mercoledì, gennaio 04, 2017

Meditim fundvitit mbi Drejtsinë hyjnuere

Dënimi hyjnuer i Sodomës dhe Gomorrës


     Me e dijtë njiri çka don me thanë me pasë hirin e Zotit në shpirt, çka don me thanë me pasë vetë Hyjin n'zemren e tij, e mandej çka don me thanë me e hupë kyt hir, që ndoshta nuk i rinepet ma kurrë, aj nuk do t'kishte kursye asnji sakrificë, do t'kishte kenë gadi me dekë 1000 vdekje mizore, veç mos me hupë thesarin e paçmueshëm të hirit hyjnuer. Mjerisht, propaganda anmike sod rreh veshtë e njerzve me iluzjonin diabolik të nji "zoti babaxhan", që na falë gjithmonë, që na pranon si jena dhe që ka me na marrë të tanvet n'Parriz, pavarisht mkateve tona. Nuk ka blasfemë e shpifje ma t'randë sesa kjo, n'kundërshtim t'plotë si me Biblen Shejte ashtu edhe Traditen, sepse n'kyt mnyrë djalli e shërbtorët e tij përgjumin njerzit e mjerë në nji sigurí t'rrême, derisa t'vijë koha me dalë prej ksaj botet, për me i tërhjek mandej në torturat e përjetshme të Ferrit.

« Ah! Vllâznit e mij, predikonte dikur Patroni shejt i tanë famullitarvet, n'koft se nuk luftohena fort prej djallit, jena bâ gadi me na kjâ, sepse simbas tana g'jasave jena miqtë e tij, i cilli na len me jetue n'nji paqe t'rrêmë dhe na ven me fjetë nën pretekstin se kena bâ ndonji lutje apo lëmoshë t'mirë, apo se kena bâ ma pak keq se t'jerët. N'fakt, vllâznit e mij, n'kjoft se e pvetni kyt shtyllë kabarejet a e tundon djalli, ka me ju thanë jo, asgjâ nuk e mundon. Pveteni at vajzë mendjelehtë se cillat janë betejat e saja ? Ajo ka me u përgjigjë, tuej u qeshë, se nuk ka asnji betejë dhe se as që din gjâ çka don me thanë me kenë e tundueme. Qé pra, vllâznit e mij, tundimi mâ i tmerrshëm âsht mos me kênë i tunduem ; qé pra edhe gjendja e atyne t'cillët djalli i ruen për Ferr. N'kjoftë se kisha me guxue me folë, kisha me ju thanë se djalli ban kujdes fort mos me i tundue kta shpirtna dhe mos me i mundue mbi jeten e tyne t'kalueme, prej frigës se mos hapin sytë e shofin mkatet e tyne.

« Po ju tham pra, vllâznit e mij, se e keqja ma e madhe për t'Krishtênët âsht mos me kênë i tunduem, sepse ka vend me besue se djalli i konsideron ata si të tijtë dhe pret vetëm vdekjen për me i tërhjek n'Ferr. Nuk ka asgja mâ t'lehtë me u kuptue. Shifni nji katolik që sapo fillon me kërkue shelbimin e shpirtit të tij, gjithshka që e rrethon e shtyn me bâ keq, e shpesh nuk mundet as me çue sytë përpjetë pa u tundue, pavarsisht lutjeve e pendesve t'ija ; dhe nji mkatnuer i vjetër, që ndoshta qysh prej njizet vjetësh sillet e pshtillet n'plehin e mkateve t'ija, ka me thanë se nuk âsht i tunduem. Aq mâ keq për ty, miku jem, aq mâ keq për ty ! E ti duhet me u dridhë sepse nuk njef tundimet tueja, sepse me thanë se nuk jé i tunduem âsht njisoj sikur me thanë se nuk ka mâ djall apo se i mallkuemi e paska hupë tanë tërbimin e tij kundër t'Krishtênve. "N'kjoft se nuk keni tundime, na thotë sh'Gregori Papë, atherë djajtë janë miqtë, drejtuesit dhe barijtë tuej, dhe ju lanë me jetue t'qetë jeten tuej t'shkretë, tuej pritë fundin e ditve tueja për me ju tërhjekë n'humnerë." Sh'Agustini na thotë se tundimi mâ i madh âsht mos me pasë tundime, që don me thanë me kênë i mallkuem, i braktisun prej Zotit dhe i dorzuem n'duert e epsheve personale. » (Shejti Gjon-MARIA Vjaní, Famullitari i Arsit, Francë).

« Në t'njêjten kohë, u gjinden aty disa njerëz që lajmnuen Shelbuesin mbi çka u kishte ndodhë disa galilèasve, t'cillve Pilati u kishte përzie gjakun me sakrificat e tyne. Tuej marrë fjalen, JEZUSI u tha : "A mendoni ju se ato galilèas kjenë ma mkatnorë se tanë galilèasit e tjerë, sepse vuejten kto gjana ? Po ju tham se jo, por n'kjoft se nuk bâni pendêsë, edhe ju keni me mbarue të tânë si ata.

