domenica, aprile 06, 2014

E Shêjtnueshmja Rruxàre 
dhe përparimi jonë shpirtnuer


Rruxarja e shêjtes Bernadetë të Lurdit



     Nuk ka dyshim se Vullnesa e Zotit, për të tanë né, âsht shêjtnimi. Na jena, pra, n'kyt botë me u bâ shêjtën e perfekt; të tanë njerzit janë t'thirrun drejt perfekcjonit sepse Zoti don që tanë njerzit të shelbohen dhe tanë të hyjnë në Parriz, për me marrë pjesë në jeten intime dhe hyjnuere të t'Shêjtnueshmes TRINI. Prandaj, pa dyshim, duhet me kênë shêjt, sejcilli simbas rangut të vet, sepse asgjâ e përlyeme dhe imperfekte nuk mundet me hî në Mbretnínë e Qiellit. 

« Ju keni me kênë, pra, të shêjtë sepse Un jam i shêjt. » (Levitve 11:45)

« Jíni, pra, perfekt ashtû si ATI juej qielluer që âsht perfekt. » (sh'Mateu 5:48)

Ky shêjtnim i shpirtnavet t'predestinuem, i mbrritun ose në momentin e deks ose mbas Purgatorit, nënkupton natyrisht nji bashkim me Zotin, nëpërmjet dashtnisë, në rangun e paracaktuem prej Providencës hyjnuere para tanë shekujve, sepse lumníja ka me u dhanë në varsí të shkallës së dashtnisë për Zotin që kena me pasë në shpirtin tonë. (Saint Jean de la Croix, Maximes et avis spirituels, page 50)

Mekènse Zoti âsht Shpirt, ky bashkim dashtnijet realizohet nëpërmjet bashkimit të fuqive mâ të nalta të shpirtit : memorjes, inteligjencës dhe vullnedit, për me bâ vetëm nji Shpirt me Zotin. 

« Ai që bashkohet me Zotin bahet nji Shpirt me Té. » (Prej Letrës së parë të sh'Palit Apostull shkrue Korintasve 6:17)

« Perfekcjoni mâ i naltë i njirit në kyt jetë âsht me u bashkue me Zotin në at mnyrë që shpirti i tij, bashkë me tana fakultètet dhe fuqitë e tija, të mblidhet në Hyjin, Zotin e tij, që tuej bâ me Té vetëm nji Shpirt, asgjâ tjetër mos të xajnë memorjen e tij, përveç Zotit, dhe që tana ndjenjat e tija, të bashkueme në gzimin e dashtnisë, të zotnojnë, në t'gzuemit e vetëm të Hyjit, pushimin e tyne të âmbël dhe perfekt. » (Sh'Alberti i Madh, De adhoerendo Deo, c.3)

« Hyji, thotë sh'Bonaventura, nuk mundet me u zotnue plotsisht prej shpirtit n'kjoft se nuk dashurohet; por Aj nuk dashurohet n'kjoft se nuk njifet dhe nuk njifet n'kjoft se shpirti nuk e kujton. » (Dom Monléon, Traité sur l'oraison, page 62)

Pra âsht e kjart se për me e bashkue me Zotin duhet me gjetë nji uratë perfekte që përdor në mnyrë t'vazhdueshme tri fuqitë superjore të shpirtit. Por vetëm kjo uratë perfekte nuk mjafton me mbrritë bashkimin hynuer. Ajo duhet me u paraprí dhe me u pasue, patjetër, prej pastrimit shpirtnuer. 

Shelbuesi ia diftoi grues samaritane se cillët janë adhuruesit e vërtetë të ATIT : 

« Por po vjen koha, dhe ajo ka ardhë, kur adhuruesit e vërtetë kanë me adhurue ATIN në shpirt dhe në t'vërteten, sepse janë kto adhuruesa që kërkon ATI. Hyji âsht SHPIRT dhe lypet që ata që E adhurojnë, t'A adhurojnë në shpirt dhe në të vërteten. » (Sh'Gjoni 4:23-24) Në shpirt, nëpërmjet uratës, dhe në t'vërteten, nëpërmjet pastrimit të mkateve, sepse e vërteta e Zotit âsht e kundërta e rrênës së mkatit. E ky pastrim i mkateve, s'pakut i mkateve të rânda dhe, sa ma shumë që t'jetë e mujtun, i mkateve të lehta, të qëllishme ose jo, dhe i imperfekcjoneve, nuk mundet me u krye pa fitoren kundër vetvedit, djallit dhe botës. 

