martedì, ottobre 04, 2016


Thirrje popujve “ortodoks”





“Dhe Un po të tham se ti je Pjetër [shkamb] dhe mbi kyt shkamb kam me ndërtue Kishen Teme dhe dyert [fuqitë] e Ferrit nuk kanë me triumfue kundër saj. Dhe kam me t'dhanë çilcat e Mbretnisë së Qiellit : dhe gjithshka që ke me lidhë mbi Tokë ka me u lidhë edhe në Qiell dhe gjithshka që ke me zgidhë mbi Tokë ka me u zgidhë edhe në Qiell.” (sh'Mateu 16:17-19)

“Nji Zot, Nji Fé, Nji Pagzim.” (sh'Pali drejtue Efezianve 4:5)

Kjo Kishë hyjnore unike e KRISHTIT Zot u mblodh në vjetin 325 A.D. në Konçilin e I Ekumenik të Nicesë, dhe ma vonë, në vjetin 381 A.D., në Konçilin e II Ekumenik të Konstantinopojës, dhe ndër të tjera, në unanimitet të plotë mes Etënve latinë dhe grekë, hartoi për tana kohnat Simbolin e Fesë, që deklaron se Kisha e KRISHTIT Zot asht Nji, Shêjte, Katolike dhe Apostolike. 

“Credo et in Unam, Sanctam, Catholicam, et Apostolicam Ecclesiam...” ("Nicea Symb.", Denzinger n. 85)

 “Ες μίαν γίaν, καθολικν κα ποστολικν κκλησίαν.” (Idem.) 

(Besoj në Nji Kishë, Shêjte, Katolike dhe Apostolike. - Simboli i Nicesë, Denzinger n. 85)

Popujt “ortodoks” që sod bajnë pjesë në kishat autoqefale (t'pamvaruna) nacjonale e njerzore të Shqipnisë, Greqisë, Rusisë, Bullgarisë, Rumanisë, Serbisë, etj., a nuk e shohin se kishat e tyne nacjonale nuk janë Kisha Unike dhe Katolike (Universale) e KRISHTIT Zot? 

Në dy artikujt e parë të Deklaratës së pavarsisë të Kishës shizmatike greke, e aprovueme prej 36 prelatve dhe e publikueme zyrtarisht prej Mbretit Otho me 23 Korrik (4 Gusht) 1833, thuhejse : 

 “1.  ρθόδοξος νατολικ ποστολικ κκλησία το Βασιλείου τς λλάδος, ν Πνεύματι μ ναγνωρίζουσα λλην κεφαλν παρ τν Θεμελιωτν τς Χριστιανικς πίστεως τν Κύριον κα Σωτρα μν ησον Χριστν, κατ δέ τ διοικητικν μέρος χουσα ρχηγν  τν βασιλέα τς  λλάδος, εναι ατοκέφαλος κα νεξάρτητος π πάσης λλης ξουσίας, φυλαττομένης παραχαράκτου τς δογματικς νότητος, κατ τ παρ πασν τν ρθοδόξων νατολικν κκλησιν νέκαθεν πρεσβευόμενα.  

 “2.  περτάτη  κκλησιαστικ ξουσία ναπόκειται, π τν το βασιλέως κυριαρχίαν, ες χερας Συνόδου διαρκος, φερούσης τ νομα· “ ερ Σύνοδος το βασιλείου τς  λλάδος,” Nicolopoulos and Kakoulidi, Συλλογ πάντων τν νόμων, etc., Athens, 1859, tom. 1. (49), p. 118.” 

(1. Kisha e Lindjes Orthodhokse dhe Apostolike e Greqisë, që shpirtnisht nuk ka shef tjetër përveç Jezu-Krishtit, Zotit tonë, nuk asht e mvarun prej asnji autoriteti të jashtëm, ndërkohë që ajo ruen të patundun lidhjen dogmatike me të tana kishat orthodhokse të Lindjes. Përsa i përket administrimit të Kishës, që i takon kunorës mbretnore, ajo njef për shef të sajin suprem Mbretin e Greqisë, simbas kanoneve të “shejta”.

(2. Nji Sinod i përhershëm do të mblidhet, i përbamë krejtsisht prej arqipeshkvijve dhe ipeshkvijve të zg'jedhun prej Mbretit, të cilët do të jenë autoriteti ma i naltë kishtar, simbas modelit të Kishës së Rusisë.). (Rev. Tondini, “The Pope of Rome...”).

