sabato, febbraio 10, 2018

Pavlefshmëníja e "meshës"

dhe e "sakramendeve" në dioqeza


Vatican, 10 Prill 1970


       Thotë shën Bernardi : Devocjoni pa shkencen e doktrinës gabon ; shkenca pa devocjon e ban njirin mendjemadh ("Fleurs de saint Bernard") ; synimi i t'Krishtênit t'vërtetë asht atherë me i zotnue edhe shkencen edhe devocjonin, me ndihmen e Zotit, sejcilli simbas gradës që i përshtatet. Por mjerisht, injoranca doktrinale apo fetare n'Shqipní nuk asht nji risí por nji trashigimí e dhimbshme e shekujve t'kaluem, e besimtarve tonë n'vite, t'udhëhjekun shpesh prej meshtarve liberalë, t'brymosun me shpirtin e rilindjes evropjane - pagane, që vlersojshin ma shumë me përkthye e nalcue idhujt e vjetër greko-romakë, paganin Homer, humanistin Petrark, poetin humanist Manzonin, iluministin çifut Heine, iluministin Goete, - Goethe mësohet t'ket thanë se urrente katër gjana : duhanin dhe kumbonët, pleshtat dhe Krishtënimin. (Mgr Gaume, "Paganisme dans l'éducation", faqe 216) -, sesa me përkthye Aktet Papale ku gjindet drita hyjnore e Revelacjonit, sesa me studjue e përçue Sumen teologjike t'doktorit engjëllor, sh'Tom Akuinatit, sesa me botue veprat e Shêjtënve, Etënve e Doktorve t'Kishës hyjnuere Katolike, sesa me përhapë pa pushim kateshizmat e dekretet e Konçileve ekumenike, me nji fjalë Traditen e Krishtênë dymijëvjeçare, sepse detyra primare e meshtarit asht lavdija e Zotit dhe shelbimi i shpirtnave, para gjithçajet tjetër ; e shpirtnat nuk shelbohen as me Homerin e as me Goeten.

Kjo injorancë fetare e trashigueme ka lanë pasojat e veta, natyrisht, e komunizmi bashkë me ideologjitë antikatolike që kanë frye mbi Shqipní n'epoka të ndryshme, bashkë me besytnitë e mitet tona që kurrë nuk kena mujtë me i xjerrë faret përsmbarit, veçse e kanë thellue e përkeqsue. Anmiqtë tonë, kjoshin kta vendas apo t'huej, kjoshin kta të shpirtit apo të trupit, kanë pasë interes me na lanë në injorancë, sidomos n'injorancë fetare, e cila asht ma e randa : kur shpirti asht në terr, tanë vedja jonë asht n'errsinë t'thellë. E anmiqtë, tuej na pâ n'terr, sa prej djallzisë t'yne ashtu edhe prej naivitetit t'onë, nuk kanë ndej duerkryq, si shumë prej nesh që jena demela t'lindun e t'kultivuem : jo vetëm që kanë mendue me na plaçkitë pasunitë kombtare, tuej na lanë gjithmonë t'rjepun e t'zhdeshun, por kanë lshue kthetrat me na plaçkitë edhe àt pasuní që nuk ka çmim : jeten shpirtnuere. Lexoj botime t'vjetra e ndalem me mendue do dekika, tuej u habitë e mrekullue njikohsisht, se sa e gjallë paska kenë jeta katolike n'Shkodër para mbylljes s'madhe, para shkretinës t'kuqe që mbuloi kishat e seminaret, qelat e kuvendet, bibliotekat e inteligjencen e shumicës... 

E tash... Mendojmë ndoshta se jena lirue prej atij gazepi që na merrte frymen, por ajo perde e kuqe veçse asht nalcue pak mbi krenat tonë, sa me na lanë me marrë pak ajër, por vazhdon me mbulue jeten tonë e mendimet tona e, ça asht ma e keqja, shpesh pa dijen tonë. Ka veç nji zgidhje : me ble shpaten që Shelbuesi na udhzon (sh'Luka 22, 36), shpaten e urtisë hyjnore dhe forcës qielluere, shpaten e Krygjës shêjte, dhe tuej e çue nalt, me shkye kyt rrjetë t'mallkueme ideologjíjet e injorancet, për me pâ e me jetue nën Qiellen e Hyjit, lirinë tonë t'vërtetë. 

Veproni kshtu, ô shpirtna vullnetmirë, se sod po shkruej veç për ju, e keni me vue roe se anmiku ka hí n'votrat e shpijat tueja, n'kishat e n'zemrat tueja ; aty asht ulë kambëkryq e, me fije mndashit t'padukshme që ju ka hjedhë sipër, herë ju shtyn e herë ju tërhjek, si dordolecin. Merrni shpaten e Hyjit e lironi vedin, çlironi shpirtin e zemren tuej, se koha kalon e nuk dijmë edhe sa na mbetet. 

Hidhni mandej nji sy kishave, e keni me kundrue t'merruem se pa ju pvetë aspak ju kanë hjekë Meshen e vërtetë, ju kanë hjekë Sakramendet e vërteta, për me ju dhanë nji "meshë" letret e "sakramende" letret, pa peshë e pa vlerë hiç, tuej ju rrejtë si fminë... A doni me vazhdue me luejtë rolin e idjotit t'dobishëm ? Shifni, shifni mirë, se nuk keni pa gjâ !!!

