domenica, aprile 06, 2014

Replika Katolike 6 kundër konçiljarve



Apostati Bergoglio, me kipen talmudike mbi krye,
 në nji akt apostazijet
kundër Fesë shêjte Katolike




« Krishti asht shoqëru edhe me mëkatarë dhe i ka dërgu apostujt te delet e humbura. Edhe në kohën e Jezu Krishtit ka pas botë profane, por ai erdhi në botë - u mishërua madje. Madje disa edhe e kundërshtonin sesi po shoqërohet me mëkatarë. Kuptohet që ka thënë se ne jemi në botë, por jo të botës. Por kjo nuk do të thotë që të ikim prej saj. Tek e fundit çka do të thotë fjala "profan"? Mendoj se ne nuk mundemi ta caktojmë vetë kufirin se ku fillon bota profane e ku ajo sakrale. Të gjitha krijesat janë të Zotit. Shën Pali thotë: Në Të jetojmë, lëvizim dhe jemi! Ne jemi të dërgum atje ku jetojmë, pikërisht se njerëzit kanë nevojë për shpëtim - aty ku ndodhen - në botën "profane"! Përndryshe s`do të kishin nevojë për shpëtim. » (Sh. Dodes S.J.)

- Vetëm Kisha shêjte Katolike, në mnyrë të pandryshueshme, na mson tash 2000 vjet mnyren e vetme e sublime si me levdue Hyjin në mnyrë të dênjë dhe të shêjte, me anen e Magjisterit të saj të pagabueshëm dhe dogmave të saja të pandryshueshme. Dhe po kjo Kishe shêjte na difton, tash 2000 vjet, prej gojes dhe zânit unanim të Pontifve, Etënve, Doktorve e teologve të saj të aprovuem, se shka âsht profane (jo e shêjtë) që duhet evitue me çdo kusht, tuej kërcenue me mallkim ata që praktikojnë kyt profanitet. 

Kshtu për shembull, Kisha Katolike, për tana kohnat, dënon me mallkim ata që ndryshojnë Ritin e celebrimit të Meshës Shêjte simbas Papës sh’Piu V; ata që ndryshojnë ritin e dhanjes së Pagzimit, Krezmimit, Urdhnit Shêjt e tana Sakramendeve të tjera; ata që msojnë se antikatolikët, si muslimanët, budistat, etj, munden me shelbue shpirtin tuej praktikue fetë e tyne djallzuere, etj, etj. 

Por në kohen e Konçilit të II të Vatikanit (1965) dhe mbas tij, shpirti profan i botës jokatolike, që qysh prej kohës së Rilindjes pagane kishte frye në dyert e Kishës, u shfaq haptazi prej shumë klerikve mbrenda Kishes Katolike; kjé si nji tornado satanike e furishme qe dóte me shkatrrue gjithshka të shêjte; e kshtû kto klerikë, me djallzí, mashtrim, tuej mos kursye as forcen, pushtuen Vatikanin, dioçezat tona dhe filluen me u imponue shpirtin e tyne profan e satanik edhe besimtarve katolikë. Ata besimtarë katolikë që kishin ba detyrën e tyne para Zotit, pra që kishin studjue Fenë shêjte Katolike, ishin mundue me u ruejtë prej mkatit dhe kishin ba shka kishin mujte, me ndihmen e Zotit, me u shejtnue, nuk u mashtruen prej ktij shpirti profan e anti-katolik që po u imponohej, që ndrroi ritin e celebrimit të Meshës Shêjte, administrimit të Sakramêndve, që filloi me msue herezí, sakrilegje e profanitete të tjera të ngjashme, gjithmonë të dënueme prej Kishes Katolike, - shumë prej të cillave I kam shkrue në artikullin "Demaskimi" dhe "Replikat Katolike" - dhe braktisen kto ndërtesa të Kishave Katolike të profanueme. Nji fenomen i ngjashme pat ndodhe edhe në shekullin e katërt kur herezija arjane infektoi nji pjesë të madhe të klerit e ipeshkvíjve. E katolikët e vërtetë,  me ruejte Fenë Katolike, sepse pa Fe Katolike nuk mundena me i pëlqye Zotit, mson sh’Pali, dolën jashtë ndërtesave të profanueme të Kishave Katolike. Sh’Athanasi u thóte klerit e ipeshkvijve t'asaj kohet, të infektuem prej arjanizmit : ju keni ndërtesat, por na kena Fenë Katolike. 

I infektuem me shpirtin profan të botës, ky kler filloi me përbuzë e harrue Urdhnat e Kishës shêjte, valide për tana shekujt, dhe mendoi se dijte mâ mirë se Kisha e KRISHTIT Zot. Por KRISHTI Zot u pat thanë kjart Papës dhe ipeshkvijve të parë të Kishës tonë shêjte : Kush ju ndigjon, Me ndigjon e kush ju përbuz, Më përbuz. E ky kler i infektuem, tuej braktisë Urdhnat e Kishës, për rregullat njerzuere të vetshpàlluna prej tij, braktisi Urdhnat e Zotit e si ndëshkim Zoti i braktisi në profanitetin e mendjemadhsinë e tyne. Sa për kujtesë, rilexoni Repliken Katolike 5. 

« Por mbasi kam thirrë dhe ju keni rrefyzue me M'ndigjue; por mbasi kam shtrí doren dhe kërkush nuk E ka pâ; por mbasi ju keni përbuzë tana kshillat e Mija dhe keni neglizhue tana korrigjimet e Mija, edhe Un atherë kam me qeshë për shkatrrimin tuej dhe kam me u tallë kur t'ju vijnë ajo që ju mâ pak e prisni. Kur mallkimi ka me u lshue mbi jue papritun dhe kur shkatrrimi ka me ju râ si stuhija; kur mjerimi dhe ankthi kanë me ardhë mbi jue, atherë kanë me M'thirrë e nuk kam me ndigjue; kanë me u çue qysh n'àde e nuk kanë me M'gjetë sepse kanë urrye udhëzimin dhe nuk kanë msue frigen (respektin) ndaj Zotit; sepse nuk i janë nënshtrue kshillave të Mija dhe i kanë përbuzë tana ankesat e Mija; Për rrjedhojë, kan me hangër frytet e rrugës s'tyne dhe kanë me u mbushë me kshillat e veta (njerzuere); shthurja e fmijve ka me i vra dhe prosperiteti i t'marrve ka me i hupë; Por ai që M'ndigjon ka me ndejë n'sigurí dhe ka me gzue bollekun pa u frigue prej asnji t'kèqet.» (Proverba, 1:24-33)

