lunedì, dicembre 24, 2012

Për shumë vjet KRISHTLINDJEN!


Fresko e Murijos (1618-1682)


          N'kyt prag KRISHTLINDJET përfitoj me i urue të tânë lexuesit e ktij blogu dhe shqiptarët kudo kjoshin, gzuar e për shumë vjet KRISHTLINDJEN. Uroj që KRISHTI Fmi të gjejnë në zemrat tueja at përvujtní, paqe, dlirtsí, kûndením e devocjon si te grazhdi i përvujtë i Bethlehemit mes sh'MARISE gjithmonë Virgjën, Nânës të Zotit, dhe sh'Jozefit tuej i shtue përherë e mâ shumë hirit e bekimet e Tija në jeten tuej shpirtnore dhe materiale.

martedì, dicembre 18, 2012

Katër Kohët e KRISHTLINDJES


         Besimtarët mos të harrojnë me mbajtë njinesë dhe abstinencë të Mërkuren (19 Dhetuer), Premten (21 Dhetuer) dhe të Shtunden e ardhshme (22 Dhetuer), ditë që njihen edhe si Katër Kohët e KRISHTLINDJES, në përgaditje të Ardhjes së Shëlbuesit.

Për detaje mbi sasinë e lejueme të ushqimit, kontrolloni ktu.


domenica, dicembre 09, 2012

Të Xanunit Pafaj të Virgjinës MARI

prej Illyricum Sacrum



- Shpallja e Dogmës prej Papës Piu IX në 1854 – 
Fresko në Muzeun e Vatikanit


          Me 8 Dhetuer Kisha shêjte Katolike celebron nji prej festave mâ të mëdha në nder të Nânës së Zotit, Të Xanunit Pafaj të Virgjinës MARI. Në letren e tij apostolike të 8 Dhetuerit 1854, Ati ynë shêjt, Papa Piu IX, deklaroi solemnisht dhe përcaktoi në mnyrë dogmatike që e Shêjtnueshmja Virgjina MARI, Nâna e Zotit, âsht xanë pa mkat të rrjedhshëm :

« Me besim të plotë në Zotin dhe i bindun se ka ardhë momenti i duhun me përcaktue të Xanunit Pafaj të Shêjtnueshmes Virgjinës MARI, Nânës së Zotit, të cillen e dishmojnë dhe e nxjerrin mrekullisht në dritë vetë profecitë hyjnore, Tradita shêjte katolike, ndjenjat e përhershme të Kishës, aprovimi i admirueshëm i barijve (meshtarve) katolikë dhe i besimitarve, aktet e ndrituna dhe konstitucjonet e pasardhsve tanë; mbasi kena egzaminue çdo gjâ me kujdesin mâ të madh dhe mbasi i kena ofrue Zotit lutje të zjarrta e të vazhdueshme, kena mendue se nuk duhet të vonojmë mâ me sanksionue dhe përcaktue nëpërmjet gjykimit tonë suprem të Xanunit Pafaj të Virgjinës, e me knaqë kshtû dishiren shumë të devoçme të botës katolike dhe të vetë devocjonit tonë ndaj të Shêjtnueshmes Virgjën, në mnyrë që me nderue për herë e mâ shumë Birin e saj të vetëm, Zotin tonë JEZU-KRISHTIN, sepse i gjithë nderi dhe lavdia që i dhurojmë Nânës kthehet në lavdinë e Birit.

