martedì, novembre 05, 2013

Replika Katolike 2

prej Zef Helmicës



« Njiri njifet prej ftyrës dhe inteligjenti dallohet prej fizionomisë së ftyrës. 
Teshat e trupit, qeshja e gojës dhe ecja e tij zbulojnë çfarë njirit âsht. » (Ecclesiasticus 19:26-27)
« I paturpshmi qesh paturpsisht...  » (Seneca, Epist. I, 52)



Shtjefen Dodes S.J. : 

«TA KËRKOSH DHE TA GJESH ZOTIN NË TË GJITHA GJËRAT

» “Ekziston një tundim (...) që njeriu ta kërkojë Zotin në të kaluarën ose në mundësitë e ardhshme. Zoti sigurisht se është në të kaluarën, për shkak se njeriu e gjen atë në gjurmët që i ka lënë. Ai është gjithashtu në të ardhmen, si një premtim. Por – ne themi – Zoti konkret është sot. Prandaj, vajtimi s`ndihmon kurrë, asnjëherë, për ta gjetur Zotin. Vajtimi se sa barbare qenka bota sot, dëshiron nganjëherë vetëm të fsheh dëshirën e njeriut që në kishë të synohet vetëm thjesht një rend, një mbrojtje. Jo – Zoti takohet në të tashmen. (... )

» Te ky kërkim dhe gjetje e Zotit në të gjitha gjërat gjithmonë mbetet një zonë pasigurie. Ajo duhet qenë e pranishme. Kur dikush pohon se e ka takuar Zotin me siguri absolute, dhe s`është i prekur nga hija e vet e pasigurisë, atëherë diçka s`është duke shkuar mirë. Për mua, ky është një shpjegim i rëndësishëm, kyç. Nëse dikush i ka përgjigjet në të gjitha pyetjet, atëherë kjo është prova se Zoti s`është me të. Kjo do të thotë se ai është një profet i rremë që e përdor fenë për veten e vet. Udhëheqësit e mëdhenj të popullit të Zotit si Moisiu kanë lënë gjithnjë hapësirë për dyshim. Ne duhet lënë hapësirë për Zotin, jo për siguritë tona.”» ("papa" Françesku)


Bergoglio : 

«TA KËRKOSH DHE TA GJESH ZOTIN NË TË GJITHA GJËRAT »


Zef Helmica : 

Në Konçilin e IV-të Lateranit, Kisha shêjte Katolike na mson, si artikull fejet, se Hyji âsht absolutisht i thjeshtë, dhe në Zotin nuk ka asgjâ tjetër përveç Zotit ose Essencës hyjnore e cilla âsht Egzistenca e Tij : « Esenca e Zotit âsht nji, e cilla âsht nji substancë ose nji natyrë krejtsisht e thjeshtë. » (Propozimi 1). Thjeshtsia âsht mohimi i përbamjes dhe në Hyjin nuk ka asnji përbamje. Në të kundërt, çdo krijesë përbahet prej fuqisë me veprue dhe veprimit apo aktit, prej gjinisë dhe ndryshimeve, kurse Hyji âsht krejtsisht akt apo veprim pa asnji lloj përbamjet ose ndryshimit. Pra krijesat nuk kanë kurrë nji thjeshtsi absolute, biles as engjëjt. (Berthier, "Abrégé de théologie..."). Kisha Katolike mson se Hyji âsht i pafund dhe Ai âsht gjithkund por Zoti nuk âsht pjesë përbâse e ktij universi, megjthse e mban até në egzistencë tuej e çue drejt destinës së tij finale. Esenca e Zotit âsht jashtë esencës së ktij universi dhe krijesave që ai përmban ose me e thanë me dy fjalë : Esenca apo Substanca e Zotit âsht e ndryshme prej esencës së krijesave të Tija. 

Me thanë se Zoti âsht në të gjitha gjânat, âsht me rrezikue me râ në gabimin e Spinozës, i dënuem prej Kishës Katolike, i cilli pretendote se tana krijesat apo gjanat egzistuese janë pjesë ose modifikime reale apo ideale të substancës hyjnore të pafundme. Ky gabim âsht nji formë e Panteizmit dhe quhet Formalizëm. (Idem). Siç e përmenda mâ nalt, Zoti âsht gjithkund dhe Substanca hyjnore mbush gjithshka por Ajo nuk âsht pjesë e substancës së ktij universi dhe krijesave të tija por âsht prezent në tanë universin dhe krijesat e tija, që i konservon dhe i drejton drejt qëllimit të tyne final për të cilin ato janë krijue : Lavdia e Zotit.

