Mbi çështjen « FILIOQUE » kundër kishave shizmatike të Lindjes
Shumë kohë para shizmës së Fotit kundër Kishës së Romës, disa Konçile
ekumenike e kishin shpallë dhe përcaktue tashma çështjen e proçesionit
të SHPIRTIT-SHEJT,
pra
ardhjes së SHPIRTIT-SHEJT prej ATIT DHE PREJ BIRIT (''qui ex Patre
Filioque procedit'', ''τὸ ἐκ τοῦ Πατρὸς καὶ τοῦ Υἱοῦ ἐκπορευόμενον'',
''që vjen prej ATIT dhe prej BIRIT''), ashtu siç e ka msue gjthmonë
Kisha Katolike. Fjala « Filioque » vjen prej latinishtes dhe shqiprohet «
dhe BIRIT », dhe ban pjesë në Simbolin zyrtar të Fesë së Kishës Shejte
Katolike, i cili me kyt fjalë shpjegon nji pjesë të Misterit të TRINISE
SHEJTE, NJI ZOT I VETEM. Kishat shizmatike greko-orientale,
dhe kisha të tjera shizmatike që imitojnë rebelimin fotian, akuzojnë
Papen dhe Kishen e Romës se paskan ndryshue Simbolin e Fesë, tuej shtue
nji doktrinë antikatolike; për rrjedhojë, simbas tyne, Papa i Romës dhe
kishat latine janë në herezi; e simbas Fotit, Papa dhe latinët janë
apostatë, ''shërbtorët e antikrishtit që meritojnë njimijë vdekje,
rrenacakë dhe luftëtarë kundër Hyjit''.
Të analizojmë shkurtimisht kto akuza kriminele e blasfemuese, krejtsisht t'pabaza, dhe të shohim si qëndron e vërteta.
Mbi Simbolin e Fesë së Krishtenë (Simboli i Apostujve)
Nuk duhet harrue fakti i randsishëm se Simboli i Besimit apo Simboli i
Apostujve, që recitohet sod si në Meshen shejte latine të Kishës së
Romës, ashtu edhe në Liturgjitë hyjnore të ritit bizantin apo sllav, për
me përmendë veç kto dy rite jolatine, nuk ka kênë gjithmonë në kyt
formë të hollsishme që recitohet sod, por ma i thjesht në frazologjí. Në
vetë Aktet e Apostujve (kap. XV), në Konçilin e I të Jeruzalemit (rreth
52 A.D.) lexojmë disa msime të Apostujve, si p.sh. Besimi në hyjninë e
JEZU-KRISHTIT, të SHPIRTIT-SHEJT,
mosfrekuentimi i idhujve, i imoralitetit, i kafshve të mbytuna dhe i
gjakut. Jo se Apostujt nuk besojshin në Simbolin e Fesë të hartuem ma
vonë ne shekullin e IV, në Nice e Konstantinopojë,
por Simboli i Besimit në ato shekuj të parë të Krishtënimit
transmetohej kryesisht përmes Traditës gojore, ashtu si veprohej edhe
për Testamentin e Ri, që nuk ishte i përfunduem jo vetëm para shek. I
por as deri në shekullin e IV, kur Papa i Romës aprovoi librat kanonikë
që duhej të pranoheshin në Biblen Shejte.
« Në Simbolin e Fesë
dhe Shpresës tonë i cili, i ardhun prej Apostujve përmes Traditës deri
te na, asht shkrue jo mbi letër e me bojë por mbi pllaka mishit, që janë
zêmrat tona; mbas shpalljes së TRINISE Hyjnuere dhe Unitetit të Kishës,
na e mbyllim me ngjalljen e trupave të tanë përmbledhjen misterioze të
Dogmës s'krishtênë. » (Shën Jeronimi, ''Ad Pammach. adv. error. Joan.
Hierosol.'', Epist. 64)
Historija kishtare njeh edhe
simbole tjera, si p.sh. simboli i shën Epifanit, simboli i shën Damasit
apo simboli i shën Athanasit, të cilët për nga përmbajtja shpallin të
njejten Fé hyjnore të Kishës Katolike të JEZU-KRISHTIT. Dallimet
aparente mes ktyne simboleve, p.sh. tuej krahasue Simbolin zyrtar të
Nicesë-Konstantinopojës
me dy simbolet që përmenda ktu nalt, konsistojnë vetëm në frazologji.
Kështu p.sh. Simboli zyrtar asht ma i detajuem, në shpjegimin e
artikujve të Fesë, sesa dy simbolet e shen Epifanit dhe shën Athanasit.
Po të krahasojmë Simbolin zyrtar të filluem në Nice (325 A.D) me po kyt
Simbol zyrtar të përfunduem pak vite ma vonë në Konstantinopojë
(381 A.D.), konkludojmë se Simboli përfundimtar asht ma i hollsishëm në
shpjegim sesa Simboli fillestar. Pra bahet fjalë për të njejtat të
vërteta të Fesë; dallimi aparent mes simboleve të ndryshëm asht vetëm
shpjegimi ma i hollsishëm i Fesë, nga nji simbol në tjetrin. Simboli i
Fesë i Nicesë-Konstantinopojës,
i përfunduem në vitin 381 A.D., bashkë me vendimet e tjera të Konçilit u
aprovuen prej Selisë-Shejte, pra Papës së Romës, përpara se të
shpalleshin legjitimisht përpara botës së krishterë, ashtu siç e
kërkojshin kanonet antike dhe rregullat kishtare.
Ashtu
siç e kam përmendë me referenca në dy kapitujt e parë, si për mbledhjen e
konçileve ekumenike, ashtu edhe për aprovimin e vendimeve të ktyne
asambleve, përfshi ktu edhe aprovimin e Simbolit të Fesë, aprovimi i
Selisë-Shejte apo i Papës së Romës ishte i domosdoshëm për
legjitimitetin e tyne, dhe ky asht nji fakt historik i pamohueshëm,
pranue unanimisht si prej latinve ashtu edhe prej grekve, s'pakut deri
në konçilin e VIII ekumenik të Konstantinopojs
(869-870 AD), por edhe ma vonë. Dhe Kisha e Romës, ruejtsja e thesarit
të Revelacionit hyjnor, gjithmonë ka mbajtë të pandryshueshëm Simbolin e
Besimit të krishtenë, ashtu siç dëshmon edhe vetë Tradita shejte
Apostolike :
« Duhet të konsultojmë Simbolin e Apostujve, që
Kisha Romake e mban dhe e ruen të pandryshueshëm në tanë integralitetin e
tij. » (Shen Ambrozi, Epist. LXXXI ad Syric.)
