lunedì, luglio 01, 2013

Introibo ad Altare Dei


 
I lumi Noël Pinot, i egzekutuem me gijotinë, në 1794, prej forcave judeo-masonike të Revolucionit francez, njitë shkallet tuej recitue fjalet e Psalmit 42, me të cilat fillon Mesha Shêjte : « Introibo ad Altare Dei; ad Deum qui laetificat juventutem meam ».




prej Illyricum Sacrum
Nenaekeshillittemire.blogspot.com




« I Madhi Zot âsht i mrekullueshëm në shêjtnit e Tij; Hyji i Izraelit âsht Ai që ka me i dhanë pushtet e forcë popullit të Vet. Kjoft bekue i Madhi Zot ! » (Psalmi 67 :36)



          Qysh në fminínë e tyne të hèrshme, të tânë katolikët që kanë msue katekizmin, e dijnë mirë se Mesha Shêjte âsht forma perfekte e adhurimit hyjnor dhe lutja themelore e liturgjise së Krishtênë që i ofron kultin suprem të latrisë Krijuesit të Qiellës dhe te Dheut, që falenderon Hyjin për Mirsitë e Tija, që qetson dhe shpagon perfektsisht Zotin për mkatet e njerzimit dhe që siguron hire e bekime të panumërta për të gjallët e për të dekunit. [1]

Në Konçilin dogmatik të Trentës (sesioni 22, kapitulli 2), Mesha shêjte përkufizohet si : Konsakrimi dhe ofrimi i Trupit dhe Gjakut të JEZU-KRISHTIT; « Corporis et Sanguinis Domini Jesu Christi consecratio et oblatio. » [2]. Dhe po i njêjti Konçil mson se Mesha shêjte âsht nji Sakrificë e vërtetë dhe âsht e njêjta Sakrificë si Sakrifica e Kalvarit por ndryshon me Sakrificen e Kalvarit vetëm në mnyren e ofrimit. [3]

Njêni prej efekteve të Meshës shêjte âsht falja e mkateve, nëpërmjet ndihmës që marrim në Meshë për me u pendue e me marrë faljen e mkateve, ashtû si mson sh'Tomë Akuinati. Hirin për faljen e mkateve na e ka sigurue vetë Zoti jonë JEZU-KRISHTI me Pasionin e Vdekjen e Tij në Kryq. [4]

Kjo doktrinë thelbsore mbi Meshen shêjte gjithmonë ka kênë msue dhe msohet prej Kishës Katolike në mnyrë të pandryshueshme, ashtû si nuk ndryshon Trupi e Gjaku i KRISHTIT Zot që meshtari ofron në Meshën shêjte. Për rrjedhojë, prej vetë kufizimit të Meshës, pa Sakrificen e Kalvarit nuk ka Meshë shêjte; pa Sakrificën e Kalvarit nuk ka falje të mkateve. E pa Meshë shêjte nuk ka as liturgji e as Fé katolike sepse ato janë të lidhuna pazgjidhshmënisht me njêna-tjetrën.

Në Enciklikun « Mediator Dei », të 20 Nandorit 1947, mbi liturgjinë, Papa Piu XII shkruen me të drejtë se rregulla e Fesë përcakton rregullen e lutjes; « Lex credendi legem statuat supplicandi ». Për mâ tepër, thekson Papa, liturgjia shêjte âsht në lidhje intime me principet dotrinale të msueme prej Kishës Katolike si të vërteta të sigurta të Fesë, e për rrjedhojë kjo liturgji shêjte duhet të jetë në konformitet me të vërtetat e Fesë Katolike të shpalluna prej Magjisterit suprem për me sigurue integritetin e Revelacionit hyjnor. Papa i referohet sh'Agustinit (Enchiridion. Cap. 3) që thotë se kulti që i nepet Hyjit pafundsisht shêjt âsht nji praktikë e vazhdueshme e Fesë Katolike dhe nji ushtrim i shpresës dhe dashtnisë hyjnore. Në liturgjinë shêjte, ne shpallim Fenë Katolike publikisht, jo vetëm me celebrimin e mistereve, kryemjen e Sakrificës se Meshës, administrimin e Sakramendeve por edhe me recitimin e Simbolit të Fesë (Credo) dhe leximin e Shkrimeve shêjte të frymzueme prej SHPIRTIT-SHEJT. E tânë liturgjia, pra, përmban Fenë Katolike, dhe dishmon publikisht Fenë e Kishës Katolike, shton Papa Piu XII.

