martedì, agosto 26, 2025

 Mbi Shêjen hyjnuere të Krygjës Shêjte



+ Mbi Shêjen hyjnuere të Krygjës Shêjte +
N'Êmen t'ATIT e të BIRIT e të SHPIRTIT-SHÊJT. Ashtû kjoftë !
Muslimanë dhe jokatolikë të tjerë na akuzojnë ne Katolikve si idhujtarë, mbasi thojnë se na nderojmë Krygjen shêjte, që për tà asht simbol idhujtaríjet.
Krygja shêjte asht simbol shêjt dhe hyjnuer që nuk ka lidhje me idhujt, ndërsa paganizmi idhujtar asht evident në praktikat aktuale islame, si dhe në shumë besime të tjera të rrême antikristjane.
N'vijim po paraqes disa dishmí në mbrojtje të Krygjës shêjte, shêjës hyjnuere të shelbimit dhe jetës s'pasosun. Dy krahët e tija përfaqsojnë bashkimin e hyjnores me njerzoren, e konkretizueme në Personën hyjnuere të Zotit tonë JEZU-KRISHTIT, Zot i vërtetë dhe Njiri i vërtetë, Mediator i vetëm para Hyjit, Udha e vetme drejt Parrizit dhe Lumnisë së pasosun. Krygja shêjte asht në fakt simboli kryesuer i TRINISë-SHEJTE, Zotit Trinitar, Hyjit të vetëm të vërtetë, i adhuruem n'vërtetsí vetëm prej Katolikve t'Krishtênë. Kjo Dogmë fejet konfirmohet prej Doktrinave shêjte të Sinagogës së vjetër hebraike, që e vetmja ruejti Zbulimin hyjnuer deri në Ardhjen e Mesisë, Zotit tonë JEZU-KRISHTIT. Doktrina shêjte e Zotit të vetëm Trinitar asht msue pra mija vjet para KRISHTIT. Dhe afro 1000 vjet mbas KRISHTIT, shfaqet doktrina idhujtare pagane islame që akuzon për idhujtarí kyt Dogmë fejet Kristjane, antike sa vetë përjetsíja, e njoftun prej njerzve qysh prej Adamit, njirit të parë. Dhe kto akuza të rrêjshme islame bazohen ekskluzivisht mbi burime pagane islame, që janë vetë idhujtare, e për t'cilat kam folë në nji shkrim tjetër. (Cf. "Disa elementa pagane islame", në artikujt e mij.)
Bota e sotme, nji pjesë e t'cilës e quen vèten t'Krishtênë, g'jason me atà aníjet n'avarí që janë gadi me u përmbytë ; duket si nji titaník modern, që mendohej i pathyeshëm por që disa shkamíj t'nënùjshëm e t'parëndsishëm ia bàne gjàmen. Civilizími i sotëm ''modern e humanitar'', pjellë e veprimtarisë së ethshme të lógjeve judeo-masonike të ktyne tre shèkujve të fundit, i arkitektuem prej Rilindjes pagàne evropjàne dhe i ngritun mbi gërmàdhat e luftnave e revolucjoneve satanike që pasuen, asht i destinuem me u përmbytë dhe me u shkatrrue fund e majë sepse ka braktisë dhe ka hjedhë matànë gurin themeltar, gurin e parë, Zotin tonë JEZU-KRISHTIN dhe Krygjen e Tij Shêjte : ''Stat crux dum volvitur orbis'', “Kryqi qëndron i patùndun ndërsa bota rrotullohet”. Shêjtnija e Tij, Papa sh'Piu X, në Inciklikun ''Jucunda Sane'' thotë se prapë po tentohet me trajtue çashtjet e botës tuej lanë jashtë KRISHTIN Zot ; po fillohet me ndërtue tuej hjedhë jashtë "Gurin e parë". Kyt gjâ Sh'Pjetri ua tha atyne që kryqzuan JEZUSIN. E tashti, për t'dyten herë, ndërtesa shkatërrohet e then krènat e ndërtuesve. JEZUSI, pamvarsisht prej çdo gjàjet tjetër, qëndron dhe asht "Guri i parë" i shoqnisë njerzore, tuej vërtetue edhe nji herë thànjen se "Nuk ka shpëtim veç n'Até" (Aktet 4:11-12). (sh'Piu X, ''Jucunda Sane'', 12 Mars 1904).
- Shêja e Krygjes n' Testamentin e Vjetër (Tradita)
Në t'vërtetë, shêja hyjnore e Krygjës nuk asht diçka e ré, por nji simbol shêjt me nji zanafíllë shumë t'hèrshme, i përdorun prej popullit t'zg'jedhun çifut e prej profétve t'ij shekuj mâ parë, si figurë profetíke e lavdisë së ardhshme dhe e triùmfit kundër djallit, mkatit dhe vdekjes. Prandej edhe djalli dhe satelitët e tij e urrejnë kaq shumë shêjen hyjnore të Krygjës, sepse kjo shêjë u kujton disfaten e tyne t'përjetshme, rrënimin e tyne t'pariparueshëm.
Krygja shêjte jo vetëm tash por gjithmonë a kênë nji dritë hyjnore shelbuese, triumfùese, pajtùese, shpagùese e shêjtnùese.
