershme, bâni që perandori i kohës, Çezar-Augusti t'urdhnote numrimin e popullsís. Virgjina Mari dhe sh'Jozefi, që n'línjen e brèzave vijshin të dy prej fisit të Davidit, për me iu bindë urdhnit' perandorit, u nisën për në Betlehèm.

Ky shembull na mëson edhe ne me iu bindë qeveritarve t'vêndit, kushdo kjoshin ata, n'gjithshka që nuk kundërshton ligjin e Zotit dhe të Kishës katolike, sepse Providenca hyjnore drejton shdo gjâ për lavdinë e Hyjit dhe për të mirën e atyne që duen Zotin.

Kur mbërritën n'Betlehèm, vênd i mbipopulluem n'at periudhë rregjistrimit, Familja shêjte nuk gjeti strehë n'hotelet e qytetit por u vendos në rrethinat e Betlehemit, në nji kullë t'rrënueme që dikur ishte kênë prone e Mbretit David. Atje, n'nji shpêllë nëntokë, të lodhun prej rruget dhe t'ftoftit, Virgjina Mari, që ishte vetëm 14 vjeçare, dhe sh'Jozefi  gjeten strehë dhe filuen me përgaditë lindjen e Shëlbuesit.

Kjo shpêllë ishte nji lloj kasollet për kafshë ku kishte nji grazhd me hangër bagtia, kashtë dhe sanë. Nuk mundet me u mendue nji strehë mâ e vorfen dhe mâ e përvuejtun, por Dija e Zotit e zgjodhi kyt vênd para hoteleve dhe pallateve luksoze, para çdo vêndi tjetër, për me i msue njerzve virtytin e përvujtnís dhe até të vorfnís. Virtyti i përvujtnís, që âsht baza e shdo jete shpirtnore, na mëson se Zoti âsht gjithshkaja kurse na jena mkatnorë, mâ pak se hiçi. Virtyti i vorfnís na bân me përbuzë lakminë e pasunive t'rrêjshme t'kësaj bote dhe na nxitë me mendue e shpresue mbi thesaret e përjetshme të Parrizit. Kto dy virtyte përgadisin shpirtin tonë në kohën e bekueme t'Krishtlindjes dhe e ftojnë Krishtin me zdryp n'zemrat tona.

Por vetëm kto dy virtyte nuk mjaftojnë me pritë dêjsisht Krishtin Zot.

Para momentit t'lindjes shêjte, Zoja e Bekueme pastroi kasollen dhe e ul n'gjuj bashkë me sh'Jozefin me pritë momentin e mistershëm e të jashtëzakonshëm. N'kohen e caktueme prej Providences Hyjnore para të tâna kóhnave, Virgjina Mari u çue prej Zotit n'nji kontemplacjon aq t'naltë mbi madhshtín e Trinís Shêjte dhe përsosmënín e Personës hyjnore të Birit të Zotit që do të merrte trup njerzor n'barkun e saj t'papërlyem; Zoja e Bekueme hyni n'nji pjesmarrje dhe njohje aq t'admirueshme të perfeksioneve t'Personës hyjnore të Atit, i Cili lind përjetësisht Personën hyjnore të Birit; Nâna e Zotit u mbush me nji zjerm dashtnijet aq t'madh për Hyjin saqë nuk ka fjalë njerzore apo ênjllore që mundet me e spjegue ndonjiherë kyt mister t'mrekullueshëm.

Sipas Revelacjóneve të shêjtes Brixhitë, Nâna e Zotit u lut kshtû n'ato momente :

"At i përjetshëm, që më nderoni tuej me zgjêdhë për Nânën e Birit t'Juej t'vetëm, që keni mbyllë n'barkun tem Thesarin e paçmueshëm të Dijes s'Juej, dhe që keni mshehë n'mue, si në nji guaskë misterjoze, perlën e paçmueshme t'imazhit t'Juej, ju lutem prezantójani tashti botës kyt imàzh përfekt të Mirësisë s'Juej t'pafundme, në mënyrë që nëpërmjet këtij imàzhi, të tânë njerëzit t'munden me Ju njoftë... Që bota t'mundet me pâ Krijuesin e saj, ênjëlli, Mbretin e tij, i drejti, jetën e tij, mkatnóri, ilaçin e tij, pagani, dritën e tij, çifuti, lavdinë e tij, i pikëlluemi, ngushëllimin e tij. S'fundmit, që Shërbëtorja e Juej mâ e përvuejtun t'mundet me pâ Djalin dhe Dashnínë e saj t'vetme."

