martedì, ottobre 11, 2022

 

Tejet shêjta Virgjina MARI asht ndriçuesja e botës

 

Me t'vërtetë, Nana e tenZot, tejet shêjta Virgjina MARI asht Ndriçuesja e botës, ndriçuesja e shpirtnave. Po e skjaroj me dy fjalë.

Tejet shêjta Virgjina MARI asht Arka e vërtetë e Beslidhjes, që ka mbajtë n'vetvedi JEZU-KRISHTIN, Autorin e Beslidhjes së Ré, dhe na E ka dhanë, për shëlbimin e botës.

JEZU-KRISHTI asht Drita e vërtetë që ndriçon çdo njiri që vjen në kyt botë (sh'Gjoni 1, 9). Un jam Drita e botës, deklaron prap Shelbuesi jonë, dhe aj që Më ndjek nuk ecë në errsinë por do t'marrë driten e jetës (idem. 8, 12).

Unjilli shêjt na zbulon se JEZU-KRISHTI nuk erdhi në botë i vetëm, nuk u ul prej Qiellit për me iu zbulue njerzve drejtpërdrejt, por zgjodhi me na u shfaqë me ndërmjetsinë e nji Grueje të zg'jedhun, Nanës së Tij tejet shêjte, Virgjinës MARI. Jo se JEZU-KRISHTI kishte nevojë për Virgjinën e Papërlyeme për me iu zbulue botës, por me Vullnetin e Tij hyjnuer Aj zgjodhi kyt rrugë : Pra me na u shfaqë nëpërmjet Virgjinës MARI apo me ndërmjetsinë e Nanës së Tij tejet t'bekueme. Shën Agustini, nji prej Etënve të mëdhaj të Kishës, spjegon se JEZU-KRISHTI veproi kshtu sepse njerzimi ishte i padêjë me marrë drejtpërdrejt Birin e Zotit, Autorin e jetës dhe të tana hireve e bekimeve qielluere, Zot i vërtetë dhe Njiri i vërtetë. Prandaj, ata që dojnë me marrë JEZU-KRISHTIN dhe hiret e bekimet e Tija, duhet t'i marrin nëpërmjet Virgjinës MARI. Asht Nana e Zotit Ajo që na ka dhanë JEZU-KRISHTIN, Fjalen e Zotit, Driten hyjnuere t'përjetshme dhe tana hiret dhe bekimet që gjinden në JEZU-KRISHTIN. Prandej me të drejtë konkludojmë se Nana e Zotit, tue prue JEZU-KRISHTIN në botë, simbas vetë Vullnetit hyjnuer, ka prue në botë Driten e vërtetë dhe tana hiret e Zotit ; pra tejet shêjta Virgjina MARI ka ndriçue boten dhe na ka ndërmjetsue tana hiret e bekimet e Zotit, tue na dhanë Shelbuesin e dishiruem prej shekujsh, Autorin e hireve dhe bekimeve qielluere.

Dhe kyt rol kaq të randsishëm për shelbimin e shpirtnave, Nana e tenZot vazhdon me e krye me përpikmëní e besnikní, mbasi asnji hir nuk i nepet njerzve pa kalue përmes duerve t'Saja t'bekueme. Mbasi « mishi i JEZU-KRISHTIT âsht i njêjtë me até të Virgjinës MARI, » mson ati i Kishës shën Agustini (Hom. de Ass. 37), çdo hir e dhuratë qielluere që vjen prej JEZU-KRISHTIT domosdoshmënisht kalon përmes Virgjinës MARI, prej të Cilës Shelbuesi mori Natyren njerzuere në barkun e Saj të papërlyem, gjatë proçesit të Bashkimit hipostatik.

Nji Virgjën ka me lindë nji Fmijë, nji Djalë, i Cili ka me u quejtë Emanuel, "Zoti me ne". (sh'Mateu 1, 23)

SHPIRTI-SHEJT ka me Ju mbulue dhe Shêjti që ka me lindë prej Jush do  thirret Biri i Zotit, i deklaron Virgjinës Arkengjëlli Gabriel. (sh'Luka 1, 35)

Tre Mbretnit kur erdhën me adhurue Mesinë, Birin e Zotit, E gjetën Fmijen hyjnuer me Nanen e Tij, tejet shêjten Virgjinën MARI (sh'Mateu 2, 11).

