Mbi Festen e Gjetjes së Shêjtes Krygje
Mbas fitores të Perandorit Konstantin, në sajë të vizjonit të
Krygjës që iu duk në ajër, nana e tij, shêjtja Helena, shkoi në
Jeruzalem për me gjetë Krygjen e vërtetë mbi t'cillen kishte vuejtë dhe
konsumue Pasjonin shelbues Zoti jonë JEZU-KRISHTI. Në fillim të
shekullit të II-të, Adriani kishte gjetë Kalvarin dhe Vorrin Shejt nën
nji terracë 100 metra të g'jatë, mbi t'cillen kishin ndërtue nji statujë
t'Jupiterit dhe nji tempull Venusit. Perandorja Helena i rrafshoi
përdhé kto monumente pagane dhe tuej gërmue token gjeti gozhdët e
Kryqzimit dhe trofeun e lavdishëm që na ka prue “jeten, shelbimin dhe
rinjalljen” (Galatve 6:14). Shërimi i nji grueje shërbeu me njoftë
Krygjen e vërtetë. Sh'Helena e ndau në tre pjesë kyt trofe të çmueshëm,
“që denjoi me mbajtë Mbretin e Qiellit” (Psalmi 95:10) : nji pjesë u
vendos në Romë, në Kishen e quejtun “Krygja Shejte në Jeruzalem”, pjesa e
dytë u vendos në Konstantinopojë dhe e treta në Jeruzalem. Kjo e fundit
kjé grabitë prej Persianve dhe mandej u rimor prej Perandorit
Heraklius, i cilli e çoi zyrtarisht me proçesjon në Jeruzalem me 3 Maj
628, e qysh prej atherë kjo ditë festohet në Kalendarin liturgjik romak
si Festa e Gjetjes së Shêjtes Krygje. I ngarkuem me veshja të arta e me
gurë të çmueshëm, perandori kur iu afrue dyerve të qytetit nuk mujti me
vazhdue përpara sepse nji forcë e padukshme e pengonte me avancue. Mbas
kshillës së Zakarisë, ipeshkvit të Jeruzalimit, perandori hodhi mbi
shpatulla nji mantel të vorfën e t'zakonshëm, n'imitim të vorfnisë dhe
përvujtnisë së JEZU-KRISHTIT, dhe mrekullisht mujti me vazhdue
proçesjonin lehtsisht. (Dom Lefebvre, “Missel quotidien et vespéral”,
1936)
« Rupert thotë se ATI Qiellor i propozoi
Birit të Tij, në momentin e Mishnimit, alternativen me shelbue boten
nëpërmjet qejfeve apo nëpërmjet mundimeve, nëpërmjet ndereve apo
nëpërmjet përbuzjeve, nëpërmjet pasunive apo nëpërmjet vorfnisë,
nëpërmjet jetës apo nëpërmjet vdekjes, në mnyrë që Shelbuesi, po të
kishte dashtë, do të kishte mujtë me anen e gzimeve, qejfeve, ndereve e
pasunive me shelbue njerzit dhe me i marrë me Vedi në Parriz. Por
JEZU-KRISHTI zgjodhi vuejtjet dhe Krygjen për me i dhanë ATIT Qiellor ma
shumë lavdi dhe për me i diftue njerzve nji dishmi të nji dashtnije ma
të madhe, [Dashtninë e pafundme hyjnore që Hyji ka për njirin]. » (Saint
Louis-Grignion MARIE de Montfort, “Amour de la Sagesse Eternelle”)
N'kyt
Festë të Gjetjes së Krygjës, të rigjejmë edhe nà krygjen tonë që Hyji
na e ka destinue qysh kur kena lindë n'kyt botë, krygje që ndoshta e
kena mshehë në ndonji syrtar, që ndoshta e kena tretë, që ndoshta kena
turp me e vue n'gjoks se mos skandalizohet kojshija i pafé, krygje që
përpiqena ndoshta me tana mnyrat me e largue prej nesh sepse nuk dona me
vuejtë. Në fakt, asht e natyrshme mos me e dashtë vuejtjen, por asht e
mbinatyrshme, prej hirit të Zotit, me e pranue até me nënshtrim, durim e
biles me gzim për me imitue Shelbuesin tonë, për me bashkue krygjet
tona të përditshme me Krygjen dhe Pasjonin e JEZU-KRISHTIT, për me
plotsue shka mungon prej Pasjonit të Shelbuesit të njerzimit dhe për me
i ofrue ato ATIT Qiellor për ma t'madhen lavdi të HYJIT, të Virgjinës
MARI dhe për shelbimin e shêjtnimin e shpirtnave. T'a kena pra Krygjen
Shêjte gjithmonë n'zemër, e n'ballë dhe t'a mbajmë gjithmonë para syve,
tuej kujtue se nuk ka rrugë tjetër drejt Parrizit dhe Lumnisë së
përjetshme përveç Rrugës mbretnore të Krygjës.
Zoti
jonë JEZU-KRISHTI ka shelbue shpirtnat me anen e vuejtjeve, prandaj
edhe të tana ata që aspirojnë Qiellin mos të harrojnë se vetëm me anen e
vuejtjeve munden me shelbue shpirtin e vet dhe shpirtnat e mkatnorve të
tjerë. Ata që mendojnë se ka nji rrugë tjetër, mjerisht ata janë nën
iluzjonin e djallit.
« A dishironi me i ofrue
Hyjit sakrifica dhe me pranue tana vuejtjet që ka me ju çue, në riparim
të mkateve të shumta që fyejnë Madhshtinë e Tij Hyjnore dhe në riparim
të blasfemave kundër Zemrës së Papërlyeme të Virgjinës MARI ? Hiri i
Zotit ka me ju mbështetë. » (Prej fjalve të Virgjinës MARI drejtue 3
fmijve në Fatima, në Aparicjonin e aprovuem të 13 Majit 1917)