Shna Ndou i Padóvës,
"Arka e Testamentit" dhe "Çekani i heretikve"
Fréskoja mâ reale dhe mâ e vjetra që njihet prej shêjtit,
e realizueme prej artistit fjorentin Giotto (1266-1337)
Gjithmonë
prezent dhe i gjallë në Kishen Katolike, në shekullin
e XIII-t, Shpirti i Rrëshajës nxori në arenë
bijtë e sh'Domenikut dhe të sh'Françeskut. Kjo
ushtrí e re, e organizueme për nevoja të reja, u
hodh në luftë kundër herezive e véseve, tuej u
përzie me popullin që, në turma, angazhóheshin
në Urdhnat tercjàre, streha e sigurtë e jetës
s'Krishtênë. Prej tanë bijve të Patriarkut
t'Asizit, mâ i njoftuni dhe mâ i fuqishmi para njerzve
dhe para Zotit âsht shna Ndou, festen e t'cillit celebrojmë
sod. (Dom Guéranger,"Année liturgique", 13
juin).
Shna
Ndou u lind në Lisbonë të Portugalisë me 15 Gusht
të vjetit 1195, Diten e Festës së Ngritjes së
Zojes Bekueme në Qiell. I lindun në nji familje fisnike,
kah i ati Martin Bouillon, shêjti, që në Pagzim mori
emnin Ferdinand, ishte pjestar i familjes së famshme të
Godefroy de Bouillon, dukës së Lorenës (Francë)
dhe Mbretit të parë të Jeruzalemit, në kohen e
triumfit të Kryqzatave shêjte.
I
mbushun me SHPIRTIN-SHEJT, që transformoi Apostujt, shna Ndou
përbuzi tana pasunitë e botës dhe u fut në
ushtrinë fetare, për me luftue për çâshtjen
e Fesë Katolike dhe për me kênë gadi për
Diten e Zotit. Në fillim u angazhue në Udhnin e
sh'Agustinit për me kalue mâ vonë në Urdhnin e
sh'Françeskut, i frymzuem prej martirizimit të 5
Françeskàjve n'Marok të Afrikës, ku kishin
shkue me unjillzue Fenê e vetme hyjnore : Fene Katolike. Prej
zellit të Fesë Katolike dhe konvertimit të t'pafeve,
shna Ndou pati dishiren e flaktë me predikue dhe konvertue ato
vende afrikane që lëngojshin nën thundren islame, tuej
ândrrue palmen e martirit, por Hyji e kishte rezervue për
të tjera beteja.
Shkenca
e tij hyjnore e jashtzakonshme, virtytet e tija heroike e sidomos
përvujtnija, virgjiniteti, dashtnija e tij për Zotin dhe
për të afërmin, elokuenca e tij e parrezistueshme,
dhuntíja e g'juhve t'hueja, pendesët e tija t'ashpra dhe
t'vazhdueshme, të ban me mendue se SHPIRTI-SHEJT kjé ûl
mbi shna Ndoun, njashtu si kjé ûl mbi Apostujt, Diten e
Rrëshajës. Ksaj jete shêjte, Hyji i bashkoi edhe
dhuntinë e mrekullive, me t'cillat jeta e ktij shêjti
t'madh ishte e mbushun plot : sherimi i shurdh-memècve, i
t'paralizuemve, i leprózve, i t'verbuemve, ngjallja e
t'dekunve, shporrja e djajve ishin vetëm disa prej mrekullive që
Zoti bani përmes ktij shêjti t'jashtzakonshëm.
Papa
Gregori IX e ka quejtë shna Ndoun "Arka e Testamentit",
për arsye të njohjes dhe mjeshtrisë së tij të
madhe për me shpjegue dhe aplikue msimet hyjnore të
Shkrimeve Shêjte; Si nji Arkë, aj lëvizte, prej nji
vendi në tjetrin, ligjin dhe gjithëpushtetshmënínë
e Zotit, që i nepte ligjit nji autoritet të
pakundërshtueshëm; Për shna Ndoun, ashtû si për
Apostujt e parë, mundena me thanë se Hyjit i kishte pëlqye
me aprovue të vërtetën e fjalve hirplote, që
delshin prej gojës së tij, me shêja hyjnore e
mrekullina : "Testimonium perhibente Verbo gratiae suae, dante
signa et prodigia fieri per manus eorum".
E
çfarë buqètet e shkëlqyeshme mrekullinash !
Asgjâ nuk i mungonte : shpirti profetik, shikimi në
distancë, penetrimi i zemrave, bilokacjoni (t'kénunit
njikohsisht në dy vende të ndryshme), ekstaza shpirtnore,
fuqija mbi elementat natyrore, mbi kafshët dhe mbi djajt,
shumími i sendeve, sherimi i sëmundjeve dhe i paralizave,
ngjallja e t'dekunve. Vetë fjala e Apostullit portugez ishte nji
mrekullí : aj kishte dhuntinë me folë g'juhë të
hueja që nuk i kishte msue përpara, dhe zâni i tij
predikues mundej me u ndig'jue në distanca të atilla ku
normalisht asnji zâ njerzor nuk mundej me mbrritë.
Nuk
ka fjalë njerzore me përshkrue hiret dhe favoret që
Hyjit i pat pëlqye me vue në kyt shpirt të madh, në
nji moment kritik të historisë njerzore, për me luftue
herezinë dhe ringjallë Fenë Katolike në popuj.
Në
shkrimin e mâposhtëm, me ndihmen e Zotit e t'Mbretneshës
t'Lavdishme ("Gloriosa Domina"), ashtû si e thirrte
shêjti Nânen e tenZot, do t'mundohem me ju prue disa
fragmente prej jetës së shêjtit padovan.
Mjerisht,
në viset tona, në shumë raste, Doktori i Kishës,
shna Ndou i Padóvës, shpesh konsiderohet gabimisht si nji
djalosh naiv që, në mâ t'shumten e herëve, lutet
vetëm me bâ ndera, pa dallim e pa kriter, tuej harrue
shpirtin e tij luftarak për me mbrojtë Fenë e vetme
hyjnore, Fenë Katolike, kundër anmiqve të Fesë,
që shpesh i ndiqte me mallkime e kërcënime. Para
s'gjithash, nuk duhet harrue me i lypë shêjtit nderen mâ
t'madhe e mâ t'randsishme : nji Fé të gjallë,
të zjarrtë, katolike e integrale, pa të cillen nuk
mundena me hye në Parriz (Sh'Pali drejtue Hebrejve 11:6). Kyt
virtyt teologal shêjti e praktikoi në mnyrë heroike,
tuej meritue titullin e naltë Doktor i Kishës Katolike dhe
epitetin "Çekani i heretikve", për zellin e tij
të flaktë apostolik, elokuencen e tij të mahnitshme
dhe shkencen e tij t'jashtzakonshme me zbulue, demaskue e konvertue
heretikët dhe anmiqtë e Fesë Katolike.
Kjo
sjellje e shna Ndout âsht në kundërshtim të
plotë me doktrinen apostate ekumeniste të lirisë
fetare të ndërgjegjes, kyt helm shpirtnuer mortal që
pushtuesit e Vatikanit dhe të dioçezave nuk prajnë
s'përhapunit tash afro 50 vjet. Kta pushtuesa mashtrojnë
tuej rrêjtë se Kisha Katolike tash nuk paska mâ
anmiq të fesë, se sejcilli paska të drejten me besue
simbas ndërgjegjes personale dhe se shêjtnit e dikurshëm
paskan predikue për kohen e vet e se tashti jetókena
kohna të tjera dhe u dàshka me iu përshtatë
botës së sotme. Ata veprojnë kshtû pa u bazue në
asnji referencë të Magjisterit të pagabueshëm të
Kishës Katolike të kohës së Papës Piut XII
dhe t'parardhsve të tij, a thue se Kisha Katolike paska lindë
mbas Pseudo-konçilit të II të Vatikanit dhe a thue
se nuk kèka po Aj SHPIRT-SHEJT i pandryshueshëm që
KRISHTI ZOT ia ka çue Kishës së Tij me e gjallnue e
drejtue vazhdimisht deri në fundin e botës.
Kta
mashtruesa nuk e dijnë ose nuk dojnë me e dijtë, me
nji injorancë që i ban edhe mâ shumë fajtor, se
Zoti nuk ndryshon me kalimin e kohës, se Feja Katolike âsht
nji zbulim hyjnor që nuk ndryshon me kohen dhe se Kisha Katolike
ka dënue dhe dënon gjithmonë me mallkim ata që
mendojnë ndryshej dhe që guxojnë me mbivendosë,
me nji akt sakrilegj, opinjonet e tyne njerzore mbi Fjalen e
përjetshme të Zotit, që na âsht komunikue përmes
Shkrimeve Shejte dhe Tradites Katolike. (Për ma shumë
detaje, lexuesi mundet me konsultue serinë e Replikave katolike
kundër konçiljarve në blogun :
http://nenaekeshillittemire.blogspot.com/)
Bota
e sotme moderne, përherë e mâ shumë ateiste, pré
e konflikteve t'armatosuna e vllavrasëse, ka nevojë mâ
shumë se kurrë për devocjonin e shêjtit të
madh padovan, i cilli afër Fronit të Zotit e t'Zojes
t'Lavdishme në Qiell, vazhdon me përkushtim, edhe sod,
misjonin e tij bamirës mbi tokë, me shêja e
mrekullina të reja, për ata shpirtna të mirë që
dijnë me e lutë dhe me e nderue, ashtu si ka msue e mson
gjithmonë Kisha Katolike.
