Sermon
për të Dielen e dytë të Krezhmes
prej
Doktorit të famshëm të Kishes Katolike
sh'Alfons-MARIA
i Liguorit
përkthyem
prej I.S.
Mbi
Parrizin
« Zot,
âsht mirë për ne me kênë ktû »
(sh'Mateu 17:4)
Në
Unjillin e ditës së sotme lexojmë se, tuej dashtë
me i dhanë dishepujve të Tij nji rreze të lumnisë
se Parrizit për me i inkurajue ata me punue për nderin
hynor, Shëlbuesi u shndrrue dhe i lejoi ata me pâ
ndriçimin e Ftyrës së Tij. I egzaltuem me gzim e
knaqsí, sh'Pjerti shpërtheu : « Zot, âsht
mirë për ne me kênë ktû. » Zot,
na lejoni me ndejë ktû e mos të ikim mâ kurrë
prej ktij vendit sepse pamja e bukurisë Tuej na ngushllon mâ
tepër se tâna knaqsitë e botës. Vllâzën,
t'punojmë gjatë viteve që na mbesin n'kyt jetë
për me fitue Parrizin, i cilli âsht nji e mirë aq e
madhe sa që JEZU-KRISHTI ka sakrifikue jetën e Tij në
Kryq për me na e blé até. Të jeni të
sigurtë se mundimi mâ i madh i të mallkuemve në
Ferr vjen prej mendimit që ata kanë hupë Parrzin për
fajin e tyne. Bekimet, knaqsitë, gzimet dhe âmblësia
e Parrizit munden me u fitue por vetëm shpirtnat e të
bekuemve, që i gzojnë ata, munden me i përshkrue e
kuptue. Por t'përpiqena tashti, me ndihmen e Shkrimeve Shejte,
me i shpjegue me aq pak sa mundet me u folë për ta.
1.
Simbas Apostullit [sh'Palit] asnji njiri n'kyt botë nuk mundet
me kuptue bekimet e pafundme që Zoti ka përgaditë për
shpirtnat që E dojnë. « Syni nuk ka pâ,
veshi nuk ka ndie e zemra e njirit nuk ka kuptue çfarë
gjanash i Madhi Zot ka përgaditë për ata që E
dojnë. » (1 Kor. 2:9) Në kyt jetë, na nuk
mundena me imagjinue knaqsi të tjera përveç atyne të
shqisave. Ndoshta mendojmë se bukuria e Qiejve i gjason nji
lëndine të madhe të mbulueme me jeshildhekun e
pranverës, e ndërthurun me pemë të lulzueme dhe e
mbushun me zogj që fluturojnë dhe kndojnë në të
tana anët; ose ndoshta e përftyrojmë Parrizin si nji
kopsht të bukur të mbushun me fruta dhe lule e të
rrethuem me burime ujit që rrjedhin pa pushue. « Oh!
Çfarë Parrizit » me kundendue ? at lëndinë
ose at kopsht! Por oh! Sa mâ të mëdhaja janë
bukuritë e Qiejve! Tuej folë për Parrizin, sh'Bernardi
thotë : « O njiri, n'kjoft se dishiron me kuptue
bekimet e Qiejve, dije se n'at vend të lumtun nuk ka asgjâ
të pakandshme dhe ka gjithshka që ti dishiron. « Nihil
est quod nolis, totum est quod velis. » Edhe pse ktu mbi
tokë ka disa gjana të kândshme për shqisat, sa
shumë gjana tjera veçse na mundojnë ? N'kjoft se
drita e ditës âsht e pëlqyeshme, errsina e natës
âsht e pakandshme; n'kjoft se pranvera dhe vjeshta janë të
gëzueshme, i ftofti i dimnit dhe nxehtsia e verës janë
të mundimshme. Për ma tepër, na duhet me durue dhimbat
e sëmundjes, persekutimin e njerzve dhe vshtirsitë e
vorfnisë; na duhet me përballue problemet e mbrendshme
morale, frigët, tundimet e djallit, dyshimet e ndërgjegjes
dhe pasigurinë e shëlbimit të përjetshëm.
2.
