martedì, settembre 01, 2015


Mbi Festen e Gjetjes së Shêjtes Krygje






Mbas fitores të Perandorit Konstantin, në sajë të vizjonit të Krygjës që iu duk në ajër, nana e tij, shêjtja Helena, shkoi në Jeruzalem për me gjetë Krygjen e vërtetë mbi t'cillen kishte vuejtë dhe konsumue Pasjonin shelbues Zoti jonë JEZU-KRISHTI. Në fillim të shekullit të II-të, Adriani kishte gjetë Kalvarin dhe Vorrin Shejt nën nji terracë 100 metra të g'jatë, mbi t'cillen kishin ndërtue nji statujë t'Jupiterit dhe nji tempull Venusit. Perandorja Helena i rrafshoi përdhé kto monumente pagane dhe tuej gërmue token gjeti gozhdët e Kryqzimit dhe trofeun e lavdishëm që na ka prue “jeten, shelbimin dhe rinjalljen” (Galatve 6:14). Shërimi i nji grueje shërbeu me njoftë Krygjen e vërtetë. Sh'Helena e ndau në tre pjesë kyt trofe të çmueshëm, “që denjoi me mbajtë Mbretin e Qiellit” (Psalmi 95:10) : nji pjesë u vendos në Romë, në Kishen e quejtun “Krygja Shejte në Jeruzalem”, pjesa e dytë u vendos në Konstantinopojë dhe e treta në Jeruzalem. Kjo e fundit kjé grabitë prej Persianve dhe mandej u rimor prej Perandorit Heraklius, i cilli e çoi zyrtarisht me proçesjon në Jeruzalem me 3 Maj 628, e qysh prej atherë kjo ditë festohet në Kalendarin liturgjik  romak si Festa e Gjetjes së Shêjtes Krygje. I ngarkuem me veshja të arta e me gurë të çmueshëm, perandori kur iu afrue dyerve të qytetit nuk mujti me vazhdue përpara sepse nji forcë e padukshme e pengonte me avancue. Mbas kshillës së Zakarisë, ipeshkvit të Jeruzalimit, perandori hodhi mbi shpatulla nji mantel të vorfën e t'zakonshëm, n'imitim të vorfnisë dhe përvujtnisë së JEZU-KRISHTIT, dhe mrekullisht mujti me vazhdue proçesjonin lehtsisht. (Dom Lefebvre, “Missel quotidien et vespéral”, 1936)

« Rupert thotë se ATI Qiellor i propozoi Birit të Tij, në momentin e Mishnimit, alternativen me shelbue boten nëpërmjet qejfeve apo nëpërmjet mundimeve, nëpërmjet ndereve apo nëpërmjet përbuzjeve, nëpërmjet pasunive apo nëpërmjet vorfnisë, nëpërmjet jetës apo nëpërmjet vdekjes, në mnyrë që Shelbuesi, po të kishte dashtë, do të kishte mujtë me anen e gzimeve, qejfeve, ndereve e pasunive me shelbue njerzit dhe me i marrë me Vedi në Parriz. Por JEZU-KRISHTI zgjodhi vuejtjet dhe Krygjen për me i dhanë ATIT Qiellor ma shumë lavdi dhe për me i diftue njerzve nji dishmi të nji dashtnije ma të madhe, [Dashtninë e pafundme hyjnore që Hyji ka për njirin]. » (Saint Louis-Grignion MARIE de Montfort, “Amour de la Sagesse Eternelle”)

N'kyt Festë të Gjetjes së Krygjës, të rigjejmë edhe nà krygjen tonë që Hyji na e ka destinue qysh kur kena lindë n'kyt botë, krygje që ndoshta e kena mshehë në ndonji syrtar, që ndoshta e kena tretë, që ndoshta kena turp me e vue n'gjoks se mos skandalizohet kojshija i pafé, krygje që përpiqena ndoshta me tana mnyrat me e largue prej nesh sepse nuk dona me vuejtë. Në fakt, asht e natyrshme mos me e dashtë vuejtjen, por asht e mbinatyrshme, prej hirit të Zotit, me e pranue até me nënshtrim, durim e biles me gzim për me imitue Shelbuesin tonë, për me bashkue krygjet tona të përditshme me Krygjen dhe Pasjonin e JEZU-KRISHTIT, për me plotsue shka mungon prej Pasjonit  të Shelbuesit të njerzimit dhe për me i ofrue ato ATIT Qiellor për ma t'madhen lavdi të HYJIT, të Virgjinës MARI dhe për shelbimin e shêjtnimin e shpirtnave. T'a kena pra Krygjen Shêjte gjithmonë n'zemër, e n'ballë dhe t'a mbajmë gjithmonë para syve, tuej kujtue se nuk ka rrugë tjetër drejt Parrizit dhe Lumnisë së përjetshme përveç Rrugës mbretnore të Krygjës. 

Zoti jonë JEZU-KRISHTI ka shelbue shpirtnat me anen e vuejtjeve, prandaj edhe të tana ata që aspirojnë Qiellin mos të harrojnë se vetëm me anen e vuejtjeve munden me shelbue shpirtin e vet dhe shpirtnat e mkatnorve të tjerë. Ata që mendojnë se ka nji rrugë tjetër, mjerisht ata janë nën iluzjonin e djallit.

« A dishironi me i ofrue Hyjit sakrifica dhe me pranue tana vuejtjet që ka me ju çue, në riparim të mkateve të shumta që fyejnë Madhshtinë e Tij Hyjnore dhe në riparim të blasfemave kundër Zemrës së Papërlyeme të Virgjinës MARI ? Hiri i Zotit ka me ju mbështetë. » (Prej fjalve të Virgjinës MARI drejtue 3 fmijve në Fatima, në Aparicjonin e aprovuem të 13 Majit 1917)