lunedì, gennaio 15, 2018

Rruga e vetme drejt lumnisë së përjetshme


     Si kam komentue edhe n'vende tjera, mendimet tona personale nuk kanë kurrfarë autoritetit gjykues përfundimtar, apo si thotë shprehja : me vue pikat mbi î, në çështjet mbinatyrore, sepse Krijuesi i gjithsisë ka përcaktue tashmâ nji autoritet të vetëm me na msue e drejtue në rrugen e mistershme dhe të mbinatyrshme të pelegrinazhit tonë toksuer në kyt botë, dhe kjo pavarsisht dishirave apo kapriçiove tona njerzore, të cillat munden me na shtye drejt vdekjes së përjetshme, tuej mos i bâ asgjâ Hyjit të gjithpushtetshem. Zoti nuk ka nevojë për ne, por na kena nevojë për Hyjin e Gjithpushtetshëm ; prandaj nuk asht Hyji i Gjithpushtetshëm që duhet me na u përshtatë por jena na ata që duhet me iu përshtatë Dekreteve hyjnore, për të miren tonë. 

N'kjoft se vëzhgoni rreth e rrotull, keni me vue ré se Hyji ka vue gjithkund nji rregull, nji rend apo hierarkí në univers, dhe nuk ka lanë asgjâ në kaos - aty ku ekziston kaosi, aty nuk vepron Hyji por njiri i korruptem apo djajtë. Njírin, krijesë shpirtnore dhe shtazore, Hyji e ka vue mbi krijesat e tjera shtazore, bimore e materjale ; engjëllin, krijesë krejtsisht shpirtnore, Zoti e ka vue mbi njirin, sepse shpirti qëndron mbi materjen, dhe Zoti qëndron mbi gjithçka tjetër, sepse asht Zot. Dhe mbrenda vetë ktyne hjerarkíve engjëllore e njerzore, egziston nji hierarkí apo rang i mbrendshëm, ku jo të gjithë pjestarët kanë të njêjten fuqí e autoritet : tuej folë, për shembull, për hjerarkinë njerzore, dikush asht mbret, princ apo president, dhe ma poshtë vijnë zëdhansit, ministrat, etj. Pa kyt hierarkí nuk do të kishte egzistue rregulli por kaosi. Doren hyjnore të Nji Zoti perfekt e shofim sidomos në hjerarkine shtazore, bimore e vegjetale, ku gjithçka lëviz me rregull e drejtsí, sepse Hyji ka rregullue gjithshka me masë, numër e peshë. (Dija 11:21)

Shifni pra universin që na rrethon ! Vëzhgoni lëvizjen e planeteve, hyjeve ! Shifni botën e kafshëve, zogjve, insekteve si bletet e milingonat, rritjen dhe zhvillimin e botës bimore !... Kudo shihet nji rregull, nji ligj i përpiktë që i drejton kto qênie pa arsye dhe jo nji kaos, jo nji konfuzion. E Krijuesi pra i paska dhanë qênieve pa arsye nji ligj të saktë simbas të cilit ata të jetojnë dhe të përparojnë drejt qëllimit final për të cilin i ka krijue, e njerzit me arsye Hyji i paska lanë në konfuzion e kaos shpitnor pa i diftue se si me u sjellë karshi Krijuesit të tyne dhe universit që i rrethon ? Apo mos ndoshta Krijuesi i gjithsisë paska pritë lindjen e Muhamedit rreth vjetit 570 AD, apo rreth vjetit 4570 te Krijimit, për me i dhanë njerzimit kyt Ligj, tuej lanë, me shekuj të tanë, në errsinën e injorancës e të mallkimit gjeneratat e mâparshme ?

Jo, âsht e pamujtun sepse ky veprim kishte me i ra ndesh Mirësisë dhe Drejtsisë së pafundme të Krijuesit që dishiron që të tanë njerzit, në të tana kohnat, të shelbohen, pra të njohin e të dojnë të miren dhe të vërteten, që âsht e drejta e ligjshme e çdo njirit. Për rrjedhojë, pa asnji dyshim, Krijuesi i ka dhânë njerzve të parë nji ligj të saktë sjelljeje dhe ka bâ të mujtun që ky ligj të njihet në çdo kohë, prej të tânë njerzve, nëpërmjet nji mnyre të saktë e të pagabueshme - ata që nuk e kanë njoftë nuk e kanë njoftë për fajin e mkateve të tyne e jo për fajin e Hyjit.