Judeo-masoneríja,
që ka pushtue boten mbarë, po përpiqet me realizue
ândrren e saj shekullore të krijimit të nji Rendi të
Ri Botnuer, që synon me eliminue çdo gjurmë të
Fesë Katolike, për me i përgaditë popujve nji
t'ardhme ku arsyeja dhe pseudo-shkenca të zëvendsojnë
Fenë Katolike dhe ku imoraliteti dhe çdo lloj mkatit të
bahen nji praktikë e zakonshme që të zëvendsojë
të moralshmen dhe virtytet.
Kundër
ktyne çrregullimeve të randa shoqnore, shna Ndou ka nji
misjon socjal të veçantë me krye : me triumfue
kundër judeo-masonerisë, si luftoi dhe triumfoi dikur
kundër herezisë Albigjenze, Kathare, e herezive të
tjera të asaj kohe; pretendimet e çmenduna të
pseudo-shkencës së sotme ateiste, shna Ndou i lufton me
fuqinë e t'mbinatyrshmes, që manifestohet me anen e
mrekullive; veseve dhe korruptimit të shekullit, shfrenimit të
kurvnisë dhe krenarisë së jetës moderne, shna
Ndou i predikon ilaçin e përvujtnisë, të
mortifikimit dhe të pendesës, si kusht shelbimit; s'fundmi,
shêjti vjen me na dhanë zgidhjen mâ praktike të
çâshtjes së sotme socjale, tuej i shtye t'pasunit
drejt lëmoshës, nëpërmjet hireve e nderave që
janë shpërblimi për ata që dijnë me hapë
nji dorë bujare në doren e t'vorfnit.
Fuqija
e jashtzakonshme që Hyji, me ndërmjetsí të
Nânës së Tij hyjnore e Nanës tonë, i ka
dhanë ktij shêjti të madh dhe shêjat e dukshme
e të prekshme të ksaj fuqije t'mbinatyrshme dishmojnë
për kyt misjon shêjt që shna Ndou po kryen dhe në
t'cillin aj na fton edhe ne me marrë pjesë me pendesët,
lutjet, praktiken e përditshme të virtyteve e sidomos të
Fesë Katolike, në imitim të praktikës heroike te
Fesë Katolike dhe virtyteve të tjera që shêjti i
mrekullive i praktikoi qysh në fëminínë e tij
të hershme, për me lanë gjurmë të
paharrueshme e mbreslànse te bashkohsit e vet dhe te breznítë
e ardhshme.
Mbas
largimit prej Kuvendit të Fretënve të sh'Agustinit në
Koimbra të Portugalisë, ku shna Ndou ndêj afro 2
vjet, fretnit do t'shpreheshin :
«
Ishte padyshim nji njiri i veçantë, i dijshëm dhe i
devoçëm, me nji shkencë t'jashtzakonshme dhe me nji
lavdí t'meritueme që e ndjekte gjithkund. »
(Azevedo, "Vita di S. Antonio", lib. 1, cap. 2)
Teologu
mâ i njoftun i kohës, që e kishte njoftë shêjtin
personalisht, abati Thomas Gallo do të shprehej kshtu mbi shna
Ndoun :
«
Shpesh, dashtnija penetron aty ku ndalet shkenca natyrore. Vetë
e kam pâ kyt gjâ në personen e t'lumit Anton, të
Urdhnit të Fretënve të Vegjël (Françeskajve).
Të tjerë ishin mâ të dijshëm se aj në
shkencat profane, por i lumi nuk kishte rival në pjesët e
ndryshme të teologjisë mistike. Njiri me të vërtetë
i jashtzakonshëm, me zemër t'pastër dhe t'mbushun me
dashtní, për të cillin mundena me thanë si
dikur për sh'Gjon Pagzuesin : Ishte nji llampë e zjarrtë
dhe e ndriçme. Përmbrenda, ky njiri i Zotit digjej
dashtnijet për Hyjin dhe për t'afërmin, për
dashtni për Hyjin, kurse prej jashtë, aj lëshote
flakët e zjarrta të nji zêlli engjellor. »
Në
fakt, qysh në moshen 5 vjeçare, shna Ndou bani betimin e
ruejtjes së virgjinitetit dhe e vulosi kyt betim me nji kryq të
vogël, të gdhendun në mnyrë të mrekullueshme
mbi nji gur të Kishës së Zojës së Pilarit në
Lisbonë; gjurmët e ksaj mrekullije të parë kanë
mbetë, qysh atherë, si nji dishmi shêjtníjet
dhe shembull imitimit. Shna Ndou kjé nji zambak i gjallë,
i kushtuem totalisht kultit të Virgjinës MARI, që
shêjti e thirrte me dashtni "Mbretneshë e lavdishme"
("Gloriosa Domina") dhe triumfues i botës, të
cillen shna Ndou e kishte braktisë qysh në fillim me kto
fjalë : "O botë !, nuk mundem me t'durue mâ !
forca jote âsht ajo e nji kallami t'brishtë; pasunitë
tueja janë veç nji tym i kotë dhe knaqsitë
tueja janë veç nji shkamb nën ujë, ku fundosen
virtytet" (Jean de Pécham, p. 1, kap. 2)
Shna
Ndou âsht quejtë me të drejtë prej bashkohësve
të tij si ati i teologjisë mistike; e në fakt, para
tij kërkush nuk e kishte msue kyt shkencë hyjnore në
Urdhnin Françeskan; Por Hyji e kishte thirrë shêjtin
në nji vokacjon mâ t'nâltë dhe e bàni
até nji apostull të mrekullueshëm. Aj kishte tana
cilsitë e duhuna të oratorit : Kajherë ishte nji rrëké
që bijte ujnat e tija qetsisht nëpër lugina; kajherë
ishte nji prrue i furishëm që u ulte prej maleve dhe merrte
me vedi gjithshka që gjète përpara; por mbi
t'gjitha, aj kishte shpirtin e misjonarit, ku dhëmbshuníja
e dashtnisë kontrollohej prej fuqisë së zêllit.
Shkenca e Shkrimeve Shêjte i dha atij nji njohje të thellë
të zemrës, plagve e vuejtjeve njerzore, e tuej marrë
me duert plot prej thesarit të hireve hyjnore, shêjti
dijte ku me gjetë zgidhjen.
Nji
autor i vjetër shkruen se kur At Antoni vijte me predikue, tana
punët ndaleshin menjiherë, si për ditë të
Diele : gjyqtarët, avoketnit, tregtarët lejshin punën
me shkue me e ndie; turmat vijshin prej qyteteve e fshatnave; gratë
mâ aristokrate nuk pritojshin me u çue për natë,
dhe nën driten e pishtarve niseshin me xanë nji vend sa mâ
afër vendit ku kishte me predikue shêjti. Me kyt rast
faleshin ngatrresat, borxhlitë liroheshin, burgjet hapeshin,
hajdutat kthejshin mallin e vjedhun, mkatnorët konvertoheshin,
heretikët mohójshin gabimet e tyne dhe t'pafetë
merrshin driten e Unjillit. E n'mesin e mija njerzve që
rrethojshin At Antonin, nuk ndihej as zhurma mâ e vogël.
S'fundmi, kishat mbusheshin aq plot dhe Sakramendet frekuentoheshin
n'at masë saqë meshtarët e pranishëm nuk mujshin
me përballue ngarkesen; dhe ishte i lumë aj që mujte
me u afrue, sa me puthë ose, s'pakut, sa me prekë zhgùnin
e shêjtit ose me ndigjue personalisht nji fjalë prej
gojës'tij t'bekueme (Lelio Mancini Poliziano, "Relazioni di
S. Antonio di Padova", p. 22).
Tuej
folë mbi apostujt, në nji sermon, shna Ndou bân
portretin e vet :
«
Apostujt, - mson shêjti -, quhen miqtë e Zotit për
tri arsye : 1. sepse shpirti dhe vullndeti i tyne ishin plotsisht
konform me Até të Hyjit; 2. sepse JEZU-KRISHTI u besoi
sekretet e Tija mâ intime; 3. dhe sepse ata braktisen gjithshka
me ndjek Shelbuesin, i Cilli, nga ana e Tij, u dhà tana
t'mirat shpirtnore. JEZU-KRISHTI i nderoi Apostujt, tuej i bâ
pjesmarrës të Pasjonit dhe vuejtjeve të Tija. Të
tanë ata pîne kupen e Shelbuesit dhe paten lavdinë me
mbajtë vazhdimisht e kudo armët dhe flamurin e Mjeshtrit të
tyne... Armët e JEZU-KRISHTIT, - thotë prapë shêjti
-, janë vorfníja, përvujtníja dhe
mortifikacjóni; me kta armë Shelbuesi jonë ka
nënshtrue anmiqtë e Tij dhe tonët : Shelbuesi ka
triumfue mbi boten me anen e vorfnísë; mbi djallin, me
anen e përvujtnísë dhe mbi naturen e plagosun
njerzore, me anen e mortifikacjónit. Apostujt kanë ndjek
me besnikní hapat e Zotit-Njiri... I gjithë misjoni i
tyne ka konsistue me predikue fjalen e Zotit, me ndihmue t'afërmin,
me zhdukë veset n'popull dhe me u marrë me meditim e lutje.
