lunedì, aprile 02, 2012

KOHA E PASIONIT
DHE VUEJTJET E NÂNES TENZOT

prej Illyricum Sacrum
http://nenaekeshillittemire.blogspot.com/

Krygji i mrekullueshëm në Limpias, Spanjë


"Afër Krygjit t'JEZUSIT qendrojshin Nâna e Tij, motra e Nânës' Tij, Maria e Kleofas dhe Maria Magdalena. Kur JEZUSI pâ Nânen e Tij dhe dishepullin që donte aty afër i tha Nânës t'Vet : Grue, qé biri juej. Mandej, i tha dishepullit : Qé Nâna jote. Dhe prej atij sahatit dishepulli e mori n'shpinë e vet." (Sh'Gjoni 19:25-27)



     Qysh prej t'Dieles s'kalueme, Kisha Katolike ka hî n'Kohen e Pasionit apo t'Mundimeve gjatë s'cilles, liturgjia e krishtênë kontemplón Pasionin shêjt të KRISHTIT ZOT, meritat e pafundmve të t'Cillit kanë hapë Parrizin e mbyllun prej mkateve t'njerzve. Kjo javë, n'kyt kohë shêjte t'Krezhmes, quhet Java e Pasionit e cilla kujton ngjarjet e dhimbshme t'vitit t'fundit të jetës mortale të JEZU-KRISHTIT, kurse java e ardhshme quhet JAVA SHÊJTE e cilla përfundon me Kryqzimin dhe deken e JEZUSIT n'kryq për shlyemjen e mkateve t'njerzimit. N'shêj ziet për mundimet e KRISHTIT, fuguret shêjte mbulohen me nji vel t'êrrët. Tuej zhdeshë elterët dhe tuej pushue kumonët në t'Ejten e Madhe, Premten e Madhe dhe në t'Shtunden e Madhe, Kisha shpreh trishtimin e saj n'kujtim t'deks së Shëlbuesit.

Besimtarët mos t'harrojnë borxhin e Pashkve, apo detyrimin që kanë, s'pakut nji herë n'vjet për Pashkë, me marrë Rrfimin dhe Kungimin Shêjt.

Qielli i Kishes Katolike bahet për ditë e mâ i êrrët, shkruen dom Guéranger. Rrféja e Drejtsisë hyjnore ka me râ mbi Shëlbuesin, i Cilli, për dashtni për Atin dhe për të tânë né, âsht bâ njiri për me marrë mbi vedi tâna mkatet e njerzimit, t'kalueme, të tashme e të ardhme, për me i kryqzue n'kryq e me i mbytë me deken e Tij, e kshtû me na ridhanë jeten e hupun qiellore.

Druni i pemës n'kopshtin e Edenit na pruni deken e mjerimin, por druni i Kryqit na pruni jeten dhe gzimin e pambaruem. Ashtû si parardhsit e parë t'njerzimit, me mendjemadhsí e rrebelim, hàne frytin e ndaluem të pemes t'Edenit tuej marrë mallkimin e drejtë hyjnor, ashtû edhe na, me përvujtni dhe pendesë perfekte, duhet me hangër frutin e pemës së Kryqit, Trupin dhe Gjakun e paçmueshëm të KRISHTIT ZOT, për me marrë faljen mkateve tona, bekimin qiellor dhe jeten e pasosun.

"Un jam Buka e gjallë e ulun prej Qiellit. N'kjoftë se keni me hangër prej ksaj buket keni me jetue përgjithmonë dhe buka që kam me ju dhanë âsht Trupi ém, për jeten e botës... N'kjoftë se nuk keni me hangër mishin e Birit t'njírit dhe n'kjoftë se nuk keni me pi Gjakun e Tij, nuk keni me pasë jetë n'jue. Ai që han Trupin t'ém dhe pin Gjakun t'ém ka jeten e pasosun dhe Un kam e e rinjâllë në diten e fundit." (Sh'Gjoni 6 : 51-56)

Princi i jetës, JEZU-KRISHTI, duelon n'nji mnyrë t'papame ndonjiherë me princin e deks, djallin e mallkuem, dhe fiton kundër tij tuej u imolue n'Kryq. Profecia e Mbretit David realizohet : "Zoti mbretnon me anen e Krygjit" që prej nji objekti turpit bahet "flamuri i Mbretit" dhe "shpresa e jonë e vetme në kyt Kohe Pasionit". "Na përkulena përpara Kryqit sepse nëpermjet ktij Drunit  na ka ardhë gzimi në mbarë universin."