Nji shprehje të ngjashme konfuze, konçiljarët e përdorin kur flasin për Eukaristinë, tuej thanë , si heretiku Luter, se Zoti âsht në bukë apo në vênë. Konçiljarët, ashtu si protestanti Luter, nuk besojnë në doktrinen e transubstancionit apo të shndrrimit të substancës së bukës dhe vênës, nën aparencen aksidentale të bukës dhe të venës, në substancën e Korpit, Gjakut dhe Hyjnisë së Zotit tonë JEZU-KRISHTIT, që ndodh gjatë Meshës shêjte Romane. Ceremonia konçiljare nuk beson në praninë reale të Zotit tonë  JEZU-KRISHTIT mbi altar, por ajo vetdeklarohet si nji darkë përkujtimore që beson në nji lloj prezence shpirtnore të Jezusit, simbas thanjes se « Atje ku dy ose tre vetë janë të mbledhun në êmnin t'em, atje jam n'mes t'yne » (sh'Mateu XVIII, 20)

Mosbesimi në dogmen katolike të Transubstancionit âsht nji tjetër dishmi e herezisë se Bergoglios me shokët e tij konçiljarë që janë vetlargue prej Kishës Katolike : 

«Tradita e përhershme e Kishës Katolike, e mbështetun në vendimin unanim të Etënve shêjtë, ka konsiderue gjithmonë të përjashtuem prej komunitetit katolik dhe jashtë Kishës Katolike cillindo që ndahet sado pak prej doktrinës së msueme prej Magjisterit autentik të Kishës Katolike. Epifani, Agustini, Theodori kanë përmendë nji numër të madh herezish të kohës së tyne. Sh'Agustini mson se herezi të tjera munden me u zhvillue në të ardhmen dhe cillido që përkrah vetëm nji prej ktyne herezive, prej vetë ktij akti (ipso-facto), ndahet prej unitetit katolik. (Papa Leoni XIII, "Satis Cognitum", 29 Qershuer 1896)

Bergoglio : 

«“Ekziston një tundim (...) që njeriu ta kërkojë Zotin në të kaluarën ose në mundësitë e ardhshme. Zoti sigurisht se është në të kaluarën, për shkak se njeriu e gjen atë në gjurmët që i ka lënë. Ai është gjithashtu në të ardhmen, si një premtim. Por – ne themi – Zoti konkret është sot. Prandaj, vajtimi s`ndihmon kurrë, asnjëherë, për ta gjetur Zotin. Vajtimi se sa barbare qenka bota sot, dëshiron nganjëherë vetëm të fsheh dëshirën e njeriut që në kishë të synohet vetëm thjesht një rend, një mbrojtje. Jo – Zoti takohet në të tashmen. (... ) »

Zef Helmica : 

Sakrilegji dhe blasfemuesi Bergoglio, tuej rrêjtë se âsht Papa i Kishës Katolike, përdor nji fjalor pervers anti-katolik me mashtrue shpirtnat dhe me i shtye ato drejt Kishës universale judeo-masonike, për të cillen shkrova mâ gjatë në tekstin e Replikës së parë katolike kundër konçiljarve. 

Si ceka mâ nalt, Kisha shêjte Katolike mson se Hyji nuk âsht pjesë përbase e ksaj bote, dhe Ai âsht krejtsisht i pandryshueshëm : 

« Kisha shêjte Katolike beson se egziston vetëm nji Zot i vërtetë, i gjallë, Krijues dhe Zot i qiellës dhe i tokës, i gjithpushtetshëm, i përjetshëm, i pafund, i pakuptueshëm, i pafundëm në inteligjencen dhe vullnedin e Tij dhe në çdo lloj perfeksionit; Ai âsht nji inteligjencë shpirtnore, i pandryshueshëm. » (Konçili Vatikanit-1870, "Dei Filius", Kapitulli I)

« Në Hyjin nuk ka asnji lloj ndryshimit, as nji hije pshtjellimit. » (sh'Jaku 1:17)

« IESUS-CHRISTUS heri et hodie ipse et in saecula. » (Hebrews 13 :8)
« JEZU-KRISHTI âsht i njêjtë dje, sod dhe përgjithmonë. » (Hebrenjve 13 :8)

« Veritas Domini manet in saeculum. » (Psaume 116 :2)
« E vërteta e Zotit qëndron gjithmonë . » (Psalmi 116 :2).

