venerdì, settembre 27, 2019

Vuejtjet e Virgjinës t'Papërlyeme





"Afër Krygjit t'JEZUSIT qëndrojshin Nâna e Tij, motra e Nânës' Tij, Maria e Kleofas dhe Maria Magdalena. Kur JEZUSI pâ Nânen e Tij dhe dishepullin që donte aty afër i tha Nânës t'Vet : Grue, qé biri juej. Mandej, i tha dishepullit : Qé Nâna jote. Dhe prej atij momentit dishepulli e mori n'shpinë e vet." (Sh'Gjoni 19:25-27)



Ashtû si nuk mundet me u ndâ drita prej diellit, ashtû nuk mundet me u ndâ as Virgjina MARI prej KRISHTIT Zot, t'Cilit i dhâ natyren njerzore tuej ndêjë gjithmonë Nânë e Virgjën e Papërlyeme.

"Po kthehem nji moment drejt Jush, ô JEZUSI em i dashtun, për me iu ankue n'dashtní Madhnísë Tuej hyjnore, se pjesa ma e madhe e t'krishtênve, edhe ata ma t'dítunit, nuk e dijnë lidhjen që egziston mes Jush dhe Nanës Tuej t'shêjtë. Ju jeni, ô Zot, gjithmonë me Virgjinën MARI, dhe Virgjina MARI asht gjithmonë me Jue, dhe nuk mundet me kênë pa Jue, përndryshej nuk do t'ishte ma Ajo që asht ; Ajo asht aq e transformue në Jue, n'sajë t'hirit hyjnor, saqë Ajo nuk jeton mâ, nuk asht mâ, por jeni vetë Jue, JEZUSI em, që jetoni dhe mbretnoni në Virgjinën MARI, ma përsosmënisht se në tanë engjëjt dhe shêjtnit. Ah ! Po të dihej lavdíja dhe dashtníja që Ju merrni në kyt Krijesë t'admirueshme, do t'egzistoshin për Ju dhe për Nanën Tuej ndenja krejt tjera, që nuk egzistojnë. Ajo asht e bashkueme me Jue aq ngushtë, saqë do t'ndajshim ma parë driten prej diellit, nxehtsínë prej zjermit, e po tham ma shumë, do t'ndajshim ma parë tanë engjëjt dhe shêjtnit prej Jush sesa tejet shêjten Virgjinën MARI, sepse Ajo Ju don në mnyrë ma t'zjarrtë dhe ma t'përsosun se tana krijesat e tjera së bashkut.

"E mandej, o Zoti em i dashtun, a nuk asht e habitshme dhe keqardhse me pâ injorancen dhe terrínat e tanë njerzve ktu poshtë për Nanen Tuej shêjte ? Nuk po flas ktû aq për idhujtarët dhe pagajt t'cilët, tuej mos Ju njoftë, nuk zoriten me E njoftë ; nuk po flas as për heretikët dhe shizmatikët, që nuk u bahet vonë me kênë t'devoçëm ndaj Nanës Tuej shêjte, mbasi janë të ndamë prej Jush dhe Kishës Tuej shêjte ; por po flas për t'krishtênët katolikë, e biles edhe për doktorë mes katolikve që, tuej pasë profesionin e msimdhanjes, nuk Ju njohin, e nuk njohin as Nanen Tuej shêjte, veçse n'nji mnyrë spekulative, t'thatë, sterile dhe indiferente. Kta zotnij flasin krejt rrallë për Nanen Tuej shêjte dhe devocjonin që i detyrohena, sepse kanë frigë, thonë-ata, se mos abuzohet, se mos Ju fyejmë tuej nderue ma shumë se duhet Nanen Tuej shêjte. N'kjoft  se shohin apo ndigjojnë ndonji t'devoçëm të Virgjinës shêjte tuej folë shpesh për kyt Nanë t'mirë, n'nji mnyrë t'përzêmërt, t'zellshme dhe bindse, si nji mjet t'sigurtë pa iluzion, si nji rrugë t'shkurtë pa rrezik, si nji udhë t'papërlyeme e pa t'metë, dhe si nji sekret t'mrekullueshëm për me Ju gjetë e me Ju dashtë përsosmënisht, ata çojnë zanin kundër tij dhe i napin me mija arsye t'rrême për me i dëshmue se nuk duhet me folë aq shumë për Virgjinën shêjte, se ka shumë abuzime në kyt devocion, se duhet me punue për me i shkatrrue, dhe se duhet ma mirë me folë për Jue, sesa me i drejtue popujt drejt devocjonit të Virgjinës shêjte, që kta popujt E dojnë biles shumë.

"I ndigjojmë kajherë tuej folë për devocjonin ndaj Nanës Tuej shêjte, jo për me e themelue dhe përhapë, por për me shkatrrue abuzimet e bame ; n'fakt, kta zotnij nuk kanë përshpirtní e devocjon t'përzêmërt për Jue, sepse nuk i kanë për Virgjinën MARI, dhe konsiderojnë Rruxaren e Skapularin (e Zojs t'Karmelit) si devocjone t'përshtatshme për shpirtnat e dobët e injorantë, e jo t'detyrueshme për shelbim ; e n'kjoft se u bjen n'dorë ndoj i devoçëm i Virgjinës shêjte, që rreciton Rruxaren apo ka ndonji praktikë tjetër devocjoni marial, s'shpejtit kanë me ia ndryshue shpirtin dhe zêmren ; n'vênd të Rruxares, kanë me i kshillue me thanë shtatë Psalmet ; n'vênd të devocjonit për Virgjinën shêjte, kanë me i kshillue devocjonin për JEZU-KRISHTIN.

"O JEZUSI em i dashtun ! Kta njerz, a kanë Shpirtin Tuej ? A Ju pëlqejnë kur veprojnë kshtû ? A Ju pëlqejnë kur nuk bajnë tana përpjekjet me i pëlqye Nanës Tuej, prej frigës se mos Ju prishin qejfin ? Devocjoni për Nanën Tuej shêjte a pengon Tuejin ? A e mban për vedi, Nana Juej shêjte, nderimin që i nepet ? A asht Ajo e ndame prej Jush ? A asht Ajo nji e huej që nuk ka asnji lidhje me Jue ? A nuk Ju pëlqen dishira me i pëlqye Nanës Tuej shêjte ? A ndahena apo largohena prej dashtnísë Tuej, n'kjoft se i kushtohena Nanës Tuej dhe E duejmë ? ... M'rueni, o Zot, m'rueni prej ndjenjave dhe praktikave t'yne, e m'nepni ndoj pjesë të ndjenjave të mirënjohjes, të vlersimit, të respektit dhe dashtnisë që keni për Nanen Tuej shêjte, në mnyrë që t'Ju due dhe t'Ju lëvdoj aq ma shumë sa kam me Ju imitue dhe ndjekë nga afër... M'nepni hirin që t'lëvdoj dênjësisht Nanen Tuej shêjte, 'Fac me digne tuam Matrem collaudare', pavarsisht tanë anmiqve t'Saj, që janë edhe anmiqtë Tuej, t'cilve u tham hàptazi me shêjtnit : 'Non praesumat aliquis Deum se habere propitium qui benedictam Matrem offensam habuerit', 'Aj që fyen Nanen shêjte të Zotit mos t'pretendojë me marrë mshiren hyjnore'." (saint Louis-MARIE Grignion de Montfort, "Traité de la vraie dévotion à la Sainte Vierge")

Tejet shêjta Virgjina MARI asht Arka e vërtetë e Beslidhjes, që ka mbajtë n'vetvedi JEZU-KRISHTIN, Autorin e Beslidhjes së Ré, dhe na E ka dhanë, për shëlbimin e botës.

Vetë Urdhnimi i katërt i Hyjit na urdhnon ma nderue baben dhe nanen, dhe asht i mallkuem aj që e then kyt Urdhnim dhe nuk nderon prindët e vet.

"Mallkue kjoft aj që nuk nderon baben dhe nanen e vet. Dhe tanë populli ka me u përgjigjë. Ashtu kjoft." (Deuteronomi 27, 16)

Për rrjedhojë, aq ma tepër e kena për detyrë me nderue Nanen e tenZot, dhe aq ma tepër asht i mallkuem aj që nuk nderon tejet shêjten Virgjinën MARI, Nanen e Zotit.

Kshtû, Nestori i pafé, që guxoi me i mohue T. Sh. Virgjinës MARI titullin "Nana e Zotit", n'kundërshtim me vetë dishminë biblike (sh'Luka 1, 43), u vue nën hakmarrjen hyjnore : gjuha e tij blasfemuese u grî prej krymbave dhe râ e kalbun (Hist. eccl.). 

Konstandin Kopronimi, mbasi fyu Virgjinën tejet shêjte, filloi me ndie nji nxehtsí t'brendshme aq të zjarrtë, saqë nuk pushonte s'bërtítunit se ishte hjedhë gjallë n'nji zjerm që nuk fiket kurrë ... (Ibid.)

Kajanus Mimus, mbasi kishte blasfemue Nanen e tenZot, u qortue ashpër prej vetë Virgjinës t'Papërlyeme në andërr ; por mbasi kjo nuk shërbeu për korrigjimin e tij, nji mjes, kur fajtori u çue prej gjumit, pâ se duert dhe kambët e tija ishin t'këputuna. (Ibid.)



         Devocjoni ndaj vuejtjeve shêjte të Nanës tenZot i ka fillesat qysh me prezantimin e Familjes shêjte në Tempull, 40 ditë mbas Lindjes së Shelbuesit, ku prifti i moshuem Simeon profetizoi shpaten e vuejtjeve që do të përshkonte Zêmren e Papërlyeme dhe t'Vuejtun të Nanës tenZot. N'nji revelacjon t'mavonshëm, Zoja e Bekueme do ti rrëfente shêjtes Brigjitës se kjo shpatë ka qëndrue vazhdimisht n'Zêmren e Saj shêjte dhe t'Papërlyeme, deri n'momentin e Nalcimit të Saj në Qiell, Shpirt e Trup, prej fuqisë hyjnore. Edhe në Kalvar, në kambët e Krygjës shêjte, sh'Gjon Evangjelisti, sh'Maria Madalenë dhe Maria e Kleofas vazhduen kyt devocjon shêjt ndaj Mbretneshës së Martirve, tuej e ngushllue dhe tuej marrë pjesë në vuejtjet e Virgjinës t'Papërlyeme. Pa dyshim se, me kalimin e viteve, Apostujt, Etnit dhe Doktorët e Kishës, si dhe t'devotë t'jerë t'zellshëm, e përcollen kyt devocjon t'bekuem te brezat e ardhshëm, s'bashkut me Traditen shêjte katolike.