« Padyshim, JEZUSI na ka dashtë me nji dashtni të pamasë, të pafundme, dhe ka ardhë me vuejtë e dekë mbi tokë, në mnyrë që tanë njerzit, të mbledhun rreth Tij, në drejtsi e dashtni, të frymzuem prej sentimenteve të njêjta të dashtnisë reciproke, të munden me jetue në paqe e mirsí. Por për realizimin e ksaj lumnie të përkohshme dhe të përjetshme, me nji autoritet suprem, Ai ka vue si kusht bâmjen pjesë në gregjën e Tij, [Kishen e KRISHTIT ZOT], pranimin e doktrinës së Tij, praktiken e virtyteve, bindjen e plotë ndaj doktrinës dhe drejtimit të sh'Pjetrit dhe pasardhsve të tij. Mandej, n'kjoft se JEZUSI ka kênë i mirë për të húpunit dhe mkatnorët, Ai nuk i ka respektue bindjet e tyne të gabueme, sado të sinqerta që mund t'jenë dukë ato; JEZUSI i ka dashtë të tanë njerzit me i msue, konvertue dhe shelbue. » (Aktet e S.S. Piu X, "Letra mbi Sionin", 31 Gusht 1910; "Acta Apostolicae Sedis", Vol II, No. 16)

Në tana kohnat, meshtarve të dërguem me unjillzue boten profane u âsht urdhnue prej Kishës shêjte Romane me msue të pandryshueshme doktrinat shêjte Katolike, dhe jo me i përkrahë doktrinat e botës profane, nën pretekstin e t'kênunit t'pelqyem e t'pranuem prej saj. Kur KRISHTI ZOT u tha dishepujve të Vet se pa hangër Mishin Tem e pa pi Gjakun Tem nuk keni shëlbim, disa prej dishepujve te Tij u larguen, sepse kjo Doktrinë iu duk shumë e randë me e pranue, por KRISHTI Zot nuk ndryshoi Doktrinen e Tij shêjte me u pranue e me u pëlqye prej tyne, por u tha edhe 12 Dishepujve të Tij : “Edhe ju doni me u largue ? Por sh’Pjetri u përgjigj : Zot, te kush tjetër kena me shkue, JU keni fjalet e jetes së pasosun.” (sh'Gjoni 6:67-70)

Pikërisht, tuej ndjek shembullin e arkheretikut Luter, qe thóte blasfemen e tmerrshme se asht kulmi i neverisë me quejtë Meshen Katolike rinovimin e Sakrificës së Kalvarit, meshë e cilla për té ishte vetëm nji darkë përkujtimore, ky kler i infektuem që ka infektue ndërtesat e Kishave Katolike, simbas direktivave të heretikut publik Palit VI, dhe pasuesve të tij, me ndonji përjashtim, zyrtarisht nuk beson mâ se Mesha Katolike âsht rinovimi i Sakrificës së Kalvarit por, simbas tij, kjo Meshë asht thjesht nji darkë perkujtimore e simbolike. Dhe kyt doktrine heretike, Pali VI e ka kodifikue në “mesharin” e tij të 1969, botimet e reja të t'cillit, me ndonji profanim shtesë, vazhdojnë me u përdorë sod prej tanë ktij kleri të infektuem, mbrenda tana ndërtesave dioçezane të infektueme. Ky fakt âsht demaskue publikisht prej Kardinalit Ottawiani, ish-drejtues i Zyres së Shêjtës, dhe ipeshkvit Bacci, liturgjist dhe latinist i njoftun, në analizen e tyne « Egzaminim i shkurtë i “meshes se ré” të Palit VI…», që mundet me u lexue në faqen tême. Ma nâlt përdora emnin kler, por në t'vërtetë, pothuajse totaliteti i tyne nuk janë meshtarë, por vetëm laikë, për arsye të Ritit invalid të “konsakrimit” të ipeshkvijve të vjetit 1968, çashtje kjo që i takon me u trajtue hollisht në nji shkrim tjetër, dashtë Zoti. 

Si përfundim të ksaj replike, bazue ne fjalet hynore te Shelbuesit tone JEZU-KRISHTIT, po ju tham : Po nuk iu bindet Kishes Katolike Romane, në gjithshka që ajo mson tash 2000 vjet, rrezikoni seriozisht shëlbimin dhe jeni tuej ecë në rrugën e gjanë drejt Ferrit, bashkë me ata që ju ndjekin e ju përkrahin. 