Si pasojë e aggiornamento-s, mbas punimeve të pseudo-konçilit të 1965, kisha e Vatikanit II apo kisha postkonçiljare ndërmori ndryshime të shumta në dioqezat që kishte infiltrue n'mnyrë progresive : ndër të tjera, nji prej ndryshimeve themelore ishte përbuzja ndaj Meshës së vërtetë Katolike latine, që Selija Shêjte ka urdhnue, nën dënimin e mallkimit, me u celebrue ekskluzivisht në tana kishat e ritit romak (shif Bullen "Quo Primum Tempore" të Papës sh'Piut V, të 14 Korrikut 1570), tuej ndalue celebrimin e ksaj Meshe shêjte latine dhe tuej e "zëvendsue" me nji ceremoní protestante blasfemuese, tip darke përkujtimore të pavlefshme (e njoftun gabimisht në dioqeza si "Mesha katolike"), që komunisti apostat Pali VI-Montini kishte hartue me ndihmen e 6 protestantve : George, Jasper, Shephard, Kunneth, Smith dhe "fratit" Max Thurian, që përfaqsojshin Konçilin Botnuer të Kishave ("The World Council of Churches"), Kishen Anglikane, Kishen Luterane dhe Komunitetin francez protestant të Taizes. Masoni Annibale Bugnini, prift lazarist (i rregjistruem n'Logjen e Madhe të Italisë me 23 Mars 1963, me matrikulen 1365/75 dhe me pseudonimin "buan"), i caktuem prej apostatit Palit VI-Montinit si Sekretar i përgjithshëm i Kshillit liturgjik për drejtimin e aggiornamento-s, ka deklarue zyrtarisht në numrin e Osservatore Romano-s të datës 15 Mars 1965 kto fjalë : 

« Na duhet me zhdeshë lutjet tona katolike dhe liturgjinë katolike prej çdo gjàjet, edhe prej híjes së nji guri pengues për vllaznit tonë të ndamë, pra për protestantët. » (shif punimet e Komitetit ndërkombtar "Rore sanctifica", "http://rore-sanctifica.org/")

Mbasi Komisioni për ndryshimin e liturgjisë mbaroi punë, që shihet edhe prej ftyrave të qeshuna të "ekspertve" protestantë në foton e 10 Prillit 1970, përfaqsuesi i Kishës Luterane, "Dr." Smith u krenue botnisht me fjalët : "Kryem punën që filloi Martin Luteri". Në 1969, "frati" Thurian, i komunitetit protestant të Taizes, njêni prej 6 "ekspertve", shprehu knaqsinë e tij për ceremoninë e re të aprovueme prej apostatit Pali VI, tuej shtue se tashti protestantët do të mundeshin me celebrue "Darken e Zotit" me të njêjtat lutje si Katolikët (Catholicapologetics.info).

Për ma shumë hollsí mbi ceremoninë blasfemuese protestante, të njohun n'dioqeza si "Mesha katolike", mundeni me lexue : "Egzaminim i shkurtë kritik i 'meshës' së ré", prej Kardinalit Otavjani, ku ndër t= tjera thuhet : 

« Nji revistë periodike e njoftun, me karakter fetar, përmblodhi me kto fjalë ritin e ri : "Dishirojnë me zhdukë gjithë teologjinë e Meshës. N'substancë, i afrohena teologjisë protestante e cilla e ka shkatrrue Sakrificen e Meshës."

* Mohimi i Meshës si Sakrifica e Kalvarit ;
* Ceremoníja montinjane ("mesha katolike dioqezane") : nji darkë përkujtimore

« Përkufizimi i Meshës âsht pra i reduktuem n'até të nji "darke", e kjo riduket vazhdimisht në numrat 8, 48, 55d, 56 të Institutio generalis. Për mâ tepër, kjo "darkë" âsht darka e asamblesë të drejtueme prej meshtarit, darka e asamblesë t'mbledhun me realizue "memorialin e Zotit", që përkujton atë që bâni t'Enjten e Madhe. E gjitha kjo nuk nënkupton as Prezencen reale [të KRISHTIT Zot në Osten shêjte], as realitetin e Sakrificës së Meshës, as karakterin sakramental të meshtarit që konsakron e as vlerën thelbsore të Sakrificës eukaristike, pavarsisht pranisë së asamblesë. Me nji fjalë, ky përkufizim i ri nuk përmban asnji prej elementave dogmatikë që janë themelorë për Meshën dhe që formojnë përkufizimin e saj të vërtetë. Heqja n'kyt vênd e ktyne elementave dogmatikë ka kênë e qëllimshme. Nji mungesë e tillë e qëllimshme nënkupton "tekjalimin" dhe, t'pakten në realitet, mohimin e ktyne elementave dogmatikë. 

« Qëllimi i parë i Meshës. Asht thelbsore, pavarsisht prej natyrës, që sakrifica t'jetë e pëlqyeshme, e pranueshme dhe konkretisht t'pranohet prej Zotit. N'gjêndje t'mkatit origjinal, asnji sakrificë nuk ka të drejtë me kênë e pranueshme. E vetmja Sakrificë që ka të drejtë me u pranue âsht Sakrifica e KRISHTIT. Por në "meshen e ré", oferta shnatyrohet n'nji lloj shkëmbimi dhuratash mes njirit dhe Zotit; njiri ofron bukën dhe Zoti e shndrron në "bukë jete"; njiri ofron vênën dhe Zoti e kthen në "pije shpirtnore" :
 
« Kjosh bekue, ô Zot, Hyji i universit : prej mirsisë tande kèna marrë kyt bukë (ose vênë) fryt i tokës (ose i vreshtës) dhe i punës' njirit; po ta ofrojmë n'mnyrë që t'bâhet për né ushqim i jetës t'përjetshme (ose pije shelbimit) [në latinisht : "potus spiritualis"] ».  
 