« Tue vue asgjâ
mbi JEZU-KRISHTIN, jam i bashkuem n'union me lumninë tuej, dhe
nëpërmjet saj me Selinë e shën Pjetrit : E di se mbi kyt shkamb asht
ndërtue Kisha. Kushdo që han Qingjin jashtë ksaj shpíjet asht profan ;
kushdo që nuk ka me kênë në Arken e Noesë ka me mbarue në ûjnat e
përmbytjes. Kush nuk korrë me jue, hupë grunin e tij, d.m.th., kushdo që
nuk asht me JEZU-KRISHTIN, asht me antikrishtin. » (Shën Jeronimi, 309
A.D., "Ad Damasum", Epist. 57)
« Por mekênse do t'shkonte
shumë g'jatë me kujtue ktû, nji mbas nji, êmnat e tanë atyne që kanë
drejtue sejcilen prej Kishave, mjafton me kujtue êmnat e atyne që kanë
drejtue, njêni mbas tjetrit, njênen prej ktyne Kishave, e cila asht mâ e
vjetra, mâ e famshmja, ajo që kjè themelue në Romë prej Apostujve të
lavdishëm shën Pjetrit e shën Palit, e cila ka marrë prej tyne depoziten
e paçmueshme të Traditës dhe të Fesë të predikueme në tana kombet ; dhe
na do t'i lamë jashtë unionit të besimtarvet t'anë ata që, për me
plotsue pasionet e tyne apo nji lavdí t'kotë, kjoft prej nji verbimi
shpirtnuer kjoft prej djallzísë, kanë braktisë shtigjet e të vërtetës.
Ksaj Kishe të Romës, për shkak të primatit të saj predominues ("propter
potentiorem principalitatem"),
duhen me iu bashkue tana Kishat e tjera dhe tanë besimtarët e përhapun
në boten mbarë, tue e konsiderue [kyt Kishës të Romës] si depoziten
(thesarin) kryesore të Traditës së transmetueme prej Apostujve, dhe të
përhapun në boten mbarë. Apostujt [Pjetri e Pali] mbasi themeluen kyt
Kishë të Romës ia kaluen (transmetuen) administrimin e saj Lin-it,
t'cilin e konsakruen ipeshkëv. Pasardhsi i tij kjè Anakleti ; mbas
Anakletit ishte Klementi, i cili u vesh me episkopatin. Klementi i
kishte njoftë Apostujt dhe kishte bisedue me tà, dhe i kishte prapë të
gjalla në kujtimin e tij predikimet e tyne dhe udhëzimet mbi Traditen ;
dhe Klementi nuk ishte i vetmi, sepse n'kohen e tij egzistojshin endè
shumë persona t'jerë që kishin marrun udhëzimet e Fesë prej vetë gojës
së Apostujve... Pasardhsi i ktij Klement-it kjè Evaristi ; mbas
Evaristit vendin e xuni Aleksandri ; mandej erdhi Siksti, i cili kjè i
gjashti [Papë] qysh prej Apostujve. Siksti u zëvendsue prej Telesforit,
që vuejti me lavdí martirin ; pasardhsi i tij kjé Hygin-i ; Hygin-in e
pasoi Piu ; e mbas Piu-t erdhi Aniceti ; mbas tij kjè Soter-i, i cili
asht pasue prej Eleuterit, i dymbëdheti (12) qysh prej Apostujve, dhe që
asht sod i veshun me episkopatin. Nëpërmjet ksaj vazhdimsíje të
ipeshkvíjve, Tradita apo depozita e të vërtetës që Kisha ka marrun prej
Apostujve asht ruejtë deri te nà, dhe na asht transmetue në tanë
pastërtinë e saj. » (shën Ireneu, "Adversus hæreses", lib. III, c. 5)
« Nuk duhet me kërkue të vërteten askund tjetër përveçse në Kishen
Katolike, ku asht e lehtë me u instruktue. Në gjinin e ksaj Kishe,
Apostujt kanë vue thesarin e pasun (Traditen) që përmban me bollëk
gjithçka që i përket të vërtetës së Krishtënimit. Prej ktij burimi jete
sejcili mundet me ardhë e me mbushë simbas nevojave ; prej ksaj deret
híhet në karrieren e t'krishtênit. Me dashtë me hî prej nji vendi
tjetër, do t'ishte me veprue si hajdut apo si vjedhës. Prandej duhet me
shmangë me kujdes çdo kontakt me heretikët dhe me msue me zell gjithçka
që përmban tradita e t'vërtetës. E atherë ? Po të lindte ndonji
mosmarveshje e nji farë randsijet midis t'krishtênve, a nuk do t'duhej
me kshillue Kishat ma t'vjetra, ato Kisha që janë instruktue prej vetë
Apostujve, dhe me pranue gjykimin e tyne mbi kyt mosmarveshje ? ... »
(Shen Ireneu, adv. haeres., lib. III, c. IV)
« Nuk ka dyshim se
na duhet me u konformue në çdo gja me gjithçka që asht e përcaktueme
prej autoritetit të Shkrimeve shêjte; në të njêjten mnyrë na duhet të
veprojmë me gjithçka që Kisha praktikon në tanë boten, sepse asht nji
çmenduni e madhe, nji arrogancë ekstreme, mos me iu nënshtrue nji
autoriteti të tillë të Kishës... Në ato çështje ku Shkrimet shêjte nuk
kanë vendosë gjâ me kjartsí, zakonet e popullit besimtar dhe praktikat e
Etënve tonë duhen me kênë për ne si ligje. Dhe ata që i përbuzin
praktikat e Kishës duhen dënue njilloj si ata që shkelin ligjet
hyjnuere. » (shen Agustini, Epist. CXVIII, c. 5.; ad Casulanum, epist.
LXXXVI.; Distinctio, II, cap. in his)
« Në kjoft se
konsiderojmë linjen e vazhdimsisë së ipeshkvijve, me nji siguri edhe ma
të madhe dhe dobi për Kishen, mundena me shkue mbrapa derisa të hasim
vetë Pjetrin, që mban tanë Kishen, të cilit Zoti i tha : 'Mbi kyt shkamb
kam me ndërtue Kishen Teme dhe dyert [fuqitë] e Ferrit nuk kanë me
triumfue kundër saj'. (sh'Mateu 16, 18) Pasardhsi i Pjetrit ishte Lini,
dhe pasardhsit e tij, në nji vazhdimsí t'pandërpreme, ishin kta :
Klementi, Anakleti, Evaristi, Aleksandri, Siksti, Telesfori, Igjini,
Aniceti, Piu, Soteri, Eleuteri, Viktori, Zefirini, Kaliksti, Urbani,
Pontiani, Anteri, Fabiani, Korneli, Luçiani, Stefani, Ksisti, Dionisi,
Feliksi, Eutikiani, Gaiusi, Marçelini, Marçeli, Eusebi, Miltiadi,
Silvestri, Marku, Juli, Liberi, Damasi, Siriçi, pasardhsi i të cilit
asht ipeshkvi i sotëm Anastasi. » (Shën Agustini, Epist. 165 al. 53 ad
Generosum, 400 A.D., "Nicene and Post-Nicene Fathers", First Series,
Vol. 1. Edited by Philip Schaff. (Buffalo, NY: Christian Literature
Publishing Co., 1887. ; Cf. Peltier, "Le grand Catéchisme de Canisius",
1873, vol. 2, p. 31)
« Egziston vetëm Nji Zot, vetëm Nji
KRISHT, vetëm Nji Kishë dhe vetëm Nji Seli e themelueme mbi Pjetrin prej
zânit të Zotit tonë JEZU-KRISHTIT; dhe kjo Seli e Pjetrit âsht Kisha