« Nuk e di përse po më kujtohen fjalët e Papës Françeskut, kur në një homeli tha: “Nëse një i krishterë bëhet dishepull i ideologjisë, e ka humbur fenë.” Ati i Shenjtë i fton të krishterët të rrinë larg sjelljes së njeriut me çelës në xhep e portë të mbyllur. Ripohonte se kur njeriu nuk lutet, largohet nga feja dhe bie në ideologji e moralizëm. “Mjerë ju, o mësues të ligjit! Ju e morët çelësin e dijes: vetë nuk hytë e i penguat edhe ata, që deshën të hyjnë!”. Si është e mundur që i krishteri të sillet kështu, me çelësin në xhep e portën e mbyllur? “Feja, thënë figurativisht, kalon nëpër lambik e bëhet ideologji. E ideologjia nuk e ka forcën e thirrjes. Në ideologji nuk është Jezusi: ngrohtësia e Tij, dashuria, butësia. Ideologjitë janë të serta, gjithnjë. E kur i krishteri bëhet dishepull i ideologjive, do të thotë se e ka humbur fenë: nuk është më dishepull i Jezusit, është dishepull i kësaj sjelljeje, i këtij mendimi, i këtij.... Prandaj Jezusi u thotë atyre: ‘Ju e morët çelësin e dijes’. Njohja e Jezusit shndërrohet në një njohje tjetër, edhe moralistike, sepse ata e mbyllnin portën me shumë rregulla e urdhërime” Jezusi, vijon Papa, thotë: “Vaj medet për ju, mësues të ligjit, sepse u ngarkoni njerëzve barrë, që mezi mund të mbarten, ndërsa ju, as me gisht të dorës nuk i prekni”. Ky është, pra, procesi shpirtëror e mendor, i atij që do ta ketë çelësin në xhep e portën mbyllur: “Feja bëhet ideologji. E ideologjia të tremb, ideologjia i dëbon njerëzit, i largon. Largon njerëzit nga Kisha e Kishën nga njerëzit. Sëmundje e rëndë, kjo e të krishterëve ideologjikë. Sëmundje, por jo e re, apo jo? Nis që nga koha e Shën Gjonit Apostull i cili, në Letrën e tij të parë, flet pikërisht për këtë lëngatë. Të krishterët humbasin fenë e kapen pas ideologjive. Bëhen të sertë, moralistë, eticistë, por pa kurrfarë mirësie. Atëherë nuk mund të mos pyesim: ‘Po pse arrin deri në këtë pikë besimtari i krishterë? Ç’ndodh në zemrën e këtij të krishteri? Të këtij prifti, të këtij ipeshkvi, të këtij pape, që katandiset kështu?’. Thjesht një gjë: ky i krishterë nuk lutet. E nëse nuk lutesh, ti s’bën tjetër, veçse të mbyllësh portën”. Çelësi, që hap portën e fesë, vijoi Papa, është pikërisht lutja. E në vijim nënvizoi se kjo ndodh kur i krishteri nuk lutet. Atëherë dëshmia e tij është fodulle. Kush nuk lutet, është mendjemadh, kryelartë, i sigurt në vetvete. Nuk është i përvuajtur. Kërkon të ngjitet lart e më lart. Ndërsa, pohoi me forcë Papa, kur i krishteri lutet, nuk largohet nga feja, flet me vetë Jezusin. Them, saktësoi Ati i Shenjtë, lutet, jo lutje, sepse dhe doktorët e ligjit thoshin shumë lutje, për t`i shikuar bota. Kurse Jezusi thotë: “Kur lutesh, shko në dhomën tënde e lutju Atit fshehtësisht, nga zemra, në zemër. Një gjë është të lutesh, vijoi Papa, e tjetër, të thuash lutje: “Këta nuk luten, e braktisin fenë, e shndërrojnë në ideologji moralistike, rastësore, pa Jezusin. E kur një profet a një i krishterë i mirë i qorton, bëjnë atë, që bënë edhe kundër Jezusit: ‘Kur doli nga tempulli, skribët e farizejtë nisën ta sulmojnë ashpër- këta idelogjikët janë armiqësorë - e t’i bëjnë shumë pyetje, duke i ngritur leqe për ta zënë pisk në ndonjë fjalë, që delte prej gojës së Tij’. Nuk janë transparentë. Fshehin gjithnjë diçka të dyshimtë. Eh, varfanjakët, janë njerëz të njollosur me marrëzinë e madhështisë. T’i lypim Zotit hirin të mos pushojmë kurrë së luturi, për të mos e humubur fenë, të jemi gjithnjë të përvuajtur. E kështu nuk do të bëhemi njerëz të mbyllur, që ia mbyllin udhën Zotit”. » (Sh. Dodes S.J.)

- Kishit bâ mirë me kujtue dogmat shêjte të Kishes shêjte Katolike Romane mbi pandryshueshmënine e Fesë shêjte Katolike, të Sakramêndeve e sidomos të Ritit të Meshës shêjte, simbas Papës sh'Piu V dhe Ritit të Konsakrimit të ipeshkvijve, simbas Piu-t XII në 1949, të obligimit me iu nënshtrue Kishës shêjte Romane në gjithka që ajo mson, gjatë tana kohnave, në mnyrë përfundimtare, mbi çashtjet që lidhen me Fenë dhe moralin, ashtu si e ka përcaktue përfundimisht Papa Piu IX në Konçilin e Vatikanit (1870), nën denimin e mallkimit dhe çkishënimit për rebelet dhe kundërshtarët e dogmes katolike.

Por, tuej lexue shkrimet tueja, me vjen keq me konstatue se ju vazhdoni me mbrojtë doktrinat heretike e apostate të Konçilit të II të Vatikanit tuej tërhjek mallkimin e Zotit mbi ju dhe mbi ata që ju ndjekin, pa u thellue e pa msue Traditen e pandryshueshme mijavjeçare, të shkrueme dhe gojore, të Kishës shêjte Katolike, vetëm se mbani nji êmen apo nji uniformë...; mjerisht konstatoj se ju po turpnoni Urdhnin shejt Jezuit, ku pretendoni se bani pjesë, Urdhën që ka mbrojtë gjithmonë interesat e Selisë Shêjte dhe Fesë Katolike. 

Në t'kundërt, me dije apo injorancë, ju mbroni interesat e atyne kriminelve që po shkatrrojnë e vrasin Fenë Katolike në zemrat e besimtarve; të atyne apostatve vrasës që praktikojnë nji Fé të korruptueme anti-katolike, e cilla shpall lirinë fetare për të gjithë me besue simbas ndërgjegjes personale; e cilla mson se anti-katolikët shelbohen në fetë e veta; ju mbroni agjenden e atyne anmiqve të Kishes Katolike që celebrojnë nji kult liturgjik heretik, blasfemues e sakrilegj, që e quejnë me patrurpsinë ma të madhe "Mesha Katolike", edhe pse ajo âsht thelbsisht e ndryshme prej Meshës së sh'Piut V që Kisha Katolike urdhnon me u celebrue prej tanë meshtarve, gjatë tana kohnave; ju përkrahni kto mercenarë të satanit që përdorin t'ashtuquejtunat Sakramende anti-katolike, ilegjitimisht të ndryshueme dhe invalide, tuej bâ që "meshtarët" e sotëm në dioqeza, me ndonji përjashtim, të jenë të tanë pseudo-meshtarë apo meshtarë invalide, pra laikë, sepse dalin prej Ritit invalid të Urdhnit të Palit VI, i vjetit 1968, nji rit ky thelbsisht i ndryshëm prej Ritit të Urdhnit të Kishës Katolike, të fiksuem dhe urdhnuem në vjetin 1949, me anen e dokumentit "Sacramentum Ordinis" prej Papës Piu XII, me u praktikue në tanë Kishen Katolike; e ky rit invalid i Palit VI âsht pothuajse identik me ritin invalid të anglikanve, i deklaruem invalid prej Papës Leonit XIII, me anen e dokumentit "Apostolicae Curae", të vjetit 1896.

Pra me nji fjalë, me dashje po injorance, ju mbroni e përhapni rebelimin dhe apostazinë kundër Fesë Katolike, kundër dogmave të saja mâ të shêjta e kundër traditave të saja hyjnore që ju i përbuzni, i mekambni, i queni ideologji, sjellje e dênjë për nji Luter e nji Kalvin. Përkufizmin e ksaj apostazijet, që mohon Fene Katolike, na e nep krejt kjart Papa Piu XI, kur na mson kshtu mbi kta vrasës apostatë : 

« Ato bazohen në opinionin e gabuem se të tana besimet janë pak a shumë të mira, të vërteta dhe të lëvdueshme.

