giovedì, dicembre 30, 2010

Puer natus est nobis... 
Një Fëmi ka lindur për ne (Is., 9,6)

 Viti i botës 5199


Përkthyer dhe përgatitur nga Illiricum Sacrum
http://nenaekeshillittemire.blogspot.com/

Hunc astra, tellus, aequora,
Hunc omne quod coelo subest,
Salutis auctorem novae
Novo salutat cantico.

Në këtë ditë, yjet, toka, detet dhe të gjitha krijesat që lëvizin nën kupën e qiellit të vijnë dhe të përshendesin me një himn te ri ardhjen e Shëlbuesit. (Liturgjia romane e Krishtlindjes) 


*     *     *     *     

Festa e Krishtlindjes është aq madhështore dhe besimtarët katolikë e lusin atë me aq zell e devocion saqë do të ishte e padenjë për ne si katolikë të mos meditonim sado pak mbi këtë mister të madh për të pasur një njohje më perfekte të tij. Misteri i Krishtlindjes quhet dhe mbetet i tillë sepse ai kalon forcën e inteligjencës njerëzore dhe hyn në botën e të vërtetave të Fesë të zbuluara nga Zoti. 


Misteri i Krishtlindjes sipas burimeve jo-zyrtare

     Rreth këtij misteri të papërsëritshëm flitet shumë edhe në mediat shqiptare, por, mjerisht, ka aq shumë blasfemi, herezi, besytni dhe pasaktësi në këto shkrime saqë lexuesit jokatolikë e vetë besimtarët e krishterë që i lexojnë këto artikuj nuk e marrin vesh kuptimin e vërtetë që fshihet mbas misterit të madh të Krishtlindjes. Injoranca fetare vazhdon të jetë një trashëgimi e hidhur e kombit shqiptar.

Po marr vetëm disa shembuj.

Te shkrimi i z. Frrok Kristaj, "Kërshëndellat - festë e lindjes së jetës së re", botuar në "Zemrat shqiptare. net", festimi i Krishtlindjes lidhet, në mënyrë të gabuar dhe blasfemuese, me Perandorin Konstantin. Kisha Katolike e ka festuar gjithmonë Krishtlindjen, si ditën e lindjes së Shëlbyesit tonë, Jezu-Krishtit.

Më tej, gabohet duke shkruar se në Konçilin e Nicesë krishterimi, pra Kisha Katolike, paska njohur për herë të parë zyrtarisht doktrinën e Trinisë Shenjte. Kjo është e pavërtetë. Kisha Katolike njeh doktrinën e Trinisë Shenjte që në kohën e themelimi të saj, sepse Krishti Zot dhe Kisha Katolike nuk janë të ndarë por përbëjnë një Trup Mistik; Jezu-Krishti flet nëpërmjet Kishës Katolike, Kishës që Ai vetë formoi për shëlbimin e njerëzve. Kjo shihet edhe në Shkrimet Shenjta :

"Shkoni e mësoni të gjitha kombet dhe pagëzojini ata në emër të Atit e të Birit e të Shpirit Shenjt..." (Mateu 28:19-20)

Për të qenë më i saktë doktrina e Trinisë Shenjte është njohur që në Besëlidhjen e Vjetër. Për më shumë detaje lexuesit mund të konsultojnë studimin "Injoranca fetare shqiptare nën thundrën islame" në blogun "Nëna e Këshillit të Mirë" : (http://nenaekeshillittemire.blogspot.com/)

Më poshtë në artikullin e z. Kristaj shkruhet se Perandori Konstantin paska toleruar elemente pagane në Fenë katolike për t'a pasuruar besimin e ri katolik. Kjo është një tjetër gënjeshtër dhe blasfemi. Feja Katolike nuk ka qenë një besim i ri, por vazhdimësi e besimit të vjetër izraelit që për afro 4000 vjet predikonte ardhjen e Shëlbuesi për të liruar njerëzit nga mëkatet. Nga ana tjetër, nuk është Perandori Konstantin por Përfaqësuesi i Krishtit Zot në tokë, Papa, që në atë kohë ka qenë Papa Silvester, i cili ka drejtuar dhe mund të drejtojë grigjen e besimtarëve të krishterë  me fuqinë e plotë dhe autoritetin suprem që ka marrë nga vetë Krishti Zot. Mbas konvertimit të tij, Perandori Konstantin ka konsultuar gjithmonë Papën në Romë, sepse vetëm Papa ka vendosur në çështjet e Fesë, dhe nuk ka lejuar kurrë infiltrimin e elementave paganë në Fenë shenjte Katolike. Pra është gabim të shkruhet se Konstantini paska drejtuar krishtërimin. Mos të harrojmë se para Perandorit Konstantin, për afro 300 vjet, me miliona martirë katolikë, përfshi këtu pothuajse të gjithë papët e atyre viteve të persekutimit, janë martirizuar në mënyrat më çnjerëzore sepse nuk kanë toleruar që besimet djallëzore e të rreme pagane që sundonin në atë kohë në Perandorinë Romake të përziheshin me pastërtinë hyjnore të Fesë Katolike. Nga ana tjetër është e vërtetë të thuhet se Kisha Katolike ka krishtëzuar festat pagane të asaj kohe, ka ndërtuar Kishat e veta mbi tempujt profane romake, etj.

Më tej, si argument mbështetës citohet historiani protestant anti-katolik Edward Gibbon, vepra kryesore e të cilit, "The history of the decline and fall of the roman empire" (1783) është vënë nga Kisha Katolike në indeksin e librave të ndaluar. Pikërisht Gibbon citohet të ketë shkruar se të krishterët nuk e paskan ditur ditën e saktë të Lindjes së Shëlbyesit tonë dhe se e paskan caktuar atë duke u bazuar në festat pagane të asaj kohe. Kjo gënjeshtër bie poshtë para provave historike të Kishës katolike latine, e cila e ka festuar që në kohët më të hershme festen e Krishtlindjes me 25 Dhjetor. Kështu dëshmojnë edhe shën Agustini, shën Jeronimi, shën Krizostomi, shën Gregori Nazianze, shën Bazili, etj.

Mjerisht, thënjet e z. Kristaj dëshmojnë se katoliçizmi në Shqipëri, në shumë zona, ka qenë dhe vazhdon të jetë i influencuar nga besytni pagane jo-katolike. Si shpjegohet se edhe sot shumë katolikë shqiptarë thonë se duhet mbytur një gjel, një bagëti, pra duhet bërë gjak për natën e Shën Kollit ? Kisha Katolike nuk e ka mësuar kurrë këtë gjë. Eshtë një gjë të prehet bagëti në shenjë feste e gëzimi por është paganizëm të kryhet ky veprim si pjesë e një rituali fetar të detyrueshëm. Prandaj edhe një pjesë e madhe e shqiptarëve nuk e njohin Fenë e pastër Katolike. Po marr vetëm dy shembuj të kësaj "tradite" të trashëguar nga Relacioni i Imzot Frang Bardhit mbi krahinën e Pukës drejtuar Kongregacionit "Propoganda Fide" në Qershor 1637 :

"Besojnë se turqit dhe gjithë besimi myslimanë shelbohen, dhe ne jemi nen turqit e nuk mundemi me u thanë haptaz dhe me ua heqë këtë nga mendja." (Imzot Bardhi)