Mbas ksaj lutje ose nji tjetre mâ perfekte që dobësia e inteligjencës sonë nuk mund me imagjinue, Fmija hyjnor u duk para syve t'Virgjinës Mari me nji hir dhe bukuri t'jashtzakonshme. Simbas revelacjoneve të disa shêjtënve, n'fillim Krishti fmi ka qëndrue n'ajër për disa momente dhe mandej âsht ulë  butësisht mbi tokë. Fmija hyjnor ka dalë prej Virgjinës Mari pa cënue për asnji moment virgjinitetin e Nânës s'Tij, ashtû si dalin dishirat e pastra prej zêmres apo ashtû si hyjnë rrezet e diellit n'nji sallë nëpërmjet nji xhami krejtësisht t'pastër.

Kshtû mësojnë edhe të tânë Etënit dhe doktorët e Kishës Katolike kundër paganëve, çifutëve dhe heretikëve. Kshtû profetizon edhe profeti Izaia n'kapitullin e 7 kur shkruen se nji Virgjën ka me lindë nji Djalë me emnin Emanuel, që don me thânë : Zoti me né.
Kshtû deklaron zyrtarisht Kisha Katolike me anen e Konçilit të Laterànit, i mbledhun prej Papës Martini I, n'mbrojtje t'virgjinísë të Nânës s'Zotit :

"Në kjoftë se ndonji personë nuk e njef Nânën e Zotit si gjithmonë virgjën dhe t'papërlyeme, e cila âsht xanë me Krishtin Fmi dhe ka lindë tuej qëndrue gjithmonë virgjën, edhe mbas lindjes, atherë aj person kjoftë mallkue."

Si shkrova mâ nalt, përveç virtyteve t'përvujtnisë dhe t'vorfnisë, për me thirrë dêjësisht Krishtin Zot n'zêmrën tonë duhet patjetër që virtytet e sipërpërmenduna t'kunorëzohen prej pastërtisë shpirtnore e trupore dhe prej dashnís për Zotin.

"T'bekuem janë ata që kanë zêmrën e pastërt sepse ata kanë me pâ Zotin." (Mateu 5:8)

Pastërtia e zêmrës apo pastërtia shpirtnore nënkupton mungesën e mkatit, sepse Zoti nuk mundet me jetue kurrë n'nji zêmër me mkat. Ashtû si Virgjina Mari që pastroi kasollen me pritë Fminë hyjnor, ashtû duhet me pastrue edhe nà kasollen e zêmrës tonë t'ndyme prej mkateve me anën e pêndesës perfekte dhe t'nji rrfimi t'mirë. 

Virgjina Mari nuk e là Krishtin e dashtun gjatë n'tokë, por ajo e mori n'durrt e saja t'bekueme, e puthi me respekt, e shtërngoi me dashní t'zjarrtë n'Zemrën e saj t'papërlyeme dhe mbasi e mbështolli me pelena e shtriu Zotin-fëmi në grazhd.

Shën Gregori i Nisèsë shkruen se Dija hyjnore, që âsht buka e jetës, lindi n'nji kasolle shtàzësh [i shtrimë n'nji grazhd] sepse njerëzit, për t'cillët Krishti Zot dishróte me u bâ ushqimi dhe jeta e tyne, për shkak t'mkateve, kishin râ n'rangun e bagëtive pa arsye.

Prej mkateve, mjerisht, sa e sa njerëz kanë râ sod n'nivelin e kafshëve t'parsyeshme që ndigjojnë me veshë por që nuk kuptojnë me mênd, që shofin me sy por që nuk arsyetojnë me inteligjencë, që mendojnë se kanë dituní dhe pasuní materiale, por që nuk e dinë se nuk kanë asisênd e se janë t'zhdeshun krejt prej virtyteve e veprave t'mira, dhe që po i përgadisin vedit vetëm Ferrin e përjetshëm.

Rrezet e diellit megjithse bien papushim mbi nji xham t'mbuluem prej baltës, ata nuk mund me depertue qelqin e ndyem. Zgjóji, ô Virgjën Mari, kta njerëz dhe pastroja baltën e mkateve prej xhamit t'shpirtit t'tyne. O ndërmjetsja e të tâna hireve hyjnore, pa ndihmën e juej dhe pa hirin e Zotit, kta njerëz janë t'maruem përgjithmonë.