Kto mistere shêjte nuk duhen me kenë për ne thjesht nji kujtim historik që lidhet vetem me Personen hyjnore të JEZUSIT; përmes Fesë dhe Dashtnisë kristjane, ata duhen me na bashkue dhe shejtnue përditë e mâ shumë në Trupin Mistik të KRISHTIT, që âsht Kisha Katolike, tuej na bâ pjesmarrës ne Duelin e Golgotës, kshtû që për çdo Pashkë, bashkë me Shefin tonë, KRISHTIN Zot, dhe Nânen tonë, Shêjten Kishe Katolike, t'ia shtypim kryet edhe njiherë djallit dhe t'marrim nji fitore t'ré kundër satanit t'mallkuem.

Por ashtû si nuk mundet me u dâ drita prej diellit ashtû nuk mundet me u dâ as Virgjina Mari prej KRISHTIT Zot t'Cillit i dhâ natyren njerzore tuej qendrue gjithmonë Nânë e Virgjën e Papërlyeme. Kshtû të Premten mbas të Dieles së Pasionit, Kisha Katolike celebron nji festë të veçantë kushtue vuejtjeve të Nânës tenZot, që quhet Zoja e 7 Vuejtjeve, ku numri 7 përfaqson të tâna vuejtjet e Zojës' Bekueme, e cilla âsht kopja perfekte e Zotit tonë JEZU-KRISHTIT, Njirit t'vuejtjeve, ashtû si profetizon profeti Izaía.

Kto 7 vuejtje janë : Profecia e Simeonit gjatë Prezantimit të JEZUSIT në Tempull, Ikja në Egjipt, Hupja e JEZUSIT në Tempull, Takimi i JEZUSIT me Zojen e Bekueme në Rrugen e Krygjit, Deka e JEZUSIT në Krygj, Ulja e Trupit t'pajetë të JEZUSIT në prêhnin e Virgjinës Mari dhe Varrosja e JEZU-KRISHTIT.

Kjo Festë që veneron vuejtjet e Virgjinës t'Papërlyeme âsht festue veçanarisht prej Urdhnit t'Servitve me nji solemnitet t'madh; në vjetin 1817, Papa Piu VII urdhnoi që kjo festë të festohej në tânë Kishen, si kujtim edhe i egzilit dhe burgut që ky Papë hoqi prej anmiqve t'Kishës Katolike.

Si e kishte parashikue Simeoni, nji shpatë dhimbjesh çau Zemren e bekueme e Shpirtin e saj t'shêjt tuej pâ Birin e vet n'agoninë e deks pa muejtë me ia lehtsue vuejtjet e pafundme t'torturës' Krygjit dhe tuej iu bâ nji barrë tjetër dhimbjesh për Zemren shêjte të     JEZUSIT që nuk mujte me ia thâ lotët e lehtsue vuejtjet Nânës' vet t'dashtun e t'bekueme.

KRISHTI Zot thirret edhe Mbreti i Vuejtjeve dhe i martirve kurse Virgjina Mari, Mbretnesha e Vuejtjeve. Ajo e ka meritue kyt titull mbasi ka vuejtë martirin mâ t'mnershëm mbas atij të Birit t'saj. Virgjina Mari, thotë sh'Bernardi, â martirizue jo prej shpatës s'xhelatve por prej dhimbjes së Zemres t'saj. Martiri i Virgjinës t'Bekueme kalon martirët e të tânë martirve të tjerë sepse ai zgjati gjatë gjithë jetës t'saj.

Sh'Bernardi thotë se martiri i JEZU-KRISHTIT filloi qysh me lindjen e Tij; për rrjedhojë, Zoja e Bekueme, e cilla ishte kopje perfekte e Shelbuesit në gjithshka, vuejti martirin e saj gjatë tânë jetës t'saj t'bekueme. Emni i bekuem Mari don me thanë edhe det i hidhun, sepse si det i pamasë ka kênë vuejtja e Nânës t'Zotit, tuej pasë papushim n'Zemren e saj t'Papërlyeme kujtmin e Pasionit të ardhshëm të Birit të saj hyjnor.

Sh'Anselmi thotë se n'kjoftë se Zoti nuk do t'kishte bâ mrekulli me ia ruejtë jetën Mbretneshës t'martirve, Virgjina Mari do t'kishte dekë në çdo çast t'jetës si pasoje e vuejtjeve. Kur biri vuen cilla nânë nuk vuen bashkë me té dhe nuk âsht gadi me dhanë jeten e vet për dashtni për birin e vet ?

