sabato, marzo 30, 2013


Shpjegimi i Pasionit të Zotit tonë JEZU-KRISHTIT simbas sh'Mateut

përkthye prej I.S.





Sh'Françesku i Asizit, nji prej shejtënve mâ të mëdhaj të Kishës Katolike
që ka pasë nji devocjon të jashtzakonshëm për vuejtjet e KRISHTIT ZOT.




Ngjarjet para Pasionit


     Kur evangjelistat flasin për « diten e parë të Azimeve », ata flasin për të Enjten mbrama, që don me thanë, simbas hebrejve, fillimin e të Premtes. Të Enjten sh'Pjetri dhe sh'Gjoni u dërguen prej Shëlbuesit me përgaditë sallen e Cenaklit, në katin e sipërm të nji shpije (Aktet e Apos. 1:13). Kur pat râ nata (sh'Marku 14:17), pra gjatë vigjiljes së parë të natës që zgjat deri në oren 9 të darkës, JEZUSI erdhi me dishepujt dhe u ulën rreth nji tavoline mbi disa jestekë pak të ngritun mbi tokë, tuej u mbështetë mbi krahun e majtë, simbas traditës orientale. Sh'Gjoni, që isht ulë në të djathten e KRISHTIT ZOT, mujti lehtsisht me e mbështetë kryet mbi gjoksin e Shelbuesit. Gjatë ksaj darke, JEZUSI mori nji prej bukve të mëdha pa tharm, të gjanë rreth 20 cm dhe shumë të hollë, dhe e shndrroi në Trupin e Tij, tuej thanë nji lutje eukaristike ose nji akt falenderimit, ashtû si bante ati i familjes i cilli, përpara se ma hangër qingjin e Pashkës, falenderonte Zotin që kishte çlirue Izraelin prej robnijet. Mandej, mbasi kishin hangër darken, ndërkohë që duhej pi edhe nji gotë, simbas ritit mozaik, KRISHTI e shndrroi até në Gjakun e Tij. Për kyt gjâ, Shelbuesi përdori fjalët me anën e të cillave Moisi kishte vulosë Beslidhjen e Vjetër në gjakun e krijesave [kafshëve] : « Ky âsht gjaku i Beslidhjes që Zoti e ka bâ për jue » (Eksodi 24:8) JEZUSI i shtoi dy fjalë : « Ky âsht Gjaku em... i Beslidhjes së Ré ». Në lidhje me Pashken hebreje, qendra e tanë jetës fetare të çifutve, ligjvênsi i Izraelit pat thanë : « Keni me e kujtue kyt ditë dhe keni me e celebrue brez mbas brezit, si nji festë të përhershme » (Ibid. 12:14). Shelbuesi urdhnoi gjithashtu apostujt , « dhe të tanë meshtarve e ardhshëm », shton Konçili i Trentës, me e konsakrue buken dhe vênen « në kujtimin e Tij » (sh'Luka 2:19). Qingji i sakrifikuem qysh mâ shumë se 1500 vjet prej bijve të Izraelit zëvendsohet prej Qingjit të Zotit qe ne do të sakrifikojmë deri në fundin e shekujve dhe Mesha, që âsht Sakrifica e Kalvarit, bahet qendra fetare e të tanë popullit Kristjan.


Gjetsemani


     Fjalët e JEZUSIT mbas Darkës janë nji fjalim sublim që âsht Beslidhja e Tij e dashtnisë. Mbasi doli prej Cenaklit, Shelbuesi kaloi deren e murit të qytetit, e cila gjindej jo larg pishinës së Siloesë, dhe iu ngjit luginës së Cedronit, përgjatë lagjes së Ofelit, për me shkue në kopshtin e Gjetsemanit, rranzë malit të Ullijve. Tre apostujt dishmitarë të Transfigurimit kjenë prezent gjatë agonisë së KRISHTIT, e përsëritun tri herë. Juda, i cilli kishte shitë Zotin e tij për 30 denarë, erdhi me shefin e nji trupe ushtarësh romakë s'bashkut me roje të Tempullit të dërguem prej Sanhedrinit (Gjyqit suprem hebraik). Mbas kapjes së JEZUSIT, ata hyne në Jeruzalem tuej iu njitë të përpjetave veri-lindore të qytetit dhe shkuen në pallatin e priftnijve të mëdhaj [priftnijve shefa].


