venerdì, aprile 29, 2011

Kjo âsht díta që ka bâ Zoti
 
 
"Kjo âsht díta që ka bâ Zoti; t'dishmòjmë pra gzímin tònë e t'híjmë në ndjénjat e nji gazmèndi t'shêjt" (Psàlmi CXVII, 21)
 
prej Illyricum Sacrum
http://nenaekeshillittemire.blogspot.com/
 
   
    Koha e Pàshkës âsht koha mâ e lavdíshme n'kalendàrin liturgjik t'Kishës Katolíke. Pàshka e KRISHTIT âsht fitorja triumfàle e Zotit tonë kundër djallit, kundër mkàtit dhe kundër vdèkjes. Me Njâlljen e Tij mbas 3 ditësh, JÉZUSI mbýti vdékjen, njashtú si e kishte parashikúe profeti Ozé : « O vdekje, kam me kènë vdekja jote » (Ozé 13,14).

Vdekja ka hí n'botë prej mkàtit t'Adamit e t'Evës dhe për arsye të ktij mkàti dhe mkàteve të tjera personale, djallit t'mallkúem iu dhà e drejta e sundimit mbi njerzimin, si denim i drejtë i Zotit për mkàtin. Por i Madhi Zot, n'Mshíren e pafúndme për njerzit, qysh n'kopshtin e Édenit na ka premtúe Shelbúesin dhe Nânen e Shelbúesit, te cillët s'bashku na kanë çlirue prej tiranisë djallzóre t'Luçifèrrit dhe na kanë hapë dyert e Parrizit në mnyrë që ata që besojnë, ashtu si mson Kisha Katolike me besúe, mos me dèkë përgjithmonë :

« Kam me kijúe nji anmiqsí mes tèjet [djallit] dhe Grúes [Virgjinës Mari], midis farës tande [shërbtorve t'djallit] dhe farës t'saj [JÉZU-KRISHTIT dhe shërbtorve t'Tij]. Ajo ka me ta shtypë krýet, e ti ke me i ndêjë gadi me e hangër n'thêmber. » (Gjenèza 3,15)

Ashtu si e spjegojnë Étnit dhe Doktorët e Kishës Katolike, kjo anmiqsì ka me vazhdúe deri n'fundin e botës, sepse megjithse KRISHTI Zot ka dèkë, âsht njâllë mbas tri ditësh dhe mbretnon n'Qiell, Ai na ka lânë shembullin e Jetës t'Tij shêjte për imitim, n'mnyrë që edhe pjestarët e Trupit të Tij mistik, që janë pjestarët e Kishës Katolike, t'vúejnë, t'dèsin dhe t'njâllen si KRISHTI me mbretnue mandej me Té n'lumnínë e pasosme t'Parrizit. Kshtu shprehet doktori i Kishës orientale dhe nji prej étënve t'Kishës Katolike universale, sh'Gregor Naziànze :

« Dje kam kènë n'kryq me Zotin tonë JEZU-KRISHTIN, sod jam n'lavdí me Té; Dje kam kènë i varrosun me Té n'vorrin e Tij, e sod jam rinjâllë bashkë me Té. » (Les petits Bollandistes, vllimi 16, faqe 68)

Kuptohet se asnjeni prej nesh nuk ka me vúejtë si KRISHTI, por ata që e imitojnë mâ afër n'kyt jètë dhe désin n'dashninë e Tij, ata kanë me pasë mâ shumë lavdi e kanë me kênë mâ afër KRISHTIT Mbret n'Qiell.

Si e shkrova mâ nalt, me dèkën n'Kryq dhe Njâlljen prej t'dèkunve, me forcën e shejtnísë t'Tij hyjnore, KRISHTI Zot ka triumfúe mbi mkàtin, mbi djallin i cili na mbàte rob për arsye t'mkàtit dhe mbi vdèkjen, i cila ishte pagesa e mkàtit, ashtu siç i shkruen sh'Pali romákve (Rom. 6,23)

KRISHTI âsht njâllë me t'vërtètë prej t'dekunve ashtú si ishte profetizúe për Té mija vjèt mâ parë n'Shkrimet Shêjte e ashtu si Ai vetë e ka profetizúe n'Unjíllin Shêjt. Njâllja e Lazrit, e djalit t'vèsë t'Naïmit dhe e disa personázheve t'tjera t'Unjíllit âsht nji figurë e Njâlljes t'KRISHTIT që nuk dès mâ kurrë.

