giovedì, giugno 14, 2012

Egzaminími i Ndërgjègjes para Sakramendit të Pendesës





Hymje


  Tuej pâ se mkatet e fyemjet kundër Zotit po na rrethojnë përditë e mâ shumë prej të tâna ànve, vendosa me shkrue shkurtimisht disa t'vërteta ndoshta t'harrueme ose kurrë t'msueme mâ parë mbi mkatin, fjalë sod e tretun, e keqnjoftun prej pjesës mâ t'madhe t'inteligjencës shqiptare apo e konsiderueme çmendunisht si nji progres apo eksperiencë e re. Besimtarët katolik kanë me gjetë ktû nji model t'saktë me egzaminue ndërgjegjen para Zotit e para njírit, n'çdo kohë, kurse për të tjerët, shpresoj se ky shkrim ka me kênë nji kumbône alarmit që ka me i çue prej gjumit shpirtnuer tuej u kujtue se nji ditë kena lé n'kyt botë me detyrën me njoftë, me dashtë e me shërbye t'Madhin Zot e tuej veprue kshtu me shpresue me fitue Lumnínë e përjetshme. Dhe nji ditë tjetër kena me lanë kyt botë, me gjithshka kâ, për me mbërritë destinat tona finale të pashmangshme : Vdekjen, Gjykimin, Parrizin ose Ferrin. Kujto gjithmonë kto katër destina, ô mkatnor, thotë sh'Alfonsi, dhe kurrë nuk ke me mkatnue.

Kulti që i detyrohena Hyjit nuk mbështetet te kapriçjot dhe idetë tona njerzore t'gabueshme por mbi Ligjet e t'Madhit Zot, pra vetëm simbas rrugës që mson Kisha Katolike, rrugë që vetë Zoti, Krijuesi i Qiellës e i Dhèut, ia ka zbulue. E tuej bâ kshtû, njerzit munden me pshtue shpirtin, e mbas Gjykimit t'Mbrâmë, edhe korpin, për me mbretnue me Zotin n'Parriz përgjithmonë.

Ky âsht i vetmi qellim per t'cillin njerzit gjinden n'kyt tokë, e Zoti, n'Mshiren e Tij t'pafundme, na ka dhânë kohen e jetës tonë vetëm me realizue kyt objektiv suprem. Çdo gjâ tjetër që njerzit bâjnë jashtë ktij qëllimit âsht kohë e hupun dhe mkat, për t'cilin ata kanë me u përgjigje para Gjyqit të drejtë të KRISHTIT Zot kur t'dalin prej ksaj botet.

Shkrimi i mâposhtâm bazohet n'nji libër kateshizmit të At Giuseppe Guagliata S.J., misionar jezuit italian që pat ardhë n'Shkodër kah vjeti 1814 s'bashkut me dy jezuit t'tjerë me hapë nji mision fetar. Libri "Dottrina e Kershtèn" âsht botue prej Kongregacionit Propaganda Fide n'Rom n'1845, n'italisht e n'shqyp.

Egzaminimi i Ndërgjegjes bazohet gjithashtû edhe në libra tjerë të Teologjisë Morale, kryesisht simbas udhzimeve të doktorit të njohun të Kishes, sh'Alfons-MARIA Liguorit.


Përgaditja


S'parit, nji katolik para se me fillue egzaminimin e ndërgjegjes, mbasi ban Shêjen e t'Shènjtes Krygje, ban nji akt përvujtnijet t'thellë para Zotit, tuej kujtue sa âsht mkatnor i madh, se nuk meriton me i lype gjâ t'Madhit Zotit, e se prej Drejtsisë t'drejtë hyjnore aj meriton vetëm Fêrrin e përjetshëm. Por në t'njâjten kohë aj ka shpresë t'madhe n'Dàshtninë e Mëshiren e pafundme t'Zotit.

S'dytit, katoliku i kërkon ndihmë SHPIRTIT-SHEJT me ndërmjetsi t' Zojes Bekueme me njoftë mkatet e bâme, për me u pendue përsosmënisht tuej i kërkue falje t'Madhit Zot me gjithë zemër e s'mbrâmit për me i premtue Zotit, me ndihmen e Hirit Tij shêjtnues, mos me i bâ mâ kurrë dhe me i rrfye si duhet n'Rrfyesore.

S'tretit, katoliku çon n'imagjinàtë, sa mâ mirë që t'jetë e mùjtun, aktet e tija (veprime, mêndime, fjalë e tolerime) g'jatë tânë kohës për t'cillen aj bân analizen e ndërgjegjes. Kshtu, katoliku që bân kyt egzaminim n'mbrâmje para se me fjète, çon n'mend vêndet ku â kênë, njerzit që ka takue, punët që ka bâ, dhe me ndihmë t'Hyjit krahason veprimet e tija me Urdhimet e Zotit, Urdhimet e Shèjtes Kishe Katolike, mkatet kapitale e detyrimet n'shoqní.

S'katërtit, para se me u rrfye, katoliku mbasi ka bâ egzaminimin e ndërgjegjes, thotë "Punen e Pêndimit" dhe lutjen e "Confiteor-Rrfehem". Mandej âsht gadi, me ndihmë t'Zotit me u rrfye. Mbas nji rrfimi t'mirë, ai e falenderon me gjithë zemër Zotin për mshiren e madhe qe i bâni atij tuej ia falë tâna mkatet, i premton KRISHTIT Zot, me ndihme t'Tij, mos me e fye mâ kurr dhe bân pa vonese pêndesen që ia ka caktue rrfyesi.


Mbi Sakramendin e Pendesës

 
Duhet me e hapë zêmren n'rrfim, pra duhet thânë gjithshka që na kujtohet dhe që na mendojmë dhe e dijmë se âsht mkat, pa mshehë kurrgja. Me guxue me mshèhe mkate n'rrfim me dashje, don me thanë me fye t'Madhin Zot me nji krim t'rândë që quhet sakrilegj, i cilli âsht mkat mâ i rândë se mkati mortar. N'rrfim, duhet me pasë parasysh se kena fye Zotin, që âsht Dashtni, Mirsi e Perfeksion i pafund, e jo me pase mârre se kena bâ mkat. Pa ndihmen hyjnore na mundena me bâ tâna mkatet e mundshme, dhe mjerisht, na mundena me i rezistue hirit t'Zotit.

Meshtari xen vendin e KRISHTIT Zot dhe nuk duhet harrue se kur i rrfejmë mkatet te meshtari, i rrfejmë ata te vetë KRISHTI Zot që na ndig'jon nëpermjet meshtarit, t'cillin Aj e ka zg'jedhë si instrument me na dhanë sakramêndet dhe gjânat shêjte për me na shêjtnue. Për ma tepër meshtari âsht i urdhnuem prej vetë ligjeve të Kishës, me denime t'rânda kishtare, mos me e kallxue kurrë rrfimin, kjoft edhe nën kërcënimin e vdekjes. Prandaj, nuk duhet me hezitue kurrë me rrfye gjithshka që na e dijmë se jena fajtore, pa mbajtë as ma t'voglin dyshim e tuej kujtue se MSHIRA e DASHNIJA hyjnore âsht pafundsisht mâ e madhe se mkati dhe âsht gadi me i falë t'penduemit e sinqertë.

