martedì, marzo 29, 2022

Vigjilja e t’Merkurës së Përhime apo e Krezhmës së Madhe katërdhet ditore i kushtohet tradicionalisht nderimit dhe adhurimit të Fytyrës Shejte të Zotit tonë JEZU-KRISHTIT, e mbulueme me plagë dhe vuejtje t’papërshkrueshme, që Shelbuesi i njerzimit vuejti në Pasionit të Tij të përgjakshëm për dashtninë dhe shelbimin tonë. 

 Në fillim të Krezhmës, Kisha Katolike na ven para syve Shembullin e pendesës perfekte, në Fytyren Hyjnore të Zotit tonë JEZU-KRISHTIT, për me E imitue, me dashtni e respekt t’pakufijshëm, dhe për me u kujtue se duhet me pa pendesë, n’kjoft se dishirojmë me shelbue shpirtin tonë. Kur Biri i Zotit ka vuejtë aq shumë, tuej kenë i pafajshëm, po na që jena mkatnorë ? 

Krezhma asht nji periudhë tërhjekjet shpirtnore : tërhjekje prej botës, prej mkatit dhe prej vetë « njirit t’vjetër » që jeton mbrenda nesh, në mnyrë që përmes njinesës, abstinencës, lëmoshës e veprave të tjera të mira t’krishtena, të mohojmë vetvedin, të marrim krygjen tonë përditë dhe të ecim mbas Shembullit të Shejtnisë perfekte, që asht Zoti jonë JEZU-KRISHTI. Kuptohet se pa hirin e Zotit ky objektiv asht i parealizueshëm, dhe se asgja nuk mundena me ba për Parriz pa ndihmen hyjnuere; të thrrasim pra Driten hyjnore të SHPIRTIT-SHEJT me ndërmjetsi të Virgjinës së Papërlyeme, për me dijtë me lexue dhe meditue Fytyren Hyjnore të Birit të Zotit, për me u mshehë në Sekretin e ksaj Fytyre tejet Shejte, tejet përvuejtun dhe të plagosun për krimet tona, dhe për me kërkue hirin e Dashtnisë hyjnore dhe të Reparimit perfekt për mkatet tona dhe mkatet e njerzimit mosmirnjohës. Pa pendesë të vërtetë t’krishtenë nuk ka falje të mkateve, nuk ka shelbim të shpirtit, nuk ka jetë të pasosun. Pa pendesë të sinqertë, Hakmarrja e drejtë hyjnore ka me ra mbi ne në mnyrë të tmerrshme, të paimagjinueme prej njirit. Njerzimi asht në pragun e nji katastrofe t’papame e tragjike sepse ka harrue me ba pendesë, ka harrue Unjillin, ka harrue Pasionin e Zotit tonë JEZU-KRISHTIT. Ata që munden me pa n’kto kohë të trishta, të bajnë pendesë e të riparojnë publikisht krimet e panumërta që kanë mbulue boten e sotme apostate e satanike, si dikur shën Veronika e shën Dismasi, hajduti i penduem, dhe JEZU-KRISHTI ka me i shpërblye në mnyrë të jashtzakonshme... 

Fytyra tejet Shejte e Hyjnore e JEZU-KRISHTIT, me ndërmjetsi të Nanës së Kshillit të Mirë, ju ndriçoft e drejtoft me ba nji pendesë të vërtetë e të frytshme !