domenica, luglio 25, 2010


Sekreti i Giuseppe Kardinal Sirit



prej Illyricum Sacrum
http://nenaekeshillittemire.blogspot.com/



     Me 26 Tetuer 1958, tymi i bardhë që po dèlte prej Kapelës Sistíne n'Vatikan diftote se nji Papë ishte zgjêdhë mbas Konklavës' mbledhun mbas deks' Papës Piu XII. Por asnjí Papë nuk doli n'ballkon. Ky fakt u raportue n'gazeta n'tânë botën dhe biles u ndigjue edhe n'radio. Prej Pallatit Apostolik, disa kardinaj u pânë gjithashtu tuej bâ me dorë n'drejtim të turmës, gjâ e cilla nuk lejohet kurrë me ndodhë n'kjoftë se punimet e konklaves nuk kanë përfundue. Edhe ata menduen se nji Papë ishte zgjêdhë.

Nji kronike gazetës "The Houston Post" e datës 27 Tetuer 1958 shkrúte kshtû :

"QYTETI I VATIKANIT (AP) - Kardinajt kanë votue t'dielën pa mujtë me zgjêdhë nji papë. Nji përzimje n'sinjalet e tymit gjatë nji gjysë sahatit dhà përshtypjen se pasàrdhsi i Papës Piu XII ishte zgjêdhë. Për nji moment, 200.000 qytetarët romanë dhe turistat e mbledhun n'Sheshin e madh t'Shën Pjetrit ishin t'sigurtë se Kisha kishte tashmâ nji papë të ri. Me miliona të tjerë që ndigjonin radion n'Itali dhe n'tânë Evropen ishin gjithashtû t'sigurtë për kyt gjâ. Ata ndigjuen zânin e Radio-Vatikanit tuej thirrë n'gazëllim : Papa âsht zgjêdhë...

"Përreth Vatikanit mbretnote nji konfuzion i pabesushëm. Tymi i bardhë që del prej kamínit t'Kapelës Sistine tradicionalisht lajmënon zgjêdhjen e nji pape, kurse tymi i zi, t'kundërten. Dy hèrë gjatë ditës kamíni xóri tym. N'misdítë, tymi n'fillim doli i bardhë por mandej shpejt u kthye në t'zi. Kjo ishte një shêj që kardinajt nuk kishin mujtë me zgjêdhë nji papë mbas dy votimeve t'para. Në t'êrrun, kamíni i hollë i Kapelës xóri tym t'bardhë gjatë 5 minutave. Tânë njerzit jashtë msuen se nji papë ishte zgjêdhë.

"Radio Vatikani lajmnoi se tymi ishte i bardhë. Folësi thà se kardinajt n'at moment do t'ishin tuej i bâ ritet e adhurimit papës' ri - nji lloj ceremonijet ku Papa respektohet si Vikeri i KRISHTIT mbi tokë : (Wetzer & Welte, Dictionnaire encyclopédique de la théologie catholique, tome II, page 261; Glaire, Dictionnaire universel des sciences ecclésiastiques, tome I, page 203; Mgr Ozanam, Méditations sur l'Église..., page 562) - . Për nji kohë t'gjatë, folsi i Radio Vatikanit kâmbngulte se tymi ishte i bardhë.

"Biles edhe zyrtarë t'nâltë t'Vatikanit menduen t'njâjten gjâ. Callori di Vignale dhe Sigismondo Chigi, përkatsisht Guvernatori dhe Marshalli i Konklavës, shpejtuen me xânë vêndet e tyne për me përshndêtë papën e ri. Rojet Palatine t'Vatikanit (Guardia Palatina d'Onore) u thirrën prej kazermave me shkue drejt Sheshit t'Shën Pjetrit ku do t'lajmnohej êmni i ri i papës. Por rojet u urdhnuen me u kthye mbrapsht përpara se me mbrritë sheshin. I njâjti urdhën erdhi edhe për Rojet Zvicerane. (Guardia Svizzera Pontificia)

"Chigi, në nji intervistë me Radion italiane, thà se n'Pallat egzistote nji farë pakjartsijet... Ai thà se ishte kênë prezent në tri konklava të tjera por nuk kishte pâ kurrë tymin të ndryshote ngjyrë ashtû si t'dielen. Ai u thà gazetarvet se do t'lajmërote kardinajt për kyt konfuzion, n'mënyrë që kjo gjâ mos me u përsrit t'hânen.