Pra n'Zotin nuk ka as t'kalueme, as të tashme e as të ardhme, sepse Ai âsht gjithnji i njêjtë dhe i pandryshueshëm. Blasfemuesi Bergoglio mashtron tuej pretendue se kéka tundim me kërkue Hyjin në t'kaluemen apo në t'ardhmen dhe harron, ose nuk don me dijtë, se nuk ka kohë në Hyjin dhe e Vërteta e Hyjit âsht gjithmonë e pandryshueshme, pavarsisht kohës apo ndryshimeve shoqnuere. Qysh kur kéka Zoti në t'ardhmen si nji premtim ? Simbas heretikut Bergoglio Zoti konkret kéka sot. E Zoti, që kanë adhurue Abrahami, Moizi, të krishtênët e parë, nuk pàsa kênë konkret ?

Vàji shêjt jo vetëm që âsht nji prej mjeteve mâ efikase të pendesës për me gjetë Hyjin por ai âsht arma kryesuere e maktnorve me rigjetë miqsinë e hupun të Zotit dhe hirin e tij shejtnues. 

« N'kjoft se nuk keni me bâ pendesë, të tanë keni me mbarue. » (sh'Luka 13:3)

Por mkati, për konçiljarët heretik, që janë përherë e mâ larg Kishës Katolike, nuk âsht gjâ tjetër veçse nji smundje psikologjike e shoqnuere që kërkon terapi psikologësh. Tuej mos e pasë konceptin e vërtetë të mkatit dhe tuej mos ditë gjendjen e tynë të vërtetë shpirtnuere para t'Madhit Zot, normalisht ata nuk e shofin arsyen me bâ pendesë. N'vërbimin e tyne shpirtnuer ata kanë iluzionin se Zoti i merr tanë njerzit n'Parriz mbas dekës, se Ferri âsht thjesht nji krijesë mitologjike e prrallore për fëmij, dhe n'kjoft se egziston, për konçijarët Ferri âsht bosh. Prandej kur u des dikush ata thojnë menjiherë : Hyni në shpinë e Atit, tuej harrue ose tuej mos dijtë se Drejtsia e Zotit âsht po aq e pafundme sa Mshira e Tij hyjnore. 

Besimi i tyne âsht besimi i protestantve heretikë, dishepujt e rebelit dhe heretikut Luter, i cilli msote se nuk ka gàjle se bàjmë mkate, sepse nuk mund t'i frenojmë. Por n'kjoft se mkatnojmë fort, thote Luteri, të besojmë edhe mâ fort e kéna me u shelbue. A ka mâ arsyetim diabolik e pervers se ky ? 

Edhe shtazët e egra kjâjnë kajherë; vetëm djajtë e mallkuem nuk munden me kjâ, në rebelimin e tynë të përjetshëm kundër Zotit. E diaboliku Bergoglio, si djalli, skandalizon randë tuej i shtye shpirtnat drejt papendesës, drejt Ferrit, sepse na jena tanë mkatnorë që kena nevojë me bâ pendesë dhe pa pendesë e pa vajtim për mkatet e bâme nuk mundena me hi kurrë në Mbretninë e Parrizit.

Katolikët e devoçëm nuk harrojnë lotët e sh'Marisë-Magdalenë, që ndërmjetsuen para JEZUSIT për faljen e mkateve t'saja; e ishin po ata lot t'bekuem që i siguruen shêjtes favorin e jashtëzakonshëm me pâ e adhurue para apostujve Zotin tonë JEZU-KRISHT, mbas Ringjalljes. (sh'Gjoni 20:11-16)

Katolikët e devoçëm nuk harrojnë se mbas lotve të sh'Marisë-Magdalenë dhe hebrejve të tjerë të pranishëm, vetë JEZUSI kjau dhe mandej ringjalli Lazrin. (sh'Gjoni 11:31-35)

E si munden me u harrue lotët e të vêsë së Naimit që ndërmjetsuen para Zotit dhe i siguruen ringjalljen e djalit të saj të vetëm ? (sh'Luka 7:13) 

E si mundet me u harrue bekimi dhe gzimi i Parrizit që Shelbuesi u premton atyne që kjajnë për mkatet e tyne ? (sh'Luka 6:21)

E si munden me u harrue fjalët e Hyjit që me anen e profetit Joël na urdhnon me u konvertue në Zotin, me njinesa, vàje e gjâma ? (Joël 2:12)