« Kisha Militante âsht bashkimi i tanë besimtarve që jetojnë ende mbi tokë; ajo thirret militante sepse pjestarët e saj duhen me luftue pa pushim kundër ktyne anmiqve të tmerrshëm që janë bota, epshet dhe djalli. » (Katekizmi i Konçilit të Trentës, Pjesa I, Artikulli IX, faqja 141)

Qé pra edhe objektivi jonë, maja e malit ku duhet me mbrritë : Na duhet pra me u bâ shêjtën; për me u bâ shêjtën duhet me u bashkue me Zotin nëpërmjet dashtnisë hyjnuere; për me u bashkue me Zotin nëpërmjet dashtnisë hyjnuere duhet me pastrue shpirtin prej mkateve dhe duhet me praktikue nji uratë perfekte që përdor në mnyrë të vazhdueshme tri fuqitë superiore të shpirtit, sa mâ shpesh që t'jetë e mujtun gjatë pelegrinazhit të ksaj jete toksuere. 

E si me mbrritë në maje t'malit, nà që nji herë ishim pak baltë, nà që tash jena pak pleh e nà që dikur kena me kênë ushqimi i krymbave ? (sh'Bernardi) Misjon i pamujtun për natyren njerzuere por plotsisht i mujtun për hirin e gjithpushtetshëm dhe të domosdoshëm të Zotit për me kapë majen e malit shpirtnuer ku na thrret Hyji; Padyshim, të tanë nuk kanë me iu njít t'njêjtit mal, mbasi sejcilli ka me iu njít malit të vet, me nji nalcí t'caktueme shêjtnijet, ku hiri i Zotit nuk i mungon kurrë atyne që dishirojnë me mbrritë në màje. Sh'Tom Akuinati, Doktori engjëlluer dhe mbreti i teologve, i pvetun mbi mnyren se si me u bâ shêjt, âsht përgjegjë me dy fjalë : Dishironi me u bâ shêjt!

Gjithshka pra përmblidhet në gjetjen e nji rruge të lehtë, të shkurtë, perfekte dhe të sigurtë që na çon në màje, tuej ruejtë thesarin e hirit të Zotit prej hajdutve, që janë djajtë, dhe tuej përdorë kyt hîr për me u ngjít dhe për me prodhue fryte të bollshme shêjtnijet, ashtû si bàne shërbtuert e mirë me monedhat e dhànuna prej zotnisë së Unjíllit. 

Sod jetojmë nji kohë kur djalli i mallkuem, i zgjidhun prej Ferrit, âsht tuej luftue me fikë gjithkund, pak kah pak, flaken e Fesë shêjte Katolike, e cilla âsht e domosdoshme me u ruejtë dhe me u kultivue integralisht, sepse pa kyt Fé hyjnuere na nuk mundena me i pëlqye Zotit dhe nuk mundena me hí n'Parriz. 

« Pa Fené Katolike âsht e pamujtun me i pëlqye Zotit. » (Prej letrës së sh'Palit drejtue Hebrejve 11:6)

N'kto kohë t'fundit të botës, i mallkuemi, s'bashkut me lakejtë e tij, me princa shpirtnuer e laikë, âsht angazhue në nji beteje deçizive kundër Nânës tonë të dashtun, Virgjinës s'Papërlyeme MARI, kundër Kishës shêjte Katolike e Romane, për me i dhanë fund Katoliçizmit, nji herë e përgjithmonë (Motra Luçije e Fàtimas). Katolikëe e dijnë mirë se dyert e Ferrit nuk kanë me triumfue kurrë kundër Kishës Katolike, ashtû si ka premtue vetë Shelbuesi, por tuej pâ rreth e rrotull apostazinë e përgjithshme të kombeve, nuk âsht e vështirë me kuptue masakren e shpirtnavet të kryeme jo vetëm prej djajve, sepse vrasja âsht zanati i tyne, por sidomos prej autoriteteve konçiljare që, nën teshat e barijve, disa mshehin kthetrat e ujqve grabitqarë e disa të tjerë mbulojnë vërbimin shpirtnuer dhe injoracen e tyne fetare. 