"Meshtarë dhe punojs mbrênda Vatikanit pâne edhe atà tymin e bardhë, e filluen me brohoritë tuej tûndë shamijat me entuziazem. Kyt gjâ bâne edhe ndihmsat e kardinajve prej dritareve t'Pallatit Apostolik. Ndoshta edhe ata menduen se nji pape ishte zgjêdhë.

"Populli vazhdote me pritë pezull. Mbas zgjêdhjes, Papa i ri normalisht dèlte n'ballkon mbrênda 20 minutash. Turma priti krejt 30 minuta dhe mandej filloi  me dyshue në nji keqkuptim n'tymin e dalun prej kamínit t'Kapelës Sistine. Shumë prej tyne filluen me u largue, por konfuzioni mbretnonte gjithandej. Agjensitë e lajmeve kishin transmetue në mbarë botën se një papë i ri ishte zgjêdhë.

"Mbas nji gjys sahatit, bisedat e emocionueme n'radio thânë se zgjêdhja e papës mbetej e pakjartë. Mbasi n'ballkonin mbi Sheshin e Shën Pjetrit nuk doli asnji Papë, atherë u mendue se votimi do t' rifillóte t'hânen, n' 10 sahati. Turma e madhe mori kyt lajm dhe u shpërndâ me shpejtsí..." (The Houston Post, October 27, 1958, Section 1, pages 1 & 7).

Tymi i bardhë i pamë prej tânvet ishte nji shêj e kjartë se nji Pape ishte zgjêdhë at ditë n'Vatikan, por dishka e pazakonshme që mund t'kishte ndodhë n'Kapelen Sistine e ndaloi Papën me dalë n'ballkon, simbas zakonit, me përshndetë e bekue popullin. Vetëm mbas 2 ditësh, Angelo Roncalli, i njoftun mâ vonë si Gjoni XXIII, u lajmnue publikisht si pasardhsi i Piu-t XII. Mbas përfundimit t'Konklavës, Roncalli mbajti nji mblêdhje t'mistershme gjatë disa sahatave me pjesmarrsit e Konklavës. Gjoni XXIII ka kênë êmni i Baldassarre Cossa (c. 1370 – 22 Dhetuer 1419) i cilli njihet n'historinë e Kishës Katolike si njêni prej anti-papve gjatë Shizmes' Madhe t'Perëndimit. A ishte thjesht rastsí fakti që Roncalli zgjodhi êmnin e nji anti-pape ?

"Gjoni XXIII u kërkoi kardinajve me qindrue n'Konklave edhe nji natë, kundër zakonit që pjesmarrsit t'largoheshin fillë mbas zgjêdhjes...  tuej i porositë ata mos me i zbulue kujt sekretet e zgjêdhjes s'tij" (Alden Hatch, A Man Named John, NY, NY: Hawthorn Books Inc., 1963, p. 163.)

"Mbas përshndetjes dhe bekimit të popullit t'gazmueshëm në Sheshin e Shën Pjetrit, Gjoni XXIII i urdhnoi kardinajt mos me u shpërndâ, sepse do t'takohej me tà n'nji mblêdhje t'mshehtë. Kjo ishte nji bârrë për disa kardinaj nândhetvjeçar e jo në gjêndje t'mirë shndetsore, por për respekt për Papën e ri, ata qindruan të gjithë. Duhet t'jetë kênë nji mblêdhje shumë delikate sepse kur Sekretari i Shtetit t'Vatikanit, Tardini, u përpoq me hí n'mblêdhje, tuej mendue gabimisht se Konklava kishte përfundue, ai u çkishënue n'vênd prej Kardinalit' Francës, Tisserant." (Mark Fellows, Fatima in Twilight, p. 154)

N'kohen e Konklavës, At Tardini nuk âsht kênë kardinal, pra simbas kanoneve 2214, 2220 dhe 2302 Kardinal Tisserant ka pasë fuqinë kanonike me çkishënue. (R. Naz, Traité de droit canonique, tome I, page 435)

Misteri mbas tymit t'bardhë dhe mblêdhjes s'mshehtë ndoshta nuk do t'ishte zbulue kurrë po të mos ishte kênë dëshmia e z. Scortesco. Ai ishte kushërini i dy pjestarëve të Rojeve t'Nderit t'Vatikanit, përfshí Presidentin e Rojeve t'Gardës, t'cillët ishin përgjegjës me ruejtë Konklavat e viteve 1958 dhe 1963, dhe me ndalue çdo lloj komunikimi t'konklavistëve me njerëz t'jashtëm.

