Sermon
për diten e shejtë të Pashkës,
simbas
Atit Luis de Granada O.P.
Përkthye
prej I.S.
Nenaekeshillittemire.blogspot.com
Sermoni
i mâposhtëm âsht i shkruem prej nji predikuesi
ndoshta jo shumë të njoftun në ambjentin shqyptar por
që i përket nji prej lavdive të Spanjës Katolike
në kohen e Mbretit Ferdinand dhe Mbretneshës Elizabetë.
Librat e tij ishin të preferuemit e shejtënve të
mëdhaj si Shêjtes Terezë të Avilës, shêjtit
Gjonit të Krygjës, sh'Karl Borromeut, sh'Pjetër
Alkantarës, shejtes Rozë të Limës, shejtit
Françesk të Salës dhe shejtjes Luizë të
Marijakut.
Shejti
Borromé shprehet se nuk njef nji tjetër autor që ka
shkrue mâ me përfitim për të miren e Kishës
Katolike dhe për shelbimin e shpirtnavet; doktori i Kishës,
sh'Françesku i Salës, porositë me urgjencë nji
ipeshkëv tjetër me pasë në zotnim të tana
veprat e domenikanit dhe me i konsiderue ata si nji ofice të
dytë; shejtja e madhe sh'Tereza e Avilës thotë për
autorin në fjalë se vetë Zoti ia dha botës kyt
njiri për të miren e madhe dhe universale të
shpirtnavet; s'fundmi vetë Papa Gregori XIII, në nji letër
drejtue At Granadës në vjetin 1582, shkruen, ndër të
tjera, se At Luisi i Granadës me shkrimet e tija i ka shërbye
shpirtnave mâ shume sesa t'u kishte dhanë shikimin të
verbuemve dhe jetën të dekunve.
« Jesum
quaeritis Nazarenum
crucifixum; surrexit, non est hic..., sed ite, et dicite discipulis
ejus et Petro, quia praecedit vos
in Galilaeam. »
« Ju
kërkoni JEZUSIN e Nazaretit që âsht kenë
kryqzue; Asht rinjallë, nuk âsht ktu..., por shkoni e i
thoni dishepujve të Tij e Pjetrit se po shkon para jush në
Galilé. » (sh'Marku 16:6)
Në
kto ditë shêjte, vllâznit e mij, kur Kisha e gzueme
celebron me himnet e saja Rinjalljen e Zotit, fjala që ajo
përsërit mâ shpesh ka për qëllim me na ftue
me marrë pjesë në gzimin e saj. « Qé
pra dita, na thotë ajo, që ka bâ Zoti; ta kalojmë
në gzimin mâ të madh. » Haec dies quam
fecit Dominus; exultemus et laetemur in ea. Mjerisht, vllâznit
e mij, do të ketë shumë prej atyne që do të
gzohen sod, por jo me at gzim që na porosit Apostulli kur thotë
: « Gzohuni pa pushim në Zotin tonë; po e
përsëris edhe nji herë, gzohuni. » (Phil
4:4) Shumë të krishtenë, krejt të huej prej ktij
gzimit shejt, gzohen vetëm se kjo ditë u nep fund lodhjeve
të krezhmës dhe pendesës e që tash ata munden me
u ngi me mishna; që tash ata munden me hangër në çdo
orë, me u marrë me lojna e me jetue me mâ shumë
lirí; dhe se tash ata nuk kanë me durue mâ
turpnimet e Rrfimit. Kta të Krishtenë nuk gzohen as në
Zotin e as për arsye të Rinjalljes së JEZU-KRISHTIT.
Sepse ky gzim shejt ku na fton Kisha Katolike nuk ka asgja të
përbashkët me até që lind prej ktyne të
mirave të mbarueshme, prej të cillave Shelbuesi ka dashtë
me na shkëputë, tuej durue aq shumë turtura, fyemje,
punë e mundime. Atje ku mbretnojnë gzimet toksore nuk ka
vend për kyt gzim shejt, i cilli âsht anmiku i knaqsive të
trupit.
Kush
ka me marrë pjesë atherë në kyt gazmend të
pafundëm të Kishës ? S'parit, ata që kanë
vue në JEZU-KRISHTIN shpresen e tyne, sepse shpresa e tyne âsht
rinjallë me Té. Kshtû gzohej Profeti David kur
thonte : « Zemra e trupi em ngazllohen para Zotit të
gjallë. » (Psalmi 83:2) – Pse gzoheni kshtu, o
profet, në Zotin e gjallë ? - Sepse shelbimi, lumnia e
shpresa jeme, tuej kenë të mbështetuna mbi Té,
marrin pjesë në Rinjalljen e Tij dhe në jeten e Tij të
pambarueme. - Të drejtit kanë pra sod arsye të
fuqishme me u gzue. E njejta gja ndodh edhe për mkatnorët,
n'kjoft se i kanë lâ njollat e vjetra me anen e pendeses
katërdhet-ditshe dhe zhdeshë njirin e vjetër për
me fillue nji jetë të ré; ata janë rinjallë
me JEZU-KRISHTIN. Nji mbarsi kaq e madhe duhet ti mbushin me gzim,
për të cilet mundena me thanë si për djalin
plangprishës : « Ishte i dekun dhe âsht
rinjallë; ishte i hupun dhe u gjet. » (Sh'Luka 15:32)
A nuk ka arsye me u gzue ai që âsht gjetë mbasi ishte
kenë i hupun; ai që i çliruem prej vdekjes
shpirtnore âsht rinjallë në jeten qiellore në
sajë të misterit të papërshkrueshëm të
Shelbimit ? Kshtu, ata që preokupohen për shelbimin e
shpirtit të tyne e që nuk kanë asgja mâ të
shtrejtë mbi tokë; ata që, të liruem prej dekës
së mkatit prej hirit të JEZU-KRISHTIT, kanë fillue nji
jetë të ré dhe kanë shijen e gjanave hyjnore;
kta, pra, kanë të drejtë me u gzue prej misterit të
ksaj dite. Për me marrë pjesë në lumninë e
tyne, të lusim me përvujtni ndihmen e Qiellit me
ndërmjetsinë e të shejtnueshmes Virgjinës MARI.
Ave MARIA.
I.
Në
Unjillin e ditës së sotme, vllâznit e mij shumë
të dashtun, kto tre gra shejte që erdhen me parfùme
me vorrosë Trupin e Shelbuesit, na paraqesin nji shembull të
naltë dashnijet Kristjane. Ato e kishin pâ tuej dhanë
Shpirt mbi Kryq pak kohë përpara; ata E kishin lanë të
mbyllun në vorr dhe nuk shpresojshin në Rinjalljen e Tij.