Por asht Urdhni i Servitve aj që e ka kultivue dhe organizue kyt devocjon n'nji mënyrë t'veçantë mbas aparicjonit që Virgjina e Papërlyeme i bani shtatë t'devotve t'zêllshëm fiorentinas, me 15 Gusht 1233, tuej i porositë me lanë boten, me u tërhjekë n'vetmí, për me jetue totalisht për Zotin. ("Histoire des Sept Saints Fondateurs de l’Ordre des Servites de Marie", par le Père Sostène-Marie Ledoux – éd. Delhomme et Briguet, 1888)

Me 13 Gusht 1240, n'nji tjetër aparicjon t'aprovuem prej Kishës, Nana e tenZot i bjen shtatë religjiozve veshjet e reja, në ngjyrë t'zezë, dhe u kërkon me i veshë tash e mbrapa, n'kujtim e n'devocjon të vuejtjeve të Nanës shêjte të Zotit.

Në vjetin 1423, me anen e nji dekreti sinodal, arqipeshkvi i devoçëm i Köln-it, Thierry de Meurs, do t'inauguronte në dioqezen e tij Festen e Vuejtjeve të tejet shêjtes Virgjinës MARI. ("Labs. Concil." t. XII. p. 365)

N'vitet e mavonshme, me tolerancen e Selisë-Shêjte, kjo festë e bekueme u përhap ma gjanë, shpesh nën êmna të ndryshëm, derisa me 22 Gusht 1727, me anen e nji dekreti apostolik, Sh. T. Papa Benedikti XIII, e shkroi zyrtarisht kyt festë në ciklin liturgjik të Kishës Katolike, nën êmnin "Festa e Shtatë Vuejtjeve e t'Lumes Virgjinës MARI". Kjo festë nderon Mbretneshen e Martirve n'kambët e Krygjës dhe celebrohet të Premten mbas të Dielës së Pasionit.

Kisha Katolike ka inaugurue edhe nji tjetër festë, kyt rrallë n'devocjon e nderim të veçantë të Shatë Vuejtjeve kryesore të tejet shêjtes Virgjinës MARI, ku numri shtatë përfaqson tâna vuejtjet e Zojës s'Bekueme, e cila âsht kopja perfekte e Zotit tonë JEZU-KRISHTIT, Njirit t'vuejtjeve, ashtû si profetizon profeti Izaîja. Me anen e nji dekreti të 18 Shtatorit 1817 (Gardellini, "Decreta authentica Congr. Sacr. Rit."), Sh. T. Papa Piu VII inauguroi kyt festë të dytë, edhe në kujtim dhe falenderim të lirimit të tij prej burgjeve të Napoleonit. Në ciklin liturgjik, kjo Festë e dytë kujtohet të Dielen e tretë të Shtatorit.

Shtatë vuejtjet e tejet shêjtes Virgjën MARI janë : Profecia e Simeonit gjatë Prezantimit të JEZUSIT në Tempull, Ikja në Egjipt, Hupja e JEZUSIT në Tempull, Takimi i JEZUSIT me Zojen e Bekueme në Rrugen e Krygjës, Vdeka e JEZUSIT në Krygj, Ulja e Trupit t'pajetë të JEZUSIT në prêhnin e Virgjinës MARI dhe Varrosja e JEZU-KRISHTIT.


Ashtu si e kishte profetizue prifti Simeon, nji shpatë dhimbjesh përshkoi Zêmren e bekueme e Shpirtin shêjt të Virgjinës MARI, tuej pâ Birin e vet n'agoninë e deks, pa muejtë me ia lehtsue sadopak vuejtjet e pafundme të torturës së Krygjës ; Nâna e bekueme iu bâ Shelbuesit nji tjetër barrë dhimbjesh për Zêmren pafundsisht shêjte të JEZUSIT, që nuk mujte me ia thâ lotët e me ia lehtsue vuejtjet Nânës t'Vet të dashtun e të shtrêjtë.

KRISHTI Zot thirret edhe Mbreti i Vuejtjeve dhe Mbreti i martirve, kurse Virgjina MARI, Mbretnesha e Vuejtjeve. N'çdo oborr mbretnor, nana e mbretit quhet nana mbretneshë ; e aq ma shumë Nana e JEZU-KRISHTIT, Zot e Mbret i Qiellit dhe i dheut, e meriton me u quejtë dhe asht Mbretnesha e Qiellit dhe e dheut. "Në hebraisht, komenton doktori i Kishës sh'Pjetër Krizológu (shek. IV), emni "MARI" don me thanë "Mbretneshë, Zojë, Suvrane". Në fakt, autoriteti i Birit të Saj, Dominuesi i botës, e ban Virgjirën Mbretneshë, prej ktij fakti dhe prej vetë êmnit, qysh në lindjen e Saj." (Sermo CXLII, "de  Annuntiat.", Homelie e nokturnes së tretë ; Cf. dom Guéranger, "Anné liturgique", "La fête du très saint nom de Marie")

Nana e tenZot e ka meritue titullin "Mbretnesha e Vuejtjeve" mbasi ka vuejtë martirin mâ të tmerrshëm mbas atij të Birit t'saj. Virgjina MARI, thotë sh'Bernardi (shek. XII), doktor i Kishës, âsht martirizue jo prej shpatës së xhelatve por prej dhimbjeve e vuejtjeve të Zêmres t'saj të Papërlyeme. Martiri i Virgjinës t'bekueme kalon martirin e tânë martirve t'jerë sepse ai zgjati gjatë tanë jetës së saj toksore.

Sh'Bernardi thotë se martiri i JEZU-KRISHTIT filloi qysh me lindjen e Tij ; për rrjedhojë, Zoja e Bekueme, e cila ishte kopje perfekte e Shelbuesit në gjithçka, vuejti martirin e saj gjatë tânë jetës t'saj. Emni i bekuem MARI don me thanë edhe "det i hidhun", sepse si det i pamasë ka kênë vuejtja e Nânës t'Zotit, tuej pasë papushim n'Zêmren e saj t'Papërlyeme kujtmin e Pasionit të ardhshëm të Birit të saj hyjnor.

Sh'Anselmi (shek. XII) thotë se n'kjoftë se Zoti nuk do t'kishte bâ mrekulli për me ia ruejtë jetën Mbretneshës t'martirve, Virgjina MARI do t'kishte dekë në çdo çast t'jetës, si pasojë e vuejtjeve mbinjerzore. Kur biri vuen, cila nânë nuk vuen bashkë me té dhe nuk âsht gadi me dhanë jeten e vet për dashtni për birin e saj ?

Shêjti Amadé thotë se Zêmra shêjte e Virgjinës MARI u bâ pasqyrë e vuejtjeve të Birit t'saj, pasqyrë ku shifeshin gjakosjet, plagët, me nji fjalë gjithçka që vuente JEZUSI. Për mâ tepër, e lumja Maria e Agredës, në revelacjonet e saja t'aprovueme prej Selisë Apostolike, shkruen se gjithçka që JEZU-KRISHTI ka vuejtë gjatë Pasionit të Tij, Zoja e Bekueme e ka vuejtë po ashtu, shpirtnisht dhe fizikisht, megjithse n'nji mnyrë sekrete, mistike, aq sa ka kênë e mujtun për nji krijesë me vuejtë. Virgjina martire nuk ka kênë vetëm fizikisht afër Krygjës, por n'shpirt, Ajo ka kênë e kryqzueme bashkë me JEZUSIN n'Krygj, si Bashkshelbuese ("Coredemtrix") e njerzimit. Për mâ tepër, ashtu si KRISHTI Zot, i Cili u braktis prej të tânve n'agoninë e tmerrshme t'Kryqzimit, ashtû edhe Nâna e Tij vuejti bashkë me Birin e vet, pa asnji ngushllim.

Martirët, âsht e vërtetë se kanë vuejtë turtura të frikshme por fuqia e dashtnisë hyjnore ua lehtsonte dhimbjet ; në rastin e Zojes s'Bekueme vetë mundimet e KRISHTIT Zot ishin arsyet e vuejtjeve të saja. Por tuej kênë se dashtnija e saj për Birin hyjnor t'pafajshëm ishte gadi e pafundme, atherë edhe vuejtjet e Nânës tenZot kanë kênë gadi t'pafundme, tuej pâ martirin e Qingjit hyjnor, t'flijuem n'Krygj për mkatet e njerzimit, pa muejtë me i prue asnji lehtsim.

Prej Beslidhjes së Vjetër, në Librin e Tobias, lexojmë : "Ndero nânen tande tâna ditët e jetës t'saj dhe mos harro rreziqet e mëdhaja që ajo ka vuejtë për ty." (Tobias 4, 3-4)

N'kjoftë se Zoti na mson me nderue nânen tonë toksore që ka kontribue me na dhanë jeten e trupit t'vdekshëm, si mund t'harrojmë me nderue Nânën tonë qiellore, Virgjinën MARI, që vetë Zoti na e ka dhanë n'kâmbet e Krygjës në personen e dishepullit t'zgjedhun, e që ka kontribue e kontribon aq shumë me na dhanë dhe ruejtë jeten e pavdekshme të shpirtit, jetë e cila âsht pafundisht mâ e randsishme dhe mâ sublime se jeta e trupit mortor ?

Thuhet se njiherë Nâna e Zotit i tha shêjtes Brigjitë : "Hjêdhi shikimin mbi fmijtë e njerzve me pâ mos ndokush ndien mshirë për mue, por mjerisht, shof vetëm pak vetë ! N'kjoftë se shumë më harrojnë, s'pakut ti, bija éme, mos m'harro. Mendo sa shumë kam vuejtë [për ty]."

Sh'Bernardini i Sjenës thotë se n'kjoftë se vuejtjet e Zojës t'Bekueme do t'ishin ndâ barabar midis tânë njerzve, ata do t'kishin dekë menjiherë. Shêjti Bazil thotë se ashtû si dielli kalon tânë hyjet e tjerë n'shkëlqim, ashtû edhe vuejtjet e Virgjinës MARI ia kalojnë vuejtjeve të tânë martirve s'bashkut.

