venerdì, agosto 05, 2011

Papa nuk mundet me gabue kurrë n'çâshtjet e Fésë katolike

Papa anti-modernist sh'Piu X


    Kjo pra âsht çâshtja : Papa, Vikeri dhe Përfaqsuesi i KRISHTIT në toke, â mundet me gabue apo jo në msimin e Fésë Katolike dhe të Moralit katolik ? Në kjoftë se thojmë po, atherë nuk jena katolike.

Te tânë "papet" mbas Piut XII, pra Gjoni XXIII, Pali VI, Gjon Pali I, Gjon Pali II dhe Benedikti XVI, kanë gabue në msimin e Fesë Katolike dhe të Moralit Katolik. Kjo thânje âsht e mbështetun në fakte historike të pakundërshtueshme.

Për rrjedhojë, kto persona që përmênda mâ nalt nuk munden kurrë me kênë papë të vërtetë. Me thânë të kundërten don me thânë me mohue Dogmen e Pagabueshmënisë Papale (1870), don me thanë me mohue msimin e të tânë Papve tash gadi 20 vjet, don me thânë me mohue vetë Fenë Katolike, don me thânë me kênë heretik. Nuk ka rrugë tjetër të mesme. O besojmë shka mson Kisha Katolike ose jo; ose jena katolikë ose jo. Mos harroni se sh'Pali thotë se edhe sikur nji engjëll prej Qiellit t'ju bijnë nji Unjill tjetër prej Unjillit që sh'Pali ka msue, ai kjoftë mallkue.

Kardinali-Prefekt i Arkivave te Vatikanit, historiani Joseph Hergenröther (1824-1890) numëron 30 anti-papë qysh prej kohës së shën Pjetrit, Papës s'parë, deri n'kohët tona. (“Antipope.” The Catholic Encyclopedia. Vol. 1. New York: Robert Appleton Company, 1907. 31 Jul. 2010).

Si kam shkrue në mesazhet e mâparshme, Papa i vërtetë, ose edhe anti-papët, munden me mbretnue edhe jashtë Romës, ashtu se dishmojnë edhe shumë fakte historike, dhe se aty ku âsht Papa aty âsht edhe Kisha Katolike (shën Ambrozi). Vetë Papa Leoni XIII, në egzorçizmin e tij, profetizon se nji ditë, anmiqtë e Kishës Katolike kanë me vue selinë (tronin) e tyne në vendin ku âsht Selia e Shêjte apo Troni i sh'Pjetrit :

"Armiq shumë dinák e t'pafé kânë mbushë me idhnim Kishen Katolike, Nusen e Qingjit t'papërlyem; ata e kânë nxí até me pelin [helm i hidhun] dhe kânë vue duert e tyne mbi gjithshka që ajo kâ mâ t'shêjte. Aty ku troni i sh'Pjetrit dhe i t'vërtetës u krijue si nji drít për kombet, aty ktá anmiq kânë vue tronin e tyne t'neverís dhe t'mosbesimit, në mnyrë që mbasi t'i bien Bariut [Papës] t'munden me shpëndá tufen [besimtarët]" (Exorçizmi i Papës Leoni XIII, 1884)

Kjo don me thânë se kur anmiqtë kanë me vue, fakt qe sod âsht realitet, selinë e tyne djallzore në vendin e Selisë së Shêjte, pra në Romë, Selia e Shêjte nuk ka me u gjindë mâ aty, pra Papa nuk kâ me u gjindë mâ ne Romë. Se nji Papë i ardhshëm ka me ikë prej Romes âsht profetizue edhe prej Papes sh'Piu X.

Në gjuhen kanonike, pra simbas ligjeve t'Kishes Katolike,  shprehjet "Selia e Shêjte" dhe "Papa" kânë të njâjtin kuptim; ata janë e njâjta gjâ dhe nuk munden me kênë kurrë të ndâme prej njêna-tjetrës. (R. Naz, Traité de droit canonique, tome I-er, page 80).