Ato e dijshin se vetë vorri ishte i rrethuem me ushtarë që
ndalojshin hymjen; ato besojshin se kishin me marrë prej zellit
të tyne vetëm nji tjetër vuejtje prej pamjes së
Trupit të pajetë të Shelbuesit; e megjithaté,
për me i dhanë sadopak nderime atij Trupi shejt, ato kishin
vendosë me i dhanë Shelbuesit kyt dishmi të fundit
përzemërsijet, tuej diftue kshtû sa e gjallë
ishte dashtnija për Hyjin në zemrat e tyne. Në fakt,
thotë sh'Pjetër Krizologu, dashtnija e vërtetë
nuk egzaminon shka âsht e mujtun apo shka ka me ndodhë;
por, për me u knaqë, ajo nuk shef asgja të pamujtun
ose të vështirë dhe nuk i ven qëllim tjetër
përpjekjeve të saja veçse me egzekutue até që
dishiron dhe me i pëlqye atij që ajo don. Nji shembull të
tillë të mrekullueshëm na napin ata tre fmijë që
Nabukodonosori i hodhi në nji furrë zjermit sepse kishin
përbuzë statujen e tij të artë. Mbreti u drejtoi
kto fjalë të pabesa : « A asht e vërtetë,
Sidrak, Misak e Abdenago, që ju nuk i nderoni zotnit e mij dhe
se nuk adhuroni statujen e artë që kam bâ ?...
N'kjoft se ju nuk e adhuroni, kanë me ju hjedhë menjiherë
në mes të flakve të furrës, e mandej cilli asht
Zoti që ka me mujtë me ju hjekë prej duerve të
mija ? » (Danieli 3:14-15). Atherë, ata u përgjigjen
: « Na nuk duhet me t'u bindë në kyt gjâ,
o mbret, sepse Zoti jonë, Zoti që na adhurojmë, mundet
patjetër me na nxjerrë prej mesit të flakve dhe me na
lirue, o mbret, prej duerve tueja. N'kjoft se nuk âsht Vullnesa
e Tij me bâ kyt gjâ, ne po ju deklarojmë, o mbret,
se ne nuk nderojmë zotnat tuej dhe se ne nuk adhurojmë
statujen e artë që ju keni bâ. » (Ibid.)
Ky
âsht karakteri i dashtnisë perfekte. Ajo konsideron me
kujdes jo përfitimin por detyrën, jo rahatinë por
ndershmëninë; jo shka mund ti bijnë sigurinë
personale por shka mund ti pëlqejnë të dashtunit të
saj, kushte kto që nuk njjhen prej atyne që thojnë :
Nuk i bindem Zotit n'kjoft se nuk shpresoj mâ parë ndonji
shpërblim. Dashtnija e vërtetë, thotë
sh'Bernardi, nuk punon me qëllim përfitimin, megjithse nuk
ka me ndejë pa e marrë. Por të shofim tashti vazhdimin
e Unjillit.
«
Dhe diten e parë të javës, heret në mjes, ata
edhën te vorri ».Në kryemjen e e ksaj detyre të
devotçme, kta gra shejte nuk harrojnë asgja. Në
mbramjen e ditës kur Shelbuesi u kryqzue, ata blejnë
parfume dhe i përgadisin. Të Shtunden, ata respektojnë
pushimin e urdhnuem dhe të Dielen, ata nuk presin lindjen e
diellit por nisen për rrugë heret. Asht gjithashtu e mujtun
se ata nuk kishin fjetë atë natë, të zhytuna siç
ishin në zi (dhimbje) e për ma tepër, të
preokupueme siç ishin me u nisë heret. Nuk âsht e
habitshme se ata mund të kenë pâ engjujt dhe vetë
Zotin e engjujve në lavdinë e rinjalljes, ata që qysh
në mjes heret E kishin kërkue me aq zell. Bekue kjoshin ato
që i paraprijnë nades me kërkue Zotin dhe që E
dishirojnë me aq dashtni ! Salomoni thotë : « Ai
që kërkon të miren âsht i gatshëm me u çue
qysh në filliin e ditës ». « Consurgit
diluculo, qui quaerit bona. » (Prov. 11:27). Nji autor i
devoçëm e komenton kshtu kyt rresht : « N'kjoft
se ti ruen tana ditët te hymja e shpisë së Dijes dhe
rrin vazhdimisht te dera e saj (Prov. 8:34); n'kjoft se ti ruen me
durim me Marinë Magdalenë në hymje të vorrit, ke
me e pa me té se sa e vërtetë âsht kjo fjalë
e Dijes, don me thanë e JEZU-KRISHTIT : Due ata që Më
dojnë dhe ata që ruejnë qysh në mjes me M'kërkue,
kanë me Më gjetë. » (Prov. 8:17) Maria
Magdalenë e ka gjetë JEZUSIN sepse ajo kishte ardhë me
ruejtë vorrin e Tij, por edhe ti mundesh me E gjetë
shpirtnisht Shelbuesin n'kjoft se kërkon po me të njêjten
dishirë dhe ruen po me të njêjtin durim në
lutje. Thuaji pra Zotit JEZUS me aspiratat dhe ndjenjat e Marisë
Magdalenë : Shpirti em Ju ka dishirue gjatë natës; kam
me u çue qysh në agun (fillimin) e dritës me Ju
kërkue me të tanë forcen e shpirtit dhe zemrës
teme. Anima mea desideravit te in nocte, sed et spiritu meo in
praecordiis meis de mane vigilabo ad et. (Isaia 26:9) Thuej me
gojë e me zemër bashkë me psalmistin : Zoti jem, Ju
kërkoj qysh në mjes, etc. (Psalmi 62:2) E ke me pâ si
si ata ke me pasë gzimin me kndue : Në mjes jena mbushë
me mshiren Tuej, kena kcye prej gzimit dhe jena ngazllue prej haresë.
(Psalmi 89:14) Guerricus.