« Asht e tepërt me theksue pakjartsinë absolute të dy termave "bukë jete" dhe "pije shelbimit", t'cillat mund t'nënkuptojnë gjithshka. Ktû rigjejmë gabimin identik e t'rândë të përkufizimit të Meshës, ku KRISHTI âsht prezent vetëm n'mnyrë shpirtnore mes besimtarve dhe buka e vêna janë t'ndryshueme n'mnyrë shpirtnore dhe jo thelbsore apo substanciale.

« Kur hiqet guri i temélit, duhen vue skela mbajtse; kur eliminohen qëllimet reale të Meshës duhen shpikë qellime fiktive e t'rrêjshme. Dhe qé prà, kto gjeste, - që "n'meshen e ré" do të duheshin me shprehë bashkimin mes meshtarit dhe besimtarve, ose mes vetë besimtarve -, e kto oferta për t'vorfnit dhe për Kishen kanë me i xanë vendin flijímit të Ostes. E gjitha kjo ka me u bâ s'shpejtit qesharake, kurse kuptimi autentik i ofertës së Ostes Unike ka me u zhdukë gradualisht : pjesmarrja në sakrificën e Viktimës ka me u kthye n'nji mbledhje filantropësh dhe në nji banket bamirsíjet.

* Korruptimi i lutjeve eukaristike
 
« Kuptimi i t'ashtuquejtunës « Prex eucaristica - Lutjes eukaristike » "n'meshen e ré" âsht : "e tânë asambleja [e besimtarve] t'bashkohet me Krishtin me lavdërue veprat e mëdhaja t'Hyjit dhe me ofrue sakrificen" (n. 54, fundi).
 
« Për cillën sakrificë bâhet fjalë ktû ? Kush âsht ofruesi i sakrificës ? Nuk nepet asnji përgjigje. Përkufizimi hyrës i « Lutjes eukaristike » âsht ky : "Ktû fillon momenti qëndror dhe kulminant i tânë ceremonisë, don me thânë Lutja eukaristike, që âsht lutja e falenderimit dhe e shêjtnimit" (n. 54, prolog). Efektet janë prà të zëvendsueme me shkaqet, mbi t'cillat nuk flitet asnji fjalë e vetme. Përmêndja eksplicite e qëllimit të Ofertës, që [në Mesharin e sh'Piut V] âsht n'lutjen "Suscipe  Sancte Pater", ktû nuk âsht zëvendsue me asgjâ. Ndryshimi i formulimit zbulon ndryshimin e doktrinës [Fesë katolike].

* Mohimi i Prezencës reale të vazhdueshme sakramentale

« 2) Sakrifica eukaristike dhe prezenca e KRISHTIT
 
« Shkaku i mospërmêndjes së kjartë të Sakrificës âsht, as mâ pak e as mâ shumë, zhdukja e Prezencës Reale [të KRISHTIT në Osten shêjte], aq e shndritshme n'liturgjinë eukaristike t'mâparshme. Egziston vetëm nji citim, në shënime, i marrun prej Konçilit të Trentës, që i referohet Prezencës Reale si ushqim (n. 241, shënimi 69). Prezenca Reale dhe permanente (e vazhdueshme) e KRISHTIT, Trup, Gjak, Shpirt dhe Hyjní, në Specjet e transubstancúeme [të bukës të shndrrueme në Trupin e KRISHTIT dhe të vênës të shndrrueme në Gjakun e KRISHTIT] nuk përmendet kurrë. Vetë fjala "transustanziazione" (transubstancim) [shndrrimi i substancës] âsht injorue krejtsisht.
 
« Hekja e lutjes drejtue Vetës së tretë të SHEJTNUESHMES TRINI, që t'ulet mbi ofertat si u ul n'Barkun [e Papërlyem] të Virgjinës me bâ mrekullinë e Prezencës Hyjnore, ban pjesë n'kyt sistem heshtjesh dhe mohimesh t'pafjala, tuej mohue për mâ tepër n'mnyrë t'vazhdueshme edhe vetë Prezencen Reale.

« Në rekomandimin insistues që në kungim të shpërndahen "Specjet e Konsakrueme" në t'njêjten "meshë", tuej konsakrue biles nji bukë me përmasa mâ t'mëdhaja, n'mnyrë që meshtari t'mundet me e ndâ t'pakten me nji pjesë të besimtarve, përsëritet qëndrimi përçmues kundrejt Tabernakulit ashtû si kundër gjithë devocjonit eukaristik jashtë meshës : nji tjetër heqje e dhunshme e besimit në Prezencen Reale. [Kjo "meshë e re" e apostatit Palit VI-Montini asht quejtë edhe "mesha e Luterit", sepse nuk pasqyron Prezencen reale të vazhdueshme sakramentale në Sakramendin e Eukaristisë ; në fakt Luteri ofendonte Meshen e vërtetë Katolike latine me fjalët ma të poshtme blasfemuese, sepse aj vetë nuk besonte te Prezenca reale e vazhdueshme n'Shejtnueshmin Sakramend të Eukaristisë.]

* Korruptimi i formulave konsakruese

« Teoria e propozueme për epiklezínë [14-1], ndryshimi i fjalve të Konsakrimit dhe i anamnezisë kanë si qëllim me ndryshue kuptimin e fjalve të Konsakrimit. Formulat konsakruese recitohen tash prej celebruesit si pjesë përbâse t'nji tregimi historik e jo mâ si shprehëse t'nji gjykimi kategorik [të prèmë] dhe afirmues t'thànuna prej Atij [KRISHTIT] n'Personën e t'Cillit aj [celebruesi] vepron : "Hoc est Corpus meum - Ky âsht Trupi Ém" dhe jo "Hoc est Corpus Christi - Ky âsht Trupi i Krishtit", siç thuhet në "meshen e ré".

