domenica, febbraio 26, 2012

Krèzhma Shêjte
 
Përgaditun prej Illyricum Sacrum
http://nenaekeshillittemire.blogspot.com/
 
 
Konvertónju prâ e bâni pendesë n'mnyrë që mkatet tueja t'shíhen.
(Aktet e Apostujve, 3:19)


     Koha shumë shêjte e Krèzhmes apo katërdhetdítshja shêjte, n'imitim t'Krezhmes shêjte e perfekte 40 ditore të Zotit tonë JEZU-KRISHTIT, me anen e njinesës dhe veprave të tjera të pendêsës, na afron mâ shumë me vepren shëlbuese të Mesísë. Gjatë ksaj kohe t'bekueme, Kisha Katolike na paraqet JEZUSIN në shkretínë (Diela e parë e Krezhmës) dhe në jetën e Tij publike tuej luftue për me na çlirue prej 3 zinxhirve kryesore t'skvllavnisë s'mkatit : mêndjemadhsisë, imoralitetit dhe koprracisë që na lidhin me krijesat dhe na pengojnë me u bashkue me Zotin.

Liturgjia e Krezhmës ndjek JEZUSIN hap mbas hapi n'apostullatin e Tij hyjnor :

Viti i parë i jetës publike : Biri i Zotit kalon 40 ditë në shkretinë mbi Malin e Katërdhètshes, në veri-lindje të Betanísë (Diela e parë e Krezhmes). Mandej, Shëlbuesi filloi me afrue dishepujt e parë dhe shkoi në Galilé. Erdhi prapë në Jeruzalem për me festue Festen e Pashkve hebreje dhe largoi shitësat prej Tempullit (Hânja e Javës 4 të Krezhmes). Mbas evangjelizimit të Judesë gjatë disa muejve, JEZUSI shkoi në Sikem ku konvertoi Samaritanen (Premtja e Javës 3 të Krezhmes) e mandej në Nazaret ku predikoi në Sinagogë (Hânja e Javës 3 të Krezhmes). Mandej, Ai shkoi në Kafarnaúm dhe në tânë Galilènë (Enjtja e Javës 3 të Krezhmes).

Viti i dytë : JEZUSI u kthye në Jeruzalem për Pashken e dytë të çfutve dhe sheroi t'paralizuemin në Pishinen e Betsaídës (Premtja e Javës 1 të Krezhmes). Mbasi u kthye në Galilé, Ai predikoi Pretkun mbi Malin Kurún-Hatín (Merkurja e Përhime dhe e Premtja e parë e Krezhmes). Në Kafarnaúm, KRISHTI shëroi shërbtorin e Centurjónit (E Enjtja mbas Mërkures Përhime) dhe rinjâlli djalin e vetëm t'nji nâne t'vé (Enjtja në javen e 4 të Krezhmes). Prapë, Shëlbuesi evangjelizoi Galilenë dhe shkoi mandej  në Betsaida-Julias, në tokat e Filipit. Në rrethinat e ktij qyteti, JEZUSI shumoi bukët (Diela e 4 e Krezhmes) dhe eci mbi ujë kah po kthehej prej Kafarnaúmit (Shtûndja mbas Mërkures Përhime).

Viti i tretë : KRISHTI përshkoi krahinat e Tírit dhe Sidónit ku u ndoq prej anmiqve të Tij (Mërkurja e Javës 3 të Krezhmes), iu përgjigj lutjes' grues kananíte kur po kalote afër Sarèpta-s (Enjtja e parë e Krezhmes) dhe u kthye prej Çezaresë së Filipit në Galilé ku ndodhi Transfigurimi i Tij mbi malin Tabor (Shtûndja parë dhe e Diela e dytë e Krezhmes). Në Kafarnaúm, JEZUSI i predikoi dishipujve mbi mshiren (Martja e 3 e Krezhmes) mandej u nis për Jeruzalem për Festen e Tabernakve. Atje demaskoi çfutnit që E akuzojshin për thyemje të Shabàtit (Martja e javes 4 të Krezhmes), fali gruen adultere (Shtundja e javes 3 të Krezhmes), msoi në Tempull (Shtundja e katërt dhe Hanja e dytë e Krezhmes) dhe shndoshi t'lindunin qorr (Mërkurja e javes' katërt të Krezhmes). Mbas kthimit edhe njiherë në Galilé, JEZUSI shkoi në Peré ku shndoshi nji memec (Diela e 3 e Krezhmes) dhe po atje shpjegoi nji imazh të ringjalljes në personazhin e Jónas (Mërkurja e javes' parë të Krezhmes). Prej aty, KRISHTI shkoi në Jeruzalem për Festen e t'Kushtuemit për me u rikthye në Peré ku predikoi parabolen e Birit dorëlshuem (Shtundja e javes dyte të Krezhmes) dhe t'pasunit t'keq (Enjtja e javes dytë te Krezhmes). Prej aty u thirrë në Betaní ku rinjalli Lazrin (Premtja e javes katert të Krezhmes). Mbas mbrritjes në Efrem, JEZUSI u drejtue drejt Jeruzalemit ku shpalli lajmin e deks' Tij (Merkurja e javes dytë të Krezhmes). Në Tempull, KRISHTI edhe njiherë xorri jashtë shitësit (Martja e javes parë të Krezhmes), përmendi parabolen e vreshtàrve rebelë (Premtja e javes dytë të Krezhmes) dhe denoncoi hipokrizinë e Farizejve (Martja e javes dytë të Krezhmes). Mandej Shelbuesi hypi në Kodren e Ullijve e tuej pâ Jeruzalemin, ku do të denohej mbas 3 ditësh, foli mbi Gjygjin që ka me dâ përgjithmonë t'mirët prej t'kqive (Hanja e javes parë të Krezhmes).