A âsht e mujtun që Krijuesi ta ketë lanë kyt Ligj qiellor në interpretimin personal të sejcilit njiri ? Jo, kjo âsht e pamujtun sepse çdo njiri, gjykimi i të cilit mundet me gabue, do ta kishte interpretue simbas opinjonit të tij personal dhe kshtu do të kishim pasë jo nji interpretim të vetëm por nji pafundsí mendimesh personale dhe nji konfuzion të papamë. Pra kjo mnyrë e lânjes së Ligjit të Krijuesit në interpretimin personal të sejcilit nuk do të ishte nji mnyre e saktë dhe e pagabueshme, në çdo kohë, për me njoftë até që Krijuesi dishiron prej njerzve.

Kjo mnyrë e saktë dhe e pagabueshme me njoftë ligjin e Krijuesit nuk mundet me kênë nji libër, si Kurani islamik për shembull, sepse libri në vetvedi nuk âsht msues dhe ka nevojë me u shpjegue dhe interpretue në nji mnyrë të vetme të pagabueshme, përndryshej do të kishim gati nji pafundsi interpretimesh të ndryshme, si sot në boten sektare islame. 

Atherë cila âsht kjo mnyrë e pagabueshme me gjetë Ligjin e Krijuesit, pra të mirën dhe të vërteten e përjetshme ?

Kjo mnyrë e pagabueshme âsht nji Autoritet që Krijuesi i ka dhanë disa njerzve të zg'jedhun për me e ruejtë dhe ia msue të tjerve kyt Ligj apo Revelacjon hyjnuer, në nji mnyrë të pagabueshme. N'kjoft se kthehena mbrapa në kohë dhe studiojmë historinë e kombeve të ndryshme qysh prej fillimit, gjejmë se Krijuesi ia ka dhanë kyt ligj njerzve të parë dhe mandej kombit dikur të zg'jedhun hebre, e veçanarisht autoriteteve drejtuese të Sinagogës së vjetër hebraike, fakt që pranohet edhe prej sektarve muslimanë. 

Por sektarët muslimanë pretendojnë gabimisht se Sinagoga e paska korruptue kyt Ligj, apo t'Krishtênët e parë, e sidomos sh'Pali e ndjeksit e tij, e paskan korruptue kyt Ligj (pretendim i rrêmë që do ta argumentoj ma hollsisht n'nji shkrim tjetër, dashtë Zoti),  apo shkurt ky Ligj apo Revelacjon hyjuer keka korruptue dikur n'kohë dhe keka dashtë me ardhë Muhamedi me na msue rrugen e drejtë, ligjin e vërtetë e t'pakorruptuem (sic).  

Por a nuk e shifni, thjesht me arsye e pa u futë n'spekullime teologjike, se sa absurd dhe i pavërtetë asht arsyetimi i mâsipërm ? N'kjoft se do t'pranojshim si t'vërtetë arsyetimin se, për nji kohë, Revelacjoni paska kênë korruptue gjithkund dhe se keka dashtë me ardhë ma vonë Muhamedi me islamin e tij për me na msue t'vërteten, atherë do t'xjerrnim si konkluzjon se Hyji nuk e paska mbrojtë gjithmonë Ligjin apo Revelacjonin e Tij hyjnor prej korruptimit, dhe rrjedhimisht njerzit, për vite a shekuj me rradhë, nuk e paskan pasë n'dispozicjon Ligjin e Hyjit ; pra s'paskan pasë ku me e gjetë kyt Ligj për me dijtë çka me besue e çka me bâ për me mbrritë luminë e pasosun. Papa sh'Piu X, n'Kateshizmin e Doktrinës s'Krishtênë, na mson se qëllimi i egzistencës së njirit mbi tokë asht me njoftë, me dashtë dhe me shërbye Hyjin, e tuej veprue kshtu, me shpresue nji ditë lumninë e Parrizit. 

Por si ka me e njoftë e si ka me e dashtë Hyjin e Gjithpushtetshëm nji njiri i caktuem, n'nji vend e kohë t'caktueme, ashtu si urdhnon Hyji, kur ky njiri nuk ka n'dispozicjon e nuk mundet me gjetë kurrsesí Ligjin apo Revelacjonin hyjnuer (mbasi Revelacjoni hyunuer keka korruptue, na thojnë muslimanët) ? Hyji i Gjithpushtetshëm asht Mshirë e pafundme por edhe Drejtsí e pafundme, dhe pa Fe Katolike (Kristjane) asht e pamujtun me i pëlqye Hyjit e me hi n'Parriz (Hebrejve XI, 6) ; Pra, pa mbajtë Ligjin e Hyjit, pa njoft e pa mbajtë ato rregulla që Hyji don që na të njohim e të mbajmë, për me e njoftë e për me e dashtë ashtu si don Hyji, asht e pamutjun me i pëlqye Zotit t'Gjithpushtetshëm, asht e pamujtun me hy n'lumninë e përjetshme ; n'kjoft se due me shkue prej Shkodret n'Tiranë, më duhet me blé nji biletë t'caktueme dhe me marrë nji mjet transportit t'caktuem : po t'blej nji biletë të gabueme apo po t'hypi n'nji mjet t'gabuem t'ransportit që nuk udhëton për Tiranë, pavarsisht qëllimit tem t'mirë me shkue n'Tiranë, faktikisht nuk kam me mbrritë në Tiranë por n'nji destinacjon tjetër ; asht nji shprehje e vjetër që thote : Tana rrugët t'çojnë n'Romë (mbasi Roma ishte dikur qendra e botës antike dhe atje piqeshin mendimet dhe aspiratat e njerzve). 