Kjo
ju ndihmon me kuptue pse tanë shejtnit zgjedhin mjesin me
celebrue lavditë e Hyjit. Ata i konsakrojshin Zotit fillesat e
ditës në mnyrë që Ai që âsht i pari në
rendin e madhshtisë dhe të randsisë t'ishte gjithashtu
i pari në rendin e kohës. Kshtu Mbreti David inkurajohej
qysh në mjes me kndue lavditë hyjnore : « Zgjohu,
lavdija eme; zgjohuni harpa jeme dhe lauti jem; kam me u çue
qysh në agun e dritës. » (Psalmi 56:9) Nji prej
miqve të Jobit thote : « N'kjoft se ktheheni kah Zoti
qysh në fillimin e ditës dhe i adresoni lutjet tueja të
Gjithpushtetshmit, menjiherë Ai ka me u çue me ju ndihmue
dhe ka me bâ që paqja të mbretnojë në
shpinë tuej ku keni me jetue me drejtsi. » (Job. 8:5)
S'fundit, simbas sh'Gjon Klimakut, nji prej etënve të
vjetër të shkretinës e kishte zakon me thanë se
tuej krye detyrimin e lutjes së nades, ai e parashikonte se si
do ta kalonte të tanë diten; kur kjo lutje ishte kenë
e zjarrtë, ai i bante mirë të tana punet e tjera të
ditës, por n'kjoft se lutja ishte kenë e voktë dhe
mekanike, tana punet e ditës influencoheshin prej saj. Prej ksaj
dëshmijet shofim se si hiri hynor ndihmon e mbështetë
ata që e lusin Hyjin me zell e gadishmëni dhe sa e vërtetë
âsht ajo që shkruhet mbi Dijen hyjnore : « Kush
ruen qysh në mjes me E zotnue, nuk ka me vuejtë kurrë
sepse ka me E gjetë të ulun te dera e tij. »
(Sap. 6:15)
Ah,
vllâznit e mij, t'kisha fuqi mbi shpirtnat tuej me ju bindë
me i kushtue nji pjese të mjesit tuej kontemplacjonit të
Dijes hyjnore (Sapientia),
pra mistereve dhe mirësive të Zotit, s'pakut gjatë 50
ditëve që ndajnë dy Pashkët !... Nuk kam dyshim
se në përvjetorin e uljes së SHPIRTIT-SHEJT mbi
apostujt, kjo Dije hyjnore ka me shpërnda mbi jue ndonji pjesë
të thesareve dhe bekimeve të Saja (Psalmi 20:4); e mbasi ti
shijoni vetëm nji herë, nuk keni me vonue me i llogaritë
për asisend gjanat e tjera të rëndomta.
Nji
prej etënve të vjetër të Kishës ka thanë
: « Vshtirsija që ndjejmë në ndjekjen e
virytit zgjat derisa shpirti jonë të vêhet në
posesionin e Zotit. Mbasi të mbrrihet kjo gjâ, gjithshka
bahet e lehtë dhe e kandshme. » Për mue, po
shtoj se kjo vshtirsi apo vuejtje vazhdon për sa kohë që
njiri nuk i ka shijue ambëlsitë hyjnore. Por kur t'i ketë
shijue, n'krahasim me kyt thesar, ka me i konsiderue ma pak se hiçi
gjithshka që kjo botë vlerson e admiron, dhe, si tregtari i
Unjillit, ai ka me u ngutë « me shitë gjithshka
vetëm me ble kyt perlë. » (sh'Mateu 13:45) E kjo
nuk duhet me na habitë sepse kjo ambëlsi shpirtnore, tuej
pasë Zotin për objekt, duhet ti kalojnë pafundsisht të
tana qejfet toksore. « Për shpirtin që shef
Zotin, thotë sh'Gregori, çdo krijesë âsht e
parandsishme. Për até që shef Zotin, pra që E
njef, E don dhe E gzon, çdo krijesë âsht ma pak se
hiçi, në krahasim me kyt ambëlsi të
papërshkrueshme. » (Dialog.)
E sh'Bernardi shton : « Zelli i shpirtit fik zjermin e
dishirave të tjera dhe ambëlsia e hirit shpritnuer
përjashton ambëlsinë e rrêjshme dhe helmuese të
vesit. » Të kthehena tashti te gratë shejte.
Gjatë
rrugës ato shqetsoheshin mbi mnyren se si me largue gurin që
mbyllte hymjen e vorrit. « Kush ka me na e hjekë,
thojshin ato, gurin që mbyll hymjen e vorrit, sepse aj âsht
nji gur i madh ? » Sa të përshtatshme janë
kto fjalë për situaten prezente ! N'kyt kohë shejte,
sa e sa njerëz, tuej mendue mbi pendesën dhe ndryshimin e
jetës, kanë me thanë të njêjtat fjalë
: « Kush ka me na e hjekë gurin që mbyll hymjen
e vorrit ? » Në fakt, guri që na pengon me
mbrritë te JEZU-KRISHTI âsht mkati. « Mkatet
tueja, thotë profeti Izaia, kanë shkaktue nji ndamje midis
jush dhe Zotit tuej. » (Isa. LIX:2) Po, ata janë si
nji mur diamantit që na ndajnë prej JEZU-KRISHTIT. Kjo âsht
e vërtetë sidomos mbi mkatin që âsht shkaku i
tana mkateve tjera : e kam fjalen për dashtninë e teprueme
për vetvedin dhe për lidhjen me vullnedin personal.
« Shkatrroni kyt shkak [vullnedin personal], thotë
sh'Bernardi, dhe ju fikni në të njêjten kohë
zjermin e Ferrit. » Mbi shka ka me ushtrue aktivitetin e
tij shkatrrues ky zjerm i pafikshëm përveçse mbi
vullnedin personal ? E si nuk mundena me e pâ se dashtnija për
vedi âsht burimi i tana mkateve sepse kërkush nuk mkatnon
pa u shtye prej interesit ose etjes për qejfe ?
Kush
ka me mujtë, pra, me e largue prej zemrës s'tij kyt gur të
madh dhe me shmangë kshtu shkakun e të tana të
kqijavet ? Kush ka me mujtë me përfeksionue me anen e
arsyes nji pasion të vrullshëm prej të cillit rrjedhin
të tana tjerat ? Sepse kjo tendencë âsht aq natyrale
për të tana qënjet, saqë jo vetëm të
tana kafshët duejnë vetevedin por edhe te trupat inorganikë
ne observojmë nji fenomen të tillë. Në fakt, a
nuk shofim na se kur hjedhim nji pikë ujit mbi dhé,
menjiherë ajo mbledhet rrumbullak për me u bashkue e me u
mbrojtë kshtû ma mirë kundër shpërbamjes ?
Si me e hjekë atherë kyt pasion të rrânjosun
thellë në zemren tonë ?
Lufta
kundër ktij pasionit âsht aq e nevojshme për shelbim
saqë vetë Shelbuesi në Unjill thotë se « Kush
e don jeten e vet ka me e hupë, por kush urren jeten e vet në
kyt botë, e ruen até për jetën e pasosun. »
(Sh'Gjoni 12:25).
Edhe
nji herë pra, kush ka me mujtë me e hjekë prej derës
së zemrës tonë gurin që na ndan prej
JEZU-KRISHTIT ? Vshtirsija e ksaj pune na shfaqet prej fjalve që
flasin në librin e Apokalisit shërbtorët dhe ndihmsat
e bishës, pra të djallit : « Kush âsht si
bisha ? E kush ka me mujtë me luftue kundër saj ?