Shêja e Krygjës asht aq e natyrshme për njirin saqë pothuejse në tanë popujt, në tana epókat, njerzit i janë lutë Krijuesit tuej bâ Shêjen e Krygjës.
Patriarku Jakob, n'shtratin e vdekjes, i rrethuem prej dymbëdhetë fmijve të tij, étnit e ardhshëm të dymbëdhetë fiseve të Izraelit, mbasi profetizon të ardhmen për sejcilin prej tyne, i nep bekimet hyjnore dy fmijve të Jozefit, Efraímit dhe Manasèsë, tuej u shtrí krahët n'formen e krygjës (Gjenèza, kapitulli 48). Jakobi, thotë sh'Gjoni i Damàskut, tuej kryqzue krahët për me bekue fmijtë e Jakobit ban shêjen e Krygjës ; nuk ka gjâ ma t'kjartë (Mgr Gaume, "Le signe de la Croix", 1869, p. 62) :
"Jacob, alternatis cancellatisque manibus, filios Joseph benedicens, signum crucis manifestissime scripsit." ("De Fid. orthod.", lib. IV, c. XII.)
Qysh n'kohët apostolíke, Tertuljàni konstaton kyt fakt tuej thanë se : "Beslidhja e Vjetër na rrëfen Jakobin që bekon fmijët e Jozefit, tuej shtrí krahun e djathtë mbi kryet e fmijës që ishte në t'majtë, dhe tuej vue krahun e tij t'majtë mbi kryet e fmijës që ishte në t'djathtë. Në kyt pozicjón, krahët formojshin shêjen e Krygjës dhe paralajmnóshin bekimet që do të rrjèdhshin prej Shelbuesit t'Kryqzùem." ("De Baptism.")
Në kohen e Eksódit, g'jatë luftës së hebréjve kundër fórcave të mbretit Amalèk, profeti Moisí u njit mbi malin që dominonte fushen e betejës dhe g'jatë luftës mbante krahët hapë, në formen e krygjës. Hyji tuej e pâ n'kyt pozicjón i dha fitoren hebrèjve (Eksódi 17:10 e n'vazhdim). Janë krahët e shtrimë n'formen e krygjës që kanë mujtë Amalèkun, shprehet sh'Gjoni i Damàskut ("De Fid. orthod.", lib. IV, c. XII). Mbi kyt episod, Tertuljàni shton : "Pse, n'momentin kur Josuéja përgaditet me luftue Amalèkun, profeti Moisí ban até që nuk kishte bâ ma parë dhe lutet me krahët e hàpun ? N'nji rrethanë aq deçizíve, a nuk do t'ishte kênë ma mirë për té, për me e bâ lutjen e tij mâ efikàse, me u g'jujzue, me rrahë gjoksin e me u shtrí përtokë ? Jo aspak. E pse kshtù ? Sepse lufta e Hyjit kundër Amalèkut ishte nji figurë e lùftnave të Fjalës s' mishnùeme kundër satànit dhe nji figurë e Shêjës së Krygjës nëpërmjet t'cilës Aj do të triumfónte." ("Contr. Marcion.", n. 111)
"Moisíu me krahët e shtrimë, tuej ndêjë mbi mal deri n'prendímin e díellit, i ndihmuem prej Hùrit dhe Aaronit, çka asht gjâ tjetër veçse shêja e Krygjës së gjallë ?" (Martíri filozof sh'Justíni, "Dialog. cum Tryph.", n. 666)
Në Librin e Numrave lexojmë nji pasazh kur populli hebré murmurói kundër Hyjit e Moisíut dhe si ndëshkim Zoti u çoi gjarpníj të tmerrshëm e shumë helmùes që pickuen dhe mbyten shumë prej tyne. Mbas pêndímit dhe lutjes së Moisíut, Hyji pati mshirë për tà dhe urdhnoi me bâ nji shêj kryqit permanènt dhe të dukshëm për të tanë. Kushdó që pickohej prej gjarpníjve dhe shihte shêjen e Krygjës nuk mbaronte por shërohej (Numrat 21:5-9). Kjo Shêjë e Krygjës e urdhnùeme prej vetë Zotit ishte nji figurë e Shelbùesit t'Kryqzuem, ashtù si do ta konfirmonte shèkuj ma vonë vetë Zoti jonë JEZU-KRISHTI :
"Ashtù si Moisíu çoi nalt gjarpnin n'shkretínë, ashtù duhet me u çue nalt edhe Biri i njírit, në mnyrë që kushdó që ka me besue në Até, mos të vdesë por të ketë jeten e pasósun." (sh'Gjoni 3:14-15)
Në Sakrificat e Beslidhjes së Vjetër, priftníjtë s'parit çójshin hosten nalt, simbas udhzimeve të Ligjit mozaik, mandej e kthèjshin kah Lindja dhe s'mbramit kah Prendími, tuej bâ kshtu Shêjen e Krygjës. Në kyt mnyrë, vetë Prifti i Naltë dhe priftníjtë e thjeshtë bekojshin popullin mbas ríteve të sakrificave. (Duguet, "Traité de la Croix de N.-S.", c. VIII)
Në kohen e profetit Ezekièl, krimet në Jeruzalem kishin mbrritë kulmin. Nji personazh misterjoz, rrëfen profeti, merr urdhnin prej Zotit me përshkue qytetin dhe me u shënue n'ballë shêjen "T" të tanë atyne që rënkojshin tuej i dënue mkatet e qytetit fajtor. N'krahët e ktij personàzhi misterjoz écshin gjashtë personazhe të tjerë, që mbajshin sejcili nji armë vdèkjeje, me urdhnin me shfarosë pa dallim të tanë ata që nuk do të kishin në ballë shêjen shpëtimtare "T" (Ezekièli 9:4 e n'vazhdim). E si nuk mundena me dallue në shêjen "T" nji figurë të fuqishme të Shêjës shpëtimtare të Krygjës ? Kshtu mendojnë edhe Etnit e Kishës, përfshi Tertuljànin dhe sh'Jeronímin, t'cilët msojnë se ashtù si shêja e "Tau-s" mbi ballin e qytetàrve të Jeruzalemit, që vajtojshin mbi krimet e qytetit, i mbronte ata prej engjëjve shfarosës, ashtû edhe shêja e Krygjës që njiri ban mbi ballë asht nji sigurí se aj nuk ka me kênë viktima e djallit dhe e anmíqve të tjerë të shëlbimit, n'kjoft se vajton dhe dënon sinqerisht krimet dhe mkatet që kjo Shêjë ndalon dhe dënon. (Tertull., "adv. Marcion.", lib. III, c. XXII ; S. Hier., "in Ezech.", c. X.)