Prandej, ndryshimi i liturgjisë katolike dishmon nji ndryshim të Fesë Katolike. Kshtû për shembull, protestantët dhe shizmatikët praktikojnë nji liturgji jokatolike që âsht dishmi e besimit të tyne heretik e shizmatik. Kisha konçiljare e dalun mbas Konçilit të II të Vatikanit, ashtû si e kanë dishmue vetë pseudo teologët konçilarë, si SchillebeeckxKüngSuenens, Kongar, Rahner, etj., gjithashtu praktikon nji liturgji jokatolike të ndryshme prej liturgjisë shêjte katolike.

Simbas studimit të Kardinal Otavianit, « Egzaminimi e shkurtë kritik », « mesha » e Palit VI e Kishës konçiljare, që vitet e fundit âsht ndryshue përsëri, nuk âsht Mesha Katolike, nuk âsht Sakrifica e Kalvarit :

« 'Darka e Zotit ose Mesha âsht asambleja fetare e shêjtë apo tubimi i popullit të Hyjit që mblidhet s'bashkut, nën drejtimin e meshtarit, për me celebrue memorialin [përkujtimin] e Zotit.' ... Përkufizimi i Meshës âsht pra i reduktuem n'até të nji "darke", e kjo riduket vazhdimisht në numrat 8, 48, 55d, 56 të Institutio generalis. Për mâ tepër, kjo "darkë" âsht darka e asamblesë të drejtueme prej meshtarit, darka e asamblesë t'mbledhun me realizue "memorialin e Zotit", që përkujton atë që bâni t'Enjten e Madhe.

« E gjitha kjo nuk nënkupton as Prezencen reale [të KRISHTIT Zot në Osten shêjte], as realitetin e Sakrificës së Meshës, as karakterin sakramental të meshtarit që konsakron e as vlerën thelbsore të Sakrificës eukaristike, pavarsisht pranisë së asamblesë.

« Me nji fjalë, ky përkufizim i ri nuk përmban asnji prej elementave dogmatikë që janë esenciale për Meshën dhe që formojnë përkufizimin e saj të vërtetë. Heqja, n'kyt vênd, e ktyne elementave dogmatikë, ka kênë e qëllimshme. Nji mungesë e tillë e qellimshme nënkupton "tekjalimin" dhe, t'pakten në realitet, mohimin e ktyne elementave dogmatikë. »

Tuej mohue e ndryshue litugjinë e Meshes shêjte katolike, megjithse në zhargonin e tyne vazhdohet me u përmendë si Mesha Katolike, Kisha konçiljare e Gjonit XXIII, e Palit VI, e Gjon Palit I, e Gjon Palit II, e Benediktit XVI dhe e Françeskut I ka mohue e ndryshue vetë Fenë katolike.

Ky ndryshim shifet mâ së mirit në rrefuzimin që kjo Kishë konçiljare i ban Meshës tradicionale latine, Meshës së Papës sh'Piu V apo thjesht Meshës shêjte romake, e cilla âsht nji dishmi e gjallë e Fesë shêjte katolike.

Në vijim po ju prezantoj nji meshtar katolik që gjatë tanë jetës së tij ka luftue heroikisht për me ruejtë të pandryshueme Meshen shêjte katolike. Ai përfaqson të tânë ata meshtarë katolikë që nuk janë përkulë para presioneve, kërcenimeve, përjashtimeve, censurave e izolimeve por, me ndihmen e Zotit, kanë jetue deri në frymen e fundit me betimin e bamë nji ditë shêjte para elterit të të Madhit Zot. Dishiroj e shpresoj shumë që edhe ndonji meshtar shqyptar të jetë pjesë e ktyne herojve katolikë të kohve të sotme, ku apostazia e përgjithshme ka përfshi tâna kombet. Megjithaté, druej se shumica, për mos me thanë të tânë meshtarët shqyptarë, kanë përqafue tradhtinë e Kishës konçiljare.