Pak kohë para se me u bâ Pape me emnin Gregori XVI, murgu i Urdhnit Kamaldolez, Bartolomeo Alberto Cappellari, në librin "Il trinfo della Santa Sede e della Chiesa", kapitulli IX, faqet 327-329, shkruen të njâjten gjâ: pra se Papa dhe Troni i sh'Pjetrit apo Selia e Shêjte janë e njâjta gjâ dhe se ata nuk munden me u ndâ prej njena-tjetrës. Për mâ tepër, Papa i ardhshëm, në librin e mâsipërm shpjegon se fjala "troni" apo "selia" nënkupton nji autoritet të caktuem për me msue nji grumbull besimtarësh. Për rrjedhojë, Selia e Shêjte apo Troni i sh'Pjetrit âsht autoriteti, së bashkut me hirin dhe fuqinë e plotë shprirtnore, që Zoti ia ka dhânë sh'Pjetrit dhe të tânë pasardhseve të tij që kanë me u ulë në Tronin e sh'Pjetrit, pra që kanë me pasë të njâjtin autoritet si sh'Pjetri, me msue në mnyrë të pagabueshme doktrinën hyjnore katolike, me drejtue në mnyrë t'pagabueshme dhe me administrue në mnyrë të pagabueshme Kishen Katolike universale. (Mgr Guérin, Konçili Ekumenik i Vatikanit, Konstitucjoni dogmatik mbi Kishën e Krishtit, 1877, kapitujt III-IV, faqet 181-184)

Kisha Katolike âsht me të vërtetë njí, ku pjestaret e saj janë të tânë ata t'pagzuem që besojnë dhe praktikojnë të njâjten Fé katolike, që marrin të njâjtat Sakramende dhe që u binden meshtarve të ligjshëm dhe të vërtetë të vendosun prej Jezu-Krishtit Zot. (Katekizmi i Papes sh'Piu X, faqe 29)

Por, ashtu si e kam theksue në krahasimin e Kishes Katolike me Kishen Konçiljare te studimi "Demaskimi", pjestarët e Kishes konçiljare nuk besojnë në të njâjten Fé si pjestaret e Kishes Katolike; ata nuk marrin të njâjtat Sakramende (mbas Konçilit II të Vatikanit Kisha konçiljare përdor "sakramendet" e veta te cilat nuk jane Sakramendet katolike), dhe pjestaret e Kishes konçiljare nuk u binden meshtarve të ligjshem dhe të vërtetë të Kishes Katolike (mbas ritit invalid të Palit VI të vjetit 1968, Kisha konçiljare nuk prodhon mâ meshtare por vetëm laike).

Kisha konçiljare tuej mohue publikisht Fênë Katolike âsht vetëm nji trup i dékun në gjirin e Kishes Katolike, e cila në kohen e caktueme, që vetem Zoti e din, ka me nxjerre jashte kyt trup të dékun me anën e çkishënimit (excommunication) në kjoftë se kjo kishe, pra pjestarët e saj, nuk bân pendesë. Kisha konçiljare âsht trup i vdekun sepse tuej mos pasë Fênë Katolike ajo nuk gjallnohet mâ prej Shpirtit-Shêjt, i Cili âsht Shpirti i Kishës Katolike, Shpirti i Trupit Mistik të KRISHTIT ZOT, që mban gjâllë, në hirin dhe dashtninë e Zotit, të tânë pjestaret e saj.

Shprehjen se Kisha konçiljare ka mohue Fênë Katolike nuk e konsideroj në mnyre absolute për të tânë pjestarët e Kishes konçiljare, sepse munden me egzistue besimtarë konçiljare të genjyem qe nuk e dinë se janë ne gabim, por besojnë gabimisht se janë në rrugen e vërtetë. Kjo injorance e tyne fetare mundet me kênë e justifikueshme ose jo, ne varsi të dispozitave që sejcili prej tyne kâ për me kërkue të vërteten. Por cilët janë në injorance të justifikueshme e cilët jo, kyt gjâ vetëm Zoti e din. Na lutena për ta qe Zoti t'i ndriçojne dhe t'i drejtojne drejt shëlbimit.

Pra, bazuem në shka shkrova mâ nâlt, Papa apo Selia e Shêjtë gjindet sod jashtë Romes, jashtë Vatikanit.