giovedì, novembre 28, 2013

Replika Katolike 4

prej Zef Helmicës




Shtjefen Dodes S.J. :

« Drejtësia - pajtimi, është vendosur me gjakun e derdhur të të Pafajshmit - Jezu Krishtit, që na ka shpërblyer - e ka paguar dëmin e njerëzimit! Kështu që shpëtimi fitohet me hirin e Zotit - pa meritën e njerëzve, por me besimin në meritat e Jezu Krishtit! »


Zef Helmica :

« Asht e kjartë se Zoti jonë JEZU-KRISHTI ka meritue për né shelbimin dhe tana hiret që të çojnë në shelbim, kjoftë justifikimin, kjoft hiret që e paraprijnë dhe që e pasojnë até si dhe të mirat e përkohshme, për aq sa ato ndihmojnë në shelbim. KRISHTI Zot ka meritue rinjàlljen e trupave, qetsimin e épsheve ("concupiscentia"), në mnyrë që ajo mos të na dominojë dhe në mnyrë që të fiket, bashkë me dobsitë e tjera njerzuere, në fundin e ksaj jete toksuere. "Ai na ka bekue me tana bekimet shpirtnuere... në JEZU-KRISHTIN." (Efezianve 1:2-3)

» Për vetë faktin se JEZU-KRISHTI âsht Zoti jonë, thotë sh'Tomë Akuinati, veprat e Tija janë, n'lidhje me Até dhe n'lidhje me ne, si veprat e nji njiri tjetër n'hirin e Zotit janë n'lidhje me té. Pra, gjithshka që nji njiri mundet me meritue për vedi, JEZU-KRISHTI mundet me e meritue për pjesët eTrupit të Tij Mistik, dhe kjo në nji mnyrë shumë perfekte. Por mos të harrojmë se meritat e JEZU-KRISHTIT na aplikohen, në nji farë mnyret, nëpermjet meritave tona, të cillat janë rrjedhimisht të nevojshme dhe ato jo vetëm që nuk i zvoglojnë por i naltsojnë meritat e JEZU-KRISHTIT, sepse marrin prej ktyne meritave të KRISHTIT Zot tanë virtytin e tyne. 

» Pasioni dhe vdekja e JEZU-KRISHTIT janë si nji shkak universal i faljes së mkateve, ashtû si dielli âsht shkaku universal i dritës dhe i ngrohtsisë së tokës; por ashtû si âsht e nevojshme që çdo qênje t'shfaqet dhe t'i nënshtrohet influencesë së diellit, për me marrë pjesë në driten e tij, kshtû duhet që çdo shpirt t'i nënshtrohet JEZU-KRISHTIT për me përfitue hirin hyjnuer. Asht e kjartë se, pavarsisht Pasionit të Shelbuesit, tanë njerzit léjnë n'mkat dhe disa prej tyne, mbas faljes së mkateve, bijnë edhe nji herë n'mkat dhe mallkohen. Pra âsht e nevojshme për njirin me plotsue disa kushte për me u shelbue. N'kjoft se njerzit nuk kishin ardhë prej Adamit fajtuer, ata nuk kishin me lé n'mkat. Prej gjenerimit trupuer ne trashigojmë fajin e atit tonë t'parë dhe prej regjenerimit shpirtnuer në JEZU-KRISHTIN na jena t'liruem prej mkatit. N'kjoft pra se na nuk riléjmë në Até, nëpermjet Pagzimit, na hùpena, sepse âsht prej ktij rigjenerimit që híni shpirtnuer, fryt i Pasionit të Tij, na âsht dhanë. N'kjoft se nuk mundena ma marrë Pagzimin, mbetet pendesa perfekte me sigurue shelbimin, por ky dispozicion i nevojshëm lyp gjthashtû prej nesh nji përpjekje, e cilla si Pagzimi, âsht fryt i Pasionit të Zotit tonë JEZU-KRISHTIT. Mbas justifikimit, jena n'rrugen e Parrizit, por dikush vêhet n'rrugën e mbarë n'mnyrë që ai t'ecin aty me kambët e veta drejt destinacionit.

» Meritat e JEZU-KRISHTIT jo vetëm që nuk përjashtojnë meritat tona por kto t'fundit mbështeten në ato si mbi temelin e vet dhe prej ktij temeli ata marrin hinin, fillesen e çdo meríte dhe drejtimin e veprave tona të mira drejt jetës t'amshueme. Larg prej zvoglimit të meritave të Shelbesit, veprat tona, përkundrazi, i çojnë ato merita mâ nalt. Kush âsht aq i pamend sa me pretendue se vilet e shëndetshme cënojnë lavdinë e hardhísë, pa t'cillen ata nuk kishin me prue asnji fryt ? Por, thojnë protestantat, meritat e JEZU-KRISHTIT, a nuk mjaftojnë ? Meritat tona, larg prej t'provuemit pafuqinë, dishmojnë, përkundrazi, efikasitetin e tyne, sepse meritat e Zotit tonë JEZU-KRISHTIT na kanë sigurue jo vetëm shelbimin por edhe hinin hyjnuer me e bâ kyt shelbim nëpermjet meritave tona. N'kjoft se Zoti përdor diellin për me ndriçue dhe shiun me freskue nuk âsht se nuk mundet me e bâ vetë drejtpërdrejt, por Ai dishiron me rrezatue edhe mâ shumë fuqinë e Tij, tuej i dhanë krijesave fuqinë me e bâ kyt gjâ. Na i detyrohena edhe mâ shumë Zotit tonë JEZU-KRISHTIT për shelbimin kur, tuej mos u knaqë vetëm me faktin e t'merituemit, Ai ka meritue që na t'a bajmë kyt shelbim nëpermjet meritave tona, gjâ që na nderon edhe mâ shumë. 