Vuejtjet e Virgjinës MARI kanë kênë në proporcjon me shêjtninë dhe dinjitetin e saj, sepse vuejtjet dhe kryqet shpirtnore e trupore të shêjtënve rriten me shêjtninë e tyne. Por ajo që i ka shtue kto vuejtje në Zêmren e Papërlyeme të Nânës tenZot ka kênë dija e atyne mosmirnjóhsave që nuk do të përfitojshin prej Pasionit të KRISHTIT Zot. JEZUSI dhe Virgjina e Bekueme kanë vuejtë me pshtue tânë njerzimin por asht e domosdoshme për shelbim që njerzit t'a pranojnë kyt shëlbim me zêmër, me fjalë dhe me veprat e tyne shêjte katolike, për me plotsue até çka mungon prej Pasjonit të JEZU-KRISHTIT në pjestarët e Trupit të Tij Mistik, t'cilët duhen me mohue vetvedin, me marrë krygjen e tyne përditë dhe me ndjek Zotin tonë JEZU-KRISHTIN (sh'Luka 9, 23). Zoti na ka krijue pa né por nuk na pshton pa né, thotë sh'Agustini.

Nji herë JEZU-KRISHTI i tha t'lumes Veronikë të Binaskos : "Bija Éme, lotët që po derdh në keqardhje për vuejtjet e Mija Më pëlqejnë por, kujtó se për arsye të Dashtnisë hyjnore t'jashtzakonshme që kam për Nânen Teme, lotët që derdh në keqardhje për vuejtjet e Saja, janë mâ të çmueshme."

Nâna e Zotit i tha kshtû shêjtes Brigjitë : "Pavarsisht numrit të mkateve, n'kjoft se nji mkatnor drejtohet te Un me nji vullnet të sinqertë me bâ pendesë, jam e përgaditun me e pranue me dashtni, sepse nuk shof numrin e mkateve që ka bâ por dispozicjonin me t'cilin ai vjen te Un. Nuk ndiej asnji neverí me shërue plagët e tija sepse quhem dhe me t'vërtetë jam Nâna e Mshirës."

Nji prej devocjoneve mâ të njoftuna në nderim të vuejteve të Virgjinës MARI, për me përfitue hire e bekime t'mëdhaja qiellore, âsht meditimi i shtatë Vuejtjeve të Nânës tenZot, ashtû si i numrova mâ nâlt. Sejcili besimtar mundet dhe duhet me i kujtue kto vuejtje përditë, apo sa ma shpesh që t'jetë e mujtun, tuej rrecitue, për shembull, për çdo meditim të vuejtjeve "1 Ju Falemi MARI".

"Ju fàlemi MARI, hirplot, Zoti asht me Jue, e bekueme jéni mbi tana gratë, e i bekuem asht fryti i barkut Tuej JEZUS ; Shêjtja MARI, Nana e TenZot, lútuni për né mkatnortë, tash e në fill të mortes s'onë. Ashtû kjoftë !"

Besimtarët që rrecitojnë me devocjon "7 Ju Falemi MARI", tuej shtue n'fund thirrjen : "Virgo Dolorosíssima, ora pro nobis" (Virgjina e Vuejtjeve, lutuni për ne), munden me fitue 5 vjet indulgjencë. (S.P. Ap., 22 Nandor 1934)

Besimtarët që mbrenda periudhës kohore të orës 3 mbasdite të t'Premtes së Madhe dhe orës 12 të mesditës të t'Shtundes së Madhe kalojnë pak kohë tuej meditue devoçmënisht ose rrecitojnë ndonji lutje, publikisht ose privatisht, në nder të Vuejtjeve të Virgjinës MARI munden me fitue nji indulgjencë të plotë, simbas kushteve të zakonshme : Rrfimi, Kungimi shêjt dhe lutja për qëllimet e Selisë Apostolike, që janë 1 Pater Noster, 1 Ave MARIA dhe 1 Gloria Patri. Ata që e kryejnë kyt praktikë në nji periudhë tjetër gjatë vitit, midis ores 3 mbasdite të ditve t'Premte dhe ores 12 të mesditës të ditve të Diele, munden me fitue 5 vjet indulgjencë ; n'kjoft se shtojnë edhe Rrfimin, Kungimin shêjt dhe lutjet për qëllimet e Selisë Apostolike munden me fitue nji indulgjencë të plotë, n'kjoft se e kryejnë kyt praktikë çdo javë, për nji muej. (S.C. Ind., 18 Qershor 1822; 16 Qershor 1931.)

Besimtarët që kryejnë nji Nandshe lutjesh, në nder të Vuejtjeve të Virgjinës MARI, në çdo kohë, munden me fitue 5 vjet indulgjencë, në çdo ditë ; munden me fitue indulgjencë të plotë në fund të Nandshes, simbas kushteve të zakonshme. (S.P. Ap., 31 Korrik 1935)

Për marrjen e Sakramendeve, besimtarët të shmangin t'ashtuquejtunit "meshtarë", që veprojnë në dioqeza, sepse përgjithsisht ata nuk janë meshtarë të konsakruem në mnyrë të vlefshme ; ktu përjashtoj ato pak meshtarë të vjetër që janë konsakrue simbas Ritit tradicional katolik të urdhnuem prej Sh. T. Papës Piu XII. (Cf. Konst. apostolik "Sacramentum ordinis", 1947)

Ata që kanë me kênë konstant në n'kyt devocjon të Vuejtjeve të Nanës tenZot, me sinqeritet, pendesë e dishirë me u korrigjue, kanë me provue vetë efikasitetin e madh t'ksaj forme hyjnore devocjonit.

Në shkrimet e doktorit të Kishës, sh'Alfons-MARIA Liguori, përmendet nji revelacjoni qiellor i shêjtes Elizabetë të Hungarisë, ku Zoti jonë JEZU-KRISHTI premton 4 hire t'veçanta për ata që janë të devoçëm ndaj vuejtjeve të Virgjinës MARI :

1. Ata që kanë me iu lutë Virgjinës MARI, nën titullin "Nana e Vuejtjeve", do të kenë nji pendesë t'vërtetë të mkateve t'yne para dêks (vdekjes).

2. Shëlbuesi jonë ka me i mbrojtë ata në mundimet e tyne, veçanarisht në momentin e dêks.

3. JEZU-KRISHTI ka me gdhêndë në tà memorjen e Pasionit të Tij dhe ka ma i shpërblye për kyt gjâ në Parriz.

4. Shëlbuesi ka me i bâ kta besimtarë shërbtorë aq të devoçëm n'duert e Zojes s'Bekueme, saqë Virgjina MARI do t'sillet me tà simbas vullnetit t'saj, dhe do t'u sigurojë tâna hiret që Ajo dishiron.

Na i detyrohena KRISHTIT Zot nji mirnjohje t'pafundme për vepren e Tij shelbuese, por t'njâjtin detyrim kena edhe ndaj Mbretneshës së Martirve, Virgjinës MARI, që ka vuejtë me nji nënshtrim të plotë ndaj Vullnesës hyjnore, dhe ka kênë gadi me vuejtë tâna vuejtjet bashkë me Birin e vet, për dashtni për Zotin e për dashtni për né, n'mnyrë që mos me na lanë pa shelbim, nën skllavninë e mkatit dhe nën tiraninë e djallit.

Dashtníja shêjte që Nâna e Zotit ka për ne kalon çdo lloj konceptimit njerzor, dhe na nuk kena me i kuptue kurrë, përveç Zotit, sakrificat e saja, sakrificat e mâ të mirës të tâna nânave, për lumnínë tonë t'përjetshme.

Na mkatnorë t'shkretë nuk mundena kurrë me e venerue e me e dashtë ashtu si duhet dhe si e meriton kjo Mbretneshë e lavdishme, por s'pakut t'a kujtojmë, me respekt e dashtni hyjnore, Nânen tonë qiellore sa mâ shpesh që t'jetë e mujtun, ta lusim për gjithçka dhe në gjithçka Pajtoren e Shqipnisë, sidomos me lutjen e Saj të preferueme të tejet shêjtes Rruxare, ashtu si vetë Zoja e Bekueme na ka porositë në Lurd, Fatima e vende tjera. Lutjet e Nanës tonë qiellore janë të gjithpushtetshme para Hyjit, prandej mos t'harrojmë kurrë se çka ka bâ, ban, e ka me bâ për né Virgjina e Papërlyeme, Nana e Vuejteve dhe Mbretnesha e martirve, dhe t'mundohena, me hirin e Zotit, me mbajtë sa mâ mirë, për dashtní për Mbretneshën e Qiellës e t'Dheut, Urdhnimet e Birit t'saj, Zotit tonë JEZU-KRISHTIT, për mâ t'madhen lavdi t'Zotit, t'Zojes' Bekueme dhe shëlbimin e shpirtnavet.

Sa mâ shumë që kena me nderue e dashtë Nânen e Zotit, me vepra e jo vetëm me fjalë, aq mâ shumë kena me nderue e dashtë vetë Zotin tonë JEZU-KRISHTIN e t'SHEJTNUESHMEN TRINI, aq mâ shumë kena me nderue e dashtë t'afërmin për dashtní për Zotin, e aq mâ shumë kena me u shêjtnue dhe me u bâ gadi për gzimet e pafundme t'Parrizit, hir që ju uroj të tanvet me gjithë zemër. Ashtû kjoft.



Devocjoni i Shtatë Vuejtjeve të tejet shêjtes Virgjinës MARI


         Ky devocjon asht nji ndër devocjonet ma t'shêjta katolike. Recitohen shtatë herë “Ju falemi MARI”, tuej nderue dhe mendue mbi shtatë vuetjet shpirtnore e fizike që ka vuejtë Zoja e Bekueme për dashtní për Zotin dhe për dashtní për ne.