N'fillim t'rrfimit duhen thanë mkatet e rânda, n'kjoft se kâ, n'kyt mnyrë :

1. lloji i mkatit (fornikacion, vrasje, adulter, etj)
2. numrin e mkateve, pra sa herë e kena krye kyt mkat. N'kjoft se nuk e mbajmë mend me siguri duhet thanë me përafërsi, tuej përdorë fjalen "rreth". P.sh. kur rrfejmë se kena vjedhë rreth 2 herë, don me thanë ose 1 herë ose 3 herë. N'kyt mkat duhet bâ kthimi i gjâsë së vjedhun.
3. periudhen g'jatë t'cillës âsht krye mkati. P.sh. gjatë 10 vjetve, rreth 2 herë në ditë kam prekë vedin për t'keq (masturbim).

N'kjoft se nuk jena t'sigurtë se e kena krye nji mkat t'rândë, mundet me u thanë: Dyshoj se kam bâ kyt mkat t'randë g'jatë x viteve rreth y herë n'ditë. N'kjoft se âsht e vërtetë e akuzoj kyt mkat.

Gjithashtu nuk duhet me harrue me thanë, kushtet dhe rrethanat që e rândojnë ose ndryshojnë llojin e mkatit. P.sh. n'krimin e adulterit egzistojnë 2 mkate t'rânda : mkat kundër dlirtsisë dhe mkat kundër drejtsisë. Prandaj nuk mjafton me thanë në rrfim se, për shembull, kam krye mardhânje imorale me nji personë të gjinisë tjetër, por duhet shtue se personi tjetër ka kênë i martuem apo religjioz.

Puna e Pêndimit Perfekt


Kjo lutje âsht shumë e rândsishme sepse n'kjoftë se na e thojmë até sinqerisht, për dashtni për Zotin dhe me vullnetin mos me fye mâ t'Madhin Zot, atherë mundena me marre prej Hyjit faljen e tâna mkateve tona)

« O Zot i ém, Ju jeni pafundsisht i mirë, pafundsisht i dàshtun e pafundsisht perfekt. Ju due mbi gjithshka tjetër e për dàshtni për Jue, po pendohem se ju kam fye. Po Ju premtoj, me ndihmën e Juej, mos me Ju fye mâ kurr. Amen. Ashtû kjoft. »

Mbi Mkatin

    Mkati âsht thyemja e ligjeve hyjnore. Te sejcilli katolik që âsht n'miqësi me Zotin, ose siç thuhet ndryshej, që âsht n'hir të Zotit, e Shejtnueshmja TRINI, pra i Madhi Zot në Tre Persona, ATI e BIRI e SHPIRTI SHEJT, banon n'kyt personë dhe e ndihmon vazhdimisht até me përparue drejt Parrizit.

Egzistojnë dy lloj mkatesh : mkati origjinal, t'cillin e trashigojmë të tânë prej Adamit dhe Eves e që pastrohet me anen e Pagzimit, dhe mkatet aktuale, që mundena me bâ mbas Pagzimit dhe që pastrohen me anen e rrfimit. Mkatet aktuale mundena me u krye me katër mnyra të ndryshme :

1. me mendime
2. me fjalë
3. me akte
4. me mosreagime ose tolerime

Nji personë që fyen Zotin me mkat t'rândë largon t'Madhin Zot prej tij dhe futë në shpinë e vet djallin e mallkuem, i cili mundohet me të tâna mënyrat me e çue kyt personë prej t'keqes n't'keqe e n'fund me e mallkue përfundimisht n'Fêrrin e pêrjetshëm.

Për me bâ mkat (i quejtun ndryshej edhe mkat formal) duhen plotsue në t'njâjten kohë tri kondita (kushte) :

1. Thyemja e Ligjit hyjnuer ose bindja jonë se jena tuej thye kyt Ligj.

2. Njohja (e plotë ose e paplotë) e ksaj thýemjet.

3. Vullnesa e lirë me e thye kyt Ligj.

N'kjoft se nji personë thyen nji ligj hyjnuer pa vetdije e pa vullnesë (pa dashje) atherë ky mkat thirret mkat material, por para Zotit ky personë nuk ngarkohet me faj.

Mkatet aktuale ndahen në mkate t'rânda (mortare) dhe t'lehta (veniale).

Mkati i rândë âsht thyemja e nji ligji hyjnor në :

1. çâshtje shumë të rândsishme

2. me njohje t'plote dhe

3. vullnesë t'plotë me thye ligjin e Zotit.

Për me u bâ mkat i rânde tri konditat e mâsipërme duhen plotsue në t'njâjten kohë, përndryshej n'kjoftë se nji prej ktyne konditave mungon ose âsht e paplotë, atherë egziston vetëm mkat i lehtë. Mkati i lehtë nuk nxjerr Zotin jashtë shpirtit tonë por âsht si nji smundje shpirtnore që na ftôf n'mardhânjet e n'dashninë tonë për Zotin e na bân dembél e t'ngathtë kundrejt detyrimeve kristjane.

Mkati i lehtë âsht rruga që çon te mkati e rândë. E mkati i rândë âsht e keqja mâ e madhe n'kyt univers, mbasi fyen pafundsisht Hyjin.

Kshtû pra, n'kjoftë se thyhet ligji hyjnor n'çâshtje jo shumë t'rândesishme, për shembull, kur vidhet nji sasi e papërfillshme paresh, megjithse egziston vetdija dhe vullnesa e plotë dhe e lirë me e thye kyt ligj, atherë bâhet vetëm mkat i lehtë, sepse çâshtja nuk âsht shume e rândsishme.

N'kjoft se thyhet Ligji hyjnor n'çâshtje shumë t'rândesishme, për shembull me imagjinue pamje imorale, por personi nuk ka njohje t'plotë të ktij akti mkatnuer ose nuk ka vullnetin e plotë me e krye kyt akt, athere prapë kryhet vetëm mkat t'lehtë.

N'tundimet kundër dlirtsisë (pastërtisë morale) - Urdhnimi 6 dhe 9 - duhet ndjekë nji taktikë luftet e kundërt me luftën që duhet bâ kundër tundimeve që sulmojnë Urdhnimet e tjera t'Zotit. Për shembull : N'kjoftë se m'vjen nji tundim kundër Fesë, me ndihmen e Zotit, duhet kundërveprue menjiherë tuej thanë nji akt t'Fesë katolike, pa u futë n'dialog ose arsytime t'kota me tundimin :

"O Zot, besoj me gjithë zemër gjithshka beson e meson Kisha Shèjte Katolike sepse Ju vetë ia keni zbulue."

N'kjoftë se na vjen nji tundim me fye Emnin shêjt t'Zotit, ose me ndig'jue për kuriozitet ose knaqsi (që âsht diabolike) dikënd qe shân Zotin, atherë duhet me thâne fîll, me mend ose me fjalë, nji lutje bekimit :

"Kjoft levdue JEZU-KRISHTI, ose Kjoft bekue përgjithmonë Emni tejet shèjt i JEZUSIT, etj."

