venerdì, novembre 15, 2013

Replika Katolike 3

prej Zef Helmicës

Notker Wolf, 'abati' kryesor i pseudo-benediktinve
të sotëm në nji koncert rock (muzikë satanike)



Shtjefen Dodes S.J. :  

« Zef, kam shumë simpati për njerëz që mundohen për pastërtinë e fesë. Dhe çdo shkrim apo kritikë konstruktive në këtë drejtim e mirëpres. Jam i vetëdijshëm që nuk asht lehtë menjëherë me ditë se çka vjen prej shpirtit të mirë (të Zotit) e çka prej shpirtit të keq. Mirëpo, Krishti na ka mësu se prej fryteve keni me i njohtë! Dhe mundemi me thanë që shumë njerëz tu i lexu mendimet e p. Anselmit, që asht rregulltar (murg), e gjejnë paqen e shpirtit, dhe bahen ma të aftë me përhap paqen e dashurinë që asht edhe misioni i një besimtari. Ne e dimë që besimi në Krisht - besimi se vetëm Ai është Shpëtimtari asht hir i kullum prej Zotit, dhe nuk mundemi ne njerëzit me prodhu! Ne, vetëm me jetën tonë mundemi me dëshmu se kush asht Krishti për njeriun. Po ky Krisht na ka thanë "Kush nuk asht kundër meje, asht me mu"! Nuk mundet me qenë dikush kundër Kishës e Krishtit nëse promovon gjetjen e Zotit në krijesat e tij. Ato vetë e kumtojnë lavdinë e Zotit. Feja nuk është vetëm mësim/doktrinë - ajo është vetë jeta! Prandaj, edhe pse shpesh herë në disa shkrime nuk përmendet direkt Krishti, nuk do të thotë se nuk po shpallet vetë Ai, kur promovohet dashuria ndaj krijesave të tij - e që në fakt vetë Bibla na thotë se Zoti është dashuri - të tijat janë malet, i tij asht deti, ai e krijoi... duart e tij e krijuan tokën. Psalmet gufojnë me tekste të tilla. P. Anselmi i thotë të njëjtat gjana vetëm me terminologjinë - gjuhën e njerëzve të sotshëm. Dhe ky asht edhe qëllimi: afrimi te burimi - Fjala e Zotit! »

Zef Helmica : 
Për saktsi, KRISHTI Zot nuk ka thanë «Kush nuk âsht kundër meje, âsht me mue» por te teksti biblik prej sh'Lukës gjejmë fjalët e JEZUSIT : «... ai që nuk âsht kundër jush, âsht me jue » (9:50). Po të shofim interpretimin e ktij pasazhi biblik prej etnëve dhe doktorve të Kishës shêjte Katolike, kryesisht sh'Tomë Akuinatit, sh'Gjon Krizostomit dhe sh'Ambrozit, te vepra e mirënjoftun e Doktorit engjëlluer «Zinxhiri i artë», gjejmë se hiri i Zotit âsht i gjithpushtetshëm dhe vepron në mnyra të ndryshme. Sh'Gjoni Unjilltar i thotë JEZUSIT se kishte pa nji njiri tuej egzorçizue djaj në emnin e KRISHTIT Zot dhe e kishte ndalue sepse nuk ndiqte dishepujt se ai, por Shelbuesi e lejon egorçizuesin me veprue tuej i lanë me kuptue sh'Gjonit Unjilltar dhe tanë besimtarvet se prej hirit të Tij hyjnuer disa janë dishepuj, disa janë profetë, disa doktorë, disa Unjilltarë, disa misionarë, etj. Pra sejcilli ka misionin e vet në Kishen shêjte të KRISHTIT Zot dhe sejcilli kontribon për lavdinë e Hyjit mbrenda Kishës shêjte Romane. Të tanë nuk janë apostuj; të tanë nuk janë doktorë; të tanë nuk janë profetë. Njashtu si edhe thembra nuk âsht sy, e dora nuk âsht krye, por sejcilla pjesë e trupit ka randsinë e vetë në funksionin e tij, në nji mnyrë analoge, çdo pjesë e Trupit Mistik të KRISHTIT Zot, që âsht Kisha shêjte Katolike, luen rolin e saj për mâ të madhen lavdi të Zotit, Kishës Tij shêjte e shelbimin e shpirtnavet. Kjo metaforë e bukur shpjegohet po aq bukur prej sh'Palit në krejt kapitullin e dymbëdhetë të letrës së tij të parë drejtue Korintasve. 