Meditime mbi Vuejtjet e Nanës tenZot


Vuetja e Parë: Profecíja e shêjtit Simeon


         Simbas Ligjit Mozaik, çdo grue duhej me çue fminë e parë në Tempull, për me ia kushtue Zotit. (Egzodi 13, 2) Kshtû, Zoja e Bekueme bashkë me KRISHTIN Fmi e Sh'Jozefin, 40 ditë mbas lindjes së JEZUSIT, shkuen në Tempullin e Jeruzalemit. Rruga ishte e vshtirë, mbasi ishte dimën. Zoja e Bekueme mbante Fminë hyjnor në krahë tanë rrugës. Në kohën gjatë ceremonisë, vjen në Tempull prifti i moshuem Simeoni dhe i frymzuem prej SHPIRTIT-SHEJT merr KRISHTIN në krahë dhe ia nep Virgjinës MARI, tuej thanë : Tashti, ô Zot, lejoni shërbtorin Tuej me u largue në paqe sipas fjalës Tuej, sepse sytë e mij kanë pâ Shelbuesin. Mandej i thotë Zojës s'Bekueme se ky Fmí ka me kênë shêj kontradiktet, për hupjen dhe rinjalljen e nji numri të madh njerzish n'Izrael, dhe nji shpatë vuejtjesh do t'përshkojë shpirtin tuej (sh'Luka 2, 25-34). ...

Rruga e t'krishtênit asht n'sens t'kundërt me rrugen e mondanit dhe t'shoqnisë t'sotme përgjithsisht antikristjane. E rrjedhimisht, tuej dashtë me sherbye me besnikní Zotin JEZUS, i krishtêni detyrimisht ka me u persekutue dhe me u kundërshtue prej djallit, botës dhe "njirit t'vjetër" që asht mbrenda tij ; por lavdíja qiellore që i premtohet t'krishtênit t'devoçëm nuk asht e dênjë me u krahasue me vuejtjet e ksaj bote. (Romakve 8, 18)

Dhe jo vetëm lavdíja qiellore, por edhe mbi kyt tokë, shpesh i Krishtêni i devoçëm, që kryen gjithkund Vullnesen hyjnore, mbulohet prej Hyjit me ngushllime, gzime e haré shpirtnore, t'pakrahasueme me gzimet iluzionare mondane, megjithse kto gazmende shpirtnore janë t'përkohshme, për mos me harrue se ktu poshtë asht fushë betejet dhe se atje nelt nepet shpërblimi dhe lumníja e pafundme. 

T'lusim Mbretneshen e Martirve t'na sigurojë hirin prej Zotit me krye gjithmonë Vullnesen hyjnore, me guxim e gzim, pavarsisht kryqve të ksaj jete kalimtare !



Vuejtja e dytë : Ikja në Egjipt


         Familja shêjte lajmnohet prej nji Engjëlli, n'mesin e natës, se duhen me u çue shpejt për me u nisë menjiherë n'Egjipt, sepse mbreti Herod, që sundonte atherë n'Izrael, po kërkonte me mbytë Fminë e porsalindun. (sh'Mateu 2, 13) Familja shêjte niset natën nëpër shkretinë për me mbërritë n'Egjipt, në nji vênd t'huej ku mbizotnonte paganizmi. Kalojnë me vuejte udhëtimin dhe emigracionin n'vendin e huej, ku simbas nji tradite, kanë ndejë afro 7 vjet , deri n'kohen e vdekjes së Herodit ...

I krishtêni asht emigrant dhe pelegrin n'kyt botë, dhe pasuníja e tij nuk gjindet ktû poshtë, por atje nelt, n'Mbretninë e Qiejve. Nuk ka pra ktû banesë stabël apo lidhje t'pandashme me gjanat e ksaj bote, dhe me ndihmen e Zotit i duhet me iu njitë vazhdmimisht malit të tij të shêjtnísë, drejt Parrizit. Dhe dihet se aj që i njitet malit, për me mbrritë sa ma shpejt dhe sa ma mirë, duhet me kênë i ngarkuem sa ma lehtë. Jeta e ksaj bote, thotë mistikja karmelitane sh'Tereza e Avilës, asht "nji natë në nji hotel të keq". Nji, d.m.th. shumë e shkurtë ; natë, sepse përgjithsisht nuk i shef gjanat ashtu si janë në t'vërtetë dhe se injoranca asht norma e përgjithshme ; në nji hotel, sepse ke me ndêjë pak kohë dhe kur t'delësh jashtë nuk merr gjâ me vêdi, veç veprat e mira që  janë "monedha me ble jeten e pasosun" ; të keq, sepse kjo jetë asht përgjithsisht luginë lotësh, ku vuejtja asht e pashmangshme. Njiri hin tuej kjâ e del po tuej kjâ prej ksaj lugine, prandej ô ka me vuejtë si djall, me britma, shamje e blasfema, ô ka me vuejtë si shêjt, me durim e përvutjní, për dashtní për JEZU-KRISHTIN, për Zojen e Bekueme dhe për t'afërmin, për dashtni për Zotin.

T'lusim Nanen e Vuejtjeve t'na sigurojë hirin prej Zotit me kenë t'durueshëm n'vuejtjet e ksaj jete, me dashtní e shpresë t'patundun n'Providencen hyjnore !


Vuejtja e tretë : Hupja e KRISHTIT Fmi në Tempull


         Sipas Ligjit Mozaik, hebrejt (burrat) duheshin me shkue tri herë në vjetë në Tempullin e Jeruzalemit me adhurue Hyjin. (Egzodi 23, 14 ; 34, 23) Kur JEZUSI mbushi 12 vjeç, Familja shêjte shkoi në Jeruzalem simbas urdhnesës ligjore. Mbas ceremonive fetare, Familja mori rrugen e kthimit për Nazaret. Por mbas 1 dite udhëtimi, Zoja e Bekueme dhe Sh'Jozefi shohin se mungonte Fmija hyjnor. Nuk ka fjalë me përshkrue ankthin dhe merakun e tyne. Menjiherë vêhen n'kërkim, pa pushue. Mbas 3 ditë kërkimesh, Virgjina e bekueme e gjen KRISHTIN Zot në Tempull, n'mesin e priftnijve dhe doktorve të ligjit, tuej u spjegue Profecitë dhe Shkrimet shêjte, për me u diftue se Mesíja (JEZU-KRISHTI) kishtë ardhë n'botë, por pa u identifikue. (sh'Luka 2, 46) Nana e tenZot e pvet KRISHTIN pse ishte largue ashtû, pa i thanë kujt ; e JEZUSI i përgjigjet se i duhej me punue për gjanat e ATIT qiellor ...

Detyra e t'krishtênit asht me punue përditë për lavdinë e Hyjit dhe shelbimin e shpirtnave, tuej fillue prej vêdit. Kjo detyrë hyjnore tejkalon çdo lloj detyrimit tjetër që aj mundet me pasë ndaj vêdit, familjes, shoqnisë, etj. ; jo se i përbuzë kto detyrime tjera, por ven gjanat e Zotit gjithmonë në vendin e parë, para çdo gjajet tjetër, edhe para vetë jetës s'vet. Kjo punë e përditshme e t'krishtênit kryhet me nji shpirt pendeset (që përfshin dhimbjen për mkatet, rrfimin dhe punen e pendesës), vorfníjet shpirtnore dhe përvujtníjet. Tuej veprue kshtû, aj ka me gjetë gjithmonë JEZUSIN n'tempullin e zêmrës s'tij. (Cf. Homelitë e sh'Antonit të Padovës)

T'lusim Nanen e Mshirës t'na sigurojë hirin prej Zotit me urrye pafundsisht mkatin që na ndan prej Zotit, dhe me pasë drojen (frigen) shêjte të hupjes së hirit e miqsisë së Zotit prej mkatit !

  

Vuejtja e katërt : Zoja e Bekueme takon KRISHTIN e ngarkuem me Kryq në rrugen e Kalvarit


         Mbasi Pilati jep dënimin, ushtarët romakë bashkë me autoritetet fetare çifute drejtohen drejt Golgotës, vênd jashtë qytetit të Jeruzalemit ku baheshin egzekutimet për t'denuemit. (sh'Gjoni 19, 16-17) KRISHTI Zot ngarkohet me kryqin ku ka me dekë i varun për dashtní për ATI-n, për Nanen e Tij tejet shêjte dhe për shëlbimin tonë. Zoja e Bekueme ka ndjekë hap mbas hapit, ashtu si gjatë tanë jetës, vuejtjet e mëdhaja të Zotit-Njiri, tuej vujtë por edhe tuej dashtë jashtëzakonshisht, aq sa asht e mujtun për nji krijesë njerzore, për me imitue në gjithçka KRISHTIN Zot. Nuk ka fjalë që mundet me spjegue si duhet kto vuejtje e kyt dashtní mbinjerzore, prandej edhe Kisha e quen Nanen e Zotit, Mbretnesha e martirve. Dashtníja dhe vuejtja ecin bashkë, prandej aj që nuk ka vuejtë, nuk din gjâ çka asht dashtníja. Dhe dashtníja supreme shfaqet vetëm në vuejtjet supreme. Nji shêjt thotë se po të ndaheshin vuejtjet shpirtnore të Zojës s'Bekueme mes tanë njerzve, ata do t'kishin dekë menjiherë. Nuk ka pra fjalë me përshkrue intensitetin e vuejtjes kur KRISHTI Zot, i ngarkuem me kryq, i përgjakun, i rrahun, me kunorë ferrash n'krye, takon n'rrugë Nanen e Tij t'përlotun ...

Jeta e t'krishtênit asht Udha mbretnore e Krygjës. Aj që don me u bâ shêjt, thotë Shelbuesi, t'mohojë vedin, t'ngarkojë kryqin e vet përditë dhe t'vijë mbas Mejet (sh'Luka 9, 13). Dikush mundet me thanë se nuk i intereson me u bâ shêjt, por thjesht me kênë nji katolik i mirë, me pak lutje e vepra të mira, kaq. Mandej nuk duhet me egzagjerue, se tanë nuk mund t'bahen murgjën, shton i krishtêni i vokët. Sakt, nuk asht detyrim me u veshë murg, për me u bâ shêjt, por a ke lexue si flet Shelbuesi te Apokalipsi : "I di veprat tueja, se ti nuk je as i ftoft e as i nxehtë ... Por mbasi je i vokët, as i ftoft e as i nxehtë, kam me t'pshtye jashtë gojës Teme." (3, 15-16) Pra, pa u bâ shêjt, kërkush nuk mundet me hî n'Parriz ; dhe kërkush nuk bahet shêjt po nuk mbajti kryqin e vet mbas Shelbuesit. Po atherë, kush mujka me u shelbue ? Gjanat e pamujtuna për njirin janë të mujtuna për Zotin (sh'Mateu 19, 26). I krishtêni e din se shelbimi me forcat e veta asht mision i pamujtun, dhe se pa hirin e Zotit nuk mundet me bâ gjâ. Lypet pra bashkpunim me hirin e Zotit, që duhet kërkue pa pushim, me lutje e pendesë, tuej kujtue fjalët e shejtes Terezë t'Avilës, se kur vendosim me mbajtë kryqin, për dashtni për KRISHTIN e Zojen e Bekueme, nuk e ndiejmë mâ barren e tij. Si kshtû ? Sepse asht KRISHTI e Zoja që mbajnë bashkë me ne pjesen ma t'madhe të kryqës, për dashtnínë tonë.