Kisha Katolike n'reparim të blasfemive e sakrilegjeve të ndryshme na mson nji lutje t'veçantë, rrecitimi i t'cillës privatisht i fiton shpirtit 3 vjet indulgjencë; publikisht, 5 vjet indulgjencë :

« Kjoft bekue Zoti.
« Kjoft bekue Emni Tij shêjt.
« Kjoft bekue JEZU-KRISHTI, Zot i vërtetë e Njiri i vërtetë.
« Kjoft bekue Emni i JEZUSIT.
« Kjoft bekue Zemra e Tij tejet shêjte.
« Kjoft bekue JEZUSI n'shumë t'shêjtnueshmin Sakramênd t'elterit.
« Kjoft bekue Nâna e lavdishme e Zotit, Virgjina MARI tejet shêjte.
« Kjoft bekue t'Xanunit e saj shêjt e t'pafaj.
« Kjoft bekue t'Hypunit e saj të lavdishëm në Qiell.
« Kjoft bekue Emni i MARISE, Virgjën e Nânë.
« Kjoft bekue sh'Jozefi, bashkshorti i saj virgjën.
« Kjoft bekue Zoti n'êngjujt e shêjtnit e Vet. »

Pra tundimet kundër Urdhnimeve t'Zotit e t'Kishës, përjashtue ktû Urdhnimin e 6 dhe të 9, luftohen drejtpërdrejt me të kundërtat e tyne.

Kurse tundimet kundër Urdhimeve të 6 dhe të 9 luftohen me ikje t'menjihêrshme, pa u futë n'asnji lloj diskutimit apo konsiderimit. Për shembull, n'kjoft se na vjen n'imagjinatë nji imazh imoral duhet me e hjekë menjiherë kyt imazh, ose tuej imagjinue nji fugure shêjte ose tuej u marrë me diçka tjetër. I mallkuemi nuk duhet me na gjetë kurrë me duer bosh e demel, por gjithmonë t'xanun me diçka të dobishme. N't'njâjten kohë duhet kërkue ndihma e JEZUSIT dhe e Vigjinës MARI tuej thânë nji AVE MARIA ose nji PATER NOSTER (Ati ynë) ose tuej thirrë emnat shêjtë : JESUS, MARIA, JOSEPH, që asht nji lutje shumë efikase kundër tundimeve të imoralitetit.

N'kjoft se tundimi vazhdon, edhe nà duhet me vazhdue luftën, sepse kush lufton deri n'fûnd, aj ka me u shelbue (Sh'Mateu 24:13).

Mkati i rândë kryhet, për shembull, kur nji personit i vjen tundimi me vrâ nji njiri dhe tuej pasë dije t'plotë mbi egzistencen e mkatit t'rândë, ai pranon me vullnesen e tij t'plotë e t'lirë me bâ kyt mkat t'rëndë. Mkati i rândë kryhet edhe sikur akti nuk realizohet n'realitet por vetëm n'mendime.

Analiza e ndërgjegjes mbi Urdhnimet e Zotit e t'Kishës Katolike

Urdhnimi i Parë

Vetëm nji Zot ké me adhurue e ké me dashtë persosmënisht.

    Ky urdhnim na mson me adhurue Zotin n'mënyre t'mbrêndshme (me zemër), tuej thâne lutjet e Fèse, t'Shprèsës e t'Dàshnisë për Zotin dhe lutje tjera t'devoçme, dhe në mnyrë t'jashtme, tuej shprèhë publikisht Fène tonë shëjte Katolike, për shembull tuej pâ Meshë.

Disa prej mkateve kundër Urdhnimit t'parë :

Mkate kundra Fesë :

- mos me besue gjithshka mson Kisha Katolike; - Prandaj âsht shumë me rândësi me thânë çdo mbramje kyt lutje : "Besoj me gjithë zemër gjithshka beson e mson Kisha Katolike Apostolike e Romake."

- me ngulë kâmbe n'mendimet e veta, me përbuzë Ligjet e Kishës;

- me mendue se nuk ka dallim mes besimeve t'ndryshme, që shtyn me besue se tâna besimet janë t'vërteta ose t'rrêjshme, pra me kene indiferent. Vetëm Besimi Katolik âsht besimi i vetëm i vërtetë. Besimet e tjera t'rrêjshme djallzore janë : judaizmi talmudik, islami, orthodoksizmi shizmatik, protestanizmi, budizmi, konfucizmi, anglikanizmi, sekti satanik i masonerise ("freemasonry") dhe shoqni t'tjera sekrete si illuminati, etj. Ato që ngulin kâmbe (me zemer dhe me vepra) se Feja Katolike nuk âsht i vetmi besim i vërtetë bâjne mkat t'rândë kundër Fesë dhe janë heretik.

- me dyshue me vetdije mbi ndonji t'vërtetë t'Fesë.

- me neglizhue msimin fetar (kateshizmin).

- mos me shfaqë hapun Fene Katolike, prej mârres ose frikës, mos me pranue t'kênunit katolik, ateherë kur nderi i Zotit dhe i t'afërmit e kërkon kyt gjâ.

- me dashtë me u duke pâ Fé mes t'pafève, tuej mendue se mjafton me rujte Fènë n'zemër.

- me fole ose me ndig'jue rrêna, shpifje, blasfemi, etj. kundra Fesë, e kundër personave t'kushtuem Zotit.

- me rrezikue hupjen e Fesë prej frekuentimit t'anmiqve t'besimit : heretikve (protestantë, dishmitarë të Jehovas, etj), shizmatikve (orthodoksët, etj) e t'pafève (myslimane, budiste, çfut, etj).

- me rrezikue hupjen e Fesë prej leximit t'librave, revistave, gazetave, e shkrimeve kundër Besimit Katolik, në media, n'kinema, etj.

- herezia : mosbesimi i s'pakut nji t'vërtete t'Fesë prej nji t'pagzuemit;

- apostazia : braktisja totale e Fesë Katolike prej nji t'pagzuemit;

- shizma : rrefyzimi me iu nënshtrue Papës dhe mospranimi me kênë n'komunion me pjestarët e tjerë t'Kishës Katolike.

Relacjonet civile me heretikët, shizmatikët, çfutnit, pagajt, pra jokatolikët, n'çâshtje që nuk lidhen me Fenë, nuk janë të ndalueme, përjashtue ktû rastet kur egziston rreziku i perversionit (korrupsionit) apo i skandalit.

N'çâshtjet e Fesë, çdo lloj relacionit apo bashkpunimit me jokatolikët âsht totalisht i ndaluem; gjithashtu âsht e ndalueme me u lidhë n'martesë me tà. (Kanoni 1070).

Mkate kundra Shpresës :

- me u dishprue për shelbimin e shpirtit, ose për shelbimin e ndonji mkatnori; mos me u lutë për kyt qëllim.

- me hupë besimin ose mos me iu nënshtrue Vullnetit t'Zotit n'kryqet e ksaj jete kalimtare; me i nxite edhe t'tjeret n'kto mendime.

- me iu ekspozue rrezikut me bâ mkat, prej mêndjemadhsisë.

- me mkatnue tuej pasë shpresë n'faljen e Zotit e me vonue konvertimin.

- me i rezistue frymzimit t'SHPIRTIT-SHEJT, sidomos kur kto frymzime janë t'shpeshta e t'kjarta me u dallue;

- mos me kërkue ndihmen e Zotit ndër tundime.

Mkate kundra Dashnisë për Zotin :

- me pase indiferencë ose urrejtje për Zotin, për shembull si t'pafé që kishin me dâshte mos me pasë Zot me i dënue.