(Apokalipsi 13:4) Pra, kush ka me mujtë me rrxue dashtninë
për vetvedi, kyt tiran të botës, etjen për ndere,
pasuni e imoralitete, etje që rrjedh prej ksaj dashtnijet ? Kush
ka me mujtë me i rezistue ligjeve të botës, thirrjeve
dhe gjykimeve të njerzve ? S'fundmi, kush ka me mujtë me
ndalue hovet e vullnedit të vet ? Qé edhe përgjigja
e ksaj pytjet :
«
Por ato panë se guri ishte i hjekun. » Po, përgjigja
âsht e kjartë. Sepse ajo që dukej gadi e pamujtun për
gratë shejte dhe për forcen e tyne, ishte krye prej fuqisë
hyjnore, pa i kushtue atyne asnji mund. E njejta gjâ i ndodh
shumë pendestarve të vërtetë. Ata i shofin si të
pakapërcyeshme disa lëvizje të shpirtit. Por sapo
kthehen kah Zoti, sapo fillojnë me iu bashkue Hyjit, tuej kërkue
me zell ndihmen e Tij, shpesh e shofin se ai ves, që iu ishte
dukë i pamujtun me u kapërcye, âsht zhdukë pa
mund dhe tuej kërkue në vetvedi ata nuk e gjejnë mâ
at mnyrë të dikurshme të jetesës. Tuej pâ
sa zakonet e tyne të vjetra dhe pasionet që e tiranizojshin
janë zhdukë, ata nuk munden me përmbajtë
admirimin e tyne e thrrasin me profetin : « O det, kush të
detyroi me ikë ? E ti, Jordan, pse je kthye te burimi jot ? Pa
dyshim, âsht prezenca e Hyjit që i ka bâ me ikë
dallgët dhe trazimet e shpirtit tem e që ka ndryshue zemren
teme. » (Psalmi CXIII:5)
Si
ati që udhton me birin e tij në moshë të vogël,
i gjendun në buzen e nji lumi ku âsht nji kalim i vshtirë
me u kapërcye, e merr birin e vet mbi shpatulla ose në
duer, e kshtû fmija lodhet mâ pak n'nji rrugë të
vshtirë sesa n'nji rrugë të mirë sepse në
rastin e parë ai e ka marrë të birin në krahë
kurse në të dytin e ka marrë per doret, ashtu edhe i
Madhi Zot, ky At i dhimbshëm, ky « ushqyes i Efraimit
që na mban në krahë » (Ose. 11:3), vepron
në né, por jo pa né, até që âsht
e vshtirë në rrugen e shelbimit por na len me bâ até
çka âsht me e lehtë, me ndihmnen e Tij. Gjithashtu
nganjiherë, disa që triumfojnë me lehtsi në
vshtirsi të mëdha, dështojnë në gjana të
vogla dhe kjo ndodh, thotë sh'Gregori, prej nji përkujdesjeje
dashamirse të Zotit në mnyrë që të drejtit
të shofin kjartë se pengesat e mëdhaja i kanë
kalue me ndihmen e Zotit dhe se me forcat e tyne nuk kanë mujtë
me bâ as gjânat mâ të parândsishme.
Kah
ana tjetër, Zoti i parandalon rreziqet tona dhe shmangë
pengesat drejt perfeksionimit të virtyteve, n'mnyrë që
na të ecim pa u pengue në rrugen e drejtsisë. Qé
si flet nëpërmjet profetit Izaia : « Kaloni,
kaloni mes dyerve, përgaditni rrugen popullit, shtroni shtegun,
hiqni gurët, ngreni flamurin para syve të popullit. »
(Is. LXII:10) dhe kjo që të tanë të ecin në
rrugen e drejtsisë lehtsisht e lirisht. Në fakt, nji prej
mirsive të hirit hyjnor âsht me i armatosë me nji
forcë të pathyeshme shpirtnat e të drejtve dhe me u
hjekë prej rrugës' tyne çdo gur pengues që mund
t'i vrit'e. Nji figurë të ksaj mirsijet e shofim te udhtimi
nëpërmjet të cillit Hyji i udhhoqi izraelitët
drejt tokës' premtueme. « Faraoni mbasi e la popullin
të lirë, Zoti nuk i drejtoi izraelitët mes vendit të
Filistinve, megjithse ishte rruga mâ e shkurtë, tuej pasë
frigë se prej luftës me filistënët izraelitët
do të pendoheshin se kishin lanë Egjiptin. Hyji i bani me
përshkue nji rreth të gjatë nëpër shkretinë
përgjatë Detit të Kuq. » (Egzodi 13:17-18)
Zoti ushtron të njejten përkujdesje ndaj atyne që i
çliron prej Egjiptit shpirtnuer, pra prej terrinës së
ksaj bote dhe që i udhëhjek drejt tokës' premtueme të
atdheur qiellor.
Prej
ksaj e shofim se sa shumë i detyrohena Autorit të shelbimit
tonë, i Cilli jo vetëm që shpërblen veprat e mira
por edhe që nep forcen e duhun me i krye ato, pavarsisht
vshtirsive. Kshtû, dikur, kur vllâznit e Jozefit erdhën
në Egjipt me blé ushqime, ai u dha grunë për
ushqim dhe, për mâ tepër, mshehu në thasët
e tyne paret e destinueme me blé drithin. Me anen e ktij
simboli, Jozefi jonë, Shelbuesi i botës, na ban me kuptue
se Ai na nep edhe buken e engjujve, pra lavdinë qiellore, edhe
paret, çmimin e ksaj buket, pra ndihmen e hirit hyjnor. Ai që
nep hirin dhe lavdinë a nuk nepka grunin dhe paret, çmimin
e grunit ? Ky âsht pra edhe kuptimi i gurit të hjekun në
hymjen e vorrit prej fuqisë hyjnore.
II.
« Kur
hyne mbrenda vorrit, ato pane në anen e djathtë nji djalë
të ri, i veshun me nji pekt të bardhë, dhe patne
frigë; por ai u tha : « Mos kini frigë. Ju
kërkoni JEZUSIN e Nazaretit që E kanë kryqzue. Ai âsht
rinjallë dhe nuk âsht ktu; qé edhe vendi ku E
kishin vendosë. Shkoni i thoni dishipujve të Tij dhe
Pjetrit se po shkon para jush në Galilé. »
Pse
kjo përmendje e veçantë e sh'Pjetrit kur apostujt e
tjerë përmenden me emnin e përgjithshëm të
dishepujve dhe sidomos mbasi që sh'Pjetri kreu nji mkat mâ
të madh se apostujt e tjerë ? Kta iken kurse sh'Pjetri
mohoi Msuesin e Tij. Mekênse sh'Pjetri kishte mkatnue mâ
randë, duhej me i dhanë mâ shumë shpresë e
kurajo me luftue frigen. Në fakt, mkati thyen energjinë e
shpirtit tuej e dërmue até. Prandaj edhe shprehja : « I
keqi ikë pa e ndjek kërkush por i drejti âsht i
guximshëm si nji luan dhe nuk ka frigë asgjâ. »
(Prov. XXVIII:1). Sh'Pjetri, pra, tuej kujtue pabesnikninë dhe
vetbesimin e tij të tepruem, i cili mbas mburrjes râ mâ
poshtë se apostujt e tjerë, me çfarë kurajot
mund të paraqitej para Zotit që kishte mohue ? N'kjoft se
tagrambledhsi i Unjillit nuk guxonte me i çue sytë kah
Qielli, si kishte me mujtë sh'Pjetri me pâ Shelbuesin po
mos t'ishte inkurajue prej ksaj dashamirsijet të jashtzakonshme
? Zoti pra i bani kyt favor sh'Petrit jo vetëm për arsye të
lotve të tij por edhe për shkak të dobsisë së
tij që duhej forcue.
