giovedì, febbraio 21, 2013


Sermon për të Dielen e parë të Krezhmes 
prej Doktorit të famshëm të Kishes Katolike sh'Alfons-MARIA i Liguorit.

përkthyem prej I. S. 




Mbi numrin e mkateve mbas të cilëve Zoti nuk fal mâ. 

"Mos e tundo Zotin, Hyjin tand!" (sh'Mateu 4:7)


          Në Unjillin e ditës t'sotme lexojmë se mbasi shkoi në shkretinë, JEZU-KRISHTI e lejoi djallin "me E hypë mbi vendin mâ të nâltë të Tempullit" dhe me I thanë : "N'kjoft se je Biri i Zotit, hjedhu poshtë" sepse engjujt kanë me të ruajtë prej dâmtimit. Por Zoti jonë u përgjigj tuej thanë se në Shkrimet Shêjte âsht e shkrueme : "Mos e tundo Zotin, Hyjin tand!". Mkatnori që dorzohet para mkatit pa luftue për me rezistue tundimet, ose  s'pakut pa i kërkue Zotit ndihmë me i mujtë tundimet, dhe shpreson se Zoti nji ditë ka me e nxjerrë prej humnerës, tundon Zotin me bâ mrekulli ose me i shfaqë atij nji mshirë të jashtëzakonshme që nuk shtrihet te të tanë katolikët. Zoti, ashtû si thotë Apostulli sh'Pal "don që tanë njerzit të shelbohen" (1 Tim. 2:4) por Ai don gjithashtu që ne të punojmë për shelbimin tonë, s'pakut tuej përdorë mnyrat e mposhtjes së anmiqve tonë dhe tue iu bindë Atij kur na thrret me bâ pendesë. Mkatnorët i ndigjojnë thirrjet e Zotit por i harrojnë ata dhe vazhdojnë me fye Hyjin. Por Zoti nuk i harron ata. Ai i numron hiret që nep, gjithashtu, edhe mkatet që na bajmë. Prandaj, kur vjen koha që Ai ka vendosë, Zoti nuk na nep mâ hiret e tija dhe fillon me na ndëshkue. Në kyt shkrim kam qëllim me ju diftue se kur mkatet mbrrijnë nji numër të caktuem, Zoti nuk fal mâ. Kini kujdes!

1. Sh'Bazili, shën Jeronimi, sh'Gjoni Krizostomi, sh'Agustini dhe etnit e tjerë msojnë se Zoti, simbas fjalve të Shkrimeve Shêjte "Ju keni urdhnue çdo gjâ simbas masës, numrit dhe peshës" (Dija 11:21), ka fiksue për çdo person numrin e ditëve të jetës së tij, shndetin e talentin që ka me i dhanë sejcillit si dhe ka përcaktue për gjithkênd numrin e mkateve që ka me falë; e kur ky numër të mbrrihet, atherë Zoti nuk fal mâ. "Illud sentire nos convenit", thotë sh'Agustini, "tamdiu unumquemque a Dei patientia sustineri, quo consumato nullam illi veniam reservari." (De Vita Christi, Cap. III.) Euzebi i Çezaresë thotë : "Deus expectat usque ad certum numerum et postea deserit." (Lib. 8 , Cap. II.) E njêjta doktrinë msohet prej etënve të nâltpërmendun.