"I kanë edhe disa bestytni këta popuj, dmth, që mos me pre n’e prende asgja, as thojt e dores, mos me i uhajtë gja askujt n’atë, mos me la (petka) n’ulishtë, mos me bamë lëmoshë me djathë po n’atë ditë, me e mbajtë festë etj. Shikojnë ashtin e shpatullës së një edhi ose një skjapi, o të një dashi të tredhun, dhe n’atë parashohin mjerimin e tyne t’ardhshem, d.m.th, në se do të vdesë shpejt ndonjeni sish, dhe e parashohin në se do të jetë i konakut të vet o i fqinjit, në se do të të jetë fisnik o i pa-rod, i zoti i shpisë o i konakut; kështu edhe parashohin në te në se do të pësojnë plaçkitje nga turqit e në se do shkojë ushtri kundra tyne. Kur po ndodheshim në këtë vizitë të Pukës, në një katund të qujtun Dushnjesh që u shenua ma siper, i zot i shtëpisë na theri një për darkë dhe, kur erdh koha, u vumë me ngranë darkë, dhe në darkë e sipër, i zoti i shtëpisë mori shpatullën e edhit dhe ia hoqi mishin përrreth, që ishte ziem mirë, dhe ia nisi në sy tim ta shikojë dhe, tue percjellë, e rishikonte me shqetsim. Unë pastaj nuk mun u durova e i thashë çka po soditëte n’atë asht. Ai m’u përgjegj tue renkue e tha se në krye të tri ditëve do t’u sulte një ushtri." (Idem)

Në një tjetër artikull të z. Baki Ymeri me titull "Krishtlindjet si një mrekulli hyjnore e njerëzimit", botuar në "Zemrat shqiptare. net",  At Fan Noli dhe Kisha shizmatike shqiptare konsiderohen si pjesë e krishtërimit shqiptar. Kjo shprehje heretike është e gabuar sepse shizmatikët "orthodoxë" kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të ndarë, me fajin e tyre, prej Kishës së Krishtit, Kishës Katolike, jashtë së cilës nuk ka shëlbim për askënd. Më tepër shpresoj të shkruaj mbi këtë çështje në një shkrim tjetër.

"Vetëm katolikët janë të krishterë." (Papa Pius VI, Denzinger : 1500)

Në artikullin "Mesazhi i Krishtlindjes është dashuria e Zotit për njeriun" (Zemra shqiptare),për të mbështetur shkrimin e tij,  z. Graciani citon Billy Graham, një evangjelist, një protestant, pra një jo-katolik.

Në shkrimin "Krishtelindjet simbol i rilindjes se shqiptareve" (Zemrat shqiptare), z. Bruçaj shprej mendimet e tija personale mbi Krishtlindjen duke përsëritur një herezi të vjetër të dënuar nga Kisha Katolike, herezia monofizite e "ringjallur" sot nga modernistët, që beson gabimisht se Krishti lindi njeri dhe më pas u bë Zot. Më poshtë, autori shkruan gabimisht, në mënyrë heretike, se nuk ka rëndësi besimi për të festuar Krishtlindjen, duke harruar se Krishti fëmi, para së gjithash ka ardhur në Tokë për të na shëruar nga mëkatet, një prej të cilëve është edhe besimi në një sekt të rreme antikatolik, si islami, orthodoksizmi, protestanizmi, etj. Si mund të festojë Krishtlindjen një muhamedan kur ai nuk beson në hyjninë e Krishtit Fëmi ? Mënyra e vetme për një  mysliman, një protestant apo një jo-katolik për të festuar shenjërisht e denjësisht Krishtlindjen është përqafimi i Fesë Katolike.

Të gjithë këto shembuj që solla më sipër konsiderojnë Krishtlindjen bazuar në mendime personale të gabueshme apo burime informacioni jo të krishtera, të cilat nuk kanë asnjë lloj autoriteti të shprehen mbi të vërtetat e Fesë Katolike.

Për shumë katolikë, Krishtlindja është një rast për të bërë "party", për të blerë dhe shkëmbyer dhurata, për të ngrënë e për të pirë në ekstrem, për të pritur ardhjen e Babagjyshit të Krishtlindjes, një legjendë kjo e krijuar nga vetë armiqtë e Fesë katolike, personazh i cili nuk ka asnjë lidhje me Krishtlindjen, etj, etj, etj.
A është  kjo mënyra e pritjes së Krishtit Fëmi, për të Cilin pak kujtohen në këtë Natë të shenjtë, megjithse Ai është Figura kryesore e kësaj feste ? A është ky shpirti i vërtetë i Krishtlindjes ? Jo. Pothuajse asnjëri nuk kujtohet të konsultojë Magjisterin e pagabueshëm të Kishës Katolike, burimin e vetëm të vërtetë dhe të pagabueshëm, i cili i vetmi ka autoritet prej vetë Krishtit Zot për t'i mësuar njerëzve të vërtetën dhe për të na treguar se si duhet festuar denjësisht misteri i Krishtlindjes. Le të dëgjojmë se çfarë na mëson Kisha Katolike mbi lindjen e Birit të Zotit, Jezu-Krishtin.

Misteri i Krishtlindjes sipas burimeve zyrtare të Kishës Katolike
     
Në festën e shenjtë të Krishtlindjes, Kisha Katolike kujton një ngjarje historike unike dhe nderon, veçanërisht në lutjet e Meshës së tretë të kësaj dite të bekuar, lindjen e dytë të Shëlbuesit tonë në këtë botë nga një Virgjër, për të ndriçuar njerëzimin me prezencën e Tij, duke bashkuar në Personën e vetme hyjnore të Jezu-Krishtit, që është vetë Persona e dytë e të Shenjtërueshmes Trini, Natyrën hyjnore me Natyrën njerëzore, dhe për të filluar veprën e madhe të Shëlbimit të njerëzimit, mbas zënjes dhe qëndrimit të Tij nga veprimi i Shpirtit Shenjt në barkun e papërlyer të Virgjirës Mari gjatë nëntë muajve
.
 Betlehemi sot i parë nga fushat përreth

     
     Krishtlindja quhet lindja e dytë, sepse lindja e parë e Personës së dytë të Shenjtërueshmes Trini, që është Biri i Zotit, Fjala e Zotit në përjetësi ose Jezu-Krishti në kohë, vjen nga inteligjenca e Atit, Personës së Parë të Shenjtërueshmes Trini. Kjo lindje e parë është e vazhdueshme dhe e përhershme, sepse nuk ka pasur kurrë fillim dhe nuk do të mbarojë kurrë. Kjo është një lindje me anë të cilës Ati i komunikon përjetësisht Birit, Personës së dytë të adhurueshme të Shenjtërueshmes Trini, të njëjtën natyrë të Tij hyjnore. Nuk janë tre Zotë por Një Zot në Tre Persona hyjnorë të adhurueshëm.

Pamje e Bazilikës së Krishtlindjes e ndërtuar mbi shpellen e Betlehemit ku ka lindur Krishti Zot 


Ja si e këndon Kisha Katolike Krishtlindjen në liturgjinë e saj të shenjtë :

"Sot paqja e vërtetë ka zbritur nga Qielli për ne; Sot Qiejtë janë bërë burim mjalti për të gjithë botën; Për ne sot është dita e një Shëlbimi të ri, e një riparimi të vjetër dhe e një lumturie të përjetshme."

Ja si shkruan papa  shën Leoni i madh në sermonin e parë të Krishtlindjes :

"Të dashurit e mi, sot Zoti ynë ka lindur. Gëzohuni pra, sepse nuk bën të jemi të trishtuar kur lind jeta. Askush nuk përjashtohet nga ky gëzim. Të gjithë njerëzit mund të marrin pjesë sepse Zoti ynë Jezu-Krishti, shkatërruesi i vdekjes dhe i mëkatit, duke mos gjetur mbi tokë askënd të pafajshëm, [me përjashtim të Virgjirës Mari], ka ardhur për të paguar lirimin e të gjithë njerëzve.

"I drejti të ngazëllojë nga gëzimi sepse ai do të marrë së shpejti pagesën për drejtësinë e tij; mëkatnori të ngushëllohet në mjerimin e tij sepse atij do t'i ofrohet falja e mëkateve kurse pagani të forcohet sepse do t'a thërrasin për t'i dhënë jetën."