Në 1988, gazeta franceze "Introibo", publikoi nji letër të Scortesco-s, ku mes të tjerash shkruhej :

"Në rastin e Gjonit XXIII (1958) dhe Palit VI (1963), ka pasë komunikime me jashtë. Kshtû u mësue se kishte pasë disa votime n'Konklavën e parë (1958) që rezultoi në zgjêdhjen e Kardinal Tedeschinit, dhe në t'dytën (1963) që rezultoi me zgjêdhjen e Kardinal Sirit.
(Fragment nga gazeta franceze, Introibo, No. 61, Korrik-Gusht-Shtator, 1988, Association Noel Pinot, Angers, France, p. 3.)

Scortesco e mori kyt informacion tronditës prej pjestarve të Rojeve t'Nderit. Kjo leter u publikue n'gazetën Introibo, kurse Scortesco u gjet i dekun, i djegun për s'gjallit, në shtratin e tij, pak kohë mbas publikimit t'kësaj letre.

Në citimin e mâsipërm, Scortesco bân fjalë edhe për komunikime me jashtë, t'cillat janë kundër rregullave t'mbajtjes s'konklavës. Në shkrimet e tija të mâvonshme msohet se këto komunikime bâheshin me pjestarë të B'nai B'rith, organizatë çfute e masonerisë t'nâltë. Ka shumë mundsí se kto komunikime me jashtë, ndaluen Tedeschinin dhe Sirin, me anën e kërcënimeve t'ndryshme, ndoshta edhe me vdekje, me pranue zgjedhjet e tyne si papë në konklavën e 1958 dhe në atë të 1963.

Përveç dëshmive t'Scortescos, egzistojnë prova të tjera se në Konklavën e 1958, Kardinal Siri âsht zgjêdhë Papë përpara Kardinal Tedeschinit. Pra, Kardinal Siri â zgjêdhë jo vetëm në 1958 por edhe në 1963. Dhe në kto dy konklava, âsht vue ré i njâjti fenomen i sinjaleve të rrême të tymit që dèlte prej kamínit të Kapelës Sistine.

Ish-kshilltari i Zyrës Federale Amerikane t'Investigimit (FBI), z. Paul L. Williams, bazue në dokumente të Shërbimeve të Inteligjencës Amerikane (CIA), pohon se Kardinal Siri âsht zgjêdhë Papë në Konklavën e 1958 dhe ka marrë emrin Gregori XVII.

Në 2003, në librin e tij "The Vatican Exposed: Money, Murder, and the Mafia", z. Williams shkruen se në 1958, Kardinal Siri mbas votimit të tretë mori votat e nevojshme dhe u zgjodh Papë tuej marrë êmnin Gregori XVII. Asht e vërtetë se prej kamínit të Kapelës Sistine doli tym i bardhë dhe lajmi i zgjêdhjes të Papës' ri u përhap me gëzim prej Radio Vatikanit. Por Papa nuk doli në ballkon. Dyshime filluen me lindë mos tymi âsht kênë i bardhë apo i zí. Për me qetësue konfuzionin, Sekretari i Konklaves' Kardinajve, Imzot Santaro, informoi shtypin se me t'vërtetë tymi ishte i bardhë dhe se nji papë ishte zgjêdhë. Por asnji Papë nuk doli at ditë n'ballkon.

Thuhet gjithashtu se para dekes, Papa Piu XII, simbas ligjeve të Kishes, kishte caktue Kardinalin Giuseppe Siri, si pasardhësin e tij të dishiruem. (John Cooney, The American Pope, p. 259).

Kardinal Giuseppe Siri, Arqipeshkvi i Gjenovës, njihej gjithkund si anti-komunist i vendosun, si nji tradicionalist i papajtuem me ndryshimet n'doktrinën e Kishës Katolike dhe si nji burokrat i aftë.

