sabato, marzo 30, 2013


Shpjegimi i Pasionit të Zotit tonë JEZU-KRISHTIT simbas sh'Mateut

përkthye prej I.S.





Sh'Françesku i Asizit, nji prej shejtënve mâ të mëdhaj të Kishës Katolike
që ka pasë nji devocjon të jashtzakonshëm për vuejtjet e KRISHTIT ZOT.




Ngjarjet para Pasionit


     Kur evangjelistat flasin për « diten e parë të Azimeve », ata flasin për të Enjten mbrama, që don me thanë, simbas hebrejve, fillimin e të Premtes. Të Enjten sh'Pjetri dhe sh'Gjoni u dërguen prej Shëlbuesit me përgaditë sallen e Cenaklit, në katin e sipërm të nji shpije (Aktet e Apos. 1:13). Kur pat râ nata (sh'Marku 14:17), pra gjatë vigjiljes së parë të natës që zgjat deri në oren 9 të darkës, JEZUSI erdhi me dishepujt dhe u ulën rreth nji tavoline mbi disa jestekë pak të ngritun mbi tokë, tuej u mbështetë mbi krahun e majtë, simbas traditës orientale. Sh'Gjoni, që isht ulë në të djathten e KRISHTIT ZOT, mujti lehtsisht me e mbështetë kryet mbi gjoksin e Shelbuesit. Gjatë ksaj darke, JEZUSI mori nji prej bukve të mëdha pa tharm, të gjanë rreth 20 cm dhe shumë të hollë, dhe e shndrroi në Trupin e Tij, tuej thanë nji lutje eukaristike ose nji akt falenderimit, ashtû si bante ati i familjes i cilli, përpara se ma hangër qingjin e Pashkës, falenderonte Zotin që kishte çlirue Izraelin prej robnijet. Mandej, mbasi kishin hangër darken, ndërkohë që duhej pi edhe nji gotë, simbas ritit mozaik, KRISHTI e shndrroi até në Gjakun e Tij. Për kyt gjâ, Shelbuesi përdori fjalët me anën e të cillave Moisi kishte vulosë Beslidhjen e Vjetër në gjakun e krijesave [kafshëve] : « Ky âsht gjaku i Beslidhjes që Zoti e ka bâ për jue » (Eksodi 24:8) JEZUSI i shtoi dy fjalë : « Ky âsht Gjaku em... i Beslidhjes së Ré ». Në lidhje me Pashken hebreje, qendra e tanë jetës fetare të çifutve, ligjvênsi i Izraelit pat thanë : « Keni me e kujtue kyt ditë dhe keni me e celebrue brez mbas brezit, si nji festë të përhershme » (Ibid. 12:14). Shelbuesi urdhnoi gjithashtu apostujt , « dhe të tanë meshtarve e ardhshëm », shton Konçili i Trentës, me e konsakrue buken dhe vênen « në kujtimin e Tij » (sh'Luka 2:19). Qingji i sakrifikuem qysh mâ shumë se 1500 vjet prej bijve të Izraelit zëvendsohet prej Qingjit të Zotit qe ne do të sakrifikojmë deri në fundin e shekujve dhe Mesha, që âsht Sakrifica e Kalvarit, bahet qendra fetare e të tanë popullit Kristjan.


Gjetsemani


     Fjalët e JEZUSIT mbas Darkës janë nji fjalim sublim që âsht Beslidhja e Tij e dashtnisë. Mbasi doli prej Cenaklit, Shelbuesi kaloi deren e murit të qytetit, e cila gjindej jo larg pishinës së Siloesë, dhe iu ngjit luginës së Cedronit, përgjatë lagjes së Ofelit, për me shkue në kopshtin e Gjetsemanit, rranzë malit të Ullijve. Tre apostujt dishmitarë të Transfigurimit kjenë prezent gjatë agonisë së KRISHTIT, e përsëritun tri herë. Juda, i cilli kishte shitë Zotin e tij për 30 denarë, erdhi me shefin e nji trupe ushtarësh romakë s'bashkut me roje të Tempullit të dërguem prej Sanhedrinit (Gjyqit suprem hebraik). Mbas kapjes së JEZUSIT, ata hyne në Jeruzalem tuej iu njitë të përpjetave veri-lindore të qytetit dhe shkuen në pallatin e priftnijve të mëdhaj [priftnijve shefa].


