mercoledì, aprile 15, 2015


"Aj qe ka me M'mohue para njerzve, 

ka me u mohue prej Mejet para Atit Tem qe asht ne Qiell." (sh'Mat. 10:33)




Apostati Bergoglio, mes shefave te tij te vertete, nuk shfaq asnji shej identifikues t'Krishtene dhe dishmon publikisht, per te saten heren, mohimin e tij te Fese shejte Katolike.

A mundet Papa, Perfaqsuesi i Zotit tone JEZU-KRISHTIT, me u sjelle ne kyt mnyre dhe me mshehe simbolet katolike para te pafeve e hebrejve apostate ? Jo, Perfaqsuesi i KRISHTIT ZOT mbi toke nuk mundet me mohue publikisht Fene shejte Katolike.
Shelbuesi i ka premue themelit të Kishës së Tij mbi tokë, sh'Pjetrit dhe pasuesve të tij, se Feja e tyne katolike nuk ka me u mungue kurrë :

« Por jam lutë për ty që Féja jote mos të dështojë kurrë. » (sh'Luka 22:32)

« Kushti i parë për shelbim asht ruejtja e Fesë Katolike dhe mosdevijmi, për asnji arsye, prej dekreteve të Etënve. Në fakt, nuk mundet me u neglizhue fjala e Zotit tonë JEZU-KRISHTIT që thotë : "Ti je Pjetër, Shkamb, dhe mbi kyt shkamb kam me ndërtue Kishen Teme." (Sh'Mateu 16:18). Ky afirmim verifikohet me fakte sepse Besimi Katolik âsht ruejtë gjithmonë pa njollë në Selinë-Apostolike... » (Prej Profesjonit të Fesë Katolike të Papës shën Hormidas, vjeti 517)

« Kisha Katolike Romake, si nji institucjon hyjnor, duhet me diftue kujdesin mâ të madh me ruejtë të paprekun dhe të pacënuem depoziten e Fesë Hyjnore; ajo duhet me mbikqyrë pa pushim, me tana forcat e saja, shelbimin e shpirtnave dhe duhet me pasë shumë kujdes me largue ose eliminue gjithshka që mundet me kenë kundër Fesë dhe që mundet me vue në rrezik, me çfarëdolloj mnyret, shelbimin e shpirtnave. » (Papa Piu IX, prej letrës dërgue arqipeshkvit të Mynihut dhe Frajzingut, vjeti 1862)

« 105. - Çfarë âsht Kisha ? 
» - Kisha âsht shoqníja e Krishtênve të vërtetë, pra e të pagzuemve, që besojnë Fenë dhe doktrinën e JEZU-KRISHTIT, që marrin pjesë në Sakramêndet e Kishës dhe që i binden Barijve të caktuem prej JEZU-KRISHTIT. 

» 106. - Prej kujt âsht temelue Kisha ? 
» - Kisha âsht temelue prej JEZU-KRISHTIT, i Cilli bashkoi besimtarët e saj në Nji shoqní, ia nënshtroi kyt shoqní Apóstujve, me sh'Pjetrin si shefin e tyne, dhe i dha Sakrificen e Meshës, Sakramêndet dhe SHPIRTIN-SHEJT që e mban gjallë.

» 107. - Cilla âsht Kisha e JEZU-KRISHTIT ?
» - Kisha e JEZU-KRISHTIT âsht Kisha Katolike Romake, sepse vetëm kjo Kishë âsht Nji, Shêjte, Katolike dhe Apostolike, ashtû si vetë JEZU-KRISHTI e ka dishirue.

» 108. - Pse thoni se Kisha âsht Nji ?
» - Kisha âsht Nji sepse të tanë pjestarët e saj, të cillët s'bashkut formojnë nji trup të vetëm, Trupin Mistik të JEZU-KRISHTIT, kanë pasë [në të kaluemen] dhe kanë me pasë [do të kenë në të ardhmen] gjithmonë të njêjten Fé Katolike, të njêjten Sakrificë të Meshës Shêjte, të njêjtat Sakramênde dhe të njêjtin Shef të dukshëm, Pontifin Romak, Pasardhsin e sh'Pjetrit.

» 109. - Pse thoni se Kisha âsht shêjte ?
» - Kisha âsht shêjte sepse JEZU-KRISHTI âsht shêjt, Shefi i saj i padukshëm dhe SHPIRTI që e gjallnon; sepse në kyt Kishë Sakrifica e Meshës, Sakramêndet dhe Doktrina Katolike janë të shêjta; sepse të tanë pjestarët e saj janë të thirrun me u shêjtnue dhe, realisht, shumë prej tyne janë kênë shêjtën dhe kanë me kênë shêjtën. 

