domenica, aprile 07, 2013


Sermon për diten e shejtë të Pashkës,
simbas Atit Luis de Granada O.P.

Përkthye prej I.S.
Nenaekeshillittemire.blogspot.com







     Sermoni i mâposhtëm âsht i shkruem prej nji predikuesi ndoshta jo shumë të njoftun në ambjentin shqyptar por që i përket nji prej lavdive të Spanjës Katolike në kohen e Mbretit Ferdinand dhe Mbretneshës Elizabetë. Librat e tij ishin të preferuemit e shejtënve të mëdhaj si Shêjtes Terezë të Avilës, shêjtit Gjonit të Krygjës, sh'Karl Borromeut, sh'Pjetër Alkantarës, shejtes Rozë të Limës, shejtit Françesk të Salës dhe shejtjes Luizë të Marijakut.

Shejti Borromé shprehet se nuk njef nji tjetër autor që ka shkrue mâ me përfitim për të miren e Kishës Katolike dhe për shelbimin e shpirtnavet; doktori i Kishës, sh'Françesku i Salës, porositë me urgjencë nji ipeshkëv tjetër me pasë në zotnim të tana veprat e domenikanit dhe me i konsiderue ata si nji ofice të dytë; shejtja e madhe sh'Tereza e Avilës thotë për autorin në fjalë se vetë Zoti ia dha botës kyt njiri për të miren e madhe dhe universale të shpirtnavet; s'fundmi vetë Papa Gregori XIII, në nji letër drejtue At Granadës në vjetin 1582, shkruen, ndër të tjera, se At Luisi i Granadës me shkrimet e tija i ka shërbye shpirtnave mâ shume sesa t'u kishte dhanë shikimin të verbuemve dhe jetën të dekunve.



« Jesum quaeritis Nazarenum crucifixum; surrexit, non est hic..., sed ite, et dicite discipulis ejus et Petro, quia praecedit vos in Galilaeam. »

« Ju kërkoni JEZUSIN e Nazaretit që âsht kenë kryqzue; Asht rinjallë, nuk âsht ktu..., por shkoni e i thoni dishepujve të Tij e Pjetrit se po shkon para jush në Galilé. » (sh'Marku 16:6)



Në kto ditë shêjte, vllâznit e mij, kur Kisha e gzueme celebron me himnet e saja Rinjalljen e Zotit, fjala që ajo përsërit mâ shpesh ka për qëllim me na ftue me marrë pjesë në gzimin e saj. « Qé pra dita, na thotë ajo, që ka bâ Zoti; ta kalojmë në gzimin mâ të madh. » Haec dies quam fecit Dominus; exultemus et laetemur in ea. Mjerisht, vllâznit e mij, do të ketë shumë prej atyne që do të gzohen sod, por jo me at gzim që na porosit Apostulli kur thotë : « Gzohuni pa pushim në Zotin tonë; po e përsëris edhe nji herë, gzohuni. » (Phil 4:4) Shumë të krishtenë, krejt të huej prej ktij gzimit shejt, gzohen vetëm se kjo ditë u nep fund lodhjeve të krezhmës dhe pendesës e që tash ata munden me u ngi me mishna; që tash ata munden me hangër në çdo orë, me u marrë me lojna e me jetue me mâ shumë lirí; dhe se tash ata nuk kanë me durue mâ turpnimet e Rrfimit. Kta të Krishtenë nuk gzohen as në Zotin e as për arsye të Rinjalljes së JEZU-KRISHTIT. Sepse ky gzim shejt ku na fton Kisha Katolike nuk ka asgja të përbashkët me até që lind prej ktyne të mirave të mbarueshme, prej të cillave Shelbuesi ka dashtë me na shkëputë, tuej durue aq shumë turtura, fyemje, punë e mundime. Atje ku mbretnojnë gzimet toksore nuk ka vend për kyt gzim shejt, i cilli âsht anmiku i knaqsive të trupit.

Kush ka me marrë pjesë atherë në kyt gazmend të pafundëm të Kishës ? S'parit, ata që kanë vue në JEZU-KRISHTIN shpresen e tyne, sepse shpresa e tyne âsht rinjallë me Té. Kshtû gzohej Profeti David kur thonte : « Zemra e trupi em ngazllohen para Zotit të gjallë. » (Psalmi 83:2) – Pse gzoheni kshtu, o profet, në Zotin e gjallë ? - Sepse shelbimi, lumnia e shpresa jeme, tuej kenë të mbështetuna mbi Té, marrin pjesë në Rinjalljen e Tij dhe në jeten e Tij të pambarueme. - Të drejtit kanë pra sod arsye të fuqishme me u gzue. E njejta gja ndodh edhe për mkatnorët, n'kjoft se i kanë lâ njollat e vjetra me anen e pendeses katërdhet-ditshe dhe zhdeshë njirin e vjetër për me fillue nji jetë të ré; ata janë rinjallë me JEZU-KRISHTIN. Nji mbarsi kaq e madhe duhet ti mbushin me gzim, për të cilet mundena me thanë si për djalin plangprishës : « Ishte i dekun dhe âsht rinjallë; ishte i hupun dhe u gjet. » (Sh'Luka 15:32) A nuk ka arsye me u gzue ai që âsht gjetë mbasi ishte kenë i hupun; ai që i çliruem prej vdekjes shpirtnore âsht rinjallë në jeten qiellore në sajë të misterit të papërshkrueshëm të Shelbimit ? Kshtu, ata që preokupohen për shelbimin e shpirtit të tyne e që nuk kanë asgja mâ të shtrejtë mbi tokë; ata që, të liruem prej dekës së mkatit prej hirit të JEZU-KRISHTIT, kanë fillue nji jetë të ré dhe kanë shijen e gjanave hyjnore; kta, pra, kanë të drejtë me u gzue prej misterit të ksaj dite. Për me marrë pjesë në lumninë e tyne, të lusim me përvujtni ndihmen e Qiellit me ndërmjetsinë e të shejtnueshmes Virgjinës MARI. Ave MARIA.


I.

