Shpjegimi
i Pasionit të Zotit tonë JEZU-KRISHTIT simbas sh'Mateut
përkthye
prej I.S.
Sh'Françesku
i Asizit, nji prej shejtënve mâ të mëdhaj të
Kishës Katolike
që
ka pasë nji devocjon të jashtzakonshëm për
vuejtjet e KRISHTIT ZOT.
Ngjarjet
para Pasionit
Kur
evangjelistat flasin për « diten e parë të
Azimeve », ata flasin për të Enjten mbrama, që
don me thanë, simbas hebrejve, fillimin e të Premtes. Të
Enjten sh'Pjetri dhe sh'Gjoni u dërguen prej Shëlbuesit me
përgaditë sallen e Cenaklit, në katin e sipërm të
nji shpije (Aktet e Apos. 1:13). Kur pat râ nata (sh'Marku
14:17), pra gjatë vigjiljes së parë të natës
që zgjat deri në oren 9 të darkës, JEZUSI erdhi
me dishepujt dhe u ulën rreth nji tavoline mbi disa jestekë
pak të ngritun mbi tokë, tuej u mbështetë mbi
krahun e majtë, simbas traditës orientale. Sh'Gjoni, që
isht ulë në të djathten e KRISHTIT ZOT, mujti
lehtsisht me e mbështetë kryet mbi gjoksin e Shelbuesit.
Gjatë ksaj darke, JEZUSI mori nji prej bukve të mëdha
pa tharm, të gjanë rreth 20 cm dhe shumë të
hollë, dhe e shndrroi në Trupin e Tij, tuej thanë nji
lutje eukaristike ose nji akt falenderimit, ashtû si bante ati
i familjes i cilli, përpara se ma hangër qingjin e Pashkës,
falenderonte Zotin që kishte çlirue Izraelin prej
robnijet. Mandej, mbasi kishin hangër darken, ndërkohë
që duhej pi edhe nji gotë, simbas ritit mozaik, KRISHTI e
shndrroi até në Gjakun e Tij. Për kyt gjâ,
Shelbuesi përdori fjalët me anën e të cillave
Moisi kishte vulosë Beslidhjen e Vjetër në gjakun e
krijesave [kafshëve] : « Ky âsht gjaku i
Beslidhjes që Zoti e ka bâ për jue » (Eksodi
24:8) JEZUSI i shtoi dy fjalë : « Ky âsht Gjaku
em... i Beslidhjes së Ré ». Në lidhje me
Pashken hebreje, qendra e tanë jetës fetare të
çifutve, ligjvênsi i Izraelit pat thanë : « Keni
me e kujtue kyt ditë dhe keni me e celebrue brez mbas brezit, si
nji festë të përhershme » (Ibid. 12:14).
Shelbuesi urdhnoi gjithashtu apostujt , « dhe të tanë
meshtarve e ardhshëm », shton Konçili i
Trentës, me e konsakrue buken dhe vênen « në
kujtimin e Tij » (sh'Luka 2:19). Qingji i sakrifikuem qysh
mâ shumë se 1500 vjet prej bijve të Izraelit
zëvendsohet prej Qingjit të Zotit qe ne do të
sakrifikojmë deri në fundin e shekujve dhe Mesha, që
âsht Sakrifica e Kalvarit, bahet qendra fetare e të tanë
popullit Kristjan.
Gjetsemani
Fjalët
e JEZUSIT mbas Darkës janë nji fjalim sublim që âsht
Beslidhja e Tij e dashtnisë. Mbasi doli prej Cenaklit, Shelbuesi
kaloi deren e murit të qytetit, e cila gjindej jo larg pishinës
së Siloesë, dhe iu ngjit luginës së Cedronit,
përgjatë lagjes së Ofelit, për me shkue në
kopshtin e Gjetsemanit, rranzë malit të Ullijve. Tre
apostujt dishmitarë të Transfigurimit kjenë prezent
gjatë agonisë së KRISHTIT, e përsëritun tri
herë. Juda, i cilli kishte shitë Zotin e tij për 30
denarë, erdhi me shefin e nji trupe ushtarësh romakë
s'bashkut me roje të Tempullit të dërguem prej
Sanhedrinit (Gjyqit suprem hebraik). Mbas kapjes së JEZUSIT, ata
hyne në Jeruzalem tuej iu njitë të përpjetave
veri-lindore të qytetit dhe shkuen në pallatin e priftnijve
të mëdhaj [priftnijve shefa].