E Merkurrja e Përhime hap zyrtarisht kohen shêjte të Krezhmes, e cilla âsht si nji lloj tërhekje e zgjatun shpirtnore prej botës për me bâ pendesë për mkatet e bâme dhe për me u përgaditë me marrë pjesë në frytet e Shëlbimit që KRISHTI Zot na i ka fitue me Pasionin dhe Vdekjen e Tij në Kryq. Pa pendesë nuk ka falje mkatesh.

Prandej âsht shumë e rândsishme, s'pakut któ 40 ditë, me u dâ sa mâ shumë që të jetë e mujtun prej punve t'botës, për me ndjekë KRISHTIN Zot, me meditime, lutje, njinesë e pendesë, n'misionin shëlbues t'jetës' Tij publike. N'kjoftë se dona me u rinjâllë me KRISHTIN duhet patjetër me vuejtë e me dekë me KRISHTIN, sejcilli tuej bajtë kryqin e vet mbas Shëlbuesit. Rrugë tjetër për Parriz nuk kà.

Simbas ligjeve të Kishës, gjatë Krezhmes, besimtarët katolikë duhen me praktikue njinesën dhe abstinencen.

Në kohen e Krezhmes tâna ditët, përjashtue të Dielat, janë ditë njineset, kurse e Mërkurja e Përhime, të Premtet dhe të Shtundet e Krezhmes janë ditë abstinencet.


Njinesa âsht hàngja e nji vakti kryesor t'vetëm n'ditë por Kisha Katolike tash lejon me marr pak ushqim n'mjes e n'darkë. Gjithashtu mes ktyne 3 vakteve lejohet me pi uj, lângje jo ushqyese si kafe, vênë, por ju tamël (qumësht), çokollatë apo langje të tjera ushqyese. Sidokjoftë, konsumimi i langjeve midis vakteve zvoglon ose hjekë krejt meriten e njinesës. Simbas rregullave të Ligjit Kanonik të 1917, tashti nuk ka nji orar të caktuem me marrë vaktin kryesor. Gjithashtu lejohet me u bâ ndrrimi i vakteve : për shembull, me marrë mjesin n'darkë dhe anasjelltas.

Pra me mbajtë njinesen duhet me hangër vetëm 1 vakt kryesor n'ditë. Nuk ka limit n'sasínë apo llojet e ushqimeve që merren n'kyt vakt por ai nuk duhet me u zgjàtë mâ shumë se 2 orë dhe nuk duhet me u ndërpré për mâ shumë se 30 minuta. N'kjóftë se vakti ndërprehet për nji kohë mâ t'gjatë se 30 minuta, bâhet mkat veniel (i lehtë); n'kjóftë se ndërpritet mâ shumë se 1 orë, pa arsye shumë serioze (p.sh me ndêjë te kryet e atij që âsht tuej dekë), bâhet mkat mortar (i rândë). Ata që parashikojnë se nuk kanë me mujtë me mbajtë Krezhmen, për arsye shndetit, pune t'rândë, etj., duhen me u kshillue me Rrfysin e tyne apo nji meshtar t'aprovuem.

N'mjes, sasia e lejueme e ushqimit shkon deri në 60 gram, kurse n'darkë, rreth 250 gram.

Abstinenca âsht mos-konsumimi i mishit apo i langjeve të mishit.

Kanonet 1250-1254 urdhnojnë njinesen për çdo t'krishtênë prej moshes 21 vjeç deri në moshen 61 vjeç (Kanoni 1254 § 2) dhe abstinencen për shdo besimtar që ka mbushë 7 vjeç (kanoni 1254 § 1).

Zoti i fâl mkatet njerzve për shkak t'pendesës' tyne (Libri i Dijes 11:24-27).

Zoti âsht i pasun n'mirsí për ata që konvertohen me gjithë zemër, me njinesë, lotë e vajtime. Nuk duhet me shkye teshat, si farizejt, por, zemrat tona me nji pendesë t'sinqertë (Profeti Joël 2:12-19).