Në Unjillin e ditës së sotme, vllâznit e mij shumë të dashtun, kto tre gra shejte që erdhen me parfùme me vorrosë Trupin e Shelbuesit, na paraqesin nji shembull të naltë dashnijet Kristjane. Ato e kishin pâ tuej dhanë Shpirt mbi Kryq pak kohë përpara; ata E kishin lanë të mbyllun në vorr dhe nuk shpresojshin në Rinjalljen e Tij. Ato e dijshin se vetë vorri ishte i rrethuem me ushtarë që ndalojshin hymjen; ato besojshin se kishin me marrë prej zellit të tyne vetëm nji tjetër vuejtje prej pamjes së Trupit të pajetë të Shelbuesit; e megjithaté, për me i dhanë sadopak nderime atij Trupi shejt, ato kishin vendosë me i dhanë Shelbuesit kyt dishmi të fundit përzemërsijet, tuej diftue kshtû sa e gjallë ishte dashtnija për Hyjin në zemrat e tyne. Në fakt, thotë sh'Pjetër Krizologu, dashtnija e vërtetë nuk egzaminon shka âsht e mujtun apo shka ka me ndodhë; por, për me u knaqë, ajo nuk shef asgja të pamujtun ose të vështirë dhe nuk i ven qëllim tjetër përpjekjeve të saja veçse me egzekutue até që dishiron dhe me i pëlqye atij që ajo don. Nji shembull të tillë të mrekullueshëm na napin ata tre fmijë që Nabukodonosori i hodhi në nji furrë zjermit sepse kishin përbuzë statujen e tij të artë. Mbreti u drejtoi kto fjalë të pabesa : « A asht e vërtetë, Sidrak, Misak e Abdenago, që ju nuk i nderoni zotnit e mij dhe se nuk adhuroni statujen e artë që kam bâ ?... N'kjoft se ju nuk e adhuroni, kanë me ju hjedhë menjiherë në mes të flakve të furrës, e mandej cilli asht Zoti që ka me mujtë me ju hjekë prej duerve të mija ? » (Danieli 3:14-15). Atherë, ata u përgjigjen : « Na nuk duhet me t'u bindë në kyt gjâ, o mbret, sepse Zoti jonë, Zoti që na adhurojmë, mundet patjetër me na nxjerrë prej mesit të flakve dhe me na lirue, o mbret, prej duerve tueja. N'kjoft se nuk âsht Vullnesa e Tij me bâ kyt gjâ, ne po ju deklarojmë, o mbret, se ne nuk nderojmë zotnat tuej dhe se ne nuk adhurojmë statujen e artë që ju keni bâ. » (Ibid.)

Ky âsht karakteri i dashtnisë perfekte. Ajo konsideron me kujdes jo përfitimin por detyrën, jo rahatinë por ndershmëninë; jo shka mund ti bijnë sigurinë personale por shka mund ti pëlqejnë të dashtunit të saj, kushte kto që nuk njjhen prej atyne që thojnë : Nuk i bindem Zotit n'kjoft se nuk shpresoj mâ parë ndonji shpërblim. Dashtnija e vërtetë, thotë sh'Bernardi, nuk punon me qëllim përfitimin, megjithse nuk ka me ndejë pa e marrë. Por të shofim tashti vazhdimin e Unjillit.

« Dhe diten e parë të javës, heret në mjes, ata edhën te vorri ».Në kryemjen e e ksaj detyre të devotçme, kta gra shejte nuk harrojnë asgja. Në mbramjen e ditës kur Shelbuesi u kryqzue, ata blejnë parfume dhe i përgadisin. Të Shtunden, ata respektojnë pushimin e urdhnuem dhe të Dielen, ata nuk presin lindjen e diellit por nisen për rrugë heret. Asht gjithashtu e mujtun se ata nuk kishin fjetë atë natë, të zhytuna siç ishin në zi (dhimbje) e për ma tepër, të preokupueme siç ishin me u nisë heret. Nuk âsht e habitshme se ata mund të kenë pâ engjujt dhe vetë Zotin e engjujve në lavdinë e rinjalljes, ata që qysh në mjes heret E kishin kërkue me aq zell. Bekue kjoshin ato që i paraprijnë nades me kërkue Zotin dhe që E dishirojnë me aq dashtni ! Salomoni thotë : « Ai që kërkon të miren âsht i gatshëm me u çue qysh në filliin e ditës ». « Consurgit diluculo, qui quaerit bona. » (Prov. 11:27). Nji autor i devoçëm e komenton kshtu kyt rresht : « N'kjoft se ti ruen tana ditët te hymja e shpisë së Dijes dhe rrin vazhdimisht te dera e saj (Prov. 8:34); n'kjoft se ti ruen me durim me Marinë Magdalenë në hymje të vorrit, ke me e pa me té se sa e vërtetë âsht kjo fjalë e Dijes, don me thanë e JEZU-KRISHTIT : Due ata që Më dojnë dhe ata që ruejnë qysh në mjes me M'kërkue, kanë me Më gjetë. » (Prov. 8:17) Maria Magdalenë e ka gjetë JEZUSIN sepse ajo kishte ardhë me ruejtë vorrin e Tij, por edhe ti mundesh me E gjetë shpirtnisht Shelbuesin n'kjoft se kërkon po me të njêjten dishirë dhe ruen po me të njêjtin durim në lutje. Thuaji pra Zotit JEZUS me aspiratat dhe ndjenjat e Marisë Magdalenë : Shpirti em Ju ka dishirue gjatë natës; kam me u çue qysh në agun (fillimin) e dritës me Ju kërkue me të tanë forcen e shpirtit dhe zemrës teme. Anima mea desideravit te in nocte, sed et spiritu meo in praecordiis meis de mane vigilabo ad et. (Isaia 26:9) Thuej me gojë e me zemër bashkë me psalmistin : Zoti jem, Ju kërkoj qysh në mjes, etc. (Psalmi 62:2) E ke me pâ si si ata ke me pasë gzimin me kndue : Në mjes jena mbushë me mshiren Tuej, kena kcye prej gzimit dhe jena ngazllue prej haresë. (Psalmi 89:14) Guerricus.