« E ato 18 vetë që mbaruen, kur u râ mbi krye Kulla e Siloèsë, mendoni ju se borxhi i tyne ndaj Drejtsisë Hyjnuere kje mâ i madh se i tânë qytetàrve t'Jeruzalemit ? Po ju tham se jo, por n'kjoft se nuk bâni pendêsë, edhe ju keni me mbarue të tânë si ata. » (sh'Luka 13:1-5)

Eruditi dhe nji prej komentuesve mâ t'njoftun të Shkrimeve Shêjte, Atë Kornelius Lapide S.J., shpjegon kshtû paragrafin e mâsipërm t'xjerrun prej sh'Lukës :

Afër Jeruzalemit ishte nji burim ujit apo nji pishinë për t'cillen flet edhe profeti Izaíja : "Ky popull rrefuzon ujnat e Siloèsë që rrjedhin aq âmbël..." (VIII, 6). Afër ktij burimit ka egzistue edhe nji kullë me t'njâjtin êmën, Kulla e Siloèsë. N'kohen e KRISHTIT, kjo kullë u rrëzue, ose prej forcës' erës, ose prej rrfèjet, ose prej termetit, ose prej ndonji shakut tjetër t'ngjashëm, dhe xuni nën vedi 18 veta që ishin mbrendë ose afër saj. Kjo tragjedí, n'kjoft se konsiderojmë shkaqet sekondare, mund t'ketë ndodhë rastsisht. Por, n'kjoft se marrim parasysh shakun e vetëm primar, t'Madhin Zot, atherë kjo ngjarje ka ndodhë me urdhën t'Providencës Hyjnore, që vendos me ndëshkue disa e me terrorizue të tjerët. Simbas shkakut t'vetëm primar, asgjà nuk ndodh rastsisht, por gjithshka asht plotsisht e parashikueme dhe e përgaditun prej t'Madhit Zot, kshtu që n'Mbretninë e Tij, ashtu si thotë edhe Boethius, kurrgjâ mos t'i lêhet rastsísë.

I Madhi Zot, pra, urdhnon kto ngjarje për ndëshkimin dhe korrigjimin e njírit, n'mnyrë që t'jerët, tuej pa kojshitë e tynë t'dekun prej rrximit t'nji kulle apo t'nji aksidenti tjetër t'papritun, prej frigës se nji gjâ e ngjashme mund t'u ndodhë edhe atyne, t'pendohen dhe t'pajtohen me Zotin. E kshtû, t'mos mbulohen prej Gjykimeve Hyjnore dhe t'mos përfundojnë n'Ferr.

"N'kjoft se nji i verbët do t'u përplaste me nji njiri, do t'i thote ktij njirit : qorr, sepse ishte shkapètë me té. Kshtu edhe na e bajmë fatin (fortuna) t'verbët, por na ndéshena me fatin sepse jena na vetë qorra. Kjo "Fortuna fortunans", që në t'vërtetë nuk asht gja tjetër veçse i Madhi Zot dhe Providenca e Tij Hyjnore, shef aq mirë saqë ka mâ shumë sý sesa Argusi." (Plutarku, "In Moral.")

Doktori i Kishës Katolike, sh'Gjon Krizostomi thotë se ky aksident ka ndodhë n'mnyrë që i màrri t'xajë mend e t'bahet i sqúetë, sepse Zoti nuk na dënon të tânve n'kyt botë, por i len njerzve nji kohë me bâ pendêsë. Gjithashtû, Zoti nuk i len tâna denimet për mâ vonë, që njerzit mos t'dyshojnë Providencën e Tij dhe Drejtsinë e drejtë Hyjnore.

Sh'Filip Neri thotë se ata që nuk mendojnë me pshtue shpirtin e tyne, janë të çmendun.

Doktori i Kishës, sh'Alfons-Maria di Liguori, n'nji prej sermoneve të tija mbi Krezhmen thonte se

« N'Shkrimet Shêjte âsht e shkrueme : "Mos e tundo Zotin, Hyjin tand !". Mkatnori që dorzohet para mkatit pa luftue për me rezistue tundimet, ose s'pakut pa i kërkue Zotit ndihmë me i mujtë tundimet, dhe shpreson se Zoti nji ditë ka me e nxjerrë prej humnerës, tundon Zotin me bâ mrekullí ose me i shfaqë atij nji mshirë t'jashtzakonshme që nuk shtrihet mbi tanë katolikët. Zoti, ashtu si thotë Apostulli sh'Pal, "don që tanë njerzit t'shelbohen" (1 Tim. 2:4) por Hyji don gjithashtu që na t'punojmë për shelbimin tonë, s'pakut tuej përdorë mnyrat e mposhtjes s'anmiqve dhe tuej iu bindë Hyjit kur na thrret me bâ pendesë. Mkatnorët i ndig'jojnë thirrjet e Zotit por mandej i harrojnë dhe vazhdojnë me fye Hyjin. Por Zoti nuk i harron ata ; Zoti i numron hiret që nep, gjithashtu, edhe mkatet që na bajmë. Prandej, kur vjen koha e caktueme prej Providencës, Zoti nuk na nep mâ hiret e tija dhe fillon me na ndëshkue.

« Sh'Bazili, sh'Jeronimi, sh'Gjoni Krizostomi, sh'Agustini dhe Etnit e tjerë msojnë se Zoti, simbas fjalve të Shkrimeve Shêjte "Ju keni urdhnue çdo gjâ simbas masës, numrit dhe peshës" (Dija 11:21), ka fiksue për çdo person numrin e ditëve të jetës s'tij, shndetin dhe talentin që ka me i dhanë sejcillit si dhe ka përcaktue për gjithkênd numrin e mkateve që ka me falë ; e kur ky numër t'plotsohet, atherë Zoti nuk fal mâ. "Illud sentire nos convenit", thotë sh'Agustini, "tamdiu unumquemque a Dei patientia sustineri, quo consumato nullam illi veniam reservari." ("De Vita Christi", Cap. III.) Euzebi i Çezaresë thotë : "Deus expectat usque ad certum numerum et postea deserit." (Lib. 8 , Cap. II.) E njêjta doktrinë msohet prej etënve t'nâltpërmendun.