Gjyqi fetar para Anës dhe Kaifës


     Proçesi gjyqsor fetar, mbasi ishin autoritetet fetare çifute ata që do të pvetshin JEZUSIN, do të informohej mbi shprehjen e përdorun prej JEZUSIT kur kishte thanë se âsht Biri i Zotit. Sanhedrini përbahej prej 70 vetve në krye të të cillit gjindeshin princat e priftnijve dhe shefi i tyne suprem, Prifti i madh. Ana kishte mujtë me e sigurue titullin e priftit të madh për 5 fmijet e tij dhe, në vjetin e dekës së Zotit tonë JEZU-KRISHTIT, për dhandrin e tij, Kaifen. Të pabesë ndaj misionit të tyne, përfaqsuesit zyrtarë të fesë hebraike pritshin për Mesi nji mbret luftarak që do ti lironte me armë prej zgjedhës romake. JEZUSI u çue në fillim te Ana, vjehrri i Priftit të Madh. Tuej mos kênë mâ pontif, ai ishte i paaftë me gjykue KRISHTIN, të Cillin e çoi te dhandri i tij, Kaifa. Ai e priti JEZUSIN në nji pjesë tjetër të pallatit, i ulun kambkryq, simbas zakonit, mbi nji platformë pak të ngritun. Rreth tij, në formë gjysrrethore, mbi disa jestekë, për tokë, ishin të ulun priftnijt e tjerë. Kjo proçedure gjyqsore ishte ilegale sepse duhej bâ diten dhe në prezencen e dishmitarve. Ndërkohë, ora ishte rreth 2 e mesnatës dhe u gjetën dishmitarë të rremë. Jozef Kaifa, atherë, i mbushun me inat, e ven JEZUSIN në bé me i thanë solemnisht n'kjoft se Ai âsht Biri i Zotit. Kjo pyetje ishte kundër ligjit mozaik që në kyt rast anullonte dishminë e të akuzuemit. JEZUSI që prite kyt rast për me folë, pohon zyrtarisht Hyjninë e Tij përpara autoriteteve fetare hebraike të mbledhuna në kshill suprem. Si rrjedhojë, tuej e akuzue për blasfemi,E dënojnë të dênjë për vdekje. KRISHTI Zot pranon dënimin sepse pikërisht tuej kênë Biri i Zotit, Ai mundet me i dhanë nji vlerë të pafundme sakrificës që ka me i ofrue Hyjit, Atit të Tij, për njerzit, vllâznit e Tij.


Shërbtorët e priftnijve – Sh'Pjetri – Juda


     Për pjesen e mbetun të natës, Shelbuesi lêhet në duert e shërbtorve të priftnijve të cillët E mbulojnë me tallje e turtura. Gjatë ksaj nate, sh'Pjetri që e kishte ndjekë JEZUSIN prej arg, me ndihmen e sh'Gjon Evangjelistit, mujti me hi në oborrin e pallatit të priftnijve të mëdhaj, ku mohoi tri herë Shelbuesin e tij. Mbas kndimit të dytë të gjelit, ai doli prej pallatit dhe « kjau me zâ të naltë, me dënesa », shpjegon teksti grek. Kah mjesi, Sanhedrini u mbodh prapë për me i dhanë vendimit të tij, që duhej marrë diten, nji pamje legale. JEZUSI u nxorr prapë para kshillit dhe kur Ai deklaroi publikisht se âsht Biri i Zotit u dënue edhe njiherë. Atherë Juda kuptoi tanë madhsinë e krimit të tij. I brejtun prej ndërgjegjes, ai shkoi me takue kshillin e priftnijve që ishte prapë i mbledhun për me u thanë se « kishte mkatnue tuej dorzue Gjakun e të Drejtit ». I mbytun prej dishprimit, tradhtari hodhi në Tempull monedhat e sermit që kishte marrë dhe tuej zbritë drejt pishinës së Siloesë u fut në gryken e thellë ku rrjedh prroni i Hinomit. Në kyt vend i quejtun Gjehenë (Ge-Hinnom), « ai vari vedin » (Sh'Mateu 7:5). E « kur litari u kput, ai ra me krye poshtë, u ça dhe i dolen zorrët jashtë » (A.A.I, 18)


