martedì, febbraio 21, 2012

KOHA E SEPTUAGJEZIMES




     Me kohen e Septuagjèzimës, që âsht pjesa e dytë e vjètit ekleziastik, fillon Cikli i shêjtë i Pâshkës. Gjatë pjesës' parë të vjetit ekleziastik apo kishtar, Kisha Katolike na manifeston Hyjnínë e JEZU-KRISHTIT me Ciklin e Krishtlindjes, kurse gjatë pjesës'dytë, ajo na paraqet Misterin e Shëlbimit t'njírit tuej na diftue veprat e KRISHTIT që na kanë meritue kyt shëlbim t'mrekullueshëm.

Koha e Septuagjèzimës fillon gjithmonë javen e 9 para Pâshkës dhe numëron 3 të diele rresht që përgadisin besimtarët për me hi n'Kohen shêjte t'Krézhmeve : E Diela e Septuagjèzimës, ajo e Segzagjèzimës dhe ajo Kuinkuagjèzimës. Emni i tyne vjen prej latinishtes " septuagesima" = shtatëdhetshe, "Sexagesima" = gjashtëdhetshe dhe "Quinquagesima" = pêsëdhetshe. Pra prej t'Dieles' Septuagjèzimës na dâjnë 70 ditë prej Pâshkës' KRISHTIT. Kjo kohë shërben si nji periudhë tranzicjonit dhe përgaditore për shpirtnat që duhen me kalue prej gzimeve të Ciklit të Krishtlindjes në pêndesen e Krezhmes Shêjte katërdhêt-ditore. Njiními (argjërimi) nuk ka fillue por ngjyra e ornimeve âsht vishnja, ngjyra e pêndesës.

Kyt vjètë, Koha e Septuagjèzimës ka fillue me t'Dielen e Septuagjèzimës, t'cillen Kisha e ka celebrue me 5 Fruer. Pjesët e Ofícit t'natës gjatë krejt ksaj jave janë xjerrë prej Kapitullit t'Gjenezës dhe na diftojnë krijimin e botës dhe t'njírit; râmjen n'mkat t'Adamit dhe Evës dhe pasojat e tija katastrofike (në të Dielen e Septuagjèzimës me 5 Fruer), historinë e Noesë (në të Dielen e Segzagjèzimës me 12 Fruer), i cilli me familjen e tij prej 7 antarësh kjénë të vetmit që shpëtuen mbas Përmbytjes' Madhe, ndëshkim i drejtë i Zotit për mkatet dhe djallzinë e njerzve, si dhe sakrificen e Abrahamit (në të Dielen e Kuinkuagjèzimës me 19 Fruer) dhe até të Melkisedékut që paraprín sakrificën që Zoti kërkoi prej Birit të Tij të vetëm për pshtimin e njerzimit mkatnuer. Koha e Septuagjèzimës mbaron të Mërkuren e Përhíme, ditë që inauguron fillimin e Krezhmës.

Në kohen e Krezhmes tâna ditët, përjashtue të Dielat, janë ditë njineset, kurse e Mërkurja e Përhime, të Premtet dhe të Shtundet e Krezhmes janë ditë abstinencet apo moshângje mishit e làngjeve të mishit.

Njinesa âsht hàngja e nji vakti kryesor t'vetëm n'ditë por Kisha Katolike tash lejon me marr pak ushqim n'mjes e n'darkë. Gjithashtu mes ktyne 3 vakteve lejohet me pi uj, lângje jo ushqyese si kafe, vênë, por ju tamël (qumësht), çokollatë apo langje të tjera ushqyese. Sidokjoftë, konsumimi i langjeve midis vakteve zvoglon ose hjekë krejt meriten e njinesës. Simbas rregullave të Ligjit Kanonik të 1917, tashti nuk ka nji orar të caktuem me marrë vaktin kryesor. Gjithashtu lejohet me u bâ ndrrimi i vakteve : për shembull, me marrë mjesin n'darkë dhe anasjelltas.

Pra me mbajtë njinesen duhet me hangër vetëm 1 vakt kryesor n'ditë. Nuk ka limit n'sasínë apo llojet e ushqimeve që merren n'kyt vakt por ai nuk duhet me u zgjàtë mâ shumë se 2 orë dhe nuk duhet me u ndërpré për mâ shumë se 30 minuta. N'kjóftë se vakti ndërprehet për nji kohë mâ t'gjatë se 30 minuta, bâhet mkat veniel (i lehtë); n'kjóftë se ndërpritet mâ shumë se 1 orë, pa arsye shumë serioze (p.sh me ndêjë te kryet e atij që âsht tuej dekë), bâhet mkat mortar (i rândë). Ata që parashikojnë se nuk kanë me mujtë me mbajtë Krezhmen, për arsye shndetit, pune t'rândë, etj., duhen me u kshillue me Rrfysin e tyne apo nji meshtar t'aprovuem.

N'mjes, sasia e lejueme e ushqimit shkon deri në 60 gram, kurse n'darkë, rreth 250 gram.

Abstinenca âsht mos-konsumimi i mishit apo i langjeve të mishit.

Kanonet 1250-1254 urdhnojnë njinesen për çdo t'krishtênë prej moshet 21 vjeç deri në moshen 61 vjeç (Kanoni 1254 § 2) dhe abstinencen për shdo besimtar që ka mbushë 7 vjeç (kanoni 1254 § 1).
KRISHTI Zot e Nâna e Kshillit të Mirë na bekoshin dhe drejtoshin me hirin shêjtnues me bâ nji Krezhme shêjte dhe me u përgaditë dêjsisht për Festen e Madhe t'Pashkës.