lunedì, aprile 18, 2022


 + E Diela e Larit +

 

Qysh në mjesin e ksaj dite, Zoti jonë JEZU-KRISHTI là n'Betaní Nanen e Tij tejet shejte me shejten Mari Magdalenë, shejten Martë dhe vllanë e tyne Lazarin, për me u nisë për Jeruzalem, në shoqninë e Dishepujve. Duhej që Mesija, përpara se me u lidhë në krygj, të shpallej Mbret prej popullit në Jeruzalem. Përballë shqipojave romake, para syve të priftnijve e farizejve të heshtun prej tërbimit e habisë, zanat e fmijve t'përziem me thirrjet e qytetit shpallnin lavdinë e Birit të Davidit. Profeti Zakarija e kishte profetizue kohë me parë kyt hymje triumfuese të JEZU-KRISHTIT në Jeruzalem : ''Mbushu me gzim e haré, bijë e Sionit, se Mbreti jot po vjen drejt tejet; Aj që asht i Drejti dhe Shelbuesi vjen i vorfën dhe i hypun mbi nji gomar '' (Zakarija 9, 9). Simbas rrfimeve profetike, dy dyshepujt e nisun përpara prej Shelbuesit I bijnë dy kafshë të ktij lloji, njenen në moshë ma t're, e cila simbas Etënve përfaqson popullin johebre dhe aleancen e tij ardhshme me Hyjin dhe Shelbuesi përdor kyt kafshë për me hî në Jeruzalem, ashtu siç ishte profetizue. Ky gjest, mosperdorimi prej Shelbuesit i kafshës tjetër, e cila përfasonte popullin hebré, profetizon edhe tradhtinë që pjesa ma e madhe e ktij kombit, do t'i bante JEZU-KRISHTIT, tuej mos e shpallë si Mesinë e vërtetë dhe tuej e dorzue te Romakët për me E kryqzue.

Prej nji frymzimi të SHPIRTIT-SHEJT,

nji turmë e madhe e hebrejve, që kishin ardhë në Jeruzalem për festimin e Pashkës hebraike (përkujtimin e kalimit të Detit të Kuq prej profetit Moiz dhe popullit hebré gjatë daljes së tyne prej skllavnisë egjyptiane), i dalin përpara Mesisë së vërtetë, Zotit tonë JEZU-KRISHTIT, me degë palmet në duer, tuej hjedhë teshat e tyne para JEZUSIT, me thirrje gzimit e triumfit, dhe tuej e lavdue si Mbret dhe Mesija i shumpritun : « Hozana (lavdi) Birit të Davidit ! Bekue kjoft Aj që vjen në Emnin e Zotit, Mbreti i Izraelit ! Hozana në ma t'naltin Qiell ! (sh'Mateu 21, 9; sh'Marku 11, 9; sh'Luka 21, 7-9; shën Gjoni 12, 13). Mbas hymjes në Jeruzalem, JEZUSI hyni në tempull dhe nxori jashtë profanuesit që kishin kthye Shpinë e Zotit në vend tregtijet. Tuej ndig'jue fmijtë që thrritshin ''Hozana, Birit të Davidit'', farizejt e skribët e pranishëm ishin të mbushun me indinjatë e urrejtje kundër Mesisë, e thojshin ndër vedi : ''A e shifni se nuk mundena me ba asgja ? Tana bota shkon mbas Tij.'' Dhe Shelbuesit : ''A nuk e ndigjon si thrrasin fmijtë ?'' E JEZUSI u përgjigjet : ''A nuk e dini si asht e shkrueme : Prej gojës së fmijve, (o Zot), Ju vjen lavdija perfekte ?'' Prej fmijve, sepse ata janë pa hipokrizi dhe pa rrena. Si dikur në Jeruzalem, edhe sod Kisha e Zotit në Vatikan e dioqeza asht profanue prej hipokritve modernista postkonçijarë, tregtarë të vdekjes që e kanë kthye Shpinë e Zotit në çerdhe të hajdutve e mashtrusave. Por edhe ktyne manipulusave e anmiqve të Zotit, që rrejnë popullin e padijtun me ndonji lutje apo aparence përshpirtnijet, po u vjen dita kur JEZU-KRISHTI ka me i nxjerrë jashtë dhe ka me i dënue për krimet e tyne. Profeci të shejtënve, të vjetra e të reja, përfshi ktu vetë premtimet Nanës së Zotit e Nanës tonë, sidomos ato në Quito (Ekuador), në Salette (Francë) dhe në Fatima (Portugal), na paralajmrojnë nji triumf të madh të Kishës Katolike Romake dhe nji restaurim botnuer të afërt të Katoliçizmit. Aty ku anmiqtë e Zotit po përgadisin pashken e tyne (''pashke'' d.m.th. kalim) drejt nji urdhni të ri botnuer, aty Zoti dhe Mbreti jonë JEZU-KRISHTI ka me restaurue Pashken shejte drejt Mbretnisë së Birit të Zotit, tuej rrënue planet e kriminelve talmudikë dhe tuej na sjellë Paqen e madhe të Mbretnisë së Zemrave shejte të JEZUSIT DHE MARISE, ne boten mbarë.