A nuk e shohin kta popuj se kanë braktisë traditat shejte të Etënve të tyne, t'cilët g'jatë afro 10 shekujve, deri në rebelimin e Fotius-it dhe Cerularit, kanë bâ pjesë bashkë me vllaznit e tyne latinë në Nji Kishë, Shejte, Katolike dhe Apostolike, që asht Kisha hyjnore e KRISHTIT Zot, jashtë të cilës nuk ka shelbim për askend?

“Shkoni pra, msoni tana kombet dhe pagzojini n'emen t'Atit e t'Birit e t'Shpirtit-Shejt. Msojini me i mbajtë gjithçka që ju kam urdhnue. E jam me jue, tana ditët, deri në fundin e botës.” (Sh'Mateu, 28:19-20)

“Dhe JEZUSI u tha Apostujve : "Shkoni në tanë boten dhe predikoni Unjillin çdo njirit; aj që ka me besue dhe ka me u pagzue ka me u shelbue; aj që nuk ka me besue, ka me u dënue.” (Sh'Marku 16:15-16)

“N'kjoft se vllai jot nuk ndig'jon Kishen, atherë ai kjoft për ty si publikani dhe pagani.” (sh'Mateu 18:17)

Mos të harrojnë kta popuj fjalët atnore të pasardhsit legjitim të Princit të Apostujve, Papës Piut IX, dhe mos të vonojnë mâ me u kthye në Kishen e vetme hyjnore të JEZU-KRISHTIT, që asht Kisha Katolike. Rikthimi në Kishen Nji, Shêjte, Katolike dhe Apostolike, që sod gjindet e eklipsueme dhe e persekutueme, nuk don me thanë n'asnji mnyrë bashkimi me Kishen e fémohuesit Françeskut-Bergolio, kishë e cila tash gadi 50 vjet ka pushtue ndërtesat e Vatikanit dhe të dioqezave, kishë që nuk shpallë as Fenë e as Moralin shejt Katolik, por propagandon apostazinë e lirisë fetare të ndërgjegjes dhe degjenerimin moral të shoqnisë.  

“Ndig’joni fjalen Tonë, ô ju të tanë që gjindeni në vendet e Lindjes apo në kufijtë e saj dhe që lëvdoheni se mbani emnin e t’Krishtenit, megjithse nuk jeni n’union me Kishen shêjte Romake; e sidomos ju që, t’ngarkuem me funksione të shejta apo t’veshun me dinjitetet ma të nalta kishtare, keni autoritet mbi kto popuj. Kujtoni gjendjen e hershme të Kishave tueja kur ata ishin t’bashkueme me njêna tjetren dhe me Kishat e tjera të botës katolike nëpërmjet lidhjes së unitetit. E mandej mendoni se për çka kanë shërbye ndamjet që pasuen, rezultati i t’cilave kje shkëputja e unitetit, si në doktrinë ashtu edhe në disiplinë kishtare, jo vetëm me Kishat e Perëndimit por edhe midis vetë Kishave tueja. Kujtoni Simbolin e Fesë (së Nicesë) në t’cilin ju shpallni bashkë me ne se besoni në Kishen Nji, Shejte, Katolike dhe Apostolike, dhe shifni a âsht e mujtun me gjetë kyt unitet të Kishës Katolike, Shejte dhe Apostolike në gjirin e nji ndamje të tillë të Kishave tueja, kur ju refuzoni me i njoftë në unitet me Kishen Romake, nën autoritetin e t’cilës nji numër aq i madh Kishash janë t’bashkueme dhe ishin t'bashkueme gjithmonë, në tana vendet e botës. E për me kuptue mirë kyt karakter të unitetit që duhet të dallojë Kishen Katolike, reflektoni mbi lutjen në Unjillin simbas sh’Gjonit (17:11-23), nëpërmjet të cilës KRISHTI, Biri unik i Zotit, lutë ATIN e Vet për dishepujt e Tij, në mnyrë që të tanë të jenë nji në Hyjin, ashtu si ATI dhe BIRI janë nji...  