- me u ankue mbi Drejtsinë Hyjnore ose Vullnetin e Zotit.

- mos me e ndalue t'keqen, atherë kur kjo gjâ âsht e mujtun.

- me abuzue me Mirsinë e Zotit tuej mkatnue me mendimin se rrfèhena mâ vonë.

- me kêne i gatshëm me fye Zotin për përfitime materjale (pasuni, pushtet, etj), si Juda tradhtari.

- me neglizhue me shërbye Zotin, tuej mos I ofrue (kushtue) punët e mira t'përditshme; mos me E falenderue për mirsitë e Tija; me bâ nji jetë indiferente fetare.

- mos me dashtë t'afërmin e mos me e ndihmue për dashni për Zotin.

- mos me korrigjue t'afërmin kur bjen n'mkat;

- me u gzue për mkatet e tjerve;

- me dënue ose pengue ata që mbajnë Urdhnimet e Zotit;

- me jetue sikur nuk ka Zot; mos me punue me shelbye shpirtin; me preferue njerzit para Zotit;

- me çue të tjerët n'mkate e me bashkpunue kundër Dashnisë hyjnore (me bâ skandale);

Bâjmë mkat kunder Fesë, Shpresës e Dashnisë n'kjoft se qindrojmë nji kohë t'g'jatë pâ thâne lutjet e Fesë, Shpresës e Dashnisë e n'kjoftë se i neglizhojmë kto lutje, sidomos n'tundime kundër ktyne 3 virtyteve téologale : Fésë, Shpresës dhe Dashtnisë Hyjnore.

Nji shembull i lutjeve të Fesë, Shpresës dhe Dashnisë Hyjnore asht kjo lutje :

“ O Zot i ém, besoj, Ju adhuroj, shpresoj dhe Ju due. Ju kërkoj falje për të tânë ata që nuk besojnë, nuk adhurojne, nuk shpresojne nuk Ju duen. (3 herë).”

Mkate kundra Besimit Katolik :

- mos me u lutë, ose me i thâne lutjet keq, pa vëmêndje;

- mos me e adhurue Zotin përditë; mos me thânë lutjet s'pakut n'mjes e n'mbrâmje; me tundue Zotin tuej dashtë me provue n'kjoft se Zoti mundet me bâ kyt gjâ apo at gjâ;

- sakrilegji : me trajtue n'nji mnyrë t'padêjë gjânat apo vêndet shêjte.

Sakrilegjet ndahen në 3 kategori :

1. sakrilegje personale : rrahje, vrasje, etj, të klerikve, murgjve ose murgeshave; mkate imorale me persona t'kushtuem Zotit;
2. sakrilegje lokale : profanimi i vêndeve shêjte me vrasje, mbledhje shoqnish sekrete (masoneria, etj), me akte imorale, me vorrimin e të çkishnuemve, me akte profane si shfaqje teatrale, vallzime, bankete, vjedhje, djeg'je, etj.
3. sakrilegje reale : profanimi i objekteve shêjte të kultit, i mobiljeve në Kishë, i Hostive shêjte, i Tabernakulit, i teshave meshtarake, etj.

- me përdorë simoní : blemjen e gjânave shpirtnore (Sakramênd, konsekracion, indulgjencë, etj)

- mos me u rrfye mbas mkatit;

- mos me mbajtë njinesën dhe abstinencën e detyrueme prej Kishës;

- me përbuzë reliket e shêjtënve, fuguret shëjte, ritet dhe gjithshka aprovon Kisha Katolike;

- me gjetë knaqsi n'veprime kundër Fesë Katolike;

- me i xânë besë ândrrave (egzistojnë patjetër edhe ândrra hyjnore por duhet me kênë shumë i kujdesshëm me i dallue ato me kshillën e nji t'urti n'Fé);

- me folë me neverí ose tallje për Méshen, ceremonitë ose objektet e tjera fetare;

- mos me bâ Rrfimin dhe Kungimin e përvjetshëm;

- me pasë turp me përmbushë detyrimet e Fesë Katolike.

- mos me nderue Nânen e Zotit, Virgjën MARI, êngjujt e shêjtnit.

- me profanue (mkat shumë i rândë) Sakramêndet, p.sh. vjedhja, tretja ose keqtrajtimi i Hosteve Shêjte; vrasja n'Kishë, varrimi i t'pafève n'Kishë, etj.

- me profanue Kishat (tuej folë pa nevoje; tuej bâ ndonji krim tjetër t'rândë); me profanue vorrezat (me i thye, me i vjedhë, etj.).

- me abuzue me fjalët e Shkrimeve Shëjte (si Protestantët ose t'pafetë); me i recitue me mêndjemadhsi, përbuzje, etj.

- me fole keq për çështjet e Fèsë, për ceremonitë e Kishës, etj.

- me kndue kânge imorale, etj.

- me praktikue supersticjone e besytnína :

- me konsultue falltorë, fallxhesha; me xjerrë fall me letra, me filxhan, me vijat e dorës, me vue hajmali ose sende tjera jokatolike n'trup, mos me kalue nën shkallë, mos me kalue aty ku mica e zezë na ka prê rrugën; me kërkue me komunikue me të dekunit; me konsultue horoskopin, me u marrë me magjí, etj.

Urdhnimi i Dytë

Mos merr n'gojë kot Emnin tejet shêjt të Zotit


    Ky Urdhnim na kujton se Emni i Zotit âsht tejet shêjt dhe i tmerrshëm dhe Zoti ka me ndëshkue rrêptsisht tânë ato që profanojnë Emnin e Tij, që E bajnë n'Bé t'rrême, ose që E marrin n'gojë pa nevojë e pa respekt.

Mkatet që ky urdhnim ndalon janë :

- me u betue n'rrênë, ose pa nevojë, ose për gjâna t'kqija.

- me blasfemue (don me thâne me folë fjalë që fyejnë t'Madhin Zot, shêjtnit ose Fenë Katolike).

- me mallkue vedin, të tjerët, kafshët, kohën, punën, etj.

- me bâ tri betimet e Fesë pa seriozitet, pa pâsë qellim me i mbâjtë deri n'vdekje, me i thye kto betime shëjte, etj. Ata që i kushtohen Zotit n'nji mnyrë t'veçantë, si meshtarët, murgjit apo murgeshat, bajnë tri betimet e Vobeksisë, mos me zotnue asisend, të Dlirtsisë, mos me u martue dhe me ruejtë integritetin kundër akteve dhe mendimeve imorale, dhe Ndigjesës, me iu nënshtrue vullnetit të superiorit n'Fé, për dashtni për Zotin.

Urdhnimi i Tretë (bashkë me 2 Urdhnimet e Kishës)

Mbaj shêjte diten e Diele dhe t'Krêmtet e Urdhnueme; Shif Meshë n'kto ditë.


    Ky âsht Urdhnimi hyjnor i shëjtnimit t'ditës t'Diele e i t'Krêmteve t'Urdhnueme që nâ urdhnon me pa Meshë n'kto ditë.

Mkatet që ky Urdhnim ndalon janë :

- mos me shkue n'Meshë n'ditët e Diele e n'ditet e t'Krêmteve t'Urdhnueme për fajin tonë e pa arsye;

- me pâ Meshen pa respekt, pa vëmendje, tuej qeshë, tuej folë me t'tjeret, tuej u tërhjekë vëmendjen, etj.