Në kohen e pushtimit të Izraelit prej Filistínve, Samsóni kontribon fuqishëm për çlirimin e popullit t'vet. I forti i Izraelit mbasi rrêhet prej Dalílas, lidhet prej Filistínve, qërrohet dhe si nji bagtí e rëndomtë detyrohet me tërhjek gurin e nji mullíni, tuej u bâ objekt talljet dhe zbavitjet. Megjithaté, Samsoni mendon me u hakmarrë. Nji ditë, aj thírret në nji pallat të madh për me zbavitë atje princat e mbledhun filistínë. Samsóni i verbët, i ndihmuem prej udhërrfýesit të tij, mbrrin te vêndi midis dy kolónave mbàjtse të ndërtesës dhe, mbasi kërkon ndihmen e Hyjit t'Gjithpushtetshëm, hapë krahët, mbërthen dy kolónat dhe i shkundë me forcë ; ndërtesa rrëxohet dhe mbytë t'praníshmit, bashkë me Samsónin. "I vendosun mes dy kolònave që mbajshin ndërtesen, shpjegon sh'Agustíni, i forti i Izraelit i shtrínë krahët në formen e Krygjës. Në kyt pozicjon t'plotfuqishëm, aj i tundë kolónat që bíen dhe shtypin anmiqtë e tij ; ashtù si i Kryqzùemi i Gjithpushtetshëm, Samsóni, që asht veç figura e Tij profetizùese, vetsakrifikohet i vorrósun në triumfin e tij." ("Serm." 107, "de Temp.")
Mbreti David i dërmuem prej idhnímit, me nji djalë atvrasës, me subjèkte t'revoltùeme, me fronin që po i lëkundej dhe me pleqnínë që po i afrohej me shpejtsí, si vepron me kërkue ndíhmen prej nalt ? Monarku i frymzùem lùtet tuej bâ Shêjen e Krygjës. (Psalmi 142:6)
Mbasi Mbreti Salomón përfundoi Tèmpullin e Jeruzalemit, monument madhështor që u konsakrue dêjsisht prej monàrkut, për me tërhjekë bekímet e Qíellit mbi ndërtesen e re të Hyjit t'Izraèlit, hapë krahët në formen e Krygjës dhe lutë Zotin e Gjithpushtetshëm (3 Mbrètnit 8:22).
Nuk ishin vetëm patriàrkët, gjykàtsit, profètët dhe mbrètnit ata që njífshin dhe praktikójshin Shêjen e Krygjës, por edhe tanë populli e njífte dhe e përdorte me religjiozitèt në kohë rreziqesh.
Në Librin e Ekleziastíkut lexojmë se Senakeríbi ecte prej fitores në fitore. Pjesa ma e madhe e Palestinës ishte e pushtueme dhe kërcënohej edhe qyteti i Jeruzalemit. E si veproi ky popull, me burra, grâ e fmijë për me zmbrapsë anmikun ? Si Profeti Moisí, ata i hapen krahët në formen e Krygjës për me u lutë dhe me kërkue ndihmen qiellore. Dhe Hyji ua plotsoi lutjet. (Ecclesiasticus 48:22).
Në Librin e dytë të Makabèjve lexojmë se si Heliodórusi, legati i Mbretit t'Azisë Selèukus, me ushtarët e tij po përgaditeshin me plaçkitë thesarin e Tempullit të Jeruzalemit. Prifti i Naltë me priftnijtë e tjerë u shtríne te kambët e altàrit për me kërkue ndihmen e Hyjit dhe për me evitue sakrilegjin n'Tempull. Edhe populli mori pjesë n'kto lutje dhe, tuej i shtrí krahët në formen e krygjës, luti t'Madhin Zot për mbrojtje. Dhe me të vërtetë Hyji ndërhyni në mnyrë të mrekullueshme dhe ndaloi planet grabitçàre të Heliodórusit. (II Makab. 3:20)
- Shêja e Krygjes n' Testamentin e Ri
Mbas triùmfit të Shelbuesit t'kryqzuem, Shêja e Krygjës u ba pjesë e pandàme e jetës së Kishës Katolike dhe e besimtàrve të saj, që g'jatë tanë shekujve janë shënue, janë mbështjellë dhe kanë ecë përpara me Shêjen e Krygjës.
