lunedì, giugno 06, 2022

 


 Mbi çështjen « FILIOQUE » kundër kishave shizmatike të Lindjes


Shumë kohë para shizmës së Fotit kundër Kishës së Romës, disa Konçile ekumenike e kishin shpallë dhe përcaktue tashma çështjen e proçesionit të SHPIRTIT-SHEJT,

pra ardhjes së SHPIRTIT-SHEJT prej ATIT DHE PREJ BIRIT (''qui ex Patre Filioque procedit'', ''τὸ ἐκ τοῦ Πατρὸς καὶ τοῦ Υἱοῦ ἐκπορευόμενον'', ''që vjen prej ATIT dhe prej BIRIT''), ashtu siç e ka msue gjthmonë Kisha Katolike. Fjala « Filioque » vjen prej latinishtes dhe shqiprohet « dhe BIRIT », dhe ban pjesë në Simbolin zyrtar të Fesë së Kishës Shejte Katolike, i cili me kyt fjalë shpjegon nji pjesë të Misterit të TRINISE SHEJTE, NJI ZOT I VETEM. Kishat shizmatike greko-orientale, dhe kisha të tjera shizmatike që imitojnë rebelimin fotian, akuzojnë Papen dhe Kishen e Romës se paskan ndryshue Simbolin e Fesë, tuej shtue nji doktrinë antikatolike; për rrjedhojë, simbas tyne, Papa i Romës dhe kishat latine janë në herezi; e simbas Fotit, Papa dhe latinët janë apostatë, ''shërbtorët e antikrishtit që meritojnë njimijë vdekje, rrenacakë dhe luftëtarë kundër Hyjit''.

Të analizojmë shkurtimisht kto akuza kriminele e blasfemuese, krejtsisht t'pabaza, dhe të shohim si qëndron e vërteta.

Mbi Simbolin e Fesë së Krishtenë (Simboli i Apostujve)

Nuk duhet harrue fakti i randsishëm se Simboli i Besimit apo Simboli i Apostujve, që recitohet sod si në Meshen shejte latine të Kishës së Romës, ashtu edhe në Liturgjitë hyjnore të ritit bizantin apo sllav, për me përmendë veç kto dy rite jolatine, nuk ka kênë gjithmonë në kyt formë të hollsishme që recitohet sod, por ma i thjesht në frazologjí. Në vetë Aktet e Apostujve (kap. XV), në Konçilin e I të Jeruzalemit (rreth 52 A.D.) lexojmë disa msime të Apostujve, si p.sh. Besimi në hyjninë e JEZU-KRISHTIT, të SHPIRTIT-SHEJT, mosfrekuentimi i idhujve, i imoralitetit, i kafshve të mbytuna dhe i gjakut. Jo se Apostujt nuk besojshin në Simbolin e Fesë të hartuem ma vonë ne shekullin e IV, në Nice e Konstantinopojë, por Simboli i Besimit në ato shekuj të parë të Krishtënimit transmetohej kryesisht përmes Traditës gojore, ashtu si veprohej edhe për Testamentin e Ri, që nuk ishte i përfunduem jo vetëm para shek. I por as deri në shekullin e IV, kur Papa i Romës aprovoi librat kanonikë që duhej të pranoheshin në Biblen Shejte.

« Në Simbolin e Fesë dhe Shpresës tonë i cili, i ardhun prej Apostujve përmes Traditës deri te na, asht shkrue jo mbi letër e me bojë por mbi pllaka mishit, që janë zêmrat tona; mbas shpalljes së TRINISE Hyjnuere dhe Unitetit të Kishës, na e mbyllim me ngjalljen e trupave të tanë përmbledhjen misterioze të Dogmës s'krishtênë. » (Shën Jeronimi, ''Ad Pammach. adv. error. Joan. Hierosol.'', Epist. 64)

Historija kishtare njeh edhe simbole tjera, si p.sh. simboli i shën Epifanit, simboli i shën Damasit apo simboli i shën Athanasit, të cilët për nga përmbajtja shpallin të njejten Fé hyjnore të Kishës Katolike të JEZU-KRISHTIT. Dallimet aparente mes ktyne simboleve, p.sh. tuej krahasue Simbolin zyrtar të Nicesë-Konstantinopojës me dy simbolet që përmenda ktu nalt, konsistojnë vetëm në frazologji. Kështu p.sh. Simboli zyrtar asht ma i detajuem, në shpjegimin e artikujve të Fesë, sesa dy simbolet e shen Epifanit dhe shën Athanasit. Po të krahasojmë Simbolin zyrtar të filluem në Nice (325 A.D) me po kyt Simbol zyrtar të përfunduem pak vite ma vonë në Konstantinopojë (381 A.D.), konkludojmë se Simboli përfundimtar asht ma i hollsishëm në shpjegim sesa Simboli fillestar. Pra bahet fjalë për të njejtat të vërteta të Fesë; dallimi aparent mes simboleve të ndryshëm asht vetëm shpjegimi ma i hollsishëm i Fesë, nga nji simbol në tjetrin. Simboli i Fesë i Nicesë-Konstantinopojës, i përfunduem në vitin 381 A.D., bashkë me vendimet e tjera të Konçilit u aprovuen prej Selisë-Shejte, pra Papës së Romës, përpara se të shpalleshin legjitimisht përpara botës së krishterë, ashtu siç e kërkojshin kanonet antike dhe rregullat kishtare.

Ashtu siç e kam përmendë me referenca në dy kapitujt e parë, si për mbledhjen e konçileve ekumenike, ashtu edhe për aprovimin e vendimeve të ktyne asambleve, përfshi ktu edhe aprovimin e Simbolit të Fesë, aprovimi i Selisë-Shejte apo i Papës së Romës ishte i domosdoshëm për legjitimitetin e tyne, dhe ky asht nji fakt historik i pamohueshëm, pranue unanimisht si prej latinve ashtu edhe prej grekve, s'pakut deri në konçilin e VIII ekumenik të Konstantinopojs (869-870 AD), por edhe ma vonë. Dhe Kisha e Romës, ruejtsja e thesarit të Revelacionit hyjnor, gjithmonë ka mbajtë të pandryshueshëm Simbolin e Besimit të krishtenë, ashtu siç dëshmon edhe vetë Tradita shejte Apostolike :

« Duhet të konsultojmë Simbolin e Apostujve, që Kisha Romake e mban dhe e ruen të pandryshueshëm në tanë integralitetin e tij. » (Shen Ambrozi, Epist. LXXXI ad Syric.)