Nuk do t'i napim llogari njerzve për njinesen tonë, por Atit tonë që shef në sekretin e zemrave dhe që ka me na e shpërblye (Sh'Mateu 6:16-21)

Të Merkuren e Përhime, për me përvujtnue krenarinë tonë, Kisha Katolike na kujton dënimin me vdekje që tânë njerzimi duhet me shlye për arsye t'mkatit t'rrjedhshëm :

"Kujtóju ô njíri se hí jé e n'hí ke me u kthye."

Híni âsht simbol i pendesës dhe, prej bekimit' Kishes ai bâhet sakramentàl, që rrit shpirtin tonë drejt përvujtnís dhe sakrificës. Simbas Pontfikalit Romak, nji prej 7 librave shêjte të Liturgjisë katolike, ceremonija e vuemjes t'hinit mb krènat e besimtarve na kujton nji tjetër ceremoni t'lashtë që praktikohej n'Kishen Katolike. Dikur mkatnorët që kishin bâ mkate të rânda duheshin me bâ pendesë publike. Papa bekote cilícet, nji lloj kmishet e ashpër prej qimesh bagtish, kryesisht qime cjapit, që u veshte prej pendestàrve direkt për mish. Mbas hedhjes' hinit dhe veshjes' ciliceve besimtarët kndóshin 7 Psalmet e Pendesës, kurse pendestàrët xirreshin jashtë Kishet për me bâ pendesë për krimet e tyne t'rânda, si Adami që u xorr jashtë prej Parrizit toksor për mosbindjen e tij. Pendestàrët lêheshin jashtë Kishet gjatë tânë kohës' Krezhmes dhe pranoheshin vetëm të Enjten e Madhe kur ata hijshin mbrêndë dhe rrfèheshin.



Cilici i Mbretit sh'Luigjit IX (1214-1270) i ruejtun në Kishen Saint-Aspais të Melunit në Francë



Ceremonija e bekimit dhe e vuemjes s'hinit nuk ka origjinë romake. Mendohet se ajo vjen prej Anglisë. Në Konçilin e Beneventos (1091), Papa Urbani VI urdhnoi që hini t'u vêhej besimtarve n'shêj pendeset.

Asht mâ mirë për jue, thotë sh'Jeronimi, që stomaku t'vuejnë e jo shpirti. Ashpërsia e njinesës dhe e pagjumsisë zbraps sulmet diabolike. Aj që jeton n'mes t'qèjfeve âsht i dekun (Epist.).

N'Unjillin shêjt lexojmë se apostujt n'nji rast nuk mujten me largue (egzorçizue) nji djall dhe mbasi pveten JEZUSIN ata kuptuen se disa lloj djajsh nuk munden me u largue veçse prej lutjes dhe njinesës. (Sh'Marku 9:27-28)

Njinesa âsht praktikue dhe vlersue shumë edhe n'kohen e Beslidhjes s'Vjetër.

Moísi, që përfaqson ligjin dhe Elia, që përfaqson profetët,  njinuen sejcilli 40 ditë përpara se me iu afrue Zotit në Malin e Sinait dhe në até të Horebit. (Exodi 24:18; III Mbretve 19:8).
 
Katolikët e parë njinoshin përditë tuej hangër vetëm nji vakt në t'êrrun. Sh'Gjon Kryeprèmi njinoi e bâni pendesë gjatë 30 vjetve n'shkretinë tuej hanger vetëm mjaltë t'egër e karkalèca. Mbasi Jonas i kërcenoi prej Zotit me shfarosje për arsye t'mkateve t'yne t'rânda, popullsia e Ninitve bâni pendesë, prej mâ t'madhit te mâ i vogli, prej mâ t'riut te mâ i vjetri, prej mâ t'vorfnit te vetë mbreti. Edhe bagtitë i detyrúne me njinue. Tuej pâ pêndesen e tyne, Zoti nuk i shfarosi Ninitët.

Njinesa, thote sh'Leoni, prodhon mendimet e dlira, vullnesat e arsyeshme dhe të drejta e kshillat mâ të dobishme. Me anen e ksaj vuejtje t'vullnetshme, pasionet e mishit desin dhe shpirti rinovohet n'virtyte (Serm. II de Jejunio decim. mensis)

Ndigjoni si flet sh'Ambrozi i Milanit : Shka âsht njinesa veçse imazhi i Parrizit dhe çmimi që duhet pague për me e fitue ? Njinesa âsht ushqimi i shpirtit, jeta e êngjujve, deka e mkatit, shkatrrimi i krimeve, ilaçi i shnedit, burimi i hirit shêjtnues e baza e pastërtisë shpirtnore. Me anen e njinesës shkojmë menjiherë te Zoti (De Elia et jejun., c. III)