T'lusim Nanen e Dashtnisë hyjnore me na sigurue prej Zotit forcen dhe dashtinë hyjnore me mbajtë me guxim e gzim kryqet e ksaj jete t'përkohshme toksore !



Vuejtja e pestë : KRISHTI Zot des n'Kryq


         Mbasi turturohet mizorisht me kamgjik, I vêhet kunora e ferrave në krye, që e shpon rreth e qark tuej bâ që Gjaku tejet shêjt t'kullojë mbi sy, mbi flokë, me dhimbje t'papërshkrueme. Mandej, mbasi ka mbajtë me mundime t'papàme Kryqin deri n'Golgota, gadi i dekun, KRISHTIN Zot  e kryqzojnë t'zhdeshun mes dy hajdutve, nën përbuzjen dhe talljen e njerzve. (sh'Gjoni 19, 1-18) Edhe n'ato momente, dashtníja e Tij e pafundme për njerzit rrezaton vetëm falje dhe mshirë. JEZUSI falë nji prej hajdutve që pendohet për mkatet e veta ; len Nanen e Tij tejet shêjte n'kujdesin e dishepullit t'preferuem ; ka étje me na shpëtue t'anvet, deri aty sa ndihet i braktisun prej ATIT qiellor, për dashtní për ne. Me të drejtë, JEZU-KRISHTI asht quejtë Njiri i vuejtjeve : sytë e Tij shofin Nanen e Vet n'vuejtje supreme ; shef e ndigjon vetem tallje, shamje, urretje ; thithë nji ajër të qelbun, në nji vend egzekutimit ; çdo pjesë e Trupit të Tij shêjt asht nji plagë me dhimbje mbinjerzore, pa asnji lloj ngushllimit shpirtnor. Pse tanë kta vuejtje të frikshme ? KRISHTI Zot kishte mujtë me na shelbue pa asnji vuejtje, veç nëpërmjet gzimeve, apo thjesht përmes nji shprehjeje të Vullnetit të Tij hyjnor. Por Shelbuesi zgjodhi vuejtjet ma të mëdhaja, për me na diftue se sa e madhe dhe e pafundme asht Dashtníja e Tij hyjnore për ATIN, për Nanen e Tij shêjte dhe për ne, por edhe me na kujtue se sa e tmerrshme asht Drejtsíja hyjnore kundër mkatit dhe kundër mkatnorve t'papenduem. Asht nji gjâ e tmerrshme dhe e frikshme me râ n'duert e Zotit të gjallë, thotë shën Pali (Hebrejve 10, 31).

T'lusim Nanen e Shelbuesit tonë të dashtun t’na sigurojë hirin prej Zotit që mos të fyejmë mâ kurrë Hyjin me mkat, dhe t’jetojmë tash e mbrapa vetëm për JEZU-KRISHTIN dhe Nanen e tenZot, në Zêmrat tejet shêjte të JEZUSIT dhe Virgjinës MARI.  


Vuejtja e gjashtë : Trupi shêjt dhe i pajetë i Zotit tonë JEZU-KRISHTIT
  vêhet në duert e Mbretneshës së martirve


         Qysh prej orës 12 e deri në 3 mbasdite, n’Jeruzalem e rrethina bjen gjithkund nji natë e plotë dhe e mistershme. (sh'Mateu 27, 45) Rreth orës 3, JEZU-KRISHTI vdes në kryq për dashtni për njerzit, për të tanë pa përjashtim, tue u bâ urë lidhse midis Qiellit dhe tokës, Mediatori i vetëm perfekt midis Hyjit dhe njerzve. Natyrisht JEZU-KRISHTI si Zot nuk mundej as me vuejtë e as me dekë, por si Njiri, Shelbuesi vdiq në natyren e Tij njerzore, të cilen e mori bash për kyt qëllim, për me vuejtë dhe për me dekë ; dhe nëpërmjet Plagve e vdekjes së Tij, JEZU-KRISHTI na ka sigurue shelbimin e premtuem 4000 vjet ma parë në Kopshtin e Edenit. U plagos për mkatet tona, do t’profetizonte mija vjet ma parë profeti Izaîja, dhe përmes ktyne Plagve na jena sherue (53, 5). N’Parrizin toksuer, mosndigjesa dhe frytet e nji peme na prune vdekjen, kurse ndigjesa heroike dhe frytet e pemës së Krygjës na bijnë jeten. Por kto fryte jetet duhen konsumue, ûji i pemës jetdhanse duhet pî, kuptohet me dispozitat e duhuna, për me u pastrue, sherue e shêjtnue, sepse nuk vlen asgjâ me bâ si aj i ètuni protestant, që shkon deri te burimi por nuk pin e rrin êjshëm, pra rrin i papastër, i smuetë dhe gadi për mallkimin e Ferrit :    

"Un jam Buka e gjallë e ulun prej Qiellit. N'kjoftë se keni me hangër prej ksaj buket keni me jetue përgjithmonë dhe buka që kam me ju dhanë âsht Trupi Ém, për jeten e botës... N'kjoftë se nuk keni me hangër mishin e Birit t'njírit dhe n'kjoftë se nuk keni me pi Gjakun e Tij, nuk keni me pasë jetë n'jue. Ai që han Trupin t'Ém dhe pin Gjakun t'Ém ka jeten e pasosun dhe Un kam me e rinjâllë në diten e fundit." (Sh'Gjoni 6, 51-56)

 Vdekja e Birit të Njirit pruni edhe nji tërmet t’fuqishëm që tundi tanë Jeruzalemin me rrethina, dhe perdja e Tempullit, që përfaqsonte Beslidhjen e Vjetër të Hyjit me popullin hebré, u shkye në dysh, që nënkupton fundin e ksaj Aleance të Vjetër dhe fillimin e Aleancës së Re dhe të përjetshme. T'lexojmë mbi kyt eveniment t’papërsëritshëm profecinë e mrekullueshme të Arkengjëllit Gabriel dhanun Profetit Daniel, i cili ka jetue rreth 600 vjet para JEZU-KRISHTIT :

« Zoti ka shkurtue dhe ka fiksue kohen në shtatëdhetë javë në favor të popullit tand dhe qytetit tand shêjt në mnyrë që krimet e tija të shlyhen, që mkati të marrë fund, që padrejtsíja të zhduket, që drejtsíja e përjetshme të vijë mbi tokë, që vizjonet dhe profecitë të përmbushen dhe që Shêjti i shêjtënve të vojóset. (JEZUS don me thanë "Shelbues" ; KRISHT don me thanë i "vojósun" ; pra JEZU-KRISHTI don me thanë "Shelbuesi i vojosun". 'Shenim i autorit’)

« Díje pra dhe kíje parasysh : Koha prej dhânjes së urdhnit për rindërtimin e Jeruzalemit dhe deri te ardhja e KRISHTIT Mbret ka me kênë shtatë javë dhe gjashtëdhetë e dy javë ; sheshet dhe muret kanë me u rindërtue në kohna t'vështira dhe me ankth. Mbas gjashtëdhetë e dy javëve KRISHTIN kanë me e vrâ dhe populli që ka me e mohue nuk ka me kênë mâ populli i Tij. Nji popull me shefin e tij ka me ardhë dhe ka me shkatërrue qytetin dhe shênjtoren (tempullin e Jeruzalemit. ‘Shenim i autorit’) me nji rrënim të plotë ; e t'lànunit e saj shkret ka me ndodhë mbas përfundimit të luftës, ashtû si âsht profetizue. KRISHTI ka me konfirmue aleancen e Tij me nji numër të madh g'jatë nji javet dhe në mes të javes viktimat dhe sakrificat kanë me u ndalë. Neverija e shkretimit ka me kênë në tempull dhe të lànunit e tij shkret ka me zg'jatë deri në mbarim e deri në fund [të botës]. » (Libri i Danjelit 9, 24-27)

Simbas interpretuesve të aprovuem të Shkrimeve Shejte, përfshi ktû Doktorin Joseph Franz von Allioli, komentet biblike të t'cillit janë aprovue prej Selisë Shêjtë, në textin biblik t'mâsipërm Arkengjëlli Gabriel i zbulon, prej Zotit, profetit Danjel profecinë e ardhjes së Mesisë, Zotit tonë JEZU-KRISHTIT. Javët nuk konsiderohen si javë normale por si javë vitesh ashtû si shpjegohet në Librat e Numrave (14:34) dhe në Librin e Profetit Ezekjel (4:6), ku nji ditë numërohet si nji vit. Pra 70 javë bajnë 490 vjet. Ky âsht edhe mendimi unanim i interpretuesve të lashtë si Klementi i Aleksandrisë, Tertuljani, Euzebi, sh'Cirili i Jeruzalemit, etj. dhe i pjesës mâ të madhe të interpretuesve modern dhe kontemporan. Ky lloj numrimit përmêndet edhe te Libri i Levitëve (25:8). Shêjti i shêjtënve i atribohet vetëm Mesisë që âsht Zot (Profeti Izaîja 9:6). Vojósja âsht konsakrimi për misjonin shëlbyes nëpërmjet dhânjes të të gjitha Dhuntíve të SHPIRTIT SHEJT që ndodhen në Hyjninë e Tij (Idem 11:1 e vazhdim) dhe fillimi praktik i apostolatit kur KRISHTI filloi me msue.