- mos me i lâne t'tjerët me shkue n'Meshë.

- mos me u kujdesë qe fëmijet apo shërbtoret e shpisë me shkue n'Meshë.

- me punue ose me i bâ të tjerët me punue n'kto ditë shêjte pa u kshillue përpara me meshtarin.

- me përbuzë ose nënvleftsue kto ditë shêjte tuej blé ose tuej shitë; tuej pi n'pijetore, klube; tuej shkue ne mbrâmje vallzimit, diskoteka; tuej shkue me shoqni t'keqe ose te rrezikshme; tuej i thirrë të tjerët n'kto shoqni; tuej hupë shumë kohë n'lojna, n'shëtitje, n'udhëtime t'ndryshme, etj.

Urdhnimi i Katërt

Ndero baben e nânen tande n'kjoft se don me jetue g'jatë përmbi dhé.

    Ky Urdhnim i TenZot bân fjalë për detyrat që fmijët kanë për prindët e tyne, e detyrimet që prindët kanë për fmijet e vet. Ktû përfshihen gjithashtu detyrimet mes bashkëshortve, mes vllaut e motres, e të tâna detyrimet e ndërsjellta midis superjorve dhe inferjorve, si në anen shpirtnore ashtu edhe n'até materjale. (Psh. mes meshtarit e besimtarit apo mes pronarit e puntorit).

Detyrimet e fmijve :

- Ato duhen me respektue baben e nânen e vet : mos me u bâ keq, mos me i keqtrajtue (fizikisht apo shpirtnisht);

- Fmijët duhen me iu bindë prindve t'yne në çdo gjâ, simbas Urdhnimeve t'Zotit e t'Kishes Katolike. Por n'kjoft se prindi ndojherë, me t'padrejtë, i kërkon fmijes t'vet ndonji gjâ që bjen ndesh me Urdhnimet e Zotit ose Urdhnimet e Kishes Katolike, atherë fmija ka detyrë me ndig'jue Zotin e Kishen para prindit.

- Fmijet duhen me dashtë prindët e vet; mos me i shqetsue, mos me u dashtë t'keqen ose dèken.

- Fmijet duhen me i ndihmue prindët e vet n'mnyren mâ t'mirë t'mundshme në t'tana nevojat e tyne shpirtnore e materjale; ato duhen me u lutë për tà dhe me i kërkue edhe të tjerve me u lutë për prindët e tyne g'jatë jets e mandej edhe mbas dèkes.

- Fmijët duhen gjithashtu me zbatue me besnikní vullnetin e tyne t'fundit.

- Fmijët kanë t'njêjtat detyra për gjyshat e gjyshet e veta; për kunetnit e kunatat; për dajat, axhat e hallat e tyne, për nunat e nuneshat, si dhe për msuesit ose personat që janë t'ngarkuem me edukimin e tyne.

- Vllau e motra duhen me dashtë, respektue e ndihmue njêni-tjetrin reciprokisht.

Detyrimet e Prindve :

- Ato duhen me dashtë fmijet e vet për dashtni për Zotin e simbas Ligjit Hyjnuer, tuej mos preferue njênin fmí para tjetrit;

- Ato duhen me u kujdesë fort për jeten e tyne shpirtnore dhe trupore, tuej i msue dhe edukue (përfshi ktû edhe shërbtorët e shpisë).

- Prindët duhen me u msue e shpjegue fmijve t'vet Kateshizmin, me lejen e meshtarit, përfshi lutjet e Fesë, t'Shpresës e t'Dashnisë për Zotin, lutjen e "Besojmë" (Credo), "ATI YNË" (PATER NOSTER), "Ju falemi MARI" (AVE MARIA), Urdhnimet e TenZot e Misteret kryesore t'Fesë tonë shêjte Katolike.

- Prindët duhen me i msue fmijet e vet se çka âsht Mesha Shêjte e si duhet me e pâ até shêjtnisht; si bahet nji rrfim i mirë, dhe ata duhen me i nxitë fmijët e vet me marrë sa mâ shpesh e sa mâ shêjtnisht Sakramêndet e shêjta : Rrfimin e Kungimin.

-Prindët duhen me u folë fmijve t'vet për Zotin, për shpirtin e tyne, për mkatin, për Parrizin, për Fêrrin; për t'keqen e mendimeve t'flliqta (imorale), për t'keqen e shkuemjes n'vallzime (mbrâmje, disko) ose për shoqnimet e ndryshme t'rrezikshme, etj.

- Prindët duhen me kênë vigjilentë n'mnyrë që fmijët e vet mos t'marrin vese t' kqija, mos t'lexojnë libra t'ndaluem, mos t'lidhen me shoqni t'keqe e mos t'u ekspozohen rreziqeve t'ndryshme për shpirtin dhe për trupin. Për sa i përket literaturës, besimtarët nuk duhen me harrue "Listen e librave t'ndaluem" prej Kishës Katolike, indeks që gjindet kollaj n'internet.

- Prindët duhen me i korrigjue fmijët e vet n'mnyrë t'màtun; mos me i keqtrajtue fizikisht apo verbalisht, por me u dhanë shembullin e mirë; me u lutë për tà dhe me kërkue me njoftë Vullnesen e Zotit për jeten e tyne;

- Prindët duhen me bâ gjithshka t'mujtun mos me iu krijue pêngesë fmijve t'vet n'zg'jedhjen e vokacjonit, pra të thirrjes për t'cillen i Madhi Zot i ka vue n'kyt botë.

Personat t'cillët zëvendsojnë prindët n'marrdhânjet me fmijët (mesuesi, dàdoja, nuni ose nunésha) kanë t'njêjtat detyrime si prindët.

Detyrimet reciproke të bashkortve (burrë e grue) :

- Ata duhen me jetue s'bashkut; me ruejtë t'pastër e t'papërlyeme dashninë reciproke bashkshortore, njashtû si KRISHTI Zot don Kishen Katolike;

- Ata duhen me ruejtë nji besnikní shêjte deri n'vdekje; ata duhen me iu nënshtrue njêni-tjetrit n'plotsimin e detyrimeve martesore, tuej mos bâ asisend kundër Vullnesës Hyjnore.

- Ata duhen me ndihmue njêni-tjetrin n'nevojat e shpirtit e t'trupit tuej durue t'mètat e sejcillit.

Detyrimet e shërbtorve dhe t'pronarve :

- Shërbtoret duhen me respektue pronarin e tyne në çdo rrethànë, dhe me iu bindë atij n'gjithshka të drejtë e t'arsyeshme, me nji gadishmëni t'plotë e pa vonesë, si me kênë tuej iu bindë vetë KRISHTIT Zot.

- Sherbtorët duhen me kênë besnik me ruejtë gjânë e pronarit, pa e dëmtue até e pa lânë t'tjerët me e dëmtue; ata duhen me harxhue kohën e shërbimit te pronari në mnyrë t'frytshme.

Pronarët duhen me u kujdesë që shërbtorët të shërbejnë t'Madhin Zot me besnikní; ata duhen me i trajtue shërbtoret me mirësi dhe dashni, tuej kërkue prej tyne vetëm até çka âsht e drejtë dhe tuej u pague pagat me ndershmëni.