Kryesore ku ka lindë uniteti meshtarak, dhe ku tradhtíja nuk mundet me
penetrue. » (shën Çiprijani, shekulli II, “De Unitate Ecclesiæ”)
« Ju patjetër shifni shumë degë të shkëpùtuna prej rrâjës nga ku del
kjo shoqní e krishtênë, e përhapun në univers, në sajë të vazhdimsisë së
ipeshkvijve, pasardhës të Apostujve. Kto degë të dekuna, që kanë
t'krishtênë veç êmnin, prapseprap vetlavdohen a thue se vazhdojnë me
kênë t'lidhuna me rrâjen e hardhisë. Na i quejmë kta heretikë dhe
shizmatikë. Dalja e tyne në botë asht parashikue, profetizue e shkrue
qysh n'fillim. » (shën Agustini, Epist. 42 al. 232 ad Madaurenses)
Kisha Romake ku asht Selija-Shejte e Shefit të Kishës Katolike asht
kujdesë gjithmonë jo vetëm me mbajtë të paprekun Depozitën e Zbulimit
hyjnor që Hyji ia ka besue, por edhe me e shpjegue dhe intrepretue
pagabueshmënisht. Me
kalimin e viteve, në varsi të rrethanave të luftës kundër anmiqve të
ndryshëm të Kishës, asht e kenë e domosdoshme me shpjegue ma hollsisht
Simbolin e Fese, pjesë e Tradites Apostolike, për me demaskue e
shkatrrue sulmet e anmikut. Tuej përmendë fjalën « Filioque » në
Simbolin e Fesë, Kisha Katolike nuk ka shtue asgja të re, thjesht ka
shpjegue ma me hollsí nji të vërtetë të Fesë hyjnore Katolike, që ka
kenë gjithmonë e msueme në Kishë, pikërisht për me luftue shpifjet e
heretikve të asaj kohe. Kjo asht arsyeja e vetme dhe jo shpifjet e
shizmatikve se gjoja Papa e Latinët paskan ndryshue Fenë e paskan ra në
herezi. Tuej folë kaq gabim e kaq blasfemisht, shizmatikët dëshmojnë se
vetë ata ose e kanë harrue e hupë Traditen shejte Apostolike, që ata
pretendojne se e mbajnë, ose ata djallzisht na akuzojnë në mnyrë të
gënjeshtërt e hipokrite, natyrisht pa prova, në sajë të nji agjende të
caktueme politike. Bazue në fakte të ndryshme, kjo arsye e dytë, pra
arsyeja politike, duket se asht e vërteta e ndamjes së kishave
greko-orientale dhe atyne
sllave prej qendrës së Katoliçizmit, Selisë-Shejte. Ky konkluzion i dytë
duket edhe ma i vërtetë, kur kujtoj se vetë liturgjija e ktyne kishave
shizmatike ngre në Qiell privilegjet e shën Pjetrit dhe Kishës së Romës,
dhe ky fakt përjashton mundsinë që ata t'jenë n'injorancë, pa dashtë me
gjykue ktu zemrat e askujt, sekreti i t'cilave njihet vetëm prej Hyjit.
Pra duket e pamujtun që kleri i kishave shizmatike të jetë në
injorancë, e nuk po flas për populln e thjeshtë, i cili përgjithsisht
ndjek sjelljen e klerikve të tyne.
Doktrina « Filioque » asht besue dhe msue gjithmonë
në Kishen Katolike, si në Lindje ashtu edhe në Perëndim
S'parit mbas Konçilit (lokal) të Aleksandrisë, shën Çirili i
Aleksandrisë i shkroi nji letër heretikut Nestor, ku ndër të tjera
shkruhej :
« KRISHTI asht e vërteta dhe SHPIRTI-SHEJT thirret
Shpirti i së vërtetës. Si rrjedhojë, SHPIRTI-SHEJT vjen prej ATIT DHE
PREJ BIRIT. » (De la Lettre de saint Cyrille à Nestor; cf. Abbé Tilloy, «
Essai de conciliation entre l'Église latine et l'Église grecque non
unie », Paris, 1864.)
Kjo letër u lexue në Konçilin
ekumenik të Efezit dhe u aprovue prej Etënve konçiljarë; në t'njejten
mnyrë, kjo letër e shën Çirilit u lexue dhe aprovue edhe në Konçilet e
tjera ekumenike pasuese : në Kalcedoní, sesioni V; në Konçilin e V
ekumenik (II i Konstantinopojës),
në sesionin e fundit; në Konçilin e VI ekumenik (III Konstant.), në
sesionin XVII dhe në Konçilin e VII ekumenik (II Nices), në sesionin
XVII. Ja pra, pesë Konçile ekumenike të mbajtun te Grekët, që kanë
aprovue Doktrinen e proçesionit (ardhjes) së SHPIRTIT-SHEJT prej ATIT
dhe prej BIRIT. (''Revue des églises d'orient'', n. 12, année 1885, p.
177)
Në fakt, perandori grek Leoni i urtë, që jetoi në kohën e
Fotit, në nji letër që i shkruente nji mbreti sarrasin (musliman) mbi
Fenë e krishtênë, afirmon kjart se SHPIRTI-SHEJT vjen (rrjedh) prej ATIT
DHE PREJ BIRIT.
N'kjoft se shtrojmë pyetjen pse Konçili i Konstantinopojs
(381 AD) ka përmendë proçesionin (ardhjen) vetëm prej ATIT, përgjigja
asht e thjeshtë : Kisha Katolike ka besue gjithmonë në ardhjen e
SHPIRTIT-SHEJT prej ATIT DHE PREJ BIRIT, dhe kjo doktrinë ka kalue nga
nji brez në tjetrin përmes Traditës Apostolike. Por hartimi zyrtar i
Simbolit të Fesë (e kanë egzistue disa Smbole të tilla përpara vjetit
381 AD, siç dhashë shembuj ma parë) asht krye zakonisht në rastet e
dënimit të herezive (siç asht ba p.sh. edhe mbledhja e konçileve). Kshtu
p.sh., heretiku Macedonius predikonte se vetëm BIRI vinte prej ATIT dhe
se SHPIRTI-SHEJT vinte vetëm prej BIRIT, si krijesë e BIRIT dhe i ishte
inferior. Konçili i Konstantinopojës
(381 AD) nuk thotë asgja mbi ardhjen e SHPIRTIT-SHEJT edhe prej BIRIT,
mbasi mbi kyt të vërtetë doktrinale nuk kishte asnji mosmarveshje midis
Katolikve dhe heretikve t'assaj kohe, dhe për rrjedhojë Konçili u
mjaftue me përcaktimin e doktrinës se SHPIRTI-SHEJT vjen prej ATIT, që
heretikët e athershëm mohonin. (KUJDES : Dokumenti original i Konçilit
ekumenik të 381 A.D. nuk thotë kurrë se SHPIRTI-SHEJT vjen VETEM PREJ
ATIT.) (Cabassut., ''Notitia Ecclesiastica'', p. 471-72).
Në vitet në vazhdim, nji tjetër herezi e detyroi Kishen me shpallë e
përcaktue zyrtarisht Dogmen e ''Filioque''-s (Ardhjes së SHPIRTIT-SHEJT
EDHE PREJ BIRIT). Gjysë-arianët heretikë, për mos me njoftë barazinë
totale të ATIT me BIRIN, pretendojshin me u bazue mbi vendimin e
Konçilit të Konstantinopojës
(381 A.D.) për me msue se SHPIRTI-SHEJT vjen prej ATIT ; kta heretikë
nxjerrshin përfundimin se BIRI ishte inferior në lidhje me ATIT, mbasi,
simbas tyne, BIRI nuk përfshihej në ardhjen e SHPIRTIT-SHEJT.