E me të vërtetë, çdo Krishtlindje Krishti Zot, në dashurinë e Tij të pafundme për ne, na kujton se Ai ka ardhur për ne në këtë botë dhe ka paguar një herë e përgjithmonë me Gjakun e Tij të paçmueshëm lirinë dhe të drejtën tonë për jetën e pasosur; Ai ka ardhur për ne që kemi qenë armiqtë e Tij, skllevër të mëkatit dhe të Djallit, të dënuar në Ferr përjetësisht; Ai ka ardhur për ne të na kujtojë se kjo jetë tokësore është një fushë beteje për të fituar kurorën e Parrizit, e cila i jepet vetëm fitimtarëve që kanë triumfuar, me ndihmën e Zotit, kundër vetvehtes, kundër botës dhe kundër Djallit; Ai ka ardhur për të na kujtuar se mbas këtij pelegrinazhi të shkurtër tokësor vjen vdekja, gjykimi, Parrizi për të drejtët dhe Ferri për mëkatnorët. Lum ata që vdekja do t'i gjejë në dashurinë e Zotit; mjerë ata që vdekja do t'i gjejë në mëkat kundër Zotit; Derisa ka kohë, ka edhe shpresë dhe Zoti e ndjek mëkatnorin deri në frymën e tij të fundit për t'a konvertuar dhe shpëtuar. Por mbas vdekjes nuk ka më kohë, nuk ka më falje por vetëm gjykim.
Dhe shën Pali na zbulon diçka mbi fundin e frikshëm të mëkatnorit që ka përbuzur dashurinë e Zotit kur shkruan se

"Eshtë e tmerrshme të biesh në duart e Zotit të gjallë." (Hebrenjve 10:31)


 Porta hyrëse lindore e Bazilikës së Krishtlindjes në Betlehem


Sa herë që ne vazhdojmë të bëjmë mëkate, po aq herë ne shkelim Gjakun e shenjtë të Krishtit Zot të derdhur me aq bujari për secilin prej nesh, po aq herë ne refuzojmë lumturinë dhe jetën e pasosur dhe po aq herë  ne pranojmë vdekjen e përjetshme.
O çmenduri njerëzore që nuk ka fjalë të përshkruhet!

Që shekuj më parë, Zoti i kishte premtuar Noesë, Abrahamit, Jakobit, Moisiut, Mbretit David, profetit Izai dhe brezave çifute në robërinë e Babilonisë lindjen e Krishtit. Zoti i kishte premtuar atyre një Shëlbyes të vërtetë që do t'i çlironte ata nga skllavëria e mëkatit dhe tirania e Djallit.


 Hyrja brënda Bazilikës që të çon drejt Shpellës së Betlehemit. Holylandphotos.org
  
 Ja edhe mesazhi kryesor që shpesh injorohet nga vetë të krishterët. Festimi i Krishtlindjes, në thelb, nuk ka të bëjë as me tavolinat e mbushura plot, as me shkëmbimin e dhuratave, as me ngritjen e bredhave e as me ndonjë traditë folklorike të cilat, në vetvehte, nuk janë të dëmshme por anashkalojnë arsyen e vërtetë të uljes së Birit të Zotit mbi tokë 2000 vjet më parë. Krishti ka ardhur personalisht dhe vjen çdo Kriishtlindje në zemrat e besimtarëve të vërtetë katolik me anën e Kungimit Shenjt për të na pastruar nga mëkatet, për të na shenjtëruar dhe për të na bërë të ngjashëm me Zotin, që është edhe qëllimi i vetëm i egzistencës tonë tokësore : 
 "Jini të shenjtë sepse Unë jam i shenjtë."(Levitët 11:45-46) 

"Jini perfekt ashtu si Ati juaj qiellor është perfekt." (Mateu 5:48)

Zoti e di që njerëzit nuk mund të bëhen të shenjtë pa ndihmën e Tij, por Ai i thotë atyre t'a dëshirojnë këtë shenjtëri dhe të bëjnë të gjitha përpjekjet për t'ia arritur këtij qëllimi. Pastaj, ajo që duket e vështirë për njerëzit është e lehtë për Zotin :

"Jezusi i tha atyre : Gjërat që janë të pamundura për njerëzit, janë të mundura për Zotin." (Luka 18:27)

Ja pra, Shëlbuesi ynë Jezu-Krishti ka lindur. Engjëjt lajmërojnë Krishtlindjen me këngët e tyre të gëzueshshme të një harmonie qiellore, qiejtë, me anën e një ylli të ri të jashtëzakonshëm, kurse toka, me mrekullitë e shumta që ndodhin në të gjitha anët.

Që kur ëngjëlli i Zoti i pat zbuluar në ëndërr shën Jozefit misterin e Mishërimit të Zotit, ai së bashku me Virgjirën Mari nuk pushuan së bekuari, së adhuruari e së falenderuari Zotin e gjithpushtetshëm për dashurinë e Tij të pafundme për mëkatnorët dhe iu luten Hyjit të dërgonte sa më parë Shëlbuesin e premtuar.

Veçanërisht lutjet, virtytet dhe dashuria perfekte për Zotin e Virgjirës Mari, e cila është krijesa më e përkryer që Zoti ka krijuar dhe do të krijojë ndonjëherë mbas natyrës njerëzore të vetë Jezu-Krishtit, bënë atë që dëshirat e zjarrta të patriarkëve, lutjet e sinqerta të profetëve dhe thirrjet e psherëtimat e të drejtëve nuk kishin mundur të bënin gjatë 4000 vjetëve : ata përshpejtuan ardhjen e Shëlbuesit.


Ylli 14-cepësh tregon vëndin ku ka lindur Shëlbuesi ynë Jezu-Krishti
  

Nëna e Zotit e dinte, nga fjalët e ëngjëllit Gabriel, se vetë Shpirit-Shenjt do të formonte në barkun e saj virgjër dhe të papërlyer Krishtin Zot, pa asnjë ndërhyrje njerëzore, dhe se ajo do të lindte Shëlbuesin duke qëndruar gjithmonë virgjër : Virgjër para lindjes, Virgjër gjatë lindjes, Virgjër pas lindjes.

Profetët kishin profetizuar disa herë se Shëlbuesi do të lindte në Betlehem, në qytetin e Davidit. Zoti, në Providencën e Tij të mistershme, bëri që perandori i kohës, Çezar-Augusti të urdhëronte numërimin e popullsisë. Virgjira Mari dhe shën Jozefi, të cilët rridhnin të dy nga fisi i Mbretit David, për t'iu bindur dekretit të perandorit që urdhëronte çdo çifut të shkonte për rregjistrim në vendin e prejardhjes, u nisën për në Betlehem.

Ky shembull na mëson t'i bindemi udhëheqësve të vendit, kushdo qofshin ato, në gjithçka që nuk kundërshton ligjin e Zotit dhe të Kishës katolike, sepse Providenca hyjnore drejton gjithçka për lavdinë e Hyjit dhe për të mirën e atyre që e duan Atë.
 
Kur mbërritën në Betlehem, që ishte i mbipopulluar në atë periudhë, Familja shenjte, për shkak të varfërisë së saj, nuk gjeti strehë në hotelet e qytetit por u vendos në rrethinat e Betlehemit, në një kullë të rrënuar që dikur kishte qenë ndërtuar nga vetë Mbreti David. Atje, në një shpellë nëntokësore, të lodhur nga rruga dhe nga i ftohti, Virgjëra Mari, që ishte vetëm 14 vjeçare, dhe shën Jozefi u detyruan të strehohen dhe filluan të përgatiteshin për lindjen e Shëlbuesit.