* Korruptimi i rolit të besimtarve

« 1. Besimtarët. Në "meshen e ré" vêndi që u caktohet besimtarve âsht i pamvarun e absolut, për rrjedhojë totalisht i rrêmë, qysh prej përkufizimit të "meshës s'ré" : « Mesha âsht asambleja shêjte ose tubimi i Popullit të Hyjit » e deri te përshndetja që celebruesi i ban popullit, e cilla do t'i shprehte komunitetit t'mbledhun « prezencën » e Zotit (n. 28) : « Përshndetja meshtarake dhe përgjigja e popullit përfaqsojnë misterin e kishës s'mbledhun ». Bahet fjalë prà për nji prezencë të vërtetë të KRISHTIT, por vetëm si prezence shpirtnore [virtuale], dhe për misterin e kishës, por thjesht si nji asamblé që manifeston e kërkon ("sollecita") nji prezencë të tillë.

* Mohimi i funksjonit tradicional të Meshtarit

« 2. Meshtari. Roli i meshtarit âsht minimizue, ndryshue dhe fallsifikue. S'parit, n'funksion të popullit, ai âsht mâ shumë nji kryetar i thjeshtë ose nji vëlla (jo ndërmjetsues) sesa nji ministër i konsakruem që celebron në personën e Krishtit. Mandej, në funksion të Kishës, meshtari paraqitet si « dikush prej popullit ». Në përkufizimin e epiklezísë (n. 55c), lutjet i atribohen anonimisht Kishës : roli i meshtarit âsht shkrí e zhdukë.
 
« Në lutjen "Confíteor" që âsht kthye n'nji lutje kolektive, meshtari nuk âsht mâ gjykues, dishmues dhe ndërmjetsues para Zotit; âsht logjike atherë që atij nuk i nèpet mâ fuqia me dhanë t'zgjídhunën [t'falunit e mkateve], e cilla n'fakt âsht eleminue. Meshtari âsht « integrue » me vllâznit. Biles edhe shërbyesi n'elter e quen meshtarin vllâ, në lutjen "Confiteor" të "meshës së ré" pa popull.

« ... tashti nuk ndigjohet mâ asnji fjalë mbi fuqinë sakrifikuese të meshtarit, mbi aktin e tij konsakrues e mbi realizimin e Prezencës eukaristike me ndërmjetsinë e tij. Meshtari [në "meshen e ré"] duket si nji ministër protestant.

« N'kyt kontekst vêhet ré gabimi i rândë i hekjes së klauzolave « Per Christum Dominum nostrum » (Për KRISHTIN Zotin tonë), garanci e plotsimit të lutjeve që ia âsht dhanë Kishës në tâna kohnat (sh'Gjoni 14, 13-14; 15, 16; 16, 23-24); « theksmi obsesiv i misterit t'Pashkve », a thue sikur komunikimi i hirit nuk paraqet aspekte të tjera po aq të rândsishme; eskatologjia e dyshimtë dhe maniake, në t'cillen komunikimi i nji realiteti, i hirit, që âsht permanent dhe i përjetshëm, âsht i reduktuem në dimensionin kohor : popull në ecje, kishë shtegtare, -  e jo mâ militante që lufton "Fuqinë e êrrsinës" - drejt nji t'ardhme që nuk âsht e lidhun me përjetsinë (prà as me përjetsinë prezente) por vetëm me nji t'ardhme të përkohshme.

* Mohimi i 4 shejave dalluese të Kishës së KRISHTIT : Nji, Shejte, Katolike e Apostolike

« Vetë Kisha - Nji, Shêjte, Katolike dhe Apostolike - âsht turpnue me zëvendsimin e lutjes së Kanonit romak «pro omnibus orthodoxis atque catholicae fidei cultoribus - për të gjithë adhuruesit e vërtetë të Fesë Katolike dhe Apostolike » me « Lutjen eukaristike IV » të "meshës së ré" : « të gjithë njerzit që t'kërkojnë me nji zemër t'sinqertë »...! [Simbas ksaj formule të ré, adhuruesit e vërtetë nuk janë mâ ata të Fesë Katolike Apostolike, por, as mâ pak e as mâ shumë, të gjjthë njerzit, përfshi ktu sektet e rrême antikatolike islame, budiste, çifute, etj., që kërkojnë Zotin me nji zemër t'sinqertë.]

* Mohimi i Purgatorit

« Kshtû, në lutjen "Memento" për të vdekunit, kto nuk janë mâ të dekun « me shênjen e Fesë dhe që flejnë gjumin e paqes » [simbas Mesharit tridentin të sh'Piut V] por janë thjesht ata që « kanë dekë në paqen e Krishtit tand »; ktyne i shtohet, me nji dâmtim t'ri e t'autorizuem të konceptit të bashkimt dhe dukshmënisë, turma e « tânë të dekunve t'cillve vetëm ti [Krishti] ia ka njoftë Fenë » [simbas "meshës së ré"].
 
« Në asnjênen prej 3 lutjeve të reja, ashtû si e kena thanë edhe mâ parë, nuk thuhet t'pakten nji fjalë mbi gjêndjen e vuejtjeve të t'dèkunve [Pra dogma katolike e Purgatorit nuk përmendet askund, sepse në fakt protestantët e kryesisht luterianët heretikë mohojnë dogmen katolike të egzistencës së Purgatorit]; në asnjênen prej tyne nuk egziston shênja e nji "Memento" (kujtimi) t'vetëm. Ky fakt dyshmon edhe nji herë për nji dobsim të besimit në natyrën pajtuese dhe shëlbuese të Sakrificës.