Apostujt vetë lëvdoheshin se kishin braktisë
gjithshka. Në të vërtetë, ata làne boten
mkatin dhe vedin. Me braktisë mkatin âsht puna e
fillestarve, me braktisë boten âsht puna e përparuesve
dhe me lànë vedin, âsht me u bâ perfekt. »
(Loth, "Vie, gloires et merveilles de saint Antoine de Padoue",
fq. 48-49)
Por
çfarë idejet kishte shna Ndou mbi predikuesin e fjalës
së Zotit, kur aj vetë, orator engjëllor, me nji fuqi
hyjnore, dijte me mahnitë turmat ? Ta ndig'jojmë në
nji prej sermoneve të tija, ku shêjti na kshillon në
teori até shka aj vetë e ushtronte përditë në
jeten e tij shêjte :
«
Asht e nevojshme që predikuesi të jetojë nji jetë
krejt qiellore; bisedat e tija duhen me u marrë vetëm me
gjana shêjte dhe tana përpjekjet e tija duhen me synue
konvertimin e mkatnorvet, me anen e nji drùejtjeje të
shndetshme, tuej inkurajue të drejtit dhe tuej lehtsue çdo
lloj mjerimit... Predikuesi duhet me pasë nji përvujtní
t'pashoqe dhe kontemplacjóni duhet me kênë gazmêndi
i tij.
«
Nji predikues i vërtetë âsht Profeti Elia që
njít malin e Karmelit, për me mbrritë deri n'maje,
që don me thanë, deri në shkallen mâ të
nâltë të perfekcjonit. Atje, aj mson me u zhdeshë,
nëpërmjet nji rrethprèmjeje misterjoze, prej çdo
gjâjet të kotë dhe të tepërt. I mbuluem me
turp e konfuzjon, si rezulat i njohjes së vetvedit, aj përkulet
përvujtnisht, në shêj të vuejtjes së madhe
që i shkakton kujtimi i poshtërsive të jetës së
tij.
«
Elia i tha shërbtorit t'vet : "Shko e shif detin."
«
Ky shërbtuer âsht prapë predikuesi që nuk din mâ
se si me e pastrue zemren e tij, sepse i duhet, në nji farë
mnyret, me fiksue pa pushim shikimin e tij mbi korrupsjonin e botës,
në mnyrë që me e njoftë dhe mandej me e luftue.
«
Nji predikues, - thotë shna Ndou -, âsht i biri i
Zakarisë, që don me thanë, i mendimit të Zotit;
aj duhet me gdhendë në memorjen e tij kujtimin e Pasjonit
të JEZU-KRISHTIT, për me e kujtue në naten e tundimeve
dhe me u çue me té në nàden e mbarsisë.
N'kjoft se vepron kshtû, aj ka me ndie fjalen e Zotit tuej u ûl
në shpirtin e tij, at fjalë të paqes dhe të
jetës, të hirit dhe të vërtetës. »
(Idem, fq. 53)
Mbi
mrekullinë e parë të shêjtit, biografitë e
hershme diftojnë se kur Ferdinandi 5 vjeçar po i
konsakronte virgjinitetin e tij Virgjinës së Papërlyeme,
ndërsa po lutej mbi shkallët e altarit, shpirti i errsinës
iu duk me nji formë të frikshme e kërcenuese.
Ferdinandi i vogël u habit por nuk u mund dhe menjiherë me
gishtin e tij të vogël gdhendi mbi gur nji kryq të
vogël, Shêjen tonë të Shelbimit, që e
detyroi djallin me u largue. Kjo ishte mrekullija e parë dhe
fitorja e parë e shêjtit kundër t'mallkuemit.
Me
i përshkrue tana mrekullitë e shna Ndout nji volum i tanë
ndoshta nuk kishte me mjaftue, por po bie disa prej tyne.
Nji
mjes kur shna Ndou po predikonte si zakonisht në Kishen e
Verséjit (Verceil), auditori u trondit prej britmave dhe
gjamës që po vijshin prej njênës prej kapelave
ansore të bazilikës, ku kishin prue arkivolin e nji djali
të ri të vdekun dhe ku po zhvillohej ceremoníja
mortore. Prindët e djalit ishin të pangushëllueshëm...
Shna Ndou, zemra e dashtun e t'cillit mëshironte tana vuejtjet
njerzore, u prek prej ksaj gjâme. Ndali sermonin, dhe aty ky
ishte, me duert e mbledhuna në nji gjest lutjet, mblodhi vedin
në meditim, për disa momente, dhe dukej se po kërkonte
nji favor prej Qiellit. Papritmas, shtrin krahun e djathtë drejt
vendit ku prehej arkivoli dhe me nji zâ autoritar bërtet :
"Në emen të KRISHTIT, djalë, çoju !"
Menjiherë, arkivoli hapet dhe i dekuni i njallun çohet në
kambë, tuej hjek prej trupit çarçafin që e
mbulonte.
Kah
fundi i vjetit 1224, shna Ndou u dërgue në Montpeljé
(Montpellier) të Francës me nji apostolat të dyfishtë
: me dhanë msime teologjijet dhe me predikue në popull. I
thjeshtë dhe modest, shêjti u nis menjiherë dhe gjatë
periudhës që ndêj n'Kuvendin e Montpeljés, aj
shkroi komentet biblike mbi Librin e Psalmeve, nji prej veprave mâ
t'devoçme dhe erudite mbi kyt pjesë të Bibles
Shêjte; ishte si nji lloj përmbledhjet teologjike, nji
monument shkencet, devocjonit dhe dashtnijet, prej ku reflektónte
shpirti i tij i parfumosun me virtyte. Megjithë modestinë e
tij, shna Ndou e dijte vleren e veprës, e cilla ishte fryti i
disa viteve të gjata punet dhe meditimesh shêjte.
Nji
ditë ky dorshkrim u zhduk. Nji rishtàr françeskan
kishte vendosë me braktisë kuvendin dhe, tuej ikë,
kishte marrë me vedi edhe dorshkrimin. Kjo hupje kje nji
surprizë dhe nji vuejtje njikohsisht për shejtin, që
iu lut me gjithë zemër Hyjit me e gjetë thesarin e
hupun. Rishtàri ishte largue ndërkohë prej kuvendit
dhe, n'rrugë e sipër, kur po bahej gadi me kalue nji lum,
nji bishë e egër i pret rrugen dhe, tuej i folë me zâ
njirit, e urdhnon me kthye menjiherë n'Kuvend sendin e vjedhun.
Rreshtàri, sa prej frigës e sa prej habisë së
madhe, kthehet me vrap në Kuvend, ku takon shna Ndoun, të
cillit i kërkon falje, i kthen dorshkrimin dhe vendos me vazhdue
jeten shêjte françeskane. Shêjti e fal dhe i falet
nderës Hyjit për Providencën e Tij hyjnore. Prandaj
âsht traditë e hershme me lutë shna Ndoun për
gjetjen e sendeve t'hupuna.
Afër
Kuvendit të Montpeljèsë gjindej nji pellg mbushë
me bretkoca, kuakjet e t'cillave lodhshin e bezdisshin fretnit dhe
pengojshin studimin dhe lutjen në Kuvend. Shna Ndout, tuej i
ardhë keq për vllâznit e tij, u nis, nji ditë,
drejt pellgut dhe prej bregut i urdhnoi bretkocat llapazàne me
pushue, tuej u thanë se po merzitshin fretnit e Kuvendit. Prej
asaj ditet, bretkocat nuk bzâne mâ dhe qetsija mâ e
madhe mbretnoi n'Kuvend. Shihet pra, se si sh'Françesku i
Asizit, shêjti i Padóvës kishte pushtet edhe mbi
kafshët.
Në
vjetin 1225, shna Ndou po predikonte në Katedralen e
Montpeljèsë, diten e madhe të Pashkës, përballë
nji asambleje t'madhe besimtarësh. Papritun, iu kujtue se n'at
orë, simbas rregullave të Urdhnit françeskan, i
duhej me kênë bashkë me fretnit e tij n'Kuvend për
me me fillue nji lutje liturgjike. I trazuem prej mendimit se nuk
ishte në vendin e tij dhe se kishte harrue me caktue diké
tjetër me e zëvendsue, shêjti ndal menjiherë
sermonin, mbulon kryet me kapuçin e zhgùnit dhe ulet në
gjuj për disa çaste, përpara besimtarve, pa lëviz
e pa folë. Dishmitarë të sigurtë diftojnë se
po n'at moment, kur shna Ndou ishte gjujzue në Katedrale para
besimtarve, po n'at moment, shna Ndou po fillote lutjen liturgjike me
vllâznit e tij në Kuvend. Zoti kishte lejue kyt mrekulli
të bilokacjonit për me manifestue forcen e shërbtorit
të Tij, ashtû si kishte veprue edhe për sh'Ambrozin
dhe sh'Françeskun e Asizit.