Kjo shpellë ishte një lloj hangari ku kishte një grazhd për të ngrënë bagëtia, kashtë dhe sanë. Nuk mund të konceptohej një strehë më e varfër dhe më e përvuajtur, por Dija e Zotit e zgjodhi këtë vend para hoteleve dhe pallateve luksoze, para çdo vëndi tjetër, për t'i mësuar njerëzve, që vinte t'i shëronte dhe shenjtëronte, virtytin e përvujtërisë, që na mëson se jemi mëkatnorë dhe më pak se asgjëja, dhe virtytin e varfërisë, e veçanërisht atë të varfërisë shpirtërore që na bën të përbuzim lakminë e pasurive të rrejshme të kësaj bote dhe të mendojmë për thesaret e Qiellit. Këto virtyte përgatisin shpirtin tonë në kohën e bekuar të Krishtlindjes dhe e ftojnë Krishtin të zbresë në zemrat tona, por ato nuk mjaftojnë që ne të presim denjësisht Krishtin Zot.

Para momentit të lindjes së shenjtë, Zoja e Bekuar pastroi hangarin dhe e ulur në gjunj bashkë me shën Jozefin priste çastin e mistershëm e të jashtëzakonshëm. Në momentin e caktuar nga Providenca hyjnore para të gjithë kohërave, Virgjira Mari u ngrit nga Zoti në një kontemplacion aq të lartë të madhështive të Trinisë Shenjte dhe të përsosmërive të Personës hyjnore të Birit të Zotit që do të merrte trup njerëzor në barkun e saj të papërlyer; ajo hyri në një pjesmarrje dhe njohje aq të admirueshme të perfeksioneve të Personës hyjnore të Atit i Cili lind përjetësisht Personën hyjnore të Birit; ajo u mbush nga një zjarr dashurie aq i madh për Zotin saqë nuk ka fjalë njerëzore apo ëngjëllore që do të mund t'a shpjegojë ndonjëherë këtë mister.

Sipas Revelacioneve të shenjtes Brixhitë, Nëna e Zotit u lut kështu në ato momente :

"At i përjetshëm, që më nderoni duke me zgjedhur për Nënën e Birit Tuaj të vetëm, që keni mbyllur në barkun tim Thesarin e paçmueshëm të Dijes Tuaj, dhe që keni fshehur brënda meje, si në një guaskë misterioze, perlën e paçmueshme të imazhit Tuaj, ju lutem t'ia prezantoni tani botës këtë imazh perfekt të Mirësisë Tuaj të pafundme, në mënyrë që nëpërmjet këtij imazhi, të gjithë njerëzit të mund t'Ju njohin... Që bota të shohë Krijuesin e saj, ëngjëlli, Mbretin e tij, i drejti, jetën e tij, mëkatnori, ilaçin e tij, pagani, dritën e tij, çifuti, lavdinë e tij, i pikëlluari, ngushëllimin e tij. Së fundi, që Shërbëtorja Juaj më e përvuajtur të shohë Djalin dhe Dashurinë e saj të vetme."

Mbas kësaj lutje ose një tjetre më perfekte që dobësia e intelilgjencës tonë nuk mund të imagjinojë, Fëmija hyjnor u duk para syve të Virgjirës Mari me një hir dhe bukuri magjepse. Sipas revelacioneve të disa shenjtërve, në fillim Krishti fëmi ka qëndruar në ajër për disa momente dhe pastaj është ulur butësisht mbi tokë. Fëmija hyjnor ka dalur nga Virgjira Mari pa cënuar virgjinitetin e Nënës së Tij, ashtu siç dalin dëshirat e pastra nga zemra apo ashtu siç hyjnë rrezet e diellit në një sallë nëpërmjet një xhami krejtësisht të pastër.

Kështu mësojnë edhe të gjithë Etërit dhe doktorët e Kishës Katolike kundër paganëve, çifutëve dhe heretikëve. Kështu profetizon edhe profeti Izaia në kapitullin e VII kur shkruan se një Virgjër do të lindë një Djalë me emrin Emanuel, që do të thotë Zoti me ne.
Kështu deklaron zyrtarisht edhe Konçili i Lateranit, nën Papën Martini I-re, në mbrojtje të virgjërisë të Nënës së Zotit :

"Nëse ndokush nuk e njeh Nënën e Zotit si përherë virgjër dhe të papërlyer, e cila është zënë me Krishtin fëmi dhe ka lindur duke qëndruar gjithmonë virgjër, edhe pas lindjes, atëherë ai person qoftë mallkuar."

Siç shkrova më sipër, përveç virtyteve të përvujtërisë dhe të varfërisë, për të thirrur denjësisht Krishtin Zot në zemrën tonë duhet patjetër që virtytet e sipërpërmendura të kurorëzohen nga pastërtia shpirtërore e trupore dhe nga dashuria për Zotin.

"Të bekuar janë ata që kanë zemrën e pastër sepse ata do të shohin Zotin." (Mateu 5:8)

Patërtia e zemrës apo pastërtia shpirtërore nënkupton mungesën e mëkatit, sepse Zoti nuk mund të jetojë në një zemër me mëkat. Ashtu si Virgjëra Mari që pastroi hangarin për të pritur Fëminë hyjnor, ashtu duhet të pastrojmë edhe ne hangarin e zemrës tonë të ndyrë nga mëkatet me anën e pendesës për mëkatet e bëra dhe me anën e një rrëfimi të mirë.

Virgjëra Mari nuk e la Krishtin e dashur gjatë në tokë, por ajo e mori në duart e saja të bekuara, e puthi me respekt, e shtërngoi me dashuri të zjarrtë në Zemrën e saj të papërlyer dhe mbasi e mbështolli me pelena e shtriu Zotin-fëmi në grazhd.

Shën Gregori i Nisesë shkruan se Dija hyjnore, që është buka e jetës, lindi në një hangar kafshësh sepse njerëzit, për të cilët Krishti Zot donte të bëhej ushqimi dhe jeta e tyre, për shkak të mëkateve, kishin rënë në rangun e bagëtive pa arsye.

Prej mëkateve, mjerisht sa e sa njerëz kanë rënë sot në nivelin e kafshëve të parsyeshme që dëgjojnë me veshë por që nuk kuptojnë, që shohin me sy por që nuk shikojnë, që mendojnë se kanë dituri dhe pasuri, por që nuk kanë asgjë dhe po i përgatisin vehtes vetëm Ferrin e përjetshëm. Rrezet e diellit megjithse bien papushim mbi një xham të mbuluar nga dheu, ata nuk mund të depertojnë qelqin e ndyrë. Zgjoji, ô Virgjër Mari, këta njerëz dhe pastroji dheun e mëkateve nga xhami i shpirtit të tyre. O ndërmjetsja e të gjtha hireve hyjnore, pa ndihmën tuaj dhe hirin e Zotit, këta njerëz janë të mbaruar përgjithmonë.

Ja pra dhe sekreti final për të tërhequr Krishtin në zemrat tona : një devocion i zjarrtë për Nënën e Zotit gjithmonë Virgjër dhe shën Jozefin. Kur ata të dy janë në një zemër të mbuluar nga mëkatet, si në hangarin e papastër të Betlehemit, vetëm prezenca e tyre, do t'a shtyjë Krishtin Zot të vijë dhe të vendosë në këtë zemër tronin e Tij hyjnor për t'a shenjtëruar dhe shëlbuar atë.