E si munden me u harrue luftëtarët e Mekabesë, t'cillët në zellin e Fesë së t'parvet, kërkuen dhe gjetën mshiren e Zotit me gjâma, njinesa dhe tuej u shtri me ftyrë për dhé gjatë 3 ditëve rresht, n'shêj pendeset ? (2 Makab. 13:12)

E si munden me u harrue lotët e Ezekías që i siguruen plotsimin e lutjes para t'Madhit Zot dhe mbrojtjen hyjnore kundër anmiqve të tij ? (Isaias 38:3)

E si mundet me u harrue pendesa e Mbretit David, i cilli për pendesë thote se hangri hínin si buka dhe përziu pijen e tij me lotët e vet ? (Psalmi 101:10)

E si munden me u harrue lutjet me vajtim të Tobisë, t'cillat mbrriten në Fronin e Hyjit t'Gjithpushtetshëm dhe siguruen uljen prej Qiellit të Arkengjëllit Rafael te shpia e Tobisë për me e shërue ? (Tob. 3:22)

Bergoglio : 

«Kur dikush pohon se e ka takuar Zotin me siguri absolute, dhe s`është i prekur nga hija e vet e pasigurisë, atëherë diçka s`është duke shkuar mirë. Për mua, ky është një shpjegim i rëndësishëm, kyç. »

Zef Helmica : 

Katolikët nuk kanë nevojë me kërkue të vërteten sepse ata njohin Kishen e vetme të vërtetë, Kishen shêjte, Katolike, Apostolike dhe Romane, Trupin Mistik të KRISHTIT Zot, i Cilli âsht e vetmja Udhë, e vetmja e Vërtetë, e vetmja Jetë dhe askush nuk mundet me shkue te Ati veç përveç Zotit tonë JEZU-KRISHTIT. (sh'Gjoni 14:6)

Heretiku sakrilegj dhe blasfemues Bergoglio ka dyshim se nuk e ka gjetë Zotin absolutisht, tuej tërhjek kshtû mbi vedi mallkmin e Kishës Katolike Romane dhe tuej e vue vedin në rangun e t'paféve. Vetë fjalët e tija e akuzojnë dhe ai vetë dishmon se nuk ka Fenë Katolike.  E dikush që nuk ka Fenë Katolike nuk mundet me kênë pjesë e Kishës shêjte Katolike Romane. Por kur dikush nuk âsht pjesë e Kishës katolike, sepse ai âsht ndâ vetë prej saj, ashtû si mson Papa Leoni XIII në Inciklikun "Satis Cognitum", atherë si mundet ai me kênë shefi i ksaj Kishe shêjte të KRISHTIT Zot ? 

Lexoni shka deklaron artikulli dogmatik i Konçilit të Vatikanit (1870) : 

« N'kjoft se dikush thotë se gjêndja e besimtarve katolikë âsht e njêjtë si ajo e atyne t'paféve që nuk kanë mbrritë endé te Feja e vetme e vërtetë,  në mnyrë të atillë që katolikët, deri në demostrimin shkencuer të besueshmënisë dhe vërtetsisë së fesë së tyne, munden me pezullue vendimin e pranimit të saj dhe munden me e vue në dyshim kyt Fé Katolike mbi të cillen ata janë msue prej Kishës Katolike, atherë ai kjoft mallkue. » ("De Fide", kapitulli 6)

« Shifet tashti se në çfarë gabimit kanë râ ato shpirtna, t'cillat tuej abuzue me arsyen e tyne dhe tuej i marrë fjalët e Zotit sikurse t'ishin mendime njerzuere, guxojne me i interpretue ato simbas mendimit personal; Vetë Zoti ka vendosë nji autoritet të gjallë [Papen] për me përcaktue dhe me msue kuptimin e vërtetë të mesazheve hyjnore, dhe, me anen e gjykimit të tij të pagabueshëm, me i dhanë fund çdo lloj diskutimit, kjoft në çâshtjet që lidhen me Fenë, kjoft në çâshtjet që lidhen me moralin, në mnyrë që besimtarët katolikë të mos përkunden prej çdo éret doktrinale e të mos mashtrohen prej gabimit dhe ligsisë së njerzve. Ky autoritet i gjallë dhe i pagabueshëm gjindet vetëm në kyt Kishë që JEZU-KRISHTI e ka vue mbi sh'Pjetrin, Shefin, Princin e meshtarve të tanë Kishës Katolike, të cillit JEZU-KRISHTI i ka premtue se féja e tij nuk ka me i mungue kurrë; kjo Kishë âsht e ndërtueme në at mnyrë që ajo do të ketë gjithmonë në krye dhe në Selinë e saj të pandryshueshme pontifët e saj legjitimë, të cillët egzistojnë pa ndërpremje qysh prej sh'Pjetrit dhe trashigojnë e ruejnë të njêjten doktrinë, të njêjtin dinjitet, të njêjtin rang dhe të njêjten fuqi. » (Papa Piu IX, 9 Nanduer 1848)

Besimi në Fenë shêjte Katolike mbështetet mbi autoritetin e pagabueshëm hyjnor të Fjalës së Zotit dhe jo mbi arsyetimin apo përceptimin njerzuer.