« Tue vue asgjâ mbi JEZU-KRISHTIN, jam i bashkuem n'union me lumninë tuej, dhe nëpërmjet saj me Selinë e shën Pjetrit : E di se mbi kyt shkamb asht ndërtue Kisha. Kushdo që han Qingjin jashtë ksaj shpíjet asht profan ; kushdo që nuk ka me kênë në Arken e Noesë ka me mbarue në ûjnat e përmbytjes. Kush nuk korrë me jue, hupë grunin e tij, d.m.th., kushdo që nuk asht me JEZU-KRISHTIN, asht me antikrishtin. » (Shën Jeronimi, 309 A.D., "Ad Damasum", Epist. 57)

« Por mekênse do t'shkonte shumë g'jatë me kujtue ktû, nji mbas nji, êmnat e tanë atyne që kanë drejtue sejcilen prej Kishave, mjafton me kujtue êmnat e atyne që kanë drejtue, njêni mbas tjetrit, njênen prej ktyne Kishave, e cila asht mâ e vjetra, mâ e famshmja, ajo që kjè themelue në Romë prej Apostujve të lavdishëm shën Pjetrit e shën Palit, e cila ka marrë prej tyne depoziten e paçmueshme të Traditës dhe të Fesë të predikueme në tana kombet ; dhe na do t'i lamë jashtë unionit të besimtarvet t'anë ata që, për me plotsue pasionet e tyne apo nji lavdí t'kotë, kjoft prej nji verbimi shpirtnuer kjoft prej djallzísë, kanë braktisë shtigjet e të vërtetës. Ksaj Kishe të Romës, për shkak të primatit të saj predominues ("propter potentiorem principalitatem"), duhen me iu bashkue tana Kishat e tjera dhe tanë besimtarët e përhapun në boten mbarë, tue e konsiderue [kyt Kishës të Romës] si depoziten (thesarin) kryesore të Traditës së transmetueme prej Apostujve, dhe të përhapun në boten mbarë. Apostujt [Pjetri e Pali] mbasi themeluen kyt Kishë të Romës ia kaluen (transmetuen) administrimin e saj Lin-it, t'cilin e konsakruen ipeshkëv. Pasardhsi i tij kjè Anakleti ; mbas Anakletit ishte Klementi, i cili u vesh me episkopatin. Klementi i kishte njoftë Apostujt dhe kishte bisedue me tà, dhe i kishte prapë të gjalla në kujtimin e tij predikimet e tyne dhe udhëzimet mbi Traditen ; dhe Klementi nuk ishte i vetmi, sepse n'kohen e tij egzistojshin endè shumë persona t'jerë që kishin marrun udhëzimet e Fesë prej vetë gojës së Apostujve... Pasardhsi i ktij Klement-it kjè Evaristi ; mbas Evaristit vendin e xuni Aleksandri ; mandej erdhi Siksti, i cili kjè i gjashti [Papë] qysh prej Apostujve. Siksti u zëvendsue prej Telesforit, që vuejti me lavdí martirin ; pasardhsi i tij kjé Hygin-i ; Hygin-in e pasoi Piu ; e mbas Piu-t erdhi Aniceti ; mbas tij kjè Soter-i, i cili asht pasue prej Eleuterit, i dymbëdheti (12) qysh prej Apostujve, dhe që asht sod i veshun me episkopatin. Nëpërmjet ksaj vazhdimsíje të ipeshkvíjve, Tradita apo depozita e të vërtetës që Kisha ka marrun prej Apostujve asht ruejtë deri te nà, dhe na asht transmetue në tanë pastërtinë e saj. » (shën Ireneu, "Adversus hæreses", lib. III, c. 5)

« Nuk duhet me kërkue të vërteten askund tjetër përveçse në Kishen Katolike, ku asht e lehtë me u instruktue. Në gjinin e ksaj Kishe, Apostujt kanë vue thesarin e pasun (Traditen) që përmban me bollëk gjithçka që i përket të vërtetës së Krishtënimit. Prej ktij burimi jete sejcili mundet me ardhë e me mbushë simbas nevojave ; prej ksaj deret híhet në karrieren e t'krishtênit. Me dashtë me hî prej nji vendi tjetër, do t'ishte me veprue si hajdut apo si vjedhës. Prandej duhet me shmangë me kujdes çdo kontakt me heretikët dhe me msue me zell gjithçka që përmban tradita e t'vërtetës. E atherë ? Po të lindte ndonji mosmarveshje e nji farë randsijet midis t'krishtênve, a nuk do t'duhej me kshillue Kishat ma t'vjetra, ato Kisha që janë instruktue prej vetë Apostujve, dhe me pranue gjykimin e tyne mbi kyt mosmarveshje ? ... » (Shen Ireneu, adv. haeres., lib. III, c. IV)

« Nuk ka dyshim se na duhet me u konformue në çdo gja me gjithçka që asht e përcaktueme prej autoritetit të Shkrimeve shêjte; në të njêjten mnyrë na duhet të veprojmë me gjithçka që Kisha praktikon në tanë boten, sepse asht nji çmenduni e madhe, nji arrogancë ekstreme, mos me iu nënshtrue nji autoriteti të tillë të Kishës... Në ato çështje ku Shkrimet shêjte nuk kanë vendosë gjâ me kjartsí, zakonet e popullit besimtar dhe praktikat e Etënve tonë duhen me kênë për ne si ligje. Dhe ata që i përbuzin praktikat e Kishës duhen dënue njilloj si ata që shkelin ligjet hyjnuere. » (shen Agustini, Epist. CXVIII, c. 5.; ad Casulanum, epist. LXXXVI.; Distinctio, II, cap. in his)

« Në kjoft se konsiderojmë linjen e vazhdimsisë së ipeshkvijve, me nji siguri edhe ma të madhe dhe dobi për Kishen, mundena me shkue mbrapa derisa të hasim vetë Pjetrin, që mban tanë Kishen, të cilit Zoti i tha : 'Mbi kyt shkamb kam me ndërtue Kishen Teme dhe dyert [fuqitë] e Ferrit nuk kanë me triumfue kundër saj'. (sh'Mateu 16, 18) Pasardhsi i Pjetrit ishte Lini, dhe pasardhsit e tij, në nji vazhdimsí t'pandërpreme, ishin kta : Klementi, Anakleti, Evaristi, Aleksandri, Siksti, Telesfori, Igjini, Aniceti, Piu, Soteri, Eleuteri, Viktori, Zefirini, Kaliksti, Urbani, Pontiani, Anteri, Fabiani, Korneli, Luçiani, Stefani, Ksisti, Dionisi, Feliksi, Eutikiani, Gaiusi, Marçelini, Marçeli, Eusebi, Miltiadi, Silvestri, Marku, Juli, Liberi, Damasi, Siriçi, pasardhsi i të cilit asht ipeshkvi i sotëm Anastasi. » (Shën Agustini, Epist. 165 al. 53 ad Generosum, 400 A.D., "Nicene and Post-Nicene Fathers", First Series, Vol. 1. Edited by Philip Schaff. (Buffalo, NY: Christian Literature Publishing Co., 1887. ; Cf. Peltier, "Le grand Catéchisme de Canisius", 1873, vol. 2, p. 31)

« Egziston vetëm Nji Zot, vetëm Nji KRISHT, vetëm Nji Kishë dhe vetëm Nji Seli e themelueme mbi Pjetrin prej zânit të Zotit tonë JEZU-KRISHTIT; dhe kjo Seli e Pjetrit âsht Kisha Kryesore ku ka lindë uniteti meshtarak, dhe ku tradhtíja nuk mundet me penetrue. » (shën Çiprijani, shekulli II, “De Unitate Ecclesiæ”)