Prandaj me të vërtetë Nana e tenZot, Virgjina MARI quhet ndërmjetsuesja e hireve qielluere, dhe simbas arsyeve që parashtrova ma nalt, Ajo asht ndriçuesja e botës, mbasi Nana e Zotit ka ndriçue boten tue ia dhanë JEZU-KRISHTIN, Driten hyjnuere të përjetshme, për shelbimin e shpirtnavet.

Prandaj jo vetëm që asht tejet e parespektshme por edhe tejet blasfemuese kur disa, tue përmendë Nanen e Zotit, e thërrasin "Maria", sikur me kênë nji grue e rëndomtë dhe jo Nana e Zotit, Mbretnesha e Qiellit dhe e të tokës, e Cila Ajo asht, mbasi JEZU-KRISHTI asht Mbreti i Qiellës dhe i tokës, mbretníja e t'Cilit nuk ka me mbarue kurrë (sh'Luka 1, 32).

N'çdo oborr mbretnor, Nana e Mbretit quhet Nana Mbretneshë ; e aq ma shumë Nana e JEZU-KRISHTIT, Zot e Mbret i Qiellit dhe i dheut, e meriton me u quejtë dhe asht Mbretnesha e Qiellit dhe e dheut. "Në hebraisht, komenton doktori i Kishës sh'Pjetër Krizológu (shek. IV), emni "MARI" don me thanë "Mbretneshë, Zojë, Suvrane". Në fakt, autoriteti i Birit të Saj, Dominuesi i botës, e ban Virgjirën Mbretneshë, prej ktij fakti dhe prej vetë êmnit, qysh në lindjen e Saj." (Sermo CXLII, "de  Annuntiat.", Omeli e nokturnes së tretë ; Cf. dom Guéranger, "Anné liturgique", "La fête du très saint nom de Marie")

Për ma tepër, vetë Nana e Zotit profetizon, prej Hyjit, se tash e mbrapa tana brezat kanë me E thirrë të bekueme (shêjte). (sh'Luka 1, 48)

E kshtu në vetë Unjillin shêjt lexojmë sesi nji grue, e frymzueme prej Zotit dhe e aprovueme prej vetë JEZU-KRISHTIT aty prezent, bekon barkun dhe gjinin e Nanës tenZot që kanë prue dhe ushqye për ne Shelbuesin e njerzimit. (sh'Luka 11, 27)

Si asht e mujtun atherë që disa t'vetquejtun "t'krishtênë", - pa dyshim krishtênë të rrêmë e mercenarë, mbasi kurrë Krishtênt e vërtetë nuk flasin kshtu për Nanen e tenZot - guxojnë me folë me aq përbuzje e mosrespekt për Nanen e Zotit tonë JEZU-KRISHTIT, n'nji kohë kur nderojnë e duejnë me shumë afeksion nanat e tyne simbas mishit e gjakut ?

Vetë Urdhnimi i katërt i Hyjit na urdhnon ma nderue baben dhe nanen, dhe asht i mallkuem aj që e then kyt Urdhnim dhe nuk nderon prindët e vet.

"Mallkue kjoft aj që nuk nderon baben dhe nanen e vet. Dhe tanë populli ka me u përgjigjë : Amen." (Deuteronomi 27, 16)

Për rrjedhojë, aq ma tepër e kena për detyrë me nderue Nanen e tenZot, dhe aq ma tepër asht i mallkuem aj që nuk nderon tejet shêjten Virgjinën MARI, Nanen e Zotit.

Nestori i pafé, që guxoi me i mohue T. Sh. Virgjinës MARI titullin "Nana e Zotit", n'kundërshtim me vetë dishminë biblike (sh'Luka 1, 43), u vue nën hakmarrjen hyjnore : gjuha e tij blasfemuese u grî prej krymbave dhe râ e kalbun (Hist. eccl.). 

Konstandin Kopronimi, mbasi fyu Virgjinën tejet shêjte, filloi me ndie nji nxehtsí t'brendshme aq të zjarrtë, saqë nuk pushonte s'bërtítunit se ishte hjedhë gjallë n'nji zjerm që nuk fiket kurrë ... (Ibid.)

Kajanus Mimus, mbasi kishte blasfemue Nanen e tenZot, u qortue ashpër prej vetë Virgjinës t'Papërlyeme në andërr ; por mbasi kjo nuk shërbeu për korrigjimin e tij, nji mjes, kur fajtori u çue prej gjumit, pâ se duert dhe kambët e tija ishin t'këputuna. (Ibid.)