« Prandej, tuej mos pushue kurrë s'ofruemit, me përvujtní dhe krezhëm, lutjet tona personale s'bashkut me lutjet publike të Kishës Atit nëpërmjet Birit të saj, që të dinjote me drejtue dhe forcue shpirtin tonë nëpërmjet virtytit të SHPIRTIT SHEJT; mbasi kena lutë asistencen e tânë oborrit qielluer dhe thirrë me ofshamat tona Shpirtin ngushllues, tuej veprue sot nën inspirimin e Tij, për nderin e të Shejtnueshmes dhe të pandames TRINI, për lavdinë e Virgjinës, Nânës të Zotit, për nâltsimin e Fesë Katolike dhe për rritjen e Besimit të krishtênë, nëpërmjet autoritetit të Zotit tonë JEZU-KRISHTIT, të shêjtnve apostuj sh'Pjetrit e sh'Palit dhe autoritetit tonë, ne deklarojmë, shpallim dhe vendosim se doktrina simbas të cillës e Shêjtnueshmja Virgjina MARI, që në momentin e parë të t'xanunit të saj, nëpërmjet nji hiri dhe privilegji specjal të Zotit të Gjithpushtshëm, në konsideratë të meritave të JEZU-KRISHTIT, Shëlbuesit të njerzimit, âsht ruejtë prej çdo njolle të mkatit origjinal âsht nji doktrine e zbulueme prej Zotit e për rrjedhojë ajo duhet besue vendosmënisht dhe vazhdimisht prej të tanë besimtarve. N'kjoft se ndokush, mos kjoft thanë prej Zotit, do të kishte arrogancen me mendue në zemren e tij ndryshej prej sa âsht vendosë prej nesh, ta msojnë dhe ta dijnë se, i dënuem prej vetë gjykimit të vet, ai âsht mbytë në mosbesimin e tij dhe ka braktisë unitetin e Kishës; dhe për mâ tepër, n'kjoft se nëpërmjet fjalëve, shkrimeve apo çfarëdolloj mjeti tjetër të jashtëm, do të guxonte me i shprehë kto ndenja të zemrës së tij, ai do të psojë 'ipso facto' dënimin e parashikuem në të drejten kanonike. »



Katër vjet mâ vonë, pra në vjetin 1858, për me konfirmue se vendimet e Papës janë gjithmonë të pagabueshme në çâshtjet që lidhen me Fenë dhe moralin, vetë Virgjina e Papërlyeme iu shfaq nji vajze të re, shêjtes Bernadetë, në Lurd, nji fshat i vogël në jug të Francës, tuej aprovue fjalët e Vikerit të KRISHTIT mbi tokë dhe tuej thanë se âsht e Xanuna e Pafaj : 'Conceptio Immaculata'.


Ishte e nevojshme, thotë sh'Alfons MARIA Liguori, veprat e të cilit janë aprovue prej Kishës Katolike, që sejcili prej tre Personave Hyjnore të ruante MARI-në prej mkatit origjinal, Ati tuej e konsiderue si Bijen e Tij, Biri, si Nânen e Tij dhe SHPIRTI-SHEJT, si Nusen e Tij.

Ishte e nevojshme që Ati të përjashtonte MARI-në prej mkatit të rrjedhshëm sepse ajo ishte Bija e Tij, biles 'Bija e madhe' ashtû si shkruhet : « Jam lindë para tana krijesave » (Eccles., 24). Ky rresht biblik i âsht atribue gjithmonë MARI-së prej interpretuesve, etënve shêjtë dhe vetë Kishës Katolike në Festen e t'Xanunit të Papërlyem. Simbas Skotisve (prej teologut të njoftun françeskan, doktorit Duns Scot) ky titull i nepet Zojës Bekueme sepse ajo kje predestinue në të njêjten kohë me Birin e saj në dekretet e Zotit, para krijimit të botës. Simbas Tomistve (prej teologut të madh dominikan, doktorit êngjellor sh'Tomë Akuinatit), titulli 'Bija e madhe' i nepet Nânës të Zotit, si 'Bija e madhe' e hirit, e predestinueme me kênë Nâna e Shelbuesit mbas marrjes parasysh të mkatit që do të hinte në botë. Për rrjedhojë, ishte e nevojshme që MARIA të mos ishte kurrë skllave e djallit dhe të ishte gjithmonë në posesjon të Krijuesit të saj ashtû siç shkruhet : « Dominus possedit me in initio viarum suarum » (Proverbi 8). Prandaj me të drejtë Mgr Denis, arqipeshkvi i Aleksandrisë, e quen MARI-në Bija unike dhe e vetme e jetës për me e dallue prej të tjerave që lindin në mkat e që janë bija të vdekjes.