» 110. - Pse thoni se Kisha âsht Katolike ? 
» - Kisha âsht Katolike ose Universale sepse ajo âsht temelue për tanë njerzit, i âsht adaptue të tanve dhe âsht e përhapun në krejt globin. 

» 111. - Pse thoni se Kisha âsht Apostolike ? 
» - Kisha âsht Apostolike sepse ajo âsht temelue mbi Apostujt dhe mbi predikimet e tyne; ajo drejtohet prej pasardhsve të tyne, Barinjve të ligjshëm që, pa ndërpremje dhe pa ndryshime, vazhdojnë me transmetue doktrinën dhe pushtetin.

» 112. - Cillët janë Barinjtë e ligjshëm të Kishës ? 
» - Barinjtë e ligjshëm të Kishës janë Papa ose Pontifi mâ i naltë dhe Ipeshkvijtë në bashkim me té. 

» 113. - Kush âsht Papa ? 
» - Papa âsht pasardhsi i sh'Pjetrit mbi Selinë e Romës dhe në Primatin e tij, që don me thanë, në apostolatin dhe episkopatin universal. Papa, pra, âsht Shefi i dukshëm i tanë Kishës, e cilla për kyt arsye quhet Katolike Romake, dhe Vikeri [Përfaqsuesi] i JEZU-KRISHTIT, i Cilli âsht Shefi i padukshëm i saj.

» 114. - Çfarë formojnë Papa dhe ipeshkvijtë e bashkuem me té ? 
» - Papa dhe ipeshkvijtë e bashkuem me té formojnë Kishen msimdhanse, e cilla quhet kshtû sepse ka marrë prej JEZU-KRISHTIT misjonin me i msue të vërtetat dhe ligjet hyjnore tanë njerzve, të cillët marrin vetëm prej ksaj Kishe njohjen e plotë, të sigurtë dhe të nevojshme për me jetue nji jetë të Krishtênë.

» 115. - Kisha msimdhanse a mundet me gabue në msimin e të vërtetave të zbulueme prej Zotit ? 
» - Kisha msimdhanse nuk mundet me gabue në msimin e të vërtetave të zbulueme prej Zotit; ajo âsht e pagabueshme sepse, simbas premtimit të JEZU-KRISHTIT, "SHPIRTI i së vërtetës" e asiston vazhdimisht. (sh'Gjoni 15:26)

» 116. - Papa a mundet me gabue kur mson, aj vetë, të vërtetat e zbulueme prej Zotit ? 
» - Papa nuk mundet me gabue kur mson, aj vetë, të vërtetat e zbulueme prej Zotit; aj âsht i pagabueshëm, si Kisha, kur, si Barí dhe Msues i tanë të Krishtênve, përcakton doktrinat që lidhen me Fenë ose moralin. 

» 117. - Jashtë Kishës Katolike Romake, a mundet nji kishë tjetër me kênë Kisha e JEZU-KRISHTIT ose, s'pakut, me kênë pjesë e saj ? 
» - Jashtë Kishës Katolike Romake, asnji kishë nuk mundet me kênë Kisha e JEZU-KRISHTIT ose me kênë pjesë e saj, sepse asnji kishë tjetër nuk mundet me pasë në të njêjten kohë, si Kisha Katolike, elementet dalluese që karakterizojnë Kishen e vërtetë e që janë uniteti, shêjtnija, katoliciteti dhe apostoliciteti. Në fakt, asnji prej kishave, t'ashtuquejtuna kristjane, nuk i ka kto elemente dalluese. 

» 118. Pse ka temelue JEZU-KRISHTI Kishen ? 
» - JEZU-KRISHTI ka temelue Kishen në mnyrë që njerzit të gjejnë në té nji udhërrfyes të sigurtë dhe mjetet për me mbrritë shêjtninë dhe pshtimin [shelbimin] e përjetshëm. 

» 119. - Cillat janë mjetet e shêjtnimit dhe të shelbimit të përjetshëm që gjinden në Kishë ? 
» - Mjetet e shêjtnimit dhe të shelbimit të përjetshëm që gjinden në Kishë janë Feja e vërtetë, Sakrifica e Meshës, Sakramêndet dhe ndihma shpirtnuere reciproke, si për shembull, lutja, kshilla dhe shembulli i mirë. 

» 120. - Mjetet e shêjtnimit dhe të shelbimit a janë të përbashkta për tanë njerzit ? 
» - Mjetet e shêjtnimit dhe të shelbimit janë të përbashkta për tanë njerzit që i perkasin Kishës, pra, besimtarve katolikë, të cillët, në shkrimet apostolike, quhen shêjtën; komunjóni apo pjesmarrja e tyne në kto mjete shêjtnimit âsht, qysh prej atij momenti, nji komunjon shêjtnish në gjana të shêjta. 