Detyrimet kundrejt superjorve n'anen fetare dhe até materjale :

- Duhet me nderue klerikët, veçanërisht Papen, Ipeshkvin e dioçezës dhe Meshtarin e famullisë, tuej u ndig'jue fjalën me respekt dhe urtsí, si vetë KRISHTIT Zot, tuej mos mendue apo folë keq për tà ose punen e tyne. Por, n'kojft se ndodh që edhe vetë meshtari predikon kundër Fesë Katolike atherë katoliku nuk duhet me e ndig'jue por duhet me mbajtë Fenë njashtû si e ka msue n'Kateshizëm. Nuk duhet me u habite se sod, prej mungesës s'vigjilencës t'meshtarve e prej mkateve tona, anmiku i Krishtënimit dhe i tânë njerzimit, shpesh i veshun me teshat e qingjit, ka infiltrue rangjet drejtuese në institucjonet e Kishës Katolike.

- Duhet gjithashtu me nderue, me iu bindë dhe me u kenë besnik drejtuesve t'shtetit e autoriteteve legjitime t'pushtetit civil n'gjithshka që nuk i bjen ndesh ligjeve t' Zotit e t'Kishes Katolike.

- Superjorët kanë detyrime t'mëdhaja kundrejt shpirtnave për t'cillët kanë përgjegjsí para Zotit si për shpirtin e vet.

- Klerikët janë t'shuguruem jo per vedi por për t'tjerët; kshtû që sa mâ nâlt që t'hypin në hjerarkinë kishtare aq mâ besnikë duhen me kênë n'kryemjen e detyrimeve t'yne.

Ky ligj hyjnuer na kujton se duhet me respektue e dashtë t'moçmit; me kênë mirënjohës me bamirësat, me kênë gadi me ndihmue t'vobektit shpirtnisht e materjalisht, e me dashtë të tânë njerzit për dashní për Zotin.

Detyrimet e qytetarve n'shoqní

Autoritetet drejtuese t'vêndit duhen :

- me përkrahë t'miren e përgjithshme tuej respektue të drejtat e lirisë individuale.
- me shmangë me gjitha forcat t'keqen në Shtet dhe rreziqet n'shoqní.
- me punsue n'postet publike t'aftët dhe t'përgaditunit.
- me administrue drejtsinë pa anësi.
- me respektue të drejtat e Kishës Katolike.

Nga ana tjetër qytetarët duhen :

- me respektue autoritetet legjitime.
- me pague taksat e drejta.
- me zg'jedhë (votue) deputetet e duhun.
- me krye shërbimin ushtarak, simbas rastit.

Edhe nji qeveri uzurpuese që drejton vêndin me qetsinë e rêndit publik ka të drejten e bindjes prej qytetarve. Rebelimi ose dhuna fizike âsht gjithmonë e ndalueme kundër nji qeverije legjitime që drejton vêndin tiranisht. (Denzinger 690). N'kyt rast, qytetarët duhen me praktikue nji rezistencë pasive ose mosbindje aty ku shkelen Ligjet Hyjnore. Vetëm në rastet ekstreme, kur gjitha përpjekjet e tjera paqsore kanë dështue, lejohet mbrojtja aktive e t'mirës së përbashkët kundër nji qeverije tiranike. ("Mirari Vos" - vjeti 1832; "Diuturnum" - vjeti 1881; "Quod Apostolici muneris" - vjeti 1878; Denzinger 1850)

Urdhnimi i Pêstë

Mos vra kênd.

Mekênse njiri âsht shpirt e trup, krimi i vrasjes âsht trupor dhe shpirtnuer.

Ky Urdhnim dënon dishiren me vrâ kênd, me rrezikue jeten e tjetrit dhe me vrâ vedin. Ktû bâjnë përjashtim rastet kur autoritetet e shtetit zbatojne ligjin për t'miren e rendit publik, rastet e nji lufte të drejtë dhe rastet e vetmbrojtjes legjitime.

Ky Urdhnim dënon gjithshka që çon n'krimin e vrasjes, keqtrajtimit, ngatrrésave, plagosjeve, t'rràhunave, dueleve, urrrejtjeve, smires, dishirës për hakmarrje, mospranimit me fàlë e me u pajtue.

Ky ligj dënon vrasjen shpirtnore me anen e skandalit i cili largon hirin e Zotit prej shpirtit të t'afërmit : Psh. me nxitë, msue, lejue t'tjerët (me dashje) me bâ keq me anen e kshillave dashakèqe, tàlljeve e shembullit t'keq personal; me i shmangë të tjerët prej detyrimeve t'yne ose mos me i largue prej t'keqes kur kjo gjâ âsht e mujtun.

Mkate kundër ktij Urdhnimi :

- coptimi i pjesve trupore (kastrimi). Përjashtohen rastet për shpetimin e jetës.
- Kraniotomia, embriotomia, aborti.
- Dueli

Urdhnimi i Gjashtë dhe i Nândtë

Mos bân vepra t'flliqta e imorale as me mend e as me akte.
Detyrimet martesore lejohen vetëm n'martesë.

Kto dy urdhnime kanë lidhje me t'njâjtin virtyt : ndalimin e tâna mkateve kundra dlirtsisë (pastërtisë) të shpirtit e të trupit. Shkeljet e ktyne dy Urdhnimeve gadi gjithmonë janë mkate të rânda.

Disa prej mkateve që kto Urdhnime ndalojnë janë :

- me imagjinue me dashje ose me neglizhue me largue prej imagjinatës ose shqisave pamje imorale.

- dishira imorale që pasohen me çrregullime t'mshehta të turpshme;

- pëlqime imorale e kriminele. N'rrfim duhet thânë me saktsi, ashtû si e kam theksue n'krye t'ktij shkrimit, objekti i ktyne pëlqimeve kriminele dhe çdo dyshim tjetër ku mendohet se âsht krye mkat. Pra duhet saktsue n'kjoft se objekti i mkatit âsht : njiri, kafshë apo send; n'kjoft se âsht njiri, duhet specifikue n'kjoft se âsht mashkull apo femën; n'kjoft se âsht beqar, i martuem apo i kushtuem Zotit n'meshtari apo n'Urdhna shêjte; n'kjoft se âsht njeri i familjes, etj.

- vese e zakone të turpshme;

- fjalë të kqija që çojnë n'akte imorale ose fjalë me disa kuptime t'thànuna ose t'mendueme;

- veprime, prekje t'turpshme (t'vedit ose të tjerëve) kundër virtytit të shêjtë t'dlirtsisë (pastërtisë) shpirtnore e trupore;

- shikime t'rrezikshme ose imorale mbi vedin, mbi t'tjerët, mbi vepra artit (skulpture, pikture), mbi fotografi imorale, etj.

- veprime, mendime, tolerime, mosreagime e gjithshka që na shtyn në mkatet e sipër përmênduna;

- intimitète apo familjaritete, shoqnime, letra sentimentale, veshje jo modeste, maskime, vallzime, spektakle, romane, revista, gazeta, broshura ose flete imorale, t'cillat janë t'ndalueme me u lexue sipas ligjit te "Indeksit". Si kam shkrue mâ nâlt, "Indeksi" âsht nji listë librash t'ndalueme me u lexue e me u mbajtë prej Kishës Katolike, për vetë rrezikun që ata përbajnë me na shtye n'mkat. Për shkeljet e ligjit, dënimi kishtar shkon deri në çkishënim.

