martedì, settembre 01, 2015


Mbi indulgjencat


          Për me kuptue ma mirë se shka janë indulgjencat, duhen skjarue mâ parë disa t'vërteta themelore t'msueme prej Kishës Shejte Katolike :

1. Si në mkatin e randë ashtu edhe në mkatin e lehtë dallojmë dy elementa kryesore : fajin dhe ndëshkimin. Faji asht fyemja që mkati i ban Zotit dhe njolla me t'cillen ky mkat përlyen apo ndyen shpirtin, kurse ndëshkimi asht dënimi i merituem për shkak të mkatit.

Në rastin e mkatit të randë, fyemja ndaj Zotit asht e randë dhe ndëshkimi që meriton personi që ka bâ kyt mkat të randë asht nji ndëshkim i përjetshëm që duhet vuejtë në Ferr. Në rastin e mkatit të lehtë, fyemja ndaj Zotit asht e lehtë dhe ndëshkimi që meriton personi që ka bâ kyt mkat të lehtë asht i përkohshëm. Zgidhja sakramentale ("absolutio") që nep rrfyesi (meshtari) g'jatë marrjes së Sakramendit të Pendesës, kur ky Sakramend merret me dispozitat e duhuna, ka për efekt a) faljen e mkatit, për sa i përket fajit, dhe b) zgidhjen e t'penduemit prej ndëshkimit t'përjetshëm t'merituem për shkak të mkateve të randa, n'kjoft se kena t'bajmë me kto lloj mkatesh. Falja e ndëshkimit të përkohshëm për shkak të mkatit të lehtë mundet me u realizue ose prej zgidhjes sakramentale që nep meshtari ose prej nji akti pendeset ose prej veprave të devoçme, si për shembull asistenca në Meshen shejte, etj.

2. Mbas marrjes së zgidhjes sakramentale ose mbas kryemjes së nji akti perfekt dashnijet hyjnore, mkatnori, që ka krye mkate të randa, mundet me pasë nji pendim aq t'madh për mkatet e tija ose nji nivel perfekt dashtnijet hyjnore saqë Hyji ia fal mkatnorit tanë ndëshkimin që aj meritonte me vuejtë për shkak të mkateve, si për shembull në rastin e Pagzimit (Pagzimit të ujit) apo të martirizimit (Pagzimit të gjakut). Megjithaté, mekense zakonisht dispozitat tona nuk janë aq perfekte sa me përfitue faljen e tanë ndëshkimit që Drejtsija hyjnore kërkon për shkak të mkateve, mbas nji rrfimi të mirë, Hyji na fal ndëshkimin e përjetshëm, që duhej vuejtë në Ferr, por na detyron me vujtë nji ndëshkim të përkohshëm, dhe me kyt mnyrë Hyji i Gjithpushtetshëm praktikon si Drejtsinë e Tij të pafundme ashtu edhe Mshiren e Tij të pafundme hyjnore.

3. Ky ndëshkim i përkohshëm, që mbetet me u vuejtë mbas faljes së mkatit, duhet shlye ose n'kyt jetë, nëpërmjet veprave t'mira shpaguese, ose n'jeten tjetër, përmes vuejtjeve t'Purgatorit. Por, mjerisht, shpesh na nuk kena energjinë dhe bujarinë e duhun n'shërbimin e Zotit dhe nuk ushtrojmë mbi vedi ashpërsinë e pendesës së duhun, n'përputhje me mkatet tona; për rrjedhojë, ndoshta do t'na duhej me vuejtë shumë kohë n'Purgator, n'kjoft se nuk kena ndonji mnyrë tjetër shpagimit ndaj Drejtsisë hyjnore. Kisha Shejte Katolike, si nji nânë e mirë, na vjen në ndihmë tuej na dhanë indulgjencat për me shlye pjesërisht ose totalisht ndëshkimin që mkatet tona kanë meritue, pa anullue rregullin e përgjithshëm që detyron çdo katolik me bâ pendesë.

Indulgjenca asht falja apo shlyemja e ndëshkimit t'përkohshëm që mkatnori i ka borxh Drejtsisë hyjnore për mkatet që tashmâ i janë falë, për sa i përket fajit, n'Sakramendin e Pendesës; indulgjencat apo falja e ndëshkimit të përkohshëm përfitohet jashtë Sakramendit të Pendesës.