Në Bibël flitet vetëm për 4 urdhna të mbretënve persjanë në lidhje me Jeruzalemin. I pari âsht aj i Cyrus-it që flet vetëm për rindërtimin e Tempullit, pa bâ fjalë për qytetin (1 Esdr. 1). I dyti âsht aj i Darius-it, birit të Hystaspit, që vetëm konfirmon urdhnin e Cyrus-it (1 Esdr. 5). I treti âsht i Artaxerxès-Longuemain, që daton prej vitit t'shtatë të mbretnisë së tij dhe që iu dha Esdras-it (1 Esdr. 7). Urdhni i katërt âsht po i Artaxerxès-it që iu dha Nehemisë në vitin e njizetë të mbretsnisë së tij dhe ban fjalë për rindërtimin e mureve të Jeruzalemit (2 Esdr. 2:1). Asnji prej tre urdhnave të para nuk flet për rimbkâmjen e Jeruzalemit por vetëm urdhni i katërt, llogaritja e të cillit simbas fjalve të profecisë mbi ardhjen e Mesisë korrespondon në mnyrë perfekte me të tana ngjarjet historike, e veçânarisht me Jeten dhe Vdekjen e JEZU-KRISHTIT.

Shtatëdhetë javet (70x7 bajnë 490 vjet) që fillojnë në vitin e 20-të të mbretnisë së Artaxerxès-it dhe mbarojnë me braktisjen hyjnore të popullit çifut, ndahen prej Arkengjëllit Gabriel në tre pjesë : 7 javë (49 vjet), 62 javë (434 vjet) dhe 1 javë (7 vjet). Shtatë javët e para ose 49 vjet fillojnë prej vjetit të 20-të mbretnisë së Artaxerxès-it, në vjetin 455 para KRISHTIT, dhe mbarojnë me rikonstruksjonin e plotë të Tempullit. 62 javët e dyta (434 vjet) fillojnë prej rindërtimit të tempullit deri në Pagzimin e KRISHTIT prej sh'Gjon Pagzorit në lumin e Jordanit. Pra simbas profecisë, prej fillimit të 70 javëshit dhe Pagzimit të KRISHTIT janë 483 vjet.  Evangjelisti sh'Lukë rrëfen se Pagzimi i KRISHTIT ndodhi  në vjetin e 15-të Mbretnisë së perandorit romak Tiberius, që bjen në 782 vjetorin e krijimit të qytetit të Romës, kurse vjeti i 20-të i mbretnisë së Artaxerxès-it korrespondon 299 vjet mbas krijimit të qytetit të Romës. Diferenca midis ktyre dy ngjarjeve âsht 483 vjet, po aq sa e profecisë.

Mbas Pagzimit KRISHTI ZOT ka unjillzue afro 3 vjet e gjysë, që korrespondon egzaktsisht me mesin e javës (7 vjet) të profecisë, kur me vdekjen e Tij shëlbuese në Kryq anuloi sakrificat dhe Ligjin e vjetër për me formue Ligjin e ri të Hirit apo Beslidhjen e Ré.

Qé edhe nji tjetër profeci e profetit Jeremija, i cili ka jetue rreth viteve 580 para KRISHTIT ZOT :

« Kanë me ardhë ditët, thotë Zoti, kur kam me krijue nji Aleancë të ré me shpinë e Izraelit dhe shpinë e Judës, jo simbas Aleancës që kam lidhë me etnit e tyne diten kur i kam marrë për doret për me i nxjerrë prej Egjiptit, Aleancë që e kanë shkelë dhe ku i kam manifestue forcen Teme, thotë Zoti. » (Jeremia 31, 31-32)

Në t’Premten e Madhe u hapen edhe shumë vorre prej ku dolen njerëz të rinjallun, që hyne në Jeruzalem. Mbasi merr lêje prej Pilatit, Jozefi i Arimatisë, njiri i mirë dhe i drejtë (sh'Luka 23, 51), nji prej antarve të Sanhedrinit çifut (Gjyqi suprem çifut) por edhe dishepull sekret i JEZU-KRISHTIT (sh'Gjoni 19, 38-42), vjen në Kalvar me nji çarçaf linit me mbshtjellë Trupin hyjnor ; vjen edhe Nikodemi me afro 45 kg mirrë e aloès, dhe bimë aromatike, simbas zakonit të vorrosjes te hebrejtë ; ndihmon me hjekë Trupin shêjt prej Krygjës dhe E ulin afër Nanës së Vuejtjeve ; aty qëndrojnë edhe sh’Gjon Evangjelisti, sh’Maria Magdalena dhe Maria e Kleofas, grueja e vllaut të sh’Jozefit.

Erdhi mes t’vetve, do të shkruente pak vite ma vonë Dishepulli i preferuem, por të tijët nuk E pranuen (sh’Gjoni 1, 11). Njerzimi nuk ishte i dênjë me pritë direkt Shelbuesin, komenton i madhi shën Agustini, prandej Hyji ia dha Shelbuesin e premtuem nëpërmjet duerve t’bekueme e t’papërlyeme të Virgjinës MARI ; kshtu që tanë ata që dishirojnë t’I afrohen, t’I afron përmes Virgjinës së Papërlyeme. E Nana tejet shêjte, me nji dashtni qiellore mbinjerzore e vërtetë amtare, ia prezantoi njerzimit kyt Zot-Fmi, ma t’bukurin e bijve t’njirit , si Shelbuesin e tij të vetëm, por bota E refuzoi me përbuzje dhe ia ktheu t’masakruem, t’kryqzuem, t’mbuluem me plagë, me shamje e mallkime ...

« O populli Em, çka t’kam bâ ? N’çka t’kam trazue ? Mu përgjigj. Mbasi të nxora jashtë Egjiptit, ti i përgadite nji Kryq Shelbuesit tand...« Ἅγιος ὁ Θεός ; Sanctus Deus ; Zot Shêjt ; Ἅγιος ἰσχυρός ; Sanctus Fortis ; I Fortë Shêjt ; Ἅγιος ἀθάνατος, ἐλέησον ἡμᾶς ; Sanctus Immortalis, miserere nobis ; I Pavdekshëm Shêjt, kini mshirë për né. » Mbasi t’udhëhoqa nëpër shkretinë për 40 vjet, t’ushqeva me mana dhe t’pruna në nji tokë të mirë e të frytshme, ti i përgadite nji Kryq Shelbuesit tand... Çka asht dashtë me ba ma shumë për ty që nuk e kam ba ? Me t’vërtetë t’mbolla si vreshten Teme ma t’shkëlqyeshme, e ti u bane jashtzakonisht i idhtë me Mue : Me t’vërtetë, ti Më dhè ufull për etjen Teme dhe me nji shtizë ti shpove krahnorin e Shelbuesit tand... I ndëshkova t’lindunit e parë t’Egjiptit, për hatrin tand, dhe ti M'dorzove te rrahja me kamgjik. Të udhëhoqa jashtë Egjiptit, tuej fundosë Faraónin në Detin e Kuq, dhe ti M'dorzove te Shefi i priftnijve. Hapa Detin para tejet, dhe ti hape anen Teme me nji shtizë. Eca para tejet në kolonën e rêsë, dhe ti Më udhëhoqe te oborri i Pilatit. T’dhashë me hangër mana në shkretinë, dhe ti Më rrxove me rrahje e kamgjik. Τë dhashë me pî ûjë pshtues prej shkambit, dhe ti Më dhè vrer e ufull me pî. I rashë mbretënve kananitë, për hatrin tand, dhe ti i rê Kokës Teme me shkop. Të dhashë nji skeptër mbretnuer, dhe ti Më dhê nji kunorë fêrrash. T’nalcova me fuqi të madhe, dhe ti M'vare në drunin e Krygjës. » (Prej Liturgjisë romake në ceremonitë e t’Premtes s’Madhe)

T'lusim Nanen e Shelbuesit tonë të dashtun t’na sigurojë hirin prej Zotit me u kênë gjithmonë e pafundsisht mirënjohës JEZU-KRISHTIT e Nanës shêjte tenZot për gjithçka kanë vuejtë për dashtninë tonë, tuej meditue shpesh vuejtjet e Tyne t’Pasionit dhe tuej imitue virtytet e nalta që kanë praktikue, për dashtnínë e Tyne.   


Vuejtja e shtatë : V0rrimi i Zotit tonë JEZU-KRISHTIT


         Rreth orës 5 mbasdite, Μbretnesha e Martirve, Nana e lavdishme dhe heroike e tenZot, s’bashkut me pak dishepuj t’devoçëm e guximtarë, shoqnon dhe ndihmon në vorrosjen e Trupit shêjt të Mesisë, Zotit tonë JEZU-KRISHTIT, në nji vorr t’ri aty afër, vorr i huej megjithaté, në pronsinë e Jozefit t’Arimatísë, antar i Sanhedrinit dhe dishepull sekret i JEZU-KRISHTIT. (sh'Gjoni 19, 42) Hebrejt, ndryshej prej popujve t’jerë, nuk kishin vorreza, por sejcila familje kishte vorrin e vet familjar, diku aty afër shpisë. Por për Shelbuesin e njerzimit nuk ka vênd as për nji vorr familjar : lindi n’nji shpêllë t’nëndheshme dhe u vorros n’nji vorr t’huej.