Tue i urúe përzemërsisht të tânë vllâznit e mij katolikë për shumot Njâlljen e KRISHTIT, n'kyt kohë t'bekúeme t'octáves (8-dítshes) mbas Pàshkës, dèshta me komentúe e plotsúe me pak fjalë shkrimin e z. Daniel Gàzulli, "ME SHËNDET PASHKËT", i publikúem para do ditësh n'faqen e Zémrave shqiptáre, shkrim i cílli paraqitet katolik, kah âna e jashtme, por kah âna e mbrèndshme, âsht i përzíem me herezí (gabíme t'rânda kundra Fèsë Katolike) e gabime teologjíke.

Shkrimi i z. Gàzulli m'kujton msímin heretík t'Kishës konçiliare, të dalun prej Konçílit të dytë t'Vatikánit. Kjo Kishë, qysh n'1962, kah âna e jashtme deklaróhet gjithkund se âsht Kisha Katolike, gjâ që âsht nji rrênë që provohet me fakte, megjíthse tashtí nuk âsht as koha e as vêndi me bâ kýt gjâ. Por kur vjen puna te doktrina që kjo Kishë konçiliare mson publikísht, ajo âsht nji përzíemje heretíke midis disá t'vërtetave t'Fèsë Katolike dhe shumë herezíve anti-katolike t'dënúeme prej Magjistérit t'pagabúeshëm t'Kishës Katolike n'shékuj. Për mâ shumë hollsí, lexúesi mundet me konsultue shkrimin "Injoranca fetare shqiptare nën thundren islame" n'át pjesë ku flitet për herezítë e gabímet e disa prej kreríkve mâ t'njoftun t'Shqypnísë t'mbas-çlirimit. Kto kleríkë, t'cillët mendoj se kanë pasë intenciónin (qëllimin) me bâ mirë për Zot e për vênd, kanë prúe me vêdi kyt përziemje heretíke apo kyt gjymtím shpirtnúer, siç shkruen edhe z. Daniel, gjymtím prej t'cillit vúejnë edhe sod brezat katolikë shkodráne e shqyptáre.

« Të ringjallemi prej vdekjes shpirtnore që na sjell urrejtja, smira, shpifja, dëshprimi, pabesia, veçanarisht në këto kohë kur kemi pushtue qiejt si zogjtë, por po harrojmë të ecim pranë njeni tjetrit mbi tokë si vëllazen, si pat thanë Martin Luther King. » (z. Daniel)

Kuptimi i vllaznísë n'kuptimn e baptistit (heretikut) Luther King-ut nuk âsht kuptimi i vllaznísë që mson Kisha Katolike.

Kah nji ânë, Kisha Katolike na mson se duhet me dâshtë të tânë njérzit pa përjashtím, edhe anmíqtë, për dashní për Krishtin Zot. Por në t'njâjtën kohë duhet me proklamúe haptaz t'vërtetën katolike se vetëm tuej kênë pjesë e Kishës Katolike mundet me u shëlbýe shpirti dhe se besímet e tjera, posë Besimit Katolik, janë t'rrêjshme dhe djallzóre.

Kah âna tjetër, nuk âsht e híijshme n'kyt kohë t'shêjtë t'Pàshkve me parafrazúe nji anti-katolik e heretik si Luther King-u, i cílli me dâshje apo jó, me vetdije apo jo, avokón vllaznínë masoníke t'Frimasónvet, anmiqtë mâ t'egjër t'Kishës Katolike. Vllazníja masonike nuk njéh asnjí besim mâ t'rândsishëm se tjetri dhe asnjéni prej ktýne "vllázënve" nuk pretendón me pâsë t'vërtetën absolute t'besímit, sepse ata të tânë ecin mbi tokë krah njéni-tjétrit, si bagtíja, rreligjjóni natyror i t'cíllëve nuk ka as dógma féjet, as moral t'krishtênë e as dashní kristjáne. Kjo âsht vllâzníja e skâmjes e injorâncës dhe e tradhtísë.