« "Zoti më ka çue me shërue ata që pendohen me gjithë zemër." (Isaia LXI. 1.) Zoti âsht i gatshëm me shërue ata që dishirojnë sinqerisht me ndreqë jeten e tyne, por nuk mundet me pasë mshirë për mkatnorin e papenduem. Zoti i fal mkatet por nuk mundet me falë ata që janë t'vendosun me vazhdue me E fye. Po ashtu, nuk mundena me i kërkue Zotit arsyen pse i falë njênit 100 mkate kurse disa t'jerve u merr jetën mbas 3 ose 4 mkateve dhe i hjedh n'Ferr. Nëpërmjet profetit Amos, Hyji thotë : "Për tri krimet e Damaskut dhe për katër nuk kam me i konvertue." (1:3) Prandej duhet me adhurue gjykimet e Zotit dhe me thanë me Apostullin : "O thellsija e pasunive, e dijes dhe e intelektit të Zotit ! Sa t'pakuptueshme janë gjykimet e Tij." (Romakve 11:33) Aj që merr falje, thotë sh'Agustini, âsht i falun vetëm prej Mshirës' Zotit dhe ata që ndëshkohen janë t'dënuem me të drejtë. "Quibus datur misericordia, gratis datur : quibus non datur ex justitia non datur." (1 de Corrept.)

« Sa shumë shpirtna i Madhi Zoti ka dënue vetëm mbas mkatit t'parë ? Sh'Gregori difton se nji fmi 5 vjeç, mbasi kishte mbrritë moshen e arsyes, sepse tha nji blasfemë u kap prej djallit dhe u tërhoq n'Ferr. Virgjina e Papërlyeme i tha njiherë shërbtores s'madhe të Zotit, Benedikta e Firences, se nji djalë 12 vjeçar u mallkue mbas mkatit t'parë. Nji tjetër djalë vdiq mbas mkatit t'ij t'parë dhe u mallkue. Ti thue : Un jam i ri, ka të tjerë që kanë bâ ma shumë mkate se un. Por, simbas arsyetimit tand, a âsht Zoti i detyruem me pritë pendesen tande mbasi E ke fye ? N'Unjillin e sh'Mateut (21:19) lexojmë se Shelbuesi mallkoi nji peme figut t'paren herë që e pau pa fryte : "Mos dalshin mâ kurrë fryte prej tejet ! Dhe menjiherë pema e figut u thâ." Prandaj ti duhesh me u dridhë kur t'vijë mendimi me bâ vetëm nji mkat t'randë, e veçanarisht n'kjoft se je fajtuer për faje t'jera të randa.

« "Mos rri pa frigë për mkatet e faluna dhe mos i shto mkatit mkat." (Eccl. 5:5) Prandaj, o mkatnuer, mos thuej : Ashtu si Zoti m'ka falë mkatet e tjera, ashtu ka me m'falë edhe kyt mkat n'kjoft se e baj. Mos fol ashtû, sepse n'kjoft se mkatit t'falun ti i shton nji tjetër, ke shumë arsye me u druejtë se ky mkat i ri ka me iu shtue fajit për mkatet e kalueme dhe kshtû numri i mkateve që Zoti âsht i gatshëm me t'falë ka me u plotsue, e për rrjedhojë ke me u braktisë prej Hyjit. Shif si shpjegohet mâ kjartë kjo e vërtetë n'Shkrimet Shêjte : "Zoti pret me durim në mnyrë që kur t'vijë Dita e Gjykimit ti dënojë ata për tâna mkatet e grumbullueme." (2 Mac. 6:14) Zoti pret me durim derisa të kryhet nji numër i caktuem mkatesh, por kur masa e fajit t'mbushet plot, nuk pret mâ por ndëshkon mkatnorin. "Ju i keni mbyllë mkatet e mija sikur t'ishin në nji thes." (Job 14:17) Mkatnorët i shumëfishojnë mkatet e tyne pa i llogaritë, por Zoti i numron tana mkatet, n'mnyrë që kur të vijë koha e t'kórrunave, pra kur numri i mkateve t'plotsohet, Zoti t'hakmerret kundër mkatnorve. "Bani gadi drapnin se t'korrunat janë gadi me u vjelë." (Joel 3:13)