Qé pra, Fuqija e Zotit, me pushtetin e saj mbi zemrat, i përgaditi nji triumf Birit të Tij në vetë gjirin e ktij qyteti, i cili vetëm pak ditë ma vonë do të kërkonte Gjakun tejet shejt të Shelbuesit. Dikur, pak kohë mbas Lindjes së Emanuelit, tre mbretën joçifutë erdhën prej Lindjes me nderue e adhurue Mbretin e hebrejve dhe tanë universit. Sod, vetë populli hebré vjen me nderue e adhurue Mbretin e vet. Dy episode që nalcojnë Mbretninë e KRISHTIT Zot para hebrejve dhe botës mbarë. Vetë Arkengjëlli Gabriel i kishte profetizue tejet shejtes Virgjinës MARI se Hyji do t'I nepte JEZU-KRISHTIT fronin e Davidit dhe se JEZU-KRISHTI do të mbretnonte në shpinë e Jakobit përgjithmonë (sh'Luka 1, 32). Me kyt ditë të hymjes triumfuese të Zotit e Mbretit JEZUS në Jeruzalem fillon Mbretnija e JEZU-KRISHTIT në botën mbarë; edhe pse së shpejti izraeli i parë do të mohonte Mbretninë e Shelbuesit, nji Izrael i ri i përbamë fillimisht prej nji pjese besnike hebraike do të ngrihej në çdo komb të tokës, për me formue Mbretninë e JEZU-KRISHTIT, nji Mbretni që asnji monark toksuer nuk do t'a kishte andrrue ndojherë.

Ky mister i lavdishëm i Mbretnisë së Zotit-Njiri JEZU-KRISHTIT hapë Javen e Madhe, Javen e vuejtjeve. Vetë ceremonija liturgjike asht nji përziemje e gzimit me trishtimin : Bekimi i larit dhe proçesioni i gzueshëm pasohet prej leximit të trishtueshëm të Pasionit të Shelbuesit tonë. Biri i Zotit dhe Biri i Njirit hyni në Jeruzalem me triumf por edhe me përvujtni të madhe, sepse kishte ardhë me mujtë botën, imoralitetin dhe djallin, kundër të cilve përdori armët e butsisë, të përvujtnisë dhe të vorfnisë. Tuej kenë Mbret i gjithsisë, JEZUSI erdh si nji person i vorfën, i hypun mbi gomar, plot me përvujtni, për me na msue se përvujtnija dhe indiferenca ndaj të mirave toksuere janë armët ma të mira për me fitue kundër anmiqve tonë. Në kyt ditë t'bekueme, qingjat që do të sakrifikoheshin në tempull të Premten e Madhe, për pashken hebraike, hynin në Jeruzalem në mnyrë solemne. Por kto qingja, gjaku i t'cilve nuk mundej me falë mkatet, ishin vetëm figura e Qingjit të Zotit, i Cili do të sakrifikohej për shelbimin e mbarë botës, tuej derdhë tanë Gjakun e Tij tejet shejt, për dashtni për ne e për pshtimin tonë prej mallkimit të përjetshëm. E kshtu, JEZUSI, si nji qingj i butë dhe i përvujtë, Qingji i vërtetë i Zotit që shlyen mkatet e botës, hyni në Jeruzalem me u sakrifikue për ne. Fugurja e pikturueme me mjeshtri na paraqet Mbretin Shelbues që hyn në Jeruzalem me duert e hapuna në formen e krygjës, tuej shikue me përgjërim kah Qiella, tuej i kërkue falje ATIT për krimet e njerzve, dhe tuej iu dorzue me nji nënshtrim të plotë Planit hyjnuer për pshtimin e njirit të rrëxuem. Nana e Tij dhe Nana e jonë tejet shejte, shef gjithashtu kah Qiella dhe i bashkohet në gjithçka sakrificës së përgjakshme të Qingjit të Zotit. Apostulli i kombeve komenton mrekullueshëm kyt fugure kaq shejte dhe kuptimplote :

''Kur JEZUSI erdh në botë i tha ATIT : Sakrificat dhe ofertat nuk i keni pranue, dhe Mue nji Trup më keni përgaditun; holokaustet për mkatet nuk i keni pëlqye. Atherë Un thashë : Qé po vij, ashtu siç asht shkrue për Mue, me krye Vullnetin Tuej, o ATE.'' (Hebrejve 10, 5-7)

Lutja e Kishës

O Hyj i Gjithpushtetshëm dhe i përjetshëm, që keni dekretue për Shelbuesin tonë me u ba Njiri, dhe me vuejtë në nji Krygj, tuej i dhanë kshtu njerzimit nji shembull përvujtnijet, denjoni në Mshiren Tuej me na akordue hirin që të korrigjohena simbas shembullit të durimit të Birit Tuej, dhe të marrim pjesë në Rinjalljen e Tij. Përmes JEZU-KRISHTIT, Zotit tonë. Ashtu kjoft.

Referenca

- ''INSTRUCTION FOR PALM-SUNDAY'', by Leonard Goffine.
- ''L'ANNEE LITURGIQUE'', par dom Prosper Guéranger.