« Ju patjetër shifni shumë degë të shkëpùtuna prej rrâjës nga ku del kjo shoqní e krishtênë, e përhapun në univers, në sajë të vazhdimsisë së ipeshkvijve, pasardhës të Apostujve. Kto degë të dekuna, që kanë t'krishtênë veç êmnin, prapseprap vetlavdohen a thue se vazhdojnë me kênë t'lidhuna me rrâjen e hardhisë. Na i quejmë kta heretikë dhe shizmatikë. Dalja e tyne në botë asht parashikue, profetizue e shkrue qysh n'fillim. » (shën Agustini, Epist. 42 al. 232 ad Madaurenses)

Kisha Romake ku asht Selija-Shejte e Shefit të Kishës Katolike asht kujdesë gjithmonë jo vetëm me mbajtë të paprekun Depozitën e Zbulimit hyjnor që Hyji ia ka besue, por edhe me e shpjegue dhe intrepretue pagabueshmënisht. Me kalimin e viteve, në varsi të rrethanave të luftës kundër anmiqve të ndryshëm të Kishës, asht e kenë e domosdoshme me shpjegue ma hollsisht Simbolin e Fese, pjesë e Tradites Apostolike, për me demaskue e shkatrrue sulmet e anmikut. Tuej përmendë fjalën « Filioque » në Simbolin e Fesë, Kisha Katolike nuk ka shtue asgja të re, thjesht ka shpjegue ma me hollsí nji të vërtetë të Fesë hyjnore Katolike, që ka kenë gjithmonë e msueme në Kishë, pikërisht për me luftue shpifjet e heretikve të asaj kohe. Kjo asht arsyeja e vetme dhe jo shpifjet e shizmatikve se gjoja Papa e Latinët paskan ndryshue Fenë e paskan ra në herezi. Tuej folë kaq gabim e kaq blasfemisht, shizmatikët dëshmojnë se vetë ata ose e kanë harrue e hupë Traditen shejte Apostolike, që ata pretendojne se e mbajnë, ose ata djallzisht na akuzojnë në mnyrë të gënjeshtërt e hipokrite, natyrisht pa prova, në sajë të nji agjende të caktueme politike. Bazue në fakte të ndryshme, kjo arsye e dytë, pra arsyeja politike, duket se asht e vërteta e ndamjes së kishave greko-orientale dhe atyne sllave prej qendrës së Katoliçizmit, Selisë-Shejte. Ky konkluzion i dytë duket edhe ma i vërtetë, kur kujtoj se vetë liturgjija e ktyne kishave shizmatike ngre në Qiell privilegjet e shën Pjetrit dhe Kishës së Romës, dhe ky fakt përjashton mundsinë që ata t'jenë n'injorancë, pa dashtë me gjykue ktu zemrat e askujt, sekreti i t'cilave njihet vetëm prej Hyjit. Pra duket e pamujtun që kleri i kishave shizmatike të jetë në injorancë, e nuk po flas për populln e thjeshtë, i cili përgjithsisht ndjek sjelljen e klerikve të tyne.

Doktrina « Filioque » asht besue dhe msue gjithmonë
në Kishen Katolike, si në Lindje ashtu edhe në Perëndim

S'parit mbas Konçilit (lokal) të Aleksandrisë, shën Çirili i Aleksandrisë i shkroi nji letër heretikut Nestor, ku ndër të tjera shkruhej :

« KRISHTI asht e vërteta dhe SHPIRTI-SHEJT thirret Shpirti i së vërtetës. Si rrjedhojë, SHPIRTI-SHEJT vjen prej ATIT DHE PREJ BIRIT. » (De la Lettre de saint Cyrille à Nestor; cf. Abbé Tilloy, « Essai de conciliation entre l'Église latine et l'Église grecque non unie », Paris, 1864.)

Kjo letër u lexue në Konçilin ekumenik të Efezit dhe u aprovue prej Etënve konçiljarë; në t'njejten mnyrë, kjo letër e shën Çirilit u lexue dhe aprovue edhe në Konçilet e tjera ekumenike pasuese : në Kalcedoní, sesioni V; në Konçilin e V ekumenik (II i Konstantinopojës), në sesionin e fundit; në Konçilin e VI ekumenik (III Konstant.), në sesionin XVII dhe në Konçilin e VII ekumenik (II Nices), në sesionin XVII. Ja pra, pesë Konçile ekumenike të mbajtun te Grekët, që kanë aprovue Doktrinen e proçesionit (ardhjes) së SHPIRTIT-SHEJT prej ATIT dhe prej BIRIT. (''Revue des églises d'orient'', n. 12, année 1885, p. 177)

Në fakt, perandori grek Leoni i urtë, që jetoi në kohën e Fotit, në nji letër që i shkruente nji mbreti sarrasin (musliman) mbi Fenë e krishtênë, afirmon kjart se SHPIRTI-SHEJT vjen (rrjedh) prej ATIT DHE PREJ BIRIT.

N'kjoft se shtrojmë pyetjen pse Konçili i Konstantinopojs (381 AD) ka përmendë proçesionin (ardhjen) vetëm prej ATIT, përgjigja asht e thjeshtë : Kisha Katolike ka besue gjithmonë në ardhjen e SHPIRTIT-SHEJT prej ATIT DHE PREJ BIRIT, dhe kjo doktrinë ka kalue nga nji brez në tjetrin përmes Traditës Apostolike. Por hartimi zyrtar i Simbolit të Fesë (e kanë egzistue disa Smbole të tilla përpara vjetit 381 AD, siç dhashë shembuj ma parë) asht krye zakonisht në rastet e dënimit të herezive (siç asht ba p.sh. edhe mbledhja e konçileve). Kshtu p.sh., heretiku Macedonius predikonte se vetëm BIRI vinte prej ATIT dhe se SHPIRTI-SHEJT vinte vetëm prej BIRIT, si krijesë e BIRIT dhe i ishte inferior. Konçili i Konstantinopojës (381 AD) nuk thotë asgja mbi ardhjen e SHPIRTIT-SHEJT edhe prej BIRIT, mbasi mbi kyt të vërtetë doktrinale nuk kishte asnji mosmarveshje midis Katolikve dhe heretikve t'assaj kohe, dhe për rrjedhojë Konçili u mjaftue me përcaktimin e doktrinës se SHPIRTI-SHEJT vjen prej ATIT, që heretikët e athershëm mohonin. (KUJDES : Dokumenti original i Konçilit ekumenik të 381 A.D. nuk thotë kurrë se SHPIRTI-SHEJT vjen VETEM PREJ ATIT.) (Cabassut., ''Notitia Ecclesiastica'', p. 471-72).

Në vitet në vazhdim, nji tjetër herezi e detyroi Kishen me shpallë e përcaktue zyrtarisht Dogmen e ''Filioque''-s (Ardhjes së SHPIRTIT-SHEJT EDHE PREJ BIRIT). Gjysë-arianët heretikë, për mos me njoftë barazinë totale të ATIT me BIRIN, pretendojshin me u bazue mbi vendimin e Konçilit të Konstantinopojës (381 A.D.) për me msue se SHPIRTI-SHEJT vjen prej ATIT ; kta heretikë nxjerrshin përfundimin se BIRI ishte inferior në lidhje me ATIT, mbasi, simbas tyne, BIRI nuk përfshihej në ardhjen e SHPIRTIT-SHEJT. Rrjedhimisht, i detyruem nga nevoja me luftue herezinë, Konçili i Toledos (589 A.D.) shpalli si dogmë fejet ardhjen e SHPIRTIT-SHEJT prej ATIT DHE PREJ BIRIT. Kshtu, fjala ''Filioque'' iu shtue Simbolit të Fesë të Konstantinopojs, por siç shkrova ma nalt, kjo doktrinë msohej dhe besohej kohë përpara në Kishë. Pra akuza e kishave fotiane (t'vetquejtuna ordodokse) kundër Kishës së Romës apo latinve për herezi asht totalisht e pabazë dhe nuk bazohet mbi asnji arsye fetare.