Njinesa, thotë shêjti Efrem, âsht karroca që na çon n'Qiell. Njinesa lind profetët dhe i mson dijen ligjvênsve. Njinesa âsht nji roje perfekte e shpirtit dhe bashkjeton me trupin pa e dâmtue. Njinesa âsht nji armë universale për ushtarët guximtarë dhe atletët e patrembun. [Thuhet se para luftnave, ushtritë pagane greke e romake t'antikitetit hashin pak ose aspak për me kênë sâ mâ t'fuqishëm n'fushen e betejës]. Njinesa i reziston tundimit dhe nep dishiren e devocjonit. Njinesa fikë furinë e zjermit, i mbyll fytin luajve dhe drejton lutjet kah Qiella. Abstinènca âsht nâna e shêjtnisë, disiplina e rinisë dhe zbukurimi i pleqnisë (De Jejun., C. IX)

Njinesa, thotë sh'Jeronimi jo vetëm që âsht nji virtyt perfekt por âsht edhe temeli i virtyteve tjera; njinesa âsht shêjtnija, pastërtia shpirtnore, matunia, virtyte pa t'cillat kërkush nuk ka me pâ Zotin (Lib. II ad Demetriad.)

Ashtû si ushtari nuk âsht asisend pa armen, thotë sh'Krizostomi, e arma nuk âsht asisend pa ushtarin, ashtû edhe urata nuk âsht asisend pa njinesen, e njinesa pa uraten nuk vlen kurrgjâ (In Matth., C. VI)

Njinesa, thotë sh'Gjon Krizostomi, pastron shpirtin, lehtson shqisat, nënshtron trupin shpirtit, bân zemren e përvuejtun dhe t'pendueme, shpërndân rêtë e pasioneve, fikë zjerimin e epsheve t'ndezuna dhe ndez pishtarin e dlirtsísë (In cap. VI Matth.)

Sh'Athanasi thote se njinesa shndôsh smundjet, qetson vrullin e gjakut, largon djajtë dhe mendimet e kqija, e bân shprtin mâ t'bardhë e mâ t'bukur, zemren, mâ t'pastër e trupin, mâ t'shndetshëm e mâ t'fortë (Lib. I de Virgin.)

Prej njineset Profeti Elia hypi n'Qiell n'nji karroce triumfit, thotë sh'Ambrozi (De Elia et jejun.)

Na e dimë, shprehet sh'Pjetri i Ravenës, se njinesa âsht kalaja e Zotit, kampi i JEZU-KRISHTIT, parzmorja e pathyeshme e SHPIRTIT-SHEJT, flamuri i Fesë, shêja e dlirtsisë dhe triumfi i shêjtnisë (Serm. de Jejun.)

Mekênse gryksia na i hupi gzimet e Parrizit [me mkatin e Adamit e Evës] t'përpiqena me i rifitue kto gzime me anen e njinesës dhe t'abstinèncës, thotë sh'Gregori (Homil. de Jejun.)

Njinesa, thotë doktori i madh sh'Bazili, prodhon profetët dhe shton forcë mbi forcen e t'fortve. Asht njinesa ajo që bâni forcen e Samsonit për sa kohë që aj kjé besnik me e praktikue. N'beteja aj rrëzote me mija ushtarë, zhgulte dyert e mëdhaja t'qytetit dhe as luàjt nuk mujshin me i rezistue fuqisë t'krahut t'ij. Por kur dehja e vênës dhe e imoralitetit ia lidhen duert, Samsoni u xue prej anmiqve t'ij t'cillët ia xórren sytë dhe e bâne sa edhe fmijët me luejtë me té (Homil. de Jejun.)

Samueli, thotë sh'Jeronimi, mblodhi popullin në Masfat dhe e forcoi me anën e nji njinese që urdhnoi dhe kshtû ata dolen fitimtarë n'betejë. (Libri i Mbretve)

Juditi me armen e njinesës' aj t'përditshme mujti Holoférnin dhe ushtarët e tij të dehun  e kshtû pshtoi popullin e saj (Libri i Juditit 8:6)

Mbretnesha Ester bashkë me bijat e saja njinuen pa hangër e pa pi për 3 ditë e 3 netë dhe n'sajë t'ksaj sakrificë shêjte Mbreti Aserius nuk egzekutoi çfutnit (Libri Esterit 4:16)

Juda Makabéu me ushtarët e tij, n'sajë t'njnesës që praktikuen, moren ndihmë prej Qiellit dhe fituen shumë beteja kundër armiqve të tyne të shumtë.

Sh'Ambrozi ia atribon tâna mrekullitë e Elisë njinesave t'shumta t'ktij profeti shêjt. Nëpermjet njinesës Elia mbylli Qiellin mos me râ shi, njâlli djalin e nânës t'vé, ndali përmbytjet, zdrypi zjermin prej Qiellit, frenoi ujin e Jordanit dhe hypi n'Qiell mbi nji karrocë t'zjarrtë. (De Elia et jejun.)