Sipas Traditës katolike, Krishti fëmi në grazhd është ngrohur nga fryma e dy kafshëve : e një viç dhe e një gomari. Në këtë mënyrë janë realizur edhe dy profeci të tjera të profetit Izai : "Viçi e ka njohur Krijuesin e tij dhe gomari, grazhdin e Zotit të tij" (Izai I,3) dhe "Çdo krijesë do të shohë shëlbimin e Zotit." (Luka 3:6).  Sipas meditimeve të shën Agustinit, viçi përfaqëson izraelitët e kërrysur nën Ligj, ndërsa gomari, kafshë e papastër, përfaqson kombet joçifute apo paganët nën barrën e ndyrë të idolatrisë, që i shkëpuste nga populli çifut i cili në atë kohë adhuronte Zotin e vërtetë. Kjo profeci e profetit Izai parashikon një të ardhme ku populli izraelit dhe ai pagan do të adhurojnë së bashku Shëlbuesin e njerëzimit, Zotin Jezu-Krisht, si dy kafshët në Bethlehem. Bazuar nga citimi i mësipërm i shën Gregorit të Nisesë, dy popujt përfaqësohen në grazhd nga dy bagëti për të treguar se, për shak të mëkateve, dinjiteti njerëzor kishte rënë në nivelin e kafshëve. Zoti kishte mundur të sillte Birin e Tij në tokë drejtpërdrejt, pa ndërmjetësinë e asnjë krijese, por bota nuk ishte e denjë për këtë ardhje, thotë shën Agustini. Prandaj Zoti zgjodhi Zojën e Papërlyer për të na dhënë Shëlbuesin e kombeve dhe për t'i mësuar njerëzve mëkatnorë se për çdo nevojë shpirtërore ose materiale, ata do të gjejnë përgjigjen e lutjeve të tyre në qoftë se i drejtohen Hyjjit me ndërmjetësinë e Virgjirës Mari.

Shën Agustini vazhdon më tej duke thënë se kur Krishti lindi në hangar, në prani të Familjes Shenjte dhe të gomarit të udhëtimit që Virgjëra Mari dhe shën Jozefi kishin përdorur për të ardhur në Betlehem të Judesë nga Nazareti i Galilesë, një viç nga fushat përreth erdhi me vrap dhe hyri edhe ai në shpellën e Betlehemit. Kjo profeci, e realizuar pjesërisht deri tani, tregon se kombet pagane, të përfaqësuara nga gomari, janë të parat që njohin dhe adhurojnë Krishtin Zot, kurse populli izraelit, përfaqësuar nga viçi, do të njohë dhe adhurojë Krishtin në kohët e fundit të botës, dhe duke parë se nuk ka më kohë, ai do të vijë me vrap për të lavdëruar Zotin Jezus.

Dhe bota, për një kohë, do të njohë paqen e madhe dhe të qetë të Krishtit, si ajo natë e paqtë dhe e qetë e Krishtlindjes. Vetë Papa Pius XI deklaronte se paqja e Krishtit do të vinte në mbretërinë e Krishtit, pra kur të gjithë njerëzit do të njohin, adhurojnë dhe shërbejnë Zotin Jezus : Pax Christi in regno Christi.

Përndryshej nuk ka paqe të qëndrueshme, por vetëm luftra, ngatërresa dhe mallkim. Mallkim në familje, mallkim në shoqëri dhe mallkim në qeverisje. Këtë realitet populli shqiptar po e përjeton prej shekush, por mjerisht pa nxjerrë asnjë mësim nga e kaluara e tij e hidhur.

"Për lirinë e vet, zotni, shqiptari ban fli shpinë, tokën dhe mjerisht edhe besimin." (At Gjergj Fishta, O.F.M., Konferenca e Paqes në Paris, 1919)

Kjo liri kombëtare që ngrihet mbi Fenë dhe Kishën Katolike përbuz Paqen e Krishtit dhe robëron akoma më rëndë popullin shqiptar nën skllavërinë e mëkatit dhe tiraninë e Djallit. Kjo tirani shpirtërore shoqërohet me tiraninë materiale, apo shtypjen e kombit shqiptar nga pushtuesit e huaj dhe veglat e tyre që, si dikur, vazhdojnë t'i mbajnë shqiptarët mendjemëdhenj nën thundrën e tyre.

"Ata që nuk i binden pushtetit shpirtëror të Papës dhe Kishës Katolike, meritojnë të dënohen në mënyrë të drejtë nga pushteti civil." (Saint Thomas d'Aquin, La Somme théologique, IIª-IIae q. 39 a. 4 co.)

« Vetëm atëherë kur njerëzit do të njohin Krishtin Mbret, jo vetëm në jetën private por edhe në jetën publike, shoqëria, më së fundi, do të marrë nga Zoti bekimet e mëdha të lirisë së vërtetë, të rregullit, të paqes dhe harmonisë ». (Papa Pius XI, Quas Primas, 11 Dhjetor 1925)


Vëndi në lindje të Betlehemit ku mendohet se ëngjelli Gabriel iu shfaq barinjve. BiblePlaces.com 



Mbas lindjes së Krishtit, ëngjëlli Gabriel i solli lajmin e gëzueshëm edhe disa barinjve në rrethinat e Betlehemit që po ruanin dhentë. Ai i tha atyre se Shëlbuesi, Krishti Zot kishte lindur për të gjithë njerëzit dhe se ata mund t'a gjenin Fëmijën hyjnor të mbështjellë me pelena në një grazhd në shpellën e Betlehemit. Mbas këtyre fjalëve një kor ëngjënjsh iu bashkua ëngjëllit Gabriel për të kënduar së bashku lavditë e Hyjit :

"Lavdi Zotit në qiejtë më të lartë dhe paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë."

Engjënjt lavdërojnë Zotin për perfeksionet e Tija të panumërta, e veçanërisht për Mëshirën e Tij të pafundme ndaj njerëzve të cilëve u dha Shëlbuesin e shumëpritur. Zoti aq shumë e ka dashur botën, shëlbimin e njerëzve që ishin të dënuar përgjithmonë në Ferr, saqë Ai nuk ka ngurruar të sakrifikojë Birin e Tij të vetëm për shpëtimin e tyre. (Luka 2:14)
Ky hymn tregon se Fëmija hyjnor ka ardhur mes nesh për t'i dhënë më të madhen lavdi Atit, duke bërë në gjithçka vullnesën e Tij (Hebrenjve 10:9) dhe duke i ofruar njerëzimit paqen e Krishtit dhe shëlbimin nga mëkatet. Edhe sot në Lindje njerëzit përshëndesin si dikur : Paqja me ty. Me këtë paqe urohen të gjtha të mirat e mundshme. Megjithse kjo paqe  dhe shëlbim i ofrohet të gjthë njerëzve, vetëm vullnetmirët do t'a marrin këtë paqe dhe shëlbim të ofruar nga Krishti Zot. Vullnetmirët janë të gjithë ata që duan t'i pëlqejnë Zotit dhe të bëjnë Vullnesën e Tij të adhurueshme; vullnetmirët janë ata që, me ndihmën e hirit hyjnor përpiqen, me vepra dhe jo vetëm me fjalë, të mbajnë 10 Urdhërimet e Zotit dhe ligjet e Kishës katolike mbi
gjithçka dhe në gjithçka për dashuri për Hyjin dhe të afërmin.


 
Vëndi ku ruhet Djepi i Lindjes së Krishtit në Betlehem 

Një pjesë e grazhdit në të cilën u vëndos Krishti fëmi pas lindjes, më vonë, u dërgua në Romë në Kishën "sainte-Marie-Majeure", kurse pelenat në të cilat u mbështoll Fëmija hyjnor u dërguan së pari në Konstantinopojë për t'u ruajtur nga profanimet e të pafeve. Që aty, nga mesi i shekullit të XIII, ato u sollën në Paris.  
700 vjet para Lindjes së Krishtit, Birit të Zotit, profeti Izai profetizonte se një Fëmi ka lindur për ne; një Fëmi ka ardhur për ne (Izaia., 9,6). E me të vërtetë edhe këtë herë, 2010 vjet pas Lindjes, Krishti Zot ka ardhur për ne dhe ja, Ai qëndron tek dera e zemrës tonë dhe troket. Në qoftë se ndokush do të dëgjojë zërin e Tij dhe do t'ia hapë derën, Krishti do të hyjë mbrenda. (Apokalipsi 3:20) 
Cili është ai zemër-hekur që vazhdon të mbajë edhe sivjet derën e mbyllur ? 