Jak Zanzale, themeluesi i herezisë së Jakobitve, shkruen se në Konçilin e III Ekumenik të Efezit asht shpallë se SHPIRTI-SHEJT vjen prej ATIT DHE PREJ BIRIT (ashtu si ceka ktu ma nalt) (Ibid.)

Dishmi prej Biblës-Shejte

Në Librin e Apokalipsit të shën Gjonit Apostull lexojmë :

« Engjëlli më tregoi lumin e pastër të ujit të gjallë, i kulluar si kristali, që vinte prej fronit të Zotit dhe të Qingjit. » (Apokalipsi XXII, 1)

''Lumi i ujit të gjallë'' asht SHPIRTI-SHEJT : nuk ka dyshim mbi kyt pikë, mbasi vetë Unjilli dëshmon kyt t'vërtetë :

« Ditën e fundit të festës, JEZUSI thirrte me za të naltë : N'kjoft se ndokush ka etje, të vijë te UNE dhe të pijë. Prej zemrës të atij që beson në Mua, do të dalin lumej ujit të gjallë. Dhe JEZUSI thonte kté për Shpirtin që do të merrnin ata që do të besonin në Até (JEZUSIN). » (shen Gjoni VII, 37-39)

Shën Athanasi konfirmon gjithashtu se « uji i gjallë » asht SHPIRTI-SHEJT :

« Uji i gjallë asht SHPIRTI-SHEJT, ashtu siç e msojmë prej Unjillit të shën Gjonit, kur Shelbuesi i thotë grues samaritane : ''Aj do të kishte dhanë ujë të gjallë'', dhe në nji vend tjetër : ''Kush të pijë prej ktij uji që do t'i jap, nuk do të ketë kurrë ma etje'' (Joan. IV, 10-13). »

Citimi i masipërm i shën Athanasit asht shkëputë prej nji pasazhi të librit të shën Athanasit, '' TRINIJA dhe SHPIRTI-SHEJT'', n. 19 :

« Na ndigjojmë BIRIN që na thotë : ''Ky popull ka ba dy të kqija : më ka braktisë Mue, burimin i ujit të gjallë (Jeremija II, 13). Uji i gjallë asht SHPIRTI-SHEJT, ashtu siç e msojmë prej Unjillit të shën Gjonit, kur Shelbuesi i thotë grues samaritane : ''Aj do të kishte dhanë ujë të gjallë'', dhe në nji vend tjetër : ''Kush të pijë prej ktij uji që do t'i jap, nuk do të ketë kurrë ma etje'' (Joan. IV, 10-13). Dhe në mesin e Tempullit JEZUSI thërret : ''N'kjoft se ndokush ka etje, të vijë te UNE dhe të pijë. Prej zemrës të atij që beson në Mua, do të dalin lumej ujit të gjallë. Dhe JEZUSI thonte kté për SHPIRTIN-SHEJT...'' (Joan. VII, 38-39). Pra simbas dishmisë së Shkrimeve shêjte, na e dijmë me siguri se ''uji i gjallë'' asht SHPIRTI-SHEJT. Zoti jonë JEZU-KRISHTI e quen Vehten ''burimi i ujit të gjallë'' me kto fjalë : ''Më kanë braktisë Mue, burimin e ujit të gjallë''. Davidi mson të njejten gja kur në Psalmin (XXXV, 9) (versioni Septuagjintës) thotë se ''Në Jue asht burimi i jetës''. Të më tregojë pra dikush se jashtë Hyjit (ATIT) egziston nji tjetër që asht burim i jetës, i cili asht në Hyjin (ATIN). Psalmi nuk thotë ''Ju jeni burimi i jetës'' por ''në Jue asht burimi i jetës''. Kshtu pra BIRI asht në ATIN dhe në ATIN BIRI asht burim i Shpirtit, ashtu si i thotë shën Pali Romakve : ''Shpirti i jetës (ζωή) për arsye të drejtsisë'' (Rom. VIII. 9, simbas versionit të Septuagjintës)''. Kshtu pra, simbas Psalmit (XXXV, 10) BIRI nuk asht i huej për ATIN por i përket ATIT, sepse mbasi thotë ''Në Jue asht burimi i jetës'', psalmisti shton : ''Në dritën tuej, na do të shohim dritën'', që don me thanë : Në BIRIN Tuej na do të shohim SHPIRTIN-SHEJT. »

Shën Ambrozi na mson të njejten gja, kur shpjegon pasazhin biblik të Apokalpsit (XX, 1) :

« Na lexojmë se prej fronit të Hyjit del (rrjedh, buron) nji lum : kté e msojmë prej shën Gjon Unjilltarit, kur thotë : Dhe aj (engjelli) me tregoi lumin e ujit të gjallë, i kulluar si kristali, që vinte prej fronit të Zotit dhe të Qingjit. Ktu, lumi që vjen prej fronit të Hyjit asht pa dyshim SHPIRTI-SHEJT, i Cili shuen etjen e atij që beson në JEZU-KRISHTIN, ashtu si e thotë vetë Shelbuesi : N'kjoft se ndokush ka etje, të vijë te UNE dhe të pijë. Prej zêmrës të atij që beson në Mue, ashtu siç thotë Shkrimi shejt, do të dalin lumej ujit të gjallë. JEZUSI thonte kté për SHPIRTIN-SHEJT. SHPIRTI-SHEJT asht pa dyshim pra lumi. » (Shen Ambrozi, ''De Spirito Sancto'', Lib. III, Cap. XXI) (“Revue des Églises d’Orient”, vol.1 , p. 531)

E njejta doktrinë mbi ardhjen e SHPIRTIT-SHEJT prej ATIT dhe prej BIRIT, msohet me terma specifike prej sh'Athanasit, shën Çirilit dhe shën Epifanit, për me përmendë n'fillim veç kta të tre :

« Gjithmonë asht SHPIRTI-SHEJT me ATIN dhe me BIRIN ; jo si vlla i BIRIT e jo si i BIRI i ATIT por që vjen prej ATIT e merret prej BIRIT ; jo jashtë ATIT DHE BIRIT, por pjesë e të njêjtës Esencë hyjnore, e të njêjtes hyjní të ATIT dhe të BIRIT, me ATIN dhe me BIRIN, Shpirti i KRISHTIT, Shpirti i ATIT. » (« Heres. » LXII, lib. II)

« Shpirti i Zotit, Shpirti i ATIT, Shpirti i BIRIT, jo si diçka e bashkueme, si asht te na shpirti dhe trupi, por midis ATIT dhe BIRIT, prej ATIT dhe prej BIRIT. » (« Ancorat. »)

« SHPIRTI-SHEJT asht i ATIT dhe i BIRIT : esencialisht SHPIRTI-SHEJT rrjedh (buron) prej të Dyve, ose prej ATIT përmes BIRIT. » (shën Çirili drejtue Palladius-it) (“Revue des Églises d’Orient”, vol. 1. p. 179)

Shën Anselmi në konçilin e Barit

Çështja debatohej midis latinve dhe grekve. Papa Urbani II kërkon ndihmen e arqipeshkvit të anglezve, i cili paraqet nji mbrojtje brilante te misterit të TRINISE SHEJTE.