« Qé pra vllâzen, shka po ju tham : Koha âsht e shkurtë dhe ajo që lypet me u bâ tashti âsht që ata që kanë grâ t'bajnë sikur mos t'kênë, ata që kjàjnë, sikur mos t'kjajnë; ata që gzohen, sikur mos t'gzohen; ata që blejnë, sikur mos t'zotnójnë asgjâ dhe ata që përdorin kyt botë, të bajnë sikur mos t'a përdorin aspak, sepse figura e ksaj bote kalon. » (Prej Letrës së parë të sh'Palit Apostull drejtue Korintasve (Prej Letrës së parë të sh'Palit Apostull shkrue Korintasve 7:29-31). 

Në kto kohë apokaliptike, Kisha shêjte Romane ka nevojë për ndihmen e bijve të saj mâ të mirë, trima dhe të guximshëm, që janë gadi me sakrifikue gjithshka për lavdinë e Zotit, të Virgjinës MARI dhe shelbimin e shpirtnavet. Nji shêjtní mediokre nuk mjafton dhe rrethana të jashtzakonshme lypin mjete të jashtzakonshme. Hyji i Gjithpushtetshëm, në Mshiren e Tij të pafundme, ka me na dhanë, në momentin e duhun, shêjtnit e kohve të fundit, të profetizuem prej sh'Luigjit-MARIA të Montfortit. 

Për rrjedhojë, për me luftue luften e mirë, si mson sh'Pali, për me i pshtue skllavnisë së Urdhnit të Ri Botnuer Judaik, për me u bâ shêjt, për me riparue për mkatet e botës, për me ngushllue Zemrat pafundsisht shêjte të JEZUSIT dhe MARISE dhe për me përshpejtue ardhjen e Mbretnisë së Zemrës pafundsisht shêjte të JEZUSIT, me nërmjetsinë e Zemrës se Papërlyeme të Virgjinës MARI, mendoj se nuk egziston, për kto kohna, nji armë mâ efikase me u përdor sesa Skllavnija shêjte e Virgjinës MARI, ashtû si e mson sh'Luigji-MARIA i Montfortit, ku urata perfekte e Shêjtnueshmja Rruxare âsht shpirti i ktij devocjonit dhe mnyre shejtë t'jetuemit. 

Apostulli i madh Marjal, Predikuesi i flaktë i Zemrës pafundsisht shêjte të JEZUSIT, Misjonari i palodhun i Shêjtes Krygje dhei t'Shejtnueshmes Rruxare, sh'Luigji-MARIA i Montfortit, në nji kohë të vështirë të apostullimit të tij në Francë, në nji kohë kur nuk e kishte të kjartë misjonin që Hyji i kërkonte me përmbushë në kyt botë, në nji periudhë kur po persekutohej prej tana anve, biles edhe prej vetë vllâzënve dhe superjorve të tij në meshtarí, nji ditë u nis në kambë, prej veriut të Francës drejt Vatikanit, për me i kërkue kshillë vetë Papës shqyptar, Klementit XI. Papa e priti me dashamirsí të madhe dhe në vend që me e dërgue misjonar në kolonitë franceze të Amerikës së Veriut për me konvertue popujt e atjeshëm, ashtû si dishironte shêjti, e emnoi Misjonar Apostolik dhe e dërgoi prapë në Francë për me mbrojtë atje çâshtjen e Zotit dhe të shpirtnavet. Kryqi që Papa Klementi XI ia dha si dhuratë nuk iu dâ, deri n'frymen e fundit, njênit prej shêjtënve mâ të mëdhaj Marjal të Kishës Katolike. 