Shêja e Krygjës që shpreh shprèsen n'JEZU-KRISHTIN asht gjàja e parë dhe mâ e njóftuna mes nesh, thotë sh'Bazili i Madh (“De Sp.” S., c. XXVII).
Kryqi gjíndet gjithkund : te príncat e te subjèktet, te gratë e te burrat, te vírgjinat e te t'martùemit, te skllèvnit e te t'lirët, dhe të tanë e shënojnë pjesen mâ fisnike të trupit : ballin... Kurrë mos kaloni pragun e shpisë pa thanë : “I bie moh satanit dhe përqafoj JEZU-KRISHTIN” tuej bâ Shêjen e Krygjës (sh'Gjon Krizostómi,
“Quod Christus sit Deus”; et “Homil. XXI ad popul. Antioch.”).
Na duhet t'bajmë Shêjen e Krygjës në çdo akt të ditës (sh'Ambrozi, Sermoni XLIII).
Shêja e Krygjës t'bahet vazhdimisht mbi zemër, mbi gojë, mbi ballë, n'tavolínë, n'banjë, n'shtrat, tuej hî, tuej dalë, në gzime, në trishtime, t'ûlun, n'kambë, tuej folë, tuej ecë, shkurt në tana aktet tona. Ta bajmë Kryqin mbi gjoks dhe mbi tana gjymtýrët në mnyrë që tanë trupi jonë t'jetë i mbuluem prej ksaj mburojet të pathyeshme të Krishtênve (S. Gaudent. Episc. Brixien., “Trait. de lect. Évang.” ; S. Cyrill. Hier., “Catech.”, IV, n. 14; S. Ephr., “de Panoplia.”).
Për me mbrojtë Fenë e Moralin Kristjan, me Shêjen hyjnore të Krygjës, t'Krishtênët e parë përballuen sfida heroike, natyrore e mbinatyrore, që bota pagane nuk i kishte pâ ndojherë.
« Mbas vdekjes së [JÉZUSIT], nji pjesë e hebrejve përqafoi doktrinën e [Tij], por ata që ishin deklarue dishepujt e [Tij] u persekutuen aq dhunshëm saqë pagajt kujtuen se [Krishtënimi] u zhduk. Përkùndrazi, kjo Fé mori forca t'reja dhe prej Judesë ajo u përhapë në gjithë universin me nji shpejtsí befasuese.
« Nji numër i pafund personash përqafuen Fénë e [JÉZUSIT] ; ata që e predikojshin bajshin mrekullina, që pagajt ia atribójshin magjisë, ashtù si mrekullinat e JÉZUSIT, Msuesit të tyne. » (Don Bullet, « Historija e krijimit të Krishtënimit, e marrun ekskluzivisht prej autorve paganë dhe çfut », faqe 2)
« I fýjshin [t'Krishtênët] edhe n'oren e deks, tuej i mblue me lëkura shtazësh t'egra, tuej i shkye prej qêjsh, tuej i ngulë n'kryqe e tuej i djegë për me bâ dritë e zjerm naten. » ("Idem", faqe 4)
Dikujt iu pré kryet, dikujt iu shpue trupi me shtiza, dikujt iu rjep lëkura për s'gjàllit, dikujt ia thyen kócat tuej e hjedhë prej shkâmbijve, dikujt ia moren frymen tuej e gjujtë me gurë e Princin e Apostujve, Papen e parë, e mbytne t'kryqzùem me krye poshtë. E përgjígja e tyne e vetme ishte lutja hyjnore për barbarët që i persekutójshin. Bota barbare pagane u befasue prej ktij heroízmi t'pashoq dhe filloi me mendue se më t'vërtetë kjo doktrinë që po përhapshin ktà "lypcarë kâmbëzbathun" ishte diçka shumë mâ tepër sesa nji dialektíkë filozofike e trillueme prej mêndjeve njerzore.
« Kishin kalue jo mâ shumë se 30 vjet mbas vdekjes së JÉZUSIT dhe n'Romë, aq larg prej Judesë, kishte nji pafundsí dishèpujsh Kristjànë ; e çfarë dishepujsh ? Njerëz që masakroheshin për me mbrojtë doktrinën e [Tij]. Filozofíja, me tânë madhshtínë e saj, a na paraqet ndoj gjâ të ngjashme ? Ku janë martirët e saj ? » ("Idem", faqe 5)
N'kohen e persekucjonit të Dioklecjànit, rrëfen historjàni e dishmitàri okular Euzèbius, nji ditë futne n'amfiteàtër nji turmë t'Krishtênësh të dënuem me râ n'gojen e egërsínave ; spektatorët nuk mujtën me kontrollue emocjónet kur panë ata fmijë, t'rijë e t'moshuem, të zhdeshun e me sý kah Qíelli, me krahët e shtrimë n'formen e Krygjës, pa asnji lloj friget e trondíjet, n'mesin e luàjve e tígrave t'uritun. Friga që duhej me kapë viktímat, kishte kalue te spektatorët e te gjykatsit. ('' Hist. eccl.'', liv. VIII, c. V.)