- demelí, jetë e rahatshme e sensuale.

- fornikacjoni : mardhânje imorale jashtë martesës mes dy personave të gjinive të ndryshme.
- prostitucjoni : mardhânje imorale me pagesë.
- adulteri : mardhânje imorale ku t'paktën njêni prej personave âsht i martuem. Ky krim i rândë përfshin edhe mkatin e rândë kundrejt drejtsisë. Kur të dy personat janë t'martuem egzistojnë dy krime adulterit.
- përdhunimi : mardhânje imorale nën presionin e dhunës fizike ose frigës.
- incesti : mardhânje imorale mes personave të familjes ose t'nji gjakut; ky krim përfshin edhe mkatin e rândë kundër devotshmënisë familjare.
- sakrilegj : mardhânje imorale me nji personë t'kushtueme Zotit. Prandaj në rrfim nuk mjafton me thanë se kam krye marrdhânje imorale me nji personë të gjinisë tjetër, por duhet shtue se ajo personë ka kênë e kushtueme Zotit.
- masturbimi : mkat i rândë solitar kundër natyrës prej prekjes t'vedit n'vêndet gjenitale.
- Sodomia : krimi i mardhênjeve imorale mes personave t'nji gjinije.
- Bestialiteti : krimi i mardhênjeve imorale me nji kafshë.

Po e mbylli kyt pjesë me dy citime-porosi të Papve për personat e martuem :

« Kisha Katolike, e cila asht e caktueme prej vetë Zotit me msue dhe me mbrojtë integritetin e zakoneve, të moralit dhe të ndershmënisë, vigjilente në mes të ktyne shkatërrimeve morale, çon zanin me forcë, nëpërmjet personit tonë, në shêj të misionit të saj hyjnor, dhe dekreton edhe nji herë se :

« Çdo konsumim i martesës, cilido kjoft aj, në t'cilin akti martesor, prej djallzisë së njerzve [prej kontraceptivëve,etj], pengohet në fuqinë e tij natyrale për me dhanë jetë [fmijë], asht nji fyemje e Ligjeve të Zotit dhe e ligjeve të natyrës; Ata që kanë bâ nji gja të tillë janë fajtor me mkat të randë. » (Papa Pius XI, "Casti Connubii", 1930)

« Paraardhsi jonë, Piu XI, në Inciklikun e tij "Casti Connubii", të 31 Dhetorit 1930, shpalli edhe nji herë solemnisht ligjin themelor të aktit dhe të mardhênjeve bashkshortore, simbas të cilit çdo atentat i të martuemve kundër aktit bashkshortor ose kundër zhvillimit të pasojave të tij natyrale, atentat i cili ka për qëllim me bllokue energjinë e tij natyrale dhe me pengue lindjen e një krijese të re, asht nji veprim imoral dhe se asnji lloj justifikimit nuk mundet me e kthye nji veprim krejtsisht imoral në nji akt moral dhe të ligjshëm.

« Ky vendim asht në fuqi të plotë sot si dje dhe do të jetë kshtu në të ardhmen dhe përgjithmonë, sepse aj nuk asht thjesht nji kshillë e të drejtës njerzore, por shprehja e nji ligji natyral dhe hyjnor. » (Papa Piu XII, "Discours aux Sages-Femmes", 29 Tetor 1951)

Urdhnimi i Shtatë dhe i Dhètë

Mos vjedh e mos mbaj me vetdije gjânë e tjetrit.
Mos dishiro gjânë e tjetrit padrejtsisht.


Kto dy Urdhnime ndalojnë me marrë, me mbajtë, me dëmtue ose me dishirue padrejtsisht gjânë e tjetrit.

Mkatet që kto Urdhnime ndalojnë janë :

- vjedhjet;

- dëmtimet n'pasuninë e tjetrit;

- ndrrimet e padrejta të kufijve të pronës së tjetrit;

- padrejtsí kundër superjorve, babës, nânës;

- proçese t'padrejta;

- mashtrime, padrejtsí n'tregti, n'kontrata, n'dâmje pasunish, n'trashigimi, n'inventare, n'ushtrimin e profesjonit, n'lojna, n'dhânje paresh me interes, n'borxhe t'papagueme, n'rrogat e shërbtorve e t'punëtorve t'papagueme n'kohë, n'pasuní të lànuna me testament, etj.

- pjesëmarrja, urdhnimi, kshillimi, ndihma, ose komploti n'padrejtsí;

- mshehja e hajdutit ose e gjânave t'vjedhuna;

- vjedhja me anen e fmijve, shërbtorve;

- mosparandalimi i dâmeve kur e kena për detyrë me e bâ kyt gjâ;

- moskthimi i gjânave t'vjedhuna, t'gjetuna ose t'dhânuna n'mirëbesim;

- mosriparimi i dâmeve, i padrejtsive;

- dishira me mashtrue, me përgatite têrrenin me mashtrue;

- dishira me i bâ keq atyne që kanë me na lânë pasuní;

- angazhimi n'punë ose n'detyra pa përgatitjen e duhun;

- moskryemja si duhet e punës për të cillen paguhena;

- neglizhenca me dhânë lëmoshë simbas mundësive, etj.

Urdhnimi i Tetë

Mos bân dishmi n'rrênë e rrêna mos thuej kurrë.

Disa prej mkateve që ky Urdhnim ndalon janë :

- bâmja e dishmisë n'rrênë para gjyqtarëve;

- garantimi i vërtetsisë t'nji çâshtjeje n'raste dyshimit;

- marveshja me të tjerët mos me thânë t'vërteten;

- mashtrimi i dishmitarëve, i gjyqtarëve;

- prodhimi i fakteve t'rrême;

- thânja e rrênave n'rrfime për me dashtë me bâ dam ose prej mârres (turpit);

- bâmja e premtimeve pa pasë vullnetin me i mbajte;

- t'folunit keq për dikë. N'rrfim duhet kallxue e keqja që kena thânë; kundër kujt e para kujt e kena thânë; n'kjoft se kjo e keqe ka kênë e vërtetë ose e rrême, e mshehun ose publike;

- ndigjimi me knaqsí, tuej pyet ose tuej mos reague, i fjalëve t'kqija e i shpifjeve kundër të tjerëve;

- gjykimi ose dyshimi i t'keqes te i afërmi pa pasë prova t'sigurta;

- moskorrigjimi i fjalëve t'këqija ose i shpifjeve t'bâme kundër t'afërmit;

- nxjerrja e sekreteve;

- leximi për kuriozitet i letrave të tjerëve;

Urdhnimet e Kishës Katolike

(Për Urdhnimin e Parë dhe të Dytë të Kishës shifni Urdhnimin e Tretë të Zotit)

3. Të tâna mkatet duhen rrfye s'pakut nji herë n'vjetë.
4. Duhet marrë Kungimi Shêjt s'pakut për Pashkë.
5. Duhen njinue Katër Kohnat, vigjilet (mnjillet) dhe ditët e Krezhmes.
6. Duhet mbajtë abstinenca t'Premteve e t'Shtundeve.
7. Duhet pague e dhêta e Kishës. (Për mâ hollsi duhet pyetë meshtari për kyt detyrim)

Mkate kundra Urdhnimeve t'Kishës shêjte Katolike :

- me folë pa respekt kundër Urdhnimeve t'Kishës;

- me kalue mâ shumë se nji vjetë pa u rrfye;

- mos me u rrfye atherë kur âsht nevoja;

- mos me u rrfye s'pakut për Pashke për fajin tonë;

- me marr Kungimin me mkat t'rândë në shpirt;

- me bâ Pashkët jashtë dioçezet pa lejen e meshtarve;

- me thye ligjin e njinesës dhe t'abstinecës pa arsye; me i nxitë të tjeret me bâ t'njêjten gjâ;

- me tallë ata që mbajnë ligjet e Kishës.