Hapeni derën e zemrës tuaj ! 



Bibliografia :  

*Abbé Louis-Claude Fillion, La Sainte Bible, 8 volumes, Paris, 1904.
*S.S. Pape Pie XI, Quas Primas, 11 décembre1925.
*Imzot Frang Bardhi, Relacioni i Imzot Frang Bardhit në krahinën e Pukës, Qershor 1637
*Mgr Paul Guérin, Les petits bollandistes, 17 volumes, Paris, 1878.
*Denzinger, The Sources of Catholic Dogma, 30-th edition, Freiburg, 1954.
*P. Goedert, Saint Augustin : Lectures spirituelles, Paris, 1900.
*Dom Gaspar Lefebvre, Missel quotidien et vesperal, Paris, 1936.
*Saint Thomas Aquinas, Summa Theologica, 5 volumes, New York, 1948.
*At Gjergj Fishta O.F.M., Fjalimi i mbajur në Konferencën e Paqes, Paris 1919.
*Santi, beati e testimoni, Natale del Signore, http://www.santiebeati.it/dettaglio/20650, dicembre 2010.
*Bible Places, Bethlehem, http://www.bibleplaces.com/bethlehem.htm, 2010.
*Holy Land Photos, Bethlehem, http://www.holylandphotos.org, 2010.
*The Franciscans of the Holy Land, Bethlehem and the surroundings, http://www.christusrex.org/www1/ofm/sites/TSbtmenu.html, 2010.
 





domenica, dicembre 05, 2010

Shën Nikolla i Madh, Ipeshkvi i Mirës


përkthyer dhe përgatitur nga Zef Helmica
http://nenaekeshillittemire.blogspot.com/



Si pulsamur Incommodis, Nicolaus ingeminatur.
Në rreziqe, t'i lutemi me besim të madhit shën Nkollë.

Shën Bernardi, sermone.
     Kisha katolike e Lindjes ose Bizantine nuk njeh ipeshkëv më të zellshëm për Fenë, më të shkëlqyer në virtyte apo më të lavdishëm në mrekulli sesa shën Nikolla, shèjti Shën Nkollë, ipeshkëvi i Mirës në Lici. Një prej etërve të Kishës katolike bizantine, shën Gjon Krizostomi, kishte aq shumë nder dhe respekt për të saqë e vendosi emrin e shën Nikollës në liturgjinë e tij, Liturgjia e shën Gjon Krizostomit, duke e quajtur ipeshkin e Mirës rregulla e Fesë, shembulli i butësisë dhe mësuesi i pastërtisë morale. Shën Gjoni shton se Zoti e lartësoi shën Nikollën për shkak të përvujtërisë së tij dhe e pasuroi atë për shkak të varfërisë dhe shkëputjes së tij nga gjërat materiale të kësaj bote.

Shën Pjetër Damiani shkruan se shën Nikolla ka qenë i zgjedhuri i Zotit që në barkun e nënës, shenjt që në fëmijëri, lavdia e të rinjëve, nderi i të moshuarve, shkëlqimi i meshtarëve dhe drita e ipeshkëve. Ai shton se e gjitha bota mbarë e lavdëron, dhe se deti e toka shpallin kudo mrekullitë e tija. 

Në liturgjinë e saj, Kisha katolike universale e quan ipeshkvin e Mirës, Shën Nikolla i Madh dhe në lutjet e Meshës në ditën që i kushtohet atij, me 6 Dhjetor, ajo dëshmon për mrekullitë e panumërta që Zoti ka bërë me ndërmjetësinë e këtij ipeshkvi të lavdishëm.

Shën Nikolla u lind ne Patare, qytet i Licisë, e cila ishte një provincë në Azinë e Vogël. I ati quhej Euphémius, njeri i pasur por jashtëzakonisht i devotshëm dhe bujar. Nëna e tij quhej Ana dhe ishte motra e arqipeshkvit të Mirës, i cili quhej Nikollë. Fëmija erdhi në këtë botë disa vite pas martesës, në një kohë kur ata nuk shpresonin më të kishin fëmijë. Bujaria e madhe e prindërve ndaj të varfërve ia solli atë që natyra ia kundërshtonte. Një lajmëtar qiellor i solli këtë lajm të gëzueshëm duke i premtuar atyre një gëzim në pleqëri dhe duke i thënë që t'ia vinin emrin Nikollë, ashtu si emri i xhaxhait të tij ipeshkëv.

Mbas lindjes së fëmijës, kur e vendosën në banjë për t'a larë, ai u ngrit vetë në këmbë dhe qëndroi ashtu rreth 2 orë me duart e mbledhura në lutje dhe sytë e drejtuar nga Qielli. Sipas shën Denis le Chartreux, Zoti i kishte dhënë arsyen shën Nikollës që në atë moshë, kurse shën Mikel Arkimandriti thotë se Zoti e kishte shenjtëruar shën Nikollën para se të lindte. Ai filloi të agjëronte që në djep : normalisht ai pinte gji nga e ëma disa herë në ditë, kurse ditën e Mërkure dhe të Premte, që ishin ditë agjërimi në Kishën katolike Bizantine, fëmija shenjt kërkonte gji vetëm një herë në mbrëmje.

Këto veprime të jashtëzakonshme paralajmëronin një shenjtëri të madhe në të cilën Zoti do t'a ngrinte shën Nikollën.

Në një vizion qiellor, xhaxhai i tij, ipeshkvi i Mirës, pa se fëmija i lindur do të ishte një ditë një diell që do të ndriçonte të gjithë tokën, se Zoti do t'i dhuronte atij hire shumë të mëdha dhe se një numër i pafundëm mrekullish do dilnin nga duart e tija.
Duke parë këto premisa, prindërit dhe mësuesit e fëmijës e edukuan atë jo vetëm në shkencat hyjnore dhe njerzore por edhe në praktikën e të gjitha virtyteve.
Shenjtëria e fëmijës u duk që kur shkoi në shkollë, kur ai shëroi një grua të çalë.

Që në fëmijërinë e hershme prindërit e tij vdiqën nga sëmundja e murtajës duke e lënë atë jetim. Por kjo humbje nuk shkaktoi asnjë ndryshim në sjelljen e fëmijës. Në të kundërt, ai u largua akoma më shumë nga illuzionet e kësaj bote, u bë më i ndalur dhe iu kushtua më tepër uratës dhe shërbimit të Zotit.
Mbasi kuptoi se Zoti e thërriste në shërbimin kishtar, ai filloi të jepte lëmoshë të gjitha pasuritë që prindërit ia kishin lënë.  Në këtë periudhë vlen të përmendet një rast që sot njihet kudo.

Një ditë shën Nikolla mori vesh se një banor i nderuar i qytetit nuk kishte mundësi financiare t'i martonte e as t'i ushqente tre vajzat e tija dhe kështu kishte vendosur t'i dërgonte ato si prostituta. Ky lajm makabër e tmerroi shën Nikollën i cili mori një qese me monella ari nga trashigimia e tij dhe shkoi një natë fshehurazi tek shtëpia e atit të vajzave. Nga një dritare e gjetur hapur, shenjti hodhi në dhomën e tij qesen me flori dhe u largua me vrap. Ai veproi kështu nga përvujtëria por edhe për t'a shpëtuar nga turpi të atin e mjerë. I ati i vajzave u habit nga dhuratat që Zoti po i jepte familjes së tij dhe me ato para martoi vajzën e madhe.
Një natë tjetër, shën Nikolla shkoi përsëri fshehurazi dhe i hodhi një qese tjetër me flori, me të cilën i ati martoi vajzën e dytë. Megjithatë duke dashur të dijë se si i vinin këto para, i ati e zuri shën Nikollën një natë të trete duke i hedhur një tjetër qese me flori për vajzën e tretë dhe e ndoqi nga pas shejtin që po largohej.
Së fundi, ai e kuptoi fajin e tij të mosbesimit në Providencën e Zotit dhe u pendua për mendimet e tija kriminele kundër vetë vajzave të tija. Ai i ra në gjunj shenjtit, i premtoi se do të bëjë pendesë dhe se nuk do të lërë vend pa treguar për bujarinëe e tij. Shenjti e porositi me insistim që të heshtë por ishtë e kotë se ngjarja u muar vesh menjeherë jo vetëm në qytet dhe provincë por në të gjithë botën.