« Si ky i fundit ka shumë shembuj n'Bibël. Tuej folë mbi hebrejtë, Zoti jonë, në nji vend, thotë : "Të tânë ata që M'kanë tundue deri tash 10 herë... nuk kanë me e pa token. [Token e Premtueme] (Num. 14:22-23) Në nji vend tjetër, Hyji thotë se e kishte ndalë hakmarrjen kundër Amorrítve sepse numri i mkateve t'yne nuk ishte plotsue : "Sepse deri tash ligsitë e Amorrítve nuk kanë mbrritë kulmin." (Gen. 15:16) Na kena gjithashtu shembullin e Saulit i cilli mbasi refuzoi me iu bindë Zotit për herë të dytë u braktis prej Tij. Sauli iu lut Samuelit me ndërhye para Zotit për faljen e tij : "T'lutem, ma fal mkatin e ktheju me mue që t'adhuroj Hyjin." (1 Mbretn. 15:25) Por tuej e ditë se Zoti e kishte braktisë Saulin, Samueli iu përgjigj : "Nuk do të kthehem me ty sepse ti e ke refuzue fjalen e Zotit e kshtû Zoti të ka braktisë." (Idem, 15:26). Saul, ti e braktise Zotin e Zoti të braktisi ty. Nji tjetër shembull e gjejmë te Baltazari i cilli mbasi profanoi enët e Tempullit pâ nji dorë tuej shkrue mbi mur : "Mane, Thecel, Fares." Profetit Daniel iu kërkue me shpjegue kuptimin e ktyne fjalve. Tuej shpjegue fjalen "Thecel", profeti i tha mbretit : "Jeni peshue n'kandâr e keni dalë i lehtë." (Daniel 5:27) Me kyt interpretim, ai i dha me kuptue mbretit se pesha e mkateve t'ija n'kandârin e Drejtsisë Hyjnuere ishte mâ e rândë se falja. "Po at natë, Baltazari, mbreti i Kaldesë, u vra." (Daniel 5:30) Oh, sa shumë mkatnorë kanë pasë të njêjtin fund ! Tuej vazhdue me fye Zotin, mbasi numri i mkateve t'yne pat mbrritë te nji numër i caktuem, ata i vrau deka e përfunduen n'Ferr. "Ata i kalojnë ditët mes pasunísh e mbas nji momentit shkojnë n'Ferr." (Job 21:13) Dridhuni pra, vllâzen, se ndoshta mbas nji mkatit tjetër t'rândë, Zoti mund t'ju çojë n'Ferr.

« N'kjoft se Zoti do t'dënonte mkatnorët fill mbas mkatit, ata nuk do t'A përbuzshin. Por mekênse Hyji nuk i ndëshkon menjiherë shkelsit dhe, prej mëshirës, e ndal hakmarrjen e pret konvertimin e tyne, mkatnorët marrin guximin me fye prapë Hyjin. "Për arsye se gjykimi i Tij nuk nepet përnjiherë kundër t'keqes, bijtë e njerzve bajnë t'keqen pa asnji frigë." (Eccles. 8:11) Por na duhet me u bindë se Zoti, edhe pse âsht i durueshëm me ne, nuk pret e nuk duron përjetë. Tuej pritë, si herët tjera, me i pshtue kurtheve t'Filistinve, Samsoni e la vedin me u mashtrue prej Dalilës. "Kam ma dalë jashtë, si herët tjera, e kam me i mujtë." (Judges 16:20) Por Zoti e kishte braktisë ; Samsoni ma vonë u kap prej anmiqve t'ij dhe hupi jetën. Hyji të paralajmron mos me thanë kshtû : Kam bâ sa e sa mkate e Zoti nuk me ka dënue. "Mos thuej : Kam mkatnue e mandej çfarë e keqet m'ka gjetë ? I Gjithpushtetshmi âsht nji shpërblyes i durueshëm." (Eccl. 5:4) Hyji duron për nji farë kohet por mandej ndëshkon mkatet, prej të parit e deri te i fundi. Dhe sa mâ i madh durimi hyjnuer, aq mâ e madhe ka me kênë hakmarrja hyjnuere.

« Për rrjedhojë, simbas sh'Gjon Krizostomit, Hyji duhet pasë frigë ma shumë kur i duron mkatnorët sesa kur dënon menjiherë mkatet e tyne. "Plus timendum est, quem tolerat quam cum festinanter punit." E pse ? Sepse, thote sh'Gregori, ata që Zoti i ka mëshirue mâ shumë, n'kjoft se nuk ndalen s'ofenduemit Krijuesin, ata kanë me u dënue mâ rreptsisht. "Quos diutius expectat durius damnat." Për mâ tepër, shejti shton se Zoti i dënon shpesh kto lloj mkatnorësh me nji dekë t'papritun dhe nuk i lejon ata me bâ pendesë. "Saepe qui diu tolerati sunt subita morte rapiuntur, ut nec flere ante mortem liceat." Dhe te disa mkatnorë, sa ma e madhe që të jetë drita e falun prej Zotit për korrigjimin e tyne, aq ma e madhe âsht verbnija dhe kryefortsija e tyne me vazhdue me mkatnue. "Për ta, do të kishte kênë mâ mirë mos ta kishin njoftë kurrë rrugen e drejtsisë, sesa me e njoftë dhe mandej me u kthye mbrapsht." (2 Pet. 2:21) Mjerë ata mkatnorë që mbasi e kanë pâ driten, janë kthye te e vjella. Sh'Pali thotë për ta se âsht moralisht e pamujtun me u rikonvertue. "Sepse âsht e pamujtun për ata, që janë ndriçue nji herë prej hirit t'Zotit, që kanë shijue dhuratat qiellore por që janë kthye mbrapa, me u rikthye me bâ pendesë." (Heb. 6:4-6)