Historíja e shêjtes Anjèsë, virgjën e drishtë romake 13-të vjeçare (304 A.D.), prej njênes prej familjeve mâ fisnike të Romës, asht nji prej triùmfeve ma heroíke të Kryqit të Zotit tonë JEZU-KRISHTIT.
Qysh n'moshen 10 vjeçare ajo i konsakrohet KRISHTIT dhe kur i biri i perfektit të Romës e kërkon në martesë, ajo i përgjigjet : ''Jam fejue me KRISHTIN, që engjëjt shërbejnë''. Për me u hakmarrë kundër saj, përpiqen me e dhunue me forcë por KRISHTI e mbron trupin e saj në mnyrë të mrekullueshme. Atherë e dënojnë me e djegë për s'gjallit publikisht, n'mesin e cirkut. Por shêjtja e vogël, me krahët e shtríme në formen e Krygjës dhe n'sytë e turmës që e rrethon, ecë drejt turrës së druve të ndezuna dhe hin mes flakve, që mrekullisht shpërndahen dhe fiken nën hapin e saj, por që përhapen anash dhe rrezikojnë me djegë xhelatët rreth e rrotull.
« A e shifni, thotë Doktori i Kishës sh'Ambrozi, si i hapë krahët kah KRISHTI e biles deri n'mesin e flakve çon nalt flamurin triumfues të Hyjit ? Me krahët e shtrime mes flakve, ajo i ban kyt lutje Hyjit : ''O Ju që duhet me adhurue, me nderue e me druejtë, ATË i Gjithpushtetshëm i Zotit tonë JEZU-KRISHTIT, po Ju bekoj sepse prej hirit të Birit Tuej të vetëm, i pshtova duerve të njerzve pervèrsë dhe i kalova pa njollë flliqsínat e djallit. E për ma tepër, nën vesen e SHPIRTIT-SHEJT po fiket zjermi që m'rrethon ; flakët po ndahen dhe zjermi i turrës teme po kërcnon ata që e kanë ndezë. (Lib. I, ''de Virgin.'')
Ah... ! Çfarë herojsh e trimash kanë kênë t'Krishtênet e parë!... Zêlli i tyne për Fenë e KRISHTIT shkonte deri aty se edhe vajza t'reja, fmijë e pleq vrapójshin me dishírë e biles me gzim me u martirizùe dhe me dishmùe se JEZU-KRISHTI âsht Zot e Mbret. Bâmat e tyne t'kallxùeme prej Euzèbit, Teodorètit, sh'Irenèut, Tertuljànit, Sokràtit, Sozomènit, Evagrèut, historjànit të njoftun hebré, Jozèfit, e historjànve të tjerë hebrejë e paganë kanë udhtue shekujt e historísë për me ngallnjue me admirim e frymzim gjeneràta mbas gjeneràtash.
"Ἐν τούτῳ νίκα". "In hoc signo vinces". "Me kyt shêjë ke me triumfúe". Simbas historjànit të hershëm të Kishës, Ipeshkvit Euzèbius të Çezarèsë, kto ishin fjalët misterjóze që Perandóri pagan Konstantin pâ të shkrueme n'Qiell, bashkë me nji Kryq dritet mbi diell, para betejës kundër forcave të Liçíniusit. N'fillim Perandori nuk e kuptoi domethan'jen e ksaj shêje, por mbramjen e nesërme, vazhdon rrëfimin historjani Euzèbius, JEZU-KRISHTI iu duk Konstantinit në andërr dhe i shpjegoi se duhej të përdorte Shêjen e Krygjës kundër anmiqve të tij.
Kjo shêjë hyjnore tronditi dhe transformoi jeten e Konstantinit, e bashkë me té, tanë Perandorínë Romake pagane.
Me Shêjen hyjnore të Krygjës, Konstantíni triumfoi kundër anmiqve të tij dhe kundër vedit, tuej u bâ i Krishtênë dhe tuej kristjanizue tanë Perandorinë Romake. Kryqi i KRISHTIT triumfoi kundër paganizmit, idolatrisë dhe barbarisë, tuej konvertue e shêjtnue gjithçka që i delte përpara.
Me shêjen hyjnore të Krygjës, t'bàme me nji Fé t'gjallë, me nji Shpresë t'patundun dhe me nji Dashtní t'zjarrtë, shêjtnit e panumërt të Kishës Shêjte Katolike pastruen leprozët, ndriçuen t'verbuemit, drejtuen t'paralizùemit, shpórren djajtë, njàllen të dèkunit, kpùten zinxhírët, thyen kupat e helmit, coptuen idhujt, shndrrùne matèrjen, lëvizen malet, hàpen ujnat, shpërndane flakët, sundùen natyren, transformuen kombet, civilizuen popujt, shêjtnuen shpirtnat dhe i dhanë lavdí të madhe Hyjit të Gjithpushtetshëm.