Sa mâ të shumta janë krygjet, aq mâ të shumta janë edhe hiret që Zoti i shoqnon ato dhe kur ata mbahen shêjtnisht, frytet shêjte janë të jashtzakonshme : Simbas kronikanve të shêjtit të Montfortit, thuhet se jane me miljona numri i të konvertuemve gjatë periudhës së shkurtë afro 16 vjeçare të apostullimit të tij; historjanët e quejnë sh'Luigjin-MARIA të Montfortit nji sh'Bernard të dytë, për devocjonin e tij të zjarrtë për Vigjinën MARI, nji sh'Domenik të dytë, për predikimin dhe përhapjen e t'Shêjtnueshmes Rruxare, nji sh'Françesk të dytë, për dashtninë ndaj t'vorfënve dhe dorzimin e tij në duert e Providencës hyjnuere, nji sh'Pal të dytë, për dashninë e tij për Krygjin, për zellin në shelbimin e shpirtnavet dhe dishiren e tij zjarrtë për me i shtye njerzit me njoftë, dashtë e levdue Zotin tonë JEZU-KRISHTIN. E pra, kam bindjen se prej Qiellit, ky shêjt i madh i Virgjinës së Papërlyeme ka me u lutë në veçanti për shqyptarët që kanë me përqafue me zell devocjonin e Skllavnisë shêjte, në mirnjohje të emnimit Misjonar Apostolik që Papa shqyptar, Klementit XI, i bani sh'Luigjit, titull që e drejtoi até fuqishëm në rrugen e tij drejt shêjtnisë. 

Ku mundena me gjetë nà nji udhrrfyes mâ t'mirë sesa Shêjtja Nânë e tenZot në rrugen e vshtirë dhe me rreziqe të përparimit tonë shpirtnuer ? 

Për me gjetë hirin e Zotit dhe kyt rrugë shêjtë e perfekte që na çon në màjen e malit shpirtnuer duhet me gjetë Virgjinën MARI, sepse për me u njít dhe me u bashkue me Shelbuesin tonë duhet përdorë e njêjta mnyrë që vetë KRISHTI ZOT përdori me u ul deri te nà. Kjo mnyrë jetet ose kjo rrugë e lehtë, e shkurtë, perfekte dhe e sigurtë âsht Skllavnija shêjte, ashtû si e mson shêjti i Montfortit.

« Bekue kjoft njiri që me ndigjon, që ruen përditë te porta jeme dhe që rrin te porta e shpisë teme. Ai që ka me m'gjetë, ka me gjetë jeten dhe ka me fitue shelbimin në Hyjin. » (Proverba 8:35)

Thelbi i Devocjonit të vërtetë ndaj Virgjinës MARI, ose Skllavnija shêjte, konsiston me e dorzue krejtsisht vedin në duert e Virgjinës MARI dhe n'duert e Shelbuesit, nëpërmjet Nânes së Zotit, si skllav dashtnijet, dhe me bâ çdo gjâ me Virgjinën MARI, në Virgjinën MARI, për Virgjinën MARI, nëpërmjet Virgjinës MARI në mnyrë që me bâ gjithshka me JEZUSIN, në JEZUSIN, për JEZUSIN dhe nëpërmjet JEZUSIT. 

Po, skllevën e jo shërbtuer. Nji shërbtuer âsht nji i punsuem që punon për nji rrogë e mundet me e lanë pronarin e vet. E ju, katolikë të vertetë, a doni me kênë vetëm sherbtuer për Shelbuesin tonë e Nânen e Tij të dashtun e t'onen ? Sigurisht që jo, sepse nuk âsht përfitimi e as nevoja që na angazhojnë në sherbimin e Mbretit dhe Mbretneshës së universit por madhshtija dhe mirsija e tyne e pafund. 

Fjala skllav mos t'ju trembin sepse bahet fjalë për nji skllavní dashtnijet hyjnuere e jo për skllavninë e respektit njerzuer, skllavninë e ambicjes, të pasunisë, të pushtetit, të imoralitetit, të modës e të se e sa mkateve e pasjoneve të tjera të turpshme me t'cillat bota e sotme âsht e prangosun. 

Zoti jonë JEZU-KRISHTI a nuk mori "formen e nji skllavi" ? 