« Ndig'jo pra, ô mkatnuer, kshillen e Hyjit : "Biri jem, a ke mkatnue ? Mos mkatno mâ, dhe lutu për mkatet tueja t'kalueme që ato të falen." (Eccl. 21:1) Bir, mos i shto mkate t'jera atyne që tashma i ke bâ por lutu për faljen e shkeljeve tueja t'mâparshme. Përndryshej, n'kjoft se ke me bâ prap nji mkat tjetër t'randë, dyert e Mshirës Hyjnore munden me t'u mbyllë dhe shpirti jot mund t'bjerret përgjithmonë. Prandej, vllâzen të dashtun, kur djalli t'ju tundojë prapë me ju shtye n'mkat pvetni vedin : N'kjoft se Zoti nuk më fal mâ, ça ka me ndodhë me mue g'jatë përjetsisë ? E n'kjoft se djalli t'ju përgjigjet tuej thanë : "Mos keni frigë se Zoti âsht i mshirshëm", thueji kshtû : Çfarë sigurijet e çfarë mundsijet kam un, n'kjoft se kthehem me bâ mkate, se Zoti ka me m'shirue e me m'falë ? Qé si i kërcënon Zoti ata që i përbuzin thirrjet e tija : "Qé pra, Un ju thirra e ju keni rrefuzue... Edhe Un kam me qeshë n'shkatrrimin tuej e kam me u tallë kur t'bijë mbi jue ajo që nuk e pritshit." (Prov. 1:24-26) Vêni ré fjalët "Edhe Un"; që don me thanë se ashtû si jeni tallë me Zotin tuej E tradhtue prapë mbas rrfimit dhe premtimve me u korrigjue, njashtû edhe Zoti ka me u tallë me jue në oren e deks tuej. "Kam me qeshë dhe kam me u tallë." Por "Zoti nuk tallet" (Gal. 6:7), thotë shën Pali. "Si nji qen," thotë Njiri i ditun "që kthehet me hangër t'vjellen e vet, njashtu ban edhe i màrri që përsërit marrínë e vet." (Prov. 26:11) I lumi Denis le Chartreux nep nji interpretim t'shkëlqyeshëm të ktij teksti : Aj thotë se nji qen që han até që sapo e ka vjellë bahet nji objekt i neveritshëm dhe i përbuzshëm ; po kshtu nji mkatnor që kthehet te mkatet e tija t'maparshme, që i kishte urrye dhe rrfye, bahet i urryeshëm para syve t'Zotit. "Sicut id quod per vomitum est rejectum, resumere est valide abominabile ac turpe sic peccata deleta reiterari."

« O marrí e mkatnorve ! N'kjoft se blen nji shpi, ti nuk kursen asnji sakrificë me ble tana sigurimet e nevojshme në mbrojtje të pàrave t'shpenzueme; n'kjoft se pin ilaçe, ti je i kujdesshëm me sigurue vedin kundrejt çdo helmimit ; n'kjoft se kalon nji lum, ti merr tana masat mos me râ mbrendë, kurse për nji knaqsí të përkohshme, për me çue deri n'fund hakmarrjen tande e për nji knaqsí shtazarake që zg'jat nji moment ti rrezikon shelbimin e përjetshëm tuej thanë : "Tash shkoj me u rrfye mbasi t'kem bâ mkatin." E kur, po t'pves, ke me shkue me u rrfye ? Ti m'thue : "Nesër." Por kush ta premton ty t'nesërmen ? Kush të siguron ty se ke me pasë kohë për rrfim e se Zoti nuk ka me t'hjekë jetën, ashtû si ka veprue me sa e sa të tjerë në momentin e tyne t'mkatit ? "Diem tenes," thotë sh'Agustini, "qui horam non tenes." Ti nuk je i sigurtë se ke me jetue edhe nji orë mâ shumë e ti thue : "Kam me shkue me u rrfye nesër." Ndig'joji fjalët e sh'Gregorit Papë : Aj që u ka premtue falje pendestarve, nuk u ka premtue të nesërmen mkatnorve." (Hom. XII. "in Evang.") Zoti u ka premtue faljen të tanë atyne që pendohen, por nuk ka premtue me i pritë deri nesër ata që E fyejnë. Ndoshta Zoti ka me t'dhanë kohë me bâ pendesë, ndoshta jo. E n'kjoft se nuk ka me t'dhanë, çka ka me ndodhë me shpirtin tand ? Ndërkohë, për nji knaqsí t'mjerë, ti hup hirin e Zotit dhe e ven vedin n'rrezik me u hupë përgjithmonë.

« A kishe rrezikue ti, për nji knaqsí tranzitore, paren, nderin, pasunitë, lirinë dhe jeten tande ? Jo, nuk do ti kishe rrezikue. E si atherë, për nji kënaqje t'mjerë, ti hup shpirtin, Qiellin e Zotin ? M'thuej : A beson ti se Parrizi, Ferri e përjetsija janë të vërteta Fèjet ? A beson ti se po t'erdhi deka në mkat, je i hupun përgjithmonë ? Oh, çfarë çmenundijet, çfarë marrijet me dënue vedin vullnetarisht n'nji përjetsí torturash e mundimesh me shpresë se mandej mundet me u ndryshue dënimi i dhanun ? "Nemo," thotë sh'Agustini,"sub spe salutis vult aegrotare." Kërkush s'âsht aq i marrë sa me pi helm me shpresen e parandalimit të pasojave t'ija vdekjepruse tuej përdorë ilaçet e zakonshme. E ti don me dënue vedin n'Ferr, tuej thanë mandej se shpreson se nuk ke me përfundue atjé ? O çfarë marríjet, që n'konformitet me kërcënimet hyjnore, ka hjedhë e hjedhë përditë sa e sa njerëz në Ferr ! "Ti i ke xanë besë ligsisë tande prandej e keqja ka me t'rrxue e ti nuk ke me ditë me u çue." (Isaia XLVII : 10-11) Ti ke mkatnue tuej besue në mnyrë abuzive në Mshiren Hyjnore prandej denimi për fajin tand ka me râ mbi ty n'nji mnyrë t'papritun e ti nuk ke me ditë prej kah t'ka ardhë. Ça ke me thanë ti mandej ? N'kjoft se mbas ktij sermoni ti nuk angazhohesh seriozisht me iu kushtue Zotit, kam me kjâ mbi ty e kam me t'konsiderue t'hupun. »

N'kjoft se gjinden s'pakut 10 të drejtë, nuk kam me e shkatrrue qytetin, për hir t'yne... Por Hyji shkatrroi Sodomen dhe Gomorren, për krimet e tyne t'neveritshme, mbasi nuk u gjeten s'pakut 10 të drejtë më kërkue falje e mshirë para Hyjit.