Shkenca
e sotme moderne, në revoltë kundër t'mbinatyrshmes,
qesh me përbuzje para ktyne mrekullive, që nuk munden me u
shpjegue ndryshej veçse prej fuqisë së
gjithpushtetshme të Zotit. Në krenarinë e saj të
marrë, ajo nuk mundet me shpjegue thelbsisht asnji mister të
natyrës; ajo i demonstron fenomenet por nuk i shpjegon kurrë.
A ka mujt me na thanë ndonjiherë shkenca se si nji farë
e vogël që mbídhet n'tokë shndrrohet, mâ
vonë, në nji pemë madhshtore ? E pazója me
dhanë jetë, ajo âsht e pafuqishme me penetrue
misteret; ajo mundet me i observue manifestimet e jetës, me i
analizue, me formulue ligje bazue në vrojtimet dhe eksperjencat
e kalueme, por ajo nuk mundet kurrë me njoftë thelbin e
gjànave. E detyrueme me i ul armët para prezencës së
mrekullive që ia prishin kalkulimet dhe ia shkatrrojnë
hipotezat, shkenca e sotme preferon mâ mirë me mohue
evidencen e mrekullive sesa me pranue t'mbinatyrshmen.
Nji
noter i qytetit të Pùjit (Puy) në Francë, me
nji karakter të vrullshëm dhe të pamoralshëm,
jetonte publikisht nji jete skandaloze. Por kjo gjâ nuk e
pengonte shna Ndoun me u përûl me respekt para tij sa herë
që e takonte. Ky shêj respektit nuk i pëlqente hiç
noterit sepse e merrte si tallje. Nji ditë, shna Ndou e takon
prapë noterin, por kyt herë respekti që i nep kalon
kufijtë e normales : shêjti e përshendet me nji
g'jujzim. Tuej mos durue mâ, noteri i bërtet : "Ça
âsht kjo komedi ? Mos t'kisha pasë frigen e Zotit, njitèsh
t'kisha therë me shpaten teme"; - Vlla i jem, i përgjigjet
me qetsi shna Ndou, gjithmonë kam dishirue me dekë martir i
Fesë. Ky hir m'âsht refuzue prej Hyjit por ju âsht
dhanë jue. Kur t'jeni tuej dhanë jeten për
JEZU-KRISHTIN, ju lutem m'kujtoni." Ky parashikim i çuditshëm
u prit me t'qeshuna t'mëdhaja prej njerzve t'pranishëm dhe
noteri u largue prej shêjtit, tuej e konsiderue si të
marrë. Por profecija e shna Ndout u realizue pikë për
pikë. Mbas pak vitesh, ipeshkvi i Pùjit, Shtjefni III, i
ndezun flakë prej zellit me konvertue t'pafetë, niset për
në Token Shêjte, i shoqnuem prej nji grupi pelegrinësh,
mes t'cillve ishte edhe noteri i Pùjit, i cilli i prekun
papritmas prej hirit t'Zotit kishte shitë tanë pasuninë
e vet dhe kishte ndjek ipeshkvin. Me t'mbrritë në Lindje,
noteri i shndrruem në apostull të guximshëm predikon
Fenë e vetme hyjnore, Fenë Katolike dhe quen Mohamedin
mashtrues e bir te djallit. Guximi i tij nuk kapërdihet prej
muslimanve që mbasi e kapin, për tre ditë, e
turturojnë në mnyren mâ barbare. Përpara se me
dhanë jeten e tij për JEZU-KRISHTIN, noterit i kujtohet
profecija e shna Ndout dhe ia difton atyne që ishin prezent në
ato momente.
Nji
herë kur shna Ndou po nepte msime fetare, në kishë hin
nji i marrë dhe me britmat dhe sjelljen e tij ekstravagante
fillon me i bezdisë besimtarët. Shêjti e shef dhe e
thrret, tuej i kërkue t'marrit me prek cepin e konópit me
t'cillin lidhte zhgùnin e vet modest. Fill mbasi prek konopin,
i màrri fiton qetsinë dhe arsyen. E habitun dhe e prekun
prej ktij sherimi t'menjihershëm, asambleja falenderon Hyjin për
fuqinë që i kishte dhanë shêjtit të Tij.
Nji
ditë, kur shna Ndou kishte planifikue me predikue jashtë
qytetit, nji zojë e devoçme, t'cillës i pëlqente
me ndigjue predikimet e shêjtit, bahet gadi me u nisë për
n'predikim por i shoqi nuk e lèn. E frymzueme paprimtas, zoja
del në tarracen e shpisë dhe, e mërzitun, hjedh
shikimin drejt vendit ku shêjti kishte me predikue, rreth 2 km
larg. Nuk kalojnë veç pak çaste kur zoja, e
habitun jashtë maset, fillon me ndigjue kjartë zânin
e shna Ndout që po predikonte. I shoqi, tuej e pâ gruen e
vet ashtû t'palëvizun mbi tarracë, tuej pâ
larg, i kërkon me hî mbrendë se e presin punët e
shpisë, por grueja i përgjigjet se âsht tuej ndie
sermonin e Antonit. I shoqi qesh me mosbesim, por mandej fillon me
dyshue në vërtetsínë e fjalve të grues. Me
gjysë besimit del edhe aj në tarracë dhe nuk ka kufij
habia e tij kur ndigjon kjartë zânin shêjt të
predikuesit.
Në
Konçilin kombtar të Bùrzhit (Bourges), nën
presidencën e t'dërguemit të Selisë Shêjte,
i mbledhun për me gjetë mnyrat e paqtimit mes Rajmondit VII
dhe Amaurit të Montfortit, si dhe me organizue shtypjen e
revoltave të herezisë albigjenze, oratori mâ i
famshëm u thirr me mbajtë fjalen e hapjes. Ky ishte nji
rast ku shna Ndou i diftoi të tanve se e vërteta katolike
nuk mundet kurrë me u sakrifikue për asnji arsye dhe nuk
pati frigë, edhe në nji mbledhje kaq solemne, siç
ishte Konçili kombtar, me sulmue barinjtë e pabesë,
të cillët kishin tradhtue vokacjonin e marrun prej Zotit
dhe i kishin dorzue delet e tyne furisë së ujqve
grabitqarë. Njêni prej ktyne tradhtarve ishte arqipeshkvi
i Bùrzhit, Simoni i Sujísë (Simon de Sully), që
me sjelljen e tij favorizonte herezinë. I pushtuem papritun prej
nji frymzimi ndriçues, shna Ndou, që kishte dhuntinë
prej Zotit me lexue në shpirtnat e njerzve, tuej argumentue
mrekullueshëm prej Shkrimeve Shêjte, fillon me folë
ashpër kundër arqipeshkvit që po tradhtonte çâshtjen
e Kishës. Fjalët e shêjtit bijshin si mallkime mbi
kryet e arqipeshkvit të padêjë. Mbas mbylljes së
punimeve të Konçilit, arqipeshkvi, me përvujtni,
shkon dhe i kërkon të falun shna Ndout, tuej i premtue me
bâ pendesë. Prej asaj kohet, arqipeshkvi kjé nji
mbrojtës i guximshëm i Fesë Katolike dhe i Kishës
së JEZU-KRISHTIT.
Kur
predikonte shna Ndou, kishat nuk mjaftojshin prej turmave të
mëdhaja të besimtarve, e atherë shêjti u
detyronte me predikue jashtë, nën qiellin e hapun. Nji
ditë, shêjti po unjillzonte màje nji kodret kur
qielli filloi me u errsue dhe bubullimat e vetëtimat
paralajmrojshin afrimin e stuhisë. Njerzit e friksuem filluen me
u bâ gadi me u largue, për me gjetë ndonji strehë
mbrojtse, por shna Ndou i ndaloi tuej u thanë : "Mos u
friksoni, rríni n'vendet tueja sepse asnji pikë shiut nuk
ka me râ mbi jue". Tuej xanë besë në fjalen
e shêjtit, besimtarët ndejtën dhe, ashtû si tha
shna Ndou, ndërsa rreth tyne shiu u derdhte me furí, mbi
ta nuk ra asnji pikë.