Mkatet Kapitale

Madhshtia

Mkate madhshtijet :

- me mbivlersue vedin;

- me mendue se t'mirat që kèna ose që mendojmë se kèna vijnë prej nesh, e mos me lavdue Zotin prej t'Cillit na vijnë tâna t'mirat;

- me shitë mend;

- me e pase vedin n'qefë;

- me dashte làvdet e mos me pëlqye përbuzjet ose shamjet e të tjerëvet;

- me kênë ambicjoz;

- me mashtrue me hipokrizi për me marrë nderime e me pasë êmnin e mirë;

- me përbuzë të tjerët;

- me bâ veprat e mira ose t'kqija për krenarí;

- me u veshë pa modesti;

- me shpenzue mbi limitin e buxhetit personal;

- me dashtë me pasë gjithmone të drejtë, atherë kur nuk bahet fjalë për ligjet e Zotit e t'Kishës;

Koprracia

Mkate koprracijet :

- me kênë shumë i lidhun me t'mirat e ksaj bote dhe me u preokupue jashtë maset me u pasunue materjalisht;

- me u idhnue fort n'kjoft se i hupim kto t'mira;

- me ia dashtë t'keqen të tjerve për qellime përfitimi;

- me ia refuzue vedit ose familjes gjânat e nevojshme për jetesë;

- mos me dhânë lëmoshe simbas t'mirave që na ka dhânë Zoti ose simbas nevojës të t'vobektve;

- me kërkue lëmoshë pa pasë nevojë;

- me luejtë lojna të ndalueme;

- me shpenzue mâ tepër sesa mundsitë personale;

Smira

Mkate smiret :

- me dishirue me smirë t'mirat e tjetrit;

- me pasë idhnim kur t'tjerët kanë t'mira, ose kur përparojnë, ose kur Zoti i nep hire shpirtnore, që âsht nji mkat shumë i rëndë;

- me u gëzue kur të tjerët janë keq ose kur kanë tramvaje (vuejtje), etj.

- me dishirue me i bâ keq, me i poshtnue, me i vue kâmbën tjetrit për me dalë i pari gjithkund;

Flliqsia (imoraliteti)

Mkate imoralitetit : Me pâ pjesën e Urdhnimeve t'Pêstë, t'Gjashtë dhe t'Nândtë.

Gryksija

Mkate gryksijet :

- me hângër e me pî me teprí vetëm me plotsue knaqsinë e t'hângunit; me i shtye t'tjerët me bâ kshtû;

- me u dejë. N'rrfim duhet thânë se çfarë skandalesh kena bâ n'gjendje të dèhun, me aq sa na kujtohen.

- me harxhue shumë kohë n'lokale;

- me bâ shpenzime t'panevojshme në t'hângun tuj harrue kshtû nevojat e t'vobektve;

- mos me mbâjtë Urdhnimet e Kishës mbi njinesën dhe abstinencen prej gryksisë;

Idhnimi

Mkate idhnimit :

- me u idhnue, me hupë durimin;

- me thânë fjalë fyese, me mallkue; me provokue, me sulmue fizikisht (me rrâhë) të tjerët;

- me e mbâjte inatin për shumë kohë;

- mos me falë e me përhapë shpirtin e grindjes mes të tjerve;

- me kênë n'humor t'keq me njerzit;

- me i bâ te tjerët me u idhnue;

Pritesa ose Demelíja

Mkate demelijet :

- mos me i bâ punët e veta (lutjet, pamjen e Meshës, detyrat n'shoqni, etj) prej demelijet;

- me hûpë shumë kohë tuej fjetë, tuej luejtë, tuej u mârrë ma gjâna t'kota.

Mkate t'veçanta n'detyrimet shoqnore

Mkate për nji Meshtar :

- mosthânja e Oficit Hyjnor;

- mosthânja e Meshës n'kohen e caktueme;

- neglizhimi i ndig'jimit të Rrfimeve;

- mungesa e meshtarve me rrfye;

- neglizhenca e studimit të téologjisë;

- neglizhenca me i dhânë zg'jidhjen (n'rrfim) fmijve që kanë mbërritë moshen e arsyes;

- mosndjekja e rregullave n'dhânjen e zg'jidhjes atyne që nuk e meritojne; etj.

Mkate t'nji Famullitari :

Përveç rasteve t'mâsipërme që i aplikohen Meshtarit duhen shtue :

- mungesa e drejtimit shpirtnuer për shpirtnat n'ngarkim;

- moskontrollimi i kryemjes së detyrimit t'Pashkve;

- rrefyzimi i dhânjes të Sakramêndeve atyne që i kërkojnë;

- mungesa me ndihmue ata që janë n'agoní;

- neglizhimi me u msue fmijve dhe injorantve Misteret kryesore të Fesë Katolike;

- vonesa me dhanë Kungimin e Parë, etj.


Mkate për nji Murg :

- mosmbajtja e tre betimeve të Fesë që janë vobeksija, dlirtsija, ndigjueshmnija;

- mbajtja n'zemër e mendimeve kundër t'afërmit;

Mkate për nji Gjyqtar :

- bâmja e previlegjeve mes t'dënuemve;

- lânja e çâshtjeve gjyqsore në neglizhencë për nji kohë të g'jatë;

- mosgjykimi me të tânë kompetencen e duhun; etj.

Mkate për nji Avokat :

- mbrojtja e çâshtjeve t'padrejta;

- mbrojtja e çâshtjeve t'drejta por pa kompetencen e duhun;

- kërkimi i pagesave të nâlta, etj.

Mkate për nji Mjek :

- mos kujdesja për t'smuetit, sidomos t'smuetit e vobektë;

- rekomandimi i ilaçeve t'skadueme ose jo t'përshtatshme;

- neglizhenca me i porositë t'smuetit me marrë Sakramendet, n'kjoft se ata janë n'rrezik vdekjet, etj.;

Mkate për nji Farmacist :

- dhânja e ilaçeve jo t'përshtatshme nanave shatzâne;

- dhânja e ilaçeve t'gabueme;

- shitja e ilaçeve mâ shtrenjtë sesa çmimi i tregut;

Mkate për nji Pronar lokalit :

- shitja pa arsye e pijeve alkolike atyne që dojnë me u dêjë;

- tolerimi i skandaleve n'lokale, etj.

KRISHTI Zot me ndëmjetsí të Nanës së Kshillit të Mirë na ruejt prej çdo mkatit e prej çdo t'keqet shpirtnore e trupore e n'momentin e deks na dhaftë Lumninë e përjetshme t'Parrizit. Ashtu kjoft.