* Mohimi i rolit ndërmjetsues së Virgjinës Mari, i engjëjve dhe shejtënve ; 
* Mohimi i Traditës shêjte katolike

« Kto eliminime përdhosëse degradojnë gjithkund Misterin e Kishës. [Protestantët heretikë nuk besojnë rolin ndërmjetsues të Virgjinës Mari, të engjëjve dhe shejtënve] Ky Mister nuk njifet, para s'gjithash, si nji hierarkí e shêjte apostolike, meqë êmnat e sh'Pjetrit dhe sh'Palit nuk përmênden mâ; Engjëjt dhe Shêjntnit janë reduktue në anonimitet në pjesën e dytë të lutjes kolektive "Confíteor" tuej iu hjekë edhe cilësia e tyne si dishmitarë dhe gjykues, në personen e Arkêngjëllit sh'Mikel [sh'Mhill] [20]. Janë zhdukë edhe hierarkitë e ndryshme të êngjëjve -  që nuk ka ndodhë kurrë ndonjiherë - prej Parathânjes të « Lutjes eukaristike II ». Asht hjekë gjithashtû prej lutjes "Communicantes" kujtimi i Papve dhe i Martirëve shêjt mbi t'cillët âsht themelue Kisha e Romës e t'cillët ishin pa dyshim transmetuesit e traditave apostolike. Ata i plotësuen kto tradita, me Papen sh'Gregorin e Madh, për me mbërritë te Mesha romake. Në lutjen "Libera nos" âsht hjekë përmêndja e Virgjinës MARI, e Apostujve dhe e tânë shêjtënve dhe nuk u kërkohet mâ ndërmjetsimi i tyne as në momentet e rrezikut.
 
Uniteti i Kishës âsht kompromentue deri aty sa me hjekë prej tanë "meshës së ré", përfshi ktû 3 lutjet e reja eukaristike, êmnat e Apostujve sh'Pjetër e sh'Pal, themelues të Kishës së Romës, si dhe êmnat e Apostujve të tjerë, teméli dhe shênja e Kishës Unike e Universale [Katolike]. [Protestantët heretikë nuk besojnë Traditen shêjte katolike]
 
Nji atentat i kjartë ia âsht bâ Dogmës së Bashksisë së Shêjtënve ("Communione dei Santi") me hjekjen, kur celebrohet pa shërbyes, e tâna përshndetjeve ("salutationes"), të bekimit final dhe të lutjes "Ite Missa est" [21], kur celebrohet me nji shërbyes (nn. 211 dhe 231).

* Mohimi i shpirtit katolik të Pendesës

« Lutja "Confíteor" e recitueme vetëm prej meshtarit, diftóte kjartë se ai, n'rolin e ministrit të KRISHTIT, me nji përkulje të plotë, njihej i padêjë jo vetëm me celebrue « misterin e tmerrshëm » por biles, në lutjen "Aufer a nobis" edhe me hí në "Shêjtin e shêjtënve"; për kyt arsye, me lutjen "Oramus te Domine", ai thirrte në ndihmë meritat dhe ndërmjetsinë e shêjtënve martirë, reliket e t'cillve ndodheshin t'mbylluna n'elter. Të dyja kto lutje janë zhdukë prej "meshës së ré". Për mâ tepër janë zhdukë edhe dy lutjet e "Confíteor".

* Profanimi dhe desakralizími i gjithçkajet katolike
* Profanimi i ligjit pozitiv hyjnuer : futja e grues n'liturgjí

« Gjithashtû janë profanue kushtet e Sakrificës, si shênjat e nji gjâje të shêjtë : shifni, për shembull, celebrimin jashtë vendit të shêjt, ku elteri mund të zëvendsohet me nji « mensë » [tavolinë] t'thjeshtë pa gur t'konsakruem e pa relike [kundër urdhnave të Mesharit të sh'Piut V], t'mbulueme vetëm me nji mbulójse (nn. 260, 265) [Simbas Mesharit të sh'Piut V, elteri duhet me u mbulue me 3 mbulojse]. Edhe ktû vlen ajo që âsht thanë edhe mâ sipër mbi Prezencën Reale : ndahet riti i zhdeshun i nji « banketi » dhe i sakrificës me t'njêjten Prezencë Reale t'adhurueshme të Trupit dhe Gjakut të KRISHTIT.

« Desakralizimi âsht përfeksjonue n'sajë të metodave të reja dhe groteske të ofertës : vênja e theksit mbi buken e regullt n'vênd që me u vue mbi buken e ndorme (pa maja); dhânja e lêjes shërbyesve t'elterit dhe e laikve, gjatë kungimit në dy format (spècjet), me prekë ênët e shêjta (n. 244d); krijimi i nji atmosfere rrumújet n'Kishë, ku celebruesi, diakoni, nëndiakoni, psalmisti, komentuesi (vetë celebruesi bahet komentues dhe inkurajohet me shpjegue vazhdimisht aktin e tij të radhës), lexuesi (burrë ose grua), shërbyesi i elterit ose çdo laik, që pret besimtarët te dera, i shoqnon në vendet e tyne dhe ban kolekten (mbledhjen e ofertave), alternojnë rolet e tyne pa pushim. N'kyt delir, shifet prezenca antibiblike dhe antipaliniane (1 Korintasve 14,34; 1 Tim. 2,11-12) e nji gruaje t'përshatshme e t'mirëpregaditun ("mulier idonea") e cilla, për herë të parë në traditen e Kishës, do t'jetë e autorizueme me lexue tekstet biblike dhe me përmbushë edhe të tjera « funksione që kryhen jashtë prezbiterisë » (n. 70).