Gjyqi fetar para Anës dhe Kaifës


     Proçesi gjyqsor fetar, mbasi ishin autoritetet fetare çifute ata që do të pvetshin JEZUSIN, do të informohej mbi shprehjen e përdorun prej JEZUSIT kur kishte thanë se âsht Biri i Zotit. Sanhedrini përbahej prej 70 vetve në krye të të cillit gjindeshin princat e priftnijve dhe shefi i tyne suprem, Prifti i madh. Ana kishte mujtë me e sigurue titullin e priftit të madh për 5 fmijet e tij dhe, në vjetin e dekës së Zotit tonë JEZU-KRISHTIT, për dhandrin e tij, Kaifen. Të pabesë ndaj misionit të tyne, përfaqsuesit zyrtarë të fesë hebraike pritshin për Mesi nji mbret luftarak që do ti lironte me armë prej zgjedhës romake. JEZUSI u çue në fillim te Ana, vjehrri i Priftit të Madh. Tuej mos kênë mâ pontif, ai ishte i paaftë me gjykue KRISHTIN, të Cillin e çoi te dhandri i tij, Kaifa. Ai e priti JEZUSIN në nji pjesë tjetër të pallatit, i ulun kambkryq, simbas zakonit, mbi nji platformë pak të ngritun. Rreth tij, në formë gjysrrethore, mbi disa jestekë, për tokë, ishin të ulun priftnijt e tjerë. Kjo proçedure gjyqsore ishte ilegale sepse duhej bâ diten dhe në prezencen e dishmitarve. Ndërkohë, ora ishte rreth 2 e mesnatës dhe u gjetën dishmitarë të rremë. Jozef Kaifa, atherë, i mbushun me inat, e ven JEZUSIN në bé me i thanë solemnisht n'kjoft se Ai âsht Biri i Zotit. Kjo pyetje ishte kundër ligjit mozaik që në kyt rast anullonte dishminë e të akuzuemit. JEZUSI që prite kyt rast për me folë, pohon zyrtarisht Hyjninë e Tij përpara autoriteteve fetare hebraike të mbledhuna në kshill suprem. Si rrjedhojë, tuej e akuzue për blasfemi,E dënojnë të dênjë për vdekje. KRISHTI Zot pranon dënimin sepse pikërisht tuej kênë Biri i Zotit, Ai mundet me i dhanë nji vlerë të pafundme sakrificës që ka me i ofrue Hyjit, Atit të Tij, për njerzit, vllâznit e Tij.


Shërbtorët e priftnijve – Sh'Pjetri – Juda


     Për pjesen e mbetun të natës, Shelbuesi lêhet në duert e shërbtorve të priftnijve të cillët E mbulojnë me tallje e turtura. Gjatë ksaj nate, sh'Pjetri që e kishte ndjekë JEZUSIN prej arg, me ndihmen e sh'Gjon Evangjelistit, mujti me hi në oborrin e pallatit të priftnijve të mëdhaj, ku mohoi tri herë Shelbuesin e tij. Mbas kndimit të dytë të gjelit, ai doli prej pallatit dhe « kjau me zâ të naltë, me dënesa », shpjegon teksti grek. Kah mjesi, Sanhedrini u mbodh prapë për me i dhanë vendimit të tij, që duhej marrë diten, nji pamje legale. JEZUSI u nxorr prapë para kshillit dhe kur Ai deklaroi publikisht se âsht Biri i Zotit u dënue edhe njiherë. Atherë Juda kuptoi tanë madhsinë e krimit të tij. I brejtun prej ndërgjegjes, ai shkoi me takue kshillin e priftnijve që ishte prapë i mbledhun për me u thanë se « kishte mkatnue tuej dorzue Gjakun e të Drejtit ». I mbytun prej dishprimit, tradhtari hodhi në Tempull monedhat e sermit që kishte marrë dhe tuej zbritë drejt pishinës së Siloesë u fut në gryken e thellë ku rrjedh prroni i Hinomit. Në kyt vend i quejtun Gjehenë (Ge-Hinnom), « ai vari vedin » (Sh'Mateu 7:5). E « kur litari u kput, ai ra me krye poshtë, u ça dhe i dolen zorrët jashtë » (A.A.I, 18)