Ja n'vijim disa pika prej mbrojtjes së shën Anselmit.

Shejti fillon me numërue elementat doktrinale që pranoheshin prej grekve :

1. SHPIRTI-SHEJT asht ZOT
2. SHPIRTI-SHEJT asht Nji Zot me ATIN dhe me BIRIN
3. SHPIRTI-SHEJT rrjedh (buron, ''procedens'' lat.) prej ATIT
4. SHPIRTI-SHEJT asht Shpirti i BIRIT
5. SHPIRTI-SHEJT asht i dallueshëm si i ardhun prej ATIT, dhe prej BIRIT si i ardhun (i buruem) prej ATIT përmes ardhjes (burimit) dhe jo përmes lindjes.

Në vijim, shën Anselmi vendos si kriter t'pakundërshtueshëm faktin e Konsubstancialitetit - (substancë, natyrë e njejtë, e përbashkët), dogme fejet e përcaktueme si në Nicé (325 AD) asht edhe në Konstantinopoj (381 AD), në dy konçilet e para ekumenike, dhe pjesë e Simbolit të Fesë. Në bazë të ksaj doktrine shêjte të Konsubstancialitetit, çfarë i atribojmë nji Persone hyjnore detyrimisht do t'ia atribojmë edhe dy Personave të tjerë hyjnore të t'njejtit Hyj Trinitar, tuej përjashtue dallimet midis Tyne si pasojë e relacioneve të origjinës.

Kshtu, ATI asht origjina e BIRIT përmes lindjes, dhe asht gjithashtu origjina e SHPIRTIT-SHEJT përmes ardhjes (proçesionit, rrjedhjes). Na e dijmë se ATI asht i njejti Zot si me BIRIN ashtu edhe me SHPIRTIN-SHEJT ; prandej, si thamë ma nalt mbi Doktrinen e unitetit të Esencës (substancës, natyrës) hyjnore, até çfarë afirmojmë për ATIN, até do të afirmojmë edhe për BIRIN dhe SHPIRTIN-SHEJT, me përjashtim të dallimeve të relacioneve të Tyne të origjinës. Për rrjedhojë, duhet të konfirmojmë dy alternativa : ose SHPIRTI-SHEJT vjen prej BIRIT ashtu siç vjen prej ATIT, ose BIRI lind prej SHPIRTIT-SHEJT ashtu siç lind prej ATIT. Asht e kjart se kto dy alternativa nuk munden me kênë të vërteta njikohsisht. Ndërkohë, Shkrimi shejt na mson, dhe grekët janë dakord me ne n'kyt pikë, se SHPIRTI-SHEJT asht Shpirti i BIRIT, por askund nuk lexojmë se BIRI asht Biri i SHPIRTIT-SHEJT. Pra si konkluzion duhet të pranojmë, në sajë të unitetit të natyrës hyjnore që egziston midis ATIT dhe BIRIT, se SHPIRTI-SHEJT vjen si prej ATIT ashtu edhe prej BIRIT.

Ky arsyetim asht i pathyeshëm, sepse për t'a përbysë duhet të vërtetojmë dy propozime : ose BIRI nuk asht konsubstancial me ATIN, ose SHPIRTI-SHEJT, megjithse vjen prej ATIT, nuk vjen prej substancës (natyrës) hyjnore të ATIT. Propozimi i parë asht i paprekshëm, përndryshej do të sulmonim dekretin e Konçilit të Nicesë dhe Simbolin e Fesë; ndërsa asht absurde përpjekja me vërtetue propozimin e dytë. Pra SHPIRTI-SHEJT vjen prej ATIT dhe prej BIRIT. (Ibid., p. 242)

Por grekët nuk dorëzoheshin dhe nxirrnin objekcjone. Kshtu p.sh., ata pretendonin se BIRI dhe SHPIRTI-SHEJT mund të dilnin të ndamë prej ATIT, ashtu si drita dhe nxehtsija dalin prej diellit. Por ky krahasim asht i gabuem, shpjegon shen Anselmi, sepse drita dhe nxehtsija nuk janë vetë dielli, kurse BIRI dhe SHPIRTI-SHEJT janë nji Zot me ATIN, në sajë të unitetit të Natyrës hyjnore.

Të xanun ngushtë prej evidencës së Shkrimit Shejt, që përcakton nji relacion origjine midis BIRIT dhe SHPIRTIT-SHEJT, grekët thonin se SHPIRTI-SHEJT del prej ATIT përmes BIRIT. N'kjoft se grekët lëshojnë n'kyt pikë, ata lëshojnë gjithçka, shton shën Anselmi : N'kjoft se SHPIRTI-SHEJT vjen prej ATIT përmes BIRIT, atherë SHPIRTI-SHEJT vjen edhe prej BIRIT. Zoti jonë JEZU-KRISHTI asht i Abrahamit përmes tejet shêjtes Virgjinës MARI, por JEZU-KRISHTI asht edhe i T.Sh. Virgjinës MARI; liqeni del (vjen, ka origjinën) prej burimit përmes lumit, por aj del edhe prej lumit. Megjithaté e vërteta e ksaj dogme ka nevojë për shpjegim, mbasi shprehja e grekeve (prej ATIT përmes BIRIT) tenton me paraqitë BIRIN si nji origjinë dytsore në lidhje me SHPIRTIN-SHEJT. BIRI asht me ATIN e Tij NJI origjinë e njejtë, dhe nuk asht kurrsesi i ndamë prej ATIT apo i lindun jashtë Tij [« Ati Jem dhe Un, Na jena Nji. » (sh'Gjoni 10:30) ; « Aj që Më sheh, sheh edhe ATIN Tem. » (Sh'Gjoni 14:9)]. Nga ana tjetër, krahasimi me liqenin, lumin dhe burimin kthehet kundër grekve, sepse nuk asht as burimi e as lumi që formojnë liqenin, por uji që del prej burimit dhe rrjedh në lum. Në rastin konkret kena tri recipientë, dhe uji asht i njejtë. Pra hyjnija asht e gjitha në ATIN, në BIRIN dhe në SHPIRTIN-SHEJT, dhe asht kjo hyjní që në ATIN dhe në BIRIN asht origjina e SHPIRTIT-SHEJT.