Ishte e nevojshme që Ati të krijonte Virgjinën e Bekueme në gjêndje të hirit, pra në miqsi me Zotin, sepse e destinonte me kênë pajtuesja dhe riparuesja e njerzimit, ndërmjetse midis Zotit dhe njerzve. Ishte e nevojshme që Zoti të ruante MARI-në prej mkatit origjinal sepse e destinonte me i shtypë kryet gjarpnit (djallit); pra n'kjoft se MARIA duhej të ishte 'Grueja e fortë' në botë për me mposhtë luçiferrin, nuk duhej që ajo të ishte mundë mâ parë prej anmikut t'saj e t'onit, e as që ti ishte nënshtrue pushtetit të tij. Në sajë të mirësisë hyjnore, Virgjina e Bekueme u privilegjue me kênë krejtsisht e pastër prej çdo lloj mkatit e në kyt mnyrë ajo mujti me mposhtë dhe shtypë kryenaltsinë e anmikut të saj dhe t'onit. Por mbi gjithshka ishte e nevojshme që Ati i përjetshëm të përjashtonte Virgjinën shêjte prej mkatit sepse e destinonte me kênë Nâna e Birit të Tij hyjnor, thotë sh'Bernardini i Sienës. Edhe sikur t'egzistonte vetëm arsyeja e nderit të Birit të Tij, kjo arsye do të ishte e mjaftueshme me krijue MARI-në të papërlyeme e pa njollë.

Avantazhi i parë i fmijve âsht me lindë prej prindve fisnikë, me êmën. Në botë, mungesa e shkencës dhe e pasunisë durohet mâ lehtë sesa mungesa e êmnit të mirë të familjes, sepse n'kjoft se jena të vorfën mundena gjithmonë me u pasunue; n'kjoft se jena injorantë, mundena gjithmonë me studjue; por n'kjoft se vijmë prej nji familje jofisnike âsht e pamujtun me ndryshue të kaluemen; edhe sikur në të ardhmen do të fitojshim nji emën fisnik prapë dikush mund të na kujtonte gjithmonë origjinën e ultë.

Në të njêjten mnyrë Zoti duhej të lindte Birin e Tij prej nji Nâne fisnike tuej e ruejtë prej mkatit, sepse nuk do të zgjidhte që Biri hyjnor të lindte prej nji nâne të infektueme prej mkatit për me i dhanë shkas luçiferrit me fajsue Shëlbuesin tonë, si nji turp, lindjen e Tij prej nji nâne që kishte kênë skllavja e tij dhe anmikja e Zotit. Jo, pa dyshim, dhe Zoti siguroi me bollëk lavdinë e Birit të Tij tuej bâ të mujtun që Nâna e Tij të ishte gjithmonë e papërlyeme.

Prej nji dekreti special, thotë Kisha greke, me 25 mars, të Providencës hyjnore, Virgjina shêjte qysh në fillim të egzistencës së saj pati të gjithë pastërtinë që duhet të kishte ajo që duhej të ishte Nâna e dênjë e JEZU-KRISHTIT. Kisha latine, në lutjet e saja, thotë se Zoti përgaditi trupin dhe shpirtin e MARI-së për me e bâ nji banesë të dênjë për Birin e Tij hyjnor në tokë

Për mâ tepër, Zoti tuej kênë pafundsisht i pastër dhe perfekt, ishte e nevojshme që të kishte gjithashtu nji Nânë të pastër, perfekte e pa njollë, dhe egzaktsisht kshtû ndodhi thotë sh'Bernardini i Sienës. Kjo doktrinë âsht e mbështetun mbi msmin e sh'Palit që thote se « ishte e domosdoshme që Shelbuesi jonë të ndahej jo vetëm prej mkateve por edhe prej mkatnorve »; e si mund të ndahej JEZU-KRISHTI prej mkatnoreve n'kjoft se do të kishte nji Nânë mkatnore?