2. "Zoti më ka çue me shërue ata që pendohen me gjithë zemër." (Isaia LXI. 1.) Zoti âsht i gatshëm me shërue ata që dishirojnë sinqerisht me ndreqë jeten e tyne, por nuk mund të ketë mshirë për mkatnorin e papenduem. Zoti i fal mkatet por Ai nuk mundet me falë ata që janë të vendosun me vazhdue me E fye. Po ashtû, nuk mundena me i kërkue Zotit arsyen pse i falë njênit 100 mkate kurse disa të tjerve u merr jetën mbas 3 ose 4 mkateve dhe i hjedh në Ferr. Nëpërmjet profetit Amos, Hyji thotë : "Për tri krimet e Damaskut dhe për katër nuk kam me i konvertue." (1:3) Prandaj na duhet me adhurue gjykimet e Zotit dhe me thanë me Apostullin : "O thellsia e pasunive, e dijes, dhe e intelektit të Zotit! Sa të pakuptueshme janë gjykimet e Tija." (Romakve 11:33) Ai që merr falje, thotë sh'Agustini, âsht i falun vetëm prej Mshirës t'Zotit dhe ata që ndëshkohen janë të dënuem me të drejtë. "Quibus datur misericordia, gratis datur : quibus non datur ex justitia non datur." (1 de Corrept.) Sa shumë shpirtna i Madhi Zoti ka dënue vetëm mbas mkatit të parë ? Sh'Gregori difton se nji fmi 5 vjeçar mbasi kishte mbrritë moshen e arsyes sepse tha nji blasfemë u kap prej djallit dhe u tërhoq në Ferr. Nâna hyjnore i tha shërbtores së madhe të Zotit, Benedikta e Firences, se nji djalë 12 vjeçar u mallkue mbas mkatit të parë. Nji tjetër djalë vdiq mbas mkatit të tij të parë dhe u mallkue. Ti thue : Un jam i ri, ka të tjerë që kanë bâ ma shumë mkate se un. Por, simbas arsyetimit tand, a âsht Zoti i detyruem me pritë pendesen tande mbasi E ke fye ? Në Unjillin e sh'Mateut (21:19) lexojmë se Shelbuesi mallkoi nji peme figut të paren herë që e pâ pa frute : "Mos të dalin mâ kurrë frut prej tejet ! Dhe menjiherë pema e figut u thâ." Prandaj ti duhesh me u dridhë kur të vijnë mendimi me bâ vetëm nji mkat të randë, e veçanarisht n'kjoft se je fajtor për faje të tjera të randa.

3. "Mos rri pa frigë për mkatet e faluna dhe mos i shto mkatit mkat." (Eccl. 5:5) Prandaj, o mkatnor, mos thuej : Ashtu si Zoti m'ka falë mkatet e tjera, ashtu Ai ka me më falë edhe kyt mkat n'kjoft se e baj. Mos fol ashtû, sepse n'kjoft se mkatit të falun ti i shton nji tjetër, ke shumë arsye me u frigue se ky mkat i ri ka me iu shtue fajit për mkatet e kalueme dhe kshtû numri i mkateve që Zoti âsht i gatshëm me të falë ka me u plotsue e për rrjedhojë ke me u braktisë prej Hyjit. Shif si shpjegohet mâ kjartë kjo e vërtetë në Shkrimet Shêjte : "Zoti pret me durim në mnyrë që kur të vijë Dita e Gjykimit Ai ti dënojë ata për të tâna mkatet e grumbullueme." (2 Mac. 6:14) Zoti pret me durim derisa të kryhet nji numër i caktuem mkatesh, por kur masa e fajit të mbushet plot, Ai nuk pret mâ por ndëshkon mkatnorin. "Ju i keni mbyllë mkatet e mija sikur t'ishin në nji thes." (Job 14:17) Mkatnorët i shumëfishojnë mkatet e tyne pa i llogaritë, por Zoti i numron ata në mnyrë që kur të vijnë koha e të kórrunave, pra kur numri i mkateve të plotsohet, Zoti të hakmerret kundër mkatnorve. "Bani gadi drapnin se të korrunat janë gadi me u vjelë." (Joel 3:13)