Kshtu
i trajton Zoti mâ delikatët në Kishen e Tij. Shpesh
Ai ndihmon dobsinë pa vue ré meriten. Hyji i mbush me
ngushllime fillestarët dhe të konvertuemit në Fé
prej frigës se, tuej mos pasë ambelsinat shpirtnore, mos të
rrëzohen në rrugë, mos të dekurajohen dhe mos të
kthehen në qejfet sensuale. Kjo lloj bujarijet duhet të
inkurajojë fort të ndrojtunit, të cillët duhen me
largue çdo lloj frige të punës apo të
vshtirsive dhe me vrapue te Ai që âsht gadi me i pritë
me krah hapë për me i mbulue me ambëlsitë e Tija
të papërshkrueshme.
Kujtoni
gjithashtu se sh'Pjetri nuk râ prej ligsisë, si Juda, por
prej dobsisë. Teologët dallojnë 3 lloje mkatesh, që
i kundërvihen Tre Personave Hyjnore të SHEJTNUESHMES TRINI
: Mkatnohet prej dobsisë, kundër Atit, atributi i të
Cillit âsht Fuqija; mkatnohet prej injorancës, kundër
Birit, atributi i të Cillit âsht Urtsija (Dija) dhe
mkatnohet prej ligsisë kundër SHPIRTIT-SHEJT, atributi i të
Cillit âsht Mirsija. Dy mkatet e para falen lehtsisht por nuk
âsht kshtu për të tretin. Nuk ka pra asgja të
çuditshme se si Juda, bashkpuntor në ligsi, âsht
dënue kurse sh'Pjetri, i cilli mkatnoi prej dobsisë, gjeti
mshiren e Zotit dhe u thirr me bâ pendesë. Nga ana tjetër,
sh'Pjetri u ngrit menjiherë prej ramjes; sapo fjalet e tij të
mjera mohuese rane prej gojës së tij, po në ato
momente prej syve rane lotët e idhta të pendesës. Mbas
kndimit të gjelit dhe shikimit të mëshirshëm të
Shelbuesit, sh'Pjetri doli jashtë e kjau. Asht e lehtë me
sherue smundjet e shpirtit kur aplikohet menjiherë ilaçi
i pendesës por sherohen me vshtirsi ato që janë të
rrânjosuna thellë e për të cillat fliste edhe
Profeti David : « Kalbsina e dekompozimi âsht formue
në plagët e mija. » (Psalmi XXXVII:6). Asht e
shkrueme : « Nji smundje e gjatë lodh doktorin i
cilli kput në rrânjë nji të keqe që zgjat
shumë në mnyrë që të zgjasin pak. »
(Eccl. X:11-12). Lani menjherë pikat e bojës të rame
mbi nji teshë të bardhë dhe keni me i hjekë pa
probleme, por nuk âsht e njêjta gjâ me njollat e
vjetra dhe të integrueme me copen. Kshtû, nji prej etënve
të Kishës shprehet : « N'kjoft se në nji
ditë ju bini (mkatnoni) njimijë herë, çojuni po
njimijë herë, plot me besim në atë mshirë që
i udhnoi sh'Pjetrit me falë shtatdhet herë shtatë herë
nji vllai që kishte mkatnue. (sh'Mateu 18:22). N'kjoft se kaq
shumë kërkohet prej mirsisë njerzore, sa herë mâ
shumë kena të drejtë me shpresue prej mirsisë
hyjnore ? »
Për
ma tepër, Shelbuesi ka dashtë me shprehë kshtû
fuqinë efikase të pendesës së vërtetë,
e cila nëpërmjet nji keqardhje të thellë, ngren
nganjiherë pendestarët e vërtetë në nji rang
shejtnijet mâ të naltë se ai që kishin hupë.
Asht e mujtun që kjo ka ndodhë edhe me sh'Pjetrin dhe, prej
trishtimit të lotve të tij, ai mori nji bollek mâ të
madh hiresh sesa ato që kishte ma parë. Ashtu si thotë
Shelbuesi, prej dy borxhlive të cillve kredi-dhânsi u ka
falë borxhin, atij që i âsht falë mâ shumë
ka me dashtë mâ shumë. Nuk âsht me u habitë
pra se sh'Pjetri, që ka marrë ma tepër prej
Shelbuesit, E ka dashtë mâ shumë se të tjerët.
Që sh'Pjetri ka marrë mâ shumë se të tjerët
duket kjartë te shikimi plot me mshirë i Shelbuesit mbas
mohimit dhe te përmendja e veçantë që engjulli
i ban emnit të tij; s'fundmi, Shelbuesi iu duk sh'Pjetrit para
apostujve të tjerë, meqë dy dishepujt, të kthyem
prej Emausit, takuen 11 apostujt e mbledhun që u thanë :
« Shelbuesi me të vërtetë âsht
rinjallë dhe ia âsht dukë sh'Pjetrit. »
Përsa i përket zjermit të dashtnisë së tij,
sh'Pjetri e dishmoi até kur ishte në barkë bashkë
me dishepujt e tjerë që kishin hjedhë rrjetat për
peshk. E kur pau Shelbuesin në breg të liqenit, aq e madhe
ishte dishira e tij me Iu afrue saqë u hodh në ujë,
kurse dishepujt e tjerë u afruen me barkë. Në
padurimin e tij, tuej pa se vozitja po zgjat'e shumë, preferoi
me mbrritë bregun me not. Gjykimet e Zotit ndryshojnë shumë
prej gjykimeve të njerzve. Edhe kur nji bashkshort fal adulterin
e nuses së tij, prapë ai nuk mundet me harrue kujtimin e
krimit dhe nuk guxon me i xanë besë nderit dhe virtytit të
asaj që kishte mkatnue. Por Zoti i mshirshëm hjedh mbas
shpinës mkatetet e pendestarve të vërtetë. Ky
âsht pra edhe kuptimi i fjalve që Engjulli i Zotit u
drejtoi grave shêjte : « Shkoni e i thoni dishepujve
të Tij e Pjetrit... »
Po
pse kto fjalë : « Po shkon para jush në Galilé
? » Cilli âsht kuptimi i tyne ? Pse të tanë
evangjelistat, pse vetë Shelbuesi lajmron se misteri i
Rinjalljes së Tij ka me u pa në Galilé, sidomos
atherë kur Shelbuesi iu duk grave shejte, apostujve të
bashkuem dhe dy dishepujve që po shkojshin në Emaus, disa
herë dhe në vende të ndryshme të Judesë ? Pa
dyshim, ka nji mister në kyt ngjarje aq shumë herë të
profetizueme dhe së fundmi të realizueme. Shpjegimin që
nuk e gjejmë në tekst, ta kërkojmë në
shpirt.