Kjo ju ndihmon me kuptue pse tanë shejtnit zgjedhin mjesin me celebrue lavditë e Hyjit. Ata i konsakrojshin Zotit fillesat e ditës në mnyrë që Ai që âsht i pari në rendin e madhshtisë dhe të randsisë t'ishte gjithashtu i pari në rendin e kohës. Kshtu Mbreti David inkurajohej qysh në mjes me kndue lavditë hyjnore : « Zgjohu, lavdija eme; zgjohuni harpa jeme dhe lauti jem; kam me u çue qysh në agun e dritës. » (Psalmi 56:9) Nji prej miqve të Jobit thote : « N'kjoft se ktheheni kah Zoti qysh në fillimin e ditës dhe i adresoni lutjet tueja të Gjithpushtetshmit, menjiherë Ai ka me u çue me ju ndihmue dhe ka me bâ që paqja të mbretnojë në shpinë tuej ku keni me jetue me drejtsi. » (Job. 8:5) S'fundit, simbas sh'Gjon Klimakut, nji prej etënve të vjetër të shkretinës e kishte zakon me thanë se tuej krye detyrimin e lutjes së nades, ai e parashikonte se si do ta kalonte të tanë diten; kur kjo lutje ishte kenë e zjarrtë, ai i bante mirë të tana punet e tjera të ditës, por n'kjoft se lutja ishte kenë e voktë dhe mekanike, tana punet e ditës influencoheshin prej saj. Prej ksaj dëshmijet shofim se si hiri hynor ndihmon e mbështetë ata që e lusin Hyjin me zell e gadishmëni dhe sa e vërtetë âsht ajo që shkruhet mbi Dijen hyjnore : « Kush ruen qysh në mjes me E zotnue, nuk ka me vuejtë kurrë sepse ka me E gjetë të ulun te dera e tij. » (Sap. 6:15)

Ah, vllâznit e mij, t'kisha fuqi mbi shpirtnat tuej me ju bindë me i kushtue nji pjese të mjesit tuej kontemplacjonit të Dijes hyjnore (Sapientia), pra mistereve dhe mirësive të Zotit, s'pakut gjatë 50 ditëve që ndajnë dy Pashkët !... Nuk kam dyshim se në përvjetorin e uljes së SHPIRTIT-SHEJT mbi apostujt, kjo Dije hyjnore ka me shpërnda mbi jue ndonji pjesë të thesareve dhe bekimeve të Saja (Psalmi 20:4); e mbasi ti shijoni vetëm nji herë, nuk keni me vonue me i llogaritë për asisend gjanat e tjera të rëndomta.

Nji prej etënve të vjetër të Kishës ka thanë : « Vshtirsija që ndjejmë në ndjekjen e virytit zgjat derisa shpirti jonë të vêhet në posesionin e Zotit. Mbasi të mbrrihet kjo gjâ, gjithshka bahet e lehtë dhe e kandshme. » Për mue, po shtoj se kjo vshtirsi apo vuejtje vazhdon për sa kohë që njiri nuk i ka shijue ambëlsitë hyjnore. Por kur t'i ketë shijue, n'krahasim me kyt thesar, ka me i konsiderue ma pak se hiçi gjithshka që kjo botë vlerson e admiron, dhe, si tregtari i Unjillit, ai ka me u ngutë « me shitë gjithshka vetëm me ble kyt perlë. » (sh'Mateu 13:45) E kjo nuk duhet me na habitë sepse kjo ambëlsi shpirtnore, tuej pasë Zotin për objekt, duhet ti kalojnë pafundsisht të tana qejfet toksore. « Për shpirtin që shef Zotin, thotë sh'Gregori, çdo krijesë âsht e parandsishme. Për até që shef Zotin, pra që E njef, E don dhe E gzon, çdo krijesë âsht ma pak se hiçi, në krahasim me kyt ambëlsi të papërshkrueshme. » (Dialog.) E sh'Bernardi shton : « Zelli i shpirtit fik zjermin e dishirave të tjera dhe ambëlsia e hirit shpritnuer përjashton ambëlsinë e rrêjshme dhe helmuese të vesit. » Të kthehena tashti te gratë shejte.

Gjatë rrugës ato shqetsoheshin mbi mnyren se si me largue gurin që mbyllte hymjen e vorrit. « Kush ka me na e hjekë, thojshin ato, gurin që mbyll hymjen e vorrit, sepse aj âsht nji gur i madh ? » Sa të përshtatshme janë kto fjalë për situaten prezente ! N'kyt kohë shejte, sa e sa njerëz, tuej mendue mbi pendesën dhe ndryshimin e jetës, kanë me thanë të njêjtat fjalë : « Kush ka me na e hjekë gurin që mbyll hymjen e vorrit ? » Në fakt, guri që na pengon me mbrritë te JEZU-KRISHTI âsht mkati. « Mkatet tueja, thotë profeti Izaia, kanë shkaktue nji ndamje midis jush dhe Zotit tuej. » (Isa. LIX:2) Po, ata janë si nji mur diamantit që na ndajnë prej JEZU-KRISHTIT. Kjo âsht e vërtetë sidomos mbi mkatin që âsht shkaku i tana mkateve tjera : e kam fjalen për dashtninë e teprueme për vetvedin dhe për lidhjen me vullnedin personal. « Shkatrroni kyt shkak [vullnedin personal], thotë sh'Bernardi, dhe ju fikni në të njêjten kohë zjermin e Ferrit. » Mbi shka ka me ushtrue aktivitetin e tij shkatrrues ky zjerm i pafikshëm përveçse mbi vullnedin personal ? E si nuk mundena me e pâ se dashtnija për vedi âsht burimi i tana mkateve sepse kërkush nuk mkatnon pa u shtye prej interesit ose etjes për qejfe ?

Kush ka me mujtë, pra, me e largue prej zemrës s'tij kyt gur të madh dhe me shmangë kshtu shkakun e të tana të kqijavet ? Kush ka me mujtë me përfeksionue me anen e arsyes nji pasion të vrullshëm prej të cillit rrjedhin të tana tjerat ? Sepse kjo tendencë âsht aq natyrale për të tana qënjet, saqë jo vetëm të tana kafshët duejnë vetevedin por edhe te trupat inorganikë ne observojmë nji fenomen të tillë. Në fakt, a nuk shofim na se kur hjedhim nji pikë ujit mbi dhé, menjiherë ajo mbledhet rrumbullak për me u bashkue e me u mbrojtë kshtû ma mirë kundër shpërbamjes ? Si me e hjekë atherë kyt pasion të rrânjosun thellë në zemren tonë ?