Simboli shêjt i Krishtënímit ndriçoi dhe nderoi, brez mbas brezit, bàllet dhe gjokset e Papve, Etënve e Doktorëve të Kishes, múrgjnit e murgéshat, vírgjinat, mbrétnit e mbretnéshat, príncat e princéshat, gjeneralët, kryqtarët, kalórsit e ushtarët ; Mbretníja e Krygjes së JEZU-KRISHTIT ndriçoi katedràlet, bazilíkat, kishat e panumërta, kuvêndet e shkretínat e Egjiptit, të Afríkës, të Ameríkës, të Azísë e t'Arabísë, ku dora e misjonàrve t'palodhun e mbajti nâlt, si pishtar ndriçúes, për me largue têrrin e idolatrisë e t'paganízmit dhe për me çue driten e shëlbimit, të civilizimit dhe të përparimit ; Kryqi shêjt ndriçoi oborret mbretnore e shpitë e thjeshta, anët e rrugve, kodrat e malet, shkollat e universitétet, spitalet e fjetóret, burgjet e kazérmat ushtarake, fushat e betéjave dhe skuadrat e pushkatimit, ku ushtaret e KRISHTIT Zot thrrítshin : "Rrnoftë KRISHTI Mbret !"
- Shêja e Krygjes te pagajt
Nuk ishte vetëm populli çifut, qysh prej antikitètit të lashtë dhe brezat e tana Katolike, ata që e përdoren me devocjon Shêjen hyjnore të Krygjës. Edhe pagajt e kanë përdorë kyt shêjë misterióze, tuej e njoftë, deri diku, fuqinë e sajë mbinatyrore. Por si ka mundsí që edhe pagajt e pafé t'kenë veprue n'kyt mnyrë ? Nuk duhet t'harrojmë se njerzve të parë iu dhà nji Revelacjon apo Zbulim hyjnor i përbashkët ; me kalimin e shekujve, ky revelacjon primitiv u ruejt i pakorruptuem te nji linjë apo gjeneracjon i caktuem njerzish, pra te nji pjesë e popullit dikur të zg'jedhun hebré, ashtu siç e rrëfen për shembull sh'Lukë Evangjelisti n'Unjillin shêjt (3:23-38), gjeneracjon që i ka rrâjët te Adàmi, Séthi, Henóku, Abrahàmi, Izàku, Jakóbi, etj., kurse te popujt e tjerë, si prej dobsisë e mkateve të njerzve ashtu edhe prej influencës diabolike, ky revelacjon primitiv përgjithsisht u korruptue, megjithse kombe të ndryshme ruejtën dhe trashiguen, dikund ma shumë e dikund ma pak, ndonji element të ktij Revelacjoni hyjnor, tuej përfshî edhe shêja e Kryqit.
N'shekullin e artë të g'juhës latine, etimologjíja e fjala “adorare” nënkuptonte puthjen e dorës “manum ad os admovere”. Kjo ishte mnyra se si pagajt nderojshin “zotat” e tyne apo ídhujt.
“Kur na adhurojmë, thote Plini, na afrojmë doren e djathtë te goja dhe e puthim, e mandej rrotullóhena në vend.” (“Hist. Nat., 1. XXVIII). Tuej u rrotullue n'vend, pagajt imitojshin lëvizjen e hyjeve dhe i bajshin homazhe “hyjnisë” për boten mbarë, prej t'cilës hyjet janë elementat ma fisnikë. Kjo mnyrë “adhurimit” i përket sabeízmit apo idhujtarísë së hyjeve që e ka origjinën n'antikitetin ma t'lashtë. Prej pitagorjànve, kjo praktikë u përkrah prej Nùmas i cili urdhnoi rrotullimin : “Circumagi tecum deos adoras”. “Thuhet se kjo praktikë, shton Plutarku, përfaqson rrotullimin që ban qielli me lëvizjen e tij.” (“Vie de Numa”, ch. XII). Kjo praktikë ishte shumë e përhapun n'Amerikë para zbulimit të saj dhe ajo përdoret prapë prej dervíshve rrotullues n'Lindje. Dervishët janë “asketë” të urdhnave të ndryshëm, të ndamë simbas sèkteve të ndryshme diabolik të islamit.
Pagàjt e bàjshin kyt shêj me nderue djallin, që asht krimi suprem.
« Kur pashë diellin tuej ndriçue me tanë forcen e tij, dhe hanen t'rrethueme me dritë tuej u afrue, zemra jeme a asht gzue n'mshehtsí, e a kam puthë ndojherë doren ? Sepse ky gjest asht krimi ma i madh dhe mohimi i Hyjit t'Gjithpushtetshëm. » (Libri i Jobit, 31:27).
« Dhe kam ruejtë për Vèdi n'Izrael shtatmijë burra që nuk kanë përkulë g'junin para Baalit dhe tana gojët që nuk e kanë adhurue tuej puthë duert. » (3 Mbretënve 19:18).
Por ku qëndron lidhja mes puthjes së dorës, që pagajt e përdorshin me adhurue idhujt e tyne, dhe Shêjës së Kryqit ?