»... Jo vetëm që përkrahsit e ktij opinioni janë krejtsisht n'gabim, por në t'njêjten kohë ata mohojnë dhe shtrêmbnojnë kuptimin e Fesë së vërtetë katolike Romane, tuej râ kshtû pak kah pak në natyralizëm dhe në ateizëm. Për rrjedhojë, âsht plotsisht e kjartë se ata që përkrahin ose bashkohen me përhapësit e ktij opinioni t'gabuem braktisin totalisht Fenë hyjnore Katolike të zbulueme prej Zotit. » (Papa Piu XI, "Mortalium Animos", 6 Kallnduer 1928)

A i lexuet mirë fjalët e Papës ? Ata që thojnë se tana besimet janë pak a shumë të mira, ashtû si mson Konçili II Vatikanit, ashtu si msojnë shefat tuej apostate, e ju që i ndjekni, braktisin totalisht Fenë Katolike të zbulueme prej Zotit. Ky âsht Msimi i përjestshëm i Selisë Shêjtë, që nuk ndryshon kurrë, ashtû si nuk ndryshon Hyji. 

Kush âsht atherë ai që ka lëndue e hupë Fenë Katolike ? Me çfarë autoritetit me predikoni për Fenë shêjte Katolike, kur, në të njêjten kohë, ju vetë mohoni po kyt Fé shêjte të zbulueme prej Zotit ?

Doktori engjëllor mson se : 

« Apostujt dhe pasardhsit e tyne jane Vikeret (perfaqsuesit) e Zotit ne drejtimin e Kishes Katolike, e cilla âsht ndertue mbi Fene Katolike dhe Sakramentet e Fese Katolike. Per rrjedhoje, kto Vikere te Zotit nuk munden me ndertue nji kishe tjeter, nuk munden me perhape nji fé tjeter, nuk munden me nxjerre sakramende te tjera. Perkundrazi, Kisha Katolike âsht ndertue me Sakramendet qe dolen prej Krahnorit te KRISHTIT te kryqzuem. » (Sh'Tome Akuinati, "Summa theologica", Pjesa III, Pyetja 64, artikulli 2, pergjigja e objekcjonit 3)

Ju kujtoj se autoriteti i sh'Tome Akuinatit asht shumë i madh në Kishen Katolike. Sa për ilustrim, gjatë punimeve të Konçilit dogmatik të Trentës, etnit konçiljarë, për referencë e kshillë, vunë 2 libra mbi Altar : Shkrimet Shêjte dhe Sumen (Përmbledhjen) Teologjike të sh'Tomë Akuinatit. 

Për ma tepër, vetë ligjet e Kishes Katolike, urdhnojnë që në tana seminaret, universitetet e shkollat katolike, studentët duhen me studjue teologjinë dhe filozofinë katolike bazue mbi argumentat, doktrinen dhe principet e sh'Tomë Akuinatit. (Kanoni 589; Kanoni 1366 § 2)

Prandej, ceremonija anti-katolike e Palit VI, që ju celebroni, bashkë me kolegët tuej apostatë, dhe ritet e ndryshueme dhe "sakramendet" e reja që ju përdorni, nuk vijnë prej Kishes Katolike por prej kishës se ré anti-katolike të dalun prej Konçilit të II të Vatikanit, Kishes tuej konçiljare : 

« N'kjoft se krahasojmë epoken tridentine [të Konçilit t'shêjtë të Trentës] të Kundër-Reformës me Konçilin e II të Vatikanit, Konçili i II i Vatikanit, në karakteristikat e tij témelore, âsht 180 gradë në krah t'kundërt. Nji Kishë e re lindi mbas Konçilit të II të Vatikanit. (Hans Küng) » (Juan Valdivieso, “Vatican II Broke with the Magisterium”, 2008, Tradition in Action)

Kjo Kishe e ré revolucjonare e anti-katolike, që ju e kolegët tuej apostatë mbroni me paturpsí sakrilegje, asht profetizue prej kampjonit antimodernist, Papës sh'Piut X, qysh prej vjetit 1910 : 

« E tash, të therun prej trishtimit mâ të madh, e pvesim vedin se ku përfundoi katoliçizmi i ditëve të para të lëvizjes së Sionit ? Mjerisht, kjo lëvizje dikur aq katolike, âsht xanë peng, në rrugen e saj, prej anmiqve modernë të Kishës Katolike dhe âsht kthye tashma në nji instrument të mjerë të lëvizjes së madhe apostate, e cilla âsht e organizueme në të tana vendet për themelimin e nji Kishe universale që nuk ka me pasë as dogma, as hierarki, as rregull për shpirtin e as frê për pasionet, e cilla nën pretekstin e lirisë dhe dinjitetit njerzuer, planifikon me vendosë në botë, n'kjoft se do të triumfote, mbretninë zyrtare të dredhisë, të forcës, të shtypjes së t'dobtëve dhe të atyne që vuejnë dhe punojnë. Na i njofim mâ mirë sa s'bahet ofiçinat [logjet judeo-masonike] ku përpunohen kto doktrina perverse, të cillat nuk kanë me mujtë me mashtrue shpirtnat largpamës. » (Aktet e S.S. Piu X, "Letra mbi Sionin", 31 Gusht 1910; "Acta Apostolicae Sedis", Vol II, No. 16)

Kisha e juej apostate, pa dogma, pa rregull, përbuz dogmat e Kishes shejte Katolike, e për rrjedhojë, përbuz vetë Shelbuesin : « Ai që ju ndigjon Më ndigjon dhe ai që ju përbuz, Më perbuz; dhe ai që Më përbuz, përbuz Até që Më ka dërgue. » (Sh'Luka 10:16)

Ky ndigjim që Shelbuesi i kërkon besimtarve me pasë ndaj Pjesës msimdhanse të Kishës Katolike vlen për tana kohnat. Pse nuk e ndigjoni ju kyt zâ, po ndigjoni apostatin Bergoglio dhe anti-papët e tjerë apostatë që mbrojnë herezitë dhe apostazitë e Konçilit të II të Vatikanit, që kanë mohue publikisht Fenë Katolike dhe kanë ndryshue Sakramêndet shêjtë të Kishës Katolike Romane ? 