Proçesi civil para Pilatit


     Vetëm Rroma, që sundonte n'at kohë Palestinën, kishte të drejten e gjykimit me vdekje. Duhej me iu drejtue prokurorit romak dhe kshtû çuen JEZUSIN te gjykata e Poncit Pilat në fortesën Antonia ku çifutnit nuk hyne sepse shpia e nji pagani do ti njolloste zyrtarisht në festen e Pashkës. Para ktij gjyqi civil duhej nji krim i nji natyre politike. Mesia, për çifutët, duhej të ishte nji monark toksuer. E akuzuen atherë JEZUSIN, që quhej Mesia, si nji Mbret konkurrues i Çezarit. Në kyt terren të ri, u përsërit e njêjta ngjarje si naten e maparshme : e njêjta heshtje e KRISHTIT ZOT para dishmitarve të rremë; i njêjti afirmim zyrtar i Mbretnisë së Tij shpirtnore para botës pagane, e cilla përfaqsohej kyt herë prej atyne që mbajshin frenat e perandorisë botnore; të njêjtat trajtime të dhunshme, kyt herë prej ushtarve romakë. Por JEZUSI, që në fakt drejtonte ngjarjet, deshti me u dënue vetëm si Biri i Zotit dhe Mbreti i shpirtnavet. Ai e riktheu çâshtjen në terrenin fetar tuej thanë : « Mbretnija eme nuk âsht e ksaj bote ». Për rrjedhojë, çâshtja delte jashtë kompetencave të Pilatit, i cilli E deklaroi krejtsisht të pafajshëm. Çifutnit atherë përdoren kërcënimet. Pilati, shumë frikacak me ushtrue autoritetin e tij mbi nji turmë që do të hakmerrej tuej e akuzue para Çezarit, kërkoi me ruejtë interesat personale, megjithë protestat e nji ndërgjegjeje pagane supersticioze që frigohej prej ndëshkimit të « zotnave ».


Herodi – Pilati - Barabas – Rrahja me kamxhik


     Mbasi msoi se JEZUSI, për sa i përket Natyrës Njerzore, ishte prej Galilesë, Pilati përfitoi me E nisë për gjykim te Herodi. Ky tetrark ishte i biri i Herodit të Madh që urdhnoi masakren e fmijve të pâfajshëm kur mbretnit prej Lindjes lajmnuen se « Mbreti i hebrejve » sapo kishte lindë. I turpnuem prej heshtjes së JEZUSIT, ai, nga ana e tij, i turpnoi çifutnit tuej veshë JEZUSIN me petkun e bardhë të kandidatve për mbret, titull që çifutnit ia mohojshin KRISHTIT ZOT. Së dyti, Pilati përpiqet me dalë prej situatës së vshtirë tuej vue në nji rang nji vrasës si Barabas me KRISHTIN ZOT; por edhe kjo nuk pati sukses. Së treti, Pilati përdor rrahjen me kamxhik tuej shpresue me prekë çifutnit dhe me E lanë mandej JEZUSIN të lirë. Kjo turturë e turpshme rezervohej për skllevnit. Viktimës së zhdeshun i lidheshin duert te unaza e nji kolone të ultë. Egzekutuesi i pajisun me nji kamxhik me rrypa elastike, të cillat përfundojshin me koca apo gjyle të vogla plumbit, rrahte me nji ngadalsi të kalkulueme shpinen e përkulun dhe të tendosun të viktimës. Rrypat tuej u përkulë me elasticitet rreth trupit grryjshin shpatullat dhe gjoksin tuej lanë brazda të thella, prej ku rridhte gjaku e prej ku shkëputeshin copa mishit. JEZUSI âsht paraqitë në kyt gjendje para turmës, i veshun me nji pekt të kuq, me kunoren e Tij dhe skeptrin prej kallamit. Çifutnit kuptuen krejt ironinë e ksaj skene. A do të guxojshin me pâ prapë te ky Mbret konkurruesin e Çezarit ?


Dënimi i JEZUSIT


     Çifutnit atherë hidhen me përbuzje mbi titullin e Tij të Birit të Zotit, që do të ishte edhe arsyeja e vdekjes së Shelbuesit. Pilati, me qetsue vedin, mendon me gjetë nji rrugdalje të fundit, tuej kujtue thirrjet e çitutve kundër tij : « Kena me të paditë te Çezari ». Nëpërmjet aktit simbolik të lamjes së duerve, ai u difton çifutve se para gjyqit të tij, JEZUSI âsht i pafajshëm dhe Ia dorzon atyne vetëm se kta pretendojshin se ligjet hebraike e dënojshin KRISHTIN ZOT. Kyt gjâ Pilati ka me e pohue deri në momentin e fundit, tuej varë mbi Kryq nji pllakë drunit, që diftonte simbas zakonit arsyen e dënimit. Mbi pllakë, në hebraisht, greqisht e latinisht shkruheshin kto fjalë : « JEZUSI i Nazaretit, Mbreti i çifutve ». Pilati, prej frigës, âsht fajtor për kyt vrasje, kurse çifutnit, prej urrejtjes së tyne kundër Birit të Zotit, janë fajtorë të vrasjes së Zotit (Deicida) (lat).