Nâna e Zotit, Mbretnesha e Qiellës dhe e Dheut, a nuk iu përgjigj Arkêngjëllit Gabrijel "Qé Skllavja e Zotit" ? 

Sh'Pali, Apostulli i kombeve, a nuk shkruente "Pali, skllavi i KRISHTIT" ?

Papa, simbas shembullit të sh'Pjetrit, a nuk e deklaron vedin "Sherbtueri (fjalë për fjalë nënkupton skllavi) i shërbtuerve të Zotit" ?

Sh'Ildefonsi a nuk shkruen se "për me kênë skllavi i devoçëm i Birit të Zotit, aspiroj me u bâ skllavi besnik i Nânës së Zotit" ?

Shêjtja e madhe mistike, sh' Tereza e Avilës shkruen : "A e dini ju mirë se cilla âsht jeta e vërtetë shpirtnuere ? Jeta e vërtetë shpirtnore âsht me u bâ skllavi i Zotit dhe me mbajtë shêjen e ksaj skllavnijet, që âsht Krygji...". 

Doktori i Kishës, shêjti Bernard shkruen : "Asht nder i madh me kênë skllav i Birit të Zotit dhe i Nânës së Zotit."

Dhe s'fundi, sh'Luigji-MARIA i Montfortit firmoste : "Skllav i padêj i JEZUSIT dhe i MARISE". ("Préparation à la consécration du Saint Esclavage...", 1943)

« Ai që me ndigjon nuk ka me u zhgenjye dhe ata që veprojnë nëpërmjet mejet nuk kanë me mkatnue. » (Eccl. 24:30)

« Sa mâ shumë që SHPIRTI-SHEJT gjen Virgjinën MARI, Nusen e Tij të shtrêjtë dhe të pandashme, në nji shpirt, aq mâ shumë Ai bahet aktiv dhe i fuqishëm me formue JEZU-KRISHTIN në kyt shpirt dhe me e transformue kyt shpirt në JEZU-KRISHTIN. » (Saint Louis-MARIE de Montfort, Traité..., page 13)

« Un jam vreshta e ju jeni vílet. Ai që jeton në Mue dhe Un në té prodhon shumë fryte, sepse pa Mue, ju nuk mundeni me bâ asgjâ. » (Sh'Gjoni 15:5)

Simbas nji revelacjonit t'Nânes tenZot, Virgjinës Mari, t'kallxueme prej t'lumit sh'Alain de la Roche, meshtar dominikan, mbas Meshes Shêjte nuk ka lutje mâ t'rândsishme e mâ efikase me i dhânë Lavdinë e duhun Zotit e me sigurue shêjtnimin tonë sesa lutja e Rruxares Shêjte. Papet e shêjtnit e Kishes Katolike, në predikimet e tyne, i kanë dhanë làvde e nderime t'mëdhaja ksaj forme lutjet, e cila âsht e vetmja që quhet "shumë shêjte", "Sacratissimo Rosario". Kshtú, vetëm Papa Leoni XIII ka shkrue 12 Inciklika mbi rândsinë e madhe t'Rruxares Shêjte dhe ka propagandue si kurrë mâ parë rrecitimin e ksaj urate hyjnuere t'ardhun prej Qiellit. N'Historine e zbulimit te Shêjtes Rruxare thuhet se vetë Zoja e Bekueme ia ka msue kyt formë lutjet shêjtit Domenik, themeluesit të Urdhnit të Predikuesve. 

« [...] Nuk mundem mos me folë mbi shêjat dhe mrekullitë që kam bâ n'vênde t'ndryshme me anen e Rruxares Shêjte : epidemite e murtajës që kam ndalue, luftnat e tmerrshme që kam pajtue, lumejt e gjakut që kam pengue me u derdhë, e përgjithsisht të tâna të kqijat që kam largue. Êngjujt gëzoheshin, e Shêjtnueshmja TRINI kënaqej, Biri jem gjête gazmendin dhe un gjêjsha nji lumní t'paimagjinueshme prej rrecitimit t'rruxareve tueja. Në gjithshka që bahet n'Kishen Katolike, mbas Meshes Shêjte, për mue nuk ka gjâ mâ t'kândshme sesa Rruxarja Shêjte. » (Fjalët e Zojes s'Bekueme drejtuem t'lumit Alain de la Roche)