Shêjti Amadé thotë se Zemra shêjte e Virgjinës Mari u bâ pasqyrë e vuejtjeve të Birit t'saj, pasqyrë ku shifeshin gjakosjet, plagët, me nji fjalë gjithshka që vuente JEZUSI. Për mâ tepër e lumja Maria e Agredës, ne revelacjonet e saja, shkruen se até që ka vuejtë KRISHTI gjatë Pasionit, até ka vuejtë Zoja e Bekueme edhe në trup, megjithse n'nji mnyrë sekrete, aq sa ka kênë e mujtun për nji kreaturë me vuejtë. Virgjina martire nuk ka kênë vetëm fizikisht  afër Krygjes, por n'shpirt, ajo ka kênë e kryqzueme bashke me JEZUSIN n'Krygj, si Bashkshelbuese (Coredemtrix) e njerzimit. Për mâ tepër, ashtu si KRISHTI Zot, i Cilli u braktis prej të tânve n'agoninë e t'mnershme t'Kryqzimit, ashtû edhe Nâna e Tij vuejti bashkë me Birin e vet pa asnji ngushllim.

Martirët, âsht e vërtetë se kanë vuejtë turtura të frikshme por fuqia e dashtnisë hyjnore ua lehtsote dhimbjet; në rastin e Zojes' Bekueme vetë mundimet e KRISHTIT Zot ishin arsyet e vuejtjeve të saja. Por tuej kênë se dashtnija e saj për Birin hyjnor t'pafajshëm ishte gadi e pafundme, atherë edhe vuejtjet e Nânës tenZot kanë kênë gadi t'pafundme, tuej pâ martirin e Qingjit hyjnor n'flijimin e Tij n'Krygj për mkatet e njerzimit pa muejtë me i prue asnji lehtsim.

Prej Testamentit të Vjetër në Librin e Tobias lexojmë : "Ndero nânen tande tâna ditët e jetës t'saj dhe mos harro rreziqet e mëdhaja që ajo ka vuejtë për ty." (Tobias 4:3-4)
N'kjoftë se Zoti na mson me nderu nânen tonë toksore që ka kontribue me na dhanë jeten e trupit t'vdekshëm, si mund t'harrojmë me nderue Nânën tonë qiellore, Virgjinën Mari, që vetë Zoti na e ka dhanë n'kâmbet e Krygjit në personen e dishepullit t'zgjedhun, e që ka kontribue e kontribon aq shumë me na dhanë jeten e shpirtit t'pavdekshëm, e cilla âsht pafundisht mâ e randsishme dhe mâ sublime se jeta e trupit mortor ?

Thuhet se njiherë Nâna e Zotit i tha shêjtes Brixhitë : "Hjedhi shikimin mbi fmijtë e njerzve me pâ mos ndokush ndien mshirë për mue, por mjerisht, shof vetëm pak vetë! N'kjoftë se shumë më harrojnë, s'pakut ti, bija éme, mos m'harro. Mendo sa shumë kam vuejtë."

Sh'Bernardini i Sjenës thotë se n'kjoftë se vuejtjet e Zojes t'Bekueme do t'ishin dâ barabar midis tânë njerzve, ata do t'kishin dekë menjiherë. Shêjti Bazil thotë se ashtû si dielli kalon tânë yjet e tjerë n'shkëlqim, ashtû edhe vuejtjet e Virgjinës Mari ia kalojnë vuejtjeve të tânë martirve.

Vuejtjet e Virgjinës Mari kanë kênë në proporcion me shêjtninë e saj, sepse vuejtjet dhe kryqet shpirtnore e trupore të shêjtënve rriten me shêjtninë e tyne. Por ajo që i ka shtue kto vuejtje në Zemren e Papërlyeme të Nânës tenZot ka kênë dija e atyne mosmirnjohsave që nuk do të përfitojshin prej Pasionit të KRISHTIT Zot. JEZUSI dhe Virgjina e Bekueme kanë vuejtë me pshtue tânë njerzimin por duhet që sejcilli t'a pranojnë kyt shelbim. Zoti na ka krijue pa né por nuk na pshton pa né.