4. Si ky i fundit ka shumë shembuj në Bibël. Tuej folë mbi hebrejtë, Zoti jonë, në nji vend, thotë : "Të tânë ata që më kanë tundue deri tash 10 herë... nuk kanë me e pa token. [Token e Premtueme] (Num. 14:22-23) Në nji vend tjetër, Ai thotë se e kishte ndalë hakmarrjen kundër Amorrítve sepse numri i mkateve të tyne nuk ishte plotsue : "Sepse deri tash ligsitë e Amorrítve nuk kanë mbrritë kulmin." (Gen. 15:16) Na kena gjithashtu shembullin e Saulit i cilli mbasi refuzoi me iu bindë Zotit për herë të dytë u braktis prej Tij. Sauli iu lut Samuelit me ndërhye para Zotit për faljen e tij : "T'lutem, ma fal mkatin e ktheju me mue që të adhuroj Hyjin." (1 Mbretn. 15:25) Por tuej e ditë se Zoti e kishte braktisë Saulin, Samueli iu përgjigj : "Nuk do të kthehem me ty sepse ti e ke refuzue fjalen e Zotit e kshtû Zoti të ka braktisë." (Idem, 15:26) Saul, ti e braktise Zotin e Zoti të braktisi ty. Nji tjetër shembull e gjejmë te Baltasari i cilli mbasi profanoi enët e Tempullit pâ nji dorë tuej shkrue mbi mur : "Mane, Thecel, Phares." Profetit Daniel iu kërkue me shpjegue kuptimin e ktyne fjalve. Tuej shpjegue fjalen Thecel, ai i tha mbretit : "Jeni peshue në kandâr e keni dalë i lehtë." (Daniel 5:27) Me kyt interpretim, ai i dha me kuptue mbretit se pesha e mkateve të tija në kandârin e Drejtsisë Hyjnore ishte mâ e rândë [se falja]. "Po at natë, Baltasari, mbreti i Kaldesë, u vra." (Daniel 5:30) Oh, sa shumë mkatnorë kanë pasë të njêjtin fund ! Tuej vazhdue me fye Zotin, mbasi numri i mkateve të tyne pat mbrritë te nji numër i caktuem, ata i vrau deka e përfunduen n'Ferr. "Ata i kalojnë ditët mes pasunísh e mbas nji momentit shkojnë n'Ferr." (Job 21:13) Dridhuni pra, vllâzen, se ndoshta mbas nji mkatit tjetër t'rândë, Zoti mund t'ju çojnë n'Ferr.

5. N'kjoft se Zoti do t'dënote mkatnorët fill mbas mkatit, ata nuk do t'A përbuzshin. Por mekênse Ai nuk i ndëshkon menjiherë shkelsit dhe, prej mëshirës, Ai e ndal hakmarrjen e pret konvertimin e tyne, mkatnorët marrin guximin me fye prapë Hyjin. "Për arsye se gjykimi i Tij nuk nepet përnjiherë kundër të keqes, bijtë e njerzve bajnë të keqen pa asnji frigë." (Eccles. 8:11) Por na duhet të bindena se Zoti, edhe pse âsht i durueshëm me ne, Ai nuk pret e nuk duron përjetë. Tuej pritë, si herët tjera, me i ikë kurtheve të Filistinve, Samsoni e la vedin me u mashtrue prej Dalilës. "Kam ma dalë jashtë, si herët tjera, e kam me i mujtë." (Judges 16:20) Por Zoti e kishte braktisë; Samsoni ma vonë u kap prej anmiqve të tij dhe hupi jetën. Hyji të paralajmron mos me thanë kshtû : Kam bâ sa e sa mkate e Zoti nuk me ka dënue. "Mos thuej : Kam mkatnue e mandej çfarë e keqet m'ka gjetë ? I Gjithpushtetshmi âsht nji shpërblyes i durueshëm." (Eccl. 5:4) Hyji duron për nji farë kohet por mandej Ai ndëshkon mkatet, prej të parit e deri te i fundi. Dhe sa mâ i madh që të jetë kênë durimi, aq mâ e madhe ka me kênë hakmarrja.