Në t'kundërten, Hyji përmes sh'Palit mson :

« Gratë të mbajnë heshtje në Kisha, sepse nuk u lejohet me folë... Por n'kjoft se dishirojnë me msue ndonji send, te pvesin burrat e vet n'shpí, sepse âsht e turpshme për nji grue me folë në Kishë. » (Prej letrës së parë të sh'Palit Apostull drejtue Koríntasve 14:34-35)

« Asht evidente se "mesha e ré" nuk don me përfaqsue mâ Fenë tridentine [katolike], megjithse ndërgjegja katolike âsht e lidhun me kyt Fé përjetsisht.

« Braktisja e nji tradite liturgjike, që kjé gjatë katër shekujve shênjë dhe premtim uniteti i Kultit Katolik, për me e zëvendsue me nji traditë tjetër, - e cilla nuk ka me mujtë mos me kênë shênjë ndamjet për arsye të abuzimeve t'panumërta që ajo nënkuptimisht autorizon dhe për insinuatat e gabimet e dukshme kundër pastërtisë së Fesë Katolike me t'cillat ajo âsht e mbushun - duket, tuej dashtë me e përkufizue në mnyren mâ të butë të mundshme, nji gabim i pallogaritshëm. »

* Profanimi i kishave prej ritit protestant e heretik të apostatit Palit VI-Montini

Gjithashtu, riti heretik i "meshës së ré" të apostatit Palit VI-Montini vazhdon me profanue vendet e kultit prej afro 50 vjetësh. Simbas ligjit kishtar 1172 § 1/3, nji kishë asht e profanueme n'kjoft se aty kryhen nji serí aktesh kundër shejtnísë së kishës, që përfshin celebrimin e nji kulti supersticjoz apo heretik. N'nji situatë të tillë, n'nji kishë t'profanueme ndalohet celebrimi i riteve kishtare, administrimi i Sakramendeve dhe kryemja e riteve mortore, përsa kohë që kjo kishë nuk asht pajtue simbas ligjeve kishtare në fuqí.

* Pavlefshmëníja e Sakramendeve

Përveç ritit heretik të"meshës së ré" të apostatit Pali VI-Montini, nji pasojë tjetër shkatrrimtare e aggiornamento-s postkonçiljare asht pavlefshmëníja e Sakramendeve që administrohen në Vatikan dhe dioqeza, tuej përjashtue Pagzimin dhe Martesen.

N'kyt kontekst fetar, pavlefshmëníja sakramentale nuk ka lidhje me cilsitë personale të kandidatve, si ndershmëníja, devoçmeníja, guximi, etj., megjithse ata duhen me pasë qëllimin paraprak të marrjes së sakramendit. Kshtu p.sh., besimtari laik që shugurohet (konsakrohet) meshtar, mbas konsakrimit të vlefshëm merr në shpirtin e tij nji shej të caktuem të ktij Sakramendi, që me dy fjalë asht nji lloj "forcet shpirtnore" prej Zotit me krye mrekullinë e Meshës (transformimin e bukës dhe venës në Trupin dhe Gjakun e JEZU-KRISHTIT), me dhanë faljen e mkateve, etj. ; nji besimtar laik, kjoft aj shumë njiri i mirë, i devoçëm, i sinqertë, etj., n'kjoft se nuk ka në shpirtin e tij kyt shej apo forcë shpirtnore që ia nep marrja e vlefshme e Sakramendit të Meshtarisë, aj laik nuk mundet kurrë me celebrue Meshen, pra nuk mundet me shndrrue buken dhe venen në Trupin dhe Gjakun e KRISHTIT Zot. 

Në Kishen Katolike ka rregulla dhe formula të caktueme me dhanë Sakramendet : p.sh., përdoren disa elementa materjalë si kremi, voji, uji, buka, etj., dhe rrecitimi i disa lutjeve të caktueme. Kisha Katolike mson se n'kjoft se mungon vetëm nji element thelbsuer, p. sh., nji element materjal apo nji lutje thelbsore gjatë dhanjes së Sakramendit, apo mungon qëllimi me bâ si ban Kisha Katolike, atherë Sakramendi nuk transmetohet vlefshmënisht te kandidati apo kandidati nuk e merr Sakramendin në mnyrë të vlefshme ; n'kjoft se kjo gja ndodh, atherë kandidati mbetet po në gjendjen e tij të maparshme : n'kjoft se ishte laik para ceremonisë, aj mbetet prapë laik mbas ceremonisë dhe në shpirtin e tij nuk i vêhet sheja e Sakramendit apo kandidati nuk merr forcen shpirtnore të Sakramendit ; nji kandidat i tillë mundet me u veshë mandej si meshtar, mundet me veprue si meshtar, por veprat e tija nuk kanë fryt : "meshet" e tija nuk janë meshë të vërteta, dhe buka mbetet bukë e vena mbetet venë, e njerzit shtyhen në idolatrí me adhurue bukë e venë, tuej kujtue se asht Trupi e Gjaku i KRISHTIT ; kjo ndodh sepse duhet me kenë patjetër meshtar (duhet pra me pasë në shpirt shêjen sakramentale apo forcen shpirtnore të marrun prej Sakramendit) për me mujtë me shndrrue buken dhe venen në Trupin dhe Gjakun e KRISHTIT, për me falë mkatet, për me vojue të smurtë, etj.

Egzistenca e nji sakramendi varet thelbsisht prej pranisë së 3 elementave të tija përbase, dhe mungesa apo ndryshimi thelbsor i vetëm njênit prej ktyne elementave e ban të pavlefshëm Sakramendin. Kto 3 elementa janë : materja, forma dhe administruesi, me qëllimin me veprue ashtu si vepron Kisha Katolike. (Konçili i Firences, Denzinger : 695; Muller,"Përmbledhje e teologjisë morale", vjeti 1936, faqe 241). Materja janë elementat fizikë të përdorun si uji, buka, vêna, kremi, voji i ullinit. Forma janë fjalët e caktueme që rrecitohen e që nuk duhen ndryshue kurrë, sepse përndryshej rrezikohet vlefshmënija e Sakramendit.