Sh'Pali e ka profetizue mirë kyt kohë kur njerzit kanë me ia vue veshin doktorëve të rrêmë sepse, për arsye të mkateve të tyne, ata nuk kanë me mujtë me ndie mâ të vërteten e doktrinës shêjte katolike romane, njashtû si errsina që nuk kupton dhe nuk duron driten : "et lux in tenebris lucet, et tenebrae eam non comprehenderunt", "dhe drita shndríti n'errsina por errsinat nuk e kuptuen." (sh'Gjoni 1:5)

« Ka me ardhë nji kohë kur njerzit nuk kanë me durue mâ doktrinen e shëndoshtë por kanë me mbledhë rreth vedit doktorë simbas dishirave të tyne dhe, tuej u dhimbtë veshtë prej doktrinës së vërtetë, kanë me e hjekë veshin prej të vërtetës për me e kthye drejt prràllave. » (2 Tim. 4:3-4)

« Vllâznit e mij, ruejuni prej atyne që shkaktojnë skandale dhe dasína mes jush, tuej u largue prej doktrinës katolike që ju keni msue. Rrini larg prej tyne! Kto njerëz nuk shërbejnë JEZU-KRISHTIN, Zotin tonë, por janë skllevën të epsheve të tyne dhe me fjalë t'âmbla e servile mashtrojnë shpirtnat e thjeshtë. » (Prej letrës së sh'Palit drejtue Romakve, 16:17)

Ju e queni vedin Jezuit dhe përpiqeni me mashtrue e mallkue vllaun e t'afërmin tuej me nji interpretim të shtrêmbt të doktrinës dhe Shkrimeve Shêjte ?  

Por sh'Ireneu, tuej folë mbi heretikët, si puna juej, thote mire se "ata pranojnë Shkrimet Shêjte por korruptojnë interpretimin e tyne." (Lib. III, cap. 12, n. 12). Sh'Agustini gjithashtu thote se "origjina e herezive dhe e dogmave perverse që i xajnë shpirtnat në kurth, për me i shtye mandej në Ferr, vjen vetëm prej faktit se Shkrimet Shêjte, që janë të shêjta në vetvedi, kuptohen në nji mnyrë që nuk âsht e mirë. (ln Evang. Joan., tract. XXVIII, cap. 5, n. 1). Shêjtnia e Tij, Papa Leoni XIII, në Enciklikun "Satis Cognitum"(1896), citon Origjenin që thote se "tâna herët që heretikët, tuej na paraqitë Shkrimet kanonike, të cillat çdo katolik i pranon dhe i beson plotsisht, duket sikur na thonë : Te né âsht fjala e s'vërtetës. Por na nuk duhet me i besue atyne dhe nuk duhet me u shkëputë prej Traditës primitive kishtare dhe asaj që Kisha e Zotit na ka msue përmes Traditës së saj të pandërpreme. ("Vetus interpretatio commentariorum in Matth.", n. 46)

Kur Shelbuesi dënon skribet e farizejet, Ai e ban kyt gjâ sepse ata kishin braktisë Ligjin hyjnor për rregullat e tyne njerzuere apo ideologjinë e tyne farizaíke :

« Kto njerëz Më nderojnë vetëm me gojë, por zêmrat e tyne janë larg Mejet. Ata Më ofrojnë nji adhurim të rrêmë, sepse msojnë doktrina dhe urdhnime njerzuere. » (Sh'Mateu 15:8)

Po un nuk po ju argumentoj me ideologjí njerzuere dhe Zoti ju faltë sakrilegjin e trajtimit të padênjë dhe të korruptuem të Shkrimeve Shêjte. Un nuk po ju bie mendimet e mija por zânin unanim e të pagabueshëm të Pontifëve, Konçileve Ekumenike e doktorve të Kishës Katolike, t'cillët gjykojnë e dënojnë gjithshka që përlyen sado pak Fenë shêjte Katolike, që asht vepra e Zotit dhe jo e njirit. (Papa Pius IX, "Qui Pluribus", 9 Nanduer 1846) 

Po ju bie zânin e Zotit, që flet nëpermjet Pontifit e Vikerit të Tij mbi tokë. 

Ne Katekizmin e tij, Papa sh'Piu X mson : 

- Cillët janë ata që gjinden jashtë Kishës së vërtetë [Kishës Katolike] ?

- Jashtë Kishës së vërtetë [Kishës Katolike] janë : të pafetë, çifutët, heretikët, apostatët, shizmatikët dhe të çkishënuemit.

- A âsht Kisha Katolike e pagabueshme ? 

- Po, Kisha Katolike asht e pagabueshme, dhe ata që mohojnë vendimet [përcaktimet] e saja, hùmbin Fenë Katolike dhe bahen heretikë.

« Kisha shêjte Katolike Romane beson me vendosmeni, shpreh dhe predikon se asnji prej atyne qe jeton jashte Kishes Katolike, jo vetem pagajt por edhe çifutnit, heretiket dhe shizmatiket nuk munden me u shelbue. » (Bulla "Cantate Domino", Papa Eugjeni IV, 4-2-1442 – Dekreti per Jakobitet, Denzinger : 714)

«… Zoti dhe Kisha urdhnojnë manifestimin publik të Fesë Katolike. » (Prümmer O.P., "Handbook of Moral Theology", page 85)

Kjo dishmí e Fesë Katolike duhet ba edhe në kohë rrezikut ose persekucjonit : 

«… frika e madhe nuk asht justifikim për mos me mbajtë ligjin, kur e mira e komunitetit dhe interesat e Fesë janë në rrezik. Për shembull, ushtari duhet me ruejtë vendin e tij në fushen e betejës, pavarsisht se ka frikë vdekjen. » (Prümmer O.P., "Handbook of Moral Theology", page 16)

«… frika e madhe nuk përjashton nga ndëshkimi "latae sententiae" (p.sh, nga çkishënimi) kur krimi ka të bajë me përbuzjen e fesë, të autoriteteve kishtare ose të shpirtnavet. Kanoni 2229. » (Jombart S.J., "Manuel de Droit Canon", page 521)

« Doktrína e Fèsë Katolike, e cilla âsht e zbulúeme prej vetë Zotit, nuk i âsht paraqítë arsýeve njerzuere për përfeksioním. Kjo doktrínë nuk âsht nji sistem filozofík, por nji depozítë hyjnore e besueme Nuses' KRISHTIT, Kishës Katolike, n'mnýrë që ajo t'a rúejë me besnikní dhe t'a interpretójë me pagabueshmëní. Për rrjedhójë, kuptimi i dógmave shêjte katolike duhet me u ruejtë përjetsisht njashtû si e ka dhânë nji herë e përgjithmónë Kisha Shêjte Katolike. Ky kuptim nuk duhet me u harrue kurrë me pretékstin e nji kuptimi mâ t'thêllë t'vërtetës. » (Konçíli i Vatikanit-1870, Konstitucioni "Dei Filius", Kapitulli IV)

« N'kjóftë se ndonjí persônë thotë se prej influèncës dhe zhvillímit të shkéncave, msímeve t'Kishës Katolike ka me iu dhânë në t'àrdhmen nji kuptim tjetër prej atij kuptimi që Kisha Katolike ia ka dhânë apo ia nep sod, aj persônë kjóftë mallkue. » (Konçíli i Vatikanit-1870, Kapitulli 4, Kanoni 3)