Rrjedhimisht, i detyruem nga nevoja me luftue herezinë, Konçili i
Toledos (589 A.D.) shpalli si dogmë fejet ardhjen e SHPIRTIT-SHEJT prej
ATIT DHE PREJ BIRIT. Kshtu, fjala ''Filioque'' iu shtue Simbolit të Fesë
të Konstantinopojs, por siç
shkrova ma nalt, kjo doktrinë msohej dhe besohej kohë përpara në Kishë.
Pra akuza e kishave fotiane (t'vetquejtuna ordodokse) kundër Kishës së
Romës apo latinve për herezi asht totalisht e pabazë dhe nuk bazohet mbi
asnji arsye fetare.
Jak Zanzale, themeluesi i herezisë së
Jakobitve, shkruen se në Konçilin e III Ekumenik të Efezit asht shpallë
se SHPIRTI-SHEJT vjen prej ATIT DHE PREJ BIRIT (ashtu si ceka ktu ma
nalt) (Ibid.)
Dishmi prej Biblës-Shejte
Në Librin e Apokalipsit të shën Gjonit Apostull lexojmë :
« Engjëlli më tregoi lumin e pastër të ujit të gjallë, i kulluar si
kristali, që vinte prej fronit të Zotit dhe të Qingjit. » (Apokalipsi
XXII, 1)
''Lumi i ujit të gjallë'' asht SHPIRTI-SHEJT : nuk ka dyshim mbi kyt pikë, mbasi vetë Unjilli dëshmon kyt t'vërtetë :
« Ditën e fundit të festës, JEZUSI thirrte me za të naltë : N'kjoft se
ndokush ka etje, të vijë te UNE dhe të pijë. Prej zemrës të atij që
beson në Mua, do të dalin lumej ujit të gjallë. Dhe JEZUSI thonte kté
për Shpirtin që do të merrnin ata që do të besonin në Até (JEZUSIN). »
(shen Gjoni VII, 37-39)
Shën Athanasi konfirmon gjithashtu se « uji i gjallë » asht SHPIRTI-SHEJT :
« Uji i gjallë asht SHPIRTI-SHEJT, ashtu siç e msojmë prej Unjillit të
shën Gjonit, kur Shelbuesi i thotë grues samaritane : ''Aj do të kishte
dhanë ujë të gjallë'', dhe në nji vend tjetër : ''Kush të pijë prej ktij
uji që do t'i jap, nuk do të ketë kurrë ma etje'' (Joan. IV, 10-13). »
Citimi i masipërm i shën Athanasit asht shkëputë prej nji pasazhi të librit të shën Athanasit, '' TRINIJA dhe SHPIRTI-SHEJT'', n. 19 :
« Na ndigjojmë BIRIN që na thotë : ''Ky popull ka ba dy të kqija : më
ka braktisë Mue, burimin i ujit të gjallë (Jeremija II, 13). Uji i
gjallë asht SHPIRTI-SHEJT, ashtu siç e msojmë prej Unjillit të shën
Gjonit, kur Shelbuesi i thotë grues samaritane : ''Aj do të kishte dhanë
ujë të gjallë'', dhe në nji vend tjetër : ''Kush të pijë prej ktij uji
që do t'i jap, nuk do të ketë kurrë ma etje'' (Joan. IV, 10-13). Dhe në
mesin e Tempullit JEZUSI thërret : ''N'kjoft se ndokush ka etje, të vijë
te UNE dhe të pijë. Prej zemrës të atij që beson në Mua, do të dalin
lumej ujit të gjallë. Dhe JEZUSI thonte kté për SHPIRTIN-SHEJT...''
(Joan. VII, 38-39). Pra simbas dishmisë së Shkrimeve shêjte, na e dijmë
me siguri se ''uji i gjallë'' asht SHPIRTI-SHEJT. Zoti jonë
JEZU-KRISHTI e quen Vehten ''burimi i ujit të gjallë'' me kto fjalë :
''Më kanë braktisë Mue, burimin e ujit të gjallë''. Davidi mson të
njejten gja kur në Psalmin (XXXV, 9) (versioni Septuagjintës) thotë se
''Në Jue asht burimi i jetës''. Të më tregojë pra dikush se jashtë Hyjit
(ATIT) egziston nji tjetër që asht burim i jetës, i cili asht në Hyjin
(ATIN). Psalmi nuk thotë ''Ju jeni burimi i jetës'' por ''në Jue asht
burimi i jetës''. Kshtu pra BIRI asht në ATIN dhe në ATIN BIRI asht
burim i Shpirtit, ashtu si i thotë shën Pali Romakve : ''Shpirti i jetës
(ζωή) për arsye të drejtsisë'' (Rom. VIII. 9, simbas versionit të
Septuagjintës)''.
Kshtu pra, simbas Psalmit (XXXV, 10) BIRI nuk asht i huej për ATIN por i
përket ATIT, sepse mbasi thotë ''Në Jue asht burimi i jetës'',
psalmisti shton : ''Në dritën tuej, na do të shohim dritën'', që don me
thanë : Në BIRIN Tuej na do të shohim SHPIRTIN-SHEJT. »
Shën Ambrozi na mson të njejten gja, kur shpjegon pasazhin biblik të Apokalpsit (XX, 1) :
« Na lexojmë se prej fronit të Hyjit del (rrjedh, buron) nji lum : kté e
msojmë prej shën Gjon Unjilltarit, kur thotë : Dhe aj (engjelli) me
tregoi lumin e ujit të gjallë, i kulluar si kristali, që vinte prej
fronit të Zotit dhe të Qingjit. Ktu, lumi që vjen prej fronit të Hyjit
asht pa dyshim SHPIRTI-SHEJT, i Cili shuen etjen e atij që beson në
JEZU-KRISHTIN, ashtu si e thotë vetë Shelbuesi : N'kjoft se ndokush ka
etje, të vijë te UNE dhe të pijë. Prej zêmrës të atij që beson në Mue,
ashtu siç thotë Shkrimi shejt, do të dalin lumej ujit të gjallë. JEZUSI
thonte kté për SHPIRTIN-SHEJT.
SHPIRTI-SHEJT asht pa dyshim pra lumi. » (Shen Ambrozi, ''De Spirito
Sancto'', Lib. III, Cap. XXI) (“Revue des Églises d’Orient”, vol.1 , p.
531)
E njejta doktrinë mbi ardhjen e SHPIRTIT-SHEJT prej ATIT
dhe prej BIRIT, msohet me terma specifike prej sh'Athanasit, shën
Çirilit dhe shën Epifanit, për me përmendë n'fillim veç kta të tre :
« Gjithmonë asht SHPIRTI-SHEJT me ATIN dhe me BIRIN ; jo si vlla i
BIRIT e jo si i BIRI i ATIT por që vjen prej ATIT e merret prej BIRIT ;
jo jashtë ATIT DHE BIRIT, por pjesë e të njêjtës Esencë hyjnore, e të
njêjtes hyjní të ATIT dhe të BIRIT, me ATIN dhe me BIRIN, Shpirti i
KRISHTIT, Shpirti i ATIT. » (« Heres. » LXII, lib. II)
«
Shpirti i Zotit, Shpirti i ATIT, Shpirti i BIRIT, jo si diçka e
bashkueme, si asht te na shpirti dhe trupi, por midis ATIT dhe BIRIT,
prej ATIT dhe prej BIRIT. » (« Ancorat. »)
« SHPIRTI-SHEJT asht
i ATIT dhe i BIRIT : esencialisht SHPIRTI-SHEJT rrjedh (buron) prej të
Dyve, ose prej ATIT përmes BIRIT. » (shën Çirili drejtue Palladius-it)
(“Revue des Églises d’Orient”, vol. 1. p. 179)
Shën Anselmi në konçilin e Barit
Çështja debatohej midis latinve dhe grekve. Papa Urbani II kërkon
ndihmen e arqipeshkvit të anglezve, i cili paraqet nji mbrojtje brilante
te misterit të TRINISE SHEJTE.
