venerdì, febbraio 03, 2012

Meditacjón mbi Festen e Pyrifikacjonit
 (2 Fruer)
 
 
     Festa e Pyrifikímit t'Shêjtnueshmes Virgjinës Marí, e njoftun edhe me emnin Festa e Qirave e celebrueme me 2 Fruer, mbyll ciklin e shêjtë të kohes mbas Epifanís. Kjo âsht nji prej solemnitèteve mâ t'moçme kushtueme Virgjinës Marí, dhe n'Romë kjo festë qysh n'shekullin e VII-të xête vêndin e dytë mbas Festës' Marrjes n'Qiell t'Zojes Bekueme, e festueme me 15 Gusht.

Festa e Pyrifikacjonit apo e Pastrimit celebrohet me 2 Fruer, sepse tuej dashtë me iu nënshtrue Ligjit Mozaik, Zoja e Bekueme duhej me shkue n'Tempullin e Shêjtë t'Jeruzalemit 40 ditë mbas lindjes' KRISHTIT Fmí (25 Dhetuer - 2 Fruer). Simbas Ligjit Mozaik, nânat izraelite që lindshin djalin e parë duheshin me shkue n'Tempull me ia ofrue Zotit, sepse ai i perkíte Hyjit n'nji mnyrë t'veçantë. S'bashku me kyt ofertë, ligji urdhnote që familjet e pasuna t'ofroshin nji qingj, kurse për familjet mâ t'vorfna, 2 pllumba. Shkuemja e Zojes' Bekueme me JEZUSIN Fmí dhe sh'Jozefin n'Jeruzalem, ashtû si e kishte profetizue profeti Malakí (3:1-4), përkujtohet prej proçesjónit me qira t'ndezuna që bâhet para fillimit t'Meshës' ksaj dite.

Dylli i qirit përfaqson Trupin e virgjën të KRISHTIT Fmí, fitíli përfaqson Shpirtin e Tij kurse flaka, Hyjnínë e JEZU-KRISHTIT, thotë sh'Anselmi.

Gjatë ofrimit të "Qingjit t'Beslidhjes" hebreu Simeon, i frymzuem prej SHPIRTIT-SHEJT, proklamoi hyjníne e JEZUSIT, si Zoti "që me driten e Tij ka me ndriçue kombet jo-çifute dhe ka me kênë lavdia e popullit t'Izraelit" (Luka 2:22-32)

Megjithse Zoja e Bekueme nuk ishte e detyrueme me iu nënshtrue ktij ligji mozaik t'pastrimit, për shkak t'virgjinitetit t'saj para, gjatë dhe mbas lindjes' KRISHTIT (sh'Bonaventura), Virgjina e Bekueme, për dashtní për përvujtní dhe ndigjèsë, dèshti me iu nënshtrue ktij ligji si nânat e tjera izraelite. Por Virgjina e Bekueme e ofroi Birin e saj ndryshej prej nânave t'jera. Si e përmênda mâ nalt, mbasi nânat izraelite ofrojshin djelmët e tyne t'parë, ata i mêrrshin ata prapë n'shpi tuej ofrue holokàustin e kîjave (qingja) ose pllumbave n'vênd t'holokàustit t'fmijve t'yne. Por Mbretnesha e Qiellit dhe e Dheut e ofroi Birin e saj realisht "n'duert e deks", me nji dhimbje shpirtnore ekstreme, tuej e ditë se nji ditë kjo Sakrificë Supreme kishte me u konsumue n'Krygj t'Kalvarit. Kshtû, sakrifica që Virgjina Shêjte i bâni jetës' Birit'saj kjé vërtetë sakrifica e jetës' aj, për arsye t'dashtnís t'pafundme që Virgjina kishte për Fminë hyjnor.

Por vuejtja shpirtnore e Zojes Bekueme nuk pushoi n'kyt ditë t'Pastrimit. Ashtû si e profetizoi hebreu Simeon, vuejtjet e Virgjinës Mari nuk pushuen asnjiherë deri n'momentin e Marrjes' aj n'Qiell (15 Gusht). N'çdo moment t'jetës' aj t'bekueme, shêjtja Nâna e tenZot e ka ofrue Birin e saj hyjnor Atit qiellor për shëlbimin e tânë njerzve. Sh'Agustini e quen Zojen e Bekueme "Riparuesja e njerzimit" për shkak t'meritës t'madhe që ajo fitoi tuej ofrue sakrificen e jetës hyjnore t'JEZU-KRISHTIT Atit qiellor. Prandaj sa meritë t'jashtzakonshme ka oferta e Pasionit dhe Plagve shêjte t'KRISHTIT Zot Atit qiellor, me ndërmjetsín e duerve virgjinale t'Nânës tenZot, për konvertimin e mkatnorve, shëlbimin e njerzve dhe çdo nevoje tjetër, lutje që sejcilli mund t'a bâjnë n'çdo moment me efikasitet të madh realizimit.