Shifet pra se indulgjenca nuk fal asnji mkat; s'parit duhet që mkatet, t'randa apo t'lehta, t'jenë falë, përsa i përket fajit, që pendestari (mkatnori) t'mundet mandej me anen e indulgencave me përfitue faljen e ndëshkimit të përkohshëm, t'kërkuem prej Drejtsisë hyjnore. Kjo falje e ndëshkimit të përkohshëm bahet prej Kishës Katolike, nëpërmjet Fuqisë së Çilcave, pra nëpërmjet fuqisë që Zoti jonë JEZU-KRISHTI u ka dhanë meshtarve për me shpërnda prej thesarit shpirtnuer të Kishës Katolike.

Çka asht thesari shpirtnuer i Kishës Katolike ?

Thesari shpirtnuer i Kishës Katolike përbahet prej shpagimeve të bollshme  të Zotit tonë JEZU-KRISHTIT, të Virgjinës MARI, Nânës tenZot dhe të shêjtënve. Me vdekjen në Kryq, JEZU-KRISHTI i asht Vetofrue ATIT si nji viktimë pajtuese. Me Jeten e Tij t'paçmueshme, Shelbuesi e Zoti jonë JEZU-KRISHTI, na ka shelbue dhe ka shpague apo ka pague Drejtsinë hyjnore për ne. Vetëm nji pikë e Gjakut t'paçmueshëm të JEZU-KRISHTIT, biles edhe vetëm nji lot i Tiji apo nji ofshamë e Tija do t'kishte mjaftue me shpague njimijë botë të tjera, për arsye të dinjitetit të pafundëm të Personës hyjnore të JEZU-KRISHTIT. Shpagimet e Tija pra kanë kênë jo vetëm t'mjaftueshme për njerzimin por pafundsisht t'bollshme, sepsa ata kanë nji vlerë t'pafundme.

« Sa i madh duhet t'jetë thesari që Sakrifica e Kalvarit ka mbledhë për Kishen militante! Kyt thesar JEZU-KRISHTI nuk e ka mshehë në nji qerqaf apo në nji arë, por i ka dhanë sh'Pjetrit, çilcmbajtsit të Qiellit, dhe pasardhsve të tij, përfaqsuesve të tij mbi tokë, fuqinë me u shpërnda besimtarve prej ktij thesari, për me u falë totalisht ose pjesërisht ndëshkimin e përkohshëm për shkak të mkateve të tyne. » (Papa Klementi VI)

Ksaj baze t'parë esencjale e thelbsore të thesarit të Kishës Katolike i shtohen shpagimet e Nânës së Zotit. Virgjina MARI nuk ka pasë kurrë nevojë me shpague as hijen e nji imperfekcjoni; e megjithaté, tanë jeta e saj e bekueme ka kênë nji jetë lutjesh, vetmohimesh e sakrificash. Virtytet e Virgjinës MARI, si virtyte merituese, e kanë marrë shpërblimin e tyne (i kanë meritue Nânes tenZot lavdinë mâ t'madhe n'Qiell mbas lavdisë së JEZU-KRISHTIT); po kto virtyte dhe akte heroike, si virtyte e akte shpaguese, nuk janë përdorë prej Nanës së Zotit sepse Virgjina e Papërlyeme nuk ka pasë shka me shpague për vedi. Dhe për me i lëvdue kto akte, Zoti jonë JEZU-KRISHTI ka dashtë me i bashkue ato me shpagimet e Veta dhe me i lanë në thesarin shpirtnuer të Kishës.

Ktij kapitali t'mistershëm, për me e zmadhue edhe mâ shumë, i shtohen mandej veprat shpaguese të martirve, virgjinave e tanë shejtënve të tjerë që kanë bâ vepra pendeset mâ shumë sesa u kërkohej prej Drejtsisë hyjnore. E kshtu, n'sajë të Komunjonit të shejtënve, asht e drejtë që teprica e pashfrytzueme dhe e pa'plikueme e ktyne shpagimeve të mblêdhej në thesarin e Kishës n'dobi të besimtarve të tjerë.

Sa lloje indulgjencash egzistojnë ?

Ka dy lloje indulgjencash : indulgjencat e plota dhe indulgjencat e pjesshme.

Indulgjencat e plota falin totalisht ndëshkimin e përkohshëm për shkak të mkateve. Kshtu, për shembull, nji besimtar që vdes menjiherë mbas fitimit të nji indulgjence të plotë shkon menjiherë në Qiell pa pasë nevojë me shpague në Purgator.

Indulgjencat e pjesshme falin zakonisht vetëm nji pjesë të ndëshkimit të përkohshëm për shkak të mkateve që janë falë ma parë. Për shembull, egzistojnë indulgjenca 100 ditore, 300 ditore, 3 vjetore, 10 vjetore, etj.