Por ky pasazh nuk i aplikohet kurrsesi nji profeti të rrêmë e nji pseudo-benediktini si Albert Grün, i cilli thirret edhe at, tuej mos kenë as meshtar. 

« Ruejuni prej profetve të rrêmë! Kanë me ju ardhë të veshun me tesha qingjash por përmbrênda janë ujq grabitqarë. Ata keni me i njoftë prej fryteve të tyne, ashtû si njifet pema prej fryteve të saja. A vjèlen rrushtë ndër ferra apo fiqtë, ndër gjemba ? Pema e mirë xjerr fryte të mira; pema e keqe, fryte të kqija. Nji pemë e mirë nuk mundet me xjerrë fryte të kqija dhe as nji pemë e keqe, fryte të mira. Por çdo pemë që nuk ban fryte të mira ka me u këputë dhe me u hjedhë n'zjerm. Pra, profetët e rrêmë keni me i njoftë prej fryteve të tyne. » (sh'Mateu 7:15-20)

« Vllâznit e mij, ruejuni prej atyne që shkaktojnë skandale dhe dasína mes jush, tuej u largue prej doktrinës katolike që ju keni msue. Rrini larg prej tyne! Kto njerëz nuk shërbejnë JEZU-KRISHTIN, Zotin tonë, por janë skllevën të epsheve të tyne dhe me fjalë t'âmbla e servile mashtrojnë shpirtnat e thjeshtë. » (Prej letrës së sh'Palit drejtue Romakve, 16:17)

Fjalët e âmbla e relaksuese të filozofisë ezoterike të Grün-it nuk kanë asgja të përbashkët me mesazhin e krishtênë të shelbimit të shpirtnave dhe doktrinen shêjte katolike. Rruga e Parrizit âsht Rruga mbretnore e Krygjës, ashtû si mson vetë Kisha Katolike Romane e doktorët e mistikët e saj mâ të mëdhaj. Ata që kërkojnë nji rrugë tjetër janë nën mashtrimin e satanit dhe rrezikojnë me u mallkue përjetë në Ferr. Rilexoni edhe njiherë fjalët e arta të shejtit Gjon-MARIA Vianí, Famullitarit të Arsit (Replika Katolike 1). Rruga ezoterike, terapeutike e Grün-it çon drejt nji lloj hipnoze mendore, drejt nji lloj posedimi satanik që e len shpirtin në nji  qetsi të rrême derisa të desin për me përfundue mandej në spazmat e Ferrit të përjetshëm. 

Asht me mashtrue me thanë se Grün përshkruen të njêjtat doktrina kristjane por me terma moderne. Së parit, po të studioni fushen e morfologjisë dhe sintaksës, keni me kuptue se nuk ka kurrë dy sinonime të njêjta dhe se nji fenomen i caktuem nuk përshkruhet kurrë njilloj tuej përdorë terma të ndryshme. Jo më kot Kisha Katolike ndalon rreptsisht ndyshimin e fjalve, për shembull, në administrimin e Sakramenteve, në lutjet liturgjike (Mesha shêjte Romane), në msimin e koncepteve bazë të teologjisë dhe filozofisë katolike, etj. 

Grün me fjalorin e tij ezoterik përhap nji doktrinë anti-katolike dhe revolucionare, nën petkun e fjalve të âmbla e humanitare, tuej kontribue kshtû fuqishëm në ndërtimin e Kishës katolike humanitare judeo-masonike (shif Replika Katolike 1, 2)

Në nji intervistë të tij në 2007 (Cafébabel), Grün shprehet se në vitet 60' ishte prej atyne që u rebelue kundër traditave « të vjetra » të Kishës Katolike dhe « ritualeve të saja të pluhnosuna ». Pra shofim lindjen e nji Luter i ri qysh në vitet 60'. 