Po ta shofim mâ afër kyt shêjë misterioze, vërejmë se pagàjt e kalojshin gishtin e madh të dorës së djathtë nën gishtin tregues dhe e vêjshin (vendosnin) mbi gishtin e mesit, tuej formue kshtû shêjen e Krygjës, mandej e puthshin kyt kryq, tuej murmurue ndonji fjalë në nder të idhujve të tyne (“Asin., Aur.”, lib. IV). Si përmenda ma nalt, megjithse Revelacjoni primitiv ishte korruptue te kto kombe pagane, aj nuk ishte hupë krejtsisht dhe elementa shêjte të ktij Revelacjoni t'hershëm, siç ishte Shêja hyjnore e Krygjës, përdoreshin në mnyrë t'gabueme për qëllime blasfemuese e sakrilegje te popujt paganë. Ky Revelacjon fillestar, n'kohen e ardhjes së Mesisë, ishte korruptue edhe te nji pjesë e madhe e vetë kombit hebré, i cili për arsye të mkateve të tija nuk e njohu Mesinë kur erdhi n'mesin e tyne, megjithse gjurmët e Ardhjes së Tij gjindeshin kudo n'profecitë e Shkrimeve-Shejte.
T'shofim edhe ndonji shembull tjetër se si pagajt bajshin Shêjen e Krygjës.
Gjeneralët pagaj romakë, përpara se me sulmue nji qytet t'rrethuem, thirrshin s'parit “zotat” e atij qyteti, tuej i shtrí krahët në formen e Krygjës. (“Satur.”, lib. III, c. II).
Historjani romak pagan Titus Livius shkruante : “Në g'juj, ato ngrejshin duert lutse drejt qiellit dhe drejt zótave.” (“Antiquit.”, lib. IV).
Dhe Virgjíli : “Anchises në breg, me krahët e shtrime, thrret zótat e mëdhej.” (“Æneid.”, lib. III.).
Shkrimtari dhe filozofi neo-platonician i shekullit të dytë mbas KRISHTIT, Lucius Apuleius, shpjegon se kjo mnyrë t'lùtunit nuk ishte nji gjâ e veçantë : “Zakoni i atyne që luten asht me ngritë duert drejt qiellit”. (“Lib. De Mundo”; nga fundi).
« N'kjoft se deka me vjen papritun, thote Arien, do t'ishte e mjaftueshme për mue me çue duert kah qiella. » (“In Epictet.”, lib. IV, c. X.)
Egjiptjanët e hershëm paganë e vêjshin edhe ata kryqin në tempujt e tyne, tuej e shpjegue kyt shêjë si lajmruesin e nji lumníje të ardhshme. Në kohen e Theodosit, historjanët grekë Sokrati dhe Sozomèni raportojnë se mbas shkatrrimit të tempujve të zotave të rrême, siç ishte aj i Serapísit, gurët e rrëxuem kishin të gdhendun shêja hieroglífe në formen e kryqit. Neofitët egjyptjanë konfirmojshin se kto shêja përfaqsojshin kryqin, shêjë e jetës së ardhshme. (“Sozom.”, l. V, c. XVII; Id., lib. VII, c. XV.).
Në Romën pagane të dikurshme, në mesin e “forum olitorium”-it, ku deri vonë shiheshin rrënojat e teatrit të Marcelus-it, ngrihej statùja publike e nji hyjníje të rrêmë : “Pietas publica”. Ajo ishte në kambë, me krahët hapë në formen e Krygjës, ashtu si profeti Moisí mbi mal apo si t'Krishtênët e parë në katakombe. Në t'majtë të saj gjindej nji altar, ku digjej tamjan, simbol i lutjes. (Gretzer, “De Cruce”, p. 33; Forcellini, art. “Pietas”, etc.)
Edhe n'Kinen e lashtë, nji perandor kinez, Hien-Yuen, për me nderue t'Gjithpushtetshmin, bashkonte du shkopij, njênin vertikal e tjetrin horizontal, në formen e Krygjës. (“Discours prélim. du Chou-King”, par le P. Prémare, ch. IX, p. XCII.)
Prej shtatë mnyrave me bâ shêjen e Krygjës, pagajt dijshin trî, dhe i praktikojshin me rigorozitet, sidomos në raste të veçanta.
Shêja e Krygjës asht pra nji thesar që na pasunon dhe shêjtnon. Për me u pasunue duhet që njiri t'i kërkojë Hyjit dhe Hyji të plotsojë dishiren e njirit. Por që Hyji të plotsojë dishiren lypet që njiri të jetë i pranueshëm (i kandshëm) para Zotit, dhe Zoti pranon vetëm Birin e Tij hyjnuer dhe ata që i përg'jajnë. Ata që urrejnë apo përbuzin Shêjen hyjnore të Krygjës nuk udhëhjeken prej Zotit, por janë nën influencen e djallit.