6. Për rrjedhojë, simbas sh'Gjon Krizostomit [nji prej etënve mâ të mëdhaj të Kishës Katolike], Hyji duhet pasë frigë ma shumë kur i duron mkatnorët sesa kur dënon menjiherë mkatet e tyne. "Plus timendum est, quem tolerat quam cum festinanter punit." E pse ? Sepse, thote sh'Gregori, ata që Zoti i ka mëshirue mâ shumë, n'kjoft se nuk ndalen s'ofenduemit Krijuesin, ata kanë me u dënue mâ rreptsisht. "Quos diutius expectat durius damnat." Për mâ tepër shejti shton se Zoti i dënon shpesh kto lloj mkatnorësh me nji dekë të papritun dhe nuk i lejon ata me bâ pendesë. "Saepe qui diu tolerati sunt subita morte rapiuntur, ut nec flere ante mortem liceat." Dhe te disa mkatnore, sa ma e madhe që të jetë drita e falun prej Zotit për korrigjimin e tyne, aq ma e madhe âsht verbnia dhe kryefortsia e tyne me vazhdue me mkatnue. "Për ta, do të ishte kênë mâ mirë mos me e pasë njoftë kurrë rrugen e drejtsisë, sesa mbasi ta kenë njoftë até, me u kthye mbrapsht." (2 Pet. 2:21) Mjerë ata mkatnorë që mbasi e kanë pâ driten, janë kthye te e vjella. Sh'Pali thotë për ta se âsht moralisht e pamujtun me u rikonvertue. "Sepse âsht e pamujtun për ata, që janë ndriçue nji herë [prej hirit të Zotit], kanë shijue dhuratat qiellore dhe janë kthye mbrapa, me u rikthye me bâ pendesë." (Heb. 6:4-6) 

7. Ndigjo pra, ô mkatnor, kshillen e Hyjit : "Biri ém, a ke mkatnue ? Mos mkatno mâ, dhe lutu për mkatet tueja të kalueme që ato të falen." (Eccl. 21:1) Bir, mos i shto mkate të tjera atyne që tashma i ke bâ por lutu për faljen e shkeljeve tueja t'mâparshme. Përndryshej, n'kjoft se ke me bâ prap nji mkat tjetër të randë, dyert e Mshirës Hyjnore munden me tu mbyllë dhe shpirti jot mund të bjerret përgjithmonë. Prandej, vllâzen të dashtun, kur djalli t'ju tundojnë prapë me ju shtye n'mkat pvetni vedin : N'kjoft se Zoti nuk më fal mâ, ça ka me ndodhë me mue gjatë përjetsisë ? E n'kjoft se djalli t'ju përgjigjet tuej thanë : "Mos keni frigë se Zoti âsht i mshirshëm", thueji kshtû : Çfarë sigurijet e çfarë mundsijet kam un, n'kjoft se kthehem me bâ mkate, se Zoti ka me m'shirue e me m'falë ? Qé si i kërcënon Zoti ata që i përbuzin thirrjet e tija : "Qé pra, Un ju thirra e ju keni refuzue... Edhe Un kam me qeshë në shkatrrimin tuej e kam me u tallë kur t'bijnë mbi jue ajo që nuk e pritshit." (Prov. 1:24-26) Vêni ré fjalët "Edhe Un"; që don me thanë se ashtû si jeni tallë me Zotin tuej E tradhtue prapë mbas rrfimit dhe premtimve me u korrigjue, njashtû edhe Ai ka me u tallë me jue në oren e deks tuej. "Kam me qeshë dhe kam me u tallë." Por "Zoti nuk tallet" (Gal. 6:7) [thotë shën Pali]. "Si nji qen," thotë Njiri i ditun "që kthehet me hangër të vjellen e tij, ashtû ban edhe i màrri që përsërit marrínë e tij." (Prov. 26:11) I bekuemi Denis Cartuziani nep nji interpretim të shkëlqyeshëm të ktij teksti. Ai thotë se nji qen që han até që sapo e ka vjellë bahet nji objekt i neveritshëm dhe i përbuzshëm; po kshtû nji mkatnor që kthehet te mkatet e tija të maparshme, që i kishte urrue dhe rrfye, bahet i urryeshëm para syve të Zotit. "Sicut id quod per vomitum est rejectum, resumere est valide abominabile ac turpe sic peccata deleta reiterari." 