Proçesi civil para Pilatit


     Vetëm Rroma, që sundonte n'at kohë Palestinën, kishte të drejten e gjykimit me vdekje. Duhej me iu drejtue prokurorit romak dhe kshtû çuen JEZUSIN te gjykata e Poncit Pilat në fortesën Antonia ku çifutnit nuk hyne sepse shpia e nji pagani do ti njolloste zyrtarisht në festen e Pashkës. Para ktij gjyqi civil duhej nji krim i nji natyre politike. Mesia, për çifutët, duhej të ishte nji monark toksuer. E akuzuen atherë JEZUSIN, që quhej Mesia, si nji Mbret konkurrues i Çezarit. Në kyt terren të ri, u përsërit e njêjta ngjarje si naten e maparshme : e njêjta heshtje e KRISHTIT ZOT para dishmitarve të rremë; i njêjti afirmim zyrtar i Mbretnisë së Tij shpirtnore para botës pagane, e cilla përfaqsohej kyt herë prej atyne që mbajshin frenat e perandorisë botnore; të njêjtat trajtime të dhunshme, kyt herë prej ushtarve romakë. Por JEZUSI, që në fakt drejtonte ngjarjet, deshti me u dënue vetëm si Biri i Zotit dhe Mbreti i shpirtnavet. Ai e riktheu çâshtjen në terrenin fetar tuej thanë : « Mbretnija eme nuk âsht e ksaj bote ». Për rrjedhojë, çâshtja delte jashtë kompetencave të Pilatit, i cilli E deklaroi krejtsisht të pafajshëm. Çifutnit atherë përdoren kërcënimet. Pilati, shumë frikacak me ushtrue autoritetin e tij mbi nji turmë që do të hakmerrej tuej e akuzue para Çezarit, kërkoi me ruejtë interesat personale, megjithë protestat e nji ndërgjegjeje pagane supersticioze që frigohej prej ndëshkimit të « zotnave ».


Herodi – Pilati - Barabas – Rrahja me kamxhik


     Mbasi msoi se JEZUSI, për sa i përket Natyrës Njerzore, ishte prej Galilesë, Pilati përfitoi me E nisë për gjykim te Herodi. Ky tetrark ishte i biri i Herodit të Madh që urdhnoi masakren e fmijve të pâfajshëm kur mbretnit prej Lindjes lajmnuen se « Mbreti i hebrejve » sapo kishte lindë. I turpnuem prej heshtjes së JEZUSIT, ai, nga ana e tij, i turpnoi çifutnit tuej veshë JEZUSIN me petkun e bardhë të kandidatve për mbret, titull që çifutnit ia mohojshin KRISHTIT ZOT. Së dyti, Pilati përpiqet me dalë prej situatës së vshtirë tuej vue në nji rang nji vrasës si Barabas me KRISHTIN ZOT; por edhe kjo nuk pati sukses. Së treti, Pilati përdor rrahjen me kamxhik tuej shpresue me prekë çifutnit dhe me E lanë mandej JEZUSIN të lirë. Kjo turturë e turpshme rezervohej për skllevnit. Viktimës së zhdeshun i lidheshin duert te unaza e nji kolone të ultë. Egzekutuesi i pajisun me nji kamxhik me rrypa elastike, të cillat përfundojshin me koca apo gjyle të vogla plumbit, rrahte me nji ngadalsi të kalkulueme shpinen e përkulun dhe të tendosun të viktimës. Rrypat tuej u përkulë me elasticitet rreth trupit grryjshin shpatullat dhe gjoksin tuej lanë brazda të thella, prej ku rridhte gjaku e prej ku shkëputeshin copa mishit. JEZUSI âsht paraqitë në kyt gjendje para turmës, i veshun me nji pekt të kuq, me kunoren e Tij dhe skeptrin prej kallamit. Çifutnit kuptuen krejt ironinë e ksaj skene. A do të guxojshin me pâ prapë te ky Mbret konkurruesin e Çezarit ?


Dënimi i JEZUSIT


     Çifutnit atherë hidhen me përbuzje mbi titullin e Tij të Birit të Zotit, që do të ishte edhe arsyeja e vdekjes së Shelbuesit. Pilati, me qetsue vedin, mendon me gjetë nji rrugdalje të fundit, tuej kujtue thirrjet e çitutve kundër tij : « Kena me të paditë te Çezari ». Nëpërmjet aktit simbolik të lamjes së duerve, ai u difton çifutve se para gjyqit të tij, JEZUSI âsht i pafajshëm dhe Ia dorzon atyne vetëm se kta pretendojshin se ligjet hebraike e dënojshin KRISHTIN ZOT. Kyt gjâ Pilati ka me e pohue deri në momentin e fundit, tuej varë mbi Kryq nji pllakë drunit, që diftonte simbas zakonit arsyen e dënimit. Mbi pllakë, në hebraisht, greqisht e latinisht shkruheshin kto fjalë : « JEZUSI i Nazaretit, Mbreti i çifutve ». Pilati, prej frigës, âsht fajtor për kyt vrasje, kurse çifutnit, prej urrejtjes së tyne kundër Birit të Zotit, janë fajtorë të vrasjes së Zotit (Deicida) (lat).