« Shifet tashti se në çfarë gabimit kanë râ ato shpirtna, t'cillat tuej abuzue me arsyen e tyne dhe tuej i marrë fjalët e Zotit sikurse t'ishin mendime njerzuere, guxojne me i interpretue ato simbas mendimit personal; Vetë Zoti ka vendosë nji autoritet të gjallë [Papen] për me përcaktue dhe me msue kuptimin e vërtetë të mesazheve hyjnore, dhe, me anen e gjykimit të tij të pagabueshëm, me i dhanë fund çdo lloj diskutimit, kjoft në çâshtjet që lidhen me Fenë, kjoft në çâshtjet që lidhen me moralin, në mnyrë që besimtarët katolikë të mos përkunden prej çdo éret doktrinale e të mos mashtrohen prej gabimit dhe ligsisë së njerzve. Ky autoritet i gjallë dhe i pagabueshëm gjindet vetëm në kyt Kishë që JEZU-KRISHTI e ka vue mbi sh'Pjetrin, Shefin, Princin e meshtarve të tanë Kishës Katolike, të cillit JEZU-KRISHTI i ka premtue se féja e tij nuk ka me i mungue kurrë; kjo Kishë âsht e ndërtueme në at mnyrë që ajo do të ketë gjithmonë në krye dhe në Selinë e saj të pandryshueshme pontifët e saj legjitimë, të cillët egzistojnë pa ndërpremje qysh prej sh'Pjetrit dhe trashigojnë e ruejnë të njêjten doktrinë, të njêjtin dinjitet, të njêjtin rang dhe të njêjten fuqi. » (Papa Piu IX, 9 Nanduer 1848)

Kishit bâ mirë me kujtue, pra, ashtu si ka msue gjithmonë Selia Shêjte, se Doktrina e Fesë Katolike âsht nji Revelacjon hyjnuer që as ju e as un nuk kena autoritet me e interpretue e shpjegue, e aq ma pak me e ndryshue e korruptue, e Zoti na ruejte prej ktij krimi të tmerrshëm. Ky autoritet i naltë i âsht dhanë vetëm Pjesës msimdhânse të Kishes Katolike (Katekizmi sh'Piu X) dhe ky shpjegim nuk ndryshon me kohnat e zhvillimet shoqnuere. Ata që thojnë se kjo doktrinë ndryshon me kohen e zhvillimet shoqnuere, ashtû si mson Konçili II Vatikanit, ashtu si msoni ju, bashkë me ata që ju ndjekin në çmendínë e rebelimit kundër Doktrinës së Kishës Katolike, marrin mbi vedi mallkmin e Zotit, ashtû si deklaron Konçili i Vatikanit (1870), në mnyrë përfundimtare etë përjetshme.

"Roma locuta est, causa finita est." Roma ka folë e çashtja âsht e mbyllun, pat deklarue publikisht sh'Inoçenti I, tuej u mbështetë të sh'Agustini, kundër pelagjianve heretikë. 

Në dekretet e Konçilit të Vatikanit (1870) theksohet se të gjithë besimtarët katolikë e kanë për detyrë me njoftë dhe mbrojtë dekretet nëpermjet t'cillave herezitë dhe opinjonet perverse janë denue nga Selia e Shênjtë (Berthier, "Abrégé de théologie…", faqe 49-50).

« Mekênse e vërteta nuk mundet me kundërshtue të vërtetën, Ne vendosim se çdo deklarim kundër të vërtetës së Fesë Katolike âsht totalisht i rrêmë dhe Ne ndalojmë me rreptësi mësimin e ktyne deklarimeve. Ne dekretojmë se të tanë ata që merren me deklarime të tilla, tuej përhapë herezi totalisht të dënueshme, duhen me u shmangë me çdo kusht dhe me u dënue si heretikë të pafé, të urrejtshëm dhe të neveritshëm, të cilët janë tuej shkatërrue Fenë Katolike. » (Papa Leoni X, Bulla “Apostolici Regiminis”, 19 Dhetuer 1513, në Konçilin e V të përgjithshëm të Lateranit, Sesioni VIII, V. 605-606).

Po ju bie zânin e Zotit, që flet nëpermjet Pontifit e Vikerit të Tij mbi tokë, e jo mendimet e mija, dhe ju guxoni me e quejte kyt zâ hyjnuer ideologjí ?

Anmiqtë e Revelacjonit hyjnuer, si ju e kolegët tuej apostatë, nuk dojnë dogma e rregulla, nuk dojnë nji Fe Katolike e nji Kult të vetëm shêjt katolik, nuk munden me durue mâ zânin hyjnuer të Zotit që flet, mson e gjykon përfundimisht përmes Kishes shêjte Romane (Mgr de Ségur), por ata imitojnë luçiferrin në rebelimin e tij "non serviam". Kisha e juej apostate nuk gjykon kënd, në shembullin e apostatit publik Bergoglio, i cilli âsht shpreh publikisht se nuk i gjykon as homoseksualet dhe mbron për të tanë, për të tanë pa perjashtim, lirinë fetare të ndërgjegjes. Në fakt, qysh prej Gjonit XXIII, kisha e juej anti-katolike nuk gjykon kërkend, nuk mallkon kërkend por len sejcillin me besue e veprue simbas qejfit, në zbatim te direktivave të Konçilit të II të Vatikanit mbi lirinë fetare të ndërgjegjes. A ka çmenduni mâ të madhe se kjo ? Vetë Papa Gregori XVI, në Enciklikun e Tij "Mirari Vos" (1832) ka deklarue si çmenduni thanjen e maposhtme : 

« Liria e ndërgjegjes dhe e besimeve asht nji e drejtë e çdo njírit. Kjo e drejtë duhet me u shpallë dhe me u mbrojtë me ligj në çdo shoqní të mirë-organizueme. Qytetarët kanë liri të plotë me manifestue me zâ të naltë e publikisht opinjonet e tyne, cilatdo kjoshin ato, me anen e fjalës, shtypit e çdo mjeti tjeter, pa u kundërshtue dhe pa u kufizue në kyt aktivitet as nga autoritetet civile e as nga ato fetare. »

Çdo shoqni e mirë-organizueme ka në përbamjen e saj nji gjykatë dhe nji gjykatës suprem që interpreton dhe gjykon ligjet kushtetuese. Po t'u nepej çdo qytetari kushtetuta për interpretim privat, a do te egzistote mâ shteti ? Jo, nuk do të kishte mâ shtet por nji kaos babilonik, si aj në kishen tuej apostate ku besohet e msohet simbas lirisë fetarë të ndërgjegjes. Për mâ tepër, në nji shoqní të mirë-organizueme, gjykatsi suprem gjykon, si pjesë e funksjonit të tij legjislativ. Kurse në kishen tuej babilonike kërkush nuk gjykon kërkend : Nuk gjykohen homoseksualet, nuk gjykohen dhunuesit e fmijve, nuk gjykohen mashtrùsat financjarë, nuk egziston mâ fjala heretik, shizmatik, i pafé, sepse liria fetare e ndërgjegjes nuk lejon kërkend me gjykue fenë e tjetrit dhe, ajo që âsht mâ e randsishmja, simbas jush tanë shkojnë në Parriz, sepse kur vdes dikush fill thoni : hyni në shpinë e Atit. Pra për kishen tuej, të tanë, katolikë e jokatolikë, simbas të drejtës së lirisë fetare që ju ua nepni, janë të shëlbuem mbas dekës; ferri âsht vetëm nji krijesë mitologjike për jue, po ashtû edhe Purgatori, apo jo ? 

