mercoledì, settembre 20, 2023

Pseudo-kardinali mason Karlo M. Martini

 

 


Asht e rrême (heretike) dhe absurde me deklarue se në nji besimtar katolik egzistoka nji luftë e mbrendshme midis besimtarit dhe mosbesimtarit, siç gjoja paska egzistue te masoni Martini, simbas disave. Ose beson, ose nuk beson : rrugë të mesme nuk kâ. Disa i interpretojnë në mnyrë të gabueme fjalët e shën Palit (Romakve 7, 15), i cili thotë se “nuk baj at’ të mirë që dishiroj, por baj të keqen që e urrej”. Interpretimi i aprovuem i Kishës mbi kyt pasazh të shën Palit na spjegon se ktu nuk bahet fjalë për luften e mbrendshme midis besimtarit dhe jobesimtarit, koncept heretik modernist dënue kryesisht prej Papës Piut X në Letren inciklike “Pascendi...”, por për lëvizjet e çrregullta të pasionve dhe të konkupishencës, pasoja të mkatit të rrjedhshëm, të cilat ndikojnë mbi intelektin dhe vullnetin, por për sa kohë ky i fundit nuk nep aprovimin, nuk ka mkat. Gjithashtu në besimtarin katolik munden me egzistue mkate, si p.sh. ato të imoralitetit, të cilat nuk janë kundër Fesë, dhe për rrjedhojë nuk e përjashtojnë até prej Kishës (cfr. Dekretet e Konçilit të Trentës). Nga ana tjetër, nuk asht e mujtun me mkatnue randë kundër Fesë dhe me vazhdue me kenë pjesë e Kishës Katolike të JEZU-KRISHTIT, sepse kuptimi tradicional i aprovuem i Fesë Katolik nënkupton nënshtrimin ndaj gjithçkajet që mson Revelacjoni hynuer i Krishtenë, i cili na spjegohet në mnyrë të pagabueshme vetëm prej Magjisterit hyjnuer dymijvjeçar të Kishës Katolike.
 
Feja Katolike, simbas përkufizimit të katezhizmit romak, asht “nji dhuntí e Hyjit, nji dritë që ndriçon njirin dhe që e shtyn me besue me vendosmëní tana t'vërtetat që Hyji na i ka zbulue dhe që na i propozon për besim përmes Magjisterit të pagabueshëm të Kishës Katolike” ; kto të vërteta hyjnuere gjinden si në Biblen Shêjte ashtu edhe në Traditen shêjte Apostolike, që na vjen prej Apostujve pa ndryshim. Po prej kateshizmit të Papës shën Piut X msojmë se “Kisha âsht shoqníja e Krishtênve të vërtetë, pra e të pagzuemve, që besojnë Fenë dhe Doktrinën e JEZU-KRISHTIT, që marrin pjesë në Sakramêndet e Kishës dhe që i binden Barijve të caktuem prej JEZU-KRISHTIT.” Nuk mjafton pra veç me besue në Zotin tonë JEZU-KRISHTIN. Simbas përkufizimit të gabuem dhe të mangët të Fesë të pseudo-konçilit të II të Vatikanit, që e gjejmë në deklaraten e përbashkët mbi justifikimin që Vatikani ka nënshkrue me kishat heretike luterane me 31 Nanduer 1999, në paragrafin 36 të ksaj deklarate lexojmë : “simbas Konçilit të II të Vatikanit, katolikët shpallin se me besue don me thanë me ia besue vedin totalisht Hyjit”. Ky përkufizim heretik i Fesë, dënue prej Konçilit të Trentës dhe në kundërshtim me Magjisterin e pagabueshëm të Kishës dhe Traditen Apostolike, asht përkufizimi që luteranët i napin fesë së tyne njerzore, e cila nuk shelbon askend. Simbas përkufizmit katolik të virtytit teologal e mbinatyruer të Fesë, pa të cilin as nuk mundena me kenë pjesë e Kishës e as nuk mundena me hi në Parriz (Hebr. 11, 6), duhet pra me besue jo vetëm në hyjninë e JEZU-KRISHTIT por edhe me pranue integralisht, me zemër e me vepra, Doktrinen e Tij hyjnuere, e cila na msohet pa gabime e pa ndryshim gjatë shekujve, vetëm prej Magjisterit të Kishës Katolike të JEZU-KRISHTIT, që përbahet prej Doktrinës së pagabueshme të Papës së Romës ose Doktrinës së pagabueshme të tanë ipeshkvijve n’union me Papen e Romës, Pontifin Romak.             