Udha e Krygjës – Kryqzimi – Agonia


     Rreth orës 11 të mjesit, JEZUSI la gjyqin e Pilatit. Rruga e dhimbshme e krygjës filloi prej rrugës që zbret në luginën e Tiropeonit (Tyropoeon) dhe që ngjitet drejt lindjes, nëpërmjet nji të përpjete, deri te dyert e qytetit. Atje, jashtë mureve, në malin e Golgotës kryheshin egzekutimet. Në mesin e nji nate të thellë, që zgjati prej mesditës deri në 3 mbasdite e që u vërejt në të tanë perandorinë romake, JEZUSI vuejti turturen e fundit. Vdekja e krygjës ishte vuejtja mâ mizore dhe mâ e tmerrshme sepse viktima, pa mujtë me lëvizë, duhej me mbajtë, për disa orë, peshen e trupit mbi krahët e shtrimë. Prej tensionit të tmerrshëm, gjaku i viktimës bllokohej në fytyrë dhe në gjoks dhe provokonte nji dhimbje të patolerueshme që karakterizohej veçanarisht prej nji etjeje përvëluese. Me dekë i kryqzuem ishte me dekë vetëm prej dhimbjes në agoninë mâ të tmerrshme të mundshme. Kah mbramja, i theheshin kambët viktimës me përshpejtue vdekjen.


Vdekja e JEZUSIT – Varrimi i Tij


     Atherë erdhi momenti deçiziv që do të shënonte për njerzimin mbarë oren e tij të shëlbimit. JEZUSI ka me vulosë me Gjakun e Tij tana aktet e jetës së Tij n'mnyrë që ata të jenë akte shelbuese. E për me diftue se jo prej detyrimit por prej dashtnisë për Atin e Tij e për të tanë njerzit që Shelbuesi lejoi vdekjen me iu afrue dhe me bâ punen e vet, JEZUSI lëshoi nji britmë të madhe dhe dhâ Shpirtin në duert e Atit të gjithpushtetshëm. Shelbuesi jonë hyjnor ka vdekë. Me Virgjinën MARI, Nânen e Tij e Nânen tonë, dhe sh'Gjon Evangjelistin të qëndrojmë te kambët e Krygjës dhe, si disa çifutë që u konvertuen në kyt moment, ti bijmë edhe na gjoksit në shêj pendeset, sepse Biri i Zotit i ofroi Jeten e Vet Hyjit për me shlye mkatet tona.

Sakrifica pafundsisht shêjte u ofrue rreth orës 3 mbasdite. Rreth orës 5 të mbramjes, JEZUSI u lirue prej Krygjës dhe u vorros me ngut sepse në oren 6 të mbramjes fillonte Sabati që, në at vjet, ishte nji Sabat fort zyrtar (Sh'Gjoni 19:31) Ai përputhej në fakt me 25 Nisanin, diten mâ të rândsishme të festës së Pashkës. Ky Sabat simbolizon në mnyrë perfekte pushimin në të cilin ka hye përgjithmonë JEZUSI. Çifutnit nuk kishin vorreza. Ata përgaditshin nji vorr në pronën e tyne, shpesh në dy anët e rrugve kryesore. Jozefi, që ishte prej Arimatijet, qytet në Judé, vuni JEZUSIN në vorrin që ai kishte përgaditë për vedi e që ndodhej në nji kopsht afër vendit ku vdiq Shelbuesi. Nikodemi kishte prue rreth 32 kg parfum për me krye provizorisht ceremonitë e varrimit simbas zakonit hebraik. Mandej e mbyllen vorrin me nji gur të madh, në formë e gurit të mullinit që lëvizej me shumë vështirsi. Gratë shejte u kthyen atherë në qytet me ble erëza me qëllimin me E varros JEZUSIN si duhet, mbas pushimit të Sabatit. Të nesërmen ose të Shtunden çifutët vulosën vorrin dhe vunë roje.

N'kto ditë të bekueme të thojmë edhe na me JEZUSIN lutjen e Kungimit :

« Ati em, n'kjoft se kjo Kupë nuk mund të kalojë pa e pi, u baftë Vullnesa Juej ».