Shna
Ndou ishte në Brivë (Francë), kur fretnit, mbasi
kishin mbarue s'knduemit s'bashkut lutjen e mbramjes dhe kur sejcilli
po bahej gadi me mbyllë diten me lutjen personale në qelë,
shofin paprimtas, aty afër, në kopshtin e nji bamirsi të
kuvendit, disa hajduta që po shkulshin e dëmtojshin të
mbjellat. Fretnit alarmohen dhe ngasin vrap te shna Ndou me pvete si
me veprue : "Shkoni tanë në lutje si zakonisht,- u
thotë buzagaz shêjti-, e mos u shqetsoni për
t'ashtuquejtunin damtim të t'mbjellave; âsht nji dredhi e
djallit që don me ju largue prej lutjes dhe me ju hupë
kohen tuej largue hajdutat." Nesër nade, fretnit panë
kopshtin e bamirsit të paprekun dhe njoften iluzjonin diabolik.
Kur
shna Ndou përfundoi misjonin e tij hyjnor në token e
frankve, aj u nis për në Itali për me vazhdue atje
misjonin që Zoti i kishte caktue. Në kohen kur shêjti
mbrriti në Romë ishte Festa e Pashkës dhe Papa Gregori
IX e porositi shna Ndoun me i shpjegue popullit indulgjencën që
besimtarët mujshin me fitue me kyt rast. Me rastin e Festës
së madhe të Rinjalljes së JEZU-KRISHTIT, në Romë
vijshin pelegrinë prej tanë botës : francez, anglez,
gjerman, grek, latin, sllav, etj. Po në çfarë
g'juhet me u folë tanë ktyne besimtarve ? E Hyji i
gjithpushtetshëm, për me demonstrue hiret dhe favoret që
i kishte dhanë ktij shêjti të madh, rinovon
mrekullinë e Rrëshajës, si dikur me Apostujt në
Jeruzalem. Shna Ndou fillon me folë dhe tanë popujt e
racave të ndryshme e kuptojnë sejcilli në g'juhen e
vet amtare.
Kur
ishte në Rímini, zonë që atherë ishte e
infektueme prej sektarve kathàrë, shna Ndou filloi me i
shpjegue popullit bazat e Fesë Katolike dhe të vërtetat
e Shkrimeve Shêjte, me shkencen e tij të jashtzakonshme,
por disa heretikë kryefortë e tallshin dhe nuk dojshin me
dijtë aspak për fjalët e shêjtit. Atherë i
frymzuem prej nâlt, shna Ndou shkon në bregun e detit dhe
bërtet :
«
O peshq t'oqeanit dhe t'lumit ! Ndig'joni, se jû po ju shpalli
fjalen e Zotit, mbasi heretikët nuk dojnë me e ndig'jue. »
Mbas
ktyne fjalve, nji turmë e madhe peshqish, të mëdhaj e
të vegjël, mblidhet me rregull afër bregut për me
ndig'jue shêjtin : peshqit e vegjël janë ma afër
bregut, ata mesatarë rrijnë mbas tyne dhe peshqit e mëdhaj
rrijnë në fund, ku thellsija e detit âsht mâ e
madhe, të tanë me krenat e drejtuem kah shna Ndou, i cilli
u flet kshtû :
«
Peshq, vllâznit e mij të vegjël ! Edhe ju i
detyroheni falenderime Krijuesit tonë për të mirat që
ju ka dhanë. Në sajë të Hyjit keni elementin
fisnik (ujin) ku ju jetoni; âsht Hyji Aj që ju nep, simbas
dishirës tuej, ujnat e âmbla e të krypuna; âsht
në sajë të Hyjit që ju keni kyt shpî ku ju
mundeni me u strehue në kohen e stuhisë dhe prej Hyjit keni
ushqimin e nevojshëm për jetesen tuej; Ky Zot bujar e
bamirës, në diten e Krijimit, ju dhà urdhnin me u
rritë, me u shumue dhe ju ka bekue; E kshtû, kur erdhi
përmbytja universale, tana kafshët e tjera mbaruen (tuej
përjashtue ata që ishin në Arken e Noèsë)
por jû nuk ju ndodhi asnji gjâ e keqe; Hyji ju ka dhanë
fletë me të cillat ju mundeni me notue, simbas qejfit; jû,
ju besue kujdesi për profetin Jonas, që g'jatë tri
ditve e ruejtët shndosh e mirë; prapë, jû i
dhatë Zotit tonë JEZU-KRISHTIT shka me pague taksen, n'at
kohë kur Hyji jonë, me pamjen e nji t'vorfnit, nuk kishte
gjâ me pague; s'fundmi, prej nji zg'jedhjeje misterjoze, ju i
shërbyet si ushqim KRISHTIT, Mbretit të përjetshëm,
para e mbas Rinjalljes së Tij; në kujtim e për tana
kto mirsí të çmueshme që keni marrë prej
Zotit, lëvdoni pra e bekoni Hyjin, ju I detyroheni mâ
shumë se tana krijesat e tjera. »
Tuej
ndig'jue kto fjalë, peshqit hapin gojen, përkulen përpara
dhe me sjelljen e tyne të respektueshme mundohen, në mnyren
e tyne, me lëvdue Krijuesin.
Tuej
i pa , shêjti thrret me gzim :
«
Bekue kjoft Hyji i përjetshëm, mbasi peshqit E nderojnë
mâ shumë se heretikët dhe se kafshët pa arsye
ndig'jojnë fjalen e Tij me mâ shumë bindje sesa
t'pafetë. »
Kjo
mrekulli bani bujë t'madhe në qytet dhe për pasojë
edhe heretikët u konvertuen dhe hyne në gjínin e
Kishës Katolike, jashtë të cillës, ashtû si
jashtë Arkës së Noèsë, nuk ka pshtim për
kërkend, por veçse mallkim dhe mbytje. Nuk e di a kishin
me u konvertue konçiljarët, mbrojtsit e pseudo-konçilit
të 1962, po t'shifshin me sytë e tyne shna Ndoun tuej
përsëritë kyt mrekulli !...
G'jatë
kohës që shêjti vazhdonte me unjillzue në
Rímini, nji grup heretikësh, bij të farizejve të
dikurshëm, që as mrekullitë mâ të mëdhaja
nuk i prekin por përkundrazi, i ngurtsojnë edhe mâ
tepër në pabesinë e tyne, e thrrasin shna Ndoun për
drekë, dhe përgaditen me i ofrue nji pjatë me ushqim
t'helmuem. Shêjti lajmrohet prej Qiellit për kurthin e
t'pabesve dhe i ulun në tavolinë, i demaskon planet e
heretikve, t'cillët prap nuk dorzohen por i thonë : "Kena
dashtë me provue vërtetsinë e fjalve të
Shelbuesit, që ka thanë se dishepujt e Mij kanë me
shporrë djajt dhe n'kjoft se hajnë ndonji ushqim
t'helmatisun nuk ka me iu ndodhë kurrgjâ e keqe. Prandej,
n'kjoft se ju besoni në Unjillin, ju nuk keni me pasë frigë
me hangër prej ktij ushqimit të helmatisun." - «
Do ta hà kyt ushqim, - i përgjigjet me guxim shna Ndou- ,
jo me tundue Hyjin por me ju dishmue se sa dishiroj shelbimin e
shpirtnave tuej dhe triumfin e Unjillit. » Mbas ktyne fjalve,
shêjti, me doren e djathtë, ban nji kryq mbi ushqimin e
helmuem dhe fillon me e hangër pa ndie asnjilloj shqetsimit. Në
praní të ksaj mrekullije, heretikët dorzohen dhe
konvertohen.
Nji
tjetër grup heretikësh rebelë, me e vue n'provë
shêjtin, si bane dikur farizejt me Shelbuesin tonë të
dashtun, i ofrojnë shna Ndout me hangër nji zhabë të
neveritshme të pjekun, tuej i kujtue fjalët e sh'Palit
Apostull : Keni me hangër shka t'ju ofrojnë. Shna Ndou nuk
trazohet e nuk kundërshton aspak por çon sytë kah
Qiella dhe me doren e djathtë ban nji kryq mbi zhaben e pjekun
që menjiherë shndrrohet në nji shpend të pjekun,
të kandshëm e të bukur. Shêjti atherë i
fton heretikët me hangër s'bashkut dhe rebelët, të
prekun prej mrekullisë, pendohen dhe konvertohen në Kishen
shêjte Katolike.
Nji
herë, kur shna Ndou po ndihmonte në ndërtimin e nji
kuvendi në Gemona, në provincen e Udines, nji katundar
kalon aty pàri me nji karrocë me dy qé. Shêjti
i lutet me ia lanë pak karrocen sa me transportue disa tulla për
ndërtimin e kuvendit të ri, por katundari, me dinakní,
e rrên shna Ndoun tuej i thanë se nuk âsht e mujtun,
mbasi n'karrocë ka nji t'dekun. Në fakt, në karrocë
katundari kishte djalin e vet tuej fjetë, por i bezdisun prej
lutjes së shêjtit, gjeti mnyren mos me ia lanë
karrocen. Shêjti largohet e katundari vazhdon rrugen, tuej u
zgërdhí nën mustak për rrênen që
kishte shpikë. Mbasi ecë pak, mendon me e zgjue djalin e
vet dhe me ia diftue edhe atij rrênen që i tha fratit, por
shka me pâ... Kur shkon me pâ djalin, e gjen të
vdekun mbi karrocë. Katundari tmerrohet dhe me britma e lot
kthehet me vrap e i bjen në g'juj shêjtit tuej i kërkue
falje dhe tuej e lutë me i kthye djalin. Shna Ndou, i prekun
gjithmonë prej halleve të tjerve, shoqnon katundarin deri
te karroca me djalin e dekun dhe, si e kishte zakon, mbledhet në
lutje për pak çaste; mandej me doren e djathtë ban
nji kryq mbi kufomen dhe djali çohet në kambë. Me
mujtë të keqen me të mirë : ndryshej nuk dijte me
veprue shna Ndou.