Tuej
manifestue Rinjalljen në nji vend tjetër prej atij ku ishte
kryqzue, Shelbuesi ndoshta don me na thanë se poshtnimi i
Pasionit dhe lavdia e Rinjalljes duheshin me u shpallë në
vende të ndryshme, sepse Ai duhej të kryqzohej në Judé
dhe të adhurohej prej joçifutve. Kyt gjâ e thotë
haptazi edhe sh'Pali kundër çifutve t'cillët i
rezistojshin predikimit të tij : « Ju jeni të
parët të cillve u duhej lajmrue fjala e Zotit, por meqë
ju e refuzoni até dhe konsideroheni të padenjë për
jeten e pasosun, atherë ne po shkojme drejt joçifutve
sepse Zoti na ka urdhnue me bâ kshtû. » (Act.
13:46) Çifutnit pra duheshin me njoftë Kryqin e
Shelbuesit, që për ta ishte nji skandal, dhe joçifutnit
duheshin me njoftë lavdinë e Rinjalljes që i thirrte
me u shelbue. Vetë emni Galilé, që don me thanë
shpërngulje (emigrim), diftonte që Feja dhe Rinjallja e
Shelbuesit kishin me kalue prej Judesë në vende të
tjera, ashtû si ishte e shkrueme : « Mbretnija e
Zotit do t'ju hiqet për me iu dhanë nji populli tjetër
që ka me prodhue frytet prej saj. » (Sh'Mateu 21:43)
Për
mâ tepër, mendoj se ky emen, Galilé nënkupton
edhe ata që kalojnë prej fajit të mkatit në
drejtsi e janë jashtzakonisht të përshatshëm me
besue në Rinjalljen e Shelbuesit, sepse kërkush nuk njef mâ
mirë të vërteten dhe virtytin e mistereve të
JEZU-KRISHTIT sesa ai që u ka njoftë personalisht fuqinë
dhe efikasitetin. Kjo provohet prej konvertimeve të admirueshme
të ndonji shejti si shen Çiprijani, sh'Agustini e shumë
të tjerë. Ata janë transformue aq shumë dhe janë
zhdeshë aq shumë prej njirit të vjetër saqë
kanë mujtë me thanë me Apostullin : « Ajo
që ishte e vjetër ka kalue; tash gjithshka âsht bâ
e ré. » Vetera transierunt, facta sunt
omnia nova. (II Cor. 5:17).
Drita, dashtnija, friga, besimi, jeta, dishirat, veprat, ndjenjat,
emocionet, gzimet, gjithshka âsht e ré. Ata dojnë
shka kanë urrejtë dhe urrejnë shka kishin ma parë
si idhuj; dishirojnë até që i ikshin dhe i ikun asaj
që e dishirojshin me pasion. Shpirtnorja dhe hyjnore që
kishin neveri janë bâ gzimet e tyne. Ata i urdhnojnë
pasioneve të cillat i kishin bâ skllevën dikur.
S'fundmi, ata kryqzojnë, me veset dhe epshet, trupin që e
ushqejshin në knaqsi dhe që ishte objekti i vetëm i
kujdesit të tyne. Kur e shofim vedin kshtû të
transformuem; kur kërkojmë në vetvedi njirin e vjetër
pa mujtë me e gjetë; kur vërejmë me surprizë
se ky njiri i vjetër ka dekë dhe se nji tjetër âsht
ngritë në vendin e tij, a nuk kena me besue me lehtsi se Ai
që ka mujtë me rinjallë nji shpirt ka mujtë me
nxjerrë Trupin e Vet prej terrinës së vorrit ?
Në
fakt sh'Pali, në letren e tij drejtue Efezianve, vërteton
se nuk nevojitet ma pak fuqi me rinjallë shpirtnat sesa me
rinjallë trupat : « Lus Zotin që t'ju ndriçojë
sytë e shpirtit tuej për me ju bâ me pa se cilla âsht
lavdia supreme e fuqisë që ushtron ndër né që
besojmë, simbas efikasitetit të virtytit të Tij të
gjithpushtetshëm, të cilen e ka bâ me u dukë në
Personen e JEZU-KRISHTIT tuej E rinjallë prej të dekunve. »
(Eph. 1:18 et seq.)
Kshtû, me gjallnue me nji jetë të ré shpirtnat
e dekun prej mkatit, duhet e njêjta fuqi që njallë
trupat e dekun. Ata që kanë ba udhëtimin e Galilesë,
pra që janë transformue në nji personë tjetër,
shndrrue në nji krijesë të re, ata, të ndriçuem
prej rinjalljes së tyne, përqafojnë lehtsisht misterin
e Rinjalljes së Shelbuesit. Në të kundërt, ata që
nuk janë nisë ende për Galilé, pra që nuk
kanë kalue ende prej gjendjes së njirit të vjetër
te nji jete e re e qiellore, kta, tuej mos pâ në vedi
rinjalljen, kanë vshtirsi me besue Rinjalljen e Zotit JEZUS.
Egziston
nji ndryshim i konsiderueshëm midis të kqijave të
trupit dhe atyne të shpirit : na ndijmë kryesisht të
kqijat e trupit kur i vuejmë ato dhe jo kur ato kanë kalue.
« Kur nji grue âsht tuej lindë, ajo âsht
në lotë sepse koha e saj ka adhë; por mbasi ka lindë
nji djalë, ajo nuk i kujton mâ të kqijat e saja, por
gzohet se ka prue në botë nji njiri. » (sh'Gjoni
16:21). Përkundrazi, na nuk i ndijmë të kqijat e
shpirtit, pra mkatet që bajmë; e shka âsht mâ
keq, na gzohena në to. Por ne ndijmë dhimbjen dhe pasojat
shkatrrimtare kur nxirrena prej ktyne mkateve, prej mirsisë së
Zotit, dhe kur shofim deformimin, prej dritës' Shpirtit hyjnor.