Të vetmit qe denohen ne kishat tueja satanike janë katolikët e vërtetë, ata që dojnë me ruejtë Fenë hyjnore të pandryshueshme, ata që ndjekin Traditen dymijvjeçare Katolike, ashtû si mson gjithmone Kisha Katolike, sepse pa kyt Fé Katolike nuk mundena me hi në Parriz, mson sh'Pali në Letren e tij drejtue Efezianve (4:5).

Nji Zot Trinitar, Nji Fé Katolike, Nji Pagzim Katolik, mson SHPIRTI-SHEJT nëpermjet sh'Palit, e ju keni guximin me pranue e propagandue lirinë fetare të ndërgjegjes, tuej fye vetë SHPIRTIN-SHEJT ? Më thoni ju lutem, kush âsht aj që ka lëndue e hupë kyt Fé shëjte Katolike, për të cillen flet sh'Pali ?

Kush asht aj që mohon Fenë mijavjeçare katolike në favor të doktrinave njerzuere ? Kush asht aj atherë që po rrên besimtarët dhe po u mbyll derën e Parrizit ? Kush asht aj që mëkambë edhe Shkrimet Shêjte për me justifikue doktrinat e tija perverse anti-katolike ? Kush asht aj që korrupton kuptimin e vërtetë të Letres së parë të sh'Gjonit Apostull, në mbrojtje të lirisë fetare të ndërgjegjes ? Selia Shejte, që ka autoritetin hyjnuer me interpretue e shpjegue Biblen Shëjte mson kshtu : 

«[...] Padyshim, të tanë e dijnë se vetë Sh'Gjoni, Apostulli i dashnisë hyjnore, ai që n'Unjillin e tij zbulon n'nji farë mnyret sekretet e Zêmres Shêjte të JEZUSIT, i porosiste vazhdimisht besimtarët katolikë me "dashtë njêni-tjetrin" (I Gjoni 4 : 7-11). Por në t'njêjten kohë ai ndalote në mnyrë absolute çdo marrëdhânje me ato që nuk praktikojshin në mnyrë të plotë dhe t'papërlyeme msimet e KRISHTIT : "N'kjoft se dikush vjen drejt jush dhe nuk sjell kto msime, mos e pranoni n'shpinë tuej dhe as mos e përshndetni aspak." (I Gjoni 10). Kshtû pra, mekênse dashnija për Zotin ka për bazë nji besim të sinqertë dhe të plotë, atherë bashkimi në nji Fé Katolike Romane duhet me kênë lidhja kryesuere që bashkon besimtarë e KRISHTIT ZOT. » (Papa Piu XI, "Mortalium Animos", 6 Kallnduer 1928)

E pra dashtnija e vërtete Katolike, nuk ësht ajo dashtní servile, butsí e ngrohtsí e gjumit të vdekjes shpirtnuere, që ju ndërtoni mbi tradhtinë e Fesë shêjte Katolike, por kjo dashtní e vërtetë Kristjane bazohet mbi shkambin e pathyeshëm të Fesë së vetme të vërtetë Katolike, sepse pa Fé Katolike nuk ka as dashtní të vërtetë katolike e as shëlbim. 

«Vllâzen të nderuem, Ne dishirojmë me ju tërhjekë vëmendjen mbi kyt deformim të Unjillit dhe të karakterit shejt të Zotit tonë JEZU-KRISHTIT, Zot e Njiri, të praktikuem në lëvizjen e Sionit dhe në vende të tjera. Në disa mjedise, âsht bâ zakon që kur fillohet me u trajtue çâshtja sociale, menjiherë shmanget Hyjnia e JEZU-KRISHTIT, për me u folë për butsinë e Tij supreme, për mshiren e Tij ndaj tana vuejtjeve njerzuere, për thirrjet e Tija të ngutshme mbi dashtninë për të afërmin dhe vllaznimin. Padyshim, JEZUSI na ka dashtë me nji dashtni të pamasë, të pafundme, dhe ka ardhë me vuejtë e dekë mbi tokë, në mnyrë që tanë njerzit, të mbledhun rreth Tij, në drejtsi e dashtni, të frymzuem prej sentimenteve të njêjta të dashtnisë reciproke, të munden me jetue në paqe e mirsí. Por për realizimin e ksaj lumnie të përkohshme dhe të përjetshme, me nji autoritet suprem, Ai ka vue si kusht bâmjen pjesë në gregjën e Tij, [Kishen e KRISHTIT ZOT], pranimin e doktrinës së Tij, praktiken e virtyteve, bindjen e plotë ndaj doktrinës dhe drejtimit të sh'Pjetrit dhe pasardhsve të tij. Mandej, n'kjoft se JEZUSI ka kênë i mirë për të húpunit dhe mkatnorët, Ai nuk i ka respektue bindjet e tyne të gabueme, sado të sinqerta që mund t'jenë dukë ato.