Por mbas hymjes në Parriz, të bekuemit nuk kanë me
pasë mâ mundime. « Hyji ka me u fshí çdo
lot prej syve të tyne. » Zoti ka me u fshí
lotët e derdhun gjatë jetës toksore. « Dhe
deka nuk ka me kênë mâ, as zija e mortit, as gjamat
e as dhimbat, sepse gjanat e mâparshme do të kenë
kalue. Dhe Ai që ishte i ulun mbi fron tha : « Shifni, po
i baj tana gjanat të reja. » (Apokalipsi 21:4-5) Në
Parriz, deka dhe friga e dekës nuk kanë me egzistrue mâ;
në at vend të lumnisë nuk ka as vuejtje, as dhimbje,
as vorfní, as vshtirsina, as ndryshimet e ditës dhe të
natës, të ftofit dhe të nxehtit. Në até
mbretní, ka nji ditë të vazhdueshme, gjithmonë
të bukur, nji pranverë të vazhdueshme, gjithmonë
të lulëzueshme. Në Parriz nuk ka as persekucione e as
anmiqsina, sepse të tanë duejnë njêni-tjetrin me
dashamirsí dhe sejcili gëzohet për lumninë e
tjetrit si me kênë e vetja. Nuk egziston ma friga e hupjes
së përjetshme sepse shpirti i siguruem në hir nuk ka
me mujtë mâ as me mkatnue e as me hupë Zotin.
3.
« Totum est quod velis. » Në Parriz
mundesh me gjetë gjithshka që dishiron. « Shifni,
po i baj të tana gjanat të reja. Atje çdo gja âsht
e re; bukuri të reja, knaqsi të reja, gzime të reja.
Atje të gjitha dishirat tona kanë me u plotsue. Të
pamit ka me u ngí tuej pa bukurinë e atij qyteti. Sa e
kandshme me pa nji qytet ku rrugët janë prej kristalit,
shpitë, prej argjendit, dritaret, prej arit dhe gjithshka ka me
kênë e zbukurueme me lulet ma të bukura ! Por, oh! Sa
herë ma i bukur ka me kênë qyteti i Parrizit !
Bukuria e ktij vendi ka me u rritë prej bukurisë se
qytetarve të tij të cilët janë të tanë
të veshun me tesha mbretnore sepse, simbas sh'Agustinit, ata
janë të tanë mbretën. « Quot cives,
tot reges. » Çfarë knaqsijet do të jetë
me pa Virgjinen MARI, Mbretneshen e Parrizit, që ka me u dukë
ma e bukur se tanë qytetarët e tjerë të Parrizit!
Por çfarë knaqsijet ka ma kenë me pa bukurinë e
JEZU-KRISHTIT! Shêjtja Tereze pâ nji ditë njênën
prej duerve të JEZU-KRISHTIT dhe mbeti e habitun prej bukurisë.
Të nuhatuni ka me u ngí me aroma, por me aromat e
Parrizit. Të ndigjuemit ka me u ngí me harmoninë e
tingujve qiellorë. Sh'Françesku ndigjoi nji herë për
nji moment nji engjëll tuej lujtë në violinë dhe
për pak vdiq prej knaqsisë. Çfarë knqsijet ka
me kenë me ndigjue shêjtnit dhe engjujt tuej kndue lavdet
hyjnore! « Ata kanë me Ju lëvdue për jetë
të jetve. » (Psalmi LXXXIII:5) Çfarë ka
me kenë me ndigjue Virgjinen MARI tuej levdue Zotin!
Sh'Françesku i Sales thotë se ashtu si kanga e bilbilit
në pyll ia kalon kangës së tanë zogjve të
tjerë ashtu edhe zani i Nânës së Zotit asht
shumë herë ma superior se ai i tanë shejtënve të
tjerë. Me nji fjalë, në Parriz janë të tana
knaqsitë që njiri dishiron.
4.
Por knaqsitë për të cilat folëm janë vetëm
bekimet mâ të vogla të Parrizit. Lavdia e Parrizit
konsiston me pa Hyjin ballë për ballë. « Totum
quod expectamus, » thotë sh'Agustini, « duae
syllabae sunt, Deus. » Shpërblimi që Zoti na
premton nuk konsiston tânsisht në bukurinë, harmoninë
dhe avantazhet e tjera të qytetit të Parrizit. Vetë i
Madhi Zot, të Cilin shejtnit munden me E pâ, âsht,
simbas premtimeve të Abrahamit, shpërblimi kryesuer i të
drejtëve në Qiell. « Un jam shpërblimi yt
jashtzakonisht i madh. » (Gen. XV:1) Sh'Agustini pohon se
sikur i Madhi Zot t'u diftonte Ftyren e Tij të mallkuemve
« Ferri do të shndrrohej menjiherë në nji
Parriz knaqsish. » (Lib. De trip. Habit., tom. 9.)
Dhe ai shton tuej thanë se n'kjoft se shpirti i nji të
dekunit do të kishte mundsinë e zgjedhjes midis vizionit të
Zotit por tuej durue vuejtjet e Ferrit dhe lirimit prej ktyne
vuejtjeve infernale por tuej hupë vizionin e Zotit, « shpirti
do të preferonte me pâ Zotin dhe me vuejtë torturat e
Ferrit. »
5.