Por jo tana rrugët të çojnë në Parriz, përndryshej nuk do t'ishte kenë e domosdoshme për Hyjin me na dhanë ndonji ligj apo rregull t'caktuem si me u sjellë e si me veprue, tuej lanë sejcillin me besue e me ba çka të dojë, në nji kaos mendimit e veprimit !!! (sic) Por Hyji pafundsisht perfekt nuk përputhet me kaosin, sepse nuk ka vend për kaos n'perfeksjonin e pafundëm.

A asht e drejtë atherë me e dënue n'Ferr t'përjetshëm kyt njiri mbasi nuk ka mbajtë Ligjin e Hyjit, n'nji kohë kur aj nuk ka pasë kërkund ku me e gjetë e prej kujt me e msue kyt Ligj ? A kishim me guxue me akuzue Hyjin e Gjithpushtetshëm për padrejtsí a padashtní ? 

« Por Zoti aq shumë e deshti boten sa me dhanë Birin e Tij të vetëm, në mnyrë që kushdo që të besojë në Té, mos t'hupet por t'ketë jeten e pasosun. » (sh'Gjoni 3:16)

E n'kyt Dashtní hyjnore t'pafundme, Krijuesi i Gjithpushteshëm ka dishirue që në çdo kohë Ligji dhe Revelacjoni i Tij hyjnuer të njihej prej tanë njerzve - ata që nuk e kanë njoftë, n'nji kohë e vend t'caktuem, nuk e kanë njoftë për faj të mkateve të tyne e jo për mungesë të Providencës hyjnore -, nëpermjet nji mnyre të pagabueshme.

Dhe kjo mnyrë e pagabueshme ka kenë dikur Doktrina e Elitës drejtuese të Sinagoges hebraike (Prifti i nâltë i ndihmuem prej Sanhedrinit) para ardhjes së KRISHTIT Zot dhe Pjesa mësimdhânse (Papa me ipeshkvijtë) e Kishës Katolike mbas ardhjes së KRISHTIT Zot, ku Krijuesi zgjodhi njerëz të zakonshem dhe i forcoi me fuqi hyjnore me ruejte dhe msue pagabueshmënisht Ligjin e Tij hyjnor g'jatë tana kohnave.

N'kjoft se i Madhi Zot na kërkon me njoftë dhe mbajtë Ligjin e Tij hyjnor atherë patjetër Hyji duhet me na dhanë edhe mjetet me e njoftë dhe mbajtë kyt Ligj, g'jatë gjithë kohnave, për tanë njerzit, intelektualë, puntorë, analfabetë, lypsa, të tanë pa përjashtim, sepse Krijuesi i gjithsisë në Mirsinë dhe Dashtninë e Tij t'pafundme për krijesat e tija, e veçanarisht për njerzit, dishiron që ata të gjithë të mbrrijnë me e njoftë, me e dashtë dhe me kenë të lumtun përjetë. Krijuesi i gjithsisë nuk i pat thanë të zgjedhunve të Tij me shkrue libra e me i shpërnda në popull për interpretim e shpjegim privat prej sejcillit, përndryshej do të kishim pasë nji babiloní interpretimesh personale, pa llogaritë ktu brezat analfabete e të vorfna që, për mungesë të leximit të ktyne librave, do të mallkoheshin përjetë. Ky lloj veprimit do t'kundërshtonte absolutisht Drejtsinë dhe Dashtninë hyjnore të pafundme dhe të përjetshme të Krijuesit për njerzit.

Msoje Izraelin, i pat thanë ZOTI profetit Moisí ; Msojini tâna kombet, u pat thanë KRISHTI ZOT Apostujve të Tij.