« Në kyt përmbytje universale opinionesh asht misioni i Kishës me mbrojtë të vërteten dhe me zhgulë gabimin prej shpirtnave, dhe kyt mision Ajo duhet t'a përmbushë shejtnisht dhe gjithmonë, sepse mbrojtjes së saj i asht besue nderi i Hyjit dhe shelbimi i shpirtnave...

« Feja e krishtenë nuk bazohet mbi autoritetin e arsyes njerzore por mbi até hyjnuere, sepse até çka Hyji na ka zbulue ''na nuk e besojmë si rezultat i evidencës së vetë të vërtetës, e dallueme prej dritës natyrore të intelektit tonë, por për arsye të Autoritetit të Zotit që zbulon dhe nuk mundet as me u gabue e as me na shtye në gabim''. Nga kjo rrjedh se të gjithë elementve që kjartsisht përfshihen në Zbulimin e Zotit na duhet me u dhanë nji aprovim të njejtë dhe të plotë. Me refuzue vetëm njenin prej tyne don me thanë me refuzue komplet Zbulimin hyjnuer. Dhe kta shkatrrojnë njisoj themelin e Fesë, tue mohue faktin se Zoti i ka folë njerzve apo vejnë n'dyshim të Vërteten dhe Urtinë e Tij hyjnuere.  
 
« Përcaktimi i atyne doktrinave që përfshihen në Zbulimin hyjnuer asht pjesë e misionit të Kishës msimdhanse (Papës dhe ipeshkvijve), të cilës Hyji ia ka besue ruejtjen dhe interpretimin e Fjalës së Tij. Në Kishë, Doktori suprem asht Pontifi Romak. Uniteti i shpirtnave e lyp atherë, me nji dakordsi perfekte në të njejten Fé, nji nënshtrim dhe ndig'jesë perfekte të vullnetit ndaj Kishës dhe Pontifit Romak, si ndaj vetë Hyjit... Qé si e spjegon në mnyrë t'admirueshme kyt doktrinë sh'Tomë Akuini (Lb. Quest; I, art X.) n'paragrafin e maposhtëm :

« ''Objekti themeluer i Fesë asht e vërteta primare, ashtu siç na prezantohet në Shkrimet Shejte dhe në Doktrinen e Kishës, të cilat rrjedhin prej të vërtetës primare. Për rrjedhojë, kushdo që nuk aprovon apo nuk aderon në Doktrinën e Kishës, si në nji rregull t'pagabueshme dhe hyjnuere, që vjen prej të vërtetës primare të shpallun në Shkrimet Shejte, aj nuk ka Fenë e zakonshme Katolike, por përvetson n'nji mnyrë tjetër elementat e fushës së Fesë... Atherë asht e kjart se aj që aderon në Doktrinen e Kishës, si në nji rregull të pagabueshme, nep miratimin e tij për gjithçka që Kisha mson. Përndryshej, n'kjoft se në elementat e msueme prej Kishës, aj aprovon çfarë i pëlqen dhe refuzon çfarë nuk i pëlqen, aj aderon në vullnedin e vet dhe jo në Doktrinen e Kishës, e cila asht nji rregull e pagabueshme. Feja e tanë Kishës duhet të jetë unike, simbas ksaj fjale të Shen Palit shkrue Korintasve : ''Mbani të tanë të njejtin unitet doktrinal dhe mos të ketë dasina mes jush.'' (I Kor. 1). Për rrjedhojë, ky unitet mundet me u ruejtë vetëm atherë kur çeshtjet që lindin rreth Fesë të vendosen prej atij (Papës) që udhëhjek Kishen Katolike në mbarë botën, dhe kur vendimi i tij të pranohet prej tanë Kishës me vendosmëni...