Shërbtorja e Zotit, Motra Marie-Marthe Chambon, e dekun n'hije shêjtnijet, ofróte kshtû Plaget e KRISHTIT : "JEZUS i ém, falje e mshirë, për hir t'meritave t'Plagve t'Jueja shêjte. At i përjetshëm, po ju ofroj Plagët e Zotit tonë JEZU-KRISHTIT për me sherue plagët e shpirtnave tonë".

Denys le Chartreux konfirmon gjithashtu se Zoja e Bekueme mundet me u thirrë "Shëlbuesja e njerzimit" sepse tuej sakrifikue me vetdije Birin e saj t'vetëm Drejtsís hyjnore, ajo mori pjesë n'Vuejtjet e KRISHTIT n'nji mnyrë aq perfekte sa që me meritue shpërndamjen e meritave t'Shëlbuesit t'njerzimit, KRISHTIT ZOT.

Sh'Bernardi thotë se Zoti ka vue n'duert e bekueme t'Zojes Marí tânë çmimin e shëlbimit tonë, kshtû që hiret, t'cillat janë meritat e JEZU-KRISHTIT, i ndahen njerzve prej duerve shêjte të Nânës tenZot, Virgjinës Marí.

Virgjina Marí, për dashntí për virtytin e ndigjèsës, nuk deshti me i dhanë përgjigje tjetër Arkêjllit Gabriel vetëm até të Shërbtores' Zotit. Sh'Thomas de Villeneuve thotë se kjo Shërbtore e Zotit n'veprat dhe mendimet e saja nuk e ka kundërshtue kurrë Vullnesen hyjnore. Sh'Agustini shkruen se me anen e ndigjèsës, Zoja e Bekueme riparoi mosndigjèsën e Evës. Për mâ tepër, ndigjèsa e Zojes' Bekueme kjé shumë mâ perfekte sesa ajo e tânë shêjtënve të tjerë sepse të tânë njerzit, t'shtyem me bâ keq si pasojë e Mkatit t'rrjedhshëm, e kishin vshtirë me bâ mirë. Por nuk ishte kshtû për Nânen e tenZot, shkruen sh'Bernardini i Sienës, sepse, Virgjina Marí tuej kênë pa mkat origjinal, e për rrjedhojë pa pasojat e ktij mkati t'rrjêdhshëm, nuk pati asnji pengesë me iu bindë Zotit dhe ajo n'çdo moment ka ndjekë me perfekcjon tâna inspiracjonet hynore. Zojes Bekueme mund t'i aplikohen fjalët "Shpirti ém âsht shkí kur ka folë i Dashtuni ém" (Cant. V,6).

Për me iu bindë Vullnesës Hynore, Zoja e Bekueme iu bind Perandorit romak me shkue n'Nazareth, n'kohë dimnit dhe shtatzânë; me ndjekë menjiherë sh'Jozefin n'Egjipt dhe me ofrue Birin e saj shêjt n'Tempullin e Jeruzalemit. Sh'Ildefonsi shkruen se ndigjèsa e Zojes Bekueme ishte aq perfekte saqë n'Kalvar, n'kjoftë se ushtarët romakë nuk do të kishin kryqzue JEZUSIN, Nâna e Zotit do t'kishte kryqzue vetë Birin e saj n'Kryq me bâ Vullnesen e Zotit për shelbimin e njerzve.

Virgjina Marí, n'nji revelacjon, i ka diftue shêjtes Brixhitë se n'sajë t'meritës t'ndigjèsës që ka praktikue, Zoja e Bekueme ka sigurue hirin prej Zotit që të tânë ata që kanë me iu drejtue ksaj Virgjine t'lavdishme, me ndjenja pêndèset, kanë me marrë prej Zotit faljen e mkateve.

O Nâna dhe Mbretnesha jonë, luteni JEZUSIN për né; për meritat e ndigjèsës' juej na xirrni hirin prej Zotit që t'ndjekim gjithmonë Vullnesën hyjnore si dhe kshillat e porositë e étënve tonë shpirtnorë. Amen.

Shêjtja Marí, Nâna tenZot lútuni për né, tash e n'fill deks'onë, ashtu kjoftë.