Doktrina dhe Ligjet hyjnore të msueme prej Sinagoges hebraike para ardhjes së KRISHTIT ZOT gjejnë vazhdimsinë dhe perfeksionimin e tyne të plotë në Doktrinen dhe Ligjet hyjnore të msueme prej Kishës Katolike. N'kjoft se e krahasojmë kyt Doktrinë shêjte Katolike me propoganden islame vêhen roe (vërehen) ndryshime t'mëdhaja e thelbsuere. Për rrjedhojë, islami nuk âsht rruga drejt të mirës, drejt të vërtetës dhe drejt lumnisë së përjetshme (ashtu si do ta argumentoj edhe në shkrime tjera, dashtë Zoti). Rruga e vetme e shelbimit âsht Zoti jonë JEZU-KRISHTI, që ka thanë Vetë se asht Rruga, e Vërteta dhe Jeta (sh'Gjoni 14,6) dhe vetëm Kisha Katolike na e mson kyt rrugë, simbas vetë Urdhnimit të Hyjit t'Gjithpushtetshëm : 

« Shkoni pra, msoni tana kombet dhe pagzojini n'emen t'Atit e t'Birit e t'Shpirtit-Shejt. Msojini me i mbajtë gjithshka që ju kam urdhnue. E jam me jue, tana ditët, deri në fundin e botës. » (Sh'Mateu, 28:19-20)

KRISHTI Zot nuk mundet me ndejë me nji kishë që gabon.

« Dhe JEZUSI u tha Apostujve : "Shkoni në tanë boten dhe predikoni Unjillin çdo njirit ; aj që ka me besue dhe ka me u pagzue ka me u shelbue ; aj që nuk ka me besue, ka me u dënue. » (Sh'Marku 16:15-16)

Kërkush tjetër pra, përveç Kishës shêjte të KRISHTIT Zot, që âsht Kisha Katolike, nuk ka të drejtë me i msue kombet mbi shelbimin e shpirtnave, dhe ata që nuk ndig'jojnë e përbuzin Kishen Katolike nuk ndig'jojnë e përbuzin vetë Themeluesin e saj, Zotin tonë JEZU-KRISHTIN :

« Ai që ju ndig'jon Më ndig'jon dhe ai që ju përbuz, Më perbuz; dhe ai që Më përbuz, përbuz Até që Më ka dërgue. » (Sh'Luka 10:16)

Dhe Shelbuesi i premton sh'Pjetrit dhe Apostujve se ka me u çue SHPIRTIN-SHEJT, që ka me ndejë me ta gjithmonë dhe ka me u msue çdo të vërtetë : 

« Në kjoft se Më doni, mbani Urdhnimet e Mija. Dhe Un ka me lutë ATIN dhe ATI ka me ju çue nji tjetër Ngushllues (Paraklet) për me ndej me jue përgjithmonë. » (Sh'Gjoni 14:15-16)

« Parakleti, SHPIRTI-SHEJT, që ATI ka me çue në Emnin Tem, ka me ju msue çdo gjâ dhe ka me ju kujtue gjithçka që ju kam thanë. » (Sh'Gjoni 14:26)

« Kur ka me ardhë ky Shpirt i të vërtetës, Aj ka me ju msue çdo të vërtetë. » (sh'Gjoni 16:13)

Pra SHPIRTI-SHEJT i mson vazhdimisht Kishës Katolike, jo disa të vërteta, por çdo të vërtetë dhe gjithçka që Shelbuesi u ka thanë Apostujve të Tij. Prandej edhe Shelbuesi na detyron me ndig'jue gjithmonë Kishen Katolike, nën dënimin e mallkimit :

« N'kjoft se vllai jot nuk ndig'jon Kishen, atherë aj kjoft për ty si publikani dhe si pagani. » (sh'Mateu 18:17)

Dhe Shelbuesi i premton themelit të Kishës së Tij mbi tokë, sh'Pjetrit dhe pasuesve të tij, se Feja e tyne katolike nuk ka me u mungue kurrë :

« Por jam lutë për ty që Féja jote mos të dështojë kurrë. » (sh'Luka 22:32)

Sepse Vetë Zoti na mson nëpërmjet sh'Palit se ka vetëm :

« Nji Zot, Nji Fé, Nji Pagzim. » (sh'Pali drejtue Efezianve 4:5)

Dhe asht plotsisht e arsyeshme që nji Zot e Krijues pafundsisht perfekt, që don rregullin dhe drejtsinë, të ketë njí Përfaqsues të Tij mbi tokë për me drejtue tanë njerzit e arsyeshem e vullnetmirë drejt lumnisë të përjetshme, që ky Zot e ATË pafundsisht i Mirë dishiron me na dhurue, prej Mirsisë s'Tij t'pafundme e jo prej meritave tona - ma che meriti... (po çfarë meritash...), thote Padre Pio -, në mnyrë që njerzit mos të mashtrohen as prej gjithfarëlloj opinionesh të gabueshme njerzore e as prej kurthave djabolike.