Qé pra dhe sekreti mâ i madh me tërhjekë Krishtin Fmi n'zêmrat tona : nji devocjon i zjarrtë për Nânën e Zotit, gjithmonë Virgjën, dhe sh'Jozefin. Kur ata të dy hyjnë n'nji zêmër t'pêndueme por t'mbulueme prej mkateve, si n'kasollen e papastër t'Betlehèmit, ata kanë me e ndihmue kyt zêmër me dlirë ndytsínë e mkateve dhe me prezencën e tyne kanë me tërhjekë mshiren, bekimin dhe hiret e KRISHTIT Zot i Cilli ka me ardhë me vendosë Tronin e Tij hyjnor n'kyt zêmër për shêjtnimin dhe shëlbimin e saj.

Sipas Traditës katolike, Krishti fëmi âsht xé n'grazhd prej frymës s'dy kafshëve : nji viçit dhe nji gomarit. N'kyt mënyrë janë realizue edhe dy profeci t'tjera të profetit Izaia :

"Viçi e ka njoftë Krijuesin e tij dhe gomari, grazhdin e Zotit t'vet" (Izaia I,3) dhe "Shdo krijesë ka me pâ shëlbimin e Zotit." (Luka 3:6). 

Sipas meditimeve të sh'Agustinit, viçi përfaqson izraelitët e përkulun nën Ligjin Mozaik, kurse gomari, shtâzë e papastër, përfaqson kombet joçifute apo paganët nën barrën e ndyet t'idolatrís, që i dàte prej populli çifut, i cilli n'at kohë adhurote Zotin e vërtetë. Kjo profecí e Izaís parashikon nji t'ardhme ku populli izraelit dhe ai pagan kanë me adhurue s'bashkut Shëlbuesin e njerzimit, Zotin Jezu-Krishtin, si dy kafshët n'Bethlehèm. Bazuem n'citimin e mâsipërm të sh'Gregorit të Nicèsë, dy popujt përfaqsohen n'grazhd prej dy bagtive për me na diftue se, për shak të mkateve, dinjiteti njerzuer kishte râ n'rangun e kafshëve. Zoti kishte mujtë me prue Birin e Tij n'tokë drejtpërdrejt, n'nji moshë t'rritun, pa ndërmjetsinë e asnji krijeset, thotë sh'Agustini, por bota nuk ishte e dêjë për kyt ardhje. Prandaj Zoti zgjodhi Zojën e Papërlyeme me na dhânë Shëlbuesin e kombeve tuej i thanë njerzve mkatnorë se në shdo nevojë shpirtnore a materjale, ata kanë me gjetë përgjigjen e lutjeve t'tyne në ndërmjetsinë e Virgjinës Mari, Nânës tenZot.

Sh'Agustini vazhdon mâ andej tuej thânë se kur Krishti lindi n'kasolle, n'prezencen e Familjes Shêjte dhe t'gomarit t'udhëtimit që Virgjina Mari e sh'Jozefi kishin përdorë me mbrritë n'Betlehem të Judesë prej Nazaretit t'Galilesë, nji viç prej fushave aty afër erdhi me vrep dhe hyni edhe aj n'shpellën e Betlehèmit. Ky veprim përfaqson nji profecí, t'realizueme pjesënisht deri tash, simbas të cillës kombet pagane, t'përfaqësueme prej gomarit, janë t'parat që kane me njoftë dhe adhurue Krishtin Zot. Kurse populli izraelit, i përfaqsuem prej viçit, ka me njoftë dhe adhurue Krishtin Zot vetëm në kohët e fundit t'botës, dhe tuej pâ se nuk ka mâ kohë për shëlbim, si viçi, aj ka me ardhë me vrep me lëvdue Zotin Jezus.

Dhe njerzimi, për nji kohë, para Antikrishtit dhe fundit t'botës, ka me njoftë paqen e madhe dhe t'qetë të Krishtit Mbret, si n'at natë t'paqtë dhe t'qetë të Krishtlindjes. Vetë Papa Piu XI profetizon se Paqja e Krishtit ka me ardhë n'Mbretnínë socjale të Krishtit Mbret, ku të tânë njerzit kanë me njoftë, adhurue dhe  shërbye Zotin Jezus : Pax Christi in regno Christi.

N'kjoftë se Krishti Zot nuk mbretnon n'shoqní, n'familje, n'qeverí, atherë bota nuk ka me njoftë kurrë paqe t'vërtetë e t'qëndrueshme, por vetëm luftna, konflikte, ngatrresa dhe mallkim. Mallkim në familje, mallkim n'shoqni dhe mallkim n'qeverisje. Kyt realitet populli shqyptar po e përjeton prej shekush, por, mjerisht, pa xjerrë asnji msim prej t'kaluemes s'tij.