Simbas At Malachi Martin Ph.D., meshtar, zotënues i tre doktoratave, shkrimtar dhe punojës i mbrêndshëm i Vatikanit, në Konklavën e 1963 kardinal Siri mblodhi votat e nevojshme me u zgjêdhë Papë, por ai u "shtye anash" tuej përdorë, até që At Martin e quen, "pak brutalitet". At Martin, ashtu si z. Scortesco, shprehet se në kyt Konklavë ka pasë ndërhymje, prej jashtë, prej nji organizatë ndërkombtare me nji pjestar t'Konklavës, n'lidhje me kandidaturën e Sirit. Martin difton se kjo ndërhymje u lidhte me "nji çâshtje t'rândë sigurie të Shtetit të Vatikanit". Mendohet se komunistat kanë kërcënue me gjuejtë Vatikanin me armë nukleare dhe me vrâ çdo ipeshkëv mbas Perdes s'Hekurt n'kjoftë se Siri do të pranote zgjêdhjen si Papë. At Martin ka kênë i pranishëm, si përkthyes, në dy konklava : në até të 1963 dhe të 1978.

N'Mars të 1997, në nji program radiofonik Steel on Steel, i ftuemi prej John Loefller, At Malachi Martin, përmêndi nji tjetër sekret. Ai thà se Kardinal Siri u zgjodh prapë në Konklaven e Tetorit të 1978, por ai mori nji letër ku kërcenohej me vdekje së bashkut me familjen e tij n'kjoftë se ai do të pranote zgjêdhjen si Papë. Njifet publikisht se kjo konklave zgjodhi mâ vonë Gjon Palin II. (Loeffler, John, The Wisdom of Malachi Martin, Radio Liberty, Soquel, March 1997)

Don Luigi Villa, drejtues i gazetës "Chiesa Viva", i cilli ka kênë i ngarkuem prej vetë Papës Piu XII me demaskue masonerinë e inflitrueme në Kishën Katolike, shkruen në nji prej artikujve se Kardinal Siri âsht zgjêdhë Papë në 1963 dhe në 1978 por prej kërcënimeve të Masonerisë âsht tërhjekë. (Chi è don Luigi Villa? a cura dell’Ing. Franco Adessa)

Pak kohë para deks, me 2 Maj 1989, në nji takim me Marquis de Franquerey, Louis Remy dhe Francis Delay, i pvetun mos ishte aj Papa i vërtetë, Kardinal Siri nuk iu përgjigj ksaj pyetjet por shtoi vetëm kaq :

"Jam i lidhun prej sekretit. Sekreti âsht i tmerrshëm. Do t'kishe dashtë me shkrue libra për gjâna tepër t'rânda që kanë ndodhë në konklava t'ndryshme, por nuk mundem me thânë asgjâ."

Simbas burimeve të FBI, në votën e katërt, në Konklaven e 1958, Kardinal Siri u zgjodh Papë, por kardinalët francezë e anulluen kyt rezultat me pretekstin se kjo zgjêdhje do të shkaktote trazina dhe vrasjen e disa ipeshkvijve të njohun  mbas Perdes s'Hekurt. (Department of State, Secret file, "Cardinal Siri," issue date: April 10, 1961, declassified: February 28, 1994)

Tuej u bazue n'citimin e mâsipërm veprimi i kardinajve francezë ka kênë i paligjshëm sepse simbas ligjeve të Kishës askush nuk ka të drejtë me rrzue Papën prej tronit t'ij. Kjo për faktin se Siri kishte pranue menjiherë zgjêdhjen dhe kishte marrë emnin Gregori XVII. (R. Naz, Traité de droit canonique, vol. IV, page 690)

Simbas ligjeve kanonike, kur e mira e Kishës e kërkon ose e lejon, Papa i zgjêdhun mundet me dhânë dorëhjekjen, por kjo dorëhjekje, për me kênë e vlefshme, duhet me u bâ me vullnetin e lirë të Papës, t'pacënuem prej asnjilloj friget, kërcënimit, mashtrimit, etj. (Kanoni 185). Gjithashtu kjo dorëhjekje nuk kushtëzohet prej pranimit të kardinajve apo të ndonji personi tjetër (Kanoni 221). Përndryshej, dorëhjekja âsht e pavlefshme dhe Papa mbetet Papë.

Sipas kanonistit Wernz n'koftë se zgjêdhja e Papës bâhet n'kundërshtim me rregullat e mbajtjes së Konklavës, atherë kjo zgjêdhje âsht e pavlefshme (Catholic Encyclopedia).