martedì, marzo 29, 2022


+ Në nderim të shêjtit t'lavdishëm, Shën JOZEFIT +

Në mesin e Krezhmës kuadragjezimale, festa e madhe e ma t'madhit prej shêjtënve mbas tejet shêjtes Virgjinës MARI, shën Jozefit, vjen si nji fllad i kandshëm pranveret që, tuej zbutë sadopak rigorizmin e pendesës ekleziastike, dikund shkrin akullin e zêmrave t'ngrime prej acarit mondan, e n'vende tjera përkdhel e ndez flak devocjonin e vullnetmirve që bijnë gjithkund aromen e Paqes prej t'Naltit Zot.

Kjo ditë e bekueme çdo vjetë më kthen mbrapa n'kohë, në kujtimet plot nostlagjí të fmijnisë t'eme t'hershme, kur n'nji qoshe, mbrapa elterit të kishës françeskane t'Arrës s'Madhe, duert e konsakrueme të Don Luigjit m'hjedhshin mbi ballë ujin pagzues. Edhe vetë qiella n'kyt ditë qeshte me rrezet e saja prandverore, që dukeshin sikur përziheshin e luejshin me aromen e ambël e shumëngjyrshe që nalcohej prej luleve e gjetheve në bahçet e mbjedhuna me kujdes. Ishte dashtë pênda e nji poeti me përshkrue gazmendin e asaj dite që nuk mbaron kurrë.

« Hierarkitë qiellore t'ju festojnë, o Jozef ! Tanë koret e t'krishtênve të shpallin lavdítë tueja, Ju që rrezatues prej meritave jeni lidhë përmes nji aliance virgjën me Virgjinën e lavdishme ! Ashtu kjoft ! » (Prej hymnit « Te Joseph celebrent »)

Kisha Katolike gjithmonë e ka festue shën Jozefin s'bashkut me JEZUSIN e tejet shêjten Virgjinën MARI, sepse n'Familjen shêjte e qiellore të Nazaretit tri Zemra bajshin nji Zemër të vetme, në vuejte, lutje e dashtní hyjnore. Qysh në shekullin e VIII, simbas nji kalendari kopt, sh'Jozefi festohej me 20 Korrik. Në fundin e shekullit të XV, kjo festë u caktue me 19 Mars dhe në 1621, Papa Gregori XV e vendosi diten e sh'Jozefit për tanë Kishen Katolike. Në 1870, Papa Piu IX, shpalli shën Jozefin « Pajtorin e Kishës Katolike universale ». Ashtu si tejet shêjtja Virgjina MARI, edhe i lavdshmi shën Jozefi i përkiste rracës mbretnore të Davidit, përmes bijve të Salomonit, birit të Davidit. Dinjiteti i shën Jozefit asht i pakrahasueshëm me ndonji shejt tjetër, mbas Virgjinës së Papërlyeme, saqë edhe vetë Arkengjelli Gabriel e thërret në emen, « Jozef, bir i Davidit », ashtu si JEZUSIN dhe Virgjinën MARI, gjâ krejt e veçantë dhe e mrekullueshme, sepse shohim, si në Beslidhjen e Vjetër ashtu edhe në Beslidhjen e Re, sesi engjujt u drejtoheshin profetve apo të zgjedhunve të Zotit, tuej mos i thirrë në emën, fakt që diftonte superioritetin engjellor karshi njerzve, edhe në rastet kur kta ishin të zgjedhunit e Zotit. Kujtoni atherë kur engjelli i Zotit iu shfaq në burg shën Pjetrit, shefit të Apostujve, dhe nuk iu drejtue me emën, por i tha me u çue n'kambë, me u veshë dhe me e ndjekë. Me nji fjalë, autoriteti i shën Jozefit asht superior mbi tanë shejtnit e tjerë, siç shkrova ma nalt, prandej edhe Kisha i ofron vetëm shën Jozefit, mbi tanë shejtnit e tjerë, kultin e protodulisë apo dulisë supreme (kulti i dulisë i nepet shejtënve të tjerë); Nanës së Zotit, kultin e hiperdulisë, apo të nderit ma të naltë mbi tana krijesat, dhe vetëm Zotit, kultin e latrisë apo të adhurimit.