Udha e Krygjës – Kryqzimi – Agonia


     Rreth orës 11 të mjesit, JEZUSI la gjyqin e Pilatit. Rruga e dhimbshme e krygjës filloi prej rrugës që zbret në luginën e Tiropeonit (Tyropoeon) dhe që ngjitet drejt lindjes, nëpërmjet nji të përpjete, deri te dyert e qytetit. Atje, jashtë mureve, në malin e Golgotës kryheshin egzekutimet. Në mesin e nji nate të thellë, që zgjati prej mesditës deri në 3 mbasdite e që u vërejt në të tanë perandorinë romake, JEZUSI vuejti turturen e fundit. Vdekja e krygjës ishte vuejtja mâ mizore dhe mâ e tmerrshme sepse viktima, pa mujtë me lëvizë, duhej me mbajtë, për disa orë, peshen e trupit mbi krahët e shtrimë. Prej tensionit të tmerrshëm, gjaku i viktimës bllokohej në fytyrë dhe në gjoks dhe provokonte nji dhimbje të patolerueshme që karakterizohej veçanarisht prej nji etjeje përvëluese. Me dekë i kryqzuem ishte me dekë vetëm prej dhimbjes në agoninë mâ të tmerrshme të mundshme. Kah mbramja, i theheshin kambët viktimës me përshpejtue vdekjen.


Vdekja e JEZUSIT – Varrimi i Tij


     Atherë erdhi momenti deçiziv që do të shënonte për njerzimin mbarë oren e tij të shëlbimit. JEZUSI ka me vulosë me Gjakun e Tij tana aktet e jetës së Tij n'mnyrë që ata të jenë akte shelbuese. E për me diftue se jo prej detyrimit por prej dashtnisë për Atin e Tij e për të tanë njerzit që Shelbuesi lejoi vdekjen me iu afrue dhe me bâ punen e vet, JEZUSI lëshoi nji britmë të madhe dhe dhâ Shpirtin në duert e Atit të gjithpushtetshëm. Shelbuesi jonë hyjnor ka vdekë. Me Virgjinën MARI, Nânen e Tij e Nânen tonë, dhe sh'Gjon Evangjelistin të qëndrojmë te kambët e Krygjës dhe, si disa çifutë që u konvertuen në kyt moment, ti bijmë edhe na gjoksit në shêj pendeset, sepse Biri i Zotit i ofroi Jeten e Vet Hyjit për me shlye mkatet tona.

Sakrifica pafundsisht shêjte u ofrue rreth orës 3 mbasdite. Rreth orës 5 të mbramjes, JEZUSI u lirue prej Krygjës dhe u vorros me ngut sepse në oren 6 të mbramjes fillonte Sabati që, në at vjet, ishte nji Sabat fort zyrtar (Sh'Gjoni 19:31) Ai përputhej në fakt me 25 Nisanin, diten mâ të rândsishme të festës së Pashkës. Ky Sabat simbolizon në mnyrë perfekte pushimin në të cilin ka hye përgjithmonë JEZUSI. Çifutnit nuk kishin vorreza. Ata përgaditshin nji vorr në pronën e tyne, shpesh në dy anët e rrugve kryesore. Jozefi, që ishte prej Arimatijet, qytet në Judé, vuni JEZUSIN në vorrin që ai kishte përgaditë për vedi e që ndodhej në nji kopsht afër vendit ku vdiq Shelbuesi. Nikodemi kishte prue rreth 32 kg parfum për me krye provizorisht ceremonitë e varrimit simbas zakonit hebraik. Mandej e mbyllen vorrin me nji gur të madh, në formë e gurit të mullinit që lëvizej me shumë vështirsi. Gratë shejte u kthyen atherë në qytet me ble erëza me qëllimin me E varros JEZUSIN si duhet, mbas pushimit të Sabatit. Të nesërmen ose të Shtunden çifutët vulosën vorrin dhe vunë roje.

N'kto ditë të bekueme të thojmë edhe na me JEZUSIN lutjen e Kungimit :

« Ati em, n'kjoft se kjo Kupë nuk mund të kalojë pa e pi, u baftë Vullnesa Juej ».







domenica, marzo 24, 2013


Sermon për të Dielen e dytë të Krezhmes
prej Doktorit të famshëm të Kishes Katolike 
sh'Alfons-MARIA i Liguorit

përkthyem prej I.S.