Ja n'vijim disa pika prej mbrojtjes së shën Anselmit.
Shejti fillon me numërue elementat doktrinale që pranoheshin prej grekve :
1. SHPIRTI-SHEJT asht ZOT
2. SHPIRTI-SHEJT asht Nji Zot me ATIN dhe me BIRIN
3. SHPIRTI-SHEJT rrjedh (buron, ''procedens'' lat.) prej ATIT
4. SHPIRTI-SHEJT asht Shpirti i BIRIT
5. SHPIRTI-SHEJT asht i dallueshëm si i ardhun prej ATIT, dhe prej
BIRIT si i ardhun (i buruem) prej ATIT përmes ardhjes (burimit) dhe jo
përmes lindjes.
Në vijim, shën Anselmi vendos si kriter t'pakundërshtueshëm faktin e Konsubstancialitetit
- (substancë, natyrë e njejtë, e përbashkët), dogme fejet e
përcaktueme si në Nicé (325 AD) asht edhe në Konstantinopoj (381 AD), në
dy konçilet e para ekumenike, dhe pjesë e Simbolit të Fesë. Në bazë të
ksaj doktrine shêjte të Konsubstancialitetit,
çfarë i atribojmë nji Persone hyjnore detyrimisht do t'ia atribojmë
edhe dy Personave të tjerë hyjnore të t'njejtit Hyj Trinitar, tuej
përjashtue dallimet midis Tyne si pasojë e relacioneve të origjinës.
Kshtu, ATI asht origjina e BIRIT përmes lindjes, dhe asht gjithashtu
origjina e SHPIRTIT-SHEJT përmes ardhjes (proçesionit, rrjedhjes). Na e
dijmë se ATI asht i njejti Zot si me BIRIN ashtu edhe me SHPIRTIN-SHEJT ;
prandej, si thamë ma nalt mbi Doktrinen e unitetit të Esencës
(substancës, natyrës) hyjnore, até çfarë afirmojmë për ATIN, até do të
afirmojmë edhe për BIRIN dhe SHPIRTIN-SHEJT,
me përjashtim të dallimeve të relacioneve të Tyne të origjinës. Për
rrjedhojë, duhet të konfirmojmë dy alternativa : ose SHPIRTI-SHEJT vjen
prej BIRIT ashtu siç vjen prej ATIT, ose BIRI lind prej SHPIRTIT-SHEJT
ashtu siç lind prej ATIT. Asht e kjart se kto dy alternativa nuk munden
me kênë të vërteta njikohsisht. Ndërkohë, Shkrimi shejt na mson, dhe
grekët janë dakord me ne n'kyt pikë, se SHPIRTI-SHEJT asht Shpirti i
BIRIT, por askund nuk lexojmë se BIRI asht Biri i SHPIRTIT-SHEJT.
Pra si konkluzion duhet të pranojmë, në sajë të unitetit të natyrës
hyjnore që egziston midis ATIT dhe BIRIT, se SHPIRTI-SHEJT vjen si prej
ATIT ashtu edhe prej BIRIT.
Ky arsyetim asht i pathyeshëm,
sepse për t'a përbysë duhet të vërtetojmë dy propozime : ose BIRI nuk
asht konsubstancial me ATIN, ose SHPIRTI-SHEJT, megjithse vjen prej
ATIT, nuk vjen prej substancës (natyrës) hyjnore të ATIT. Propozimi i
parë asht i paprekshëm, përndryshej do të sulmonim dekretin e Konçilit
të Nicesë dhe Simbolin e Fesë; ndërsa asht absurde përpjekja me vërtetue
propozimin e dytë. Pra SHPIRTI-SHEJT vjen prej ATIT dhe prej BIRIT.
(Ibid., p. 242)
Por grekët nuk dorëzoheshin dhe nxirrnin
objekcjone. Kshtu p.sh., ata pretendonin se BIRI dhe SHPIRTI-SHEJT mund
të dilnin të ndamë prej ATIT, ashtu si drita dhe nxehtsija dalin prej
diellit. Por ky krahasim asht i gabuem, shpjegon shen Anselmi, sepse
drita dhe nxehtsija nuk janë vetë dielli, kurse BIRI dhe SHPIRTI-SHEJT
janë nji Zot me ATIN, në sajë të unitetit të Natyrës hyjnore.
Të xanun ngushtë prej evidencës së Shkrimit Shejt, që përcakton nji relacion origjine midis BIRIT dhe SHPIRTIT-SHEJT,
grekët thonin se SHPIRTI-SHEJT del prej ATIT përmes BIRIT. N'kjoft se
grekët lëshojnë n'kyt pikë, ata lëshojnë gjithçka, shton shën Anselmi :
N'kjoft se SHPIRTI-SHEJT vjen prej ATIT përmes BIRIT, atherë
SHPIRTI-SHEJT vjen edhe prej BIRIT. Zoti jonë JEZU-KRISHTI asht i
Abrahamit përmes tejet shêjtes Virgjinës MARI, por JEZU-KRISHTI asht
edhe i T.Sh. Virgjinës MARI; liqeni del (vjen, ka origjinën) prej
burimit përmes lumit, por aj del edhe prej lumit. Megjithaté e vërteta e
ksaj dogme ka nevojë për shpjegim, mbasi shprehja e grekeve (prej ATIT
përmes BIRIT) tenton me paraqitë BIRIN si nji origjinë dytsore në lidhje
me SHPIRTIN-SHEJT.
BIRI asht me ATIN e Tij NJI origjinë e njejtë, dhe nuk asht kurrsesi i
ndamë prej ATIT apo i lindun jashtë Tij [« Ati Jem dhe Un, Na jena Nji. »
(sh'Gjoni 10:30) ; « Aj që Më sheh, sheh edhe ATIN Tem. » (Sh'Gjoni
14:9)]. Nga ana tjetër, krahasimi me liqenin, lumin dhe burimin kthehet
kundër grekve, sepse nuk asht as burimi e as lumi që formojnë liqenin,
por uji që del prej burimit dhe rrjedh në lum. Në rastin konkret kena
tri recipientë, dhe uji asht i njejtë. Pra hyjnija asht e gjitha në
ATIN, në BIRIN dhe në SHPIRTIN-SHEJT, dhe asht kjo hyjní që në ATIN dhe në BIRIN asht origjina e SHPIRTIT-SHEJT.