» 122. - Çfarë nënkupton komunjoni i shêjtnënve ? 
» - Komunjóni i shêjtënve nënkupton që të tanë besimtarët katolikë, që formojnë nji trup të vetëm në JEZU-KRISHTIN, përfitojnë prej tanë të mirave që gjinden ose që bahen në kyt trup, që asht Kisha Katolike [Universale], përjashtue rastet kur dishira drejt mkatit bahet pengesë për kyt komunjon. 

» 124. - Kush âsht jashtë komunjonit të shêjtënve ? 
» - Aj që âsht jashtë komunjonit të shêjtënve âsht jashtë Kishës, si për shembull, të mallkuemit, të pafetë, çifutnit, heretikët, apostatët, shizmatikët dhe të çkishnuemit. 

» 125. - Çfarë janë të pafetë ?
» - Të pafetë janë të papagzuemit që nuk besojnë në asnji mnyrë në Shelbuesin e premtuem, pra në Mesinë ose në KRISHTIN; të pafé janë, për shembull, adhuruesit e idhujve dhe muhamedanët.

» 126.  - Çfarë janë çifutët ? 
» - Çifutët janë të papagzuemit që besojnë në ligjin e Moizit dhe nuk besojnë se JEZU-KRISHTI âsht Mesija ose KRISHTI i premtuem. 

» 127. - Çfarë janë heretikët ? 
» - Heretikët janë të pagzuemit që, në kryefortsinë e tyne, nuk besojnë ndonji të vërtetë të zbulueme prej Zotit dhe të msueme prej Kishës Katolike; heretikë, për shembull, janë protestantët.  


» 128. - Çfarë janë apostatët ? 
» Apostatët janë të pagzuemit që mohojnë, nëpërmjet nji akti të jashtëm, Fenë Katolike, në të cillen ata kishin besue deri atherë. 

» 129. - Çfarë janë shizmatikët ? 
» - Shizmatikët janë të pagzuemit që refuzojnë me kryefortsí me iu nënshtrue meshtarve legjitimë, dhe janë, pra, të ndamë prej Kishës Katolike, edhe n'kjoft se nuk mohojnë asnji të vërtetë fejet. 

» 130. - Çfarë janë të çkishnuemit ? 
» - Të çkishnuemit janë të pagzuemit e përjashtuem, për gabime shumë të randa, prej komunjonit të Kishës, në mnyrë që ata mos të korruptojnë të tjerët dhe në mnyrë që të dënohen dhe të korrigjohen me anën e ksaj ndihme ekstreme.

» 131. - A âsht dam i madh me kênë jashtë Kishës ? 
» - Me kênë jashtë Kishës âsht nji dam shumë i madh, sepse jashtë Kishës nuk gjinden as mjetet e shêjtnimit e as udhërrfyesi i sigurtë me mbrritë në shelbimin e përjetshëm që, për njirin, me të vërtetë âsht gjâja e vetme e nevojshme.

» 132. - Aj që âsht jashtë Kishës a mundet me u pshtue ?
» - Aj që âsht jashtë Kishës për fajin e vet dhe vdes pa pêndesen perfekte nuk pshtohet, por aj që gjindet jashtë Kishës pa fajin e vet dhe jeton nji jetë të mirë mundet me u pshtue nëpërmjet dashtnisë për Hyjin, që të lidh me Zotin, dhe që të bashkon, gjithashtu, në anen shpirtnore, me Shpirtin e Kishës. » (Prej Katekizmit te Papes sh'Piu X)


« Tanë "zotat" e kombeve jokatolike janë djaj, sepse Hyji krijoi Qiejt. » (Psalmi 95:5)

« Nji Zot, Nji Fé, Nji Pagzim. » (sh'Pali drejtue Efezianve 4:5)

Doktori engjëllor, sh'Tom Akuinati, në komentet e tija mbi tana letrat e sh'Palit, s'bashkut me Doktrinen unanime të Kishës shejte Katolike, përfshi ktu tàna Konçilet Ekumenike e shkrimet e Etënve e Doktorve të Kishës Katolike, g'jatë tàna kohnave, mson se ka vetëm nji Zot të vërtetë : e Shejtnueshmja TRINI, ka vetëm nji Fé të vërtetë hyjnore : Féja Katolike, dhe ka vetëm nji Pagzim : Pagzimi në Kishen Katolike, jashtë të cillës Kishë nuk mundet me u arritë shëlbimi. (Volumi 4, faqet 152-156)

"Mos u merrni me ta : jane t'verbuem dhe lidera te t'verbuemve. Dhe kur i verbuemi drejton t'verbuemin, te dy bijne ne grope." (Sh'Mateu 15:14)