« ... dhelpnat kanë vrima n’tokë, zogjtë e Qiellit kanë çerdhe, kurse Biri i Njirit nuk ka ku me e mbshtetë Kryet. » (sh’Mateu 8, 20)

Për dashtni për né, JEZU-KRISHTI, Biri i Zotit të gjallë (sh'Mateu 16, 13-16 ; sh'Marku 14, 61-62), Zot i vërtetë dhe Njiri i vërtetë (sh'Mateu 20, 17-19 ; sh'Luka 24, 7), si Baba ma i mirë që egziston, u ul mbi tokë për me na çlirue prej tiranisë së djallit, me na pastrue prej mkateve e çdo t’keqet tjetër, me na birsue si bijë të Hyjit, tuej na mbushë me hire, bekime e t’mira t’pambarueme shpirtnore e materiale, tuej konfirmue misionin e Tij hyjnor me përmbushje t’profecive dhe mrekullí t’jashtzakonshme, dhe tuej themelue nji Kishë unike, hyjnore dhe njerzore, si nji Arkë shelbimit ku tanë janë të thirrun me hî, për me i pshtue përmbytjes së ujnave dhe Fêrrit ; Por mjerisht, bota e krijueme prej Tij nuk E njohu, nuk E pranoi, nuk E priti, nuk kishte vênd për Birin e Hyjit as n’hotelerinë e Betlehemit, as në sinagogat çifute e as në qytetin e Tij të zgjedhun të Jeruzalemit, ku nalcohej Tempulli i vetëm i Hyjit mbi tokë, por u kryqzue jashtë mureve, me vdekjen ma të turpshme dhe ma të tmerrshme, si nji i huej, si nji i mallkuem, si nji keqbas ordiner ; Çfarë përvujtníjet e çfarë kontraditet ! (sh'Luka 2, 34)

Fjala Éme nuk xen vênd n’jue sepse ju jeni bijtë e djallit, i tha Shelbuesi botës t’athershme (sh’Gjoni 8, 37-45), dhe ia thotë prapë të njêjtat fjalë edhe botës e shoqnisë t’sotme moderne ; djalli asht princi edhe i ksaj bote t’sotme moderne (sh’Gjoni 16, 11), prandej edhe kjo botë nuk ka sesí me pranue JEZU-KRISHTIN dhe Doktrinën e Tij hyjnore, sepse veprat e saja t’errsinës nuk munden me durue driten hyjnore të Shelbuesit dhe Kishës së Tij Shejte Katolike Romake. 

« In mundo erat, et mundus per ipsum factus est, et mundus eum non cognovit. » (Sh'Gjoni 1, 10)

« Ishte në botë, dhe bota u bâ prej Tij por bota nuk E njohu. » (Ibid.)

Doktori engjëlluer, në vepren e komenteve evangjelike prej Etënve të Kishës Katolike, "Zinxhiri i artë" (1855), i lèn me folë kshtû Étnit mbi pasazhin e masipërm :

« Sh'Agustini : Çka don me thanë kjo : Bota âsht bâ prej Tij ? Qielli, toka, deti dhe tana gjânat që egzitojnë në té quhen bota. Në nji kuptim tjetër, ata që duejnë boten quhen bota ; e prandej âsht shkrue : "dhe bota nuk E njohu." A mundena me thanë se qiejtë apo engjëjt apo hyjet nuk e kanë njoftë Krijuesin, egzistenca e t'Cilit pranohet edhe prej djajve ? Tana krijesat, prej tana anve, E kanë lëvdue, por kush janë ata që nuk E kanë njoftë ? Janë ata që quhen bota, sepse duejnë boten. Tuej dashtë boten, na jetojmë nëpermjet zêmres në botë, kurse ata që nuk e duejnë boten janë me trup në botë por jetojnë me zemër në Qiell, ashtû si thotë Apostulli [sh'Pal] : "Biseda jonë âsht në Qiell." (Filip. 3, 20) Ata që duejnë boten e kanë meritue me u êmnue simbas ksaj bote ku ata jetojnë. Kshtû na thojmë : Kjo shpi âsht e mirë ose e keqe, tuej lëvdue ose akuzue jo muret e saj por banorët ; për rrjedhojë, na quejme botë ata që jetojnë në botë nëpermjet zêmres së tyne.

« Sh'Gjon Krizostómi : Ata që ishin miqtë e Zotit E njoften para prezencës së Tij trupore, pra para ardhjes së Tij në kyt botë ; dhe në kyt kuptim KRISHTI tha : "Abrahami, ati juej, âsht ngazllue me pâ diten Teme." Kur kombet na pvesin tuej thanë : Pse ka ardhë në kohët e fundit me na shelbue, mbasi na ka neglizhue kaq gjatë ?, na i përgjigjena se Shelbuesi ishte përpara në botë, tuej u kujdesë për veprat e Veta, dhe âsht njoftë prej tanë atyne që janë kênë të dênjë ; n'kjoft se bota nuk E njohu, megjithaté ata, për t'cilët bota nuk ishte e dêjë (Hebr. 11, 37), E kanë njoftë. Tuej thanë "bota nuk E njohu", Shelbuesi ka shpjegue menjiherë shkakun e ksaj injorancet, tuej quejtë botë ata që janë të lidhun vetëm me boten dhe dijnë vetëm gjânat e botës. Nuk ka gjâ mâ t'madhe që trazon shpirtin sesa me e lanë vedin me u shkrî në dashtninë e gjânave prezente. » (volumi 7, faqet 60-61)

Në Katekizmin e Konçilit dogmatik të Trentës, të aprovuem publikisht me 24 Shtatuer 1566 prej Sh. T. Papës sh'Piu V dhe prej tanë Papve e konçileve mbas tij, shkruhet :

« Kisha Militante âsht bashkimi i tanë besimtarve që jetojnë ende mbi tokë ; ajo thirret militante sepse pjestarët e saj duhen me luftue pa pushim kundër ktyne anmiqve të tmerrshëm që janë bota, epshet dhe djalli. » (Pjesa I, art. IX, f. 141)


Kisha shêjte Katolike, nëpermjet Konçilit dogmatik të Trentës, na mson se bota âsht njêni prej anmiqve tonë të tmerrshëm dhe se kjo botë duhet luftue papushim dhe evitue, ashtû si pohojnë edhe Étnit e Kishës që citova mâ nalt.

« Por Zoti aq shumë e deshti boten sa me dhanë Birin e Tij të vetëm. » (sh'Gjoni 3, 16)

Mbi pasazhin e mâsipërm, sh'Agustini, doktori i lavdishëm i Kishës Katolike Romake, shprehet kshtû :

« Pse quhet JEZU-KRISHTI Shelbuesi i botës ? Sepse Aj ka ardhë me shelbue botën. Pra, prej aq sa varet prej mjekut, ai ka ardhë me sherue t'smuetin. Por aj që nuk don me iu bindë urdhnave të mjekut, mbytë vedin. » (Sh'Tomë Akuinati, "Zinxhiri i artë", 1855, vllimi 7, faqe 189)

Po mbi kyt pasazh sh'Gjon Krizostómi, doktori i madh i Kishës Bizantine, shkruen :

« Si pasojë e ktyne fjalve [aq shumë e deshti boten...], shumë flejnë mbi malin e mkateve dhe neglizhancave të tyne dhe, tuej abuzue mshiren e Zotit, thojnë : "Nuk ka Fêrr ; nuk ka vuejtje t'përjetshme e Zoti na i fal tana mkatet tona." » (Idem)

« Kta njerëz Më nderojnë vetëm me gojë, por zêmrat e tyne janë larg Mejet. Ata Më ofrojnë nji adhurim të rrêmë, sepse msojnë doktrina dhe urdhnime njerzore. » (Sh'Mateu 15, 8)

Por bota nuk e njohu Krijuesin dhe Shelbuesin e vet : "et mundus eum non cognovit" (sh'Gjoni 1, 10). E për rrjedhojë, edhe Shelbuesi nuk i njef mâ për të tijtë ata që përbuzin urdhnat e Mjekut hyjnuer, pra Magjisterin e pagabueshëm të Kishës shêjte Katolike Romake, dhe ata që jetojnë simbas kapríçove njerzore dhe urdhnave të botës apostate, që ka mohue Krijuesin e saj :

« Por mbasi kam thirrë dhe ju keni rrefyzue me M'ndigjue ; por mbasi kam shtrí doren dhe kërkush nuk E ka pâ ; por mbasi ju keni përbuzë tana kshillat e Mija dhe keni neglizhue tana korrigjimet e Mija, edhe Un atherë kam me qeshë për shkatrrimin tuej dhe kam me u tallë kur t'ju vijnë ajo që ju mâ pak e prisni. Kur mallkimi ka me u lshue mbi jue papritun dhe kur shkatrrimi ka me ju râ si stuhija ; kur mjerimi dhe ankthi kanë me ardhë mbi jue, atherë kanë me M'thirrë e nuk kam me ndigjue ; kanë me u çue qysh n'mjes e nuk kanë me M'gjetë sepse kanë urrye udhëzimin dhe nuk kanë msue drojen (respektin) ndaj Zotit ; sepse nuk i janë nënshtrue kshillave të Mija dhe i kanë përbuzë tana ankesat e Mija ; për rrjedhojë, kanë me hangër frytet e rrugës s'tyne dhe kanë me u mbushë me kshillat e veta (njerzore) ; shthurja e fmijve ka me i vra dhe prosperiteti i t'çmèndunve ka me i hupë ; por ai që M'ndigjon ka me ndejë n'sigurí dhe ka me gzue bollekun pa u frigue prej asnji t'kèqet. » (Proverba 1, 24-33)


Mbas tri ditësh, ashtu si e kishte profetizue, JEZU-KRISHTI u njall me lavdi të madhe, tuej mposhtë djallin, mkatin, vdekjen, boten : 

« Qé, kena me u njitë në Jeruzalem, dhe Biri i Njirit ka me u tradhtue prej shefave të priftnijve, skribve dhe t’vjetërve ; ata kanë me E dënue me vdekje dhe kanë me E dorzue n’duert e johebrejve ; dhe ata kanë me E tallë, me E pshtye, me E rrahë n’kamxhik dhe me E vra, por të treten ditë Aj ka me u njallë. » (sh’Marku 10, 33-35)

« Prej asaj kohet, JEZUSI filloi me i diftue dishepujve të Tij se Aj duhej me shkue në Jeruzalem dhe me vuejtë shumë prej t’vjetërve, skribve dhe shefave t’priftnijve, dhe me u vra ; e të treten ditë me u njallë. » (sh’Mateu 16, 21-22)

« Biri i Njirit duhet me vuejtë shumë, e me u refuzue prej t’vjetërve, shefave t’priftnijve dhe skribve, e me u vra, dhe të tretën ditë me u njallë. » (sh’Luka 9, 22)   

Vdekja kishte hî n’botë prej mkatit, dhe mkati, prej djallit ; pra lypej që kto tri tiraj mizorë t’asgjesoheshin, duhej që kto tri zinxhirë të randë të kputeshin, për me lanë të lirë njirin me fluturue drejt Mbretnisë së Qiejve. Gjithçka ishte parashikue prej Mesisë JEZUS për dashtninë dhe për shelbimin tonë, përfshi ktu edhe Pasionin, edhe vdekjen e Tij në Kryq, t’cilen JEZUSI e përgaditi dhe e lejoi Vetë ; e mandej po Vetë e rimori jeten, tuej dishmue kshtu prapë Hyjninë e Tij, sepse kurrë nji njiri nuk mundet me dekë dhe me u njallë me forcat e veta.