Vllâzní e skâmjes, sepse ata injorójnë thesarin mâ t'çmúeshëm t'Qíellës e t'tokës : JEZU-KRISHTIN, Zotin tonë; vllâzní e injoráncës, sepse ata përçmójnë t'Vërtetën e vetme substancjále : JEZU-KRISHTIN Zot që vetë ka thânë : « Un jam Rrúga, e Vërteta dhe Jéta » (Gjoni 14,6); vllâzní e tradhtísë, sepse tuej mos njóftë, dâshtë e shërbýe JEZU-KRISHTIN ashtú si mson Kisha shêjte Katolike por tuej u besúe kapríçove t'arsýes t'gabúshme njerzóre, ata tradhtójnë Zotin, vêndin që Zoti u ka dhânë me fitúe Parrízin e i përgadísin védit mundímet e pambarúeme t'Férrit.

« Me shëndet e prap ma me zemër të mirë Pashkët, motra e vëllazën Shqiptarë, të cilitdo besimi qofshi, pse në ditë feste e gëzimi na bashkë kemi udhëtue e bashkë do të udhëtojmë në shekuj.  Për shumë mot! » (z. Gàzulli)

Si múnden me u vúe, me nji indiferéncë t'patolerúeshme, të tána besimet e rrèjshme n'nji rang me besimin e vétëm t'vërtetë, Fénë Katolike. Kshtu thóte edhe hinduisti i simpatizúem prej z. Daniel, Mathama Ghandi, (shpresoj t'jem gabim n'kyt konstatim personal mbi simpatinë e z. Gàzulli) për t'cillin të tána besimet ishin njillój, e nuk ishte e nevójshme me u konvertúe prej nji besimit n'tjetrin. Kyt herezí t'mallkúeme e t'denúeme gjithmonë prej t'tanë Papëve e prej Kishës Katolike, Kisha konçiliare e Vatikanit t'dytë, Kisha anti-katolike e Palit VI, e Gjon-Palit II dhe s'fundmit e Benediktit XVI, vazhdon me e msúe qysh prej viteve 60', tuej mashtrue kshtú besimtarët e thjeshtë katolik se ajo âsht Kisha Katolike. Ky konspiración bâhet me qëllim me përlye emnin dhe reputaciónin shêjt t'Kishës Katolike n'botë dhe me i thânë njerzve se Kisha Katolike s'âsht hyjnore se ajo âsht tuej kundërshtue vetvédin dhe msimet e saja t'kalúemes. Ky plan djallzúer shkruhet me hollsi n'librin e njoftun "Komploti kundër Kishës" i shkruem n'italisht prej nji grupi teológësh dhe i botúem n'Romë n'vjètin 1962. Ky libër kryevepër, i përkthýem n'disa gjuhë europiane, s'fundit âsht përkthye n'shqyp prej gjuhtàres znj. Etleva Sakajeva dhe mundet me u blé edhe n'librari n'Internet.

T'njájten taktikë mashtrimit ndjèkte dikur edhe revolucionári Volter kur propagandóte kundër Fèsë Katolike me fjalët : Rrêni, rrêni pa prâ, se n'fund dishka ka me mbètë.

Lexúesit múnden me verifikúe për saktsi kto shka po shkruej, për me ditë t'vërtetën e me u çlirúe prej gjymtimit shpirtnúer që vuen sod shoqníja shqiptare : « e ju keni me e dítë t'vërtetën, e ajo ka me ju çlirúe » (Gjoni 8,32).

E si múnden me festue Pashkën e KRISHTIT muslimánët, t'cillët nuk e njohin KRISHTIN për Zot, e për mâ tépër fmijtë e Muhamedit që përhapin rrênen se KRISHTI nuk ka dêkë por â kênë nji tjetër që âsht kryqzue n'vênd t'Tij. Athère, ku nuk ka dèkë nuk ka as rinjâllje, argumentójnë gabúeshëm muhamedánët.