Gabimi i grekve konsiston në faktin se ata konsiderojnë ATIN dhe BIRIN si dy origjina të ndame prej njena-tjetrës, ku njena origjina varet nga tjetra, por në të vërtetë ATA janë nji origjinë e vetme prej të cilës vjen SHPIRTI-SHEJT. Kjo origjinë asht ATI dhe BIRI, ashtu si origjina e BIRIT asht ATI. N'kyt mnyrë e kuptojmë sesi dalja (Njena përmes lindjes dhe Tjetra përmes ardhjes) e dy Personave hyjnorë nuk ven në Zot dy origjina. (Ibid. p. 243)

Dishmija e shën Ambrozit

Në librin e tij, « Simboli i Fesë i Apostujve » (Symbole des Apôtres), lexojmë :

« Hyji ATE që lindi FJALEN, i përjetshëm si ATI, dhe si ATI i Gjithpushtetshëm, me t'Cilin prodhoi SHPIRTIN-SHEJT. »

Ndërsa në sermonin mbi festen e Rrëshajve (Uljes së SHPIRTIT-SHEJT), shën Ambrozi shkruen :

« Apostujt morën SHPIRTIN-SHEJT, i Cili jo në kohë por përjetsisht vjen në mnyrë të pandashme prej ATIT dhe prej BIRIT. »

« SHPIRTI-SHEJT që vjen prej ATIT dhe prej BIRIT nuk asht i ndamë prej ATIT, nuk asht i ndamë prej BIRIT. » (Shen Ambrozi, « De Spirito Sancto », Lib. I, Cap. X)

Ja si e lëvdon shën Ambrozin kisha greke në liturgjinë e saj :

« Atë i veneruem, shejti Ambroz, ju lira që na keni këndue të gjithve ne hymnet shelbuese të dogmave ortodokse, për entuziazmin e shpirtnave besnikë ; ju harpa harmonike e Ngushlluesit hyjnor, ju orga e madhe e Hyjit, ju trumpeta e lavdishme e Kishës, burimi tejet i kulluem i hireve qiellore që heqin papastërtitë e pasioneve : o shêjt, luteni, përgjërojeni JEZU-KRISHTIN në mnyrë që Kishës t'i jepet harmonija, paqja dhe mshira e madhe. » (Lutjet e mbramjes – Stichiron I)

Vërejmë me interes n'lutjen e masipërme se si kishat greke shizmatike luten për harmoninë dhe paqen, pra për rikthimin e tyne në doktrinen e shën Ambrozin apo rikthimin në Fenë Katolike.

Marku i Efezit dhe Etnit shêjt

Në sesionin e XXV të Konçilit ekumenik të Firences, ku moren pjesë edhe përfaqsuesit e kishave greke shizmatike, mbasi ishin citue disa dishmi të Etënve grekë që afirmojshin ardhjen e SHPIRTIT-SHEJT edhe prej BIRIT, metropoliti i Rusisë, Isidori, foli me urti kto fjalë :

« Mbasi ardhja e SHPIRTIT-SHEJT i atribohet edhe BIRIT, jo vetëm prej Etënve të Perëndimit por edhe prej atyne të Lindjes, asht e drejtë që, tuej ndjekë shêjtnit tonë, të bashkohemi me Kishen Romake. »

Kjo gjuhë ishte e dênjë, e devotçme dhe e pranueshme për të gjithë, por Marku i Efezit tha se Latinët ishin heretikë e shizmatikë. Atherë, mori fjalën Arqipeshkvi i Nicesë, Besarioni, që tha :

- « Po ata që afirmojnë se SHPIRTI-SHEJT vjen edhe prej BIRIT, a janë ata heretikë ? »

- « Po ! » tha Marku i Efezit.

Dhe Arqipeshkvi Besarioni shtoi kto fjalë :

- « O Zot, më ndihmoni ! Shêjtnit që thonë këtë qenkan pra heretikë ! Gojët mashtruese të heshtin, ata që flasin kundër Shêjtënve ! »

Etnit shêjt për të cilët flet Arqipeshkvi i Nicesë Besarioni janë pikërisht ata shêjtën që u lavduen dhe u pranuen zyrtarisht prej Konçilit të V Ekumenik të Konstantinopojës, të thirrun prej Papës Vigjil në vjetin 553 A.D. Në sesionin e tretë, etnit konçiljarë të ktij Konçili të V Ekumenik shprehen kshtu :

« Na ndjekim në gjithçka Etnit shêjt dhe doktorët e Kishës : Athanasin, Hilarin, Bazilin, Gregor teologun (Nazianze), Gregorin e Nisës, Ambrozin, Agustinin, Çirilin (e Aleksandrisë), Leonin, dhe na pranojmë gjithçka që ata kanë ekspozue mbi Fenë e vërtetë dhe për dënimin e heretikve. »

« Ἀχολουθοῦμεν ἐν ἄπασι τοῖς θέιοις πχτράσι χαὶ τοῖς διδασχάλοις τῆς Εχχλησίας' Ἀθανασίῳ, Ἱλαρίῳ, Βασιλείῳ, Γρηγορίῳ τῳ θεολόγῳ, Γρηγορίῳ τῳ Νύσσης, Ἀμβροσίῳ, Ἀυγουστίνῳ ... Κυρίλλῳ, Λέοντι, χαὶ δεχόμεθα πάντα τὰ παῤ αὐτῶν περὶ τῆς ὀρθῆς πίστεως χαὶ εις χατάχρισιν των ἁιρετιχῶν ἐχτεθέντα. »

Ja çfarë msojnë Etnit shêjt të aprovuem prej Konçilit të V Ekumenik të Konstantinopojs mbi Doktrinen e « Filioques » :

Papa shën Gregori i Madh në librin e tij « Dialogu » thotë :

« Tuej vue në zemren e dishepujve të Tij SHPIRTIN-SHEJT që vjen prej Tij, Shelbuesi i pastroi prej gjitha mkateve të tyne. » (« In Job. » Lib. I, n. 30)

« Misioni i SHPIRTIT-SHEJT asht vetë ardhja e Tij prej ATIT dhe prej BIRIT. » (Hom. 26 in Ev.)

Papa shën Leoni i Madh

« Prishiliantistët kanë mendime të gabueme mbi TRININE SHEJTE, sepse ata njohin në ATIN, BIRIN dhe SHPIRTIN-SHEJT vetëm nji Personë, sikur Hyji u thirrka nganjiherë ATE, nganjiherë BIRI e nganjiherë SHPIRTI-SHEJT ; në të vërtetë, tjetër asht AJ që lind, tjetër asht AJ që asht i lindun, dhe tjetër asht AJ që vjen prej NJENIT dhe prej TJETRIT. » (« Epist. XV ad Turribium »)

Shën Agustini

« Duhet me pranue se ATI dhe BIRI janë origjina e SHPIRTIT-SHEJT, jo dy origjina. Ashtu si ATI dhe BIRI janë NJI Hyj i vetëm, dhe për krijesat NJI Krijues i vetëm dhe NJI Zot i vetëm, po ashtu, ATI dhe BIRI janë NJI origjinë për SHPIRTIN-SHEJT. » (« De Trinitate », Lib. V, Cap. XIV)

« BIRI hyjninë e Tij e ka prej ATIT, sepse asht Zot prej Zotit, dhe prej të njêjtit ATE, BIRI merr që prej Tij (BIRIT) të vijë SHPIRTI-SHEJT ; e për rrjedhojë, SHPIRTI-SHEJT hyjninë e Tij e ka prej ATIT dhe, prej të njêjtit ATE, SHPIRTI-SHEJT merr që të vijë prej BIRIT ashtu siç vjen prej ATIT. » (« De Trinitate », Lib. XV, Cap. XXVII)