- Pavlefshmëníja e Sakramendit të Urdhnit në dioqeza

Sakramendi i Urdhnit meshtarak i nep Kishës meshtarë e ipeshkvijë. Jo pa qëllim anmiqtë e Kishës Katolike kanë sulmue kyt sakramend n'kohen e aggiornamento-s, për me mujtë me e shkatrrue dhe me e ba t'pavlefshëm, e kshtu me mujtë me kputë hiret që vijnë prej ktij sakramendi vital për jeten e Kishës Katolike, e sidomos me kputë e shpërbâ hierarkinë meshtarake dymijëvjeçare që vetë KRISHTI Zot ka themelue, e si përfundim, me mujtë me shpartallue vetë Kishen hyjnore Katolike. Por dyert e Ferrit nuk kanë me ngallnjye kurrë kundër saj (sh'Mateu 16:18). 

Pa ipeshkvijë të vërtetë, të konsakruem pra në mnyrë të vlefshme, nuk munden me egzistue meshtarë të konsakruem në mnyrë të vlefshme, sepse duhet patjetër me kênë ipeshkëv i konsakruem vlefshmënisht, për me mujtë mandej me konsakrue vlefshmënisht meshtarë të rijë (Kanoni 951). Pa kênë meshtar i konsakruem vlefshmënisht, kërkush nuk mundet me administrue Sakramendet në mnyrë të vlefshme, përveç Pagzimit e Martesës ; kërkush nuk mundet me celebrue Meshen Shejte, kërkush nuk mundet me dhanë Kungimin shêjt, kërkush nuk mundet me dhanë zgidhjen e mkateve në Rrfim e kërkush nuk mundet me dhanë Vojimin shêjt, për të smuetit randë (Kanoni 802).

Në vjetin 1968, apostati Pali VI-Montini nxori nji pseudo-dekret, që asht në fuqi edhe sod nëpër dioqeza, i cili udhzon e urdhnon si me krye "konsakrimet" e meshtarve dhe ipeshkvijve. Ky rit i ri famkeq i Palit VI, ndër të tjera, ka modifikue formen e Sakramendit të Urdhnit, pra ka hjekë totalisht disa fjalë thelbsore që janë absolutisht të domosdoshme për vlefshmëninë e Sakramendit të Urdhnit, tuej e ba até të pavlefshëm në përdorimin e tij në dioqeza. Kshtu, ata që "konsakrohen" me kyt rit të ri të pavlefshëm nuk bahen as meshtarë e as ipeshkvijë. Ky rit i pavlefshëm përdoret publikisht në dioqezat shqiptare qysh mbas rihapjes së Kishave në vitet 90'. Vetëm nji antipapë dhe anmik i betuem i Kishës si Pali VI mund të vepronte në nji mnyrë të tillë. Për ma tepër, ky dekret i Palit VI kundërshton dhe hjedhë poshtë Konstitucjonin e Selisë-Shêjte, "Sacramentum Ordinis ", të vjetit 1947, dhe ritin katolik të Sakramendit të Urdhnit, për të cilin Papa Piu XII përcakton përfundimisht elementat përbasë absolutisht të domosdoshëm për vlefshmëninë e tij. 

1. Pavlefshmëníja e ceremonisë protestante "novus ordo" në dioqeza, e njoftun gabimisht si "Mesha katolike"

E kur nji pseudo-meshtar, që asht "konsakrue" në mnyrë të vlefshme me ritin e pavlefshëm të Palit VI, e që rrjedhimisht mbetet laik, tenton me celebrue Meshen shêjte, edhe sikur të aplikojë materjen dhe formen e duhun sakramentale, aj nuk konsakron vlefshmënisht buken dhe venen, pra nuk i transformon në Trupin dhe Gjakun e Krishtit Zot, mbasi nuk ka fuqinë shpirtnore të domosdoshme, fuqí që i vjen normalisht vetëm prej marrjes së vlefshme të Sakramendit të Urdhnit. E tuej mos kenë meshtar i konsakruem vlefshmënisht, pavarsisht se mund të vishet si i tillë, aj nuk mundet me dhanë në mnyrë të vlefshme Sakramendin e Pendesës (Rrfimin), pra nuk mundet me falë mkatet, se duhet me kenë s'pakut meshtar i konsakruem në mnyrë të vlefshme për me mujtë me falë mkatet ; aj nuk mundet me celebrue Meshen në mnyrë të vlefshme, sepse duhet me kenë patjetër meshtar i konsakruem vlefshmënisht për me çue Meshen shejte frytshmënisht në mnyrë të vlefshme ; si rrjedhim, aj nuk mundet me dhanë as sakramendet e tjera, përveç Pagzimit e Martesës. 

2. Mungesa e qëllimit me bâ si ban Kisha Katolike

Si përmenda ma nalt, nji prej elementve përbasë të egzistencës së nji sakramendi asht me pasë qëllimin me veprue si vepron Kisha Katolike. N'kjoft se ky qëllim mungon, edhe sikur forma dhe materja të jenë vue n'mnyrë të rregullt, pra edhe sikur t'jenë përdorë elementat e duhun materjalë dhe t'jenë rrecitue fjalët e duhuna sakramentale, prapseprap sakramendi asht i pavlefshëm, për mungesë të qëllimit. 