"Non praesumat aliquis Deum se habere propitium qui benedictam Matrem offensam habuerit. - Aj që fyen Nanen shêjte të Zotit mos t'pretendojë me marrë Mshiren hyjnore." (sh'Luigji-Maria i Montfortit, "Traité de la vraie dévotion à la Sainte Vierge")

"Venerimi i Virgjirës Mari është i gdhendur në vetë thellësinë e zemrës njerzore." (Martin Luther, Weimar edition of Martin Luther's Works, translation by William J. Cole, 10, III, p. 313.)

"Vetëm Krishti duhet të adhurohet ? Nëna e shenjte e Zotit a nuk duhet të nderohet ? Ajo është gruaja që ka shtypur kokën e gjarprit (djallit). Na dëgjo ! Se Biri juaj nuk ju kundërshton asgjë !" (Martin Luter në sermonin e tij të fundit në Wittenberg, në Janar të 1546; Weimar edition of Martin Luther's Works, English translation edited by J. Pelikan [Concordia: St. Louis], Volume 51, pp. 128-129.)

"Nuk mund të mohohet fakti se Hyji zgjodhi dhe destinoi Virgjirën Mari të bëhej Nëna e Birit të Tij, duke i dhënë asaj nderin më të madh." (John Calvin, Calvini Opera [Braunshweig-Berlin, 1863-1900], Volume 45, p. 348.)

"E vlerësoj jashtzakonisht Nënën e Zotit, të Papërlyerën gjithmonë Virgjirën Mari." (Ulrich Zwingli; in E. Stakemeier, 'De Mariologia et Oecumenismo', K. Balic, ed., (Rome, 1962), p. 456)

"Aq më tepër që nderi dhe dashuria e JEZU-KRISHTIT rritet në njerëz, po aq shumë duhet të rritet vlerësimi dhe nderi ndaj Virgjirës Mari." (Zwingli, "Zwingli Opera, Corpus Reformatorum", Volume 1, pp. 427-428)

"Ti që beson çka dishiron, beson në vetvedi dhe jo n'Unjill." (Sh'Agustini, lib. xvii., "Contra Faustum Manichaeum", cap. 3)
 

 

Hymn lavdíjet kushtue tejet shêjtes Virgjinës MARI,
Nanës tenZot dhe Mbretneshës së gjithsisë


prej shën Efremit-sirjanit (379 A.D.), Doktor i Kishës Katolike

 

"Zoja 'eme, Nana tejet shêjte e Zotit, plot me hir, Nana e bekueme e Hyjit, tejet e pëlqyeshme para Zotit, Enë e mbushun e Hyjnisë së Birit Tuej t'vetëmlindun, Fron i zjarrtë shumë ma i lavdishëm se i katër-formuemi (i Ezekielit) i ATIT t'pavdekshëm dhe t'padukshëm; tansisht e pastër, tansisht e papërlyeme, tansisht pa njollë, tansisht e pandotun, tansisht e pafajshme, tansisht e dêjê për lavdim, tansisht e pakorruptueme, tansisht tejet e bekueme, tansisht e paprekun, tansisht e nderueme, tansisht e bekueme, e lavdueme, e nderueme dhe e dishirueme, gjithmonë Virgjën në shpirt, në trup, në mendje e zêmër; Fron i Mbretit që ulet mbi Kerubinët, Portë Qiellore përmes së cilës na nxitojmë prej tokës në Qiell; Nusja e Zotit përmes së Cilës na jena pajtue, Mrekullí e papritun, Lajmnim i pashpjegueshëm,