E kur njiri përbuz dhuraten hyjnuere dhe asht indiferent ndaj hirit t'Zotit, që vjen prej Sakrificës së përgjakshme të KRISHTIT Zot në Kryq, mes vuejtjesh t'papame, çka meriton atherë ky njiri ? Luftna ? Uri ? Epidemí ? Nuk ka ndëshkim t'përshtatshëm që shpagon fyemjen e mosmirnjohjen e pafundme të nji krymi toket, që asht njiri, ndaj Krijuesit t'Gjithsisë, Hyjit t'Pafund e t'Gjithpushtetshëm...

Ky civilizim i sotëm antikristjan që mbështetet mbi mashtrimin, korrupsjonin, kurvninë, drogen, prostitucjonin, luftnat pasunuese n'dobi t'nji elite e mbi tana t'zezat e tjera asht drejt fundit, profeci të ndryshme konfirmojnë se jetojmë n'nji periudhë historike të fundit të nji epoke dhe fillimit të nji epoke të ré t'papame ndonjherë, të triumfit botnuer të Katoliçizmit ; por ky kalim nuk bahet pa sakrifica, natyrisht ; vetë Nana e tenZot në Fatima, në 1917, profetizonte përhapjen n'rang botnuer të komunizmit (komunizmi ateist ka disa forma, dhe jo vetëm ajo që na kena jetue n'Shqipni para 90'), zhdukjen e disa kombeve por në fund Zoja e Bekueme profetizon triumfin e Zemrës së Saj të Papërlyeme dhe nji Paqe Kristjane pa precedent, që bota ka me njoftë, për nji kohë. Disa shejtën tjerë profetizojnë ardhjen e ksaj Paqeje mbas luftnash t'përgjakshme e sidomos mbas 3 ditve errsinet totale, g'jatë t'cillës djajt, si kurrë ma parë, kanë me u lejue me dalë prej Ferrit për me ndëshkue, edhe në mnyrë të dukshme, mkatnorët e njerzit që janë tallë me Hyjin tuej mkatnue pa frigë e pa pendim, e kanë me shkatrrue gjithkund, tuej shkaktue dame t'mëdhaja, viktima t'panumërta ; por ata që i kushtohen me sinqeritet e pendesë Zojes Bekueme dhe kërkojnë mbrojtjen e Saj, nuk kanë me u zhgënjye dhe nuk kanë me pasë dam.

Nji meshtar po më thonte dje se ka me shpërthye luftë. E kishte fjalën për luftë botnore. Në fakt, judeo-masonerija qysh në shekullin e 19 planifikon 3 luftna botnuere për me vendosë komplet Urdhnin e Ri Botnuer judeo-masonik, nji sistem satanik që ka me shërbye e lëvdue djallin, e njerzit kanë me kenë skllevën të gjallë të sistemit. E pak a shumë kjo shifet qysh tash, në saj të teknologjisë survejuese që na rrethon gjithkund. Natyrisht, njerzve, shumica e t'cillve luejnë rolin e "idiotve t'dobishëm", kanë me iu dhanë tana arsyet e mundshme, përveç arsyes së vërtetë se pse shpërthejnë kto luftna. Në 1917, Zoja e Papërlyeme i thonte botës, nëpërmjet tri barijve vizionarë, se n'kjoft se njerzit nuk pushojnë s'fyemit Hyjin, që asht edhe tash tejet i fyem, nji luftë tjetër ma e madhe ka me shpërthye. Ishte vjeti 1917, koha e Luftës I Botnuere. Dhe Nana e tenZot iu prezantue fmijve me emnin "Zoja e t'shejtnueshmes Rruzare", tuej i porositë me ngulm rrecitimim e përditshëm të Rruzares shêjte për mbarimin e luftës.

Po sod, kur korrupsjoni dhe imoraliteti i njerzve ka mbërritë sfera t'paimagjinueshme ? Po sod, kur qeveritë kriminele masonike n'rang botnuer, njohin e lejojnë "me ligj" sodominë, eutanazinë (vrasjen e t'moshuemve), abortin (vrasjen e fmijve), divorcin, adulterin, kurvninë, prostitucjonin, mortajen e laicitetit, si shprehej Papa Piu XI, barazinë mes Kultit të vetëm hyjnuer Katolik dhe kulteve të djajve, kur njerzit jetojnë ma keq se shtazët e egra pa arsye, t'mbytun n'llomin degjenerues t'nji shoqnije t'kalbun, t'nji brezi adulterësh ?...

Dhe ma i randë asht realiteti i dhimshëm i atyne t'Pagzuemve që e quejnë vedin Katolik, por që përherë e ma tepër po harrojnë Hyjin dhe Unjillin e Tij shejt n'jeten e tyne t'përditshme, për me jetue si bota pagane e apostate që i rrethon, për me nalcue kultin e njirit pagan : me lakmitë e tija t'shfrenueme për imoralitet, pasuní e pushtet, që janë edhe tri burimet e tana t'kqijave t'jera. Hyji e ka ba njirin për Vedi, me e nalcue n'nji rang mbinatyruer, n'nji lumnije t'pasosun, por njiri i soçëm "modern", katoliku që ka t'illë veç emnin, tuej harrue e tuej mohue përditë Unjillin Shejt, e ka përbuz kyt dinjitet kaq t'lavdishëm e suprem që Krijuesi dishiron me ia dhanë, për me aspirue ndërtimin e "parrizit" t'ij permanent ktu poshtë mbi tokë, mbi kyt luginë lotsh e vend kalimit. Aj mund t'thrrasë sa t'dojë se asht Katolik, se don Zotin, por Féja pa veprat e Fesë asht e dekun dhe pema njifet prej fryteve t'saja. Nji herë, Hyji iu afrue nji figu dhe e mallkoi pemen, që u thâ me rrajë, sepse nuk kishte dhanë fryte.