« Besoni n'kjoft se dishironi me pasë inteligjencën, thotë sh'Agustini. "Crede ut intelligas". Mendjemadhi don me kuptue për me besue dhe Zoti e len në verbninë e tij shpirtnuere. I përvuejtuni beson me kuptue dhe Zoti shpërblen nënshtrimin e tij tuej hjedhë në shprtin e tij madhshtitë e dhuntisë së inteligjencës, të cillat perfeksionojnë Fenë dhe e bajnë jeten e tij përherë e mâ shumë shêjte. » (Manise, "L'âme sanctifiée par les Dons du SAINT-ESPRIT", page 242)

E disa me paftyrsinë e heretikve vazhdojnë me e thirrë blasfemuesin Bergoglio "Papa" Françesku ? 

Bergoglio : 

« Nëse dikush i ka përgjigjet në të gjitha pyetjet, atëherë kjo është prova se Zoti s`është me të. Kjo do të thotë se ai është një profet i rremë që e përdor fenë për veten e vet. »

Zef Helmica : 

Sakrilegji Bergoglio jo vetëm që shpif pa pikë turpit por edhe nuk nep asnji referencë për rrênat e tija diabolike. Ashtû si deklarote zyrtarisht shêjtnia e Tij, Papa Piu IX, në Inciklikun e naltpërmendun, të tanë pontifët romanë ruejnë e msojnë të njêjten doktrinë shêjte katolike të pandryshueshme gjatë tana shekujve. Në të kundërt, rrenacàku Bergoglio përhap shpifjet e tija konçijarë që nuk kanë asnji gjâ të përbashkët me doktrinen shêjte katolike; Ky fakt nuk duhet me na habitë sepse Kisha konçiljare, me doktrinat e saja heretike e blasfemuese, âsht ndâ vetë prej Kishës shêjte Katolike Romane, ashtû si deklaron publikisht shejtnia e Tij, Papa Leoni XIII, në Inciklikun "Satis Cognitum", prej të cillit kam shkëputë nji prej citimeve të naltpërmenduna. Që Kisha konçiljare e heretikut Bergolio âsht e ndryshme prej Kishës shêjte Katolike Romane âsht pohue tash gadi 50 vjet mâ parë prej vetë pseudo-teologve konçiljarë : 

« Të tana idetë e mëdhaja të revolucionit amerikan dhe të atij francez s'bashkut me të tana vlerat e tyne demokratike, t'cillat në t'kaluemen kjenë luftue prej të tanë Papëve, u pranuen prej Konçilit të II të Vatikanit. » (Edward Schillebeeckx O.P., Intervistë në gazeten “Jesus”, Maj 1993)

« N'kjoft se krahasojmë epoken tridentine [të Konçilit t'shêjtë të Trentës] të Kundër-Reformës me Konçilin e II të Vatikanit, Konçili i II i Vatikanit, në karakteristikat e tij témelore, âsht 180 gradë në krah t'kundërt. Nji Kishë e re lindi mbas Konçilit të II të Vatikanit. (Hans Küng) » (Juan Valdivieso, “Vatican II Broke with the Magisterium”, 2008, Tradition in Action)

« Konçili i II i Vatikanit shënon fundin e epokës tridentine dhe fundin e kohës së Konçilit të I të Vatikanit. Konçili i II i Vatikanit âsht revolucioni francez n'Kishë. » (“Kardinali” Leo Jozef Suenens, Arqipeshkev i Brukselit; Idem)

« N'Kishë ndodhi Revolucioni i qetë i Tetorit. [Tuej iu referue Revolucionit komunist-bolshevik të 1917 në Rusi]. » (Yves Congar; Idem)

P. Marie-Dominique Chenu, i cilli ka luajtë nji rol t'rândesishëm në shkrimin e dokumentave të ndryshme konçiljare, shprehet se në Historinë e Kishës Katolike, Konçili i II i Vatikanit ka kênë nji shkëputje e vazhdimësisë së saj afro 1500 vjeçare, sepse ky konçil i dha fund “Epokës Konstantine” të Katoliçizmit. Mâ andej ai krenohet me thânjen se ato çâshtje të teologjisë së tij që kishin kênë dënue mâ parë prej Papës Piu XII, bash njâtó çâshtje u përkrahen mâ vonë prej autoriteteve të reja në Vatikan (Idem).