« Në Shkrimet e Shejta Pashkët janë simboli i flijimit të Jezusit për njeriun » (z. Daniel)

Me sa kam njohuni, kërkund n'Shkrimet Shêjte nuk spjégohet Pàshka si simboli i flijimit t'KRISHTIT. Prej etimologjísë, fjala "Pashka" vjen prej hebraishtes "pesah" apo prej greqishtes "paskha" që don me thânë "kalim". N'fakt n'religjiónin e hebrèjve para ardhjes t'KRISHTIT, festa e Pashkës përkujtóte kalim e Detit t'Kuq prej hebrèjve që ishin tuej ikë prej Egjiptit me ardhë n'Tokën e Premtúeme n'Pálestinë. Pàshka e krishtênë, që ka zëvendsúe Pàshken hebraíke, përkujton kalimin e KRISHTIT, Zot e njíri, prej dèkës n'jètën a pasósme, n'mnyrë që të tanë ata që jetojnë e désin me KRISHTIN, n'KRISHTIN e për KRISHTIN, kanë me mbretnúe n'lumníne e pafúndme t'Parrizit me KRISHTIN, n'KRISHTIN e për KRISHTIN.

Sod shumë intelektuálë shqyptarë, t'vetqúejtun katolikë, t'cillve megjithse u âsht tërhjékë vemèndja mbi gabimet fetare që propagandójnë, vazhdójnë me përhapë nji Fé katolike t'mbúshun me besytní, anektóda, gojdhána e fjalë veshit. Kur dikush nuk âsht i sigúrtë n'çèshtjet e Fèsë, mâ mirë âsht mos me i prèk hiç kto tèma sesá me çorodítë mâ keq katolikët e paformúem.

Shka âsht mâ keq, shumë prej ktýne intelektuálve nuk pranojnë me úlë mendjemadhsínë e autoritetin e tyne akademik me ndigjúe njí kshíllë dashamírse e vllâznóre që i porositë me kërkúe t'vërtetat e Fêse t'krishtênë n'botimet e 'Magjisterit t'Kishës Katolíke para viteve 60', që Zotit falemndèrs munden me u gjètë falas n'gjuhë t'ndryshme, t'vërteta që janë krejt t'kúndërta me shka msóhet sod prej Kishës t'ashtuqúejtun Katolike n'Shqypní e mâ gjânë. Kërkóni e kéni me gjètë (Matéu 7,7).

Féja Katolike, si Zoti që na e kâ zbulúe, nuk ndryshon, as dje, as sod e as kurrë.

O vllâzën, vepróni tâsh sa kâ kohë e sa keni kâmbë e dorë, se mandej kur t'mbarójnë koha e kur t'duhet me dâlë para Gjyqit t'Zotit me dhânë gjégje si e kéni përdorë shpirtin e trupin që Zoti u ka dhânë huâ, kâ me kênë shumë vonë me fillue athèrë me kërkue, me gjètë e me bâ pendèsë.

Gjithashtu, due me ju kujtúe se kundërshtimi dhe mospranimi nji t'vërtetë t'njoftun t'Fèsë Katolike âsht nji prej 6 mkàteve mâ t'rânda kundër SHPIRTIT SHENJT, mkàt që nuk ka falje as n'kýt jetë e as n'jetën mbas vórrit. (Katekízmi i Papës sh'Piu X)

Lus Zotin e Zojen e Bekúeme që mallkimi i drejtë që KRISHTI ZOT u pat dhânë hebrèjve mendjemdhèj e kryefórtë, mos me râ mbi asnjí zemër shqiptare :

« Un po íku, e kéni me m'kërkúe, e kéni me dèkë n'mkàtin túej » (Gjoni 8,21)

A kâ mallkim mâ t'rândë se me ndênjë n'mkat e me lânë me ikë Shëlbuesin e njerzímit i Cíli â úlë páfundsisht prej Qíellit (sepse distánca që dân Zotin me krijésën e vét âsht e pafúndme) me mârrë natyrë njerzóre për dâshtni për ne, anmiqtë e Tij t'denúem me Ferr t'përjetshëm ?