Gjyqi
fetar para Anës dhe Kaifës
Proçesi
gjyqsor fetar, mbasi ishin autoritetet fetare çifute ata që
do të pvetshin JEZUSIN, do të informohej mbi shprehjen e
përdorun prej JEZUSIT kur kishte thanë se âsht Biri i
Zotit. Sanhedrini përbahej prej 70 vetve në krye të të
cillit gjindeshin princat e priftnijve dhe shefi i tyne suprem,
Prifti i madh. Ana kishte mujtë me e sigurue titullin e priftit
të madh për 5 fmijet e tij dhe, në vjetin e dekës
së Zotit tonë JEZU-KRISHTIT, për dhandrin e tij,
Kaifen. Të pabesë ndaj misionit të tyne, përfaqsuesit
zyrtarë të fesë hebraike pritshin për Mesi nji
mbret luftarak që do ti lironte me armë prej zgjedhës
romake. JEZUSI u çue në fillim te Ana, vjehrri i Priftit
të Madh. Tuej mos kênë mâ pontif, ai ishte i
paaftë me gjykue KRISHTIN, të Cillin e çoi te
dhandri i tij, Kaifa. Ai e priti JEZUSIN në nji pjesë
tjetër të pallatit, i ulun kambkryq, simbas zakonit, mbi
nji platformë pak të ngritun. Rreth tij, në formë
gjysrrethore, mbi disa jestekë, për tokë, ishin të
ulun priftnijt e tjerë. Kjo proçedure gjyqsore ishte
ilegale sepse duhej bâ diten dhe në prezencen e
dishmitarve. Ndërkohë, ora ishte rreth 2 e mesnatës
dhe u gjetën dishmitarë të rremë. Jozef Kaifa,
atherë, i mbushun me inat, e ven JEZUSIN në bé me i
thanë solemnisht n'kjoft se Ai âsht Biri i Zotit. Kjo
pyetje ishte kundër ligjit mozaik që në kyt rast
anullonte dishminë e të akuzuemit. JEZUSI që prite kyt
rast për me folë, pohon zyrtarisht Hyjninë e Tij
përpara autoriteteve fetare hebraike të mbledhuna në
kshill suprem. Si rrjedhojë, tuej e akuzue për blasfemi,E
dënojnë të dênjë për vdekje. KRISHTI
Zot pranon dënimin sepse pikërisht tuej kênë
Biri i Zotit, Ai mundet me i dhanë nji vlerë të
pafundme sakrificës që ka me i ofrue Hyjit, Atit të
Tij, për njerzit, vllâznit e Tij.
Shërbtorët
e priftnijve – Sh'Pjetri – Juda
Për
pjesen e mbetun të natës, Shelbuesi lêhet në
duert e shërbtorve të priftnijve të cillët E
mbulojnë me tallje e turtura. Gjatë ksaj nate, sh'Pjetri që
e kishte ndjekë JEZUSIN prej arg, me ndihmen e sh'Gjon
Evangjelistit, mujti me hi në oborrin e pallatit të
priftnijve të mëdhaj, ku mohoi tri herë Shelbuesin e
tij. Mbas kndimit të dytë të gjelit, ai doli prej
pallatit dhe « kjau me zâ të naltë, me
dënesa », shpjegon teksti grek. Kah mjesi, Sanhedrini
u mbodh prapë për me i dhanë vendimit të tij, që
duhej marrë diten, nji pamje legale. JEZUSI u nxorr prapë
para kshillit dhe kur Ai deklaroi publikisht se âsht Biri i
Zotit u dënue edhe njiherë. Atherë Juda kuptoi tanë
madhsinë e krimit të tij. I brejtun prej ndërgjegjes,
ai shkoi me takue kshillin e priftnijve që ishte prapë i
mbledhun për me u thanë se « kishte mkatnue tuej
dorzue Gjakun e të Drejtit ». I mbytun prej
dishprimit, tradhtari hodhi në Tempull monedhat e sermit që
kishte marrë dhe tuej zbritë drejt pishinës së
Siloesë u fut në gryken e thellë ku rrjedh prroni i
Hinomit. Në kyt vend i quejtun Gjehenë (Ge-Hinnom), « ai
vari vedin » (Sh'Mateu 7:5). E « kur litari u
kput, ai ra me krye poshtë, u ça dhe i dolen zorrët
jashtë » (A.A.I, 18)
Proçesi
civil para Pilatit
Vetëm
Rroma, që sundonte n'at kohë Palestinën, kishte të
drejten e gjykimit me vdekje. Duhej me iu drejtue prokurorit romak
dhe kshtû çuen JEZUSIN te gjykata e Poncit Pilat në
fortesën Antonia ku çifutnit nuk hyne sepse shpia e nji
pagani do ti njolloste zyrtarisht në festen e Pashkës. Para
ktij gjyqi civil duhej nji krim i nji natyre politike. Mesia, për