Mbas Nanës tenZot, shën Jozefi ka autoritet t'madh e fuqi t'jashtzakonshme pranë Hyjit, për ma na ndihmue në tanë nevojat tona, si shpirtnore ashtu edhe trupore. Mbi tokë, shën Jozefi, si shefi i Familjes Shejte dhe përfaqsues i vetë ATIT qielluer, kishte pushtet mbi vetë Birin e Zotit, rast ky unik dhe i papamë ndojherë. Sa shumë duhet të nderojmë pra shën Jozefin, për arsye të dinjitetit të tij dhe sa shumë duhet t'kena besim te Ati kujdestar i JEZU-KRISHTIT dhe Bashkorti virgjën i Nanës së Zotit, për arsye të shejtnisë së tij të pakrahasueshme, thotë shën Alfonsi.

Dinjiteti i Shën Jozefit

Detyrimi që kena me nderue nalt shën Jozefin nuk vêhet në dyshim, mbasi vetë JEZU-KRISHTI ka dashtë me e nderue tuej e thirrë « Atë » (Orig. Hom 17, in Luc. II). N'kjoft se vetë Biri i Zotit ka dashtë me e nalcue shën Jozefin në nji rang kaq të naltë, asht ma se e natyrshme që edhe na, mkatnorë të shkretë, të bajmë gjithçka mundena me nderue si duhet kyt shejt të lavdishëm. Cili engjëll apo cili shejt ka meritue me u quejtë prej JEZU-KRISHTIT « Até », thotë shën Bazili ? Prandej mundena me ia aplikue pa hezitim shên Jozefit fjalët e shën Palit : Mbasi ishte mbi engjujt, shën Jozefi ka marrë nji emën ma të lavdishëm sesa ata (Hebr. I, 4). Përmes emnit « Atë », shën Jozefi asht nderue prej Birit të Zotit ma shumë se tanë patriarkët, profetët, apostujt e pontifët, të cilët të gjithë kishin emnin « shërbtuer », ndërsa shën Jozefi, « Atë ». Në Familjen Shejte, Shën Jozefi urdhnonte, dhe Biri i Zotit bindej (sh'Luka II, 51). Ky nënshtrim i JEZU-KRISHTIT, dishmi e përvujtnisë së Shelbuesit, na difton sa i madh asht dinjiteti i shën Jozefit (Gerson, Serm, de Nat. Virg.). Përsa kohë që shën Jozefi jetoi me Birin e Zotit dhe tejet shejten Virgjinën MARI, pra afro 30 vite, Shelbuesi i njerzimit e respektoi até si nji Atë dhe iu bindë si nji Ati. Simbas revelacioneve të shejtes Brigjitë, Biri i Zoti ishte aq i bindun saqë kur shën Jozefi I urdhnote, « bani kshtu apo ashtu », Biri i Zotit bindej menjiherë. Simbas shën Bernardit, Hyji nuk zgjodhi shën Jozefin vetëm me kênë ngushlluesi i Virgjinës së Papërlyeme, e Cila kaloi vuejtje të shumta mbi tokë, jo vetëm me kênë Ati kujdestar (ushqyes) i JEZU-KRISHTIT, por ma tepër, Hyji dishiroi që shën Jozefi të ishte, në nji farë mnyre, bashkpunuesi i Hyjit në shelbimin e botës, që kjè vepra e kshillit të madh e tre Personave hyjnuer (Hom. 2 sup. Miss.). Për rrjedhojë, Hyji deshti që shën Jozefi të ishte për JEZU-KRISHTIN si Atë, të kujdesej për ushqimin dhe mbrojtjen e Shelbuesit prej kurtheve t'anmiqve të Tij. Kur engjëlli i tha