A kâ mallkim mâ t'rândë se me ndênjë n'mkat e me lânë me ikë Shëlbuesin e njerzímit i Cíli ka dèkë n'mnyrën mâ shnjerzóre e barbáre t'mundshme, n'torturën e Kryqit, e cila u jépej si dënim vetëm skllèvënve e róbve t'luftës, për me na çlirúe prej mkàtit ?

A kâ mallkim mâ t'rândë se me ndênjë n'mkat e me lânë me ikë Shëlbuesin e njerzímit i Cili âsht njâll prej t'dékunve mbas tri ditësh me na hap përfundimisht rrugën e Parrizit ?

KRISHTI mújte me na shelbýe të tânvë, e biles nji pafundsi botësh t'tjera, vetëm me nji lutje, vetëm me nji pendesë, sepse çdo akt i KRISHTIT Zot ka nji vlerë t'pafúndme. Por JÉZUSI zgjódhi vúejtjet e múndimet me i dhânë nji lavdi mâ t'madhe Atit qiellúer, me na diftúe dashnínë e Tij t'pafundme për ne, sepse nuk ka dashní mâ t'madhe sesa dashníja e njirit që nep jetën e vet për miqtë e tij (Gjoni 15,13), me na diftúe ligshtínë e pafúndme t'mkàtit t'rândë që fyen Zotin n'nji mënyrë t'pafúndme dhe me na kujtúe drejtsinë e pafundme t'Zotit që urren mkatin n'mnyrë t'pafundme dhe që kërkon nji shpagím apo nji dâmshpërblim t'pafúndëm për mkàtet e rânda t'bâme, shpagím që vetëm KRISHTI ZOT mújte me e pagúe.

Doktori ênjllúer sh'Tomë Akuinàti bashkë me Étnit e tjerë t'Kishës pohójnë se mundimet e KRISHTIT janë kênë ma t'mëdhâ se të tâna mundimet e të tânë martirve t'màrruna s'bàshkut që kânë kênë, që janë e që kânë me kênë deri n'fund t'botës.  N'fakt, vúejtjet e KRISHTIT kânë kênë aq t'mëdhâ saqë profeti Isaï e ka qúejtë : "virum dolorum" që don me thânë : "njiri i të tâna vúejtjeve e mundímeve".

KRISHTI ZOT ka vúejtë :

1) në t'mirat materiàle : i lindun n'nji shpêllë nëntokë, i vúem n'nji grazhd me kashtë, i mërgúem n'Egjipt, i lidhun me profesionin e marangòzit për gadi 30 vjet, mbas 3 vjètësh t'nji jète apostolíke publike n'nji vorfní absolute, JEZU-KRISHTI dés i gozhdùem n'Kryq lakuriq midis dy hàjnash.

2) në ânen morale : âsht qùejtë pàdrejtsisht blasfemúes, kryengritës, pijanec, gopç, i pushtúem prej dreqit, injorant, i mârrë, mashtrúes, magjistar që bâte mrekullína n'bashkpunim me dreqin, etj.

3) prej njerzve t'afërm : nji prej dishèpujve (Jùda) e trathtón dhe e shet për 30 pâre (që vlejshin n'at kohë aq sa me blé nji bagtí), i pari i dishèpujve (sh'Pjetri) e mohon kurse të tjerët e braktisin. Bile edhe prezénca e Nanës t'Vet shêjte tuej kjâ n'kâmbë t'Kryqit âsht kênë për JÉZUSIN nji bârrë e tmerrshme vùejtjesh e trishtimit.

4) prej njerzve t'huej : prej mbrètënve (Herodi), guvernatórëve (Pilati), gjykàtësve (Sanhedríni), prej sherbtórve, ushtàrve, príftënve, besimtarve t'thjeshtë e përgjithsisht prej të tânë njerzve.

5) në të tâna pjesët e Trupit : ia mbulùen Kryet me nji kunórë me fèrra, ia shkúlen flokët e mjekrrën, i râne shpúta e ia mbulúen Ftýren me pshtýma, ia shtërngúen Qàfen dhe krahët me litàrë, ia rjèpen shpátullat me Kryqin që kje detyrúe me bâjt, ia shpúen duert e kâmbët me gozhda për z'gjàllit, ia thèren Krahnorin e Zemren Shêjte me shtízë e ia shkýen Trupin, pa mshirë,  me gadi 5000 râmje kamzhíkut, aq sa edhe kocat e zhdèshuna mujshin me u pâ.