“Vetë Shelbuesi i njerzimit, Zoti jonë JEZU-KRISHTI, ka vue themelin e Kishës së Tij unike, kundër të cillës nuk kanë me triumfue dyert e Ferrit, në Princin e Apostujve, Pjetrin, të cilit i ka dhanë çilcat e Mbretnisë së Qiellit (sh’Mateu 16:18-19), për të cilin Shelbuesi asht lutë që Feja e tij mos të dështojë kurrë, tuej e urdhnue, për mâ tepër, me forcue vllaznit e tij po në kyt Fé (sh’Luka 22:31-32), e t’cillit Shelbuesi i ka caktue detyren me ushqye si qingjat ashtu edhe delet e Tija (sh’Gjoni 21:15 e n'vazhdim), pra të tanë Kishen që përbahet prej qingjave dhe deleve të vërteta të KRISHTIT. E kto prerogativa (privilegje) i përkasin po ashtu edhe ipeshkvijve romakë, pasardhës të sh’Pjetrit, sepse mbas vdekjes së sh’Pjetrit, Kishës nuk mundet me iu hjekë themeli mbi t’cillin ajo asht ndërtue prej KRISHTIT, sepse kjo Kishë duhet me qëndrue deri në konsumimin e shekujve. Për kyt arsye, sh’Ireneu, dishepulli i Polikarpit, që ky i fundit pat marrë msimet prej vetë Apostullit Gjon (Evangjelistit), sh’Ireneu, që ma vonë u ba ipeshkëv i Lionit, t’cillin Lindorët ashtu edhe Prendimorët e rradhisin ndërmjet shkëlqimeve kryesore të Antikitetit Kristjan, tuej dashtë me shpallë doktrinen e marrun prej Apostujve, për me përgenjeshtrue heretikët e kohës së tij, besoi se ishte e panevojshme me numrue vazhdimsitë e tana Kishave me origjinë apostolike, por iu duk e mjaftueshme me i kundërvue novatorve Doktrinen e Kishës Romake, sepse, thote shejti, “âsht e nevojshme që çdo Kishe, që don me thanë besimtarët e përhapun në tanë universin, të bijë dakord, për shkak të supremacisë së saj supreme, me kyt Kishë Romake, në të cillen simbas dishmisë universale, asht ruejtë gjithmonë Tradita që vjen prej Apostujve” (sh'Ireneu, “Kundra Herezive”, libri III, kapitulli 3). 

“Na e dimë se e keni merak me mbajtë doktrinen e ruejtun prej t’parve tuej. Ndiqni pra ipeshkvijtë dhe t’Krishtenët e hershëm të tana vendeve të Lindjes; dishmi të panumërta pohojnë se, n’harmoni me Prendimorët, ata respektojshin autoritetin e Pontifëve Romakë. Prej dokumentave ma të shqueme që Lindja antike ka lanë mbi kyt çashtje, Na dishirojmë me kujtue até çka ndodhi në shekullin e katërt, me çashtjen e Athanasit, Ipeshkvit t’Aleksandrisë, jo ma pak i famshëm për shejtninë e tij sesa për doktrinën dhe zellin e tij pastoral. I dënuem padrejtsisht prej disa ipeshkvijve të Lindjes, sidomos në konçilin e mbajtun në Tyr, i nxjerrun jashtë prej Kishës së tij, sh’Athanasi erdhi në Romë, ku erdhën edhe disa ipeshkvijë të vendeve të Lindjes, që si aj ishin përjashtue me forcë prej selive të tyne. “Ipeshkvi i Romës (ishte Juli, paraardhsi jonë) mbasi shqyrtoi rastin e sejcilit dhe mbasi i gjeti të tanë besnikë të Doktrinës së Fesë së Nicesë dhe n’harmoni të plotë me Selinë-Shejte i pranoi në komunionin e Selisë-Apostolike, e mekense e kishte për detyrë me u kujdesë për të tanë, për arsye të dinjitetit të Selisë së tij, Shejtnija e tij i dha sejcilit prej ktyne ipeshkvijve kishen (selinë) e vet. Papa Juli i shkroi gjithashtu ipeshkvijve të Lindjes, tuej i fajsue se nuk kishin gjykue simbas drejtsisë në çashtjen e ktyne ipeshkvijve dhe se po trazojshin paqen e Kishës (Historjani i hershëm Sozomeni, “Histori Kishtare”, libri III, kapitulli 8; shif gjithashtu sh'Athanasi, “Apologji kundër Arianve”).