Lufta kundër ktij pasionit âsht aq e nevojshme për shelbim saqë vetë Shelbuesi në Unjill thotë se « Kush e don jeten e vet ka me e hupë, por kush urren jeten e vet në kyt botë, e ruen até për jetën e pasosun. » (Sh'Gjoni 12:25).
Edhe nji herë pra, kush ka me mujtë me e hjekë prej derës së zemrës tonë gurin që na ndan prej JEZU-KRISHTIT ? Vshtirsija e ksaj pune na shfaqet prej fjalve që flasin në librin e Apokalisit shërbtorët dhe ndihmsat e bishës, pra të djallit : « Kush âsht si bisha ? E kush ka me mujtë me luftue kundër saj ? (Apokalipsi 13:4) Pra, kush ka me mujtë me rrxue dashtninë për vetvedi, kyt tiran të botës, etjen për ndere, pasuni e imoralitete, etje që rrjedh prej ksaj dashtnijet ? Kush ka me mujtë me i rezistue ligjeve të botës, thirrjeve dhe gjykimeve të njerzve ? S'fundmi, kush ka me mujtë me ndalue hovet e vullnedit të vet ? Qé edhe përgjigja e ksaj pytjet :

« Por ato panë se guri ishte i hjekun. » Po, përgjigja âsht e kjartë. Sepse ajo që dukej gadi e pamujtun për gratë shejte dhe për forcen e tyne, ishte krye prej fuqisë hyjnore, pa i kushtue atyne asnji mund. E njejta gjâ i ndodh shumë pendestarve të vërtetë. Ata i shofin si të pakapërcyeshme disa lëvizje të shpirtit. Por sapo kthehen kah Zoti, sapo fillojnë me iu bashkue Hyjit, tuej kërkue me zell ndihmen e Tij, shpesh e shofin se ai ves, që iu ishte dukë i pamujtun me u kapërcye, âsht zhdukë pa mund dhe tuej kërkue në vetvedi ata nuk e gjejnë mâ at mnyrë të dikurshme të jetesës. Tuej pâ sa zakonet e tyne të vjetra dhe pasionet që e tiranizojshin janë zhdukë, ata nuk munden me përmbajtë admirimin e tyne e thrrasin me profetin : « O det, kush të detyroi me ikë ? E ti, Jordan, pse je kthye te burimi jot ? Pa dyshim, âsht prezenca e Hyjit që i ka bâ me ikë dallgët dhe trazimet e shpirtit tem e që ka ndryshue zemren teme. » (Psalmi CXIII:5)

Si ati që udhton me birin e tij në moshë të vogël, i gjendun në buzen e nji lumi ku âsht nji kalim i vshtirë me u kapërcye, e merr birin e vet mbi shpatulla ose në duer, e kshtû fmija lodhet mâ pak n'nji rrugë të vshtirë sesa n'nji rrugë të mirë sepse në rastin e parë ai e ka marrë të birin në krahë kurse në të dytin e ka marrë per doret, ashtu edhe i Madhi Zot, ky At i dhimbshëm, ky « ushqyes i Efraimit që na mban në krahë » (Ose. 11:3), vepron në né, por jo pa né, até që âsht e vshtirë në rrugen e shelbimit por na len me bâ até çka âsht me e lehtë, me ndihmnen e Tij. Gjithashtu nganjiherë, disa që triumfojnë me lehtsi në vshtirsi të mëdha, dështojnë në gjana të vogla dhe kjo ndodh, thotë sh'Gregori, prej nji përkujdesjeje dashamirse të Zotit në mnyrë që të drejtit të shofin kjartë se pengesat e mëdhaja i kanë kalue me ndihmen e Zotit dhe se me forcat e tyne nuk kanë mujtë me bâ as gjânat mâ të parândsishme.

Kah ana tjetër, Zoti i parandalon rreziqet tona dhe shmangë pengesat drejt perfeksionimit të virtyteve, n'mnyrë që na të ecim pa u pengue në rrugen e drejtsisë. Qé si flet nëpërmjet profetit Izaia : « Kaloni, kaloni mes dyerve, përgaditni rrugen popullit, shtroni shtegun, hiqni gurët, ngreni flamurin para syve të popullit. » (Is. LXII:10) dhe kjo që të tanë të ecin në rrugen e drejtsisë lehtsisht e lirisht. Në fakt, nji prej mirsive të hirit hyjnor âsht me i armatosë me nji forcë të pathyeshme shpirtnat e të drejtve dhe me u hjekë prej rrugës' tyne çdo gur pengues që mund t'i vrit'e. Nji figurë të ksaj mirsijet e shofim te udhtimi nëpërmjet të cillit Hyji i udhhoqi izraelitët drejt tokës' premtueme. « Faraoni mbasi e la popullin të lirë, Zoti nuk i drejtoi izraelitët mes vendit të Filistinve, megjithse ishte rruga mâ e shkurtë, tuej pasë frigë se prej luftës me filistënët izraelitët do të pendoheshin se kishin lanë Egjiptin. Hyji i bani me përshkue nji rreth të gjatë nëpër shkretinë përgjatë Detit të Kuq. » (Egzodi 13:17-18) Zoti ushtron të njejten përkujdesje ndaj atyne që i çliron prej Egjiptit shpirtnuer, pra prej terrinës së ksaj bote dhe që i udhëhjek drejt tokës' premtueme të atdheur qiellor.

Prej ksaj e shofim se sa shumë i detyrohena Autorit të shelbimit tonë, i Cilli jo vetëm që shpërblen veprat e mira por edhe që nep forcen e duhun me i krye ato, pavarsisht vshtirsive. Kshtû, dikur, kur vllâznit e Jozefit erdhën në Egjipt me blé ushqime, ai u dha grunë për ushqim dhe, për mâ tepër, mshehu në thasët e tyne paret e destinueme me blé drithin. Me anen e ktij simboli, Jozefi jonë, Shelbuesi i botës, na ban me kuptue se Ai na nep edhe buken e engjujve, pra lavdinë qiellore, edhe paret, çmimin e ksaj buket, pra ndihmen e hirit hyjnor. Ai që nep hirin dhe lavdinë a nuk nepka grunin dhe paret, çmimin e grunit ? Ky âsht pra edhe kuptimi i gurit të hjekun në hymjen e vorrit prej fuqisë hyjnore.


II.


« Kur hyne mbrenda vorrit, ato pane në anen e djathtë nji djalë të ri, i veshun me nji pekt të bardhë, dhe patne frigë; por ai u tha : « Mos kini frigë. Ju kërkoni JEZUSIN e Nazaretit që E kanë kryqzue. Ai âsht rinjallë dhe nuk âsht ktu; qé edhe vendi ku E kishin vendosë. Shkoni i thoni dishipujve të Tij dhe Pjetrit se po shkon para jush në Galilé. »

Pse kjo përmendje e veçantë e sh'Pjetrit kur apostujt e tjerë përmenden me emnin e përgjithshëm të dishepujve dhe sidomos mbasi që sh'Pjetri kreu nji mkat mâ të madh se apostujt e tjerë ? Kta iken kurse sh'Pjetri mohoi Msuesin e Tij. Mekênse sh'Pjetri kishte mkatnue mâ randë, duhej me i dhanë mâ shumë shpresë e kurajo me luftue frigen. Në fakt, mkati thyen energjinë e shpirtit tuej e dërmue até. Prandaj edhe shprehja : « I keqi ikë pa e ndjek kërkush por i drejti âsht i guximshëm si nji luan dhe nuk ka frigë asgjâ. » (Prov. XXVIII:1). Sh'Pjetri, pra, tuej kujtue pabesnikninë dhe vetbesimin e tij të tepruem, i cili mbas mburrjes râ mâ poshtë se apostujt e tjerë, me çfarë kurajot mund të paraqitej para Zotit që kishte mohue ? N'kjoft se tagrambledhsi i Unjillit nuk guxonte me i çue sytë kah Qielli, si kishte me mujtë sh'Pjetri me pâ Shelbuesin po mos t'ishte inkurajue prej ksaj dashamirsijet të jashtzakonshme ? Zoti pra i bani kyt favor sh'Petrit jo vetëm për arsye të lotve të tij por edhe për shkak të dobsisë së tij që duhej forcue.