6) n'shqísa : KRISHTI ka vùejtë n'sý, tuej pâ ngërdhèshjet dhe tàlljet e animqve si dhe lotët dhe idhnímin e miqve; n'vèshë, tuej ndigjúe fýmjet, rrênat, shpifjet, blasfémat që ata gojë t'mallkúeme nxjèrrshin kundër Tij; n'nuhàtje, n'shije, túej pi úfull që anmiqtë ia dhâne n'vend t'újit, etj.

7) n'shpirt : Shpirti Tij shêjt pothujse u shtyp prej mkàteve të tânë njerzimit që kishte marrë mbi Vedi, dhe kryesisht prej dijes të mallkimit të shumë shpírtnave për të cilat KRISHTI Zot kishte me dèrdhë tânë Gjakun shêjt pa asnjilloj përfitimit për kto shpirtna që kishin me u mallkue për faj të tyne.

Mundimet e KRISHTIT kanë zgjâtë qysh prej momentit të t'xânunit të Tij të shêjt në Barkun e papërlyem të Virgjinës Mari e deri n'dèkë, mbasi Dija e Tij hyjnore shifte me hollsí gjithshka që Ai kishte me vùejte për me pshtúe njerzit.

E vúejtja ma e madhe ka kênë n'momentin e dèkës n'Kryq ku KRISHTI ka vúejtë pa mâ t'voglin ngushllím deri aty sa âsht ndíe i braktisun prej Atit qiellúer.

JEZU-KRISHTI ka vúejtë, ka dèkë dhe âsht njâllë mbas 3 ditësh jo me na prue Parrizin n'Tokë, siç shkrúen z. Gàzulli :

« Kryqzimi për mëkatet tona e Ringjallja për shpresat tona – për paqë e dashuni mbi Tokë,  - janë për besimtarët rruga e vetme udhërrëfuese në jetën mbitokësore. » (z. Gàzulli)

Zoti jónë JEZU-KRISHTI mes Shkrímeve Shêjte na thotë se :

« Mos mendóni se kam ârdhë me ju prúe pâqen n'Tokë; Un nuk kam ardhë me ju prúe pâqen por shpàten. » (Matéu 10,34)

Kjo don me thânë se jeta e t'krishtênit t'vërtetë âsht nji luftë shpirtnóre deri n'fund t'jetës (Job 7,1). Prandaj edhe Kisha Katolike n'Tokë quhet edhe "Ecclesia Militans" që përkthèhet "Kisha Militànte", sepse katoliku deri n'fund t'jetës ka me luftúe kundër tri épsheve kryesore, pasója t'Mkàtit origjinál : dishíra për me sundúe e me kênë i pari gjithkund; dishíra për imoralitet dhe dishíra për pasuní. N'latinisht kto tri épshe njifen me emnin "concupiscentia". Përveç ktyne épsheve që katoliku i ka n'vêdi, ai duhet me luftue dy anmiqtë e tjerë : djallin dhe boten, e cila përbâhet prej atyne që hjekin dorë prej Qiellit me bâ Parrizin mbi Tokë, që preferojnë t'mirat e rrêjshme t'ksaj toke n'vênd t'Parrizit dhe t'mirave t'përjetshme.

N'Dàrken e Mbrâme, që Kisha Katolike e feston çdo vjèt t'Enjten e Madhe n'Jàven e Madhe para Pàshkve, kur sh'Tóma e pveti JÉZUSIN se cílla ishte rruga me shkue te Ai, KRISHTI i përgjigjet se Ai vêtë âsht Rrúga, e Vërtèta dhe Jeta (Gjoni 14,6). Gjithashtu, n'Unjíllin e Sh'Lukës (9,23), KRISHTI i porosit të tânë ata që dojnë me E ndjèkë, se ata duhen me mohúe vêdin (që don me thânë me mohúe e luftúe pa pushim tri épshet që shkrova mâ nalt dhe çdo lloj mkâtit), me mbâjt kryqin përditë (që don me thânë se ata duhet me pranue me durim e dashtni çdo kryq që Zoti u nep përditë në mnyrë që ata me i gjasúe KRISHTIT Zot) dhe me ndjèkë mbrâpa Shëlbúesin (që don me thânë se ata duhen me ecë të tânë n'Rrugën e Kalvàrit apo n'Udhen e Krýgjes).