At de Pauw (1918-2005), me origjinë belge, që flet në video në mbrojtje të Meshës Tradicionale Latine, ka zotnue tri doktorata : në të Drejten Kanonike, në Teologji Morale dhe në Historinë e Kishës. Ka shërbye si infermier në fushen e betejës gjatë Luftës së II Botnore; biles, në 1940, kje kapë prej gjermanve por mâ vonë pat mujtë me u arratisë prej burgut nazist. Mbas shugurimit në vjetin 1942 kje kthye prapë në fushën e betejës si prift-kapelan në Ushtrinë belge dhe mandej në Divizionin e parë të Forcave të Armatosuna polake deri në fundin e luftës. Mbas 1949 u bashkue me familjen e tij në Shtetet e Bashkueme. Prej 1952 deri në 1963 pat msue të Drejten Kanonike në Seminarin « Saint Mary », në Emmitsburg, Maryland. Në 1955, kje emnue docent akademik i seminarit. Gjatë Konçilit të II të Vatikanit kje thirrë në Rome si « peritus », kshilltar teologjik i ipeshkvijve. Në kundërshtim me msimet jokatolike të ktij Konçili, dhe në mbrojtje të Meshes Tradicionale Romake dhe Doktrinës mijavjeçare të Kishes Katolike, me mbështetjen e Arqipeshkvit të New Yorkut, Imzot Francis Spellman, në Janar të 1965, At de Pauw themeloi në New York organizaten « Lëvizja Katolike Tradicionale ». Me 23 Qershor 1968, At de Pauw ngriti Kishen lokale « Ave Maria », në Westbury, Long Island, ku, megjithë pengesat e shumta, vazhdoi celebrimin e Meshës Tradicionale Latine deri në fundin e jetës së tij, me 6 Maj 2005. Ai ka kontribue shumë për Kishen shêjte Katolike dhe Meshen shêjte Latine që e deshti dhe e mbrojti deri në fund. Njifet kontributi i tij me Meshën e të Dielës në Radio, me botimin e dy revistave katolike dhe me shkrimin e shumë pamfleteve apologjetike.

Qé edhe përkthimi i fjalës së At de Pauw në mbrojtje të Meshës shêjte Tradicionale latine :  


Miq ! Dita mâ e rândsishme e jetës tême ishte dita kur u shugurova meshtar. “Sacerdos in aeternum”, “Meshtar I përjetshëm” thirrej në at kohë, në kohën e Papës Piu XII. Natën para shugurimit, m’âsht dhanë ky libër; titulli I tij latinisht âsht : “Missale Romanum”, “Meshari Romak”, libri i Meshës Romake. Dhe ashtû si ishte zakoni për të tânë kandidatët për shugurim para reformës së Konçilit të II të Vatikanit, përfshi ktû Papën, tânë kardinajt, tânë ipeshkvijt dhe shumë prej meshtarve të ditve tona, ashtû si ishte rituali për ata të tânë, ipeshkvi shugurues m'kërkoi me vue doren e majtë mbi kyt libër, me çue doren e djathtë dhe me bâ kyt betim solemn : Un, vullnetarisht dhe pa asnji rezervë, pranoj të tâna Traditat ekleziastike dhe apostolike të Kishës Romake, Nji, Shêjte, Katolike dhe Apostolike dhe premtoj e betohem solemnisht me i ruajtë dhe me i predikue të tâna kto Tradita, pa asnji ndryshim, deri në frymen e fundit të jetës tême.

« Mâ shêjtja dhe mâ thelbsorja e ktyne traditave âsht Sakrifica e Meshës; Mesha e stërgjyshave tanë, Mesha Tradicionale Latine, kajherë e quejtun edhe Mesha Tridentine e Papës sh’Piu V, me kërkesen e vetë êtënve të Konçilit të Trentës (1545-1563). Jo, Papa sh’Piu V nuk na dha nji Meshë të re, për me e emnue simbas emnit të tij. Po të kishte bâ mâ të voglen përpjekje në kyt drejtim, asnji prej pasardhsve të tij, në Fronin e sh’Pjetrit, nuk do të kishte pasë as idene mâ të vogël me e kanonizue até, si nji shêjt zyrtar të Kishës tonë katolike. Por në 1712, Papa [shqyptar] Klementi XI, kanonizoi shêjt, Papën Piu V, për me hye kshtû në histori si Papa i Meshës së vërtetë dhe i Rruzares Shêjte. Mesha shêjte dhe Rruxarja shêjte, çfarë kombinimit triumfues !

« Po e përsëris edhe nji herë : Papa sh’Piu V nuk futi në Kishen Katolike nji Meshë të re; gjithshka që ai bani ishte eliminimi, prej Meshës së athershme, i atyne lutjeve të devoçme që ipeshkvij e meshtarë të devoçëm, me iniciativen e tyne, gjatë shekujve, i kishin shtue Meshës që ata kishin trashigue. Ndërhymja historike e Papes sh’Piu V nuk futi me forcë nji “Novus Ordo Mess”, nji ceremoni të re, por i dha Kishës Meshen e vjetër, në tânë thjeshtsinë e vet, ku shumë prej lutjeve dhe ceremonive të saja e kanë fillesën bash në ditet e Zotit tonë JEZU-KRISHTIT dhe dishepujve të Tij dhe në kohen e Katakombeve, ku Meshët e para celebroheshin, 19 shekuj mâ parë, jo mbi tavolina por mbi vorret e martirve, pjestarët e parë të Kishës tonë, të cillët preferuen mâ mirë me dekë sesa me tradhtue ose kompromentue Fenë e tyne Katolike e cilla âsht edhe Feja jonë.