çifutët, duhej të ishte nji monark toksuer. E
akuzuen atherë JEZUSIN, që quhej Mesia, si nji Mbret
konkurrues i Çezarit. Në kyt terren të ri, u
përsërit e njêjta ngjarje si naten e maparshme : e
njêjta heshtje e KRISHTIT ZOT para dishmitarve të rremë;
i njêjti afirmim zyrtar i Mbretnisë së Tij shpirtnore
para botës pagane, e cilla përfaqsohej kyt herë prej
atyne që mbajshin frenat e perandorisë botnore; të
njêjtat trajtime të dhunshme, kyt herë prej ushtarve
romakë. Por JEZUSI, që në fakt drejtonte ngjarjet,
deshti me u dënue vetëm si Biri i Zotit dhe Mbreti i
shpirtnavet. Ai e riktheu çâshtjen në terrenin
fetar tuej thanë : « Mbretnija eme nuk âsht e
ksaj bote ». Për rrjedhojë, çâshtja
delte jashtë kompetencave të Pilatit, i cilli E deklaroi
krejtsisht të pafajshëm. Çifutnit atherë
përdoren kërcënimet. Pilati, shumë frikacak me
ushtrue autoritetin e tij mbi nji turmë që do të
hakmerrej tuej e akuzue para Çezarit, kërkoi me ruejtë
interesat personale, megjithë protestat e nji ndërgjegjeje
pagane supersticioze që frigohej prej ndëshkimit të
« zotnave ».
Herodi
– Pilati - Barabas – Rrahja me kamxhik
Mbasi
msoi se JEZUSI, për sa i përket Natyrës Njerzore,
ishte prej Galilesë, Pilati përfitoi me E nisë për
gjykim te Herodi. Ky tetrark ishte i biri i Herodit të Madh që
urdhnoi masakren e fmijve të pâfajshëm kur mbretnit
prej Lindjes lajmnuen se « Mbreti i hebrejve »
sapo kishte lindë. I turpnuem prej heshtjes së JEZUSIT, ai,
nga ana e tij, i turpnoi çifutnit tuej veshë JEZUSIN me
petkun e bardhë të kandidatve për mbret, titull që
çifutnit ia mohojshin KRISHTIT ZOT. Së dyti, Pilati
përpiqet me dalë prej situatës së vshtirë
tuej vue në nji rang nji vrasës si Barabas me KRISHTIN ZOT;
por edhe kjo nuk pati sukses. Së treti, Pilati përdor
rrahjen me kamxhik tuej shpresue me prekë çifutnit dhe me
E lanë mandej JEZUSIN të lirë. Kjo turturë e
turpshme rezervohej për skllevnit. Viktimës së
zhdeshun i lidheshin duert te unaza e nji kolone të ultë.
Egzekutuesi i pajisun me nji kamxhik me rrypa elastike, të
cillat përfundojshin me koca apo gjyle të vogla plumbit,
rrahte me nji ngadalsi të kalkulueme shpinen e përkulun dhe
të tendosun të viktimës. Rrypat tuej u përkulë
me elasticitet rreth trupit grryjshin shpatullat dhe gjoksin tuej
lanë brazda të thella, prej ku rridhte gjaku e prej ku
shkëputeshin copa mishit. JEZUSI âsht paraqitë në
kyt gjendje para turmës, i veshun me nji pekt të kuq, me
kunoren e Tij dhe skeptrin prej kallamit. Çifutnit kuptuen
krejt ironinë e ksaj skene. A do të guxojshin me pâ
prapë te ky Mbret konkurruesin e Çezarit ?
Dënimi
i JEZUSIT
Çifutnit
atherë hidhen me përbuzje mbi titullin e Tij të Birit
të Zotit, që do të ishte edhe arsyeja e vdekjes së
Shelbuesit. Pilati, me qetsue vedin, mendon me gjetë nji
rrugdalje të fundit, tuej kujtue thirrjet e çitutve
kundër tij : « Kena me të paditë te
Çezari ». Nëpërmjet aktit simbolik të
lamjes së duerve, ai u difton çifutve se para gjyqit të
tij, JEZUSI âsht i pafajshëm dhe Ia dorzon atyne vetëm
se kta pretendojshin se ligjet hebraike e dënojshin KRISHTIN
ZOT. Kyt gjâ Pilati ka me e pohue deri në momentin e
fundit, tuej varë mbi Kryq nji pllakë drunit, që
diftonte simbas zakonit arsyen e dënimit. Mbi pllakë, në
hebraisht, greqisht e latinisht shkruheshin kto fjalë : « JEZUSI
i Nazaretit, Mbreti i çifutve ». Pilati, prej
frigës, âsht fajtor për kyt vrasje, kurse çifutnit,
prej urrejtjes së tyne kundër Birit të Zotit, janë
fajtorë të vrasjes së Zotit (Deicida)
(lat).