Në
fillimin e Krezhmes të vjetit 1228, Providenca hyjnore e çon
shna Ndoun në Padóvë, qyteti që ma vonë
kishte me ruejtë reliket e tija të shêjta dhe emni i
t'cillit kishte me shoqnue përgjithmonë emnin e shêjtit
kaq popullor e kaq të dashtun prej sa e sa besimtarve në
tanë boten. Ksaj here, në Padóvë nuk bahej
fjalë me luftue vetëm herezitë por sidomos pasjonet e
shfrenueme dhe imoralitetin sensual.
Mkatnor
i shkretë !, i thotë nji ditë shêjti nji
t'mjeri, pse disprohesh për shelbimin tand mbasi ktû
gjithshka flet për mshirë e dashtní ? Shif cillët
janë dy avoketnit që mbrojnë çâshtjen
tande para gjyqit të Drejtsisë hyjnore : nji Nânë
dhe nji Shelbues; Virgjina MARI i paraqet Birit të saj Zemren e
vet të therun prej shpatës së vuejtjes dhe JEZUSI i
paraqet Atit të Tij Plagen e Zemres së Tij pafundsisht
shêjte të shpueme prej shtizës së ushtarit dhe
plagët e duerve e të kambve. Jo, jo, me kyt Ndërmjetsues
e me kyt Ndërmjetsuese, nuk ke me u refuzue prej Mshirës
hyjnore.
Edhe
në Padóvë, si në qytete e fshatna të tjera
ku kishte shkelë kâmba e shêjtit, kur predikonte
shna Ndou kishat nuk mjaftoshin e atherë shêjti dêlte
me predikue jashtë. Turmat ishin aq t'mëdhaja saqë
mbërrijshin nganjiherë në 30,000 vetë, thotë
nji kronikan i kohës. Gra, pleq, fmi, ushtarë, qytetarë
të çdo kategorijet çoheshin naten, vêsheshin
sa mâ thjesht, tuej hjek stolí, varse, vathë e
zbukurime, dhe niseshin me pishtarë n'duer për me xanë,
nade heret, nji vend sa mâ afër pultit ku kishte me folë
shêjti i mrekullive. Ipeshkvi i Padóvës me klerin e
tij ndiqte rregullisht predikimet e shna Ndout. Megjithë numrin
e madh të besimtarve t'pranishëm, kur fillonte sermonin
shna Ndou, të tanë mbajshin nji qetsí absolute, si
me pasë kênë nji njíri i vetëm. Aq i madh
ishte respekti dhe nderimi që shêjti gzonte n'popull saqë
gratë e devoçme merrshin gërshàna me vedi,
për me mujtë me prè nji copë prej zhgùnit
të shna Ndout, dhe për me e ruejtë mandej si nji
relike të çmueshme. Fama e madhe e mrekullive të
shêjtit kishte marrë dhènë gjithkund dhe pa
prezencen e nji grupi truprojesh t'armatosuna ishte e pamujtun me
ruejtë shêjtin prej turmës së ekzaltueme. Ky
frat i përvujtë, kâmbë-zbathë, i vorfën,
i mbuluem me nji zhgun bojhínit, tërhiqte mbas vedit
karvane njerzish që nuk imagjinoheshin as prej mbretënve e
perandórve. Sa i admirueshëm âsht Hyji në
shêjtnit e Tij ! Sa prestigj t'mrekullueshëm ka shêjtnija
para syve t'Zotit !
Nji
ditë, shna Ndou ndalet n'rrugë prej nji nâne vajtuese
që i difton fminë e saj t'paralizuem, dhe e lutë me e
sherue. Shêjti i mrekullive ul menjiherë shikimin e tij të
butë e penetrues drejt fmisë t'vogël, zgjat doren mbi
té, ban shêjen e Krygjës, dhe fmija shërohet
përnjiherë.
Nji
herë tjetër, në fundin e ditës, kur shna Ndou po
kthehej prej predikimit, nji babë i mjerë vjen drejt
shêjtit, tuej mbajtë në krahë vajzen e tij
epileptike. "At, - i thotë njiri i shkretë me nji zâ
t'sigurtë -, bani, ju lutem, shêjen e Krygjit mbi kyt
t'smurë dhe ajo ka me u sherue." Shna Ndou i prekun prej
fesë t'ij, ban shêjen e Krygjit mbi vajzen e ré dhe
ajo menjiherë rifiton shëndetin e plotë.
Nji
zojë aristokrate kishte ndjekë turmen për me ndie shna
Ndoun tuej predikue n'qiell t'hapun. Si pasojë e turmës
s'madhe ajo bjen, pa dashje, në nji gropë me baltë dhe
teshat e saja bahen n'nji gjendje t'mjerueme. Mendimi i kritikave që
e presin n'shpi prej t'shoqit t'saj nevrik, e alarmon. N'fund
t'sermonit shkon e takon shna Ndoun dhe i difton për aksidentin
dhe i rekomandohet lutjeve të tija. Shêjti nuk neglizhon
me ndihmue t'afërmin, as në kyt rast, dhe tuej pa ankthin e
zojës, me mirësinë delikate të zemrës
t'Apostullit, fillon me u lutë : në çast nuk mbetet
mâ asnji njollë mbi teshat e zojës.
Nji
djalë i ri padovan, me emnin Leonard, shkon me u rrfye te shna
Ndou dhe i thotë se i kishte râ nânës s'tij me
shtjelm dhe e kishte rrxue përtokë. "Ajo kambë
meriton me u kputë", - i përgjigjet me indinjim
shêjti. Kyt fjalë të shêjtit, Leonardi naiv e
merr me të vërtetë dhe mbasi mbrrin n'shpi, i penduem,
merr nji spatë dhe kput kamben e vet. Menjiherë bahet alarm
në shpi, dhe nâna e viktimës shkon tuej kjâ te
shna Ndou për me i diftue tragjedinë e ndodhun. Pa u
justifikue, shêjti ndig'jon fjalët vajtuese të nânës
dhe shkon me té në shpi, te djali i cunguem. Simbas
zakonit, shêjti mbledhet në lutje...; mandej merr kamben e
këputun me doren e majtë dhe tuej e afrue te pjesa e
cungueme ban mbi té, me doren e djathtë, shêjen e
Krygjës; menjiherë kâmba njitet vedit dhe Leonardi
çohet n'kambë tuej lëvdue fuqinë e Hyjit që
ishte manifestue në shêjtin e Tij të mrekullueshëm.
Zhurma e ksaj mrekullije bani aq bujë, saqë jeta publike
pothuejse u ndal krejtsisht në Padóvë dhe nji
entuziazëm i jashtzakonshëm përfshiu tanë
popullsinë.
Gjashtëdhetë
e katër vjet mbas daljes së shna Ndout prej ksaj bote
(vjeti 1292), nji bandit i penduem i diftonte historinë e
konvertimit të tij nji frati françeskan :
«
Isha bandit profesjonist, pjesë e nji bande hajdutash. Ishim 12
vetë, jetojshim në pyll dhe sulmojshim e grabitshim
udhëtarët. Mbasi ndig'juem për fratin Anton dhe
mrekullitë që bate, vendosëm, të dymbëdhêtit,
me shkue nji ditë në sermonin e tij, tuej mos u besue
çudinave që njerzit diftojshin për té. E
krahasojshin me profetin Elia dhe fjalen e tij, me nji pishtar të
ndriçëm dhe të flaktë. Nji natë, shkuem
pra në sermon dhe u futem në mes të turmës. Por,
g'jatë kohës që frati predikonte, ndig'juem nji tjetër
zâ në fund të ndërgjegjeve tona : zânin e
pendêsës, që na kujtonte jeten tonë të
përlyeme prej krimeve dhe, pak kah pak, ndiem keqardhjen tuej u
përhapë në shpirtnat tonë. Mbas mbarimit të
sermonit, nji pendim i sinqertë na çoi te kâmbët
e Antonit ku kallxuem tana krimet tona. Mbasi na zgidhi prej fajeve
tona, na kërkoi me i premtue se nuk kishim me u kthye mâ
kurrë në rrugen e krimit, tuej na paralajmnue se po tu
kthejshim prapë në jeten tonë t'mâparshme, do
t'kishim nji fund të llahtarshëm. Shêjti tha
t'vërteten. Ata që iu kthyen zakonit t'maparshëm,
përfunduen tragjikisht : ràne në duert e drejtsisë
dhe shpaguen krimet e tyne me vdekje; kurse ata që i ndêjten
besnik premtimit që i kishin bâ shna Ndout, pushuen
devoçmënisht në Hyjin. Kurse mue, - shtoi i moshuemi
-, shna Ndou më pat dhanë si pendesë me krye 12 herë
pelegrinazhin e shêjtënve Apostuj. Sod kam krye
pelgrinazhin e dymbëdhetë dhe pres, simbas premtimit të
shêjtit, përjetsinë e lume mbas ditve të ksaj
jete t'përkohshme. » Në fund të ktij rrfimi,
plaku derdhte lot prej emocjonesh dhe denèsët nuk e
lejshin me folë mâ.