« Doktrína e Fèsë Katolike, e cilla âsht e zbulúeme prej vetë Zotit, nuk i âsht paraqítë arsýeve njerzuere për përfeksioním. Kjo doktrínë nuk âsht nji sistem filozofík, por nji depozítë hyjnore e besueme Nuses' KRISHTIT, Kishës Katolike, n'mnýrë që ajo t'a rúejë me besnikní dhe t'a interpretójë me pagabueshmëní. Për rrjedhójë, kuptimi i dógmave shêjte katolike duhet me u ruejtë përjetsisht njashtû si e ka dhânë nji herë e përgjithmónë Kisha Shêjte Katolike. Ky kuptim nuk duhet me u harrue kurrë me pretékstin e nji kuptimi mâ t'thêllë t'vërtetës. » (Konçíli i Vatikanit-1870, Konstitucioni "Dei Filius", Kapitulli IV)

« N'kjóftë se ndonjí persônë thotë se prej influèncës dhe zhvillímit të shkéncave, msímeve t'Kishës Katolike ka me iu dhânë në t'àrdhmen nji kuptim tjetër prej atij kuptimi që Kisha Katolike ia ka dhânë apo ia nep sod, aj persônë kjóftë mallkue. » (Konçíli i Vatikanit-1870, Kapitulli 4, Kanoni 3) 

Feja shejte Katolike, ashtû si mson Kisha Katolike Romane âsht ekluzivisht nji Revelacion hyjnor, transhendent, që vetem ajo ka misionin me e interpretue dhe msue. Ata që nuk i binden autoritetit të Kishës Katolike, si Grün, që rebelohet kundër traditave dhe doktrinave të saja shejte, dhe predikojnë nji tjetër unjill (lexoni citmin prej Letrës mbi Sionin të Papës sh'Piu X -Replika Katolike 1), me pretekstin e nji dashnije për krijesat, kur kanë harrue dashninë për Krijuesin që bazohet në të vërteten e pandryshueshme të Fesë Katolike, kanë braktisë vetë kyt Fé Katolike dhe e kanë vue vedin në rangun e heretikve. Pa Fé Katolike nuk mundena me i pëlqye Zotit mson sh'Pali në letren e tij drejtue Efezianve, prandej çdo lloj dashnijet që nuk bazohet mbi kyt Fé Katolike nuk ka kurrëfarë vleret për jeten e amshueme dhe për Zotin, i Cilli na ka krijue me E njoftë, me e dashtë, dhe me E sherbye, e tuej bâ kshtû, me fitue Parrizin. Ky âsht qellimi i vetëm i egzistencës tonë e jo dashnija për krijesat (Katekizmi i Papës sh'Piu X). 

« Ai që ju ndigjon Më ndigjon dhe ai që ju përbuz, Më perbuz; dhe ai që Më përbuz, përbuz Até që Më ka dërgue. » (Sh'Luka 10:16)

Dashnija për krijesat ka si qëllim final Hyjin, sepse katolikët dojnë krijesat për dashni për Zotin dhe jo për dashni për krijesat. Grün, dhe ata që e ndjekin kyt profet të rrêmë, korrupton kyt lloj dashnije qe Zoti kërkon prej nesh në kyt botë; me të vërtetë ai « predikon » nji farë gjetje të Zotit në dashninë ndaj krijesave por kjo dashni nuk âsht dashnia katolike por nji dashni mondane, humanitare, sensuale që nuk ka për bazë Fenë shêjte Katolike dhe Autoritetin e Kishës katolike. Pra kjo rrugë âsht nji illuzion diabolik se largohet prej Rrugës Mbretnore të Krygjës, e vetmja mnyrë me mbrritë në Parriz. 