Shoqnija e sotme judeo-masonike, që ka objektiv kultin e njirit, me parrullen e saj mashtruese "Lirí-Barazí-Vllazní", për me korruptue e harrue Kultin e Hyjit, i futë n'thes kta t'mjerë që aspirojnë me jetue si bota, dhe i shndrron gradualisht n'robotë e skllevën të Urdhnit të Ri Botnuer judeo-masonik (Novus Ordo Seclorum), që ajo po përpiqet me ndërtue mbi rrënojat e Krishtnimit, dhe u përgadit nji përjetsí mundimesh pafund n'Ferr.

« Gjithkush që i ndig'jon kto fjalë t'Mija dhe i ven në praktikë ka me u krahasue me nji njiri t'urtë që e ka ndërtue shpinë e vet mbi shkamb ; e kur shiu ka râ, kur lumejtë janë vërsulë e kur ernat kanë frýe e janë përplasë mbi kyt shpí, ajo nuk asht rrzue sepse ishte e ndërtueme mbi shkamb. Por gjithkush që i ndig'jon kto fjalë që po tham e nuk i ven n'praktikë asht i ngjashëm me nji njiri të çmendun që e ka ndërtue shpinë e vet mbi ranë ; e kur shiu ka râ, kur lumejtë janë vërsulë e kur ernat kanë frýe e janë përplasë mbi kyt shpí, ajo asht përmbysë dhe i madh ka kênë shkatrrimi i saj. » (sh'Mateu VII, 24-27).

Ky njiri i urtë që ka ndërtue shpinë e vet mbi shkamb asht KRISHTI Zot, komenton sh'Gjon Krizostomi, sepse ka ndërtue shpinë e Tij, Kishen Katolike, mbi shkamb, don me thanë mbi forcen e Fesë Katolike. I çmenduni asht djalli që ka ndërtue shpinë e tij, don me thanë bashkimin e t'pafeve, mbi ranë, don me thanë mbi paqëndrueshmëninë e mosbesimit apo mbi njerzit epshuer, t'quejtun ranë, për arsye të sterilitetit dhe ndamjes s'tyne në nji morí opinionesh t'ndryshme e tuej kênë t'shumtë si râna e detit. E kur ka ardhë momenti i provës, shpija mbi shkamb ka qëndrue e patundun, prandej çdo vepër e ndërtueme mbi shkambin e Fesë shêjte Katolike dhe Dashtnisë hyjnuere i reziston çdo provet, asht e mirë, shêjte, dhe ka bekimin e Hyjit ; veprat që ndërtohen mbi ranen e mosbesimit nuk janë as të mira e as shêjte, ato i pret shkatrrimi total dhe mallkimi i Hyjit të Gjithpushtetshëm. Profetët e rrêmë kryejnë kto lloj veprash që, tuej mos lindë prej Fesë Katolike e Dashtnisë hyjnuere, janë t'mallkueme para Zotit.

Feja Katolike asht rrâja e tana virtyteve, mson doktori serafik, sh'Bonaventura ; n’kjoft se e zhgulim prej shpirtit tonë, të tana virtytet e tjera thahen.

Feja Katolike asht themeli i tana t’mirave dhe fillimi i shëlbimit t'njirit, thotë i madhi sh'Agustini ; pa Fenë Katolike kërkush nuk ka me u rradhitë mes bijve t'Zotit dhe pa Fenë Katolike tanë puna e njirit asht kot.

« Nji Zot, Nji Fé, Nji Pagzim. » (Efezjànve IV, 5).

Doktori engjëlluer, sh'Tomë Akuini, n'komentet e tija mbi tana letrat e sh'Palit, s'bashkut me Doktrinen unanime të Kishës shêjte Katolike, përfshi ktu tana Konçilet ekumenike e shkrimet e Etënve e Doktorve të Kishës Katolike, mson se ka vetëm nji Zot të vërtetë : e Shejtnueshmja TRINI, ka vetëm nji Fé të vërtetë hyjnore : Féja Katolike, dhe ka vetëm nji Pagzim : Pagzimi n'Kishen Katolike, jashtë t'cillës nuk mundet me u arritë shëlbimi prej kërkujt. (Vol. 4, ff. 152-156).

Sa janë ata që e praktikojnë me vepra msimin hyjnuer t'Apostullit t'kombeve, i cilli na mson prej Zotit se ka veç nji Kishë t'vërtetë Katolike ku mundet me u pshtue shpirti, dhe se fetë e tjera jokatolike janë kulte djajsh ?

Hyji i Gjithpushtetshëm me ndërmjetsí t'Nanës t'Kshillit t'Mirë, pastë mshirë për né, na ruejtë prej gjith s'keqes dhe na shejtnoft, për ditë e ma shumë, n'Fé, n'Shpresë e n'Dashtní hyjnuere !