Por njinesa që Zoti kërkon prej nesh nuk âsht vetëm moshàngja e mospímja.

Disa thonë se kanë njinue por Zoti nuk e ka pâ njinesën e tyne. Kjo ka  ndodhë, thotë profeti Izaia, sepse n'ditët e njinesës, ata kanë ndjekë kapriçiot dhe vullnesen e tyne (LVIII: 3). Thyeni zinxhirët e imoralitetit, flet Zoti nëpermjet gojës' profetit Elia, mbâni barren bashkë me ata që janë t'krrúsun, ngushlloni t'pikëlluemt, kputni litarët e t'burgosunve (LVIII: 6). Dàjeni kashàten me até që ku ûj, merrni nën çatinë tuej t'pastrehët. Kur t'shifni nji njiri lakuriq, mbulojeni e mos e përbuzni mishin me t'cillin edhe ju jeni veshë (LVIII: 7) Atherë drita juej ka me ndriçue si mjesi, do t'ju kthej shndetin, drejtsia juej ka me ecë para jush dhe keni me u rrethue prej lavdisë t'Zotit (LVIII : 8) E kur t'thirrni Hyjin, Ai ka me ju plotsue lutjen, dhe n'thirrjen tuej t'parë Ai ka me ju përgjigjë : Qé ku jam (LVIII: 9)

Merita e njinesës, thotë sh'Leoni, nuk âsht vetëm në shmangjen e ushqimit. Nuk vlen asisend me ia hjekë trupit ushqimin ne kjoftë se shpirti nuk largohet prej mkatit (Serm. IV Quadrag.)

N'kjoftëse goja ka mkatnue, thotë sh'Bernardi, atherë mjafton që vetëm goja t'bâjnë pendesë. N'kjoftë se syni ka mkatnue me shikime mkatnore atherë syni duhet me njinue tuej mos pâ gjâna të panevojshme e kurioze; n'kjoftë se veshi ka mkatnue tuej ndigjue me ândje fjalë mkatnore, atherë veshi duhet me njinue tuej mos ndigjue fjalë t'kqija, shpifje, etj.; Në t'njâjten mnyrë, gjuha duhet me njinue për mkatet që ka folë; duert duhen me njinue tuej iu largue demelízmit; por mbi gjithshka, shpirti duhet me njinue tuej iu largue mkatit, e kjo me vullnesë t'lirë përndryshej Zoti nuk ka me e pranue njinesën. (Serm. III de Jejun. Quadrag).

Pra âsht e rândsishme me e bâ t'meritueshme e t'pranueshme njinesën e trupit me anen e njinesës së shpirtit e të zemrës. Kjo ishte edhe njinesa që profeti Joël i urdhnote hebrejve me bâ :

"Shêjtnoni njinesen tuej" (I. 25)

Me shêjtnue njinesen, thotë sh'Gregori, don me thânë me i ofrue Zotit abstinecën prej mishit s'bashkut me veprat e mira. Grindjet t'pushojnë, ngatrresat t'qetsohen, sepse âsht e kotë me mundue trupin n'kjoftë se nuk i vêmë frê pasioneve t'kqija.

Dàni buken tuej me até që ka ûj (Isaia. LVIII. 7). Kjo âsht edhe kondita e dytë që Zoti kërkon prej nesh për me pranue njinesën tonë. Njinesa, thotë sh'Gregori, duhet shoqnue prej uratës dhe lëmoshës, duhet me i dhanë bukë t'vorfnit, mikpritje t'huejit dhe veshje t'zhdeshunit (Homil. XVI in Evang.)

Shêjtnoni njinesën tuej, thotë sh'Bernardi. Bâni njinesën me krahë për me hypë deri n'Qiell : me krahun e lutjes dhe krahun e drejtsisë. Ajo që shêjtnon njinesën âsht qëllimi i drejtë dhe lutja e flakët (Serm. IV de Jejun. Quadrag.).

KRISHTI ZOT me ndërmjetsí të Nânës' Kshillit t'mirë na ndihmoftë me bâ nji krezhëm shêjte për lavdinë e Hyjit dhe shelbimin e shpirtnave.


Bibliografia :

* Dom Gaspar Lefebvre, Missel quotidien et vesperal, 1937, Bruges, Belgique.
* Héribert Jone O.M. Cap., Précis de théologie morale catholique, 1958, Tournai, Belgique.
* Abbé Barbier, Les trésors de Cornélius a Lapide, vol. II, faqet 623-632, 1876, Paris.

martedì, febbraio 21, 2012

KOHA E SEPTUAGJEZIMES




     Me kohen e Septuagjèzimës, që âsht pjesa e dytë e vjètit ekleziastik, fillon Cikli i shêjtë i Pâshkës. Gjatë pjesës' parë të vjetit ekleziastik apo kishtar, Kisha Katolike na manifeston Hyjnínë e JEZU-KRISHTIT me Ciklin e Krishtlindjes, kurse gjatë pjesës'dytë, ajo na paraqet Misterin e Shëlbimit t'njírit tuej na diftue veprat e KRISHTIT që na kanë meritue kyt shëlbim t'mrekullueshëm.