» N'kjoft se Zemra e Tij ishte e tejmbushun me butsi për shpirtnat vullnet-mirë, Ai ka dijtë me u armatosë me nji zemrim shejt kundër profanuesve të Shpisë së Zotit. » (Aktet e S.S. Piu X, "Letra mbi Sionin", 31 Gusht 1910; "Acta Apostolicae Sedis", Vol II, No. 16)

« Tradita e përhershme e Kishës Katolike, e mbështetun në vendimin unanim të Etënve shêjtë, ka konsiderue gjithmonë të përjashtuem prej komunitetit katolik dhe jashtë Kishës Katolike cillindo që ndahet sado pak prej doktrinës së msueme prej Magjisterit autentik të Kishës Katolike. Epifani, Agustini, Theodori kanë përmendë nji numër të madh herezish të kohës së tyne. Sh'Agustini mson se herezi të tjera munden me u zhvillue në të ardhmen dhe cillido që përkrah vetëm nji prej ktyne herezive, prej vetë ktij akti (ipso-facto), ndahet prej unitetit katolik. (Papa Leoni XIII, "Satis Cognitum", 29 Qershuer 1896)

Dhe ata që perbuzin msimin e Kishes Katolike, përbuzin vetë Zotin dhe duhen konsiderue si publikajt dhe pagajt. Kush e thote kyt gja ? Vetë Shelbuesi flet për ata që kanë veshë me ndigjue, sy me pâ e zemër të ndershme mos me rrêjte  : 

« N'kjoft se vllai jot nuk ndigjon Kishen, atherë ai kjoft për ty si publikani dhe pagani. » (sh'Mateu 18:17)

« Mjerë ju, skribë e farizej hipokritë, sepse ju pastroni goten dhe pjatën nga jashtë, por nga brenda ju jeni plot grabitje dhe ndytësí. 

» Mjerë ju, skribë e farizej hipokritë, sepse ju jeni si varre të bardha, që nga jashtë i duken njerezve të bukura, por nga brenda janë të mbushuna me eshtna t'deknish dhe çdo lloj kalbsínet. » (sh'Mateu 23 :25-27)

Edhe autoritet e Kishes konçijare, të daluna prej Konçilit të II të Vatikanit, nga jashtë duken me veladona, kryqe e objekte devocjonit, por doktrina e kalbun që del prej tyne asht doktrina satanike e gjumit letargjik te vdekjes shpirtnuere, e korrupsjonit dhe e mashtrimit; asht doktrina e Ferrit dhe e mallkimit. 

N'kjoft se ju duket së ju kam folë pak randë në kyt replikë, dijeni se e kam ba me qëllimin dashamirës e Kristjan të luftës pa kompromis kundër mkatit, për lavdinë e Zotit dhe shëlbimin e shpirtnavet. Por shêjtnit, jeta e t'cillve asht shembulli jonë i imitimit (sh'Ambrozi i Milanit), kane folë edhe mâ rande kundër propaganduesve të doktrinave anti-Kristjane. 

Vetë Shelbuesi i ka quejtë farizejtë "gjarpnij", "rracë nepêrkash", "vorre të bardha", "brez pervers dhe adulter"; Sh'Gjon Pagzori i ka thanë farizejve "rrace gjarpnijsh"; Sh'Pali i quen disa shizmatike në Kretë "rrêncakë", "kafshë të kqija"; vetë Apostulli i kombeve thrret magjistarin Elymas "mashtrues, njiri të mbushun me dinakní, bir të djallit, anmik të çdo të vërtete dhe drejtsije"; i buti shën Bernardi, Doktor i Kishës, nuk sillej aq butë kundër anmiqve të Fesë; tuej iu drejtue Arnoldit të Breshias, ai e quen "mashtrues, agrep, ujk i egër"; i paqti sh'Tomë Akuinati, Doktori i madh engjëlluer, harron qetsinë e silogjizmave të tija të ftofta për me iu drejtue kundërshtarve të tij, Guljelmit të Dashtnisë-shêjte dhe dishepujve të tij, me fjalët "anmiq të Zotit, ministra të djallit, pjestarë të antikrishtit, injoranta, të shthurun, të mallkuem"; shën Bonaventura, Doktori Serafik, aq i mbushun me butsí, i flet kshtu Gjeraldit "i paftyrë, shpifës, shpirtkeq, i paturpshëm, mashtrues, keqbâs, i pabesë dhe i çmendun". (Don Sarda y Salvany, "Liberalizmi âsht mkat", 1915)

Zoti i Gjithpushtetshem pastë mshirë për autoritetet konçiljare e ndjeksit e tyne dhe u ndriçoftë vërbimin shpirtnuer para daljes së tyne prej ksaj bote! 


Shënim : 

z. Shtjefen,

Lehjet e mija kundër Bergoglios nuk janë mendimet e mija personale, por asht vetë Doktrina e Kishes Romane në shekuj që e dënon dhe e gjykon. E kur Kisha Romane flet, besimtari nuk ka ma opinëone e replika personale : 

"Roma locuta est, causa finita est". E Kisha Romane mson tash sa shekuj se nji Papë nuk mundet kurrë me përhapë herezí publikisht e me mohue e apostazue prej Fesë Katolike në mnyrë publike, si ka ba Bergoglio, e për kté shembuj ju kam dhanë, e mundem me ju dhane prapë. Vetë ligjet e Kishes (Kanoni 188 §4) msojnë se nji klerik që apostazon publikisht prej Fesë Katolike hup postin e tij automatikisht, pa asnji deklaratë tjetër. Vetë Kisha Romane mson se edhe sikur nji Papë, jo si Papë por si doktor në jeten private, të msojë herezí publike në mnyrë të vazhdueshme, ai hup automatikisht pontifikatin dhe Froni mbetet vakant. Kjo asht doktrina e Kishes Romane, e mbështetun mbi msimet e sh'Alfonsit dhe sh'Belarminit. 


Pra ké duhen me ndjekë tash katolikët e thjeshtë : mendimet e opinjonet e ndryshme të "teologve" të soçëm të vetshpallun apo msimin hyjuer mijavjeçar të Kishës Katolike ? Patjetër msimin hyjnor të Këshes Katolike, sepse vetë Shelbuesi na urdhnon me ndigjue Kishën, nën dënimin e mallkimit. Po e perseris edhe nji herë, personalisht nuk kam mendime personale mbi çashtjet fetare kur Kësha Katolike flet dhe e mbyllë çâshtjen. Nuk ka të baje ktu aftsija apo inteligjenca personale por bindja dhe nënshtrimi i plotë që Hyji kërkon prej nesh, ndaj msimit të Kishës Katolike Romane, sepse Zoti urdhnon kshtu, dhe Zoti nuk mundet me gabue. Pse besojmë na në Fenë shêjte Katolike ? Pse kena mujtë me dallue ndonji të mirë në msimet e saja, në sajë të inteligjencës sonë ? Jo, i dashtun. Katekizmi ma elementar kishtar, si ai i sh'Piut X, mson se katoliku beson në sajë të Autoritetit hyjnuer të Fjalës se Zotit, që nuk mundet as me na mashtrue e as me na rrêjtë. Nga ana tjetër, patjetër që katoliku duhet me u lutë për të tanë, të gjallë e të dekun, që Zoti ata ti konvertojnë e ti pshtojnë, e kta ti lirojnë prej mundimeve të Purgatorit, n'kjoft se vuejnë aty. Zoti ju ndriçoftë !