Po e mbylli kyt meditim fundvitit tuej i urue atyne që m'kanë lexue deri ktu e tanvet nji vit t'ri të shejtë e të mbarë, nji vit sa ma afër KRISHTIT Zot e Zojës Bekueme, sidomos nëpërmjet rrecitimit të shejtnueshmes Rruzare me 15 Misteret shejte, sepse kjo mnyrë lutjet qiellore jo vetëm që ka fuqi hyjnuere me parandalue por edhe me ndalue gjithfarëlloj të kqijash, si luftna, epidemí, urí, etj., tuej shpresue nji ditë me marrë pjesë n'triumfin e Zemrës së Papërlyeme të Zojës së Fatimas :

Simbas nji revelacjonit t'Nânes tenZot, Virgjinës MARI, t'kallxueme prej t'lumit Alain de la Roche, prift dominikan, mbas Meshes Shêjte nuk ka lutje mâ t'rândsishme e mâ efikase me i dhânë Lavdinë e duhun Zotit e me sigurue shêjtnimin tonë sesa lutja e Rruzares Shêjte. Papet e shêjtnit e Kishes Katolike në predikimet e tyne i kanë dhanë lavdi e nderime t'mëdhaja ksaj forme lutjet, e cilla âsht e vetmja që quhet "shumë shêjte", "Sacratissimo Rosario". Kshtu, vetëm Papa Leoni XIII ka shkrue plot 12 inciklika mbi rândsine e madhe t'Rruzares Shêjte dhe ka propagandue si kurrë mâ parë rrecitimin e ksaj urate hyjnore t'ardhun prej Qiellit. N'Historinë e zbulimit të Shêjtes Rruzare thuhet se vetë Zoja e Bekueme ia ka msue kyt forme lutjet shêjtit Domenik, themeluesit të Urdhnit të Predikuesve.

« [...] Nuk mundem mos me folë mbi shêjat dhe mrekullitë që kam bâ n'vende t'ndryshme me anen e Rruzares Shêjte : epidemitë e murtajës që kam ndalue, luftnat e tmerrshme që kam pajtue, lumejt e gjakut që kam pengue me u derdhë, e përgjithsisht tâna të kqijat që kam largue. Êngjujt gëzoheshin, e Shêjtnueshmja TRINI kënaqej, Biri jem gjênte gazmendin dhe un gjêjsha nji lumní t'paimagjinueshme prej rrecitimit t'rruzareve t'ueja. Në gjithshka që bahet n'Kishen Katolike, mbas Meshes Shêjte, për mue nuk ka gjâ mâ t'kândshme sesa Rruzarja Shêjte. » (Fjalët e Zojes s'Bekueme drejtuem t'lumit Alain de la Roche)

Shêjtja Rruzare quhet ndryshej edhe "Psalteri i Jezusit dhe i Virgjinës Mari" sepse ajo përmban 150 Ave Maria (Ju falemi Mari), po aq sa âsht edhe numri i psalmeve te "Psalteri i Davidit". Për mâ tepër, rrecitimi i Rruzares prodhon jo vetëm t'njâjtin fryt si rrecitimi i psalmeve të Davidit por ka mâ shumë merita dhe fryte t'panumërta sepse :

- Fryti i "Psalterit êngjellor" (Rruzares Shêjte), që âsht vetë JEZU-KRISHTI âsht mâ fisnik se fryti i "Psalterit të Davidit" i cili vetëm profetizonte Birin e Zotit.

- Ashtu si e vërteta ia kalon figurës së sajë dhe ashtu si trupi ia kalon hijes së tij, ashtu edhe Psalteri i Virgjinës MARI ia kalon Psalterit të Davidit (Oficit hyjnuer kishtar), i cilli asht vetëm hija dhe figura e Rruzares shejte.

- Vetë e Shêjtnueshmja TRINI e ka bâ Psalterin i Virgjinës Marí ose Rruzaren Shêjte, që përbahet prej lutjeve "Ati Ynë" dhe "Ju falemi Marí".

[...] « Asnji personë nuk ka me mujtë me kuptue kurrë thesaret e admirueshme shêjtnuese që përfshihen në lutjet dhe në misteret e Shêjtes Rruzare. Ky meditim i mistereve të jetës dhe vdekjes së Zotit tonë JEZU-KRISHTIT âsht, për ata që i meditojnë, burimi i fryteve mâ t'mrekullueshme. Sod njerzit kërkojnë gjâna që bien n'sý, që emocionojnë e që lânë mbresa të thella në shpirt. Po â gjindet n'botë gjâ mâ emocionuese sesa kjo Histori e mrekullueshme e Shëlbuesit tonë që na kalon para syve në 15 tabló tuej na kujtue ngjarjet e mëdha të jetës, të vdekjes dhe të lavdísë së Shpëtimtarit të botës ? Cillat lutje janë mâ t'shkëlqyeshme e mâ sublime sesa lutjet "Ati ynë" dhe "Ju falemi Mari" ? Në kto dy lutje përfshihen të tâna dishirat dhe nevojat tona... » (Pjesë prej librit "Sekreti i Rruzares" i shêjtit të madh marial, saint Louis-Marie Grignion de Montfort).

ZOTI JU BEKOFTE E JU RUEJTE.
ZOTI JU DIFTOFTE FTYREN E TIJ E PASTE MSHIRE PER JU.
ZOTI KTHEFTE FTYREN E VET DREJT JUSH E JU DHAFTE PAQEN E TIJ.
... ZOTI JU BEKOFTE.

(Ky bekim, i gjetun n'nji libër të vjetër françeskan, âsht bekimi që Hyji i dha Profetit Moisí në shkretinë e, ma vonë, shêjtit të madh, sh'Françeskut t'Asizit.)