Vendi ku në 1858 Virgjina e Papërlyeme u duk në Lurd të Francës



SHPIRTI-SHEJT thotë se « lavdia e birit âsht nderi i atit dhe çnderimi, turpi i tij » (Eccl. 13). Ja pse JEZU-KRISHTI ruejti prej korrupsionit trupin e MARI-së mbas dekës, sepse Ai nuk nderohej me lanë me u korruptue at trup virgjën me të cilin Ai vetë ishte veshë, ashtû si pohon edhe sh'Agustini. Por n'kjoft se do të ishte e turpshme me lindë prej nji nâne me nji trup të korruptueshëm, do të ishte nji turp edhe mâ i madh me lindë prej nji nâne me nji shpirt të infektuem prej korrupsionit të mkatit. Nga ana tjetër, « mishi i JEZU-KRISHTIT âsht i njêjtë me até të MARI-së, »vazhdon shpjegimin sh'Agustini, « kshtû që mbas Ringjalljes mishi i Shelbuesit ka kênë i njêjtë me até që ka marrë në barkun e papërlyem të MARI-së. S'fundmi, përfundon Arqipeshkvi i Hipos, n'kjoft se ky privilegj i lavdishëm nuk ishte në doren e Shejtnueshmes Virgjën (mbasi ajo âsht vetëm nji krijesë, ndonse mâ perfekte se tana krijesat e tjera dhe se gjithçka që ajo ka e ka prej Birit të saj hyjnor) ai ishte në doren e Birit që ajo lindi në botë » : 'si non congruit Mariae, congruit Fili quem genuit.' (Hom. de Ass. 37)

Sh'Agustini tuej folë mbi mkatet nuk dishiron që mbi kyt subjekt të flitet për MARI-në, për respekt, thotë ai, për Zotin që ajo ka meritue me pasë për Bir, i Cili i dha hirin me kênë e ruejtun prej çdo mkatit. (De grat., tom 7., c. 37)

Nuk kje turp për JEZU-KRISHTIN me u thirrë, në përbuzje, Biri i MARI-së, si Biri i nji Nânë të thjeshtë, sepse Ai erdhi në tokë për me dhanë shembullin e përvujtnisë dhe durimit, por do të ishte kênë për Té turp n'kjoft se do të ndigjonte prej gojës së djallit fjalët : « A nuk ka lindë aj prej nji nâne mkatnore që dikur ishte skllavja jonë? »

Biri i Zotit erdhi në botë me shelbue njerzimin. Egzistojnë dy mnyra për kyt gjâ, simbas sh'Agustinit : e para, tuej ringritë atë që âsht rrxue, dhe tjetra, tuej e rujtë mos me u rrxue. Kjo e fundit âsht pa dyshim mâ fisnike, shton sh'Agustini, sepse kshtû shmanget dami apo njolla që shpirti pson prej rrximit.

« Për rrjedhojë , thotë Doktori serafik, shêjti Bonaventura, âsht me anen e ksaj mnyre, mâ fisnike dhe mâ të përshtatshme për Nânen e Zotit, që MARIA âsht shelbue. »

Kardinali Hugues shton se « Shelbuesi i ka çlirue prej mkatit gjithë njerzit e tjerë mbas ramjes, por Ai çliroi Nânen e Vet prej turpit të ramjes në mkat »

S'fundmi, mbasi ishte e nevojshme për Atin që të ruante Virgjinën shêjte prej mkatit origjnal si bija e Tij, për Birin, si Nânen e Tij, ishte e nevojshme gjithashtu edhe për SHPIRTIN-SHEJT që ta ruante si Nusen e Tij, gjithmonë virgjën e të papërlyeme. Prandaj Hyji, tuej iu drejtue MARI-së i thotë « Ju keni nji bukuri perfekte dhe njolla e mkatit nuk âsht kênë kurrë në jue » (Cant.4). Simbas sh'Ildefonsit dhe sh'Tomë Akuinatit, kto fjalë i thuhen MARI-së, kurse sh'Bernardini i Sienës dhe sh'Laurenti Justinian thonë se kto fjalë thuhen egzaktsisht për të Xanunit e Papërlyem të Virgjinës.