sh'Jozefit, prej Hyjit, « Merr Fmijen e Nanen e Tij e shkoni në Egjipt... », ATI sikur i tha fjalët e psalmit « Jue ju asht caktue kujdesi i t'vorfnit » (Ps 10, 14). Po, Jozef, vazhdon komentin shën Alfonsi tuej ia atribue fjalët ATIT qielluer, e kam nisë Birin Tem mbi tokë, dhe E kam nisë të vorfën, të përvujtë, pa shkëlqim pasunish e pa dinjitete të dukshme. Prandaj Biri Jem ka me u përbuzë prej botës dhe ka me u quejtë « biri i nji zejtari », simbas zanatit të përvuejtë që ju ushtroni. Kam dashtë që ju, Jozef, të jeni i vorfën, sepse ju kam destinue me kênë si Atë për Birin Tem, i vorfën si ju, sepse nuk ka ardhë në botë për me dominue, por për me shpetue njerzit përmes vuejteve të Tija dhe vdekjes së Tij në Krygj. Ju pra keni me kênë mbi tokë roja dhe Ati i Tij, në vendin Tem : Jue pra ju asht caktue kujdesi i të vorfnit ; po E dorzoj në duert tueja : Ka me u persekutue dhe ju do të merrni pjesë në persekutimet e Tija. Jini vigjilent dhe besnik. Për rrjedhojë, komenton sh'Gjoni i Damaskut, Hyji i dha shën Jozefit dashtninë, vigjilencën dhe autoritetin e Atit. Hyji dishiroi që sh'Jozefi të ishte prezent në Lindjen e JEZU-KRISHTIT, në mnyrë që të ishte dishmitar besnik i lavdisë që engjujt i dhanë Hyjit, me kyt rast. Hyji deshti gjithashtu që Sh'Jozefi të ishte dishmitar i vizitës së tre mbretënve të Lindjes, të cilët kishin ardhë me adhurue JEZU-KRISHTIN, Birin e Zotit. Ma vonë, për shkak të urrejtjes së Herodit dhe planit të tij me masakrue Birin e Zotit, Hyji e udhëzoi sh'Jozefin me marrë JEZUSIN dhe tejet shêjten Virgjinën MARI dhe me shkue në Egjipt, në nji vend pagan, pa miq e pa të njoftun. Sh'Jozefi u bind dhe u nis menjiherë. Mbas vdekjes së Herodit, Hyji nisi prap nji engjëll, për me lajmrue sh'Jozefin me u kthye në vendlindje, dhe sh'Jozefi veproi pa vonesë simbas urdhnesave hyjnore, me nji konformitet të plotë ndaj Vullnetit të Zotit. Mbas ardhjes në Nazaret, sh'Jozefi vazhdoi misionin e marrun prej Hyjit deri në momentet e fundit të jetës së tij toksore. Kur JEZUSI ishte 12 vjeç, Familja Shejte shkoi për adhurim në Jeruzalem, ku JEZUSI iu msheh kujdesit të Nanës tenZot e sh'Jozefit për tri ditë; mbas gjetjes së Tij në Tempull, Familja Shejte u kthye në Nazaret, ku sh'Jozefi jetoi deri në vdekje, dhe n'momentet e fundit u asistue prej vetë Birit të Zotit e Nanës tenZot, tuej dekë prej dashtnisë hyjnore, si Virgjina e Papërlyeme, mson sh'Françesku i Salës. Prandej, tuej kujtue kyt privilegj të madh me dekë në krahët e Shelbuesit dhe Nanës së Tij tejet shejte, Mbretneshës së Qiellit e t'dheut, sh'Jozefi thirret edhe si Pajtori i dekës së mirë.