Kjo histori u bë shkas që më vonë, në shumë vende katolike, të krishterët të mendonin se në Natën e Krishtlindjes, me 24 Dhjetor, shën Nikolla do të zbriste nga Qielli për t'i sjellë dhurata fëmijëve katolikë të sjellshëm. Kjo legjendë ka ndikuar shumë që fëmijët të ishin katolikë të mirë dhe të devoçëm.  Por djalli dhe armiqët e KIshës Katolike duke pasur në urrejtje çdo gjë katolike dhe duke dashur të zhdukin çdo traditë të krishterë, me anën e shoqërive sekrete, filluan zëvendësimin e kësaj legjende të mirë katolike, me legjendën djallëzore anti-katolike të Babait të Krishtlindjes apo Babait të Vitit të Ri. Kështu sot në vëndet frankofone, Babai i Krishtëlindjes, apo "Père Noël" është një personazh jo fetar që nuk ka lidhje as me Krishtlindjen e as me shën Nikollën. E njëjta gjë ndodh edhe me personazhin e "Santa Claus" ne vendet anglofone dhe gjermanike.

Arqipeshkvi i Mirës, xhaxhai i shenjtit, duke parë shenjtërinë dhe virtytet e nipit, e shuguroi atë meshtar dhe e vendosi superior të Manastirit Shën-Sion, afër qytetit metropolitan të Mirës.
Mbas vdekjes së xhaxhait, shën Nikolla vendosi të shkëputet nga çdo lidhje me njerëzit dhe të harrojë gjithçka nga kjo botë për të shërbyer Zotin sa më përsosmërisht. Por Zoti kishte menduar ndryshe për të.

Më vonë shenjti vendosi të bëjë një pelegrinazh në Tokën e Shenjtë. Para se të nisej, shën Nikolla i parashikoi timonierit të anijës se djalli do të ngrinte një stuhi të fuqishme. Dhe ashtu ndodhi. Udhëtarët menduan se gjithçka mori fund, por shën Nikolla iu lut Zotit për to, largoi djallin dhe qetësoi detin.  Shenjti e ka bërë këtë mrekulli disa herë gjatë jetës dhe pas vdekjes, prandaj detarët e marrin atë për patronin dhe mbrojtësin e tyre të cilit i lutën në udhëtime mbi ujra.

Në anijë, shenjti ngjalli edhe një djalë që kishte rënë i vdekur nga maja e direkut.
Thuhet se kurr mbërriti në Alexandri, nga fjalët e ekuipazhit, popullsia i sillte shenjtit një numër të madh të sëmurësh të cilët shën Nikolla i shëronte.
Në Tokën e Shenjët, ai vizitoi Kalvarin, Kopshtin e Gjetsemanit dhe ato vende që Krishti Zot i kishte larë me Gjakun e Tij të paçmueshëm. Shenjti ecte zbathur, pa kapele dhe disa herë gjunjazi.

Mbas kthimit të tij në manastir, ai bëri një tjetër mrekulli për punëtorët që po ndërtonin një Kishë aty afër. Shën Nikolla shumoi një copë bukë aq shumë saqë kishte mjaft për të ngrënë për 83 vetë.

Në atë kohë, ipeshkëvi që kishte zëvendësuar xhaxhain e shenjtit në Arqipeshkëvinë e MIrës vdiq dhe ipeshkëvinjët e provincës u mblodhën për të zgjedhur arqipeshkvin e ri. Pjesmarrësit ishin të ndarë në zgjedhjen e tyre. Zgjidhja erdhi nga më i vjetri prej tyre, i cili, mbas një zbulimi hyjnor, mësoi se arqipeshkvi i ri duhej të caktohej personi i parë me emrin Nikollë që do të vinte të nesërmen në Kishë. E kështu ndodhi. Shën Nikolla, pa ditur asgjë, erdhi të nesërmen në Katedrale, herët në mëngjes, para të gjithëve njerëzve. Ipeshkevinjtë e panë, e pyetën për emrin dhe pastaj unanimisht e zgjodhën për arqipeshkëv. Mbas Meshës pontifikale, një grua iu afrua arqipeshkvit të ri me një fëmij të vdekur në duar, i cili kishte rënë në zjarr dhe kishte humbur jetën. Shën Nikolla bëri shënjen e Kryqës mbi fëminë dhe fëmija erdhi në jetë. Që atëherë, shën Nikolla lutet veçanërisht në aksidentet e zjarrit.

Ky njeri i madh, i ngritur tashti në një tjetër detyrë, harroi gjithçka që kishte ndodhur më parë dhe filloi të shërbente Zotin me një zell të ri. Urata dhe këndimi i Psalmeve ishin punët e tija të preferuara. Ai asistonte në shërbimet hyjnore në Kishë aq sa ia lejonte detyra e tij pastorale. Nuk flinte pothuajse fare dhe një pjesë të madhe të natës qëndronte me përvujtëri dhe respekt në praninë e Zotit. Ishte ai që zgjonte të tjerët në mëngjës për lutje. Zjarri i dashurisë për Zotin digjte aq shumë zemrën e tij saqë shpesh, e kryesisht gjatë Meshës Shenjte, fytyra e tij gati ndizej flakë dhe shkëlqehej nga një dritë qiellore. Kujdesi i tij pastoral përfshinte të gjitha nevojat e popullit e kryesisht nevojat e të vafërve, të burgosurve, të sëmurëve, të veve, të jetimëve, etj.
Që në fillim të jetës së tij, shën Nikolla kishte agjëruar dy herë në javë Më pas, në vitet e rinisë, ai agjëronte 3 herë në javë, kurse kur u bë ipeshkëv, ai filoi të agjëronte çdo ditë, duke ngrënë vetëm një vakt nga mbrëmja. Gjatë ushqimit i lexoheshin Shkrimet Shenjta ose ndonjë libër tjetër fetar. Për shtrat ai kishte një rrogoz, një dërrasë ose tokën e thatë. 

Ky njëri i pakrahasueshëm luftoi shumë kundër heretikëve dhe paganëve. Perandori Licinius, nën shembullin e Diokletianit dhe Maximianit, shtriu persekutimin kundër të krishterëve edhe në Lindje. Kështu ai nisi në qytetin e Mirës oficerë për të rikthyer paganizmin dhe për t'i detyruar të krishterët, me të gjitha mënyrat, të mohinin Fenë katolike. Oficerët vranë, burgosën, plaçkitën dhe internuan shumë prej katolikëve por  arqipeshkvi nuk u fsheh e as nuk u arratis. Ai qëndroi në mes të trupës së besimtarëve për t'i dhënë guxim dhe kurajo. Ky qëndrim bëri që edhe shën Nikolla të burgosej dhe të turturohej. Por persekutimi i të krishterëve po mbaronte dhe me konvertimin e Konstantinit të Madh, shenjti doli nga burgu dhe u kthye në Kishën e tij në Mirë.

Në atë kohë, kur liria e Fesë katolike u garantua më së fundi nga vetë Perandori, shën Nikolla predikoi në të gjitha anët pa pushim dhe bëri mrekulli të panumërta për të dëshmuar hyjninë e Jezu-Krishtit. Perandori Leoni VI shkruan se shën Nikolla nuk ka bërë më pak sesa shën Pali për të përhapur dritën e Fesë Katolike dhe për të shpërndarë errësirën e idolatrisë,  e kjo në periudhën pas daljes së tij nga burgu. Nga ana tjetër, shën Nikolla riparoi kishat e dëmtuara dhe ndërtoi të reja.