Manifestim i misterit të mshehun të Zotit, Mbrojtje e pathyeshme, Ndihmë e fuqishme, Burim i gjallë, Oqean i pashtershëm i hireve dhe dhuntive të papërshkrueshme të Zotit, Naltsí ma sublime se ajo e Fuqive Qiellore, Thellsí e padepërtueshme e kshillave mistike, Lavdí e natyrës, Jetë e tana gjanave fisnike, Mbretneshë e gjithsisë mbas TRINISE Shêjte, Parakleti tjetër mbas PARAKLETIT; dhe, mbas NDERMJETSIT, Ndërmjetsja e tanë botës; Karrocë e Diellit pafundsisht inteligjent - ajo Dritë e vërtetë që ndriçon çdo njiri që vjen në botë - Mbajtsja e Atij që mban çdo gjâ përmes FJALES; Veshje e Papërlyeme e Atij që vesh Vedin me dritë, si me nji teshë; Urë e tanë botës që na çon deri në Qiellen ma të naltë, ma e Naltë dhe tejet ma e lavdishme, përtej çdo krahasimi, se Kerubinët dhe Serafinët, Shkëlqim i engjëjve, Sigurí e njerzve, Çilc që na hap Parrizin, Nana dhe Shërbtorja e atij Hylli që nuk njef kurrë prendim, Shkëlqim i Ditës së vërtetë dhe mistike, Humnerë e Mirësisë së pahulumtueshme të Zotit, Karrocë hyjnore dhe e famshme; Libër i shkruem prej dorës së Zotit, përmes të cilit dorëshkrimi i Adamit asht shkatrrue; Mal i Zotit, Mal shêjt ku Hyjit i ka pëlqye me banue; Kërcell i Jeseut, Qytet i Zotit, mbi t'cilin, thotë Davidi, fliten gjana t'lavdishme; Çlirim prej vuejtjes, Lirí prej robnisë, Hyjnizimi i njerzve, Natyrë e mrekullueshme larg çdo mundsíje fajit, që buron prej temjanit të virgjinisë dhe mbush botën me parfumin e saj; Portë e Ezekielit që shef kah Lindja, Kryevepër e ekonomisë së jashtëzakonshme të hirit, Vendbanim i dashtun i përuljes hyjnuere, Pajtim i botës, Falja dhe Streha jonë; Ma e dishirueshmja se tana dhuntitë e lavdishme, Dorcë e shpatës flakruese, kundrue prej Izaîsë; Male t'hijezueme me virtyte që Habakuk profetizoi, Mal i Danielit prej të cilit nji gur râ pa ndërhyemje njerzuere, Libër i vulosun që kërkush nuk mundet me e lexue, Shpresë e padukshme e triumfuesve, Vendosmëní e Mbretënve, Lavdí e priftníjve, Shlyemje e mkateve, Qetsuese e Gjykatësit të drejtë ... Mbas Hyjit, Knaqsí e shpirtit 'em, Shî qielluer për zêmren t'eme t'thame...

"Zoja 'eme, Gzimi 'em, Shkëlqimi 'em, Avokatja 'eme e përhershme para Hyjit, e mekense Ju jeni Nana e Atij, i vetmi i Mirë dhe i Mshirshëm, denjoni me marrë e pranue shpirtin t'em të mjerë, dhe denjoni me e vue, nëpërmjet ndërmjetsisë dhe mbrojtjes tuej, në të djathtën e BIRIT Tuej të vetëm, dhe në pushimin e t'Zg'jedhunve dhe Shêjtënve të Tij ... Prandaj, tuej konsiderue gjithashtu si lavdinë e Tij thirrjen e ndërmjetësisë Tuej, BIRI Juej i plotson kërkesat Tueja sikur t'ishin detyrime. O Nana e Zotit t'em, Emën jashtzakonisht ma i dashtuni i emnave ..., un shpresoj në Jue, që me të vërtetë i keni dhanë nji Trup Zotit të vërtetë, të Cilit i takon tanë lavdíja, nderi dhe adhurimi, me ATIN pa zanafillë dhe SHPIRTIN e Tij jetdhanës, pafundsisht e tansisht të mirë dhe të shêjtë, tash e n'shekuj të shekujve. Ashtu kjoft !"

Shenim : (Shën Efremi - sirjani, 379 A.D., Doktor i Kishës Katolike, që festohet në kalendarin romak me 18 Qershor, "Precatio ad Deiparam." Kjo lutje asht shumë ma e gjatë në origjinalin greqisht, lutje që asht nji hymn i naltë lavdjet kushtue tejet shêjtes Virgjinës MARI, Nanës së Zotit dhe Mbretneshës së gjithsisë; "Sermo de sanctissimæ Dei genitricis Mariæ laudibus", edition of Vossius, Antwerp, 1619, II. 541; cf. Gautier, "Regina Saeculorum or MARY venerated in all ages", London, 1875, p. 110)

Shën Efremi-sirjani u konsakrue meshtar prej shën Bazilit-të-Madh
, nji prej katër Doktorve të Kishës Katolike Greke. Shën Efremi asht lavdue prej shën Gregorit të Nisës, shën Gjon Krizostomit, shën Bazilit, Teodoretit, shën Jeronimit dhe tjerve, të cilët e kanë thirrë "mjeshtri i botës" dhe "Eufrati i Kishës". Shën Efremi asht thirrë gjithashtu edhe "Harpa e SHPIRTIT-SHEJT". Etnit e hershëm të Kishës na rrëfejnë se shkrimet e shën Efremit lexoheshin publikisht në shumë Kisha fill mbas Shkrimit-Shêjt.