Shejtnija e shën Jozefit

Na duhet me pasë nji besim të madh në mbrojtjen e sh'Jozefit, sepse Aj ka kenë shumë i dashtun prej Hyjit, për arsye të shêjtnisë së tij. Për me vlersue shejtninë e sh'Jozefit, mjafton me dijtë, vazhdon komentin shën Alfonsi, se sh'Jozefi kjè zgjedhë prej Hyjit me përmbushë detyren e Atit, pranë JEZU-KRISHTIT. Shën Pali thote se « Hyji na ka bâ ministra të dejë të Beslidhjes së Re »; shën Tomë Akuini komenton shën Palin tuej thanë se çdo herë që Hyji zg'jedh dikend për nji mision t'caktuem, i nep atij tana hiret e nevojshme për me krye si duhet misionin e dhanun. Nuk mundena me dyshue pra se Hyji i dha sh'Jozefit tana hiret e privilegjet që i ka dhanë shejtënve të tjerë. Për ma tepër, Suarez dhe Gerson thonë se sh'Jozefi mori prej Hyjit edhe tri privilegje të veçanta, mbi tanë shejnit e tjerë : 1. Me kenë shejt qysh në barkun e nanës së vet, si Jeremija dhe sh'Gjon Baptisti; 2. me kenë i siguruem në hirin e Zotit dhe 3. me kenë gjithmonë i paprekun prej lëvizjeve të epsheve njerzore. Ky privilegj i tretë mundet me iu dhanë edhe atyne që, prej meritave të sh'Jozefit, e nderojnë si duhet Shefin e Familjes Shejte.

Sh'Jozefi në Unjillin shejt thirret « i drejtë » (sh'Mateu 1, 19). Çka don me thanë i drejtë ? Sh'Pjetër Krizologu na e spjegon kyt pasazh, tuej thanë se i drejti asht njiri perfekt, i pajisun ma tana virtytet. Sh'Jozefi ishte shejt përpara martesës virgjën me Nana e Zotit, por mbas martesës aj u rrit edhe ma shumë në shêjtní. Vetëm shembujt e Bashkshortes së tij shêjte mjaftonin me e shêjtnue. Mbasi Nana e tenZot asht pranë JEZU-KRISHTIT Ndërmjetsuesja e tana hireve hyjnore që Hyji u akordon njerzve, sa t'shumta do t'jenë kênë hiret me t'cilat Virgjina tejet shêjte zbukuroi Bashkshortin e saj virgjën, tuej kujtue ktu dashtninë shêjte që lidhte kta dy Bashkshkortë qielluer. E për ma tepër, shêjtnija e sh'Jozefit asht rritë edhe ma shumë, në prezencën e vazhdueshme e familjare me Birin e Zotit ! N'kjoft se dishepujt e Emausit u ndezën flakë me dashtni hyjnore, për pak kohë që ndejtën me Shelbuesin, çka mundena me thanë për dashtninë hyjnore dhe tana virtytet e shën Jozefit, i cili ka bisedue familjarisht me Birin e Zotit për afro 30 vjet, tuej vëzhgue e imitue me përsosmëni virtytet hyjnore të Birit të Zotit ? Çfarë zjermit hyjnuer do t'ketë ndezë zêmren shejte të sh'Jozefit, që ishte e shkëputun prej tana afeksioneve toksuere ?

Ashtu si na mson Shkrimi Shejt, JEZU-KRISHTI ka me shpërblye sejcilin simbas meritave (Romakve 2, 6). Në fakt, të zg'jedhunit që kanë me u shpërblye për vepra e tyne të mira, p.sh. ndihmen që ata i kanë ofrue të vorfënve, nuk i kanë krye kto vepra te Persona hyjnore e JEZU-KRISHTIT por te t'vorfnit, tuej pa KRISHTIN në ta. Kurse sh'Jozefi ka veshë, ushqye e strehue personalisht vetë Personën hyjnore të JEZU-KRISHTIT. E biles E ka mbrojtë Até edhe prej vrasjes që Herodi kishte planifikue dhe prej tana rreziqeve të ksaj jete kalimtare. Prandej, edhe shpërblimi i sh'Jozefit në Qiell prej Hyjit asht tepër i madh. Tanë kta shembuj shërbejnë me rritë besimin tonë në mbrojtjen e sh'Jozefit, dhe duhet të jena të bindun, vazhdon sh'Alfonsi, se Hyji nuk i refuzon asnji hir sh'Jozefit, kur Shefi i Familjes Shejte lutet për ata që e nderojnë dhe e respektojnë. Nuk duhet të dyshojmë, thotë shën Bernardini i Sienës, se në Qiell JEZU-KRISHTI nuk i refuzon sh'Jozefit respektin dhe familjaritetin që i nepte g'jatë jetës toksore, si nji bir atit të vet; e për ma shumë, i shton favore tjera. (Serm. de S. Jos.) Ka disa shêjtën që munden me ndihmue në rrethana t'caktueme, thotë shën Bernardi, kurse sh'Jozefi ka marrë fuqinë prej Hyjit me i ndihmue ata që e lusin me devocjon në tana nevojat e tyne. Shën Tereza e Avilës e dishmon kyt t'vërtetë prej eksperiencës së saj, dhe thotë se Hyji duket se i ka dhanë shêjtënve të tjerë fuqinë me na ndihmue në nji rrethanë të vetme, kurse sh'Jozefit i ka dhanë fuqinë me na ndihmue në tana problemet tona.