Përsa i përket kohës në indulgjencat e pjesshme lypet me u bâ nji skjarim. Kur Kisha Katolike akordon apo nep, për shembull, 300 ditë indulgjencë, ajo nuk pretendon me shkurtue, me nji numër të njêjtë ditësh, vuejtjet e Purgatorit, sepse dihet se mbas vdekjes koha nuk egziston mâ. Me kyt sasi ditësh, Kisha nënkupton se besimtari që fiton 300 ditë indulgjencë, tuej plotsue kushtet e nevojshme për fitimin e saj, fiton nji falje të ndëshkimit të përkohshëm të njêjtë me faljen që aj do t'mundej me fitue në t'kaluemen, n'kjoft do t'kryente si duhet nji pendesë kanonike (simbas Ligjeve të Kishës) 300 ditore. Për shembull, simbas ligjeve t'vjetra, me shpague ndëshkimin e përkohshëm për shak të krimit  të 1 adulteri, mbasi ky mkat asht fal në rrfyesore përsa i përket fajit, duhej bâ nji pendesë 7 vjeçare. N'kjoft se nji mkatnor 50 vjeçar ka krye 15 herë kyt krim, mbas faljes së mkatit përsa i përket fajit, për me fitue faljen e ndëshkimit të përkohshëm për shkak të ktyne adultereve, ktij mkatnori i duhet me ba pendesë për 105 vjet. N'moshen 50 vjeçare, kush ia siguron atij se ka me jetue edhe 105 vite të tjera me bâ pendesë ? Atherë, tuej krye disa vepra të devoçme t'cillave Kisha Katolike u ka lidhë indulgjenca të ndryshme, të plota ose të pjesshme, me ndihmen e Zotit, mkatnori, edhe n'kjoft se nuk fiton indulgjencë të plotë, mundet me fitue disa indulgjenca të pjesshme që barazojnë 105 vitet e pendesës kanonike të kërkueme; dhe mbas fitimit të tyne, në pak kohë, ky mkatnor konsiderohet njilloj sikur të kishte bâ me të vërtetë nji pendesë të mirë kanonike 105 vjeçare.

Shihet pra se fitimi i indulgjencave asht shumë i randsishëm sepse shkurton kohen e Purgatorit, shton hirin shejtnues e për rrjedhojë rrit lavdinë në Qiell. Për ma tepër, katoliku i devoçëm mundet dhe duhet me fitue indulgjenca për shpirtnat e Purgatorit, që vuejnë tmerrsisht dhe janë t'pafuqishme me ndihmue vedin, sepse n'Purgator vuhet pa meritë por vetëm për shpagim. Tuej fitue kto indulgjenca, besimtari mundet me i hjedhë në thesarin shpirtnuer të Kishës Katolike dhe me iu lutë Zotit me ndërmjetsi të Virgjinës MARI me lehtsue apo me lirue krejtsisht prej ndëshkimit të përkohshëm të Purgatorit nji shpirt t'caktuem për t'cillin aj lutet. Gjithashtu katoliku i devoçëm nuk harron në lutjet e mjesit me pasë qëllimin me fitue tana indulgjencat e mundshme për diten n'vazhdim.

Cilat janë kushtet e nevojshme me fitue indulgjencat ?

Dy janë kushtet kryesore : a) me pasë dispozitat e kërkueme dhe b) me krye veprat e urdhnueme.

a) Dispozitat e kërkueme : Besimtari duhet me kênë në hirin e Zotit, pra pa mkat të randë në shpirt, dhe duhet me pasë qëllimin me fitue indulgjencat. Duhet pasë gjithashtu parasysh se për me fitue nji indulgjencë të plotë nuk duhet me pasë afekcjon për asnji mkat të lehtë, sado i vogël kjoft.

b) Kryemja e veprave të kërkueme : Për me fitue indulgjenca të pjesshme mjafton me u krye nji vepër e caktueme prej Kishës për me fitue kto indulgjenca, për shembull, rrecitimi i nji lutjeje, përvetsimi apo msimi i Katekizmit, leximi i Bibles Shejte, etj. Për me fitue indulgjencat e plota zakonisht janë katër vepra që Kisha urdhnon me krye : Rrfimi, Kungimi, lutjet për Selinë Shejte apo Papen dhe vizita e nji kishe. Lutjet për Papen apo Selinë-Shejte zakonisht janë 1 Pater Noster, 1 Ave Maria dhe 1 Gloria Patri.


Biblio :

"Vie d'union à JÉSUS par MARIE", 1868, pg. 313-329