« Konstitucjoni Apostolik 19 Korrikut 1570, me anen e të cillit, Papa sh’Piu V i pruni Kishës Meshen e vjeter, në formen e saj origjinale, ashtû si të tâna dokumentet e tjera pontifikale, emnohet simbas fjalve të para latine të dokumentit : “Quo Primum”. Ky tekst u përfshi integralisht në Mesharin zyrtar Romak dhe po ky Papë urdhnoi që ky Meshar duhej të ishte, atherë e mbrapa, në përjetsí dhe për të tâna kohnat, Meshari i vetëm që duhej të përdorej në celebrimin e Meshës Shêjte.

« Rrallë ndodh kur Papa, në mnyrë të kjartë, deklaron publikisht se âsht tuej përdorë të tânë Autoritetin e tij Apostolik si Pontif Suprem i Kishës së KRISHTIT ZOT për me shpallë nji dekret me forcë të përjetshme “in perpetuum” dhe për të tâna kohnat, tuej i kërcenue shkelsit e ktij dekreti jo vetëm me çkishënimin e Kishës Katolike por me hakmarrjen dhe me mallkimin e vetë Zotit të Gjithpushtetshëm. Nji dokument i tillë ishte Konstitucjoni Apostolik “Quo Primum” në lidhje me Meshen shêjte.

« Si shembull, po ju përkthej direkt prej tekstit latinisht të Konstitucjonit “Quo Primum” që e kam ktû përpara : “ Prej ktij dekreti t’one, i cilli ka force të përjetshme, “in perpetuum”, Ne vendosim dhe urdhnojme se, kurrë ndonjiherë, asnjigjâ nuk duhet të hiqet, të shtohet ose të ndryshohet në kyt Meshar. Në të ardhmen, asnji meshtar nuk ka me kêne i detyruem me celebreu Meshen shêjte në nji mnyre tjetër prej asaj që gjindet në kyt Meshar. Dhe tuej përjashtue, nji herë e përgjithmonë, çdo lloj skrupulli apo frige prej çfarëdo lloj dënimit apo censuret ekleziastike, Ne dekretojmë dhe vendosim, me Autoritetin tonë Apostolik, se ky dekret dhe urdhën i joni ka forcë të përjetshme, “in perpetuum”, dhe se kurrë nuk mund të anulohet ose ndryshohet ligjërisht në të ardhmen. E megjithkëte, n’kjoft se ndokush, në të ardhmen, ka me guxue me ndërmarrë çfarëdo lloj aktit kundër ktij urdhnit tonë, i shpallun për tâna kohnat, ta dijë se ai âsht dënue me hakmarrjen e apostujve sh’Pjetrit e sh’Palit dhe me hakmarrjen e vetë Zotit të Gjithpushtetshëm.

« Miq ! Në bazë të ktij Dekreti Apostolik “Quo Primum”, të shpallun me nji validitet të përjetshëm, dhe tuej u mbështetë mbi argumentet e sigurta dogmatike, morale dhe kanonike të ktij dokumenti, un vazhdoj me celebrue sod Meshen Tradicionale Latine egzaktsisht në të njâjten mnyre si e kam celebrue për herë të parë, gadi 50 vjet përpara. Si ish-profesor seminarit dhe këshilltar teologjik e kanonik në Rome, gjatë Konçilit të II të Vatikanit, mendoj se mundem me vlersue korrektsisht dokumente të ksaj natyret. Kur Nâna jeme, Kisha Katolike, më dha mue dhe tânë priftnijve të saj, kyt privilegj unik, bilateral, të detyrueshem e të parevokueshëm, nji privilegj dhe nji kontratë, jam betue solemnisht dhe prapë betohem, me ndihmen e hirin e Zotit, me i qëndrue besnik dhe me jetue me kyt betim deri në frymen tême të fundit. »


Bibliografi :

[1] Katekizmi i Papes sh'Piu X, 1913, faqe 87
[2] Saint Alphonse-Maria de Liguori, « Abrégé de la théologie morale », 1842, faqe 212.
[3] Katekizmi i Papës sh'Piu X, 1913, faqe 86
[4] Idem, faqe 70