Mbi Parrizin

« Zot, âsht mirë për ne me kênë ktû » (sh'Mateu 17:4)




     Në Unjillin e ditës së sotme lexojmë se, tuej dashtë me i dhanë dishepujve të Tij nji rreze të lumnisë se Parrizit për me i inkurajue ata me punue për nderin hynor, Shëlbuesi u shndrrue dhe i lejoi ata me pâ ndriçimin e Ftyrës së Tij. I egzaltuem me gzim e knaqsí, sh'Pjerti shpërtheu : « Zot, âsht mirë për ne me kênë ktû. » Zot, na lejoni me ndejë ktû e mos të ikim mâ kurrë prej ktij vendit sepse pamja e bukurisë Tuej na ngushllon mâ tepër se tâna knaqsitë e botës. Vllâzën, t'punojmë gjatë viteve që na mbesin n'kyt jetë për me fitue Parrizin, i cilli âsht nji e mirë aq e madhe sa që JEZU-KRISHTI ka sakrifikue jetën e Tij në Kryq për me na e blé até. Të jeni të sigurtë se mundimi mâ i madh i të mallkuemve në Ferr vjen prej mendimit që ata kanë hupë Parrzin për fajin e tyne. Bekimet, knaqsitë, gzimet dhe âmblësia e Parrizit munden me u fitue por vetëm shpirtnat e të bekuemve, që i gzojnë ata, munden me i përshkrue e kuptue. Por t'përpiqena tashti, me ndihmen e Shkrimeve Shejte, me i shpjegue me aq pak sa mundet me u folë për ta.

1. Simbas Apostullit [sh'Palit] asnji njiri n'kyt botë nuk mundet me kuptue bekimet e pafundme që Zoti ka përgaditë për shpirtnat që E dojnë. « Syni nuk ka pâ, veshi nuk ka ndie e zemra e njirit nuk ka kuptue çfarë gjanash i Madhi Zot ka përgaditë për ata që E dojnë. » (1 Kor. 2:9) Në kyt jetë, na nuk mundena me imagjinue knaqsi të tjera përveç atyne të shqisave. Ndoshta mendojmë se bukuria e Qiejve i gjason nji lëndine të madhe të mbulueme me jeshildhekun e pranverës, e ndërthurun me pemë të lulzueme dhe e mbushun me zogj që fluturojnë dhe kndojnë në të tana anët; ose ndoshta e përftyrojmë Parrizin si nji kopsht të bukur të mbushun me fruta dhe lule e të rrethuem me burime ujit që rrjedhin pa pushue. « Oh! Çfarë Parrizit » me kundendue ? at lëndinë ose at kopsht! Por oh! Sa mâ të mëdhaja janë bukuritë e Qiejve! Tuej folë për Parrizin, sh'Bernardi thotë : « O njiri, n'kjoft se dishiron me kuptue bekimet e Qiejve, dije se n'at vend të lumtun nuk ka asgjâ të pakandshme dhe ka gjithshka që ti dishiron. « Nihil est quod nolis, totum est quod velis. » Edhe pse ktu mbi tokë ka disa gjana të kândshme për shqisat, sa shumë gjana tjera veçse na mundojnë ? N'kjoft se drita e ditës âsht e pëlqyeshme, errsina e natës âsht e pakandshme; n'kjoft se pranvera dhe vjeshta janë të gëzueshme, i ftofti i dimnit dhe nxehtsia e verës janë të mundimshme. Për ma tepër, na duhet me durue dhimbat e sëmundjes, persekutimin e njerzve dhe vshtirsitë e vorfnisë; na duhet me përballue problemet e mbrendshme morale, frigët, tundimet e djallit, dyshimet e ndërgjegjes dhe pasigurinë e shëlbimit të përjetshëm.

2. Por mbas hymjes në Parriz, të bekuemit nuk kanë me pasë mâ mundime. « Hyji ka me u fshí çdo lot prej syve të tyne. » Zoti ka me u fshí lotët e derdhun gjatë jetës toksore. « Dhe deka nuk ka me kênë mâ, as zija e mortit, as gjamat e as dhimbat, sepse gjanat e mâparshme do të kenë kalue. Dhe Ai që ishte i ulun mbi fron tha : « Shifni, po i baj tana gjanat të reja. » (Apokalipsi 21:4-5) Në Parriz, deka dhe friga e dekës nuk kanë me egzistrue mâ; në at vend të lumnisë nuk ka as vuejtje, as dhimbje, as vorfní, as vshtirsina, as ndryshimet e ditës dhe të natës, të ftofit dhe të nxehtit. Në até mbretní, ka nji ditë të vazhdueshme, gjithmonë të bukur, nji pranverë të vazhdueshme, gjithmonë të lulëzueshme. Në Parriz nuk ka as persekucione e as anmiqsina, sepse të tanë duejnë njêni-tjetrin me dashamirsí dhe sejcili gëzohet për lumninë e tjetrit si me kênë e vetja. Nuk egziston ma friga e hupjes së përjetshme sepse shpirti i siguruem në hir nuk ka me mujtë mâ as me mkatnue e as me hupë Zotin.