Udha
e Krygjës – Kryqzimi – Agonia
Rreth
orës 11 të mjesit, JEZUSI la gjyqin e Pilatit. Rruga e
dhimbshme e krygjës filloi prej rrugës që zbret në
luginën e Tiropeonit (Tyropoeon) dhe që ngjitet
drejt lindjes, nëpërmjet nji të përpjete, deri te
dyert e qytetit. Atje, jashtë mureve, në malin e Golgotës
kryheshin egzekutimet. Në mesin e nji nate të thellë,
që zgjati prej mesditës deri në 3 mbasdite e që
u vërejt në të tanë perandorinë romake,
JEZUSI vuejti turturen e fundit. Vdekja e krygjës ishte vuejtja
mâ mizore dhe mâ e tmerrshme sepse viktima, pa mujtë
me lëvizë, duhej me mbajtë, për disa orë,
peshen e trupit mbi krahët e shtrimë. Prej tensionit të
tmerrshëm, gjaku i viktimës bllokohej në fytyrë
dhe në gjoks dhe provokonte nji dhimbje të patolerueshme që
karakterizohej veçanarisht prej nji etjeje përvëluese.
Me dekë i kryqzuem ishte me dekë vetëm prej dhimbjes
në agoninë mâ të tmerrshme të mundshme. Kah
mbramja, i theheshin kambët viktimës me përshpejtue
vdekjen.
Vdekja
e JEZUSIT – Varrimi i Tij
Atherë
erdhi momenti deçiziv që do të shënonte për
njerzimin mbarë oren e tij të shëlbimit. JEZUSI ka me
vulosë me Gjakun e Tij tana aktet e jetës së Tij
n'mnyrë që ata të jenë akte shelbuese. E për
me diftue se jo prej detyrimit por prej dashtnisë për Atin
e Tij e për të tanë njerzit që Shelbuesi lejoi
vdekjen me iu afrue dhe me bâ punen e vet, JEZUSI lëshoi
nji britmë të madhe dhe dhâ Shpirtin në duert e
Atit të gjithpushtetshëm. Shelbuesi jonë hyjnor ka
vdekë. Me Virgjinën MARI, Nânen e Tij e Nânen
tonë, dhe sh'Gjon Evangjelistin të qëndrojmë te
kambët e Krygjës dhe, si disa çifutë që u
konvertuen në kyt moment, ti bijmë edhe na gjoksit në
shêj pendeset, sepse Biri i Zotit i ofroi Jeten e Vet Hyjit për
me shlye mkatet tona.
Sakrifica
pafundsisht shêjte u ofrue rreth orës 3 mbasdite. Rreth
orës 5 të mbramjes, JEZUSI u lirue prej Krygjës dhe u
vorros me ngut sepse në oren 6 të mbramjes fillonte Sabati
që, në at vjet, ishte nji Sabat fort zyrtar (Sh'Gjoni
19:31) Ai përputhej në fakt me 25 Nisanin, diten mâ
të rândsishme të festës së Pashkës. Ky
Sabat simbolizon në mnyrë perfekte pushimin në të
cilin ka hye përgjithmonë JEZUSI. Çifutnit nuk
kishin vorreza. Ata përgaditshin nji vorr në pronën e
tyne, shpesh në dy anët e rrugve kryesore. Jozefi, që
ishte prej Arimatijet, qytet në Judé, vuni JEZUSIN në
vorrin që ai kishte përgaditë për vedi e që
ndodhej në nji kopsht afër vendit ku vdiq Shelbuesi.
Nikodemi kishte prue rreth 32 kg parfum për me krye provizorisht
ceremonitë e varrimit simbas zakonit hebraik. Mandej e mbyllen
vorrin me nji gur të madh, në formë e gurit të
mullinit që lëvizej me shumë vështirsi. Gratë
shejte u kthyen atherë në qytet me ble erëza me
qëllimin me E varros JEZUSIN si duhet, mbas pushimit të
Sabatit. Të nesërmen ose të Shtunden çifutët
vulosën vorrin dhe vunë roje.
N'kto
ditë të bekueme të thojmë edhe na me JEZUSIN
lutjen e Kungimit :
« Ati
em, n'kjoft se kjo Kupë nuk mund të kalojë pa e pi, u
baftë Vullnesa Juej ».