8. O marrí e mkatnorve! N'kjoft se blen nji shpi, ti nuk kursen asnji sakrificë me ble tana sigurimet e nevojshme në mbrojtje të parave të shpenzueme; n'kjoft se pin ilaçe, ti je i kujdesshëm me sigurue vedin kundrejt çdo helmimit; n'kjoft se kalon nji lum, ti merr tana masat mos me râ mbrendë, kurse për nji knaqsí të përkohshme, për me çue deri n'fund hakmarrjen tande e për nji knaqsí shtazarake që zgjat nji moment ti rrezikon shelbimin e përjetshëm tuej thanë : "Tash shkoj me u rrfye mbas t'kem bâ mkatin." E kur, po t'pves, ke me shkue me u rrfye ? Ti m'thue : "Nesër." Por kush ta premton ty të nesërmen ? Kush të siguron ty se ke me pasë kohë për rrfim e se Zoti nuk ka me të hjekë jetën, ashtû si ka veprue me sa e sa të tjerë në momentin e tyne të mkatit ? "Diem tenes," thotë sh'Agustini, "qui horam non tenes." Ti nuk je i sigurtë se ke me jetue edhe nji orë mâ shumë e ti thue : "Kam me shkue me u rrfye nesër." Ndigjoji fjalët e sh'Gregorit [Papë dhe nji prej etënve mâ të mëdhaj të Kishës Katolike] : Ai që u ka premtue falje pendestarve, nuk u ka premtue të nesërmen mkatnorve." (Hom. XII. "in Evang.") Zoti u ka premtue faljen të tanë atyne që pendohen, por nuk ka premtue me i pritë deri nesër ata që E fyejnë. Ndoshta Zoti ka me t'dhanë kohë me bâ pendesë, ndoshta jo. E n'kjoft se nuk ka me t'dhanë, çka ka me ndodhë me shpirtin tand ? Ndërkohë, për nji knaqsí të mjerë, ti hup hirin e Zotit dhe e ven vedin n'rrezik me u hupë përgjithmonë.

9. A kishe rrezikue ti, për nji knaqsí tranzitore, paren, nderin, pasunitë, lirinë dhe jeten tande ? Jo, nuk do ti kishe rrezikue.  E si atherë, për nji kënaqje të mjerë, ti hup shpirtin, Qiellin e Zotin ? Me thuej : a beson se Parrizi, Ferri e përjetsia janë të vërteta fèjet ? A beson ti se po t'erdhi deka në mkat je i hupun përgjithmonë ? Oh çfarë çmenundijet, çfarë marrijet me dënue vedin vullnetarisht në nji përjetsí torturash e mundimesh me shpresë se mandej mundet me u ndryshue dënimi i dhanë ? "Nemo," thotë sh'Agustini,"sub spe salutis vult aegrotare." Kërkush s'âsht aq i marrë sa me pi helm me shpresen e parandalimit të pasojave të tija vdekjepruse tuej përdorë ilaçet e zakonshme. E ti don me dënue vedin n'Ferr tuej thanë mandej se shpreson se nuk ke me përfundue atjé ? O çfarë marríjet, që në konformitet me kërcënimet hyjnore, ka hjedhë e hjedhë përditë sa e sa njerëz në Ferr ! "Ti i ke xanë besë ligsisë tande prandej e keqja ka me t'rrxue e ti nuk ke me ditë me u çue." (Isaia XLVII : 10-11) Ti ke mkatnue tuej besue në mnyrë abuzive në Mshiren Hyjnore prandej denimi për fajin tand ka me râ mbi ty n'nji mnyrë të papritun e ti nuk ke me ditë prej kah t'ka ardhë. Ça ke me thanë ti mandej ? N'kjoft se mbas ktij sermoni ti nuk angazhohesh seriozisht me iu kushtue Zotit, kam me kjâ mbi ty e kam me t'konsiderue t'hupun.



mercoledì, febbraio 13, 2013

I uroj të tânë t'Krishtênve nji Krezhëm të mbarë e të shêjtë për mâ t'madhen lavdí të t'Madhit Zot, Nânës t'Kshillit t'Mirë dhe për konvertimin e shêjtnimin e mkatnorve.