Shêjtja Rruxare quhet ndryshej edhe "Psalteri i JEZUSIT dhe i Virgjinës MARI" sepse ajo përmban 150 Ave MARIA (Ju falemi MARI), po aq sa âsht edhe numri i psalmeve te "Psalteri i Davidit". Për mâ tepër, rrecitimi i Rruxares prodhon jo vetëm t'njâjtin fryt si rrecitimi i psalmeve të Davidit por ka mâ shumë merita dhe fryte t'panumërta sepse : 

Fryti i "Psalterit êngjelleur" (Rruxares Shêjte), që âsht vetë JEZU-KRISHTI, âsht mâ fisnik se fryti i "Psalterit te Davidit", i cilli vetëm profetizon Birin e Zotit. 

Ashtû si e vërteta ia kalon figurës të kësaj të vërtete dhe ashtû si trupi ia kalon hijes, ashtú edhe Psalteri i Virgjinës MARI ia kalon Psalterit të Davidit (Oficit hyjnor që rrecitojnë përditë meshtarët), i cili ka kênë vetëm hija dhe figura. 

Vetë e Shêjtnueshmja Trini e ka bâ Psalterin i Virgjinës MARI ose Rruxaren Shêjte, që përbahet prej lutjeve "Ati Ynë" dhe "Ju falemi MARI". 

[...] « Asnji person nuk ka me mujtë me kuptue kurrë thesaret e admirueshme shêjtnuese që përfshihen në lutjet dhe misteret e Shêjtes Rruxare. Ky meditim i mistereve të jetës dhe vdekjes të Zotit tonë JEZU-KRISHTIT âsht, për ata që i meditojnë, burimi i fryteve mâ t'mrekullueshme. Sod njerzit kërkojnë gjâna që bien ne sý, që emocjonojnë e që lânë mbresa të thella në shpirt. Por â gjindet n'botë gjâ mâ emocjonuese sesa kjo histori e mrekullueshme e Shëlbuesit tonë, që na kalon para syve në 15 tablló, tuej na kujtue ngjarjet e mëdha të jetës, të vdekjes dhe të lavdísë të Shpëtimtarit t'botës ? Cillat lutje janë mâ t'shkëlqyeshme e mâ sublime sesa lutjet e "Ati ynë" dhe "Ju falemi MARI" ? Në kto dy lutje përfshihen të tâna dishirat dhe nevoja tona... » (Citim i marrun prej librit "Sekreti i Rruxares" i saint Louis-MARIE de Montfort)

Çdo katolik i mirë e din se devocjoni ndaj Virgjinës MARI âsht i domosdoshëm për shelbim dhe asnji shêjt nuk âsht bâ shêjt pa ndihmen e Zojes s'Bekueme. Kjo afirmohet prej pothuajse tanë shêjtnëve. E vetë Nâna e Zotit, në disa aparicjone të aprovueme prej Kishës Katolike, na ka kërkue me insistim me rrecitue përditë Rruxaren shêjte, uratë hyjnore e cilla i nep mâ shumë lavdi Hyjit dhe kontribon mâ shumë për shêjtnimin tonë sesa çdo uratë tjetër, tuej përjashtue Sakrificen e Meshës shêjte. 

E Shejtnueshmja Rruxare âsht mjeti mâ i mirë që përdor, në nji mnyrë të vazhdueshme, tri fuqitë superiore të shpirtit : nëpërmjet memorjes, na kujtojmë Misteret e jetës së JEZUSIT dhe Virgjinës MARI; nëpërmjet inteligjencës, na meditojmë dhe njofim kto Mistere shêjte dhe nëpërmjet vullnedit, na duejmë përsosmënisht Zotin tonë JEZU-KRISHTIN dhe Nânen tonë qiellore, Virgjinën MARI. Për rrjedhojë, e Shêjtnueshmja Rruxare na nep nji njohje perfekte të Zotit tonë JEZU-KRISHTIT dhe na ndez flakë me dashtní hyjnuere, në shkallën mâ të nâltë. (Pradel, "Manuali i t'Shêjtnueshmes Rruxare", aprovue prej Gjeneralit të Urdhnit Domenikan, faqe 16).