Mbas fitores të Perandorit Konstantin, në sajë të vizjonit të Krygjës që iu duk në ajër, nana e tij, shêjtja Helena, shkoi në Jeruzalem për me gjetë Krygjen e vërtetë mbi t'cilen kishte vuejtë dhe konsumue Pasjonin shelbues Zoti jonë JEZU-KRISHTI. Në fillim të shekullit të II-të, Adriani kishte gjetë Kalvarin dhe Vorrin Shêjt nën nji terracë 100 metra të g'jatë, mbi t'cilen kishin ndërtue nji statujë t'Jupiterit dhe nji tempull Venusit. Perandorja Helena i rrafshoi përdhé kto monumente pagane dhe tuej gërmue token gjeti gozhdët e Kryqzimit dhe trofeun e lavdishëm që na ka prue “jeten, shelbimin dhe rinjalljen” (Galatve 6:14). Shërimi i nji grueje shërbeu me njoftë Krygjen e vërtetë. Sh'Helena e ndau në tre pjesë kyt trofe të çmueshëm, “që denjoi me mbajtë Mbretin e Qiellit” (Psalmi 95:10) : nji pjesë u vendos në Romë, në Kishen e quejtun “Krygja Shejte në Jeruzalem”, pjesa e dytë u vendos në Konstantinopojë dhe e treta në Jeruzalem. Kjo e fundit kjé grabitë prej Persianve dhe mandej u rimor prej Perandorit Heraklius, i cili e çoi zyrtarisht me proçesjon në Jeruzalem me 3 Maj 628, e qysh prej atherë kjo ditë festohet në Kalendarin liturgjik romak si Festa e Gjetjes së Shêjtes Krygje. I ngarkuem me veshja të arta e me gurë të çmueshëm, perandori kur iu afrue dyerve të qytetit nuk mujti me vazhdue përpara sepse nji forcë e padukshme e pengonte me avancue. Mbas kshillës së Zakarisë, ipeshkvit të Jeruzalimit, perandori hodhi mbi shpatulla nji mantel të vorfën e t'zakonshëm, n'imitim të vorfnisë dhe përvujtnisë së JEZU-KRISHTIT, dhe mrekullisht mujti me vazhdue proçesjonin lehtsisht. (Dom Lefebvre, “Missel quotidien et vespéral”, 1936)
« Rupert thotë se ATI Qiellor i propozoi Birit të Tij, në momentin e Mishnimit, alternativen me shelbue boten nëpërmjet qejfeve apo nëpërmjet mundimeve, nëpërmjet ndereve apo nëpërmjet përbuzjeve, nëpërmjet pasunive apo nëpërmjet vorfnisë, nëpërmjet jetës apo nëpërmjet vdekjes, në mnyrë që Shelbuesi, po të kishte dashtë, do të kishte mujtë me anen e gzimeve, qejfeve, ndereve e pasunive me shelbue njerzit dhe me i marrë me Vedi në Parriz. Por JEZU-KRISHTI zgjodhi vuejtjet dhe Krygjen për me i dhanë ATIT Qiellor ma shumë lavdi dhe për me i diftue njerzve nji dishmi të nji dashtnije ma të madhe, [Dashtninë e pafundme hyjnore që Hyji ka për njirin]. » (Saint Louis-Grignion MARIE de Montfort, “Amour de la Sagesse Eternelle”)
Të rigjejmë pra edhe nà krygjen tonë që Hyji na e ka destinue qysh kur kena lindë n'kyt botë, krygje që ndoshta e kena mshehë në ndonji syrtar, që ndoshta e kena tretë, që ndoshta kena turp me e vue n'gjoks se mos skandalizohet kojshija i pafé, krygje që përpiqena ndoshta me tana mnyrat me e largue prej nesh sepse nuk dona me vuejtë. Në fakt, asht e natyrshme mos me e dashtë vuejtjen, por asht e mbinatyrshme, prej hirit të Zotit, me e pranue até me nënshtrim, durim e biles me gzim për me imitue Shelbuesin tonë, për me bashkue krygjet tona të përditshme me Krygjen dhe Pasjonin e JEZU-KRISHTIT, për me plotsue çka mungon prej Pasjonit të Shelbuesit të njerzimit, dhe për me i ofrue ato ATIT Qielluer për ma t'madhen lavdi të HYJIT, të Virgjinës MARI dhe për shelbimin e shêjtnimin e shpirtnave. T'a kena pra Krygjen Shêjte gjithmonë n'zemër, e n'ballë dhe t'a mbajmë gjithmonë para syve, tuej kujtue se nuk ka rrugë tjetër drejt Parrizit dhe Lumnisë së përjetshme përveç Rrugës mbretnore të Krygjës.
Zoti jonë JEZU-KRISHTI ka shelbue shpirtnat me anen e vuejtjeve, prandaj edhe të tanë ato që aspirojnë Qiellin mos të harrojnë se vetëm me anen e vuejtjeve munden me shelbue shpirtin e vet dhe shpirtnat e mkatnorve të tjerë. Ata që mendojnë se ka nji rrugë tjetër, mjerisht ata janë nën iluzjonin e djallit.
« A dishroni me i ofrue Hyjit sakrifica dhe me pranue tana vuejtjet që ka me ju çue, në riparim të mkateve të shumta që fyejnë Madhshtinë e Tij Hyjnore dhe në riparim të blasfemave kundër Zemrës së Papërlyeme të Virgjinës MARI ? Hiri i Zotit ka me ju mbështetë. » (Prej fjalve të Virgjinës MARI drejtue 3 fmijve në Fatima, në Aparicjonin e aprovuem të 13 Majit 1917)
N'Êmen t'ATIT e të BIRIT e të SHPIRTIT-SHÊJT. Ashtû kjoftë !