Kardinal Franz König âsht shprehë se Konçili i II i Vatikanit ka aprovue até shka dokumenti “Syllabus” i Papes Piu IX dhe dokumenti “Pascendi” i Papes Sh'Piu X kishin dënue mâ parë. ("Chiesa dove vai?" Gianni Licheri interroga il Cardinale Franz Koenig, Rome : Borla, 1985 pp. 103-104; Tradition in Action)

N'kjoft se dikush i ka tana përgjigjet e vërteta për tana pyetjet, kjo âsht nji provë e sigurt se Shpirti i Zotit âsht me té. Dhe kjo thânje âsht gjithmonë e vërtetë për Vikerin e KRISHTIT JEZUS mbi tokë, Pontifin roman, të cillit vetë Zoti i ka premtue asistencen e vazhdueshme të SHPIRTIT-SHEJT, Shpirtin e të vërtetës (shif Katekizmin e Papës sh'Piu X) për mos me gabue kurrë në drejtimin e gregjës dhe me dijtë gjithmonë me çue në portin e luminisë t'amshueme barken e sh'Pjetrit, që âsht Kisha shêjte Katolike Romane.

« Kur të vijnë Shpirti i së vërtetës, Ai ka me ju msue çdo të vërtetë. » (sh'Gjoni 16:13)

« Sh'Hilari thotë : "KRISHTI, tuej ndêjë në barkë për me na msue, na nep me kuptue se ata që janë jashtë Kishës Katolike Romane nuk munden me pasë asnji lloj inteligjencet mbi Fjalen hyjnore. Barka përfaqson Kishen Katolike dhe vetëm në té jeton dhe ndigjohet Fjala e jetës, dhe ata që janë jashtë ksaj Kishe Romane dhe që rrijnë jashtë, sterilë dhe të padobishëm si râna e detit, nuk munden me E kuptue ("Comment. in Matth.", XIII, n. 1). » (Papa Leoni XIII, "Satis Cognitum", 29 Qershuer 1896)

Asht vetëm në kyt Kishë shêjte Katolike që jeton KRISHTI JEZUS, e Vërteta substanciale dhe e pakrijueme, Fjala dhe Urtia hyjnore e Atit, e Cilla, simbas vetë premtimit hyjnuer, ka me kênë me Kishen Romane deri në fundin e botës.

« Shkoni pra, msoni tana kombet dhe pagzojini n'emen t'Atit e t'Birit e t'Shpirtit-Shejt. Msojini me i mbajtë gjithshka që ju kam urdhnue. E jam me jue, tana ditët, deri në fundin e botës. » (Sh'Mateu, 28:19-20)

E natyrisht ata që pijnë prej ktij burimi hyjnor, Kishës shêjte Katolike Romane, i kanë tana përgjigjet e vërteta me luftue dhe triumfue kundër çdo herezije, blasfème, sakrilegji e gabimit, jo tuej luftue me mendimet e tyne njerzuere e të gabueshme por me vetë Urtinë dhe Fjalen hyjnore. 

Anti-papa Bergoglio âsht nji shembull tipik i profetve të rrêmë, i cilli i paraqitet botës me petkat pontifikale por që flet me zânin e ujkut grabitqar që synon me përpí shpirtnat me doktrinat e tija heretike e blasfemuese. 

Dhe âsht prej fryteve të tija, pra prej vetë ktyne doktrinave heretike që ai përhap, që e difton vedin se âsht profet i rrêmë.