Kshtu i trajton Zoti mâ delikatët në Kishen e Tij. Shpesh Ai ndihmon dobsinë pa vue ré meriten. Hyji i mbush me ngushllime fillestarët dhe të konvertuemit në Fé prej frigës se, tuej mos pasë ambelsinat shpirtnore, mos të rrëzohen në rrugë, mos të dekurajohen dhe mos të kthehen në qejfet sensuale. Kjo lloj bujarijet duhet të inkurajojë fort të ndrojtunit, të cillët duhen me largue çdo lloj frige të punës apo të vshtirsive dhe me vrapue te Ai që âsht gadi me i pritë me krah hapë për me i mbulue me ambëlsitë e Tija të papërshkrueshme.

Kujtoni gjithashtu se sh'Pjetri nuk râ prej ligsisë, si Juda, por prej dobsisë. Teologët dallojnë 3 lloje mkatesh, që i kundërvihen Tre Personave Hyjnore të SHEJTNUESHMES TRINI : Mkatnohet prej dobsisë, kundër Atit, atributi i të Cillit âsht Fuqija; mkatnohet prej injorancës, kundër Birit, atributi i të Cillit âsht Urtsija (Dija) dhe mkatnohet prej ligsisë kundër SHPIRTIT-SHEJT, atributi i të Cillit âsht Mirsija. Dy mkatet e para falen lehtsisht por nuk âsht kshtu për të tretin. Nuk ka pra asgja të çuditshme se si Juda, bashkpuntor në ligsi, âsht dënue kurse sh'Pjetri, i cilli mkatnoi prej dobsisë, gjeti mshiren e Zotit dhe u thirr me bâ pendesë. Nga ana tjetër, sh'Pjetri u ngrit menjiherë prej ramjes; sapo fjalet e tij të mjera mohuese rane prej gojës së tij, po në ato momente prej syve rane lotët e idhta të pendesës. Mbas kndimit të gjelit dhe shikimit të mëshirshëm të Shelbuesit, sh'Pjetri doli jashtë e kjau. Asht e lehtë me sherue smundjet e shpirtit kur aplikohet menjiherë ilaçi i pendesës por sherohen me vshtirsi ato që janë të rrânjosuna thellë e për të cillat fliste edhe Profeti David : « Kalbsina e dekompozimi âsht formue në plagët e mija. » (Psalmi XXXVII:6). Asht e shkrueme : « Nji smundje e gjatë lodh doktorin i cilli kput në rrânjë nji të keqe që zgjat shumë në mnyrë që të zgjasin pak. » (Eccl. X:11-12). Lani menjherë pikat e bojës të rame mbi nji teshë të bardhë dhe keni me i hjekë pa probleme, por nuk âsht e njêjta gjâ me njollat e vjetra dhe të integrueme me copen. Kshtû, nji prej etënve të Kishës shprehet : « N'kjoft se në nji ditë ju bini (mkatnoni) njimijë herë, çojuni po njimijë herë, plot me besim në atë mshirë që i udhnoi sh'Pjetrit me falë shtatdhet herë shtatë herë nji vllai që kishte mkatnue. (sh'Mateu 18:22). N'kjoft se kaq shumë kërkohet prej mirsisë njerzore, sa herë mâ shumë kena të drejtë me shpresue prej mirsisë hyjnore ? »

Për ma tepër, Shelbuesi ka dashtë me shprehë kshtû fuqinë efikase të pendesës së vërtetë, e cila nëpërmjet nji keqardhje të thellë, ngren nganjiherë pendestarët e vërtetë në nji rang shejtnijet mâ të naltë se ai që kishin hupë. Asht e mujtun që kjo ka ndodhë edhe me sh'Pjetrin dhe, prej trishtimit të lotve të tij, ai mori nji bollek mâ të madh hiresh sesa ato që kishte ma parë. Ashtu si thotë Shelbuesi, prej dy borxhlive të cillve kredi-dhânsi u ka falë borxhin, atij që i âsht falë mâ shumë ka me dashtë mâ shumë. Nuk âsht me u habitë pra se sh'Pjetri, që ka marrë ma tepër prej Shelbuesit, E ka dashtë mâ shumë se të tjerët. Që sh'Pjetri ka marrë mâ shumë se të tjerët duket kjartë te shikimi plot me mshirë i Shelbuesit mbas mohimit dhe te përmendja e veçantë që engjulli i ban emnit të tij; s'fundmi, Shelbuesi iu duk sh'Pjetrit para apostujve të tjerë, meqë dy dishepujt, të kthyem prej Emausit, takuen 11 apostujt e mbledhun që u thanë : « Shelbuesi me të vërtetë âsht rinjallë dhe ia âsht dukë sh'Pjetrit. » Përsa i përket zjermit të dashtnisë së tij, sh'Pjetri e dishmoi até kur ishte në barkë bashkë me dishepujt e tjerë që kishin hjedhë rrjetat për peshk. E kur pau Shelbuesin në breg të liqenit, aq e madhe ishte dishira e tij me Iu afrue saqë u hodh në ujë, kurse dishepujt e tjerë u afruen me barkë. Në padurimin e tij, tuej pa se vozitja po zgjat'e shumë, preferoi me mbrritë bregun me not. Gjykimet e Zotit ndryshojnë shumë prej gjykimeve të njerzve. Edhe kur nji bashkshort fal adulterin e nuses së tij, prapë ai nuk mundet me harrue kujtimin e krimit dhe nuk guxon me i xanë besë nderit dhe virtytit të asaj që kishte mkatnue. Por Zoti i mshirshëm hjedh mbas shpinës mkatetet e pendestarve të vërtetë. Ky âsht pra edhe kuptimi i fjalve që Engjulli i Zotit u drejtoi grave shêjte : « Shkoni e i thoni dishepujve të Tij e Pjetrit... »

Po pse kto fjalë : « Po shkon para jush në Galilé ? » Cilli âsht kuptimi i tyne ? Pse të tanë evangjelistat, pse vetë Shelbuesi lajmron se misteri i Rinjalljes së Tij ka me u pa në Galilé, sidomos atherë kur Shelbuesi iu duk grave shejte, apostujve të bashkuem dhe dy dishepujve që po shkojshin në Emaus, disa herë dhe në vende të ndryshme të Judesë ? Pa dyshim, ka nji mister në kyt ngjarje aq shumë herë të profetizueme dhe së fundmi të realizueme. Shpjegimin që nuk e gjejmë në tekst, ta kërkojmë në shpirt.