Një herë disa detarë ishin duke u mbytur në det nga një furtunë e madhe. Ata iu lutën me devocion shenjtit i cili iu paraqit menjëherë në anije, mori timonin në duar, urdhëroi detin të qetësohej, ktheu anijën me detarët shëndosh e mirë në port dhe më pas u zhduk.

Një herë tjetër, shenjti ngjalli 3 fëmijë që një tregtar babar i kishte mbytur dhe prerë copa-copa për t'i shitur si mish të zakonshëm.

Shenjti kishte një dhunti të veçantë për të shpëtuar njerëz të pafajshëm të dënuar padrejtësisht në gjyq. Shumë kanë shpëtuar për mrekulli nga vdekja e sigurtë prej ndërhyrjes së shën Nikollës.

Ndër dhuntitë që ky shenjt i madh kishte marrë prej Zotit, aftësia për të njohur gjërat e largëta, aftësia për të njohur mendimet më të fshehta të zemrës dhe parashikimi i ngjarjeve të ardhshme ishin gjërat më normale për shën Nikollën. Për më tepër, ai kishte një shikim aq të butë dhe tërheqës, fytyra e tij ishte e mbuluar me një dritë aq të pastër dhe me një pamje aq të shenjtë dhe të admirueshme saqë kushdo që kishte privilegjin të bisedonte me të kthehej nga Zoti. Heretikët prekeshin dhe shpesh konvertoheshin duke parë një shkëlqim të mistershëm që dilte nga sytë e tij.

Në kohën kur çifuti Arius filloi të përhapte herezinë e Arianizmit, e cila mohonte hyjninë e Jezu-Krishtit, shën Nikolla së bashku me shën Alexandrin, Patriarkun e Alexandrisë, e luftoi ashpër këtë heretik dhe më pas ai ishte një prej 318 ipeshkve që morën pjesë në Konçilin e Nicesë, ku Arius u dënua publikisht si heretik.

Por kjo tokë nuk meritonte të mbante më gjatë këtë shenjt të madh. Para vdekjes, Zoti i deklaroi se pelegrinazhi i tij në këtë tokë po i afrohej fundit dhe se po vinte koha për të të merrte shpërblimin hyjnor.
Shën Nikolla e merr me gëzim të madh këtë lajm. Mbas një Meshe pontifikale, ai i dha lamtumirën popullit të tij dhe u përgatit për momentin suprem duke u tërhequr në Manastirin e Shën-Sionit, ku vite më parë xhaxhai i tij e kishte caktuar superior. Shën Mikel Akimandriti, religjioz i këtij manasteri, shkruan se mbas ethesh të lehta, në praninë e engjëjve, arkengjëjve dhe patriarkëve shenjtë, që iu paraqitën në mënyrë të dukshme në dhomë, shën Nikolla doli nga kjo botë në vitin 342 duke rrecituar një pjesë të Psalmit XXX : "Në duart e Juaja, o Zot, po lë shpirtin tim."

Mbas vdekjes, trupi i tij u vëndos në Kishën e Manastirit të tij, në një varr mermeri. Menjëherë mbas varrimit, nga varri i tij filloi të dilte një lëng që më vonë do zbulohej se kishte veti të mrekullueshme kuruese. Lëngu është parë të kullonte edhe në vitin 1719. [Ky infromacion ështe marrë nga një libër i publikuar në vitin 1878]. Nuk numërohen mrekullitëe arritura nga përdorimi me devocion i këtij lëngu. Të panumerta janë edhe mrekullitë e ndryshme të ndodhura me ndërmjetsinë e shenjtit pas vdekjes.

Ja pra, të nderuar lexues, një rrëfim i shkurtër i jetës së një prej shenjtërve më të dashur dhe më të festuar në trevat shqiptare. Edhe populli shqiptar e ka provuar ndërmjetësinë e tij të fuqishme, që nga mbrojtja e Kalase së Rrozafes në luftën kundër turqve e deri në ditët e errta të komunizmit. Po i përfundoj këto rreshta, në këtë natë të madhe të shën NKollit duke ju uruar të gjithëve që arqipeshkvi i lavdishëm i Kishes Katolike të ndërmjetsojë dhe të kërkojë për ju nga Krishti Zot me ndërmjetsi të Zojës së Bekuar hirin, dashurinë, paqen e Zotit në këtë jetë dhe lumturinë e pafundme në jetën tjeter. Ashtu kjoftë. Shèjti shën Nkoll lutuni për ne!


Kanga e Shën Kollit
Sa punë të mëdhaja e mrekulli
Qi ka bâ Shejti Shën Nkollë,
Difton qiella me lumni
E gjithë bota s’pranë tue folë.
Lundërtari tue vozitë
e skamnori që lypë bukë,
kangë e lavde s’rrinë pa qitë;
Si shtegtari që ban rrugë.
Si i pasë, si ai që s’ka,
N’pasët ndoj smundje a çdo idhnim,
Fill te i lumi pa ia dá
N’ ujë t’ Shën Nëkollit gjenë shërim.
Qysh se leu n’ kët botë ky fmí,
Kje si hylli që shkelxen,
Kje si drita tanë mirsí
Gjindja u mbushen me gazmend.
Ai kje i pastër si bilur,
I dha trupit të madh shtërngim
E n’e prende e n’e merkurr
gji nuk merr, ban agjinim.
Tue u rritë me shumë urtí,
Shpejt e ngjiten prindja në shkollë;
E nji të madhe mrekullí
Hin e ban Shejti Shën Nëkollë.
Kur prej shkollës po kthente n’ shpí
Hasë nji grue që ish’ tue dekë
E ky djalë plot me dashtëní
tue i bâ kryq prej dekës e hjekë.
Adeodati, djalë dishiri,
Kje grabitë e çue në mergim
E i Shën Nëkolli prej Misiri
Për ajrí e çon në lirim.
Tri kuleta janë dërgue
Ndër tri vajza mbetun shkret,
Prej dritorjet shkon me i çue,
E ato me nderë i qet.
Tre fmí të mbytun prej mizorit,
Shtî n’ nji sheke copë e grimë,
I ktheu në jetë pa kurrfarë zorit
I Shën Nëkolli me ‘i bekim.
Fushë e male, tokë e dét,
Uj e zjarm e diell e hanë,
Sa fuqí mbi dekë e jetë
Ka Shën Nëkolli, diftue e kanë.
Dridhet ferri prej idhnimit,
Kur Shën Nëkolli n’ ball flakron,
Hikë shejtani pre tmerimit
Kur i k’shteni ndihmë kërkon.
Por nji të madhe porosí
O i Shën Nëkollë, nji të madhe nderë
Na fal t’ gjithve si dhantí
Ndore tande t’ jemë përherë.
E n’at ditë që të jetë shenjue
Prej kso jete na me u hjekë,
Ndore tande kjoshim lshue
Ku gjithmonë na kjeme pshtetë.
O i Shën Nëkollë plot me dashtní,
Shpirtënt tonë ti na i kujtò,
Prap po të bâjmë ket porosi:
ti n’at’ jetë të gjith na pshtò!

Bibliografia :

* Mgr Paul Guérin, Les petits bollandistes, 17 volumes, Paris, 1878.

* Tradition in Action, St. Nicholas, December 6, http://www.traditioninaction.org/SOD/j050sdNicholas12-6.htm.

* Santi e Beati, San Nicola di Mira (di Bari) Vescovo, http://www.santiebeati.it/dettaglio/30300.

* Forumi Katolik Rinor, http://www.forumikatolik.net/

5 Dhjetor 2010