Megjithkëté, katoliku i devoçëm që lûtë uraten perfekte t'Shêjtnueshmes Rruxare, tuej kênë n'hirin e Zotit dhe tuej rrecitue devoçmënisht lutjet liturgjike, ndërkohë që shpirti i tij âsht i xanun shêjtnisht me meditimin e Mistereve shêjte të jetës së JEZUSIT dhe MARISE, mundet me prodhue pak ose aspak fryte shêjtnijet. E atherë, në vend që me u njitë në malin e perfekcjonit, aj zdryp sepse âsht e pamujtun me ndêj n'nji vend në ecjen "kundër rrymës" të jetës shpirtnuere. 

Kjo ndodh për arsye të papastrimit tonë të plotë shpirtnuer dhe lidhjes tonë të mshehtë me vetvedin dhe vullnedin tonë, gjâ që kundërshton sekretin e shêjtnimit që vetë Shelbuesi na mson me pak fjalë hyjnuere : 

« Kushdo që dishiron me ardhë mbas Mejet duhet me mohue vetvedin, duhet me marrë Kryqin e tij të përditsëm dhe duhet me Më ndjekë. » (Sh'Luka 9:23)

« Për me mbrritë perfekcjonin, që realizohet vetëm me bashkimin tonë me JEZU-KRISHTIN, âsht shumë e rândsishme me e zbrazë vedin prej çdo gjâjet t'keqe, përndryshej Zoti jonë JEZU-KRISHTI, i Cilli âsht pafundsisht i papërlyem dhe që urren pafundsisht njollen mâ t'vogël në shpirt, ka me na refuzue dhe nuk ka me u bashkue me né. » (Sh'Luigji-MARIA i Montfortit, "Devocjoni i vërtetë ndaj Virgjinës MARI", faqe 64)

« N'kjoft se na nuk dèsim përsa i përket vetvedit dhe n'kjoft se devocjonet mâ t'shêjta nuk na çojnë drejt ksaj dèket të nevojshme dhe të frytshme, na nuk kena me prodhue ndonji fryt të vlefshëm dhe devocjonet tona kanë me kênë të padobishme për né; tana veprat tona, që nga ana e jashtme munden me u dukë të mira, kanë me u përlye prej egoizmit, dashnisë për vetvedin dhe vullnedit tonë, e si rezultat Hyji ka me pasë në neverí sakrificat mâ t'mëdhaja dhe veprat mâ t'mira që na mundena me bâ; në momentin e deks, na kena me i pasë duert bosh prej meritave e virtyteve dhe nuk kena me pasë në shpirtin tonë as nji shkëndinjë dashnijet hyjnuere, që u komunikohet vetëm atyne shpirtnavet që janë të dekun përsa i përket vetvedit, dhe jeta e t'cillve âsht e mshehun me JEZU-KRISHTIN në Hyjin. » (Idem, faqe 67)

Prandej na kena nevojë për Virgjinën MARI dhe për Skllavninë shêjte, e cilla âsht mnyra mâ perfekte që siguron kyt vdekje ndaj vetvedit dhe që na njît në shkallen e duhun të pastrimit tonë shpirtnuer, simbas Vullnesës Hyjnuere, për me u boshatis prej vedit, për me u mbushë me Zotin dhe për me u bâ perfekt. 