Tuej manifestue Rinjalljen në nji vend tjetër prej atij ku ishte kryqzue, Shelbuesi ndoshta don me na thanë se poshtnimi i Pasionit dhe lavdia e Rinjalljes duheshin me u shpallë në vende të ndryshme, sepse Ai duhej të kryqzohej në Judé dhe të adhurohej prej joçifutve. Kyt gjâ e thotë haptazi edhe sh'Pali kundër çifutve t'cillët i rezistojshin predikimit të tij : « Ju jeni të parët të cillve u duhej lajmrue fjala e Zotit, por meqë ju e refuzoni até dhe konsideroheni të padenjë për jeten e pasosun, atherë ne po shkojme drejt joçifutve sepse Zoti na ka urdhnue me bâ kshtû. » (Act. 13:46) Çifutnit pra duheshin me njoftë Kryqin e Shelbuesit, që për ta ishte nji skandal, dhe joçifutnit duheshin me njoftë lavdinë e Rinjalljes që i thirrte me u shelbue. Vetë emni Galilé, që don me thanë shpërngulje (emigrim), diftonte që Feja dhe Rinjallja e Shelbuesit kishin me kalue prej Judesë në vende të tjera, ashtû si ishte e shkrueme : « Mbretnija e Zotit do t'ju hiqet për me iu dhanë nji populli tjetër që ka me prodhue frytet prej saj. » (Sh'Mateu 21:43)

Për mâ tepër, mendoj se ky emen, Galilé nënkupton edhe ata që kalojnë prej fajit të mkatit në drejtsi e janë jashtzakonisht të përshatshëm me besue në Rinjalljen e Shelbuesit, sepse kërkush nuk njef mâ mirë të vërteten dhe virtytin e mistereve të JEZU-KRISHTIT sesa ai që u ka njoftë personalisht fuqinë dhe efikasitetin. Kjo provohet prej konvertimeve të admirueshme të ndonji shejti si shen Çiprijani, sh'Agustini e shumë të tjerë. Ata janë transformue aq shumë dhe janë zhdeshë aq shumë prej njirit të vjetër saqë kanë mujtë me thanë me Apostullin : « Ajo që ishte e vjetër ka kalue; tash gjithshka âsht bâ e ré. » Vetera transierunt, facta sunt omnia nova. (II Cor. 5:17). Drita, dashtnija, friga, besimi, jeta, dishirat, veprat, ndjenjat, emocionet, gzimet, gjithshka âsht e ré. Ata dojnë shka kanë urrejtë dhe urrejnë shka kishin ma parë si idhuj; dishirojnë até që i ikshin dhe i ikun asaj që e dishirojshin me pasion. Shpirtnorja dhe hyjnore që kishin neveri janë bâ gzimet e tyne. Ata i urdhnojnë pasioneve të cillat i kishin bâ skllevën dikur. S'fundmi, ata kryqzojnë, me veset dhe epshet, trupin që e ushqejshin në knaqsi dhe që ishte objekti i vetëm i kujdesit të tyne. Kur e shofim vedin kshtû të transformuem; kur kërkojmë në vetvedi njirin e vjetër pa mujtë me e gjetë; kur vërejmë me surprizë se ky njiri i vjetër ka dekë dhe se nji tjetër âsht ngritë në vendin e tij, a nuk kena me besue me lehtsi se Ai që ka mujtë me rinjallë nji shpirt ka mujtë me nxjerrë Trupin e Vet prej terrinës së vorrit ?

Në fakt sh'Pali, në letren e tij drejtue Efezianve, vërteton se nuk nevojitet ma pak fuqi me rinjallë shpirtnat sesa me rinjallë trupat : « Lus Zotin që t'ju ndriçojë sytë e shpirtit tuej për me ju bâ me pa se cilla âsht lavdia supreme e fuqisë që ushtron ndër né që besojmë, simbas efikasitetit të virtytit të Tij të gjithpushtetshëm, të cilen e ka bâ me u dukë në Personen e JEZU-KRISHTIT tuej E rinjallë prej të dekunve. » (Eph. 1:18 et seq.) Kshtû, me gjallnue me nji jetë të ré shpirtnat e dekun prej mkatit, duhet e njêjta fuqi që njallë trupat e dekun. Ata që kanë ba udhëtimin e Galilesë, pra që janë transformue në nji personë tjetër, shndrrue në nji krijesë të re, ata, të ndriçuem prej rinjalljes së tyne, përqafojnë lehtsisht misterin e Rinjalljes së Shelbuesit. Në të kundërt, ata që nuk janë nisë ende për Galilé, pra që nuk kanë kalue ende prej gjendjes së njirit të vjetër te nji jete e re e qiellore, kta, tuej mos pâ në vedi rinjalljen, kanë vshtirsi me besue Rinjalljen e Zotit JEZUS.

Egziston nji ndryshim i konsiderueshëm midis të kqijave të trupit dhe atyne të shpirit : na ndijmë kryesisht të kqijat e trupit kur i vuejmë ato dhe jo kur ato kanë kalue. « Kur nji grue âsht tuej lindë, ajo âsht në lotë sepse koha e saj ka adhë; por mbasi ka lindë nji djalë, ajo nuk i kujton mâ të kqijat e saja, por gzohet se ka prue në botë nji njiri. » (sh'Gjoni 16:21). Përkundrazi, na nuk i ndijmë të kqijat e shpirtit, pra mkatet që bajmë; e shka âsht mâ keq, na gzohena në to. Por ne ndijmë dhimbjen dhe pasojat shkatrrimtare kur nxirrena prej ktyne mkateve, prej mirsisë së Zotit, dhe kur shofim deformimin, prej dritës' Shpirtit hyjnor.