“N'fillimin e shekullit të V-të, Gjon Krizostomi, Ipeshkëv i Konstantinopojës, jo mâ pak i famshëm se Athanasi, i dënuem krejt padrejtsisht në nji konçil në Kalcedoni, me anen e letrave dhe t'dërguemve të tij, kërkoi ndihmen e Selisë tonë Apostolike dhe u shpall i pafajshëm prej paraardhsit tonë, sh'Inoçentit I (shif Letrat midis sh'Inoçentit I dhe sh'Gjon Krizostomit dhe midis sh'Gjon Krizostomit dhe klerit e popullit të Konstantinopojës, “Veprat e sh'Gjon Krizostomit”, vol. III, faqe 515 e n'vazhdim, botimi i Benediktinve të sh'Maurit). 

“Por nuk janë vetëm aktet e Konçilit të Kalcedonisë por edhe aktet e tana Konçileve të tjera të hershme të Lindjes që Na kishim mujtë me i përmendë e ku shohim se gjithmonë Pontifët Romakë kanë pasë vendin e parë në Konçile, veçanarisht në Konçilet Ekumenike, dhe autoriteti i Pontifëve asht nalcue si para hapjes ashtu edhe mbas mbylljes së tyne. Për ma tepër, jashtë Konçileve, Na kena nji numër të madh pasazhesh të shkrueme prej Etënve dhe autorve të hershëm të Lindjes, ashtu si edhe shumë vepra të historisë së tyne, nëpërmjet të cilave shihet kjartë se Autoriteti suprem i Pontifëve Romakë ka kênë gjithmonë në fuqi në tanë Lindjen në kohen e t'parve tuej. Por do t'kishte shkue g'jatë me i raportue ktu tana kto dishmí; ato që përmendëm mjaftojnë për me diftue të vërteten. Do t'na bahej qejfi me rrfye se si u sollen besimtarët e Korintit, në kohen e Apostujve, me rastin e përçamjeve që trazojshin atherë aq randë Kishen. Korintasit iu drejtuen sh'Klementit, i cili pak vite mbas vdekjes së sh'Pjetrit ishte ba Pontif i Kishës Romake, dhe i shkruejten mbi kto trazina dhe ngarkuen Fortunatin me ia çue letrat. Klementi, mbasi e egzaminoi mirë çashtjen, ngarkoi po Fortunatin, me t'cillin nisi edhe dy t'dërguemit e tij, Klaudius Efebe dhe Valere Viton, me çue n'Korint at letër të famshme të Pontifit dhe të Kishës Romake (“Bibliotheca veterum patrum, a Gallandio edita”, volumi I, faqe 9 e n'vazhdim), të cilen Korintasit dhe të tanë Lindorët e tjerë e vlersojshin aq shumë dhe që në shekujt e mavonshëm kjo letër lexohej publikisht në shumë kisha (Historiani i lashtë Euzebi, “Histori Kishtare”, libri III, kapitulli 16; idem, libri IV, kapitulli 23, mbi dishminë e Denys-it, ipeshkvit të Korintit).

“Na ju nxisim pra dhe ju lutena me gjithë zemër me hye pa vonesë në komunionin e Selisë-Shejte të sh'Pjetrit ku gjindet themeli i Kishës së vërtetë të KRISHTIT, ashtu si dishmon tradita e t'parve tuej, tradita e Etënve të tjerë të hershëm si dhe vetë Fjalët e Zotit tonë JEZU-KRISHTIT të përmbajtuna në Unjillin shejt e që Na citueme. Sepse nuk asht e mujtun dhe nuk ka me kênë kurrë e mujtun pjesmarrja në komunionin e Kishës Nji, Shejte, Katolike dhe Apostolike për ata që dojnë me ndêjë të ndamë prej qëndrueshmënisë së Pjetrit (shkambit), mbi të cilin Kisha asht ndërtue në mnyrë hyjnore. 

“Nuk keni pra asnji arsye mos me u rikthye në Kishen e vërtetë dhe në komunionin e ksaj Selije-Shejte. Ju e dini mirë se në gjanat që prekin shpalljen e Fesë Hyjnore nuk ka asgja aq të vështirë që nuk mundet me u durue për lavdinë e KRISHTIT dhe për çmimin e jetës t'pafundme. Nga ana Jonë, Na ju sigurojmë se asgja nuk ka me Na u dukë mâ e âmbël sesa me ju pâ tuej u rikthye në komunionin Tonë; larg prej mendimit me ju trishtue me ndonji dënim që mundet me u dukë i randë, Na do t'ju presim me nji dashamirsí krejt atnore dhe me dashtninë mâ të ngrohtë, simbas zakonit të përhershëm të Selisë-Shejte. Na ju kërkojmë vetëm gjanat absolutisht të nevojshme : rikthehuni në unitet, harmonizójuni me Ne në shpalljen e Fesë së vërtetë që Kisha Katolike mban dhe mson, dhe me kyt Kishë ruani komunionin me Selinë supreme të Pjetrit.”