Nji herë JEZU-KRISHTI i tha t'lumes Veronikës së Binaskos : "Bija éme, lotët që derdh në kompasion për vuejtjet e Mija më pëlqejnë por, kujto se për arsye të dashtnisë t'Éme t'jashtzakonshme për Nânen t'Éme, lotët që derdh në kompasion për vuejtjet e saja, janë mâ të çmueshme."

Nâna e Zotit i tha kshtû shêjtes Brixhitë : "Pavarsisht prej numrit t'mkateve t'nji mkatnori, n'kjoftë se aj drejtohet te un me nji vullnet të sinqertë me bâ pendesë, jam e përgaditun me e pranue me dashtni, sepse nuk shof numrin e mkateve që ka bâ por dispozicjonin me t'cillin ai vjen te un. Nuk ndiej asnji neveri me sherue plagët e tija sepse quhem dhe në t'vërtetë jam Nâna e Mshirës."

Nji prej devocioneve mâ të njoftuna në nderim të vuejteve të Virgjinës Mari në marrjen e hireve qiellore âsht meditimi i 7 Vuejtjeve të Nânës tenZot, ashtû si i përmênda mâ nâlt. Sejcilli besimtar mundet me i kujtue kto vuejtje përditë tuej thanë për çdo vuejtje 1 Ju Falemi Mari. Ata që kanë me perseverue n'kyt devocjon me sinqeritet, pendesë e dishirë me u korrigjue, kanë me provue vetë efikasitetin e madh t'ksaj forme devocjonit.

Në shkrimet e doktorit të Kishës, sh'Alfons-Maria Ligori, përmendet nji revelacjoni qiellor i shêjtes Elizabetë të Hungarisë ku JEZUSI premton 4 hire t'veçanta për ata që janë të devoçëm ndaj vuejtjeve të Virgjinës Mari :

1. Ata që kanë me thirrë Nânen Qiellore, nëpermjet vuejtjeve të saja, do të kenë nji pendesë t'vërtetë për mkatet e tyne para deks.

2. Shëlbuesi jonë ka me i mbrojte ata në mundimet e tyne, veçanarisht në momentin e deks.

3. JEZUSI ka me gdhêndë në tà memorjen e Pasionit të Tij dhe ka ma i shpërblye për kyt gjâ n'Parriz.

4. Shëlbuesi ka me i bâ aq shërbtorë të devoçëm n'duert e Zojes' Bekueme, saqë Virgjina Mari do t'sillet me tà simbas vullnetit t'saj, dhe do t'u sigurojë tâna hiret që ajo dishiron.

Ne i detyrohena KRISHTIT Zot nji mirnjohje t'pafundme për vepren e Tij shelbuese por t'njâjtin detyrim kena edhe ndaj Mbretneshës të Martirve, Virgjinës Mari, që ka vuejtë spontanisht, dhe ka kênë gadi me vuejtë tâna vuejtjet bashkë me Birin e vet, për dashtni për Zotin e për dashtni për né, n'mnyrë që mos me na lanë pa shelbim e nën skllavninë e mkatit e t'djallit.

Dashtnija e Nânës t'Zotit për ne kalon shdo lloj konceptimit dhe ne nuk kena me i kuptue kurrë, përveç Zotit, sakrficat e saja, sakrificat e mâ të mirës të të tâna nânave, për lumnínë tonë t'përjetshme.

Na mkatnorë t'shkretë nuk mundena kurrë me e venerue e dashtë ashtu si duhet e si e meriton kjo Mbretnèshë e lavdishme por s'pakut t'a kujtojmë, me dashtni e respekt, Nânen tonë qiellore sa mâ shpesh që jetë e mujtun, për shka ka bâ, ban, e ka me bâ për né, tuej mbajtë sa mâ mirë, për dashtní për Mbretneshën e Qielles e t'Dheut, Urdhnimet e Birit t'saj, Zotit tonë JEZU-KRISHTIT, për mâ t'madhen lavdi t'Zotit, t'Zojes' Bekueme dhe shëlbimin e shpirtnavet.

Sa mâ shumë që të duejmë, me vepra e jo vetëm me fjalë, Nânen e Zotit aq mâ shumë duejmë vetë KRISHTIN Zot e t'SHEJTNUESHMEN TRINI, aq mâ shumë duejmë t'afërmin për dashtní për Zotin, aq mâ shumë shejtnohena dhe bâhena gadi për gzimet e pafundme t'Parrizit, hir që ju uroj të tanvet me gjithë zemër. Ashtû kjoftë.