« Kur konsiderojmë limitet e ndig'jesës që u detyrohena barijve shpirtnuer e sidomos Pontifit Romak, nuk duhet me mendue se ata përfshjnë vetëm dogmat në të cilat inteligjenca duhet me aderue, dhe se refuzimi i vetdijshëm i tyne përban krimin e herezisë. Nuk asht i mjaftueshëm as edhe nji aprovim i sinqertë dhe i devotçëm i doktrinave, të cilat pa kenë kurrë të shpalluna zyrtarisht prej nji gjykimi solemn të Kishës, megjithaté na msohen prej Magjisterit të saj të zakonshëm e universal, si pjesë përbase e Zbulimit hyjnuer, dhe si të tilla, simbas Konçilit të Vatikanit, duhen besue me nji fé katolike dhe hyjnuere. Për ma tepër, duhet që të Krishtenët t'a konsiderojnë si detyrë me u qeverisë dhe udhhjekë prej autoritetit të ipeshkvijve, e kryesisht prej autoritetit të Selisë Shejte.... Prej vetë urdhnit hyjnuer, i takon Kishës, dhe mbrenda Kishës i takon Pontifit Romak me përcaktue, në rangun doktrinal e moral, se çka duhet me besue e si duhet me veprue. Për rrjedhojë, Pontifi Romak (Papa) duhet me mujtë me gjykue me autoritet se çka përfshin Fjala e Zotit, me përcaktue cilat doktrina janë n'harmoni me Té dhe cilat E kundërshtojnë. Po ashtu, në fushen e moralit, i takon Papës me vendosë çka asht mirë e çka asht keq, çka asht e nevojshme me u krye e çka duhet me u shmangë, për me mujtë me mbrritë shelbimin e përjetshëm. Përndryshej, Pontifi Romak (Papa) nuk do t'mund të ishte as interpretuesi i pagabueshëm i Fjalës së Zotit e as udhhjeksi i sigurtë i jetës njerzuere. » (Sh. T. Papa Leoni XIII, Letra inciklike ''Sapientiae Christianae'', 10 kallnduer 1890)

Karlo Martini, Jorge Bergoglio e apostatët dhe anmiqtë e tjerë të infiltruem të Kishës, ujq grabitqarë të maskuem nën tesha qingjash, nuk përfaqsojnë Kishen Katoliket të Zotit tonë JEZU-KRISHTIT, por kishen e re postkonçiljare, pjellë e pseudo-vatikanit II, e cila me aktet e saja apostate, blasfemuese e sakrilegje praktikisht ka mohue dhe hjedhë poshtë Revelacjonin hyjnuer të krishtënë, i gjindun si në Biblën Shejte ashtu edhe në Traditen shejte Apostolike : e konkretisht Fenë, Moralin dhe disiplinen e krishtenë (përfshi ktu Meshen, sakramendet tradicionale dhe pendesen, si krezhmen 40-ditore, kater-kohët, etj.) Shejti Konçil ekumenik i Trentës dënon me mallkim cilindo që mohon Biblen dhe Traditen Apostolike, ndërsa vetë Hyji, përmes shën Palit, na mson se aj që mson nji tjetër unjill, aj kjoft mallkue (Galatve 1, 8 ). (Denzinger, “Burimet e Dogmës Katolike”, no. 783-784, edicjoni 19570.)     

Pseudo-kardinali Karlo Martini, njifet si bashk-themeluesi i grupit mafioz të san galos ; Martini ishte pjesë e Masonerisë : me rastin e vdekjes, lozha masonike “Grande Oriente Democratico - Orienti i madh demokratik” ndër të tjera tha : “Dishirojmë me përshndetë vllanë Karlo M. Martinin në udhëtimin e tij drejt Orientit të përjetshëm. Vllaznit e Orientit të madh demokratik.” Edhe lista e “Monsinor Marinelit” konfirmon antarsinë e Martinit në Masoneri. (cfr. ‘Lo scandalo del tempio satanico a San Giovanni Rotondo dedicato a Padre Pio’ a cura di Franco Adessa e Alberto Felici)

Simbas ligjeve të Kishës Katolike, cilido që bahet pjesë e Masonerisë merr automatikisht çkishënimin. (Kanonet 1240, 2335)