Dhe tashti n'vazhdim, Papa skjaron dhe qetson ata që munden me mendue gabimisht se bashkimi me Romen nënkupton rrjedhimisht latinizimin. 

“Për sa i përket riteve tueja të shejta, do t'jetë e nevojshme me hjekë vetëm ata gjana që munden me u gjetë në kundërshtim me Fenë dhe unitetin katolik. Mbas ktij pastrimi, liturgjitë tueja antike orientale kanë me u ruejtë të paprekuna. Na kena deklarue edhe mâ përpara se sa të dashtuna janë për Ne kto liturgji dhe sa të dashtuna kanë kênë gjithmonë për paraardhsit Tonë, për arsye të antikitetit dhe madhshtisë së ceremonive të tyne, aq t'përshatshme me ushqye devocionin. 

“Për mâ tepër, Na kena mendue dhe vendosë, se përsa i përket ministrave shejtë, meshtarve dhe ipeshkvijve të kombeve orientale që kanë me u rikthye në unitetin katolik, me mbajtë të njêjtin qëndrim si paraardhsit Tonë në sa e sa raste në kohët e maparshme; Na do t'u ruejmë rangjet dhe dinjitetet e tyne dhe do t'shpresojmë te ata jo mâ pak se te klerikët e tjerë të Lindjes, për me ruejtë dhe përhapë në popuj kultin e Fesë Katolike. S'fundit, Na kena të njêjten dashamirsi dhe dashtni për ta dhe për laikët që do të rikthehen në komunionin Tonë ashtu si edhe për të tanë katolikët e tjerë orientalë. Na do t'punojmë pa pushim dhe me kujdesin ma të madh, që të meritojmë me kênë të denjë për të tanë ata. 

“Pranoftë Hyji mëshirëplot me i dhanë fjalës Tonë nji virtyt t'efektshëm! Bekimet e Tija u përhapshin mbi vllaznit dhe bijtë tonë që ndajnë me Ne merakun për shpëtimin e shpirtnave tuej! Ah! Sa do t'ishte ngushlluese për Ne me pâ unitetin katolik të rivendosun mes t'Krishtênve të Lindjes dhe me gjetë n'kyt unitet nji ndihmë të re për me përhapë gjithmonë e mâ shumë Besimin e vërtetë të JEZU-KRISHTIT te kombet e t'pafeve! Na nuk do t’pushojmë s’kërkuemit kyt hir Hyjit të mëshirës, Atit të dritës, nëpërmjet Birit të Tij unik, Shelbuesit tonë, nëpërmjet lutjeve dhe përgjerimeve mâ të zjarrta, tuej kërkue ndihmen e shumë Shêjtes Virgjen, Nanës së Zotit e të Apostujve shêjtë, të Martirve e të Etënve, që me anen e predikimeve, gjakut, virtyteve dhe shkrimeve të tyne kanë ruejtë dhe kanë përhapë në Lindje Besimin e vërtetë të KRISHTIT. I mbushun me dishiren me ju pâ të rikthyem n'vathen (familjen) e Kishës Katolike dhe me ju bekue si vllaznit dhe bijtë tonë, tuej pritë diten kur ka me na u dhanë ky gzim, Na dishmojmë edhe njiherë dashtninë dhe dhëmbshuninë Tonë për katolikët e përhapun në vendet e Lindjes : për të tanë Patriarkët, Primatët, Arqipeshkvijtë, Ipeshkvijtë, klerin dhe laikët, dhe ju napim Bekimin Tonë Apostolik. 

“I dhanun në Romë, afër Bazilikës sh'Maria e Madhe, me 6 Janar 1848, në vjetin e dytë të Pontifikatit Tonë. PAPA PIU IX.” (Pjesë prej Letrës Apostolike “In Suprema”, drejtue t'Krishtênve të Lindjes, vjeti 1848).