Gabimi i grekve konsiston në faktin se ata konsiderojnë ATIN dhe BIRIN
si dy origjina të ndame prej njena-tjetrës, ku njena origjina varet nga
tjetra, por në të vërtetë ATA janë nji origjinë e vetme prej të cilës
vjen SHPIRTI-SHEJT. Kjo origjinë asht ATI dhe BIRI, ashtu si origjina e
BIRIT asht ATI. N'kyt mnyrë e kuptojmë sesi dalja (Njena përmes lindjes
dhe Tjetra përmes ardhjes) e dy Personave hyjnorë nuk ven në Zot dy
origjina. (Ibid. p. 243)
Dishmija e shën Ambrozit
Në librin e tij, « Simboli i Fesë i Apostujve » (Symbole des Apôtres), lexojmë :
« Hyji ATE që lindi FJALEN, i përjetshëm si ATI, dhe si ATI i Gjithpushtetshëm, me t'Cilin prodhoi SHPIRTIN-SHEJT. »
Ndërsa në sermonin mbi festen e Rrëshajve (Uljes së SHPIRTIT-SHEJT), shën Ambrozi shkruen :
« Apostujt morën SHPIRTIN-SHEJT, i Cili jo në kohë por përjetsisht vjen në mnyrë të pandashme prej ATIT dhe prej BIRIT. »
« SHPIRTI-SHEJT që vjen prej ATIT dhe prej BIRIT nuk asht i ndamë prej
ATIT, nuk asht i ndamë prej BIRIT. » (Shen Ambrozi, « De Spirito Sancto
», Lib. I, Cap. X)
Ja si e lëvdon shën Ambrozin kisha greke në liturgjinë e saj :
« Atë i veneruem, shejti Ambroz, ju lira që na keni këndue të gjithve
ne hymnet shelbuese të dogmave ortodokse, për entuziazmin e shpirtnave
besnikë ; ju harpa harmonike e Ngushlluesit hyjnor, ju orga e madhe e
Hyjit, ju trumpeta e lavdishme e Kishës, burimi tejet i kulluem i hireve
qiellore që heqin papastërtitë e pasioneve : o shêjt, luteni,
përgjërojeni JEZU-KRISHTIN në mnyrë që Kishës t'i jepet harmonija, paqja
dhe mshira e madhe. » (Lutjet e mbramjes – Stichiron I)
Vërejmë me interes n'lutjen e masipërme se si kishat greke shizmatike
luten për harmoninë dhe paqen, pra për rikthimin e tyne në doktrinen e
shën Ambrozin apo rikthimin në Fenë Katolike.
Marku i Efezit dhe Etnit shêjt
Në sesionin e XXV të Konçilit ekumenik të Firences, ku moren pjesë edhe
përfaqsuesit e kishave greke shizmatike, mbasi ishin citue disa dishmi
të Etënve grekë që afirmojshin ardhjen e SHPIRTIT-SHEJT edhe prej BIRIT,
metropoliti i Rusisë, Isidori, foli me urti kto fjalë :
«
Mbasi ardhja e SHPIRTIT-SHEJT i atribohet edhe BIRIT, jo vetëm prej
Etënve të Perëndimit por edhe prej atyne të Lindjes, asht e drejtë që,
tuej ndjekë shêjtnit tonë, të bashkohemi me Kishen Romake. »
Kjo gjuhë ishte e dênjë, e devotçme dhe e pranueshme për të gjithë, por
Marku i Efezit tha se Latinët ishin heretikë e shizmatikë. Atherë, mori
fjalën Arqipeshkvi i Nicesë, Besarioni, që tha :
- « Po ata që afirmojnë se SHPIRTI-SHEJT vjen edhe prej BIRIT, a janë ata heretikë ? »
- « Po ! » tha Marku i Efezit.
Dhe Arqipeshkvi Besarioni shtoi kto fjalë :
- « O Zot, më ndihmoni ! Shêjtnit që thonë këtë qenkan pra heretikë !
Gojët mashtruese të heshtin, ata që flasin kundër Shêjtënve ! »
Etnit shêjt për të cilët flet Arqipeshkvi i Nicesë Besarioni janë
pikërisht ata shêjtën që u lavduen dhe u pranuen zyrtarisht prej
Konçilit të V Ekumenik të Konstantinopojës,
të thirrun prej Papës Vigjil në vjetin 553 A.D. Në sesionin e tretë,
etnit konçiljarë të ktij Konçili të V Ekumenik shprehen kshtu :
« Na ndjekim në gjithçka Etnit shêjt dhe doktorët e Kishës : Athanasin,
Hilarin, Bazilin, Gregor teologun (Nazianze), Gregorin e Nisës,
Ambrozin, Agustinin, Çirilin (e Aleksandrisë), Leonin, dhe na pranojmë
gjithçka që ata kanë ekspozue mbi Fenë e vërtetë dhe për dënimin e
heretikve. »
« Ἀχολουθοῦμεν ἐν ἄπασι τοῖς θέιοις πχτράσι χαὶ
τοῖς διδασχάλοις τῆς Εχχλησίας' Ἀθανασίῳ, Ἱλαρίῳ, Βασιλείῳ, Γρηγορίῳ τῳ
θεολόγῳ, Γρηγορίῳ τῳ Νύσσης, Ἀμβροσίῳ, Ἀυγουστίνῳ ... Κυρίλλῳ, Λέοντι,
χαὶ δεχόμεθα πάντα τὰ παῤ αὐτῶν περὶ τῆς ὀρθῆς πίστεως χαὶ εις
χατάχρισιν των ἁιρετιχῶν ἐχτεθέντα. »
Ja çfarë msojnë Etnit shêjt të aprovuem prej Konçilit të V Ekumenik të Konstantinopojs mbi Doktrinen e « Filioques » :
Papa shën Gregori i Madh në librin e tij « Dialogu » thotë :
« Tuej vue në zemren e dishepujve të Tij SHPIRTIN-SHEJT që vjen prej
Tij, Shelbuesi i pastroi prej gjitha mkateve të tyne. » (« In Job. »
Lib. I, n. 30)
« Misioni i SHPIRTIT-SHEJT asht vetë ardhja e Tij prej ATIT dhe prej BIRIT. » (Hom. 26 in Ev.)
Papa shën Leoni i Madh
« Prishiliantistët
kanë mendime të gabueme mbi TRININE SHEJTE, sepse ata njohin në ATIN,
BIRIN dhe SHPIRTIN-SHEJT vetëm nji Personë, sikur Hyji u thirrka
nganjiherë ATE, nganjiherë BIRI e nganjiherë SHPIRTI-SHEJT ; në të
vërtetë, tjetër asht AJ që lind, tjetër asht AJ që asht i lindun, dhe
tjetër asht AJ që vjen prej NJENIT dhe prej TJETRIT. » (« Epist. XV ad
Turribium »)
Shën Agustini
« Duhet me pranue se ATI dhe BIRI janë origjina e SHPIRTIT-SHEJT,
jo dy origjina. Ashtu si ATI dhe BIRI janë NJI Hyj i vetëm, dhe për
krijesat NJI Krijues i vetëm dhe NJI Zot i vetëm, po ashtu, ATI dhe BIRI
janë NJI origjinë për SHPIRTIN-SHEJT. » (« De Trinitate », Lib. V, Cap. XIV)
« BIRI hyjninë e Tij e ka prej ATIT, sepse asht Zot prej Zotit, dhe
prej të njêjtit ATE, BIRI merr që prej Tij (BIRIT) të vijë SHPIRTI-SHEJT
; e për rrjedhojë, SHPIRTI-SHEJT hyjninë e Tij e ka prej ATIT dhe, prej
të njêjtit ATE, SHPIRTI-SHEJT merr që të vijë prej BIRIT ashtu siç vjen
prej ATIT. » (« De Trinitate », Lib. XV, Cap. XXVII)
« BIRI
vjen prej ATIT ; SHPIRTI-SHEJT vjen prej ATIT : por Njeni asht i lindun,
ndërsa Tjetri buron (vjen). Për kyt arsye, BIRI tuej kenê i lindun asht
Biri i ATIT, por SHPIRTI-SHEJT asht Shpirti i ATIT dhe i BIRIT, sepse
vjen prej ATIT dhe prej BIRIT. » (« Contra Maxim. » Lib. III, Cap. XIV)
Shën Çirili i Aleksandrisë
« SHPIRTI-SHEJT asht Shpirti i ATIT dhe asht gjithashtu Shpirti i
BIRIT, Aj që vjen në mnyrë substanciale prej të Dyve, d.m.th. prej ATIT
përmes BIRIT. » (« Ad Hermiam ») [Dokumenti i Konçilit Ekumenik të
Firences dekreton se shprehjet ''SHPIRTI-SHEJT vjen prej ATIT dhe prej BIRIT'' dhe ''SHPIRTI-SHEJT vjen prej ATIT përmes BIRIT'' nënkuptojnë të njêjten gja.]