« Ruejuni prej profetve të rrêmë! Kanë me ju ardhë të veshun me tesha qingjash por përmbrênda janë ujq grabitqarë. Ata keni me i njoftë prej fryteve të tyne, ashtû si njifet pema prej fryteve të saja. A vjèlen rrushtë ndër ferra apo fiqtë, ndër gjemba ? Pema e mirë xjerr fryte të mira; pema e keqe, fryte të kqija. Nji pemë e mirë nuk mundet me xjerrë fryte të kqija dhe as nji pemë e keqe, fryte të mira. Por çdo pemë që nuk ban fryte të mira ka me u këputë dhe me u hjedhë n'zjerm. Pra, profetët e rrêmë keni me i njoftë prej fryteve të tyne. » (sh'Mateu 7:15-20)

« Vllâznit e mij, ruejuni prej atyne që shkaktojnë skandale dhe dasína mes jush, tuej u largue prej doktrinës katolike që ju keni msue. Rrini larg prej tyne! Kto njerëz nuk shërbejnë JEZU-KRISHTIN, Zotin tonë, por janë skllevën të epsheve të tyne dhe me fjalë t'âmbla e servile mashtrojnë shpirtnat e thjeshtë. » (Prej letrës së sh'Palit drejtue Romakve, 16:17)

Bergoglio : 

« Udhëheqësit e mëdhenj të popullit të Zotit si Moisiu kanë lënë gjithnjë hapësirë për dyshim. »

Zef Helmica : 

« Dhe Hyji i foli Moízit dhe i tha : "Merreni shkopin tuej e grumbulloni popullin, ju bashkë me vllanë tuej Aaron; i flítni shkambit, në praninë e tyne, dhe shkambi ka me ju dhanë ujë. E kur të keni xjerrë ujë prej shkambit, tanë populli dhe bagtia e tij kanë me pí." Moízi mori shkopin që ishte para Zotit, ashtû si u urdhnue me bâ, dhe mbasi mblodhi popullin para shkambit u tha : "Ndigjoni, ô rebelë e t'pafé! A mundena me xjerrë ujë prej ktij shkambit ?" Moízi, tuej çue krahun, rrahu dy herë shkambin me shkopin e tij dhe doli nji sasi e madhe ujit dhe kshtû mujten me pí populli dhe bagtia.

» N'at moment Hyji i tha Moízit dhe Aaronit : "Sepse nuk besuet n'Mue dhe nuk M'shêjtnuet [nuk M'dhatë lavdí] para fmijve t'Izraelit, nuk keni me i futë kto njerëz në tokën që kam me u dhanë. » (Numrat 20:7-12)

Dr. Allioli, komentet biblike të t'cillit janë aprovue prej Selisë Shêjte, tuej u mbështetë në autoritetin e sh'Agustinit, komenton kshtû kyt pjesë biblike : Moízi dyshoi, n'kjoft se jo në gjithëpushtetin e Hyjit n'përgjithsí, s'pakut në gjithëpushtetin e Zotit në rrethanat aktuale. Prandaj edhe Zoti bani që uji të dêlte mbas ràmjes së dytë. Disa komentues thonë se Moízi dyshoi se kishte me dalë uji mbasi të urdhnote shkambin, ashtû si i premtoi Zoti, prandej edhe e rrahu shkambin me shkop; disa të tjerë thonë se Moízi u frigue se ndoshta prej mosbesimit të popullit uji nuk kishte me dalë, megjithse Hyji e kishte sigurue për ndodhjen e mrekullisë. 

Si pasojë e ktij dyshimi, si ndëshkim, Hyji nuk la as Moízin e as Aaronin me hye në Token e Premtueme mbas 40 vjetësh sjèlljet në shkretinë. 

Prandej, ashtû si e kam cekë ma nalt, Feja shêjte Katolike bazohet në autoritetin hyjnor të pagabueshëm të Hyjit të gjithpushtetshëm. Feja njerzuere, si ajo që kanë heretikët konçiljarë, bazohet në dyshime njerzuere dhe perceptimet intelektuale personale. E kjo fé njerzuere nuk hap dyert e Parrizit por përgadit mallkimin e përjetshëm. 

Prej gadi 603,000 vetësh (shifra âsht marrë prej komenteve biblike të Dr. Alliolit) që dolen prej Egjiptit nën udhjekjen e Moízit dhe Aaronit, mbas nji periudhe gadi 40 vjeçare në shkretinë, vetëm 2 izraelitë të devoçëm hyne në Token e Premtueme : Jozue, i biri i Nunit dhe Kaleb, i biri i Jefonèsë. 

Kjo histori mund të shifet si nji figurë e numrit të vogël të atyne që shelbohen, në krahasim me numrin e madh të atyne që mallkohen. Shkretina âsht nji figurë e luginës së lotve të ksaj bote; Toka e Premtueme, nji figurë e Parrizit. Prandej lypet pendesë, pendesë, pendesë me kênë i dêjë,  dashtë Zoti, me hye nji ditë në luminë e Qiellit t'Premtuem. 