"Për lirinë e vet, zotni, shqiptari ban fli shpinë, tokën dhe mjerisht edhe besimin." (At Gjergj Fishta, O.F.M., Konferenca e Paqes në Paris, 1919)

Kjo liri kombtare që ngrèhet mbi Fenë dhe Kishën Katolike përbuz Paqen e Krishtit dhe robnón edhe mâ rândë popullin shqyptar nën tiraninë e djallit, dhe t'shërbtorve t'tij që përfaqsohen sod prej "t'mëdhêjve" t'ksaj bote. Kjo tirani shpirtnore shoqënohet me tiraninë materiale, apo shtypjen e kombit shqiptar prej "t'mëdhêjve" që, si dikur, vazhdojnë me i mbajtë shqyptarët hallexhí nën thundrën e tyne t'interesit ekonomiko-politik.

"Ata që nuk i binden pushtetit shpirtnor të Papës dhe Kishës Katolike, meritojnë me u dënue n'mnyrë të drejtë prej pushtetit civil." (Sh'Tomë Akuinati, La Somme théologique, IIª-IIae q. 39 a. 4 co.)

« Vetëm atherë kur njerzit kanë me njoftë Krishtin Mbret, jo vetëm n'jetën private por edhe n'jetën publike, shoqnia, mâ s'fundit, ka me marrë prej Zotit bekimet e mëdhaja të lirisë s'vërtetë, të rregullit, të pâqes dhe harmonisë ». (Papa Piu XI, Quas Primas, 11 Dhetuer 1925)

Mbas lindjes s'Krishtit, ênjëlli Gabriel i pruni lajmin e gëzueshëm edhe disa baríjve në rrethinat e Betlehëmit që po kullotshin dhentë. Enjëlli i tha atyne se Shëlbuesi, Krishti Zot, kishte lindë për të tânë njerzimin dhe se ata mundeshin me e gjetë Fminë hyjnor t'mbështjellun n'pelena n'nji grazhd n'shpellën e Betlehëmit. Mbas ktyne fjalëve nji kor ênjëllish iu bashkue ênjëllit Gabriel me kndue s'bashkut lavdinë e Hyjit :

"Lavdi Zotit n'qiejtë mâ t'nâltë dhe paqe njerzve vullnetmirë mbi tokë."

Enjëllit lëvdojnë Zotin për perfeksionet e Tija t'panumërta, e veçanarisht për Mshirën e Tij t'pafundme ndaj njerzve t'cilëve u dhà Shëlbuesin e shumëpritun. Zoti aq shumë e ka dashtë botën e shëlbimin e njerzve që ishin t'dënuem përgjithmonë n'Ferr, saqë Aj nuk ka kursye me sakrifikue Birin e Tij t'vetëm për shëlbimin e tyne. (Luka 2:14)

Ky hymn na difton gjithashtû se Fmija hyjnor ka ardhë mes nesh me i dhanë mâ t'madhen lavdí Atit, tuej bâ n'gjithshka Vullnetin e Tij (Hebrejve 10:9) dhe me i ofrue njerzimit pâqen e Krishtit dhe shëlbimin prej mkateve. Edhe sod âsht zakon n'vêndet e Lindjes s'Mesme me përshndetë njêni-tjetrin me shprehjen : Paqja me ty. Me kyt paqe urohen të tâna t'mirat e mundshme, shpirtnore e materjale. Megjithse kjo paqe dhe shëlbim i ofrohet të tânë njerzve, vetëm vullnetmirët janë t'përgaditun me mirëpritë kyt paqe n'zêmrat e tyne s'bashkut me shêlbimin e ofruem prej Krishtit Zot.

Vullnetmirët janë të tânë ata që duen me i pëlqye Zotit dhe përpiqen me vepra konkrete, tuej mbajtë 10 Urdhnimet e Zotit dhe ligjet e Kishës Katolike, me bâ Vullnetin e Tij t'adhurueshëm.

Nji pjesë e grazhdit në t'cilin u vue Krishti fmi, mâ vonë, u çue n'Romë n'Kishën "Sainte-Marie-Majeure", kurse pelenat në t'cillat u mbështoll Fmija hyjnor u nisen s'parit në Konstantinopojë për me u ruejtë prej profanimeve t'pafeve. Prej aty, kah mesi i shekullit të XIII, ata u dërguen në Paris.

700 vjet para Lindjes së Krishtit, Birit të Zotit, profeti Izaia profetizote se nji Fmi kishte me lindë për né; nji Fmi kishte me ardhë për né (Izaia., 9,6).