Si
udhëtari që ecë në nji natë të errët
afër nji gremine ose humnere të thellë e nuk e ven ré
rrezikun e vendit ku po ecë, prej errësinës, por ban
kujdes gjatë ditës kur përshkon të njêjten
rrugë, tuej u habitë dhe frigue prej rrezikut të
shmangun, në të njêjten mnyrë, edhe njiri që
jeton në mkat, tuej kenë i rrethuem prej terrinave të
mëdhaja, nuk e njef mizerjen dhe rrezikun ku âsht zhytë;
por aj i njef ato kur terrinat e mkatit janë zhdukë dhe kur
merr driten e hirit hyjnor; atherë ai shef kjartsisht madhsinë
e të kqijave të tija të kalueme. Kushdo që âsht
i rrânjosun në mkat i gjan nji qorrit që nuk shef
asnjisend, nji të dekunit që nuk ndien asgjâ; për
ma tepër, ai knaqet në kto mkate të cillat bahen për
té shokë të kandshëm, natë e ditë.
Luteni, bàjini presion sa të doni, vèjani para
syve deformitetin e vesit, afrójani sa të doni nji
pishtar para syve që të shohin, tërhjèkeni kyt
të dekun sa të doni për me e njallë; gjithshka ka
me kenë e kotë n'kjoft se Zoti nuk ka me ndërhye me
gjithëpushtetshmëninë e Tij për me ia paraqitë
driten e Vet ktij të verbuemit, për me ia kthye jeten ktij
të dekunit. E menjiherë sapo të zgjohet e ndriçohet,
atherë, s'fundmit, ai ka me e kuptue shëmtinën e
mkatit, mjerimin e gjendjes së tij të mâparshme dhe
tmerrin e terrinave ku ai ishte kenë i zhytun; atherë, tuej
vlersue madhsinë e bamirsisë që i detyrohet mirsisë
hyjnore ai gzohet dhe dridhet njikohsisht për arsye të
shelbimit që ka gjetë dhe rrezikut që i ka pshtue.
I
prekun thellë prej të tilla ndjenjash, i thirrun prej dekës
në jetë, nëpërmjet ndihmes së Zotit,
sh'Agustini buçiste i entuziazmuem : « Ju kam
njoftë vonë, o Dritë e vërtetë, Ju kam
njoftë shumë vonë. Para syve t'mij ishte shtri nji rê
e trashë që më pengonte me pâ driten e të
vërtetës. Ju kam njoftë shumë vonë, o e
Vërtetë e vjetër, sepse isha i verbët, sepse e
doja verbimin dhe ecsha prej errsinave në errsina. Por Ju, o
Udhërrfyes hyjnor, me keni kërkue kur un nuk Ju kërkojsha;
më keni thirrë kur un nuk Ju thirrsha; Ju keni thirrë
mbi mue : U baftë drita në fundin e zemrës tande. E
drita u krijue; E rêja e errët që me mbulonte sytë
u shpërnda. Pashë kjartsinë Tuej dhe njofta terrinat
që më kishin mbështjellë. U dridha dhe thashë
: Mallkue, mallkue kjoshin terrinat ku isha i zhytun; mallkue kjoftë
verbimi që më mshehte driten e Qiellit; mallkue kjoftë
injoranca e kalueme që me pengonte me Ju njoftë, o Zot,
Pishtari jem hynor. » (Medit.)
Deri
ktû, vllâznit e mij, kena ekspozue Unjillin e ditës
[së lavdishme të Pashkës]. Para se me përfundue,
të kthehena edhe nji herë tek ajo që thamë në
fillim të ktij shkrimi. N'kjoft se ju kujtohet, në
parathanje kena thanë se shpresa jonë, shelbimi jonë
dhe lumnia jonë rinjallen me JEZU-KRISHTIN. Sepse « Zoti
na ka dhanë jetën tuej ia dhanë JEZU-KRISHTIT; jo
vetëm që na ka njallë me JEZU-KRISHTIN, por Hyji na ka
ulë bashkë me Té në Qiell. » (Ephes.
2:5-6) Në fakt, « aty ku âsht trupi, atje kanë
me u mbledhë edhe krahët » (sh'Luka 17:37); atje
ku âsht kryet, atje kanë me u vendosë edhe pjesët
e trupit.
Nuk
ka shkrim që mundet me shprehë se sa inkurajon shpresa e
madhe e rinjalljes së bekueme të drejtët në të
tana veprat e virtyteve dhe se sa i nep ajo ngushllim e durim në
vështirsi. Mundem me citue shumë shembuj por po flas vetëm
për shembullin e Jobit. Çka e ngushlloi në mes të
dhimbave mâ të tmerrshme trupore njirin shejt të ulun
mbi pleh veçse po kjo shpresë e po ky besim ? Në
fakt, Jobi përshkruen dhe celebron misterin e rinjalljes me disa
terma të mrekullueshme e të pakrahasueshme. Ai thotë :
« Kush ka me bâ të mujtun që fjalët e
mija të shkruhen ? E kush ka me mujtë me i ruejtë në
nji libër ? E me i gdhendë përjetsisht mbi gur me nji
daltë çelikut e me plumb ? » Quis
mihi tribuat, ut scribantur sermones mei ? Quis mihi det, ut
exarentur in libro stylo ferreo, aut plumbi lamina, vel certe
sculpantur in silice ? (Job
19:23 et seq.)
Çfarë
hymjet madhështore ! Kush ka konceptue ndonjiherë në
shpirtin e tij nji mendim që dishiron me kaq zell me ia
transmetue brezave të ardhshëm ne shkronja të
pashlyeshme ? I paknaqun së shprehunit dishiren e tij me kyt
përsëritje energjike « Kush ka me bâ të
mujtun ? Kush ka me mujtë me i ruejtë ? » Jobi
kërkon nji daltë çeliku, nji dërrasë
plumbit ose memerit në mnyrë që mendimi i tij të
rrijnë i gdhendun përjetsisht në memorjen e njerzve.
Cili âsht pra, i njiri shejt, misteri që ju doni me ia
besue kshtû brezave të ardhshëm ? Mos âsht
gjetja e nji thesari të groposun në nji vend të
mshehun të tokës ? Apo mos âsht nji prej atyne
sendeve që e kanë ndryshue aq shumë shpirtin njerzor ?
Sigurisht që bahet fjalë për nji thesar të
pakrahasueshëm. Çka âsht pra ? Nji gjâ për
të cilen nuk të shkon mendja kollaj por që âsht
shumë bamirse dhe shelbuese për të tanë njerzit :
« E di, thotë Jobi, se Shelbuesi jem jeton dhe se në
fundin e botës ka me më rinjallë prej pluhunit. E kur
kto gjymtyrë kanë me u veshë me lëkuren teme,
atherë në vetë trupin tem do të shof Zotin tem.
Kam me E pa vetë me sytë e mi dhe nuk ka me kenë nji
tjetër që ka me E pa në vendin tem. Kjo shpresë
pushon në zemren teme. » (Job. 19:25 et
seq.)
