Festa e tanë Shêjtënve na kujton pra triumfin e KRISHTIT ZOT mbi "zotat" e rrême pagaj. Mekênse shêjtnit e nderuem g'jatë 3 shekujve të parë të Katoliçizmit kjênë tanë Martirë dhe që Panteoni në fillim iu dedikue Martirve, Mesha e tanë Shêjtënve huazon prej liturgjisë së Martirve. "Introiti" âsht i Meshës së shêjtes Agàtë, kurse Unjilli, "Offertorium" dhe "Communio" janë të marrun prej Festës së zakonshme të Martirve; "Prefatio" bashkon himnet tona me ato të koràleve të engjujve dhe "Communicantes" na bashkon në komunjon me Virgjinën MARI e tanë shêjtnit.
Kisha Katolike na paraqet në kyt ditë nji vizjon t'admirueshëm të Parrizit ku, bashkë me sh'Gjon Evangjelistin, shofim me sytë e shpirtit 12,000-t e 12 fiseve të Izraelit (12 konsiderohet si nji numër perfekt) dhe nji turmë të madhe që kërkush nuk mundet me i numrue, prej çdo kombit, fisit, popullit e g'juhet, në kambë përpara Fronit dhe përpara Qingjit, me veshje të bardha dhe me palma në duer. KRISHTI Zot, Virgjina MARI, rreshtat e t'lumve, të ndamë në 9 korale, Apostujt dhe Profetët, Martirët e lamë në gjakun e tyne, Rrfyesit t'zbukuruem me veshje të bardha dhe koralet e Virgjinave të papërlyeme, formojnë kshtû, gjith s'bashkut, nji kortezh madhështuer. Aj përbahet prej tanë atyne që, ktu-poshtë, kjênê të shkëputun prej t'mirave toksuere, të butë, të vuejtun, të drejtë, të mshirshëm, të papërlyem, të paqtë dhe të persekutuem për emnin e JEZUSIT. "Gzojuni, - u profetizonte Shelbuesi, - sepse nji shpërblim i madh ju âsht përgaditë në Parriz." Midis ktyne miljona të drejtëve, që ishin dishepuj besnikë të JEZUSIT mbi tokë, gjinden aty edhe prej njerzve tonë : familjarë, miq e dioqezanë, që përfitojnë sod prej ksaj feste, t'cillët adhurojnë Hyjin, Mbretin e mbretënve dhe Kunoren e tanë Shêjtënve, dhe që na ndërmjetsojnë hiret e shumta qielluere. Meshtaríja që JEZU-KRISHTI ushtron në mnyrë të dukshme mbi elteret tona, ku i ofrohet ATIT, identifikohet me meshtarinë që Shelbuesi ushtron në mnyrë të dukshme në Qiell; Elteret e tokës, ku gjindet "Qingji i Zotit", dhe elterët e Qiellit, ku "Qingji si i sakrifikuem" qëndron në kambë, janë nji. Gjithashtu g'jatë Meshës shêjte gjithçka na kujton atdheun qielluer, tuej na kujtue se jena pelegrinë në kyt botë dhe në ecje të vazhdueshme drejt destinës tonë finale : Vdekjes, Gjyqit, Parrizit, Ferrit.
+ Pendêsa tradicjonale katolike : kusht i domosdoshëm për shëlbim. +
Mos t’harrojmë, kundër pretendimeve të rrêjshme të modernistave dioqezanë n’favor të shelbimit universal, se pa pendesë autentike t’krishtênë nuk ka shelbim, nuk ka Parriz. Pseudo-konçili i II i Vatikanit (1962-1965) dhe reformat shkatrrimtare postkonçiljare, moderniste e sinodale, themel i jetës t’sotme dioqezane, kanë eliminue totalisht te ndjeksit e vet pendêsen tradicjonale katolike, përfshi ktu Krezhmen shejte, Katër-kohët, etj., tuej vërtetue pa asnji dyshim anti-katoliçizmin e ktij sekti mashtrues e djallzuer që uzurpon sod Vatikanin e dioqezat, i mshehun nën emnin e mirë të Kishës Katolike.