« BIRI vjen prej ATIT ; SHPIRTI-SHEJT vjen prej ATIT : por Njeni asht i lindun, ndërsa Tjetri buron (vjen). Për kyt arsye, BIRI tuej kenê i lindun asht Biri i ATIT, por SHPIRTI-SHEJT asht Shpirti i ATIT dhe i BIRIT, sepse vjen prej ATIT dhe prej BIRIT. » (« Contra Maxim. » Lib. III, Cap. XIV)

Shën Çirili i Aleksandrisë

« SHPIRTI-SHEJT asht Shpirti i ATIT dhe asht gjithashtu Shpirti i BIRIT, Aj që vjen në mnyrë substanciale prej të Dyve, d.m.th. prej ATIT përmes BIRIT. » (« Ad Hermiam ») [Dokumenti i Konçilit Ekumenik të Firences dekreton se shprehjet ''SHPIRTI-SHEJT vjen prej ATIT dhe prej BIRIT'' dhe ''SHPIRTI-SHEJT vjen prej ATIT përmes BIRIT'' nënkuptojnë të njêjten gja.]

Shën Hilari

« Nuk asht e nevojshme me folë për SHPIRTIN-SHEJT, për të Cilin duhet shpallë se ka për origjinë ATIN dhe BIRIN. » (« De Trinit. » Lib. II)

Dishmija e vetë Fotit, nismëtarit të Shizmës së Lindjes

« Por i madhi shejti Ambroz, shejti Agustin, shejti Jeronim, e disa të tjerë të ktij rangu e merite, të cilët kanë ba nji emën të madh në sajë të virtyteve dhe shkëlqimit të jetës së tyne, në shumë pasazhe të veprave të tyne kanë shkrue se SHPIRTI-SHEJT vjen prej BIRIT. » (Prej letrës së Fotit drejtue arqipeshkvit të Akuilesë.)

Shën Athanasi

« BIRI nuk asht marrës i SHPIRTIT-SHEJT; ma mirë me thanë, asht BIRI që i jep të gjithve SHPIRTIN-SHEJT. Nuk asht Shpirti që bashkon ATIN me BIRIN por asht SHPIRTI-SHEJT që merr prej Fjalës (BIRIT) ; sepse asht Fjala (BIRI) që i nep SHPIRTIT-SHEJT dhe gjithçka që ka SHPIRTI-SHEJT e ka prej Fjalës (BIRIT). » (Prej ''Debatit III kundër arianve'', n. 24)

Pra shën Athanasi, Atleti i KRISHTIT kundër arianve heretikë, na mson se BIRI nuk merr SHPIRTIN-SHEJT por asht BIRI AJ që i jep SHPIRTIN-SHEJT të gjithve. N'kjoft se SHPIRTI-SHEJT nuk vjen prej BIRIT, si mundet BIRI, që nuk merr SHPIRTIN-SHEJT, me i dhanë SHPIRTIN-SHEJT të tjerëve ? Përgjigja e vetme asht se BIRI ka n'Vetvedi SHPIRTIN-SHEJT dhe asht s'bashku me ATIN origjina e SHPIRTIT-SHEJT.

Shën Bazili i Madh

« Kush injoron faktin se çdo aktivitet i BIRIT nuk asht i ndamë prej ATIT, dhe në gjithçka që asht e BIRIT, asgja nuk asht e huej për ATIN ? Gjithçka që asht e Jemja (Imja) asht e Jueja, dhe gjithçka që asht e Jueja asht e Jemja, thotë BIRI. Si asht e mujtun pra që aj (Eunomius) i atribon vetëm BIRIT origjinën e SHPIRTIT-SHEJT ? » (Prej Librit II kundër Eunomius). [Eunomius msonte gabimisht se vetëm BIRI asht origjina e SHPIRTIT-SHEJT.]

Shën Çirili i Aleksandrisë

« Shpirti asht prej substancës së ATIT dhe BIRIT ... Shpirti vjen prej ATIT dhe prej BIRIT. » (Thesaurus, Lib. XIV)

'' Ἐχ τῆς οὐσίας τοῦ Πατρὸς χαὶ τοῦ Υἵου τὸ Πνεῦμα ... πρόεισι δὲ ἐχ Πατρὸς χαὶ Υἵου. ''

Dishmija e Abatit Tilloy

Të analizojmë kto tre pasazhe biblike :

« Kur të vijë Parakleti (Ngushlluesi) që Un do ju dërgoj prej ATIT Tem, Shpirti i së Vërtetës që vjen prej ATIT. » (Shën Gjoni XV, 16)

« Ai (SHPIRTI-SHEJT) do Më lavdërojë, sepse do të marrë nga çfarë asht e Jemja dhe do t’jua shpallë. » (sh’Gjoni XVI, 14)

« JEZUSI fryu mbi Apostujt dhe u tha : Merrni SHPIRTIN-SHEJT. » (Sh’Gjoni XX, 22)

Në pasazhin e parë prej shën Gjonit (XV, 16), JEZU-KRISHTI mson kjart se SHPIRTI-SHEJT vjen jo vetëm prej ATIT por edhe prej BIRIT, mbasi shpallë se SHPIRTI-SHEJT do t'i dërgohej prej BIRIT Apostujve të Tij.

Në pasazhin e (sh'Gonit (XVI, 14), JEZU-KRISHTI prap konfirmon se SHPIRTI-SHEJT vjen edhe prej BIRIT, sepse tuej thanë se SHPIRTI-SHEJT ka me marrë çka asht e Tija (e BIRIT), JEZU-KRISHTI shpreh njisoj se SHPIRTI-SHEJT vjen prej Tij (BIRIT).

Në pasazhin e sh'Gjonit (XX, 22), JEZU-KRISHTI na mson se Aj Vetë asht shkaku efikas i proçesjonit të SHPIRTIT-SHEJT, mbasi asht vetë JEZU-KRISHTI që ia komunikon SHPIRTIN-SHEJT Apostujve, tuej frye mbi ta.

Ky konkluzion, pra që SHPIRTI-SHEJT vjen prej ATIT dhe prej BIRIT, bazohet mbi dogmen e Konsubstancialitetit të BIRIT me ATIN (ATI dhe BIRI kanë të njejten Substance/Esencë të përbashkët hyjnore), aprovue edhe në Konçilin Ekumenik të Nicesë (315 AD) dhe që recitohet në Simbolin e Fesë.

« UN dhe ATI Jem, Na jena NJI. » (sh'Gjoni 10, 30)

« UN jam në ATIN dhe ATI asht në MUE. » (sh'Gjoni 18, 10)

« Kjo shprehje ''ATI ka krijue botën përmes BIRIT'' nuk shpreh imperfeksionin e fuqisë së ATIT; ajo nuk zvoglon as veprimin e BIRIT, por ajo shpreh unitetin e vullnetit. Gjithashtu, shprehja ''e krijueme përmes BIRIT'' nuk sulmon por dishmon shkakun fillestar. Përsëri, termi ''SHPIRTI-SHEJT vjen prej ATIT përmes BIRIT'' nuk si qëllim as me përcaktue si imperfekte proçesionin e ATIT e as me paraqitë si të dobët proçesionin e BIRIT, por aj dishmon unitetin e vullnetit. Në kyt mnyrë, shprehja ''përmes BIRIT'', nuk sulmon por konfirmon shkakun fillestar. » (shën Bazili i Madh, « Sur l'ESPRIT-SAINT à Amphilioque », ch. VIII)

Në kyt pasazh të njoftun që citova, shën Bazili nuk mjaftohet me afirmue proçesionin e SHPIRTIT-SHEJT prej ATIT dhe prej BIRIT ; për ma tepër, shejti e justifikon, tuej hjedhë poshtë objeksionet e ardhshme të teologve grekë kundër ksaj dogme.