Knaqsitë e shpirtit tejkalojnë pafundsisht të tana
gzimet e shqisave. Edhe n'kyt jetë, Dashtnija Hyjnore shtjen
n'shpirt aq âmbëlsi, kur Zoti komunikon me shpirtin, saqë
trupi ngrihet prej tokës. Sh'Pjetër Alkantara, nji herë
râ n'nji ekstazë dashtnijet aq të fortë saqë,
tuej rrokë nji pemë, u ngrit n'ajër dhe mori edhe
pemen me vedi, tuej e zhgulë prej rrânjësh. Aq e
madhe âsht âmbëlsija e Dashtnisë Hyjnore, saqë
shêjtnit martirë në mes të torturave të
tyne nuk ndijshin asnji dhimbje, përkundrazi ishin të
mbushun me gzim. Prandej, sh'Agustini thotë se kur sh'Lorenci u
pat vue mbi nji skarë (shtrat hekurit) të skuqun prej
zjermit, ngrohtsija e Dashtnisë Hyjnore e bani të
pandijshëm karshi nxehtsisë djegsë te zjermit që
skuqte skaren. « Hoc igne incensus non sentit incendium. »
Edhe mkatnorve, që bajnë pendesë për mkatet e
tyne, Zoti u nep ngushëllime që i kalojnë të tana
knaqsitë toksore. Prandej sh'Bernardi thotë : « N'kjoft
se âsht kaq e âmbël me kja për Jue, si ka me
kênë me u gzue n'Jue ! »
6.
Sa e madhe âsht âmbëlsija që nji shpirt ndien
kur, në kohen e lutjes, Hyji, me anen e nji rrezeje të
Dritës së Tij, i difton shpirtit mirsinë dhe mshirën
e Tij për té dhe veçanarisht dashtninë që
JEZU-KRISHTI i ka diftue në Pasionin e Tij ! Shpirti ndien
zemren e tij tuej u shkrie dhe si me kênë tuej u shpërbâ
prej dashtnisë. Por në kyt jetë ne nuk e shofim Zotin
ashtû siç âsht : ne E shofim si me kênë
në errsinë. « Tashti na shofim nëpërmjet
nji xhamit, n'nji mnyrë të errët por mandej, ballë
për ballë. » (1 Cor. 13:12) Ktu poshtë,
Zoti âsht i mshehun prej pamjes tonë; na mundena me E pa
vetëm me sytë e Fesë. Sa e madhe ka me kênë
knaqsija jonë kur perdja ku ma u hjekë dhe kur kena me u
lejue ma pa Zotin ballë për ballë ! Atherë, kena
me pa bukurinë, madhninë, perfeksionin, dashamirsinë
dhe dashtninë e Tij të pafundme për shpirtnat tonë.
7.
« Njiri nuk e din a âsht i dênjë për
dashtni apo urrejtje. » (Eccl. 9:1) Friga e mos dashtjes
së Zotit dhe i mos t'kênit i dashtun prej Tij âsht
vuejtja mâ e madhe që kalojnë mbi tokë ato
shpirtna që duejnë Zotin. Por në Parriz, shpirti âsht
i sigurtë se ai e don Zotin dhe se Zoti e don até; ai e
shef se Hyji e përqafon até me nji dashtni të
pafundme dhe se kjo dashtni nuk ka me u shpërbâ kurrë,
për jetë të jetve. Dija e dashtnisë që
JEZU-KRISHTI i ka diftue tuej ofrue Vetvedin në sakrificë
për té mbi Kryq, dhe tuej u bâ ushqimi i tij në
Sakramendin e Elterit, ka me ndezë mâ shumë zjermin e
dashtnisë së tij. Ai ka me pâ se tana mundimet,
vorfnia, sëmundjet dhe persekutimet të cillat ai i ka
konsiderue si gjâma kanë ardhë të gjitha prej
dashnisë dhe janë kênë mjetet e përdoruna
prej Providencës Hyjnore me e çue até në
lavdi. Ai ka me pâ të tana inspirimet, thirrjet e
dashtnisë dhe mshiret qe I Madhi Zot i ka dhanë mbasi ai e
ka fye me mkat. Prej malit të bekuem të Parrizit ai ka me
pâ se sa shumë shpirtna janë mallkue për ma pak
mkate se mkatet e bame prej tij dhe ai ka me pâ se ai âsht
i pshtuem dhe i sigurtë se nuk ka me e hupë ma kurrë
të Madhin Zot.
8.
Të mira e ksaj toke nuk i plotsojnë dishirat tona : në
fillim ata knaqin shqisat por kur msohena me ta ata nuk na pëlqejnë
mâ. Por gzimet e Parrizit ngijnë dhe gzojnë
vazhdimisht zemren. « Kam me u gzue kur të shfaqet
lavdia Juej. » (Psalmi 16:15) Edhe pse të ngijnë,
ato gzime duken po aq të reja si herën e parë që
janë shijue; ata të knaqin gjithmonë, të bajnë
me i dishirue gjithmonë dhe posedohen gjithmonë.