« Ruejuni prej profetve të rrêmë! Kanë me ju ardhë të veshun me tesha qingjash por përmbrênda janë ujq grabitqarë. Ata keni me i njoftë prej fryteve të tyne, ashtû si njifet pema prej fryteve të saja. A vjèlen rrushtë ndër ferra apo fiqtë, ndër gjemba ? Pema e mirë xjerr fryte të mira; pema e keqe, fryte të kqija. Nji pemë e mirë nuk mundet me xjerrë fryte të kqija dhe as nji pemë e keqe, fryte të mira. Por çdo pemë që nuk ban fryte të mira ka me u këputë dhe me u hjedhë n'zjerm. Pra, profetët e rrêmë keni me i njoftë prej fryteve të tyne. » (sh'Mateu 7:15-20)
« Vllâznit e mij, ruejuni prej atyne që shkaktojnë skandale dhe dasína mes jush, tuej u largue prej doktrinës katolike që ju keni msue. Rrini larg prej tyne! Kto njerëz nuk shërbejnë JEZU-KRISHTIN, Zotin tonë, por janë skllevën të epsheve të tyne dhe me fjalë t'âmbla e servile mashtrojnë shpirtnat e thjeshtë. » (Prej letrës së sh'Palit drejtue Romakve, 16:17)
« Në t'njêten kohë, u gjinden aty disa njerëz që lajmnuen Shelbuesin mbi çka u kishte ndodhë disa galilèasve, t'cilve Pilati u kishte përzie gjakun me sakrificat e tyne. Tuej marrë fjalen, JEZUSI u tha : "A mendoni ju se ato galilèas kjenë ma mkatnorë se tanë galilèasit e tjerë, sepse vuejten kto gjana ? Po ju tham se jo, por n'kjoft se nuk bâni pendêsë, edhe ju keni me mbarue të tânë si ata.
« E ato 18 vetë që mbaruen, kur u râ mbi krye Kulla e Siloèsë, mendoni ju se borxhi i tyne [ndaj Drejtsisë Hyjnuere] kje mâ i madh se i tânë qytetàrve t'Jeruzalemit ? Po ju tham se jo, por n'kjoft se nuk bâni pendêsë, edhe ju keni me mbarue të tânë si ata. » (sh'Luka 13:1-5)
« Qé si i kërcënon Zoti ata që i përbuzin thirrjet e tija : "Qé pra, Un ju thirra e ju keni refuzue... Edhe Un kam me qeshë në shkatrrimin tuej e kam me u tallë kur t'bijnë mbi jue ajo që nuk e pritshit." (Proverbat 1:24-26). Vêni ré fjalët "Edhe Un"; që don me thanë se ashtû si jeni tallë me Zotin, tue E tradhtue prapë mbas rrfimit dhe premtimve me u korrigjue, njashtû edhe Hyji ka me u tallë me jue në oren e deks tuej. "Kam me qeshë dhe kam me u tallë." Por "Zoti nuk tallet" (Sh'Pali drejtue Galatve 6:7). » (Doktori i Kishës sh'Alfonsi i Liguorit ; pjesë prej Sermonit për të Dielen e parë të Krezhmes)
« Sh'Bazili, sh'Jeronimi, sh'Gjoni Krizostomi, sh'Agustini dhe Etnit e tjerë msojnë se Zoti, simbas fjalve të Shkrimeve Shêjte "Ju keni urdhnue çdo gjâ simbas masës, numrit dhe peshës" (Dija 11:21), ka fiksue për çdo person numrin e ditëve të jetës s'tij, shndetin dhe talentin që ka me i dhanë sejcillit si dhe ka përcaktue për gjithkênd numrin e mkateve që ka me falë ; e kur ky numër t'plotsohet, atherë Zoti nuk fal mâ. "Illud sentire nos convenit", thotë sh'Agustini, "tamdiu unumquemque a Dei patientia sustineri, quo consumato nullam illi veniam reservari." ("De Vita Christi", Cap. III.) Euzebi i Çezaresë thotë : "Deus expectat usque ad certum numerum et postea deserit." (Lib. 8 , Cap. II.)
Ajo që asht e pamujtun për njirin asht e mujtun për Hyjin Zot (Sh’Mateu 19, 26; Sh’Marku 10, 27; Sh’Luka 18, 27). Pa ndihmen e hirit t’Zotit e ndërmjetsinë e shejtënve asht e pamujtun me hî n’Parriz. T’kërkojmë atherë me përvujtnî, kambngulje, e besim n’KRISHTIN Zot, kyt hir aq t’dishirueshëm, sidomos përmes duerve t’papërlyeme t’Nanes tenZot, lutjet e t’Cilës plotsohen gjithmonë prej Birit t’Saj hyjnuer, Zotit e Shelbuesit tonë JEZU-KRISHTIT. Dhe lutja ma perfekte mbas Meshës Shêjte asht e shejtnueshmja Rruxare. Kjo mnyrë lutjet qiellore jo vetëm që ka fuqi hyjnuere me parandalue e ndalue gjithfarëlloj të kqijash, si luftna, epidemí, urí, etj., por edhe me na shejtnue n’mnyrë përfekte, që asht qëllimi i çdo t’krishtênit vullnetmirë, i cili shpreson nji ditë me marrë pjesë n'triumfin e Zemrës së Papërlyeme të Zojës së Fatimas :
Simbas nji revelacjonit t'Nânes tenZot, Virgjinës MARI, t'kallxueme prej t'lumit Alain de la Roche, prift dominikan, mbas Meshes Shêjte nuk ka lutje mâ t'rândsishme e mâ efikase me i dhânë Lavdinë e duhun Zotit e me sigurue shêjtnimin tonë sesa lutja e Rruzares Shêjte. Papet e shêjtnit e Kishes Katolike në predikimet e tyne i kanë dhanë lavdi e nderime t'mëdhaja ksaj forme lutjet, e cilla âsht e vetmja që quhet "shumë shêjte", "Sacratissimo Rosario". Kshtu, vetëm Papa Leoni XIII ka shkrue plot 12 inciklika mbi rândsine e madhe t'Rruzares Shêjte dhe ka propagandue si kurrë mâ parë rrecitimin e ksaj urate hyjnore t'ardhun prej Qiellit. N'Historinë e zbulimit të Shêjtes Rruzare thuhet se vetë Zoja e Bekueme ia ka msue kyt forme lutjet shêjtit Domenik, themeluesit të Urdhnit të Predikuesve.