Shën Çirili i Aleksandrisë shprehet me të njejten preçizion :

''Και ἑχ Θεοῦ χατά φυσιν ὁ υἱός, γεγενται γαρ ἑχ του Θεοῦ χαι Πατρος, ἴὸιον αὐτου τε χαι ἐν αὐτῳ χαι ἐξ αὐτου τπ πνευμα εστι, χαθαπερ ἀμελει χαι εξ αυτου νοειται του Θεου χαι Πατρος.'' (Ibid.)

« BIRI i Zotit, prej natyrës asht i Zotit, sepse ka lindë prej ATIT, dhe SHPIRTI-SHEJT asht edhe i Tiji ; SHPIRTI-SHEJT asht në BIRIN dhe vjen prej BIRIT, ashtu si e pranojmë se vjen edhe prej vetë ATIT. » (« Koment mbi profetin Joël »)

Dishmija e masipërme e shën Çirilit ka randsi deçizive në çeshtjen që trajtojmë, sepse asht shkëputë prej letrës dogmatike të shën Çirilit kundër heretikut Nestor, letër që asht lexue dhe aprovue prej tri Konçileve ekumenike, të njoftun si të tillë edhe prej grekve : Konçili i Efezit (Akt. XIII) ; Konçili i Kalcedonisë (Akt. LIII) dhe Konçili i II i Konstantinopojs (Coll. V), që dishmojnë se e vërteta e Filioque-s (e proçesionit të SHPIRTIT-SHEJT prej ATIT dhe prej BIRIT) ishte pjesë e besimit të tanë kishës greke, ashtu si ishte edhe për kishen latine.

Shën Gregori i Nisës mson të njêjten doktrinë me kto fjalë :

« SHPIRTI-SHEJT vjen prej ATIT, dhe asht e vërtetueme se vjen edhe prej BIRIT, sepse asht e shkrueme se aj që nuk ka Shpirtin e KRISHTIT nuk i përket KRISHTIT. » (« Diskutim mbi lutjen e të dielës »).

Sh'Athanasi shprehet po me kto fjalë :

« SHPIRTI-SHEJT vjen prej ATIT dhe prej BIRIT; nuk asht bâ e as nuk asht krijue prej ATIT dhe prej BIRIT ; nuk ka lindë por vjen prej ATIT dhe prej BIRIT. » (« Dans l'Homologation de la Foi »)

Shën Gjon Gojarti (Krizostomi) mson të njêjten dogmë :

« JEZU-KRISHTI ka ardhë mes nesh; na ka dhanë Shpirtin që vjen prej Tij, dhe ka marrë natyrën tonë. » (« Diskutim mbi Mishnimin e JEZU-KRISHΤIT »)

Po shtoj edhe dishminë e shën Epifanit, që asht n'harmoni të plotë me Etnit grekë dhe latinë :

« Na duhet me besue se SHPIRTI-SHEJT vjen prej KRISHTIT, ose prej të Dyve (prej ATIT dhe prej BIRIT), sepse JEZU-KRISHTI thotë ''që vjen prej ATIT'' dhe ''SHPIRTI-SHEJT do të marrë nga çka asht e Imja. » (« αγχυρωτον »)

Τë shohim edhe disa shembuj prej liturgjisë orientale, e cila dishmon edhe ajo mbi kyt të vërtetë fejet të msueme dhe besueme gjithkund në boten e katolike, greke dhe latine.

Në hymnet që kjo kishë orientale këndon në lutjet e mjesit, në festen e Rrethpremjes, lexojmë :

« BIRI asht imazhi i ATIT, dhe SHPIRTI-SHEJT asht imazhi i BIRIT. » (« Vie de saint Denis l'Aréopagite », écrite par Siméon Métaphraste)

Në festen e shen Denis Areopagjitit, që kisha orientale e feston me 3 Tetor, lexojmë kto fjalë mbi jeten e shêjtit :

« Dhe JEZU-KRISHTI jem hyp në Qiell, për me u kthye në Fronin Atnor, dhe u nisë Apostujve të Tij, për me i drejtue në konvertimin e popujve t'pafé, SHPIRTIN-SHEJT që vjen prej Tij (JEZU-KRISHTIT). » (« Hymn i kënduar në lutjet e mjesit », për festen e Rrethpremjes)

Në nji hymn që kisha orientale i këndon SHPIRTIT-SHEJT, të Enjten mbas festës së Rrëshajve (Uljes së SHPIRTIT-SHEJT mbi T.Sh. Virgjinën MARI dhe Apostujt), lexojmë :

« SHPIRTI-SHEJT njihet se asht Zot, mbasi ka të njêjten Natyrë dhe asht i ulun mbi të njêjtin Fron me ATIN dhe me BIRIN; dritë tejet perfekte që vjen prej ATIT të përjetshëm dhe perfekt dhe përmes BIRIT. T'I drejtojmë lutjet tona : O Paraklet (Ngushllues) gjallnues, denjoni me i dhanë popullit Tuej Paqen ! »

Si konkluzion të argumentimit t'masipërm, akuzat blasfemuese të kishave fotiane (t'vetquejtuna orthodhokse) kundër Selisë-Shejte dhe Kishës Katolike Romake se gjoja SHPIRTI-SHEJT vjen (rrjedh, buron) VETEM prej ATIT, dhe se msimi i Kishës së Romës mbi Doktrinën e Filioque-s qenka heretik, nuk kanë asnji bazë ungjillore apo teologjike, asnji bazë apostolike; përkundrazi, me msimin e tyne heretik kundër Unjillit dhe Traditës apostolike, janë vetë kishat greko-lindore dhe sllave ato që vetndahen prej Unjillit, Traditës apostolike, e për rrjedhojë edhe prej vetë JEZU-KRISHTIT e Kishës së Tij katolike; kto akuza të pavërteta, krahas paragjykimeve të tjera po aq të rreme kundër Papatit dhe latinve në përgjithsi, i mbajnë larg Burimit të jetës kto kisha shizmatike. Shkaqet e vërteta të ndamjes së ktyne kishave disidente prej Kishës Katolike të JEZU-KRISHTIT, jashtë të cilës nuk ka shëlbim, duhen kërkue në prapaskenat dhe intrigat e mjera politike.

Nana e Hyjit, tejet Shejtja Virgjina MARI, i ndriçoftë dhe i drejtoft kishat shizmatike drejt pendesës dhe ribashkimit me Kishën hyjnore Katolike të Birit të Saj hyjnor, Zotit tonë JEZU-KRISHTIT, i Cili me ATIN dhe me SHPIRTIN-SHEJT, jeton e mbretnon për shekuj të shekujve. Amen.