» Pra mekênse meritat e JEZU-KRISHTIT nuk i bajnë t'panevojshme meritat tona, pendesa e JEZU-KRISHTIT nuk na përjashton prej pendesës që na duhet me bâ. Kjo e vërtetë âsht nji artikull fejet [dhe mohuesit e tij janë heretikë]. "KRISHTI ka vuejtë për ne, tuej ju lanë shembullin në mnyrë që ju me ecë në gjurmët e Tija." (I sh'Pjetrit 2:21) Simbas Konçilit dogmatik të Trentës, âsht i justifikuem vetëm ai që, i paraprímë prej hinit shpirtnuer, predispozóhet për justifikimin dhe i drejti meriton jeten e përjetshme nëpermjet veprave të mira që ai ban në Hyjin. » (shif Konçilin e Trentës, Sesioni 6, Kanoni 30)

« Kur Apostulli sh'Pal mson se njiri âsht i justfikuem "prej fesé" (kanoni 9) dhe në mnyrë të lirë apo falas (Romakve 3:22-24), kto fjalë duhen kuptue në at kuptim që ia ka dhanë gjithmonë Kisha Katolike Romane. Na thóna se njiri âsht i justifikuem prej Fesë sepse "feja âsht fillimi i shelbimit njerzuer" (st. Fulgentius, "De Fide", to Peter, note 1), temeli dhe rrâja e çdo justifikimit dhe "pa té (fenë) âsht e pamujtun me i pëlqye Zotit" (Hebrejve 11:6) dhe me u bâ bijtë e Tij; na thóna se jena justifikue falas sepse asnjêna prej atyne gjânave që paraprijnë fené apo veprat e mira nuk meriton, n'vetvedi, hinin e justifikimit, sepse "n'kjoft se âsht hí hyjnuer, aj nuk egziston si pasojë e veprave, përndryshej híni nuk kishte me kênë mâ hí hyjnuer" (Romakve 11:6) (Konçili i Trentës, Sesioni 6, Kapitulli 8)

» Tuej kênë pra kshtû t'justifikuem dhe tuej u bâ "miqtë e Zotit" dhe "sherbtorët e Tij" (sh'Gjoni 15:15; Efezianve 2:19), "tuej përparue prej nji virtyti në tjetrin" (Psalmi 83:8), "ata rilèjnë (rinovohen) ditë mbas ditet" (II Korintasve 4:16) tuej nënshtrue me anen e pendesës trupin e tyne (Kolosve 3:5) dhe "tuej i ofrue trupat e tyne si instrumenta drejtsíjet" (Romakve 6:13-19) drejt shêjtnimit, nëpermjet mbajtjes së Urdhnimeve të Zotit dhe të Kishes Katolike Romane; në kyt drejtsi të marrun prej hinit të KRISHTIT, "ku feja bashkpunon me veprat e mira" (sh'Jaku 2:22), ata rriten dhe justifikohen edhe mâ shumë (kanonet 24 dhe 32), ashtû si âsht shkrue : "Ai që âsht i drejtë, të justifikohet edhe mâ tepër" (Apokalipsi 22:11) dhe "Mos u frigo me vazhdue justifikimin deri n'vdekje" (Ekleziast. 18:22) dhe prapë : "Ju e shifni pra se njiri justifikohet prej veprave dhe jo vetëm prej fesé" (sh'Jaku 2:24). » (Idem, kapitulli 10)

« N'kjoft se dikush ka me thanë se vetem me anen e fesë mkatnori âsht i justifikuem dhe asnjigjâ tjetër nuk âsht e nevojshme me bashkpunue në marrjen e hinit justifikues, dhe se nuk âsht aspak e nevojshme që ai të përgaditet dhe të predispozohet me veprimin e vullnedit të tij, atherë ai kjoftë mallkue. » (Konçili dogmatik i Trentës, Kanoni 9; Denzinger : 819)

Pra, si konkluzion, shprehja se shelbimi fitohet pa meritat e njerzve dhe se vetëm besimi mjafton âsht nji shprehje heretike e mallkueme prej Kishës Katolike Romane në Konçilin dogmatik të Trentës. Për rrjedhojë, nuk âsht çudi kur shohim veprimin e arkheretikut Luter dhe dishepujve të tij protestantë që kanë hjekë Epistullin e sh'Jakut prej Bibles protestante, për arsye se lufton konceptin heretik të shelbimit pa vepra të mira e pa merita personale. 

Bibliografi : 

Abati Berthier, "Abrégé de théologie dogmatique et morale", 1927, faqet 154-157
Denzinger, "Burimet e dogmave Katolike, edicioni 30të, 1957, faqet 252-259