« Asht marrí me dyshue në gjithëpushtetin dhe drejtsinë e Zotit. » (sh'Agustini, "Lib I, Retract." c. 9, post med. p. 9, B, t. 1)

« Ai që dyshon në Fenë Katolike âsht i pafé. » (Gerson)

Tuej lanë gjithmonë vend për dyshim âsht e pamujtun me kênë i krishtênë dhe ai që shprehet kshtû, me dije e vullnet të plotë, nuk ka Fenë Katolike. Skandalozi Bergoglio, me skepticizmin e tij universal [dyshim mbi gjithshka], që në filozofinë skolastike njihet edhe si çmenduni, skandalizon shpirtnat tuej u përpjekë me i largue prej sigurisë së Fesë shêjte Katolike për me i mallkue në dyshimin e paganizmit dhe satanizmit. 

Shpifsi Bergoglio, në përpjekjet e tija satanike me korruptue dhe hupë shpirtnat, shpif se Udhëhjeksit e mëdhaj të Zotit paskan lanë gjithnji hapsinë për dyshim. Vetëm për nji dyshim, në dukje i vogël, Hyji nuk e la Moizin me hí në Token e Premtueme. 

« Hyji nuk mundet me çue nji ndëshkim mâ të randë sesa vërbimin i popullit të Tij tuej i hjekë dhuntinë e Fesë së vërtetë [katolike] me anen e pseudo-doktorve apo doktorve të rrêmë që çon në vendin e doktorve të vërtetë, e kjo në dënim të krimeve tona dhe zemrave tona të papendueme. » (Holzhauser, "Interpretimi i Apokalipsit", 1650)

Doktorët heretikë e t'pafé si Bergoglio janë portretizue mrekullisht në Letren e sh'Judës Apostull dhe në komentin biblik të saj prej don Filionit. 

Kushrini i Zotit tonë JEZU-KRISHTIT, sh'Juda Apsotull i paralajmron besimtarët se njerëz t'pafé e hirprishës janë infiltrue n'mesin e tyne (rreshti 4). Ndër të tjera, kta profetë të rrêmë fyejnë gjithshka shpirtnore që injorojnë (rreshti 10) por korruptohen në gjanat e tjera natyrore, si shtazët; Mjerë për ta, se kanë ndjekë rrugën e Kaínit (rreshti 11), e me të vërtetë ato thirren vrasës si Kaini, i cili mbyti vllaun e tij Abelin prej smíret,  sepse me doktrinat e tyne perverse vrasin Fenë dhe devocionin në shpirtnat e vllâzënve e besimtarve; Mjerë për ta se, për pasuní, kanë râ në gabimin e Balaamit (idem), dhe prej prej dashtnísë për pare kanë dalë prej rrugës së drejtë; Mjerë për ta sepse kanë mbarue në rebelimin e Korèsë (idem), i cilli, me anen e rebelimit sakrilegj kundër Moízit dhe Aaronit deshti me grabitë Pontifikatin suprem judaik; kta profetë të rrêmë e pseudo-doktorë imitojnë rebelimin e Korèsë, si Bergoglio, Ratzinger, Wojtila, Montini, Ronkalli, etj, të cillët, me rebelimin e tyne sakrilegj kundër Kishës shêjte Romane, kanë vue fronin e tyne të neverisë dhe të idolatrisë në vendin shêjt ku vetë sh'Pjetri dhe pasardhsit e tij të ligjshëm kanë pasë Selinë e tyne shêjte si nji diell ndriçues shêjtnijet dhe doktrinet për kombet, egzaktsisht si pat profetizue, në egzorçizmin e vet, Shejtnia e Tij, Papa Leoni XIII, me 13 Tetuer të vjétit 1884  : 

« Anmiq shumë tinzàrë dhe t'pafé kanë mbushë me idhnim Kishen Katolike, Nusen e Qingjit t'papërlyem... dhe kanë vue duert e tyne mbi gjithçka që ajo ka mâ t'shêjtë. Aty ku Froni i sh'Pjetrit dhe i s'vërtetës kjé krijue si nji dritë për kombet, njatý kta anmiq kanë vue fronin e tyne të neverisë dhe t'mosbesimit, në mnyrë që mbasi t'i bien Bariut [Papës] t'munden me shpërnda grégjen [besimtarët].

» O shêjti Mikael, Gjeneral i pamposhtun, ejani, pra, në ndihmë të popullit të Zotit kundër sulmeve të shpirtnave të kqinj e nepja fitoren dhe triumfin. » (Prej Egzorçizmit të S.S. Leonit XIII kundër satanit dhe djajve t'rebeluem)