Si udhëtari që ecë në nji natë të errët afër nji gremine ose humnere të thellë e nuk e ven ré rrezikun e vendit ku po ecë, prej errësinës, por ban kujdes gjatë ditës kur përshkon të njêjten rrugë, tuej u habitë dhe frigue prej rrezikut të shmangun, në të njêjten mnyrë, edhe njiri që jeton në mkat, tuej kenë i rrethuem prej terrinave të mëdhaja, nuk e njef mizerjen dhe rrezikun ku âsht zhytë; por aj i njef ato kur terrinat e mkatit janë zhdukë dhe kur merr driten e hirit hyjnor; atherë ai shef kjartsisht madhsinë e të kqijave të tija të kalueme. Kushdo që âsht i rrânjosun në mkat i gjan nji qorrit që nuk shef asnjisend, nji të dekunit që nuk ndien asgjâ; për ma tepër, ai knaqet në kto mkate të cillat bahen për té shokë të kandshëm, natë e ditë. Luteni, bàjini presion sa të doni, vèjani para syve deformitetin e vesit, afrójani sa të doni nji pishtar para syve që të shohin, tërhjèkeni kyt të dekun sa të doni për me e njallë; gjithshka ka me kenë e kotë n'kjoft se Zoti nuk ka me ndërhye me gjithëpushtetshmëninë e Tij për me ia paraqitë driten e Vet ktij të verbuemit, për me ia kthye jeten ktij të dekunit. E menjiherë sapo të zgjohet e ndriçohet, atherë, s'fundmit, ai ka me e kuptue shëmtinën e mkatit, mjerimin e gjendjes së tij të mâparshme dhe tmerrin e terrinave ku ai ishte kenë i zhytun; atherë, tuej vlersue madhsinë e bamirsisë që i detyrohet mirsisë hyjnore ai gzohet dhe dridhet njikohsisht për arsye të shelbimit që ka gjetë dhe rrezikut që i ka pshtue.

I prekun thellë prej të tilla ndjenjash, i thirrun prej dekës në jetë, nëpërmjet ndihmes së Zotit, sh'Agustini buçiste i entuziazmuem : « Ju kam njoftë vonë, o Dritë e vërtetë, Ju kam njoftë shumë vonë. Para syve t'mij ishte shtri nji rê e trashë që më pengonte me pâ driten e të vërtetës. Ju kam njoftë shumë vonë, o e Vërtetë e vjetër, sepse isha i verbët, sepse e doja verbimin dhe ecsha prej errsinave në errsina. Por Ju, o Udhërrfyes hyjnor, me keni kërkue kur un nuk Ju kërkojsha; më keni thirrë kur un nuk Ju thirrsha; Ju keni thirrë mbi mue : U baftë drita në fundin e zemrës tande. E drita u krijue; E rêja e errët që me mbulonte sytë u shpërnda. Pashë kjartsinë Tuej dhe njofta terrinat që më kishin mbështjellë. U dridha dhe thashë : Mallkue, mallkue kjoshin terrinat ku isha i zhytun; mallkue kjoftë verbimi që më mshehte driten e Qiellit; mallkue kjoftë injoranca e kalueme që me pengonte me Ju njoftë, o Zot, Pishtari jem hynor. » (Medit.)

Deri ktû, vllâznit e mij, kena ekspozue Unjillin e ditës [së lavdishme të Pashkës]. Para se me përfundue, të kthehena edhe nji herë tek ajo që thamë në fillim të ktij shkrimi. N'kjoft se ju kujtohet, në parathanje kena thanë se shpresa jonë, shelbimi jonë dhe lumnia jonë rinjallen me JEZU-KRISHTIN. Sepse « Zoti na ka dhanë jetën tuej ia dhanë JEZU-KRISHTIT; jo vetëm që na ka njallë me JEZU-KRISHTIN, por Hyji na ka ulë bashkë me Té në Qiell. » (Ephes. 2:5-6) Në fakt, « aty ku âsht trupi, atje kanë me u mbledhë edhe krahët » (sh'Luka 17:37); atje ku âsht kryet, atje kanë me u vendosë edhe pjesët e trupit.

Nuk ka shkrim që mundet me shprehë se sa inkurajon shpresa e madhe e rinjalljes së bekueme të drejtët në të tana veprat e virtyteve dhe se sa i nep ajo ngushllim e durim në vështirsi. Mundem me citue shumë shembuj por po flas vetëm për shembullin e Jobit. Çka e ngushlloi në mes të dhimbave mâ të tmerrshme trupore njirin shejt të ulun mbi pleh veçse po kjo shpresë e po ky besim ? Në fakt, Jobi përshkruen dhe celebron misterin e rinjalljes me disa terma të mrekullueshme e të pakrahasueshme. Ai thotë : « Kush ka me bâ të mujtun që fjalët e mija të shkruhen ? E kush ka me mujtë me i ruejtë në nji libër ? E me i gdhendë përjetsisht mbi gur me nji daltë çelikut e me plumb ? » Quis mihi tribuat, ut scribantur sermones mei ? Quis mihi det, ut exarentur in libro stylo ferreo, aut plumbi lamina, vel certe sculpantur in silice ? (Job 19:23 et seq.)

Çfarë hymjet madhështore ! Kush ka konceptue ndonjiherë në shpirtin e tij nji mendim që dishiron me kaq zell me ia transmetue brezave të ardhshëm ne shkronja të pashlyeshme ? I paknaqun së shprehunit dishiren e tij me kyt përsëritje energjike «  Kush ka me bâ të mujtun ? Kush ka me mujtë me i ruejtë ? » Jobi kërkon nji daltë çeliku, nji dërrasë plumbit ose memerit në mnyrë që mendimi i tij të rrijnë i gdhendun përjetsisht në memorjen e njerzve. Cili âsht pra, i njiri shejt, misteri që ju doni me ia besue kshtû brezave të ardhshëm ? Mos âsht gjetja e nji thesari të groposun në nji vend të mshehun të tokës ? Apo mos âsht nji prej atyne sendeve që e kanë ndryshue aq shumë shpirtin njerzor ? Sigurisht që bahet fjalë për nji thesar të pakrahasueshëm. Çka âsht pra ? Nji gjâ për të cilen nuk të shkon mendja kollaj por që âsht shumë bamirse dhe shelbuese për të tanë njerzit : « E di, thotë Jobi, se Shelbuesi jem jeton dhe se në fundin e botës ka me më rinjallë prej pluhunit. E kur kto gjymtyrë kanë me u veshë me lëkuren teme, atherë në vetë trupin tem do të shof Zotin tem. Kam me E pa vetë me sytë e mi dhe nuk ka me kenë nji tjetër që ka me E pa në vendin tem. Kjo shpresë pushon në zemren teme. » (Job. 19:25 et seq.)