« Tash princi i ksaj bote ka me u nxjerrë jashtë. » (sh’Gjoni 12, 31)

« Paga e mkatit asht vdekja, kurse hiri i Zotit asht jeta e pasosun në Zotin tonë JEZU-KRISHTIN. » (Romakve 6, 23)

« O vdekje, kam me kênë vdekja jote. » (Hozea 13, 14)

« Prandej ATI Më don, sepse e lâ jeten, për me e marrë prapë. Kërkush nuk ma merr, por e lâ Vetë, sepse kam fuqinë me e lanë dhe me e marrë prapë. Kyt Urdhnim e kam prej ATIT t’Em. » (sh’Gjoni 10, 17-18)      

As për t’Krishtênin nuk ka vend n’boten e sotme moderne, të drejtueme prej djallit dhe sherbtorve t’ij, judeo-masonve, komunistave, kapitalistave, qeverive laike e sektarve t’ngjyrave e llojeve t’ndryshme ; ktu kam parasysh t’krishtênin që jeton Fenë Katolike me fjalë e me vepra e jo at’ pseudo-krishtenin hipokrit që jeton si bota e sherbtorët e djallit ; i Krishtêni i sotëm diskreminohet, izolohet, tallet, e aty ku persekucioni asht i përgjakshëm edhe arrestohet, burgoset e asgjesohet. Por i Krishtêni asht i vetdijshëm për tanë kto gjana, sepse sherbtori nuk mundet me kênë ma i madh se zotnija i vet, dhe ashtu si kanë persekutue Shelbuesin e njerzimit, Zotin tonë JEZU-KRISHTIN, ashtu kanë me persekutue edhe dishepullin e Tij. (sh’Gjoni 15, 20) Mjafton që sherbtori me kênë si i zoti i vet ; Kur kanë mbrritë me i thanë beelzebub (djall) t’zotit t’shpisë, po sherbtorve të tij ? (sh’Mateu 10, 25)

« Të tanë ata që duejnë me jetue devoçmënisht në KRISHTIN JEZUS kanë me e persekutue. » (Prej letrës II të sh'Palit drejtue Timoteut 3, 12)

I Krishtêni i kupton dhe i pranon kto kryqe, me ndihmen e Zotit e ndërmjetsí t’Virgjinës t’Papërlyeme, sepse n’kjoft se don me mbretnue me JEZU-KRISHTIN e Mbretneshen e engjëjve e shêjtënve atje nalt, ka me iu dashtë s’parit me ndjekë e me vuejtë me JEZU-KRISHTIN, Njirin e vuejtjeve, dhe Mbretneshen e martirve, Nanen e vuejtjeve, ktu poshtë (sh’Luka 9, 23).          

« Dhe kushdo që nuk e merr krygjen e tij mbas Mejet, nuk mundet me kene dishepulli Ém. (sh'Luka 14, 27)

Në nji koment të Apokalipsit, kapitulli 7, rreshti 9, ku sh'Gjon Ujilltari përshkruen turmen e pamasë të t'bekuemve në Parriz, të mbledhun para KRISHTIT Zot, t'cilët mbajshin tanë n'duer palmen e martirit, Doktori engjellur sh'Tomë Akuini, në komentet evangjelike të veprës së tij të mirënjoftun "Zinxhiri i artë", parafrazon Papën Sh'Gregorin e Madh, i cili na mson se me hî n'Parriz nuk ka rrugë tjetër përveç martirizimit. Mâ andej, Papa shton se ky martirizim ka dy forma : martiri i gjakut, për ata që kanë me derdhë gjakun për Fenë shêjte të KRISHTIT Zot, dhe martiri e durimit, për ata që kanë me mbajtë, me nji durim martirësh, krygjen e tyne mbas KRISHTIT JEZUS. Pra bahet fjalë ose për martirizim fizik ose për martirizim shpirtnuer. Ata që nuk kalojnë asnjênen prej ktyne dy formave të martirizimit nuk kanë me hî kurrë në Parriz, por kanë me u mallkue përgjithmonë në Fêrr. Edhe nji herë, kujtoni fjalët ungjillore : Ajo që asht e pamujtun për njirin asht e mujtun për Hyjin. Nuk ka dyshim se asht e pamujtun për njírin me hî n'Parriz me forcat e veta, që janë pothuejse hiçgjâ ; prandej, për me përparue n'rrugen shêjte drejt Parrizit, duhet kërkue pa pushim ndihma hyjnuere, që konsiston kryesisht në lutjen e përditshme t'krishtênë dhe në frekuentimin e Sakramendeve. Dhe në mnyrë që kto përpjekje t'kenë rezultatin e dishiruem, duhet kërkue ndërmjetsíja e tejet shêjtes Virgjinës MARI, thotë doktori i Kishës shën Bernardi.

Thotë i madhi shen Agustini : Bani çka t'mundni, me hirin e Zotit ; çka mos t'mundni, prezantójani Hyjit në lutje.

E Hyji ka me i plotsue dhe transformue veprat tona njerzore në vepra hyjnore, që meritojnë Parrizin e pasosun, ashtu si transformoi ûjin në vênë, në Kana të Galilesë. (sh'Gjoni 2, 9)

"Lutuni pa pushim." (I Tim. 5, 17)

Me u lutë pa pushim, n'kuptimin e drejtpërdrejt të fjalës, pa nji hir t'veçantë prej Zotit, asht e pamujtun ktu poshtë, n'kyt botë kalimtare. Por mbasi Hyji nuk na kërkon kurrë t'pamujtunën, i Krishtêni mundet me u lutë papushim, n'kjoft se i kushtohet (konsakrohet) t'Madhit Zot (jo domosdoshmënisht vetëm n'urdhnat fetare) dhe çdo ditë, n'fillimin e saj, ia ofron Hyjit me ndërmjetsí t'Nanës tenZot (n'kjoft se don që lutja e tij të pranohet) ; dhe nuk harron, kryesisht gjatë veprave kryesore të ditës, me e përsëritë shpesh oferten e tij shêjte.     

« Ah, vllâznit e mij ! N'koft se nuk luftohena fort prej djallit, jena bâ gadi me na kjâ, sepse simbas tana gjasave, na jena miqtë e tij, i cili na len me jetue n'nji paqe t'rrêmë dhe na ka vue me fjetë, nën pretekstin se kena bâ ndonji lutje apo lëmoshë t'mirë, apo se kena bâ ma pak keq se të tjerët. N'fakt, vllâznit e mij, n'kjoft se e pvetni kyt shtyllë kabaréjet se a e tundon djalli, ka me ju thanë jo, asgjâ nuk e mundon. Pveteni at vajzen mendjelehtë, se cilat janë betejat e saja ! Ajo ka me ju përgjigjë, tuej u qeshë, se nuk ka asnji betejë, dhe se as që din gjâ çka don me thanë me kenë e tundueme. Qé pra, vllâznit e mij, tundimi mâ i tmerrshëm, që âsht mos me kênë i tunduem ; qé pra edhe gjendja e atyne, t'cilët djalli i ruen për Fêrr. Po t'flitsha, do t'ju thoja se djalli ban fort kujdes mos me i tundue kta shpirtna, sidomos mos me i mundue mbi jeten e tyne t'kalueme, prej frigës se mos hapin sytë e shofin mkatet e tyne.

« Po ju tham pra, vllâznit e mij, se e keqja ma e madhe për të krishtênët âsht mos me kênë i tunduem, sepse ka vend me besue se djalli i konsideron ata si të tijtë dhe pret vetëm vdekjen për me i tërhjek në Fêrr. Nuk ka gjâ mâ t'lehtë me u kuptue. Shifni nji katolik që sapo fillon me kërkue shelbimin e shpirtit t'ij, gjithçka që e rrethon e shtyn me bâ keq, e shpesh nuk mundet as me çue sytë përpjetë pa u tundue, pavarsisht lutjeve e pendesve t'ija ; e nji mkatnuer i vjetër, që ndoshta qysh tash njizet vjetësh sillet e pshtillet në plehin e mkateve t'ija, ka me thanë se nuk âsht i tunduem. Aq mâ keq për ty, miku em, aq mâ keq për ty ! E ti duhet me u dridhë sepse nuk njef tundimet tueja ; me thanë se nuk jé i tunduem âsht njisoj sikur me thanë se nuk ka mâ djaj, apo se i mallkuemi e paska hupë tanë tërbimin e tij kundër t'krishtênve. "N'kjoft se nuk keni tundime, na thotë sh'Gregori, atherë djajtë janë miqtë, drejtuesit dhe barijtë tuej, dhe ju lanë me jetue të qetë jeten tuej t'shkretë, tuej pritë fundin e ditve tueja për me ju tërhjekë në humnerë." Sh'Agustini na thotë se tundimi mâ i madh âsht mos me pasë tundime, që don me thanë me kênë i mallkuem, i braktisun prej Zotit dhe i dorzuem në duert e epsheve personale. » (Sh'Gjon-MARIA Vjaní, Famullitari shêjt i Arsit)
"Ju jeni t'dekun (për jeten e botës), dhe jeta juej asht e mshehun me JEZU-KRISHTIN në Zotin." (Kolosianve 3, 3)

T'lusim Nanen e Shelbuesit tonë të dashtun, Nanen e vuejtjeve e Mbretneshen e tanë shêjtënve, t’na sigurojë hirin prej Zotit me kenë të dekun për mkatin dhe jeten e botës, për me jetue gjithmonë në jeten e hirit të Zotit, veç për dashtní për Hyjin, për Shelbuesin e Nanen tonë qiellore, dhe për dashtní për t'afërmin.

"Ky asht Urdhnimi Em : Dueni njêni-tjetrinm ashtu si Un ju kam dashtë. Nuk ka dashtní ma t'madhe sesa dashtníja e atij që sakrifikon jeten e vet për miqtë e tij." (sh'Gjoni 15, 34)



Përgaditi

Z.H.


LAUS DEO ET MARIÆ
DEO GRATIAS ET MARIÆ