« Ngimja, » thotë sh'Gregori, « shoqnon
dishiren. » (Lib. 13, Mor., c. 18) Kshtû, dishirat e
shejtënve n'Parriz nuk shkaktojnë vuejtje sepse kto
t'bekuem janë gjithmonë të knaqun; dhe ngimja nuk
prodhon neveri sepse ajo âsht e shoqnueme gjithmonë me
dishirë. Prandaj shpirti ka me kênë gjithmonë i
knaqun dhe gjithmonë i etun : ai ka me kênë përjetë
i etun dhe përjetë i knaqun me knaqsí. Të
mallkuemit janë, simbas Apostullit, enë t'mbushuna plot me
idhnim dhe mundime, « enë idhnimit gadi për
shkatrrim. » (Rom. 9:22) Por të drejtët janë enë
të mbushuna me mshirë dhe gzim, kshtû që ata nuk
kanë asgjâ me dishirue. « Ata kanë me u
mbushë me bollekun e shpisë Tuej. » (Psalmi
35:9) Tuej kundrue bukurinë e Hyjit, shpirti ka me u flakrue dhe
me u dejë aq shumë
me Dashtninë hyjnore saqë ai, me lumni, ka me ndejë i
hupun në Zotin; ai ka me e harrue vedin krejtsisht dhe për
tanë përjetsinë ka me mendue vetëm me dashtë
dhe lëvdue të miren e jashtzakonshme që ka me e
posedue përgjithmonë dhe që nuk ka me mujtë me e
hupë kurrë. Në kyt jetë shpirtnat shêjte
dojnë Zotin por ata nuk munden me E dashtë me të tanë
fuqinë e tyne dhe pa ndërpremje. Sh'Tome Akuinati mson se
kjo dashtni perfekte i nepet vetëm qytetarve të Qiellit,
t'cillët dojnë Hyjin me tanë zemren e tyne dhe në
mnyrë të vazhdueshme. « Ut totum cor hominis
semper actualiter in Deum feratur ista est perfectio patriae. »
(2, 2 quaest. 44, art. 4, ad. 2)
9.
Sh'Agustini ka thanë me të drejtë se për me fitue
lavdinë e përjetshme të Parrizit ne do të duhej
të ishim gadi me punue përjetë. « Pro
aeterna requie aeternus labor subeundus esset. » « Ata
keni me i shelbye për hiç gjâ. » thotë
Mbreti David (Psalmi lv:8) Shejtnit kanë bâ krejt pak me
fitue Parrizin. Sa e sa mbretën kanë dorzue fronin e tyne e
janë mbyllë në nji qelë; sa e sa eremitë
shejtë kanë kalue jetën në nji shpellë; sa e
sa martirë që u janë nënshtrue me gzim torturave
kanë bâ vetëm pak. « Vuejtjet e ksaj jete
nuk janë të dênja me u krahasue me lavdinë e
ardhshme. » (Rom. 8:18) Për me fitue Parrizin do
t'ishte kenë vetëm pak gjâ me vuejtë të
tâna mundimet e ksaj jete.
10.
T'angazhohena pra, vllâzën, me durue me guxim të tâna
vuejtjet që mund t'na vijnë deri n'fundin e ksaj jete; me
sigurue Parrizin ata janë pak e kurrgjâ. Gzohuni pra se të
tâna kto vuejte, dhimbje dhe persekutime, n'kjoft se keni me u
shelbue, kanë me kênë nji burim i pashtershëm
gzimesh e knaqsish. « Dhimbjet tueja kanë me u kthye në
gzim. » (sh'Gjoni 16:20) Atherë, pra, kur krygjet e
ksaj jete t'na mundojnë, të çojmë sytë kah
Qielli dhe të ngushëllohena me shpresen e fitimit të
Parrizit. Në fund të jetës së saj, sh'Maria e
Egjiptit kje pvetë prej abotit sh'Zozimus se si kishte mujtë
me jetue për 47 vjet në shkretinë, aty ku aboti e
gjeti shejten pendimtare tuej dekë. Ajo iu përgjigj :
« Tuej shpresue fitimin e Parrizit. » N'kjoft
se na do të mbushena me të njejten shpresë, nuk kena
me i ndie vështirsitë e ksaj jete. Guxim ! Të duejmë
Hyjin dhe të punojmë për Parrizin, ku na presin
shejtnit, Virgjina MARI, vetë JEZU-KRISHTI. Ai mban në duer
nji kunorë për me na kunorzue sejcilin prej nesh mbret në
até Mbretni të përjetshme.