Ashtu si JEZU-KRISHTI ka dashtë me iu nënshtrue sh'Jozefit mbi tokë, ashtu edhe në Qiell, Biri i Zotit ban gjithçka që i kërkon sh'Jozefi. Imagjinoni, pra, të dashtun lexues, që Hyji tuej na pâ në hall, na thotë të tanve fjalët që dikur faraoni i tha popullit në kohen e urisë së madhe të Egjyptit : « Ite ad Joseph » (Gjeneza XLI, 45), « Shkoni te Jozefi, n'kjoft se kërkoni ngushllim ». Kshtu pra, mos t'mungojmë që t'i lutena përditë sh'Jozefit, i cili mbas tejet shêjtes Virgjinës MARI asht shêjti ma i fuqishëm pranë Zotit. E sidomos në nandshen që Kisha ia dedikon mos t'mungojmë me i kërkue hire, e me mbajtë njinesë vigjiljen e 19 Marsit, dhe sh' Jozefi ka me na i plotsue tana kërkesat tona, n'kjoft se janë për t'miren e shpirtit tonë. Tri hiret kryesore që na duhet t'i kërkojmë Shefit të Familjes Shejte, shton sh'Alfonsi, janë falja e mkateve tona, dashtnija e JEZU-KRISHTIT dhe vdekja e mirë.

Akt konsakrimit ndaj shêjtit Jozef

O i lavdishmi shêjti Jozef, i dêjë mes tanë shêjtënve me u venerue, dashtë dhe lutë, për arsye të përsosmënisë së virtyteve tueja, të madhshtisë së lavdisë tuej dhe të fuqisë së ndërmjetsimit tuej; në prezencën e TRINISE TEJET SHEJTE, të JEZU-KRISHTIT, Birit tuej t'adoptuem, dhe të tejet shêjtes Virgjinës MARI, Bashkshortes tuej virgjën dhe Nanës teme t'dashtun, po ju zg'jedh sod si avokatin tem, pranë Hyjit dhe Nanës tenZot, si mbrojtsin dhe atin tem; po zotohem, me hirin e Zotit, mos me ju harrue kurrë, me ju nderue tana ditët e jetës teme, dhe ma ba gjithçka që varet prej mejet, për me u frymzue devocjonin ndaj jush tanë atyne që i kam nën përgjegjsí. Denjoni, po ju lutem, o ati jem i dashtun, me m'vue nën mbrojtjen tuej t'veçantë; jam i padêjë, por sidokjoft, për dashtninë që keni për JEZUSIN dhe tejet shêjten Virgjinen MARI, denjoni me m'pranue si sherbtorin tuej t'përjetshëm, dhe n'sajë të atij familjariteti t'ambël që kishit pranë JEZUSIT e Virgjinës tejet shêjte MARI, gjatë jetës tuej toksore, denjoni me më mbrojtë ktu mbi tokë, në mnyrë që mos të ndahem kurrë prej hirit shêjt të Zotit. Në sajë të asistencës që kishit në JEZUSIN dhe tejet shêjten Virgjinën MARI në momentin e deks tuej, denjoni me me mbrojtë veçanarisht në momentin e deks teme, në mnyrë që mbasi të vdes në shoqninë tuej, të JEZUSIT dhe tejet shêjtes Virgjinës MARI, të vij nji ditë me ju falenderue në Parriz, dhe n'shoqninë tuej të mundem me lavdue dhe dashtë përgjithmonë Zotin tonë. Ashtu kjoft !