Ktu ma sipër pruna dishminë e masonit Bugnini, arkitektit të "meshës së ré" protestante, e njohun gabimisht në dioqeza si "mesha katolike", i cili asht shprehë publikisht se kishte qëllimin me pastrue liturgjinë katolike prej çdo pengeset që mund t'largonte protestantët, nji qëllim ky totalisht antikatolik, e për rrjedhojë i paaprovuem prej Kishës Katolike. Riti i ri "novus ordo" i "meshës" që përdoret sod në dioqeza përveçse asht antikatolik dhe heretik asht edhe i pavlefshëm, sepse asht nji rit i ri heretik i papranueshëm prej Kishës Katolike, dhe qëllimi i nevojshëm jo vetëm që mungon por asht i kundërt me qëllimin e Kishës me krijue sakramendin, e cila nuk mundet me pranue nji rit heretik antikatolik, siç asht riti i ri i "meshës" novus ordo, e njohun gabimisht si "mesha katolike", e që në fakt asht vetëm nji darkë protestante e pavlefshme dhe heretike. 

Kshtu shprehej edhe Papa Leoni XIII, në Bullen e tij "Apostolicae Curae" (1896), kundër ritit të pavlefshëm anglikan, që asht krejt i ngjashëm me ritin e pavlefshëm të sakramendit të urdhnit të Palit VI të 1968 : 

« ... Forma dhe qëllimi janë gjithashtu të nevojshme për egzistencën e sakramendit. Mendimi apo qëllimi, tuej kenë diçka e mbrendshme, nuk gjykohet prej Kishës, por ajo gjykon shfaqjen e tij të jashtme. Kshtu, n'kjoft se dikush, në krijimin e nji sakramendi, përdor seriozisht simbas ritit t'aprovuem prej Kishës materjen dhe formen e caktueme sakramentale, prej vetë ktij fakti, konsiderohet të ketë pasë qëllimin me veprue si vepron Kisha Katolike. Mbi kyt princip bazohet doktrina, simbas të cilës asht i vlefshëm çdo sakramend që krijohet prej nji heretiku apo prej nji të papagzuemit, me kusht që të krijojë sakramendin simbas ritit katolik. 

« Në t'kundërten, n'kjoft se riti asht modifikue me qëllimin e kjart me përdorë nji tjetër rit të paaprovuem prej Kishës dhe me hjedhë poshtë ritin katolik që ajo përdor (rrjedhimisht t'aprovuem prej saj), rit i cili prej vetë themelimit që i ka bâ vetë JEZU-KRISHTI asht i lidhun me vetë natyren e sakramendit, atherë, asht e kjart se jo vetëm që qëllimi me krijue sakramendin mungon, por kena t'bajmë me nji qëllim të kundërt që kundërshton qëllimin e Kishës me krijue sakramendin. »

Si konkluzion, e ashtuqùejtuna dhe e ashtudùkuna "mesha katolike" e celebrueme sod në Vatikan dhe dioqeza asht nji ceremoni protestante blasfemuese dhe heretike që duhet shmangë me çdo kusht ; aj që e përkrahë dhe asiston në kyt ceremoní heretike, tuej dijtë e kuptue mirë tanë situaten që përshkrova ktu nalt në mnyrë të përmbledhun mbi pasojat e aggiornamento-s, nuk di se si mundet me shmangë fajin e mkatit të rand, mortal, me t'cilin aj ngarkon shpirtin e vet. Vetëm nji mkat i randë apo mortal asht i mjaftueshëm me mallkue shpirtin në Ferr përjetsisht. Nuk dyshoj se n'Vatikan dhe dioqeza egzistojnë shpirtna vullnetmirë, prandej edhe atyne po ju drejtohem, si në rradhët e besimtarve ashtu edhe në ato të "klerit", por që për nji arsye apo nji tjetër nuk shohin kjart n'situaten e sotme vërtetë tragjike apo që frigohen prej sakrificave të mdhaja personale, familjare, financjare, shoqnore që parashikojnë, n'kjoft se largohen prej vorbullës postkonçiljare e kishës satanike bergoljane. Por, çka vlen me fitue tanë boten por mandej me hupë shpirtin ? Paçin me vedi driten hyjnore dhe forcen e Hyjit me luftue me guxim luften e mirë katolike, ashtu si mson shën Pali. O sot, o kurrë ! Çka vlen kjo jetë n'kjoft se nuk jetohet si duhet, me gzim e guxim, për çashtjen shêjte katolike ? Tanë desim nji ditë por jo tanë jetojmë si duhet, mjerisht...Hyji ju forcoft me marrë vendimet e duhuna, pavarsisht çmimit që duhet pague, sepse lumníja e përjetshme vertè nuk ka çmim...

Hyji nuk e ka braktisë dhe nuk e braktisë kurrë Kishen e Vet, megjithse shpesh g'jatë historisë së saj shumë-shekullore, Zoti e viziton me persekutime, ndëshkime e korrigjime, si Ati birin e vet, si Dhandri nusen e vet, i nxitun prej nji dashtníje t'pafundme, tuej e rifreskue, rikalitë e rigjallnue herë mbas heret, pa t'cilat metoda ajo nuk do t'kishte mujtë me i qëndrue korrupsjonit dhe sulmeve të vazhdueshme anmike. 

N'Evropë, n'Amerikë dhe kontinente tjera, egizstojnë qendra meshet, seminare dhe institute katolike ku celebrohet Mesha shejte Katolike latine, ku nepen Sakramendet shejte katolike, ku msohet doktrina shejte katolike, pa ndryshime e pa aggiornamento, ashtu si ka msue e veprue gjithmonë Kisha e KRISHTIT Zot, që asht Nji, Shejte, Katolike dhe Apostolike. Ato që janë t'interesuem me dijtë vendin munden me m'kontaktue. 

Shpirtna vullnetmirë ! Nana e Kshillit t'Mirë ju ndriçoft e drejtoft !