Me
shêjtnínë e tij dhe shpirtnat që fitonte për
t'Madhin Zot, shna Ndou triumfonte gjithmonë kundër
djallit, por edhe i mallkuemi e ndiqte dhe nuk e lête rahat me
urrejtjen e tij infernale : kyt luftë shpirtnore katolikët
e dêjë për emnin që mbajnë e luftojnë
për ditë, në nji mnyrë apo në nji tjetër,
dhe disa shpirtna shêjtë të zgjedhun prej Zotit kanë
luftue dhe luftojnë mâ afër me t'mallkuemin.
Ishte
koha e predikimit të Krezhmës. Nji natë, ndërkohë
që shêjti po u çlodhte prej apostullimit të
tij të lodhshëm, djalli i shfaqet në formë të
dukshme dhe e kap shna Ndoun për fytit me aq forcë sa gadi
me e mbytë. Menjiherë, shêjti e njef kundërshtarin
e tij dhe me gjys zânit pëshpërit fjalët e
himnit të tij të preferuem drejtue Virgjinës MARI : "O
Gloriosa Domina" (O Mbretneshë e lavdishme); me t'ndigjue
fjalët shêjte të himnit, shpirti i errsinës e
lshon përnjiherë shêjtin dhe zhduket, ndërkohë
që nji dritë qiellore përhapet në qèlen e
vorfën të fratit, tuej e bâ si paradhomen e Parrizit.
G'jatë
verës së vjetit 1228, shna Ndou len Padóven për
me kalue për pak kohë në Ferrara dhe mandej në
Bolonja.
Nji
zojë prej Ferrares, e martueme në nji familje të nji
rangu të naltë në qytet, dyshohej prej t'shoqit për
ndershmëninë e saj dhe aj, tuej ndigjue edhe shpifjet e
përhapuna në popull, refuzonte fmijen e grues t'vet që
sapo kishte lindë. Tuej iu bindë nji frymzimi t'papritun,
zoja, me bében e vogël në krahë, shkon e takon
shna Ndoun, mbi mrekullitë e t'cillit ajo kishte ndigjue. Ajo i
difton shêjtit situaten tragjike, nderin e saj të përlyem
prej t'shoqit dhe i lutet me gjykue midis saj dhe burrit t'vet, i
cilli, ndërkohë, kishte ardhë edhe aj para shêjtit.
Shna Ndou, i heshtun dhe gjithmonë i qetë, ndig'jon me
vëmendje ankesat e dyja palve dhe shikimi i tij, që
depertonte deri n'fund të shpirtit, zbulon shpejt pafajsinë
e zojës së përlotun. Papritmas, i shtyem prej nji
lëvizjeje të parrezistueshme, shna Ndou kap fminë në
duert e tija shêjte dhe i thrret bébes : "Në
emën të Zotit të grazhdit, po t'lutem me m'thanë
publikisht, kjartë e saktë, kush âsht autori i ditëve
tueja ! " Atherë ndodh nji skenë e admirueshme në
thjeshtsinë e saj sublime. Bebja e vogël kthehet kah i ati
akuzues dhe me nji zâ të kjartë bërtet : "Ky
âsht baba jem." Emocjonet që kjo mrekulli shkakton te
çifti nuk munden me u përshkrue. "Dueje, pra, kyt
fmí, - i thotë shna Ndou burrit -, sepse âsht i
joti. Dueje gjithashtu kyt bashkshorte, kaq besnike, kaq
t'përkushtueme dhe kaq të dêjë për
dashtninë tande."
Në
Nanduer të vjetit 1228, Gjenerali i Urdhnit, At Gjon Parenti, i
kërkon shna Ndout me shkue në Firence, për me predikue
kohen e Ardhjes dhe Krezhmen e vjetit t'ardhshëm. G'jatë
ksaj kohe qëndrimi, nji fajdexhí vdes dhe njerzit e
familjes i luten me insistim shêjtit me i thanë dy fjalë
në ceremoninë mortore. Shna Ndou nuk ua prish dhe pranon.
Fjala e tij filloi me komentimin e pasazhit t'Unjillit : "Atje
ku âsht thesari jot, atje âsht edhe zemra jote."
Paprimtas, shêjti ndriçohet prej nji revelacjoni hyjnor
dhe ndal sermonin tuej thanë : "Ky pasanik ka dekë dhe
âsht i fundosun në Ferr. Shkoni te thesari i tij e aty
keni me gjetë zemren e tij." Nji emocjon i thellë
përshkon tanë t'pranishmit; familjarët tërhiqen
dhe vrapojnë te shpia e t'dekunit. Atje hapin baùlen me
sendet e çmueshme dhe tmerrohen kur shofin mbrendë, në
mes të monedhave të arta, zemren e t'dekunit, njashtu si u
tha shna Ndou.
Kto
fjalë duhen lexue mirë prej konçiljarve, që
mashtrojnë njerzit me iluzjonin se Zoti i mshirshem i fal
gjithmonë të tanë e kur vdes ndonji, konçiljarët
modernista thonë : Hyni në shpinë e Atit.
Kur
shna Ndou kthehet në Padóvë, merr vesht për
masakrat dhe tiraninë e Ecelinos (Ezzelino), në Lombardí,
Romanja, Veronë, Viçence dhe Breshia. Banorët e
Padóvës, t'friksuem për qytetin e tyne, i luten
shêjtit me ndërhye. Shna Ndou, që nuk e njifte
frigen, bir herojsh katolikë, në venat e t'cillit rridhte
gjaku i Kryqzorve, niset me çarmatosë furinë e
tiranit. Mbasi hyn në pallatin e Ecelinos, hyn në sallen ky
tirani rrinte bashkë me truprojat e ushtarët e tij. Shna
Ndou, tuej e fiksue me nji shikim të rreptë, i bërtet
me të madhe : "Anmik i Zotit, tiran mizor, qen i tërbuem,
deri kur ke me derdhë gjakun e pafajshëm ? Dije se ky gjak
i Krishtênë i thrret Qiellit hakmarrje; shpata e Zotit
âsht e varun mbi kryet tand dhe gjykimi i Tij ka me kênë
i tmerrshëm." Tiràni ngrin dhe nuk lëviz, kurse
rojet e tij, të habitun me guximin e ktij vizitori të
çuditshëm, presin urdhnin prej Ecelinos me iu versulë
shêjtit dhe me e masakrue. Por urdhni nuk vjen. Despoti dukej
si i shtypun prej nji force t'mbinatyrshme dhe ftyra e tij e zbehte
diftonte tmerrin që e kishte mbërthye. Në habinë
e madhe të njerzve të tij, Ecelino çohet prej fronit
ku ishte ul dhe i bjen në g'juj shna Ndout, i kërkon falje
dhe i premton me u korrigjue.
«
Anmiqtë e delaruem të Zotit dhe të Kishes së Tij,
heretikët dhe shizmatikët, duhen me u kritikue sa ma shumë
që të jetë e mujtun, tuej u mbështetë në
të vërteten. Asht nji vepër dashtnijet Kristjane me
bërtite : "Ujku!", kur ai hin n'vathë apo në
ndonji vend tjetër. » (sh'Françesku i Sales, Doktor
i Kishes Katolike, "Hymje në jeten e devoçme",
Pjesa III, Kapitulli 29)
Shna Ndou tuej i kërcënue anmiqtë
me zjerm prej Qiellit.
Prej piktorit Benozzo Gozzoli (1421 – 1497)
Po
përfundoj kyt seri mrekullish me nji mrekulli të veçantë,
me nderue Prezencen reale të Zotit tonë JEZU-KRISHTIT, në
shejtin Tabernakël, mbasi kyt javë festojmë Oktaven e
t'Shêjtnueshmit Sakramend, apo Festen e Sakramendit të
Dashtnisë së Zotit, ashtû si i pat rrfye nji herë
Shelbesi jonë nji shêjtneshet, festë e devocjon që
shna Ndou e pat fort për zemër.
Mjerisht,
konçiljarët e apostatit Bergoglio, qysh në kohen e
apostatit Palit VI, kanë mohue publikisht dogmen e Prezencës
Reale të KRISHTIT Zot në shejtin Tabernakël, ashtû
si e analizon Kardinali Ottaviani dhe Imzot Bacci në shkrimin e
tyne "Egzaminim i shkurtë
kritik i "meshës së ré" të Palit VI :
"Ndërhymja Ottaviani", që lexuesit munden me e
konsultue në blogun :
http://nenaekeshillittemire.blogspot.com/).