« Vllâzen të nderuem, Ne dishirojmë me ju tërhjekë vëmendjen mbi kyt deformim të Unjillit dhe të karakterit shejt të Zotit tonë JEZU-KRISHTIT, Zot e Njiri, të praktikuem në lëvizjen e Sionit dhe në vende të tjera. Në disa mjedise, âsht bâ zakon që kur fillohet me u trajtue çâshtja sociale, menjiherë shmanget Hyjnia e JEZU-KRISHTIT, për me u folë për butsinë e Tij supreme, për mshiren e Tij ndaj tana vuejtjeve njerzuere, për thirrjet e Tija të ngutshme mbi dashtninë për të afërmin dhe vllaznimin. Padyshim, JEZUSI na ka dashtë me nji dashtni të pamasë, të pafundme, dhe ka ardhë me vuejtë e dekë mbi tokë, në mnyrë që tanë njerzit, të mbledhun rreth Tij, në drejtsi e dashtni, të frymzuem prej sentimenteve të njêjta të dashtnisë reciproke, të munden me jetue në paqe e mirsí. Por për realizimin e ksaj lumnie të përkohshme dhe të përjetshme, me nji autoritet suprem, Ai ka vue si kusht bâmjen pjesë në gregjën e Tij, [Kishen e KRISHTIT ZOT], pranimin e doktrinës së Tij, praktiken e virtyteve, bindjen e plotë ndaj doktrinës dhe drejtimit të sh'Pjetrit dhe pasardhsve të tij. Mandej, n'kjoft se JEZUSI ka kênë i mirë për të húpunit dhe mkatnorët, Ai nuk i ka respektue bindjet e tyne të gabueme, sado të sinqerta që mund t'jenë dukë ato; JEZUSI i ka dashtë të tanë njerzit me i msue, konvertue dhe shelbue. N'kjoft se i  ka thirrë rreth Vedit t'vuejtunit dhe t'munduemit, për me i lehtsue, Ai nuk e ka bâ kyt gjâ për me u predikue xhelozinë e nji barazie sociale utopike. N'kjoft se i ka naltsue t'vuejtunit, Ai nuk e ka bâ kyt gjâ për me u frymzue ndjenjen e nji dinjiteti të pamvarun dhe rebel ndaj autoritetit të ligjshëm. N'kjoft se Zemra e Tij ishte e tejmbushun me butsi për shpirtnat vullnet-mirë, Ai ka dijtë me u armatosë me nji zemrim shejt kundër profanuesve të Shpisë së Zotit, kundër të poshtërve që skandalizojshin të vegjlit, kundër autoriteteve judaike t'asokohe që shtypshin popullin nën barren e detyrimeve të randa, n'nji kohë kur kto autoritete nuk u vejshin as gishtin me i çue. JEZUSI ka kênë sa i fortë aq edhe i butë; Ai ka kritikue, kërcënue e dënue tuej ditë dhe tuej na msue se shpesh ndroja âsht fillimi i dijes dhe se kajherë duhet me këputë nji gjymtyrë për me pshtue trupin. S'fundmi, Ai nuk ka shpallë për shoqninë e ardhshme mbretninë e nji lumnije ideale ku vuejtja nuk do të egzistonte mâ, por me msimet dhe shembujt e Tij, Ai ka skicue rrugen e lumnisë së mundshme mbi tokë dhe të lumnisë perfekte në Qiell; e kjo rrugë âsht Udha mbretnore e Krygjes.  Asht gabim me i aplikue kto doktrina vetëm në jeten individuale, për me mbrritë nji ditë shelbimin; kto janë doktrina krejtsisht sociale, dhe në Zotin tonë JEZU-KRISHTIN, ata nuk kanë asgjâ të përbashkët me nji humanitarizëm utopik dhe pa autoritet. » (Aktet e S.S. Piu X, "Letra mbi Sionin", 31 Gusht 1910; "Acta Apostolicae Sedis", Vol II, No. 16)

Qé tashti edhe disa prej fryteve të rrugës grüniane që nuk çon në Parriz por në Ferr. 
Simbas intervistes që permenda mâ nalt, por edhe simbas veprave të tija, filozofia e grüniane, ashtû si konçiljarët, vejnë njirin në qendër të Kishës së tyne, që nuk âsht Kisha Katolike ku KRISHTI Zot e Mbret âsht qendra e saj; filozofia e tij âsht ajo e nji tolerance anti-katolike që nuk proklamon Fenë Katolike si të vetmen Fé që pshton shpirtin, tuej imitue kshtû konçiljarët në ekumenizmin e tyne heretik e blasfemues. Grün mbrrin deri aty sa që shprehet publikisht se sodomia (homoseksualiteti) nuk duhet me u konsiderue mâ si mkat, kur ne dijmë se ky ves i ndytë âsht nji prej krimeve mâ të randa që thrret Qiellin për hakmarrje, e për me dhanë nji shembull sesa e urren Hyji kyt perversitet, qytetet e Sodomës dhe Gomorrës u zhduken me sulfur e zjerm prej Qiellit. 

Qé pra ku çon filozofia grüniane. Komentet e tjera janë të panevojshme. 


Bibliografi :

http://www.cafebabel.fr/societe/article/anselme-grun-lhomosexualite-nest-pas-un-peche.html