SHPIRTI-SHEJT e ka quejtë MARI-në 'kopsht i myllun', 'burim i vulosun' (Cant. 4:12) sepse anmiku i njerzimit nuk ka hi kurrë te Virgjina e Papërlyeme për me e njollosë, por ajo ka kênë gjithmonë e mbrojtun prej tij dhe ka ruejtë gjithmonë nji pastërti perfekte të shpirtit dhe të trupit. SHPIRTI-SHEJT e ka dashtë Virgjinën shêjte mâ shumë se tanë engjëjt dhe shêjtnit e tjerë s'bashkut; Ai e ka dashtë qysh prej fillimit dhe e ka ngritë në shêjtni mbi tanë njerzit dhe engjëjt, thotë Profeti mbretnor David, për me diftue se MARIA ka kênë shêjte qysh prej momentin të parë të të xanunit të saj. Tanë shpirtnat e drejtë dhe shejtë janë bij të hirit hyjnor kurse MARIA âsht e vetmja e xanun në hirin hyjnor.

Engjëlli Gabriel, para se Virgjina shêjte me kênë Nâna e Zotit, e gjeti plot me hir hyjnor. Ky hir, thotë sh'Tomë Akuinati, ka shejtnue jo vetëm shpirtin por edhe trupin e MARI-së në mnyrë që ajo të veshte mandej Fjalen e përjetshme, Personen e dytë të Shejtnueshmes TRINI. Kshtû e Shejtnueshmja Virgjina MARI, qysh në të xanunit e saj, âsht pasunue dhe mbushë me hir shêjt prej SHPIRIT-SHEJT.

T'kena pra devocjonin mâ të madh për t'Xanunit Pafaj të Virgjinës MARI, sidomos gjatë ksaj oktave që Kisha shêjte Katolike ia kushton Nânës së Zotit në nder të Konçeptimit të saj të Papërlyem. Ta nderojmë Patronen e Shkodres dhe tanë Shqypnisë me nji pastërti të madhe shpirtnore dhe trupore për me mujtë me tërhjekë mbi vedi dhe familjet tona bekimet e panumërta hyjnore që kjo Nâne e bekueme âsht gadi me na i dhanë për mâ të madhen lavdi të Zotit dhe shêjtnimin e shpirtnavet.


Praktikë në nder të Virgjinës të Papërlyeme, simbas shêjtit të madh misionar sh'Françesk Ksavierit


Të keni nji devocjon të përzemërt për t'Xanunit Pafaj të Virgjinës së lavdishme dhe thirreni shpesh nën titullin e t'Papërlyemes, sidomos në tundimet imorale. Me kyt praktikë devotët e të Papërlyemes MARI janë fitimtarë kundër djallit të imoralitetit. Në sajë të ksaj praktike shêjti i madh, apostulli sh'Françesk Ksavieri, i Kompanisë së JEZUS-it (S.J.), bani aq shumë mrekullina në Indi dhe Japoni tuej pagzue 11 mbretën dhe tuej konvertue rreth 1 milion muhamedanë dhe të pafé.


Bibliografi :

M. Menghi-D'Arville, L'Annuaire de MARIE.., Montréal, 1857.

Abbé Barbier, La Sainte Vierge d'après les Pères, Lyon, Paris, 1867.

mercoledì, dicembre 05, 2012

Për shumë vjet festen e shën'Kollit!


Të dashtun vllâzën e motra!

Për shumë mot festen e moçme të shën'Kollit! Shêjti i mrekullive ju siguroft prej KRISHTIT ZOT me ndërmjetsín e Zojes Bekueme hiret dhe bekimet që dishironi në familjet tueja!