Shën Hilari
« Nuk asht e nevojshme me folë për SHPIRTIN-SHEJT, për të Cilin duhet shpallë se ka për origjinë ATIN dhe BIRIN. » (« De Trinit. » Lib. II)
Dishmija e vetë Fotit, nismëtarit të Shizmës së Lindjes
« Por i madhi shejti Ambroz, shejti Agustin, shejti Jeronim, e disa të
tjerë të ktij rangu e merite, të cilët kanë ba nji emën të madh në sajë
të virtyteve dhe shkëlqimit të jetës së tyne, në shumë pasazhe të
veprave të tyne kanë shkrue se SHPIRTI-SHEJT vjen prej BIRIT. » (Prej
letrës së Fotit drejtue arqipeshkvit të Akuilesë.)
Shën Athanasi
« BIRI nuk asht marrës i SHPIRTIT-SHEJT; ma mirë me thanë, asht BIRI që i jep të gjithve SHPIRTIN-SHEJT.
Nuk asht Shpirti që bashkon ATIN me BIRIN por asht SHPIRTI-SHEJT që
merr prej Fjalës (BIRIT) ; sepse asht Fjala (BIRI) që i nep
SHPIRTIT-SHEJT dhe gjithçka që ka SHPIRTI-SHEJT e ka prej Fjalës
(BIRIT). » (Prej ''Debatit III kundër arianve'', n. 24)
Pra shën Athanasi, Atleti i KRISHTIT kundër arianve heretikë, na mson se
BIRI nuk merr SHPIRTIN-SHEJT por asht BIRI AJ që i jep SHPIRTIN-SHEJT
të gjithve. N'kjoft se SHPIRTI-SHEJT nuk vjen prej BIRIT, si mundet
BIRI, që nuk merr SHPIRTIN-SHEJT,
me i dhanë SHPIRTIN-SHEJT të tjerëve ? Përgjigja e vetme asht se BIRI
ka n'Vetvedi SHPIRTIN-SHEJT dhe asht s'bashku me ATIN origjina e
SHPIRTIT-SHEJT.
Shën Bazili i Madh
« Kush
injoron faktin se çdo aktivitet i BIRIT nuk asht i ndamë prej ATIT, dhe
në gjithçka që asht e BIRIT, asgja nuk asht e huej për ATIN ? Gjithçka
që asht e Jemja (Imja) asht e Jueja, dhe gjithçka që asht e Jueja asht e
Jemja, thotë BIRI. Si asht e mujtun pra që aj (Eunomius) i atribon
vetëm BIRIT origjinën e SHPIRTIT-SHEJT ? » (Prej Librit II kundër
Eunomius). [Eunomius msonte gabimisht se vetëm BIRI asht origjina e
SHPIRTIT-SHEJT.]
Shën Çirili i Aleksandrisë
« Shpirti asht prej substancës së ATIT dhe BIRIT ... Shpirti vjen prej ATIT dhe prej BIRIT. » (Thesaurus, Lib. XIV)
'' Ἐχ τῆς οὐσίας τοῦ Πατρὸς χαὶ τοῦ Υἵου τὸ Πνεῦμα ... πρόεισι δὲ ἐχ Πατρὸς χαὶ Υἵου. ''
Dishmija e Abatit Tilloy
Të analizojmë kto tre pasazhe biblike :
« Kur të vijë Parakleti (Ngushlluesi) që Un do ju dërgoj prej ATIT Tem,
Shpirti i së Vërtetës që vjen prej ATIT. » (Shën Gjoni XV, 16)
« Ai (SHPIRTI-SHEJT) do Më lavdërojë, sepse do të marrë nga çfarë asht e Jemja dhe do t’jua shpallë. » (sh’Gjoni XVI, 14)
« JEZUSI fryu mbi Apostujt dhe u tha : Merrni SHPIRTIN-SHEJT. » (Sh’Gjoni XX, 22)
Në pasazhin e parë prej shën Gjonit (XV, 16), JEZU-KRISHTI mson kjart
se SHPIRTI-SHEJT vjen jo vetëm prej ATIT por edhe prej BIRIT, mbasi
shpallë se SHPIRTI-SHEJT do t'i dërgohej prej BIRIT Apostujve të Tij.
Në pasazhin e (sh'Gonit (XVI, 14), JEZU-KRISHTI prap konfirmon se
SHPIRTI-SHEJT vjen edhe prej BIRIT, sepse tuej thanë se SHPIRTI-SHEJT ka
me marrë çka asht e Tija (e BIRIT), JEZU-KRISHTI shpreh njisoj se
SHPIRTI-SHEJT vjen prej Tij (BIRIT).
Në pasazhin e sh'Gjonit (XX, 22), JEZU-KRISHTI na mson se Aj Vetë asht shkaku efikas i proçesjonit të SHPIRTIT-SHEJT, mbasi asht vetë JEZU-KRISHTI që ia komunikon SHPIRTIN-SHEJT Apostujve, tuej frye mbi ta.
Ky konkluzion, pra që SHPIRTI-SHEJT vjen prej ATIT dhe prej BIRIT, bazohet mbi dogmen e Konsubstancialitetit të BIRIT me ATIN (ATI dhe BIRI kanë të njejten Substance/Esencë të përbashkët hyjnore), aprovue edhe në Konçilin Ekumenik të Nicesë (315 AD) dhe që recitohet në Simbolin e Fesë.
« UN dhe ATI Jem, Na jena NJI. » (sh'Gjoni 10, 30)
« UN jam në ATIN dhe ATI asht në MUE. » (sh'Gjoni 18, 10)
« Kjo shprehje ''ATI ka krijue botën përmes BIRIT'' nuk shpreh
imperfeksionin e fuqisë së ATIT; ajo nuk zvoglon as veprimin e BIRIT,
por ajo shpreh unitetin e vullnetit. Gjithashtu, shprehja ''e krijueme
përmes BIRIT'' nuk sulmon por dishmon shkakun fillestar. Përsëri, termi
''SHPIRTI-SHEJT vjen prej
ATIT përmes BIRIT'' nuk si qëllim as me përcaktue si imperfekte
proçesionin e ATIT e as me paraqitë si të dobët proçesionin e BIRIT, por
aj dishmon unitetin e vullnetit. Në kyt mnyrë, shprehja ''përmes
BIRIT'', nuk sulmon por konfirmon shkakun fillestar. » (shën Bazili i
Madh, « Sur l'ESPRIT-SAINT à Amphilioque », ch. VIII)
Në kyt
pasazh të njoftun që citova, shën Bazili nuk mjaftohet me afirmue
proçesionin e SHPIRTIT-SHEJT prej ATIT dhe prej BIRIT ; për ma tepër,
shejti e justifikon, tuej hjedhë poshtë objeksionet e ardhshme të
teologve grekë kundër ksaj dogme.