Rruga mbretnóre e Krýgjes (Kryqit) âsht e vetmja rrugë që çon n'Parriz dhe kyt t'vërtetë e thónë te tânë Shèjtnit, Étnit dhe Doktòrët e Kishës Katolike. Ata katolikë, që mundòhen me ndjèkë nji tjetër rrugë për me shkue n'Parriz, janë nën iluziònin dhe n'kúrthën e Atit të tâna rrênave, Luferrit t'mallkúem. Kjo rrugë tjetër âsht Rruga e Fèrrit që çon n'mallimin e përjetshëm, rrugë në t'cillën janë tuej ecë sod gati të tânë njerzit.

Rruga e Kryqit që çon n'Parriz âsht e ngushtë, e tepjète (malore), ku pak fort ecin n'té; kurse Rruga e Ferrit që çon n'Ferr âsht e gjânë, fushore dhe gadi të tânë njerzit e marrin.

Gadi të tânë shêjtnit kanë pasë frikë t'mâdhe kur nuk kânë pasë tundime e kur nuk kânë vúejtë ndonji send për dashní për KRISHTIN e Kryqzúem. Mungesa e kryqeve, që janë hiret mâ t'previlegjúeme që Zoti u nep shërbtorve t'Tij, âsht konsiderue prej tânë shêjtënve se braktisje e ndihmës hyjnore. Vetë KRISHTI i pat kujtúe dishepujve se nxânsi nuk âsht mâ i madh se Msúesi; se njashtú si e kanë persekutúe Até, njashtu kanë me i persekutue edhe ata, deri n'fund t'jets t'tyne (Gjoni 15,20).

Kur t'krishtênët mos t'kènë mâ tundime e kryqe me vúejte për KRISHTIN Zot; kur ata kânë me kerkue dashnínë, rahatínë e paqen mes njerzve, pa dallim fejet, tuej ûlë kshtu n'mnyrë sakrilegje KRISHTIN dhe djallin n'nji karrige, e tuej i kthye shpinën KRISHTIT Mbret; kur ata kânë me rrôkë botën e jetën e saj anti-katolike, botë t'cillën KRISHTI Zot e ka mallkúe e për t'cillën Ai nuk âsht lutë (Gjoni 17,9); kur t'krishtênët kânë me dâshtë me shkue n'Evropë, si cjàpi te kasàpi, institucionet e t'cillës janë të tâna anti-katolike e nuk njohin KRISHTIN Mbret;

N'kjoftë se kta gjâna ndodhin, athërë âsht friga e madhe se kta t'krishtênë janë braktisë prej t'Madhit Zot, t'Cillin ata e trathtójnë mâ keq se Júda, tuej e dorzue pa pâre, dhe se kta t'krishtênë, që nuk e meritojnë mâ me u thirrë t'KRISHTIT, janë tuej udhtue s'bashkut n'Rrugën e Ferrit drejt dèks t'pasosme.

« Shka i vlen njírit me fitue të tânë botën e mandej me mallkue shpirtin e vet ? »
(Matèu 16,26)



Bibliografía :

-Abbé Louis-Claude Fillion, La Sainte Bible, 8 volumes, Paris, 1904.
-Mgr Paul Guérin, Les petits bollandistes, 17 volumes, Paris, 1878.
-S.S. Pape Saint Pie X, Catéchisme de la doctrine chrétienne, Paris, 1912.
-Abbé Barbier, Les trésors de Cornelius à Lapide, 4 volumes, Paris, 1896.
-Santi, beati e testimoni, http://www.santiebeati.it
-R. Garrigou-Lagrange, O.P., Le Sauveur et son amour pour nous, Paris, 1951
-Saint Louis-Marie Grignion de Montfort, L'amour de la Sagesse Éternelle, Montréal, 1947
-Texier, S.M.M., Un mois avec le Bx de Montfort, Ottawa, 1945