Koha e Septuagjèzimës fillon gjithmonë javen e 9 para Pâshkës dhe numëron 3 të diele rresht që përgadisin besimtarët për me hi n'Kohen shêjte t'Krézhmeve : E Diela e Septuagjèzimës, ajo e Segzagjèzimës dhe ajo Kuinkuagjèzimës. Emni i tyne vjen prej latinishtes " septuagesima" = shtatëdhetshe, "Sexagesima" = gjashtëdhetshe dhe "Quinquagesima" = pêsëdhetshe. Pra prej t'Dieles' Septuagjèzimës na dâjnë 70 ditë prej Pâshkës' KRISHTIT. Kjo kohë shërben si nji periudhë tranzicjonit dhe përgaditore për shpirtnat që duhen me kalue prej gzimeve të Ciklit të Krishtlindjes në pêndesen e Krezhmes Shêjte katërdhêt-ditore. Njiními (argjërimi) nuk ka fillue por ngjyra e ornimeve âsht vishnja, ngjyra e pêndesës.

Kyt vjètë, Koha e Septuagjèzimës ka fillue me t'Dielen e Septuagjèzimës, t'cillen Kisha e ka celebrue me 5 Fruer. Pjesët e Ofícit t'natës gjatë krejt ksaj jave janë xjerrë prej Kapitullit t'Gjenezës dhe na diftojnë krijimin e botës dhe t'njírit; râmjen n'mkat t'Adamit dhe Evës dhe pasojat e tija katastrofike (në të Dielen e Septuagjèzimës me 5 Fruer), historinë e Noesë (në të Dielen e Segzagjèzimës me 12 Fruer), i cilli me familjen e tij prej 7 antarësh kjénë të vetmit që shpëtuen mbas Përmbytjes' Madhe, ndëshkim i drejtë i Zotit për mkatet dhe djallzinë e njerzve, si dhe sakrificen e Abrahamit (në të Dielen e Kuinkuagjèzimës me 19 Fruer) dhe até të Melkisedékut që paraprín sakrificën që Zoti kërkoi prej Birit të Tij të vetëm për pshtimin e njerzimit mkatnuer. Koha e Septuagjèzimës mbaron të Mërkuren e Përhíme, ditë që inauguron fillimin e Krezhmës.

Në kohen e Krezhmes tâna ditët, përjashtue të Dielat, janë ditë njineset, kurse e Mërkurja e Përhime, të Premtet dhe të Shtundet e Krezhmes janë ditë abstinencet apo moshângje mishit e làngjeve të mishit.

Njinesa âsht hàngja e nji vakti kryesor t'vetëm n'ditë por Kisha Katolike tash lejon me marr pak ushqim n'mjes e n'darkë. Gjithashtu mes ktyne 3 vakteve lejohet me pi uj, lângje jo ushqyese si kafe, vênë, por ju tamël (qumësht), çokollatë apo langje të tjera ushqyese. Sidokjoftë, konsumimi i langjeve midis vakteve zvoglon ose hjekë krejt meriten e njinesës. Simbas rregullave të Ligjit Kanonik të 1917, tashti nuk ka nji orar të caktuem me marrë vaktin kryesor. Gjithashtu lejohet me u bâ ndrrimi i vakteve : për shembull, me marrë mjesin n'darkë dhe anasjelltas.

Pra me mbajtë njinesen duhet me hangër vetëm 1 vakt kryesor n'ditë. Nuk ka limit n'sasínë apo llojet e ushqimeve që merren n'kyt vakt por ai nuk duhet me u zgjàtë mâ shumë se 2 orë dhe nuk duhet me u ndërpré për mâ shumë se 30 minuta. N'kjóftë se vakti ndërprehet për nji kohë mâ t'gjatë se 30 minuta, bâhet mkat veniel (i lehtë); n'kjóftë se ndërpritet mâ shumë se 1 orë, pa arsye shumë serioze (p.sh me ndêjë te kryet e atij që âsht tuej dekë), bâhet mkat mortar (i rândë). Ata që parashikojnë se nuk kanë me mujtë me mbajtë Krezhmen, për arsye shndetit, pune t'rândë, etj., duhen me u kshillue me Rrfysin e tyne apo nji meshtar t'aprovuem.

N'mjes, sasia e lejueme e ushqimit shkon deri në 60 gram, kurse n'darkë, rreth 250 gram.