Lutje e Sh. T. Papës sh'Piu X ndaj sh'Jozefit, modeli i puntorve

O i lavdishmi sh'Jozef ! Modeli i tanë puntorve, denjoni me m'sigurue hirin qiellor për me punue me nji shpirt pendeset, për shpagimin e mkateve t'mija të shumta ; për me punue me ndërgjegje, tue vue përgjegjsinë e detyrimeve përpara preferencave të mija ; për me punue me mirënjohje e gzim, tuej konsiderue si nder me kultivue e frytzue, përmes punës, dhuntitë e marruna prej Zotit ; për me punue me disiplinë, paqe, vetpërmbajtje e durim, për mos me u tërhjekë kurrë përpara lodhjes dhe vështirsive ; për me punue veçanarisht me pastërti qëllimi dhe shkëputje prej vetvedit, tuej pasë gjithmonë para syve vdekjen dhe llogarinë që kam me dhanë për kohen e hupun, për talentet e pashfrytzueme, për t'miren e pakryeme e vetknaqsinë krenare në suksese, aq shkatrruese ndaj veprës hyjnore. Gjithçka për JEZU-KRISHTIN, gjithçka përmes tejet shêjtes Virgjinës MARI, gjithçka në imitimin tuej, o patriark sh'Jozef. Kjo ka me kênë motoja eme për tanë jetën dhe n'momentin e deks. Ashtu kjoft ! (300 ditë indulgjencë; 25 Nandor 1906)

Lutje t'lavdishmit sh'Jozef, Pajtorit të Kishës Katolike Universale

Po kërkojmë ndihmen tuej n'travajet tona, ô i lumi Jozef, e mbasi kena kërkue ndihmen e Bashkshortes tuej têjet shêjte, me shpresë po lusim edhe patronazhin tuej. Për at dashtní hyjnore që ju ka bashkue me Virgjinën e Papërlyeme, Nanen e Zotit ; për at dashtní atnore me t'cilën ju keni përqafue JEZUSIN Fmí, na po ju lutena me pâ me mirsí trashigimínë që JEZU-KRISHTI ka fitue me Gjakun e Vet, dhe me na asistue me fuqinë dhe ndihmen tuej në nevojat tona.

Denjoni me mbrojtë, ô Kujdestar tejet i urtë i Familjes hyjnore, rracen e zgjedhun të JEZU-KRISHTIT ; denjoni me na ruejt, ô Atë tejet i mshirshëm, prej çdo njolle mkatit, gabimit dhe korrupsionit ; denjoni me na e prî mbarë dhe me na asistue prej Qiellit, ô Pajtori jonë tejet i fuqishëm, në luftën tonë kundër fuqive t'errsinës ; dhe ashtu si E keni shpëtue dikur JEZUSIN Fmi prej rrezikut të vdekjes, po ashtu denjoni me mbrojtë sod Kishen Shêjte të Zotit prej kurtheve anmike dhe çdo të keqet. Denjoni me na falë ndihmen tuej t'përhershme, në mnyrë që, t'mbështetun në shembullin dhe mbrojtjen tuej, na t'mundena me jetue shêjtnisht, me dekë devoçmënisht dhe me fitue Lumnínë e përjetshme të Parrizit. Ashtu kjoft !

