mercoledì, aprile 15, 2015

Apostulli dhe Martiri i Bashkimit Katolik





Shën Jozafat Kuncewicz, bashkohës i sh'Françeskut të Salës dhe i sh'Vinçentit të Palit, mund t'ishte konsiderue si nji murg grek i shekullit të 11-të apo si nji heremit i Tebaides. Larg kulturës intelektuale të Perëndimit, aj njohu vetëm librat liturgjikë dhe tekstet e shejta të përdoruna në kishen e tij; si meshtar, si arkimandrit, si reformues i Udhnit të shën Bazilit dhe s'fundmi, si arqipeshkëv, sh'Jozafati luftoi tanë jeten e tij kundër pasojave shkatrrimtare të shizmës së Fotius-it, tuej punue pa pushim, me rezultate t'admirueshme, për futjen e shizmatikve greko-rus në Kishen e vetme hyjnore të KRISHTIT Zot, Kishen shejte Katolike, dhe e mbylli jeten e tij heroike me palmen e martirit. 

Me prejardhje prej Vladimirit, në Volhiní, afër Rusisë së sotme, kur ishte fmi, ndërkohë që ndig'jonte nanen e tij tuej i lexue Pasjonin e KRISHTIT, nji shigjetë doli prej ikonës shejte të JEZUSIT të Kryqzuem, tuej e plagos até në zemër, me nji plagë dashtnijet hyjnore. I ndezun flakë për dashtni për Zotin, sh'Jozafati filloi me iu kushtue lutjes dhe veprave të tjera të devoçme me aq zell, saqë u ba admirimi dhe modeli i shokve të tij ma të rritun. Në moshen 20 vjeçare, aj u ba murg i Urdhnit të shën Bazilit dhe bani përparime të mrekullueshme në perfekcjonin Kristjan; aj ecte kambzbathun, edhe g'jatë dimnave ma të ashpër, nuk hante kurrë mish, pinte vênë vetëm kur e detyronte bindja monastike dhe mbajti nji kmishe qimesh, si pendesë, deri në vdekje. Aj e ruejti përgjithmonë virgjinitetin, që ia kishte kushtue Virgjinës së Papërlyeme qysh në fmijní; shpejt, sh'Jozafati u ba i njoftun për virtytet dhe dijen e tij dhe pavarsisht moshës së re u zg'jodh superior i Manastirit të Bítenit. Mbas pak kohësh, aj u ba arkimandrit i Vilnës, detyrë fetare në Kishen bizantine, dhe ma vonë, megjithe refuzimet e tija, sh'Jozafati u emnue Arqipeshkëv i Polokut. 

Megjithë postin e tij, shejti nuk relaksoi aspak jeten e tij të ashpër monastike dhe kishte përzemër, ma shumë se gjithshka, Shërbimin hyjnor dhe shelbimin e shpirtnave. Aj mbrojti me guxim Fenë Katolike e bashkimin, dhe punoi me nji energji mbinjerzore për kthimin e shizmatikve greko-rus në bashkim me Selinë e sh'Pjetrit. Aj nuk pushoi së mbrojtuni Pontifin Romak dhe fuqinë e tij supreme, si me anen e predikimeve ashtu edhe me anen e shkrimeve të mbushuna me devocjon dhe dije kundër shpifjeve mâ të paturpshme dhe gabimeve të t'kqijve. Sh'Jozafati rivendosi të drejtat ipeshkvnore dhe restauroi të mirat kishtare që kjenë grabitë prej laikve. I pabesueshëm kjé numri i heretikve që hynë në gjinin e Kishës Katolike dhe vetë fjalët e Papve dishmojnë se me sa zell punoi sh'Jozafati për bashkimin e kishave greke me ato latine. Të tana të ardhunat e tija shpenzoheshin për dekorimin e Shpisë së Zotit, për ndërtimin e manastireve për virgjinat e konsakrueme Zotit dhe për vepra të tjera të devoçme. Aj ishte aq bujar për të vorfnit saqë nji herë, kur nuk kishte me i dhanë asnjisend nji të veje, la peng omoforjonin, nji pjesë e veshjes së tij ipeshkvnore. 

Sukseset e mëdhaja në Fenë Katolike, rriten urrejtjen dhe xhelozinë e anmiqve të tij shizmatikë, të cillët vendosen me e mbytë. Vetë sh'Jozafati e parashikoi vdekjen e tij dhe ua tha besimtarve në nji predikim. G'jatë vizitës së tij pastorale në Vitebsk, vrasësit sulmuen shpinë ku rrinte shêjti dhe filluen me rrahë e plagos cillindo që u delte përpara. Sh'Jozafati, i pa dhe u doli përpara tue u thanë me butsi : Fmijtë e mij, pse po i bini sherbtorve të mij ? N'kjoft se keni ndonji ankesë kundër mejet, qé ku jam. 

Me t'ndig'juem kto fjalë, vrasësit iu sulen shejtit, tuej e rrahë me grushta, tuej e therë me shtiza dhe mbasi konsumuen martirizimin e tij me nji spatë, e hodhen trupin e shejtit në lum. Kjo masakër ndodhi me 12 Nandor 1623, në moshen e tij 43 vjeçare. 

Në sajë të nji drite të mbinatyrshme që rrethonte trupin e shêjtit, u ba e mujtun nxjerrja e tij prej ujit. Gjaku i shêjtit kjé nji bekim s'parit për vetë vrasësit, të cillët lanë shizmen dhe u penduen për krimin e bamë; Mbasi vdekja e ktij ipeshkvi të madh u shoqnue me mrekulli të shumta, Papa Urbani VIII e lumnoi shêjtin. Në Korrik të 1867, në Baziliken Vatikane, në prezencen e Kardinajve, të afro 500 patriarkanve, metropolitanve dhe ipeshkijve të çdo riti, që kishin ardhë prej tanë botës, Papa Piu IX, në mnyrë solemne e madhshtore kanonizoi dhe vendosi në rangun e shêjtënve Shën Jozafat Kuncewicz-in, kyt mbrojtës të madh të bashkimit të Kishës, i cilli kjé edhe bizantini i parë që nderohej në kyt mnyrë. Papa Leoni XIII shtriu Meshen dhe Oficin e shejtit në Kishen universale, që festohet me 14 Nandor. 


Bibliografi : 

Marrun prej Vjetit Liturgjik, 1901.