3. « Totum est quod velis. » Në Parriz mundesh me gjetë gjithshka që dishiron. « Shifni, po i baj të tana gjanat të reja. Atje çdo gja âsht e re; bukuri të reja, knaqsi të reja, gzime të reja. Atje të gjitha dishirat tona kanë me u plotsue. Të pamit ka me u ngí tuej pa bukurinë e atij qyteti. Sa e kandshme me pa nji qytet ku rrugët janë prej kristalit, shpitë, prej argjendit, dritaret, prej arit dhe gjithshka ka me kênë e zbukurueme me lulet ma të bukura ! Por, oh! Sa herë ma i bukur ka me kênë qyteti i Parrizit ! Bukuria e ktij vendi ka me u rritë prej bukurisë se qytetarve të tij të cilët janë të tanë të veshun me tesha mbretnore sepse, simbas sh'Agustinit, ata janë të tanë mbretën. « Quot cives, tot reges. » Çfarë knaqsijet do të jetë me pa Virgjinen MARI, Mbretneshen e Parrizit, që ka me u dukë ma e bukur se tanë qytetarët e tjerë të Parrizit! Por çfarë knaqsijet ka ma kenë me pa bukurinë e JEZU-KRISHTIT! Shêjtja Tereze pâ nji ditë njênën prej duerve të JEZU-KRISHTIT dhe mbeti e habitun prej bukurisë. Të nuhatuni ka me u ngí me aroma, por me aromat e Parrizit. Të ndigjuemit ka me u ngí me harmoninë e tingujve qiellorë. Sh'Françesku ndigjoi nji herë për nji moment nji engjëll tuej lujtë në violinë dhe për pak vdiq prej knaqsisë. Çfarë knqsijet ka me kenë me ndigjue shêjtnit dhe engjujt tuej kndue lavdet hyjnore! « Ata kanë me Ju lëvdue për jetë të jetve. » (Psalmi LXXXIII:5) Çfarë ka me kenë me ndigjue Virgjinen MARI tuej levdue Zotin! Sh'Françesku i Sales thotë se ashtu si kanga e bilbilit në pyll ia kalon kangës së tanë zogjve të tjerë ashtu edhe zani i Nânës së Zotit asht shumë herë ma superior se ai i tanë shejtënve të tjerë. Me nji fjalë, në Parriz janë të tana knaqsitë që njiri dishiron.

4. Por knaqsitë për të cilat folëm janë vetëm bekimet mâ të vogla të Parrizit. Lavdia e Parrizit konsiston me pa Hyjin ballë për ballë. « Totum quod expectamus, » thotë sh'Agustini, « duae syllabae sunt, Deus. » Shpërblimi që Zoti na premton nuk konsiston tânsisht në bukurinë, harmoninë dhe avantazhet e tjera të qytetit të Parrizit. Vetë i Madhi Zot, të Cilin shejtnit munden me E pâ, âsht, simbas premtimeve të Abrahamit, shpërblimi kryesuer i të drejtëve në Qiell. « Un jam shpërblimi yt jashtzakonisht i madh. » (Gen. XV:1) Sh'Agustini pohon se sikur i Madhi Zot t'u diftonte Ftyren e Tij të mallkuemve « Ferri do të shndrrohej menjiherë në nji Parriz knaqsish. » (Lib. De trip. Habit., tom. 9.) Dhe ai shton tuej thanë se n'kjoft se shpirti i nji të dekunit do të kishte mundsinë e zgjedhjes midis vizionit të Zotit por tuej durue vuejtjet e Ferrit dhe lirimit prej ktyne vuejtjeve infernale por tuej hupë vizionin e Zotit, « shpirti do të preferonte me pâ Zotin dhe me vuejtë torturat e Ferrit. »