O
fjalë mâ të âmbla se mjalta ! O besim i
paimagjinueshëm qysh para shpalljes së ligjit dhe të
Unjillit ! O mister i ri që deri atherë nuk i ishte zbulue
kshtu botës ! E prej frigës se ndoshta dikush, i habitun
prej ksaj të reje, nuk do të kuptonte, shifni në
kalimin e maparshëm se sa herë e përsëritë
të njejtin mendim me fjalë të tjera. A mund te thohej
në nji mnyrë mâ të kjartë dhe ma
kuptimplote ?
Kush
ju ka msue, o njiri i shejtë, para ligjit, kyt dogmë që
Saduçenët [sekt çifut që mohonte rinjalljen e
të dekunve] nuk njoftën as nën ligj ? Më thuej,
në cillen Athinë, në cillen akademi keni shkue me e
msue kyt doktrinë, e cilla u përbuz dhe u tall në
Athinë ku sh'Pali e msoi publikisht ? Kjo doktrinë mohohet
prej tanë filozofisë që pretendon se shka ka mbarue
nuk mundet me rigjetë jetë. - Nuk janë, do të
përgjigjet ai, as akademitë, as shqisat, as arsyeja, asnji
msim njerzuer që m'kanë dhanë kyt shkencë por
vetë feja që Hyji ka ngulë në shpirtin tem.
Kjo
fé e kjo shpresë ngushllojshin aq shumë njirin e
shejtë në mesin e tana të kqijave saqë, i shtypun
prej peshës së shumë gjâmave, ai nuk foli asnji
fjalë fyese kundër Providencës hyjnore. Ky njiri, mâ
i pasuni dhe mâ i fuqishmi i Lindjes, pau vetë shkatrrimin
e thesareve dhe kopeve të tija dhe, çka âsht mâ
e dhimbshme, vdekjen e tanë fmijve të tij; s'fundmi, i
mbuluem me plagë dhe i grryem prej krymbave, ishte ulë mbi
nji grumbull plehut dhe, me nji copë xhamit, hiqte qelbin që
rrjedhte prej plagve të tija. Due me ju pvet,o njiri i shejtë,
çfarë ngushllimit ju ka mbetë në mesin e tana
ktyne mjerimeve që ju kanë sulmue, në mesin e krymbave
që po ju brejnë, në mesin e mendimeve që po ju
shkyjnë zemren e po ju vrasin gjumin ? Po, po ju pves, si jeni
tuej e ngushllue vedin ? Si vazhdoni me e ruejtë prapë fenë
tuej të vjetër dhe dashtninë tuej për Zotin, mbas
ksaj prove të randë që po hjek pafajsia juej ?
Ai
ka me m'u përgjigjë, vllâznit e mij, ashtu si e
ndigjuet mâ parë : « Besoj se Shelbuesi jem
jeton; në fundin e kohnave, Ai ka me më rinjallë... »
Qé shpresa që mban shpirtin tem t'këputun, shpresa
që zbutë ashpërsinë e dhimbave të mija. Tuej
pritë të mirat e ardhshme, duroj me lehtsi peshen e të
kqijave prezente. Po, kjo shpresë me ngushllon në mesin e
tanave të kqijave të mija; e ruaj até jo në
arshivat e mija apo në ndonji kasafortë por në zemren
teme, në mnyrë që të gjallnojë dhe të
nxejë shpiritin tem. Po, kjo shpresë e ka fronin në
gjinin tem sepse aty ku âsht plaga aty vej edhe ilaçin.
Ju
e shifni pra, vllâznit e mij, vetëm me anen e nji
shembulli, se sa besimi në rinjallje âsht nji lehtsues i
fuqishëm në të kqijat tona. Kshtu Plutarku dënon
me të drejtë Epikurin, i cilli tuej vue të miren
supreme në knaqsitë e shqisave, ia hjekte njirit shpresen e
pavdekshmënisë, që âsht në kyt jetë
ngushllimi suprem i të drejtit dhe streha mâ e sigurtë
në të tana vuejtjet. Tuej zhdukë kyt shpresë, në
nji mnyrë të çmendun, ai zhdukte prej jetës
burimin e knaqsisë së vërtetë dhe të
qëndrueshme.
Ky
besim na nxit me fitue virtytet dhe me ngushllue vuejtjet. Kshtu edhe
Apostulli, mbasi vërteton misterin e Rinjalljes me anen e shumë
argumenteve të fuqishme i nxit me kto fjalë besimtarët
në tana veprat e devoçmënisë dhe drejtsisë
: « Kshtu pra, vllâznit e mij, qindroni të
fortë e të patundun, tuej punue gjithmonë e mâ
shumë në vepren e Hyjit, tuej ditë se puna juej nuk ka
me ndejë pa u shpërblye në Zotin. » (I Cor.
15:58). Përkundrazi, n'kjoft se kjo shpresë do t'u hiqej
njerzve, atherë do të rezultonte ajo për të
cillen flet Apostulli në të njejten letër : « N'kjoft
se në Efezë kam luftue, aq sa âsht e mujtun pë
njirin, kundër bishave të egra, çfarë të
miret do të nxjerrsha n'kjoft se të dekunit nuk njallen ?
Të hajmë e të pijmë se nesër kena me dekë. »
(Ibid. 32). Ai thotë prapë : « Po të kishim
shpresë në JEZU-KRISHTIN vetëm për kyt jetë,
na do të ishim mâ të mjerët e tanë
njerzve. » (Ibid. 19). Mbi kté, sh'Krizostomi
shkruen : « Në çdo punë e vepër,
âsht shpresa e të ardhmes që nep forcen e veprimit.
Në fakt, kushdo që mbjedh, mbjedh për me korrë
[mos me u hjedhë fara nën dhé, nuk del filizi i ri];
kush lufton, lufton për me fitue. » (Super Matth.
21). E n'nji vend tjetër : « Hiqni shpresen e
rinjalljes dhe ju hiqni çdo ndenjë besimit. »
T'shtyem
prej nji shprese kaq të madhe, t'ngasim pra me gazmend, vllâznit
e mij, drejt qellimit që i kena vue vedit : lumnisë së
përjetshme. Mos të hupim rastin e tashëm që nuk
ka me na ardhë kurrë mâ mbas ksaj jetet, e mos të
frigohena prej ndonji pune që ka me u pague me nji shprëblim
të përjetshëm, sepse « vuejtjet e jetës
së tashme nuk munden me u krahasue me lavdinë që ka me
shkëlqye nji ditë në né. » (Rom.
8:18). KRISHTI JEZUS na e dhaftë kyt lavdi, Ai që me ATIN
dhe SHPIRTIN-SHEJT mbretnon në shekuj të shekujve. Amen.