« E mira mâ e madhe që e dashtuna Virgjina MARI siguron për besimtarët e saj të devoçëm âsht se Nâna e Zotit ndërmjetson për tà para Birit t'saj hyjnuer, E qetson me lutjet e saja, i bashkon kta besimtarë me JEZU-KRISHTIN, në nji mnyrë shumë intime, dhe i ruen ata në kyt bashkim... Oh, sa i mirëpritun âsht prej JEZU-KRISHTIT, Ati i shekullit të ardhshëm, nji fmí i parfumosun me erën e mirë të Virgjinës MARI! Oh, sa shpejt e sa përsosmënisht bashkohet ky fmí me JEZU-KRISHTIN! Për mâ tepër, mbasi Nâna e Zotit i ka mbushë fmijët dhe skllevnit e saj besnik me nderat e saja, mbasi u ka sigurue bekimin e Atit qielluer dhe bashkimin me JEZU-KRISHTIN, Virgjina e Papërlyeme i ruen ata në JEZU-KRISHTIN dhe ruen JEZU-KRISHTIN në tà; Zoja e Bekueme i ruen dhe i shef vazhdimisht kta besimtarë, në mnyrë që ata mos të hupin hirin e Zotit e mos të bijnë prapë në kurthat e anmiqve të tyne. Nâna e tenZot i mban shêjtnit në shêjtninë e tyne të plotë dhe i ban me vazhdue n'kyt shêjtní deri në fund. » (Idem, faqet 183-185)

E Shêjtnueshmja Rruxare, e rrecitueme dhe e meditueme si duhet, âsht pra urata perfekte, e cilla s'bashkut me pastrimin shpirtnuer perfekt të mkateve përbajnë dy krahë të fuqishëm që Mirsija e pafundme e Hyjit na nep jo vetëm me përparue por me fluturue drejt majes së malit tonë shpirtnuer. Sidokjoft, nuk duhet harrue se pa vetmohim apo pa fitoren kundër vedit, që âsht nji prej elementave thelbsorë të pastrimit shpirtnuer të mkateve, për të cillen shkrova mâ nalt, na nuk mundena me avancue realisht në rrugen e shêjtnisë; kjo fitore kundër vedit mundet me u arritë në nji mnyrë perfekte, pa agoní e pa kalue nëpër shkretina e errsina netësh shpirtnuere, me anen e praktikës së Skllavnisë shêjte : 

« Në të vërtetë, mundena me mbrritë bashkimin hyjnuer edhe nëpërmjet rrugve t'jera, por kanë me kênë rrugë me mâ shumë kryqe e vdekje t'mistershme dhe me mâ shumë vshtirsína, që nuk kena me i kalue lehtë; ka me u dashtë me kalue nëpër netë t'êrrta shpirtnuere, nëpër luftime e agoní t'mistershme, mbi male thikë, mbi ferra shumë thèrse dhe nëpërmjet shkretinash të tmerrshme. Por nëpërmjet rrugës së Virgjinës MARI ecim mâ lehtsisht e qetsisht; në të vërtetë, edhe në kyt rrugë ka me na u dashtë me luftue beteja të vshtira e me kapërcye vështirsí të mëdhaja, por Nâna dhe Msuesja jonë e mirë qielluere u rrin aq afër dhe aq prezente shërbtuerve të saj besnik, për me i ndriçue në errsinat dhe dyshimet e tyne, për me i forcue në frigët e tyne, për me i mbështetë në luftnat dhe vshtirsítë e tyne, saqë, me t'vërtetë, kjo rrugë virgjën për me gjetë JEZU-KRISHTIN âsht nji rrugë trandofilash e mjaltit në krahasim me rrugët tjera. Kanë kênë disa shêjtën, por në numër të vogël, si sh'Efremi, si sh'Gjoni i Damaskut, si sh'Bernardi, si sh'Bonaventura, si sh'Françesku i Salës, etj, që kanë kalue nëpër kyt rrugë të butë për me shkue te JEZU-KRISHTI sepse SHPIRTI-SHEJT, Bashkshorti besnik i Virgjinës MARI, ua ka diftue përmes nji hiri të veçantë; shêjtnit e tjerë, që janë në numër mâ të madh, megjithse të tanë kanë pasë devocjon për Virgjinën MARI, kanë hí pak ose aspak në kyt rrugë. Prandej kanë kalue nëpër prova mâ të ashpra dhe të rrezikshme. » (Idem)

I Madhi Zot, me ndërmjetsí të Virgjinës MARI, na ndihmoftë me mbrritë sa mâ parë në majen e malit të shêjtnimit dhe të perfekcjonit tonë. Ashtû kjoft.