Martini ishte pjesë e atyne elementve masonikë-modernistë që punojshin me zell me thirrë nji “konçil të III të Vatikanit”. Kujtojmë fjalimin e tij të njohun në 1999, “Verso l’indizione di un Concilio Vaticano III”, ku pseudo-kardinali mason shpallte pikat kryesore të agjendës së pseudo-konçilit të III dhe skemen e nji “teologjie” të re thelbsisht luterane-moderniste-masonike, e cila do të përfshinte : zhdukjen graduale të celibatit për priftnijt, pranimin e çifteve homoseksuale në  kishë, pranimin në kishë e “në komunion” të divorcuemve të “rimartuem”, konsakrimin e femnave në urdhnat kishtare, pjesmarrjen e laikve në funksionet kishtare, pranimin e nji moral të ri seksual (transgjenderat), rishikimin e sakramendit të pendeses (praktikisht zhdukja e rrefimit personal, mbasi tanë u pshtokan simbas tyne dhe s’paska ma nevojë me ba pendesë), rishikimin e konceptit të ekumenizmit, tuej vlersue dhe futë në ceremonitë liturgjike elementa paganë të besimeve politeiste primitive (djallzuere) dhe vlersimin e ambjentit apo të çeshtjeve ekologjike. Në kjoft se vëzhgoni me kujdes aktvititetin e masonit Jorge Bergoglios në Vatikan qysh me intronizimin e tij atje prej Masonerisë, shofim se si ka punue aj me zell mbi tana kto pika të agjendës së naltpërmendun. Dhe do t’a shifni vetë se në sinodin e ardhshëm të tetorit, Bergoglio do të marrë hapa konkrete për realizimin e matejshëm praktik të agjendës së masipërme. Apostati Ratzinger, edhe pse modernist, ishte pak ma i rezervuem në lidhje me kyt agjendë satanike, prandej edhe u vue menjanë.  

Në lidhje me destinen e Karlo Martinit, Zoti e din vendimin e Tij ; na do t’a marrim vesht në Gjykimin e fundit. Kundër atyne që thonë se Mshira e Zotit asht e pafundme, u kujtoj se edhe Drejtsija e Zotit asht e pafundme dhe se pa pasë Fenë Katolike, me zemër e vepra, simbas kuptimit tradicional katolik dhe jo simbas ideologjisë heretike protestante e moderniste të Vatikanit II, asht i pamujtun shelbimi i shpirtit (Hebrejve 11, 6). Në kjoft se deri në momentin e deks të nji masoni apo jokatoliku (kjoft apostat apo i papagzuem) nuk shifen sheja pendeset apo pranimit të Fesë Katolike, atherë tradicionalisht Kisha i refuzon çdo ceremoni katolike të vorrimit, dhe shpirti konsiderohet i hupun. Nuk di se Martini ka dhanë sheja pendeset para vdekjes.

Kujdes gjithashtu duhet pasë edhe prej nji koncepti heretik të shelbimit, propagandue prej pseudo-konçilit të II të Vatikanit, simbas të cilit gjoja të tanë paskan me u shelbue :

“Tanë njerzit janë të shelbuem prej JEZU-KRISHTIT; ata kanë të tanë të njejtin vokacjon dhe destinë hyjnore...”. (“Gaudium et spes”, n. 29)

Por shën Agustini mson me të drejtë se Hyji na ka krijue pa né, por nuk na pshton pa né : “Qui creavit te sine te non salvabit te sine te”.

“Hyni prej derës së vogël, sepse e madhe asht dera dhe e gjanë asht rruga që çon drejt shkatrrimit (mallkimit), dhe shumë ecin aty. Por sa e vogël asht dera dhe sa e ngushtë asht rruga që çon drejt jetës (shelbimit) dhe pak e gjejnë até. Kujdes prej profetve të rremë që vijnë te ju të veshun si qingja, por përmbrendë janë ujq grabitqarë. Prej veprave të tyne keni me i njoftë.” (shen Mateu 7, 13-16)

Kini kujdes e mos u mashtroni se Zoti nuk tallet : çka keni mbjellë, até keni me korrë : Në kjoft se keni mbjellë mkatin, korrupsionin, luften kundër Zotit e kundër Kishës, keni me korrë vdekjen e përjetshme ; por në kjoft se keni mbjellë Fenë e devocjonin e krishtenë, luften kundër mkatit dhe djallit, mbrojtjen e Kishës dhe të Magjisterit të saj të pagabueshëm, keni me korrë jeten e përjetshme. (Galatve 6, 7-8).