O fjalë mâ të âmbla se mjalta ! O besim i paimagjinueshëm qysh para shpalljes së ligjit dhe të Unjillit ! O mister i ri që deri atherë nuk i ishte zbulue kshtu botës ! E prej frigës se ndoshta dikush, i habitun prej ksaj të reje, nuk do të kuptonte, shifni në kalimin e maparshëm se sa herë e përsëritë të njejtin mendim me fjalë të tjera. A mund te thohej në nji mnyrë mâ të kjartë dhe ma kuptimplote ?

Kush ju ka msue, o njiri i shejtë, para ligjit, kyt dogmë që Saduçenët [sekt çifut që mohonte rinjalljen e të dekunve] nuk njoftën as nën ligj ? Më thuej, në cillen Athinë, në cillen akademi keni shkue me e msue kyt doktrinë, e cilla u përbuz dhe u tall në Athinë ku sh'Pali e msoi publikisht ? Kjo doktrinë mohohet prej tanë filozofisë që pretendon se shka ka mbarue nuk mundet me rigjetë jetë. - Nuk janë, do të përgjigjet ai, as akademitë, as shqisat, as arsyeja, asnji msim njerzuer që m'kanë dhanë kyt shkencë por vetë feja që Hyji ka ngulë në shpirtin tem.

Kjo fé e kjo shpresë ngushllojshin aq shumë njirin e shejtë në mesin e tana të kqijave saqë, i shtypun prej peshës së shumë gjâmave, ai nuk foli asnji fjalë fyese kundër Providencës hyjnore. Ky njiri, mâ i pasuni dhe mâ i fuqishmi i Lindjes, pau vetë shkatrrimin e thesareve dhe kopeve të tija dhe, çka âsht mâ e dhimbshme, vdekjen e tanë fmijve të tij; s'fundmi, i mbuluem me plagë dhe i grryem prej krymbave, ishte ulë mbi nji grumbull plehut dhe, me nji copë xhamit, hiqte qelbin që rrjedhte prej plagve të tija. Due me ju pvet,o njiri i shejtë, çfarë ngushllimit ju ka mbetë në mesin e tana ktyne mjerimeve që ju kanë sulmue, në mesin e krymbave që po ju brejnë, në mesin e mendimeve që po ju shkyjnë zemren e po ju vrasin gjumin ? Po, po ju pves, si jeni tuej e ngushllue vedin ? Si vazhdoni me e ruejtë prapë fenë tuej të vjetër dhe dashtninë tuej për Zotin, mbas ksaj prove të randë që po hjek pafajsia juej ?

Ai ka me m'u përgjigjë, vllâznit e mij, ashtu si e ndigjuet mâ parë : « Besoj se Shelbuesi jem jeton; në fundin e kohnave, Ai ka me më rinjallë... » Qé shpresa që mban shpirtin tem t'këputun, shpresa që zbutë ashpërsinë e dhimbave të mija. Tuej pritë të mirat e ardhshme, duroj me lehtsi peshen e të kqijave prezente. Po, kjo shpresë me ngushllon në mesin e tanave të kqijave të mija; e ruaj até jo në arshivat e mija apo në ndonji kasafortë por në zemren teme, në mnyrë që të gjallnojë dhe të nxejë shpiritin tem. Po, kjo shpresë e ka fronin në gjinin tem sepse aty ku âsht plaga aty vej edhe ilaçin.

Ju e shifni pra, vllâznit e mij, vetëm me anen e nji shembulli, se sa besimi në rinjallje âsht nji lehtsues i fuqishëm në të kqijat tona. Kshtu Plutarku dënon me të drejtë Epikurin, i cilli tuej vue të miren supreme në knaqsitë e shqisave, ia hjekte njirit shpresen e pavdekshmënisë, që âsht në kyt jetë ngushllimi suprem i të drejtit dhe streha mâ e sigurtë në të tana vuejtjet. Tuej zhdukë kyt shpresë, në nji mnyrë të çmendun, ai zhdukte prej jetës burimin e knaqsisë së vërtetë dhe të qëndrueshme.

Ky besim na nxit me fitue virtytet dhe me ngushllue vuejtjet. Kshtu edhe Apostulli, mbasi vërteton misterin e Rinjalljes me anen e shumë argumenteve të fuqishme i nxit me kto fjalë besimtarët në tana veprat e devoçmënisë dhe drejtsisë : « Kshtu pra, vllâznit e mij, qindroni të fortë e të patundun, tuej punue gjithmonë e mâ shumë në vepren e Hyjit, tuej ditë se puna juej nuk ka me ndejë pa u shpërblye në Zotin. » (I Cor. 15:58). Përkundrazi, n'kjoft se kjo shpresë do t'u hiqej njerzve, atherë do të rezultonte ajo për të cillen flet Apostulli në të njejten letër : « N'kjoft se në Efezë kam luftue, aq sa âsht e mujtun pë njirin, kundër bishave të egra, çfarë të miret do të nxjerrsha n'kjoft se të dekunit nuk njallen ? Të hajmë e të pijmë se nesër kena me dekë. » (Ibid. 32). Ai thotë prapë : « Po të kishim shpresë në JEZU-KRISHTIN vetëm për kyt jetë, na do të ishim mâ të mjerët e tanë njerzve. » (Ibid. 19). Mbi kté, sh'Krizostomi shkruen : « Në çdo punë e vepër, âsht shpresa e të ardhmes që nep forcen e veprimit. Në fakt, kushdo që mbjedh, mbjedh për me korrë [mos me u hjedhë fara nën dhé, nuk del filizi i ri]; kush lufton, lufton për me fitue. » (Super Matth. 21). E n'nji vend tjetër : « Hiqni shpresen e rinjalljes dhe ju hiqni çdo ndenjë besimit. »

T'shtyem prej nji shprese kaq të madhe, t'ngasim pra me gazmend, vllâznit e mij, drejt qellimit që i kena vue vedit : lumnisë së përjetshme. Mos të hupim rastin e tashëm që nuk ka me na ardhë kurrë mâ mbas ksaj jetet, e mos të frigohena prej ndonji pune që ka me u pague me nji shprëblim të përjetshëm, sepse « vuejtjet e jetës së tashme nuk munden me u krahasue me lavdinë që ka me shkëlqye nji ditë në né. » (Rom. 8:18). KRISHTI JEZUS na e dhaftë kyt lavdi, Ai që me ATIN dhe SHPIRTIN-SHEJT mbretnon në shekuj të shekujve. Amen.