Shën Çirili i Aleksandrisë shprehet me të njejten preçizion :
''Και ἑχ Θεοῦ χατά φυσιν ὁ υἱός, γεγενται γαρ ἑχ του Θεοῦ χαι Πατρος,
ἴὸιον αὐτου τε χαι ἐν αὐτῳ χαι ἐξ αὐτου τπ πνευμα εστι, χαθαπερ ἀμελει
χαι εξ αυτου νοειται του Θεου χαι Πατρος.'' (Ibid.)
« BIRI i
Zotit, prej natyrës asht i Zotit, sepse ka lindë prej ATIT, dhe
SHPIRTI-SHEJT asht edhe i Tiji ; SHPIRTI-SHEJT asht në BIRIN dhe vjen
prej BIRIT, ashtu si e pranojmë se vjen edhe prej vetë ATIT. » (« Koment
mbi profetin Joël »)
Dishmija e masipërme e shën Çirilit
ka randsi deçizive në çeshtjen që trajtojmë, sepse asht shkëputë prej
letrës dogmatike të shën Çirilit kundër heretikut Nestor, letër që asht
lexue dhe aprovue prej tri Konçileve ekumenike, të njoftun si të tillë
edhe prej grekve : Konçili i Efezit (Akt. XIII) ; Konçili i Kalcedonisë
(Akt. LIII) dhe Konçili i II i Konstantinopojs
(Coll. V), që dishmojnë se e vërteta e Filioque-s (e proçesionit të
SHPIRTIT-SHEJT prej ATIT dhe prej BIRIT) ishte pjesë e besimit të tanë
kishës greke, ashtu si ishte edhe për kishen latine.
Shën Gregori i Nisës mson të njêjten doktrinë me kto fjalë :
« SHPIRTI-SHEJT vjen prej ATIT, dhe asht e vërtetueme se vjen edhe prej
BIRIT, sepse asht e shkrueme se aj që nuk ka Shpirtin e KRISHTIT nuk i
përket KRISHTIT. » (« Diskutim mbi lutjen e të dielës »).
Sh'Athanasi shprehet po me kto fjalë :
« SHPIRTI-SHEJT vjen prej ATIT dhe prej BIRIT; nuk asht bâ e as nuk
asht krijue prej ATIT dhe prej BIRIT ; nuk ka lindë por vjen prej ATIT
dhe prej BIRIT. » (« Dans l'Homologation de la Foi »)
Shën Gjon Gojarti (Krizostomi) mson të njêjten dogmë :
« JEZU-KRISHTI ka ardhë mes nesh; na ka dhanë Shpirtin që vjen prej
Tij, dhe ka marrë natyrën tonë. » (« Diskutim mbi Mishnimin e
JEZU-KRISHΤIT »)
Po shtoj edhe dishminë e shën Epifanit, që asht n'harmoni të plotë me Etnit grekë dhe latinë :
« Na duhet me besue se SHPIRTI-SHEJT vjen prej KRISHTIT, ose prej të
Dyve (prej ATIT dhe prej BIRIT), sepse JEZU-KRISHTI thotë ''që vjen prej
ATIT'' dhe ''SHPIRTI-SHEJT do të marrë nga çka asht e Imja. » (« αγχυρωτον »)
Τë shohim edhe disa shembuj prej liturgjisë orientale, e cila dishmon
edhe ajo mbi kyt të vërtetë fejet të msueme dhe besueme gjithkund në
boten e katolike, greke dhe latine.
Në hymnet që kjo kishë orientale këndon në lutjet e mjesit, në festen e Rrethpremjes, lexojmë :
« BIRI asht imazhi i ATIT, dhe SHPIRTI-SHEJT asht imazhi i BIRIT. » («
Vie de saint Denis l'Aréopagite », écrite par Siméon Métaphraste)
Në festen e shen Denis Areopagjitit, që kisha orientale e feston me 3 Tetor, lexojmë kto fjalë mbi jeten e shêjtit :
« Dhe JEZU-KRISHTI jem hyp në Qiell, për me u kthye në Fronin Atnor,
dhe u nisë Apostujve të Tij, për me i drejtue në konvertimin e popujve
t'pafé, SHPIRTIN-SHEJT që vjen prej Tij (JEZU-KRISHTIT). » (« Hymn i kënduar në lutjet e mjesit », për festen e Rrethpremjes)
Në nji hymn që kisha orientale i këndon SHPIRTIT-SHEJT, të Enjten mbas festës së Rrëshajve (Uljes së SHPIRTIT-SHEJT mbi T.Sh. Virgjinën MARI dhe Apostujt), lexojmë :
« SHPIRTI-SHEJT njihet se asht Zot, mbasi ka të njêjten Natyrë dhe asht
i ulun mbi të njêjtin Fron me ATIN dhe me BIRIN; dritë tejet perfekte
që vjen prej ATIT të përjetshëm dhe perfekt dhe përmes BIRIT. T'I
drejtojmë lutjet tona : O Paraklet (Ngushllues) gjallnues, denjoni me i
dhanë popullit Tuej Paqen ! »
Si konkluzion të argumentimit
t'masipërm, akuzat blasfemuese të kishave fotiane (t'vetquejtuna
orthodhokse) kundër Selisë-Shejte dhe Kishës Katolike Romake se gjoja
SHPIRTI-SHEJT vjen (rrjedh, buron) VETEM prej ATIT, dhe se msimi i
Kishës së Romës mbi Doktrinën e Filioque-s qenka heretik, nuk kanë asnji
bazë ungjillore apo teologjike, asnji bazë apostolike; përkundrazi, me
msimin e tyne heretik kundër Unjillit dhe Traditës apostolike, janë vetë
kishat greko-lindore dhe sllave ato që vetndahen prej Unjillit,
Traditës apostolike, e për rrjedhojë edhe prej vetë JEZU-KRISHTIT e
Kishës së Tij katolike; kto akuza të pavërteta, krahas paragjykimeve të
tjera po aq të rreme kundër Papatit dhe latinve në përgjithsi, i mbajnë
larg Burimit të jetës kto kisha shizmatike. Shkaqet e vërteta të ndamjes
së ktyne kishave disidente prej Kishës Katolike të JEZU-KRISHTIT,
jashtë të cilës nuk ka shëlbim, duhen kërkue në prapaskenat dhe intrigat
e mjera politike.
Nana e Hyjit, tejet Shejtja Virgjina
MARI, i ndriçoftë dhe i drejtoft kishat shizmatike drejt pendesës dhe
ribashkimit me Kishën hyjnore Katolike të Birit të Saj hyjnor, Zotit
tonë JEZU-KRISHTIT, i Cili me ATIN dhe me SHPIRTIN-SHEJT, jeton e mbretnon për shekuj të shekujve. Amen.