5. Knaqsitë e shpirtit tejkalojnë pafundsisht të tana gzimet e shqisave. Edhe n'kyt jetë, Dashtnija Hyjnore shtjen n'shpirt aq âmbëlsi, kur Zoti komunikon me shpirtin, saqë trupi ngrihet prej tokës. Sh'Pjetër Alkantara, nji herë râ n'nji ekstazë dashtnijet aq të fortë saqë, tuej rrokë nji pemë, u ngrit n'ajër dhe mori edhe pemen me vedi, tuej e zhgulë prej rrânjësh. Aq e madhe âsht âmbëlsija e Dashtnisë Hyjnore, saqë shêjtnit martirë në mes të torturave të tyne nuk ndijshin asnji dhimbje, përkundrazi ishin të mbushun me gzim. Prandej, sh'Agustini thotë se kur sh'Lorenci u pat vue mbi nji skarë (shtrat hekurit) të skuqun prej zjermit, ngrohtsija e Dashtnisë Hyjnore e bani të pandijshëm karshi nxehtsisë djegsë te zjermit që skuqte skaren. « Hoc igne incensus non sentit incendium. » Edhe mkatnorve, që bajnë pendesë për mkatet e tyne, Zoti u nep ngushëllime që i kalojnë të tana knaqsitë toksore. Prandej sh'Bernardi thotë : « N'kjoft se âsht kaq e âmbël me kja për Jue, si ka me kênë me u gzue n'Jue ! »

6. Sa e madhe âsht âmbëlsija që nji shpirt ndien kur, në kohen e lutjes, Hyji, me anen e nji rrezeje të Dritës së Tij, i difton shpirtit mirsinë dhe mshirën e Tij për té dhe veçanarisht dashtninë që JEZU-KRISHTI i ka diftue në Pasionin e Tij ! Shpirti ndien zemren e tij tuej u shkrie dhe si me kênë tuej u shpërbâ prej dashtnisë. Por në kyt jetë ne nuk e shofim Zotin ashtû siç âsht : ne E shofim si me kênë në errsinë. « Tashti na shofim nëpërmjet nji xhamit, n'nji mnyrë të errët por mandej, ballë për ballë. » (1 Cor. 13:12) Ktu poshtë, Zoti âsht i mshehun prej pamjes tonë; na mundena me E pa vetëm me sytë e Fesë. Sa e madhe ka me kênë knaqsija jonë kur perdja ku ma u hjekë dhe kur kena me u lejue ma pa Zotin ballë për ballë ! Atherë, kena me pa bukurinë, madhninë, perfeksionin, dashamirsinë dhe dashtninë e Tij të pafundme për shpirtnat tonë.

7. « Njiri nuk e din a âsht i dênjë për dashtni apo urrejtje. » (Eccl. 9:1) Friga e mos dashtjes së Zotit dhe i mos t'kênit i dashtun prej Tij âsht vuejtja mâ e madhe që kalojnë mbi tokë ato shpirtna që duejnë Zotin. Por në Parriz, shpirti âsht i sigurtë se ai e don Zotin dhe se Zoti e don até; ai e shef se Hyji e përqafon até me nji dashtni të pafundme dhe se kjo dashtni nuk ka me u shpërbâ kurrë, për jetë të jetve. Dija e dashtnisë që JEZU-KRISHTI i ka diftue tuej ofrue Vetvedin në sakrificë për té mbi Kryq, dhe tuej u bâ ushqimi i tij në Sakramendin e Elterit, ka me ndezë mâ shumë zjermin e dashtnisë së tij. Ai ka me pâ se tana mundimet, vorfnia, sëmundjet dhe persekutimet të cillat ai i ka konsiderue si gjâma kanë ardhë të gjitha prej dashnisë dhe janë kênë mjetet e përdoruna prej Providencës Hyjnore me e çue até në lavdi. Ai ka me pâ të tana inspirimet, thirrjet e dashtnisë dhe mshiret qe I Madhi Zot i ka dhanë mbasi ai e ka fye me mkat. Prej malit të bekuem të Parrizit ai ka me pâ se sa shumë shpirtna janë mallkue për ma pak mkate se mkatet e bame prej tij dhe ai ka me pâ se ai âsht i pshtuem dhe i sigurtë se nuk ka me e hupë ma kurrë të Madhin Zot.