E kyt vjetë, Krishti Fmi po vjen prapë mes nesh me na shêjtnue me prezencën e Tij hyjnore tuej na kujtue edhe nji herë se vetëm Ai âsht Udha, e Vërteta dhe Jeta; se vetëm n'Emnin e Tij shêjt ka shëlbim, paqe, lumní e harmoní t'pafundme. Aj qëndron sonte te dera e zêmrës tonë dhe gërset. Në kjoftë se ndokush ka me ndigjue zânin e Tij dhe ka me I a hapë derën,Krishti Zot ka me hi mbrendë(Apokalipsi 3:20). A jena gadi me futë Krishtin Zot e Mbret n'zêmrat tona ? I Madhi Zot na e ka lanë né n'dorë me zgjedhë lumnínë tonë t'përjetshme.


GZUAR E PERSHUMOT KRISHTLINDJEN !


 
Bibliografia :

Abbé Louis-Claude Fillion, La Sainte Bible, 8 volumes, Paris, 1904.
S.S. Pape Pie XI, Quas Primas, 11 décembre1925.
Imzot Frang Bardhi, Relacioni i Imzot Frang Bardhit në krahinën e Pukës, Qershor 1637
Mgr Paul Guérin, Les petits bollandistes, 17 volumes, Paris, 1878.
Denzinger, The Sources of Catholic Dogma, 30-th edition, Freiburg, 1954.
P. Goedert, Saint Augustin : Lectures spirituelles, Paris, 1900.
Dom Gaspar Lefebvre, Missel quotidien et vesperal, Paris, 1936.
Saint Thomas Aquinas, Summa Theologica, 5 volumes, New York, 1948.
At Gjergj Fishta O.F.M., Fjalimi i mbajur në Konferencën e Paqes, Paris 1919.
 
 
 
 

giovedì, dicembre 22, 2011

Mnjíllja e Krishtlindjes (Kshndêllave)




     Dita e 24 Dhetúerit njihet n'liturgjín e Kishës Katolike si Mnjíllja (Vigjílja) e Krishtlindjes. Mnjílljet përgadisin besimtarin me festue me mâ devocjón festat e mëdhàja t'liturgjís s'krishtênë.
N'mnjílle, ligji i Kishës urdhnon me njinúe dhe mos me hangër mish apo làngje mishit. N'kjóftë se katoliku e shkel kyt ligj prej neglizhèncet apo përbuzjet atherë aj e rândon vêdin me mkat t'rândë. Katolikët që nuk munden me e mbajtë kyt ligj, për arsye shndetsore, prej punve t'rânda ose arsyve t'tjera serioze, duhen me i kërkue lêje (dispensë) meshtarit t'yne.

Ligjet e Kishës mbi njinímin e moshàngjen e mishit, e kryesisht kanonet 1250-1254, detyrojnë shdo besimtar: Njinesa, për shdo besimtar që ka mbushë 21 vjeç deri në 61 vjeç (kanoni 1254 § 2) dhe moshàngja e mishit, për shdo besimtar që ka mbushë 7 vjeç (kanoni 1254 § 1).

N'mnjílle, katoliku duhet me hangër vetëm 1 vakt kryesor n'ditë, dhe n'kyt vakt nuk hahet mish apo langje mishit, por lejohen voet (vezet) e qumështi. Nuk ka limit n'sasín e ushqimit që merret n'kyt vakt por ai nuk duhet me u zgjàtë mâ shumë se 2 orë dhe nuk duhet me u ndërpré për mâ shumë se 30 minuta. N'kjóftë se vakti ndërprehet për nji kohë mâ t'gjatë se 30 minuta, bâhet mkat veniel (i lehtë); n'kjóftë se ndërpritet mâ shumë se 1 orë, pa arsye shumë serioze (p.sh me ndêjë te kryet e atij që âsht tuej dekë), bâhet mkat mortar (i rândë).

Përveç ktij vakti kryesuer, Kisha Katolike lejon besimtarin që dishiron me marrë pak ushqim n'mjes e n'darkë. N'mjes, sasia e lejueme shkon deri në 60 gram, kurse n'darkë sasia e lejueme âsht rreth 250 gram. Nuk lejohet me hanger asgjà midis ktyne 3 vakteve, por lejohet pímja e langjeve joushqýese, si uji, vêna e birra.

Virgjina e Papërlyeme Marí, Nâna e tenZot, ju bekoftë dhe ju përgadítë me pritë me zemër t'pastër e dashní vllâznore ardhjen e Shëlbuesit t'njerzimit, Zotit tonë JEZU-KRISHTIT.


PER SHUMVJET KSHNDELLAT E BEKIME  E GZIME PAÇIN GJITHMONE FAMILJET E JUEJA !