Me kyt gjest heretik, konçiljarët e ulin personen e tyne
nën shtazët pa arsye dhe i përgadisin vedit vuejtjet e
pafundme të Ferrit. E pra, dikur, nji mushkë adhuroi Zotin
tonë JEZU-KRISHTIN në Hosten shêjte.
Nji
herë, g'jatë predikimeve të tija, shna Ndou ndeshi në
nji heretik kryefortë, që refuzonte me besue në
Prezencen reale të Shelbuesit në Hosten shêjte,
megjithë argumentat e shna Ndout. S'fundmi, heretiku i propozon
shêjtit nji sfidë, për me mujtë me e xanë
në kurth : " Kam nji mushkë, - i thotë shna Ndout
-; kam me e lanë tri ditë pa hangër, dhe mbas tri
ditësh kam me e prue ktu mes turmës, në sheshin
publik, dhe kam me i ofrue tërshanë me hangër. Ju
éjani me Hosten e konsakrueme. N'kjoft se mushka ka me refuzue
tërshanën dhe ka me u g'jujzue para Hostes, që ju
thoni se duhet adhurue prej tana krijesave, atherë kam me u
deklarue katolik." Shna Ndou, pranon dhe me besimin e pathyeshëm
në Hyjin, tërhiqet në Kuvend dhe përgaditet
g'jatë tri ditve me lutje e njinesë. Kur erdhi dita e
shumpritun, heretiku bjen mushken në sheshin publik dhe ndjeksit
e tij, që e rrethojshin, fillojnë me u tallë e me
qeshë, tuej imagjinue disfaten e shêjtit. Shna Ndou mbasi
celebron Meshen shêjte, merr me vedi Zotin-Eukaristí dhe
mbrrin në sheshin publik, i ndjekun prej nji turme të madhe
besimtarësh, që këndojnë hymne gzimit dhe lusin
Zotin e gjithpushtetshëm me manifestue nëpërmjet
mrekullisë të vërteten e besimit katolik.
Të
tanë heshtin...Shna Ndou, në mesin e sheshit, shef mushken
dhe thrret me nji zâ të fuqishëm :
«
Në emën të Krijuesit që mbaj në duert e mija
në kyt moment, krejt i padêjë që jam, dhe në
sajë të Gjithpushtetshmënísë hyjnore, të
urdhnoj, ô qênje pa arsye, me ardhë ktu menjiherë
me u përkul para Tij, në mnyrë që djallzija e
herezisë të demaskohet dhe të gjithë të jenë
të detyruem me pranue se tanë krijimi i nënshtrohet
Qingjit që sakrifikohet mbi altaret tona. »
Në
të njêjten kohë lêhet e lirë mushka dhe i
ofrohet tërshanë me hangër. Por, mushka përbuz
tërshanën dhe shkon e g'jujzohet para Hostes shêjte,
në gjest adhurimit.
Mrekullija e mushkës
Thirrje
gzimit e falenderimit buçasin prej turmës së
besimtarve katolikë, të pushtuem prej entuzjazmit. Prej
rangut të heretikve, disa u tërhoqen të mujtun dhe të
heshtun, kurse disa të tjerë përqafuen Fenë
shêjte Katolike. Pronari i mushkës e mbajti fjalen dhe, në
g'juj para shna Ndout, pranoi Fenë e KRISHTIT ZOT. Simbas
kronikanve, heretiku i konvertuem, në kujtim të ksaj
mrekullije, ndërtoi nji monument që ia kushtoi shën
Pjetrit dhe tana familja e tij përqafoi kultin e vërtetë
katolik.
Ky
ishte pra shna Ndou i Padóvës, Arka e Testamentit, Çekani
i heretikve, nji prej shêjtënve mâ të mëdhaj
që Hyji ka prue mbi kyt tokë; i fuqishëm me fjalë
dhe me vepra, i dashtun prej katolikve dhe prej t'pafève, nji
pishtar i ndriçëm shkencet dhe devocjonit, nji flakë
e zjarrtë dashtnijet për Hyjin, Virgjinen e Papërlyeme
dhe t'afërmin. Sekreti i shêjtnisë së tij ishte
devocjoni filjaj dhe kulti i jashtzakonshëm që shna Ndou
ruejti gjithmonë për Virgjinën MARI, sepse asgjâ
e madhe nuk mundet me u realizue pa ndërmjetsinë e Nânës
së Zotit, dhe ashtû si msojnë Etnit e Doktorët e
Kishës Katolike, asnji shêjt nuk âsht bâ shêjt
pa Virgjinën e Papërlyeme.
Kyt
Mbretneshë hyjnore shêjti e pat lutë me nji himn të
preferuem : "O Gloriosa Domina", "O Mbretneshë e
lavdishme", që nana e vet ia pat kndue kur ishte i vogël,
himn qiellor që aj vetë nuk e hoqi kurrë prej zemret e
prej gojet g'jatë tanë jetës së tij, himn
triumfues që shêjti e kndoi në çastet e
fundit, të Premten e 13 Qershorit të vjetit 1231, përpara
se me marrë shpërblimin e lumnisë së përjetshme
të Parrizit.
Në
oren kur dielli po u ulte nën horizont, nji tjetër diell,
që kishte ngrohë kaq shumë zemra, që kishte
ndriçue kaq shumë inteligjenca, që kishte ndezë
kaq shumë zjarme ndër shpirtna, là terrinat e tokës
për dritat e shkëlqyeshme të Qiellit. Njimbëdhet
vjet apostullimi t'frytshëm në mrekullí e fryte
shelbimit mjaftuen me përjetsue emnin e tij dhe me e bekue prej
tana brezave.
Fill
mbas deks, kronikanët diftojnë se shêjti iu duk mikut
të tij, teologut të njoftun, abatit Thomas Gallo, tuej e
përshndet me kto fjalë : "Lashë vllanë tem,
gomarin, në Padóvë; un po shkoj në atdhé."
Me fjalen gomar, shêjti nënkuptonte trupin e vet, kurse me
fjalen atdhé, nënkuptonte Parrizin, që me të
vërtetë âsht atdheu jonë i vërtetë.
N'ato momente, abati po vuente prej nji dhimbje të fortë
fytit, por shêjti ia preku lehtë vendin e smurë dhe
dhimbja u zhduk përnjiherë.
«
O Doktor sublim, - kndote Papa Gregori IX, me rastin e kanonizimit të
shna Ndout, gadi 1 vit mbas vdekjes -, dritë e Kishës
shêjte Katolike, ô i lumi Anton, ju që keni dashtë
aq shumë ligjin hyjnor, ndërmjetsoni për ne para Birit
të Zotit. »
G'juha e pakorruptueme e shna Ndout
Me
8 Prill të vjetit 1263, kur u ba transportimi i parë i
relikeve të shna Ndout, 32 vjet mbas vdekjes, në praninë
e Doktorit të Kishës, Doktorit Serafik, sh'Bonaventurës,
atherë Gjeneral i Urdhnit, u vue ré se g'juha e shêjtit
kishte mbetë e pakorruptueme, e kuqe dhe e fresket, sikur shêjti
t'kishte vdekë 1 orë përpara. Atherë, i
emocionuem, sh'Bonaventura thrret :
«
O G'juhë e bekueme, që nuk keni pushue tuej lëvdue
Hyjin e tuej i bâ të tjerët me E lëvdue ! Kjo
mrekulli âsht nji provë e kjartë sa të mëdhaja
janë meritat tueja para Zotit. »
Shna
Ndou na bekoftë dhe na ndërmjetsoftë hirin prej Zotit
e Virgjinës MARI me jetue, deri në fund, me vepra dhe
dashtní hyjnore, Fenë e vërtetë Katolike.
O
GLORIOSA DOMINA
(Himni
i preferuem i shna Ndout
në
nder të Virgjinës MARI)
O
GLORIOSA Domina
excelsa
super sidera,
qui
te creavit provide,
lactas
sacrato ubere.
Quod
Eva tristis abstulit,
tu
reddis almo germine;
intrent
ut astra flebiles,
sternis
benigna semitam.
Tu
regis alti ianua
et
porta lucis fulgida;
vitam
datam per Virginem,
gentes
redemptae, plaudite.
Patri
sit Paraclito
tuoque
Nato gloria,
qui
veste te mirabili
circumdederunt
gratiae. Amen.
Bibliografi
:
*
Georges Loth, "Vie, gloires et merveilles de saint Antoine de
Padoue", 1895, Paris.
*
Mgr Paul Guérin, "Les petits Bollandistes, vies des
saints", volumi VI, 1878, Paris.

Me 8 Prill të vjetit 1263, kur u ba transportimi i parë i relikeve të shna Ndout, 32 vjet mbas vdekjes, në praninë e Doktorit të Kishës, Doktorit Serafik, sh'Bonaventurës, atherë Gjeneral i Urdhnit, u vue ré se g'juha e shêjtit kishte mbetë e pakorruptueme, e kuqe dhe e fresket, sikur shêjti t'kishte vdekë 1 orë përpara. Atherë, i emocionuem, sh'Bonaventura thrret :