Abstinenca âsht mos-konsumimi i mishit apo i langjeve të mishit.

Kanonet 1250-1254 urdhnojnë njinesen për çdo t'krishtênë prej moshet 21 vjeç deri në moshen 61 vjeç (Kanoni 1254 § 2) dhe abstinencen për shdo besimtar që ka mbushë 7 vjeç (kanoni 1254 § 1).
KRISHTI Zot e Nâna e Kshillit të Mirë na bekoshin dhe drejtoshin me hirin shêjtnues me bâ nji Krezhme shêjte dhe me u përgaditë dêjsisht për Festen e Madhe t'Pashkës.

venerdì, febbraio 03, 2012

Meditacjón mbi Festen e Pyrifikacjonit
 (2 Fruer)
 
 
     Festa e Pyrifikímit t'Shêjtnueshmes Virgjinës Marí, e njoftun edhe me emnin Festa e Qirave e celebrueme me 2 Fruer, mbyll ciklin e shêjtë të kohes mbas Epifanís. Kjo âsht nji prej solemnitèteve mâ t'moçme kushtueme Virgjinës Marí, dhe n'Romë kjo festë qysh n'shekullin e VII-të xête vêndin e dytë mbas Festës' Marrjes n'Qiell t'Zojes Bekueme, e festueme me 15 Gusht.

Festa e Pyrifikacjonit apo e Pastrimit celebrohet me 2 Fruer, sepse tuej dashtë me iu nënshtrue Ligjit Mozaik, Zoja e Bekueme duhej me shkue n'Tempullin e Shêjtë t'Jeruzalemit 40 ditë mbas lindjes' KRISHTIT Fmí (25 Dhetuer - 2 Fruer). Simbas Ligjit Mozaik, nânat izraelite që lindshin djalin e parë duheshin me shkue n'Tempull me ia ofrue Zotit, sepse ai i perkíte Hyjit n'nji mnyrë t'veçantë. S'bashku me kyt ofertë, ligji urdhnote që familjet e pasuna t'ofroshin nji qingj, kurse për familjet mâ t'vorfna, 2 pllumba. Shkuemja e Zojes' Bekueme me JEZUSIN Fmí dhe sh'Jozefin n'Jeruzalem, ashtû si e kishte profetizue profeti Malakí (3:1-4), përkujtohet prej proçesjónit me qira t'ndezuna që bâhet para fillimit t'Meshës' ksaj dite.

Dylli i qirit përfaqson Trupin e virgjën të KRISHTIT Fmí, fitíli përfaqson Shpirtin e Tij kurse flaka, Hyjnínë e JEZU-KRISHTIT, thotë sh'Anselmi.

Gjatë ofrimit të "Qingjit t'Beslidhjes" hebreu Simeon, i frymzuem prej SHPIRTIT-SHEJT, proklamoi hyjníne e JEZUSIT, si Zoti "që me driten e Tij ka me ndriçue kombet jo-çifute dhe ka me kênë lavdia e popullit t'Izraelit" (Luka 2:22-32)

Megjithse Zoja e Bekueme nuk ishte e detyrueme me iu nënshtrue ktij ligji mozaik t'pastrimit, për shkak t'virgjinitetit t'saj para, gjatë dhe mbas lindjes' KRISHTIT (sh'Bonaventura), Virgjina e Bekueme, për dashtní për përvujtní dhe ndigjèsë, dèshti me iu nënshtrue ktij ligji si nânat e tjera izraelite. Por Virgjina e Bekueme e ofroi Birin e saj ndryshej prej nânave t'jera. Si e përmênda mâ nalt, mbasi nânat izraelite ofrojshin djelmët e tyne t'parë, ata i mêrrshin ata prapë n'shpi tuej ofrue holokàustin e kîjave (qingja) ose pllumbave n'vênd t'holokàustit t'fmijve t'yne. Por Mbretnesha e Qiellit dhe e Dheut e ofroi Birin e saj realisht "n'duert e deks", me nji dhimbje shpirtnore ekstreme, tuej e ditë se nji ditë kjo Sakrificë Supreme kishte me u konsumue n'Krygj t'Kalvarit. Kshtû, sakrifica që Virgjina Shêjte i bâni jetës' Birit'saj kjé vërtetë sakrifica e jetës' aj, për arsye t'dashtnís t'pafundme që Virgjina kishte për Fminë hyjnor.