(Kjo lutje e Shêjtnisë Tij, Papës Leoni XIII, asht porositë prej Selisë-Shêjte me u rrecitue mbas Rruxares shêjte, sidomos në mojin e Tetorit ; indulgjencë 3 vjet ; 7 vite indulgjencë, kur rrecitohet kjo lutje mbas Rruxares shêjte në mojin e Tetorit ; indulgjencë e plotë, 1 herë n'muej, n'kjoft se rrecitohet përditë, simbas kushteve të zakonshme të fitimit të indulgjencës së plotë, që janë : qëllimi me fitue indulgjencën, rrfimi, Kungimi dhe lutja simbas qëllimit të Selisë-Shêjte, që asht 1 ATI YNE, 1 JU FALEMI MARI, dhe 1 KJOFT LUMNIJA E ATIT, E BIRIT, DHE E SHPIRTIT SHEJT...)

Lutje për ndërmjetsinë e sh'Jozefit

O shejti Jozef, Ati virgjën i JEZU-KRISHTIT, Bashkshkorti virgjën i tejet shêjtes Virgjinës MARI, denjoni me lutë përditë Birin e Zotit për ne, në mnyrë që t'armatosun me armët e hirit të Tij, na t'mundena me luftue si duhet n'kyt jetë, dhe t'kunorzohena prej Tij n'momentin e deks. Ashtu kjoft ! (Papa sh'Piu X, 26 Nandor 1906; 100 ditë indulgjencë)

Lutje sh'Jozefit për pastërti shêjte

O ati i bekuem, shêjti Jozef, ruejtsi i virgjinave; në mbrojtjen tuej besnike ju besuen JEZU-KRISHTI, Pafajsija vetë, dhe tejet shêjtja Virgjina MARI, Virgjina e virgjinave; po ju lutem me gjithë zemër, për hir të JEZUSIT dhe tejet shêjtes Virgjinës MARI, që i mbrojtun prej çdo lloj imoraliteti, me nji ndërgjegje pa njollë, me nji zemër të pastër dhe trup të dlirë, t'mundem kshtu me shërbye shejtnisht JEZU-KRISHTIN dhe tejet shêjten Virgjinën MARI tana ditët e jetës teme. Ashtu kjoft ! (Indulgjencë 100 ditë, nji herë n'ditë; Papa Piu IX, 4 Shkurt 1877)

O i lavdishmi shêjti Jozef !

Ju nderoj e veneroj me përvujtní e respekt si atin kujdestar të Zotit tonë JEZU-KRISHTIT dhe si bashkortin virgjën të Nanës tenZot, tejet shêjtes Virgjinës MARI ; si mbrojtsin e lavdishëm të Kishës shejte Katolike dhe si pajtorin tonë.

Për dashtninë tuej t'pakufíshme ndaj Fmijës hyjnuer e Nanës tenZot, denjoni me m'sigurue prej JEZU-KRISHTIT dhe Virgjinës tejet shêjte MARI, Nanës tenZot, hirin e faljes totale të tana mkateve t'mija, s'bashkut me borxhin e tyne para Drejtsisë hyjnuere ; hirin mos me fye ma kurrë t'Madhin Zot ; hirin e nji jete t'devoçme plot me Fé të gjallë, me Shpresë të fortë dhe me Dashtní hyjnuere të zjarrtë kristjane ; denjóni, o shêjt i lavdishëm, me m'asistue n'momentin e deks s'bashkut me Shelbuesin tonë JEZU-KRISHTIN dhe Virgjinen e Papërlyeme, tejet shêjten Virgjinën MARI, në mnyrë që të dal paqsisht prej ksaj jete kalimtare toksuere, n'hirin dhe dashtninë e Zotit, për me lavdue mandej n'Mbretninë e Parrizit TRININE TEJET SHEJTE e KRISHTIN Zot, dhe Nanen e tenZot bashkë me jue, o i madhnueshmi shêjti sh'Jozef, për shekuj të shekujve. Ashtu kjoft !

JEZUS, MARIA, JOZEF, po Ju nap zêmren, shpirtin dhe jeten tême !

JEZUS, MARIA, JOZEF, bàni që t'ndrroj jetë n'Tuejen shêjte shoqní !

JEZUS, MARIA, JOZEF, denjóni me ardhë me m'asistue ne t'mbramen tême agoní !

JEZUS, MARIA, JOZEF, bani që t'ndrroj jetë tuej thirrë me dashtní Emnat Tuej shêjtë !