« [...] Nuk mundem mos me folë mbi shêjat dhe mrekullitë që kam bâ n'vende t'ndryshme me anen e Rruzares Shêjte : epidemitë e murtajës që kam ndalue, luftnat e tmerrshme që kam pajtue, lumejt e gjakut që kam pengue me u derdhë, e përgjithsisht tâna të kqijat që kam largue. Êngjujt gëzoheshin, e Shêjtnueshmja TRINI kënaqej, Biri jem gjênte gazmendin dhe un gjêjsha nji lumní t'paimagjinueshme prej rrecitimit t'rruzareve t'ueja. Në gjithshka që bahet n'Kishen Katolike, mbas Meshes Shêjte, për mue nuk ka gjâ mâ t'kândshme sesa Rruzarja Shêjte. » (Fjalët e Zojes s'Bekueme drejtuem t'lumit Alain de la Roche)
Shêjtja Rruzare quhet ndryshej edhe "Psalteri i Jezusit dhe i Virgjinës Mari" sepse ajo përmban 150 Ave Maria (Ju falemi Mari), po aq sa âsht edhe numri i psalmeve te "Psalteri i Davidit". Për mâ tepër, rrecitimi i Rruzares prodhon jo vetëm t'njâjtin fryt si rrecitimi i psalmeve të Davidit por ka mâ shumë merita dhe fryte t'panumërta sepse :
- Fryti i "Psalterit êngjellor" (Rruzares Shêjte), që âsht vetë JEZU-KRISHTI âsht mâ fisnik se fryti i "Psalterit të Davidit" i cili vetëm profetizonte Birin e Zotit.
- Ashtu si e vërteta ia kalon figurës së sajë dhe ashtu si trupi ia kalon hijes së tij, ashtu edhe Psalteri i Virgjinës MARI ia kalon Psalterit të Davidit (Oficit hyjnuer kishtar), i cilli asht vetëm hija dhe figura e Rruzares shejte.
- Vetë e Shêjtnueshmja TRINI e ka bâ Psalterin i Virgjinës Marí ose Rruzaren Shêjte, që përbahet prej lutjeve "Ati Ynë" dhe "Ju falemi Marí".
[...] « Asnji personë nuk ka me mujtë me kuptue kurrë thesaret e admirueshme shêjtnuese që përfshihen në lutjet dhe në misteret e Shêjtes Rruzare. Ky meditim i mistereve të jetës dhe vdekjes së Zotit tonë JEZU-KRISHTIT âsht, për ata që i meditojnë, burimi i fryteve mâ t'mrekullueshme. Sod njerzit kërkojnë gjâna që bien n'sý, që emocionojnë e që lânë mbresa të thella në shpirt. Po â gjindet n'botë gjâ mâ emocionuese sesa kjo Histori e mrekullueshme e Shëlbuesit tonë që na kalon para syve në 15 tabló tuej na kujtue ngjarjet e mëdha të jetës, të vdekjes dhe të lavdísë së Shpëtimtarit të botës ? Cillat lutje janë mâ t'shkëlqyeshme e mâ sublime sesa lutjet "Ati ynë" dhe "Ju falemi Mari" ? Në kto dy lutje përfshihen të tâna dishirat dhe nevojat tona... » (Pjesë prej librit "Sekreti i Rruzares" i shêjtit të madh marial, saint Louis-Marie Grignion de Montfort).
ZOTI JU BEKOFTE E JU RUEJTE !
ZOTI JU ZBULOFTE FTYREN E TIJ E PASTE MSHIRE PER JUE !
ZOTI KTHEFTE FTYREN E VET DREJT JUSH E JU DHAFTE PAQEN E TIJ !
... ZOTI JU BEKOFTE !
(Ky bekim, i gjetun n'nji libër të vjetër françeskan, âsht bekimi që Hyji i dha Profetit Moisí në shkretinë e, ma vonë, shêjtit të madh, sh'Françeskut t'Asizit.)
Referenca :
- Dom Gaspar Lefebvre, "Missel quotidien et vespéral", Belgique, 1936.
- Catholic Harbor of Faith and Morals