Por vuejtja shpirtnore e Zojes Bekueme nuk pushoi n'kyt ditë t'Pastrimit. Ashtû si e profetizoi hebreu Simeon, vuejtjet e Virgjinës Mari nuk pushuen asnjiherë deri n'momentin e Marrjes' aj n'Qiell (15 Gusht). N'çdo moment t'jetës' aj t'bekueme, shêjtja Nâna e tenZot e ka ofrue Birin e saj hyjnor Atit qiellor për shëlbimin e tânë njerzve. Sh'Agustini e quen Zojen e Bekueme "Riparuesja e njerzimit" për shkak t'meritës t'madhe që ajo fitoi tuej ofrue sakrificen e jetës hyjnore t'JEZU-KRISHTIT Atit qiellor. Prandaj sa meritë t'jashtzakonshme ka oferta e Pasionit dhe Plagve shêjte t'KRISHTIT Zot Atit qiellor, me ndërmjetsín e duerve virgjinale t'Nânës tenZot, për konvertimin e mkatnorve, shëlbimin e njerzve dhe çdo nevoje tjetër, lutje që sejcilli mund t'a bâjnë n'çdo moment me efikasitet të madh realizimit.

Shërbtorja e Zotit, Motra Marie-Marthe Chambon, e dekun n'hije shêjtnijet, ofróte kshtû Plaget e KRISHTIT : "JEZUS i ém, falje e mshirë, për hir t'meritave t'Plagve t'Jueja shêjte. At i përjetshëm, po ju ofroj Plagët e Zotit tonë JEZU-KRISHTIT për me sherue plagët e shpirtnave tonë".

Denys le Chartreux konfirmon gjithashtu se Zoja e Bekueme mundet me u thirrë "Shëlbuesja e njerzimit" sepse tuej sakrifikue me vetdije Birin e saj t'vetëm Drejtsís hyjnore, ajo mori pjesë n'Vuejtjet e KRISHTIT n'nji mnyrë aq perfekte sa që me meritue shpërndamjen e meritave t'Shëlbuesit t'njerzimit, KRISHTIT ZOT.

Sh'Bernardi thotë se Zoti ka vue n'duert e bekueme t'Zojes Marí tânë çmimin e shëlbimit tonë, kshtû që hiret, t'cillat janë meritat e JEZU-KRISHTIT, i ndahen njerzve prej duerve shêjte të Nânës tenZot, Virgjinës Marí.

Virgjina Marí, për dashntí për virtytin e ndigjèsës, nuk deshti me i dhanë përgjigje tjetër Arkêjllit Gabriel vetëm até të Shërbtores' Zotit. Sh'Thomas de Villeneuve thotë se kjo Shërbtore e Zotit n'veprat dhe mendimet e saja nuk e ka kundërshtue kurrë Vullnesen hyjnore. Sh'Agustini shkruen se me anen e ndigjèsës, Zoja e Bekueme riparoi mosndigjèsën e Evës. Për mâ tepër, ndigjèsa e Zojes' Bekueme kjé shumë mâ perfekte sesa ajo e tânë shêjtënve të tjerë sepse të tânë njerzit, t'shtyem me bâ keq si pasojë e Mkatit t'rrjedhshëm, e kishin vshtirë me bâ mirë. Por nuk ishte kshtû për Nânen e tenZot, shkruen sh'Bernardini i Sienës, sepse, Virgjina Marí tuej kênë pa mkat origjinal, e për rrjedhojë pa pasojat e ktij mkati t'rrjêdhshëm, nuk pati asnji pengesë me iu bindë Zotit dhe ajo n'çdo moment ka ndjekë me perfekcjon tâna inspiracjonet hynore. Zojes Bekueme mund t'i aplikohen fjalët "Shpirti ém âsht shkí kur ka folë i Dashtuni ém" (Cant. V,6).

Për me iu bindë Vullnesës Hynore, Zoja e Bekueme iu bind Perandorit romak me shkue n'Nazareth, n'kohë dimnit dhe shtatzânë; me ndjekë menjiherë sh'Jozefin n'Egjipt dhe me ofrue Birin e saj shêjt n'Tempullin e Jeruzalemit. Sh'Ildefonsi shkruen se ndigjèsa e Zojes Bekueme ishte aq perfekte saqë n'Kalvar, n'kjoftë se ushtarët romakë nuk do të kishin kryqzue JEZUSIN, Nâna e Zotit do t'kishte kryqzue vetë Birin e saj n'Kryq me bâ Vullnesen e Zotit për shelbimin e njerzve.

Virgjina Marí, n'nji revelacjon, i ka diftue shêjtes Brixhitë se n'sajë t'meritës t'ndigjèsës që ka praktikue, Zoja e Bekueme ka sigurue hirin prej Zotit që të tânë ata që kanë me iu drejtue ksaj Virgjine t'lavdishme, me ndjenja pêndèset, kanë me marrë prej Zotit faljen e mkateve.

O Nâna dhe Mbretnesha jonë, luteni JEZUSIN për né; për meritat e ndigjèsës' juej na xirrni hirin prej Zotit që t'ndjekim gjithmonë Vullnesën hyjnore si dhe kshillat e porositë e étënve tonë shpirtnorë. Amen.

Shêjtja Marí, Nâna tenZot lútuni për né, tash e n'fill deks'onë, ashtu kjoftë.