8. Të mira e ksaj toke nuk i plotsojnë dishirat tona : në fillim ata knaqin shqisat por kur msohena me ta ata nuk na pëlqejnë mâ. Por gzimet e Parrizit ngijnë dhe gzojnë vazhdimisht zemren. « Kam me u gzue kur të shfaqet lavdia Juej. » (Psalmi 16:15) Edhe pse të ngijnë, ato gzime duken po aq të reja si herën e parë që janë shijue; ata të knaqin gjithmonë, të bajnë me i dishirue gjithmonë dhe posedohen gjithmonë. « Ngimja, » thotë sh'Gregori, « shoqnon dishiren. » (Lib. 13, Mor., c. 18) Kshtû, dishirat e shejtënve n'Parriz nuk shkaktojnë vuejtje sepse kto t'bekuem janë gjithmonë të knaqun; dhe ngimja nuk prodhon neveri sepse ajo âsht e shoqnueme gjithmonë me dishirë. Prandaj shpirti ka me kênë gjithmonë i knaqun dhe gjithmonë i etun : ai ka me kênë përjetë i etun dhe përjetë i knaqun me knaqsí. Të mallkuemit janë, simbas Apostullit, enë t'mbushuna plot me idhnim dhe mundime, « enë idhnimit gadi për shkatrrim. » (Rom. 9:22) Por të drejtët janë enë të mbushuna me mshirë dhe gzim, kshtû që ata nuk kanë asgjâ me dishirue. « Ata kanë me u mbushë me bollekun e shpisë Tuej. » (Psalmi 35:9) Tuej kundrue bukurinë e Hyjit, shpirti ka me u flakrue dhe me u dejë aq shumë me Dashtninë hyjnore saqë ai, me lumni, ka me ndejë i hupun në Zotin; ai ka me e harrue vedin krejtsisht dhe për tanë përjetsinë ka me mendue vetëm me dashtë dhe lëvdue të miren e jashtzakonshme që ka me e posedue përgjithmonë dhe që nuk ka me mujtë me e hupë kurrë. Në kyt jetë shpirtnat shêjte dojnë Zotin por ata nuk munden me E dashtë me të tanë fuqinë e tyne dhe pa ndërpremje. Sh'Tome Akuinati mson se kjo dashtni perfekte i nepet vetëm qytetarve të Qiellit, t'cillët dojnë Hyjin me tanë zemren e tyne dhe në mnyrë të vazhdueshme. « Ut totum cor hominis semper actualiter in Deum feratur ista est perfectio patriae. » (2, 2 quaest. 44, art. 4, ad. 2)

9. Sh'Agustini ka thanë me të drejtë se për me fitue lavdinë e përjetshme të Parrizit ne do të duhej të ishim gadi me punue përjetë. « Pro aeterna requie aeternus labor subeundus esset. » « Ata keni me i shelbye për hiç gjâ. » thotë Mbreti David (Psalmi lv:8) Shejtnit kanë bâ krejt pak me fitue Parrizin. Sa e sa mbretën kanë dorzue fronin e tyne e janë mbyllë në nji qelë; sa e sa eremitë shejtë kanë kalue jetën në nji shpellë; sa e sa martirë që u janë nënshtrue me gzim torturave kanë bâ vetëm pak. « Vuejtjet e ksaj jete nuk janë të dênja me u krahasue me lavdinë e ardhshme. » (Rom. 8:18) Për me fitue Parrizin do t'ishte kenë vetëm pak gjâ me vuejtë të tâna mundimet e ksaj jete.

10. T'angazhohena pra, vllâzën, me durue me guxim të tâna vuejtjet që mund t'na vijnë deri n'fundin e ksaj jete; me sigurue Parrizin ata janë pak e kurrgjâ. Gzohuni pra se të tâna kto vuejte, dhimbje dhe persekutime, n'kjoft se keni me u shelbue, kanë me kênë nji burim i pashtershëm gzimesh e knaqsish. « Dhimbjet tueja kanë me u kthye në gzim. » (sh'Gjoni 16:20) Atherë, pra, kur krygjet e ksaj jete t'na mundojnë, të çojmë sytë kah Qielli dhe të ngushëllohena me shpresen e fitimit të Parrizit. Në fund të jetës së saj, sh'Maria e Egjiptit kje pvetë prej abotit sh'Zozimus se si kishte mujtë me jetue për 47 vjet në shkretinë, aty ku aboti e gjeti shejten pendimtare tuej dekë. Ajo iu përgjigj : « Tuej shpresue fitimin e Parrizit. » N'kjoft se na do të mbushena me të njejten shpresë, nuk kena me i ndie vështirsitë e ksaj jete. Guxim ! Të duejmë Hyjin dhe të punojmë për Parrizin, ku na presin shejtnit, Virgjina MARI, vetë JEZU-KRISHTI. Ai mban në duer nji kunorë për me na kunorzue sejcilin prej nesh mbret në até Mbretni të përjetshme.