martedì, marzo 29, 2022

 


+ Randsija e Krezhmes Shejte +

"N'kjoft se nuk bani pendese, te tane keni me mbarue." Apo "Konvertónju prâ e bâni pendesë n'mnyrë që mkatet tueja të shíhen." Kto shembuj unjillore e te tjere si kto na kujtojne randsine dhe detyrimin e t'krishtenit me ba pendese, n'kjoft se synojme Lumnine e Parrizit. Pendesa e trupit reflekton te shpirti dhe kontribon ne shejtnimin e t'krishtenit. Per ma teper, pendesa i nep ma liri shpirtit me u nalcue kah Zoti. Nuk flas ktu me randue aq fort trupin me pendese sa mos me kene ma ne gjendje as me u lute apo me krye detyrimet e tija personale. Ky do te ishte nji abuzim i ligjeve shejte te Kishes ; nji prej qellimeve te pendeses asht me vue nen kontroll forcen e trupit, perfshi ktu 3 epshet e konkupishences, ne mnyre qe ky mos te kontriboje si perpara per me shtye shpirtin ne mkat. Na e dijme prej Katekizmit te Trentes se cilet jane anmiqte kryesore te Krishtenit : djalli, trupi (epshet e konkupushences : imoraliteti+pushteti-pasunia) dhe bota (ata qe kane hjeke dore prej fitimit te Parrizit dhe qe perpiqen me ba mbi toke "lumnine" e tyne).

Zoti i fâl mkatet njerzve për shkak të pendesës së tyne (Libri i Dijes 11:24-27).

Zoti âsht i pasun n'mirsí për ata që konvertohen me gjithë zemër, me njinesë, lotë e vajtime. Nuk duhet me shkye teshat, si farizejt, por zêmrat tona me nji pendesë t'sinqertë (Profeti Joël 2:12-19).

Nuk do t'i napim llogari njerzve për njinesen tonë, por ATIT tonë që shef në sekretin e zêmrave dhe që ka me na e shpërblye (Sh'Mateu 6:16-21)

N'Unjillin shêjt lexojmë se Apostujt n'nji rast nuk mujten me largue (egzorçizue) nji djall, dhe mbasi pveten JEZUSIN ata kuptuen se disa lloj djajsh nuk munden me u largue veçse me anen e lutjes dhe njinesës. (Sh'Marku 9:27-28)

Njinesa, thote sh'Leoni i Madh Papë, prodhon mendimet e dlira, vullnesat e arsyeshme dhe të drejta e kshillat mâ të dobishme. Me anen e ksaj vuejtje t'vullnetshme, pasionet e mishit vdesin dhe shpirti rinovohet n'virtyte (Serm. II de Jejunio decim. mensis).

Ndigjoni si flet sh'Ambrozi i Milanit : Çka âsht njinesa, veçse imazhi i Parrizit dhe çmimi që duhet pague për me e fitue ? Njinesa âsht ushqimi i shpirtit, jeta e êngjëjve, vdekja e mkatit, shkatrrimi i krimeve, ilaçi i shnedit, burimi i hirit shêjtnues e baza e pastërtisë shpirtnuere. Me anen e njinesës shkojmë menjiherë te Zoti (De Elia et jejun., c. III).

Njinesa, thotë shêjti Efrem, âsht karroca që na çon n'Qiell. Njinesa lind profetët dhe i mson dijen ligjvênsve. Njinesa âsht nji roje perfekte e shpirtit dhe bashkjeton me trupin pa e dâmtue. Njinesa âsht nji armë universale për ushtarët guximtarë dhe atletët e patrembun. [Thuhet se para luftnave, ushtritë pagane greke e romake të antikitetit hajshin pak ose aspak për me kênë sâ mâ t'fuqishëm n'fushen e betejës]. Njinesa i reziston tundimit dhe nep dishiren e devocjonit. Njinesa fikë furinë e zjermit, i mbyll fytin luajve dhe drejton lutjet kah Qielli. Abstinènca âsht nâna e shêjtnisë, disiplina e rinisë dhe zbukurimi i pleqnisë (De Jejun., C. IX).

Njinesa, thotë sh'Jeronimi jo vetëm që âsht nji virtyt perfekt por âsht edhe themeli i virtyteve tjera ; njinesa âsht shêjtnija, pastërtia shpirtnore, matunija, virtyte pa t'cilat kërkush nuk ka me pâ Zotin (Lib. II ad Demetriad.).

Ashtû si ushtari nuk âsht kurgja pa armen e vet, thotë sh'Krizostomi, e ashtu si arma nuk âsht kurgja pa ushtarin që e manipulon, ashtû edhe urata nuk âsht kurgja pa njinesen, dhe njinesa pa uraten nuk vlen asnjisend (In Matth., C. VI).

Njinesa, thotë sh'Gjon Krizostomi, pastron shpirtin, lehtson shqisat, ia nënshtron trupin shpirtit, bân zemren e përvuejtun dhe t'pendueme, shpërndânë rêtë e pasioneve, fikë zjerimin e epsheve të ndezuna dhe ndez pishtarin e dlirtsísë (In cap. VI Matth.).

Sh'Athanasi thotë se njinesa shëron smundjet, qetëson vrullin e gjakut, largon djajtë dhe mendimet e kqija, e bân shpirtin mâ t'bardhë e mâ t'bukur, zemren mâ t'pastër e trupin, mâ t'shndetshëm e mâ t'fortë (Lib. I de Virgin.).

Prej njineset Profeti Elia hypi n'Qiell n'nji karroce triumfit, thotë sh'Ambrozi (De Elia et jejun.).

Na e dijmë, shprehet sh'Pjetri i Ravenës, se njinesa âsht kalaja e Zotit, kampi i JEZU-KRISHTIT, parzmorja e pathyeshme e SHPIRTIT-SHEJT, flamuri i Fesë, shêja e dlirtsisë dhe triumfi i shêjtnisë (Serm. de Jejun.).

Mekênse gryksíja na i hupi gzimet e Parrizit [me mkatin e Adamit e Evës] t'përpiqena me i rifitue kto gzime me anen e njinesës dhe t'abstinèncës, thotë sh'Gregori (Homil. de Jejun.).

Njinesa, thotë doktori i madh sh'Bazili, prodhon profetët dhe shton forcë mbi forcen e t'fortve. Asht njinesa ajo që bâni forcen e Samsonit për sa kohë që aj kjé besnik me e praktikue. N'beteja aj rrëzonte me mija ushtarë, zhgulte dyert e mëdhaja t'qytetit dhe as luàjt nuk mujshin me i rezistue fuqisë së krahut të tij. Por kur dehja e vênës dhe e imoralitetit ia lidhen duert, Samsoni u kap prej anmiqve të tij, t'cilët ia nxórren sytë dhe e bâne sa edhe fmijët me luejtë me té (Homil. de Jejun.).

Samueli, thotë sh'Jeronimi, mblodhi popullin në Masfat dhe e forcoi me anën e nji njinese që urdhnoi, e kshtû ata dolen fitimtarë n'betejë. (Libri i Mbretve).

Juditi me armen e njinesës t'saj të përditshme triumfoi mbi Holoférnin dhe ushtarët e tij të dehun, dhe n'kyt mnyrë pshtoi popullin e saj (Libri i Juditit 8:6).

Mbretnesha Ester bashkë me bijat e saja njinuen pa hangër e pa pi për 3 ditë e 3 netë, dhe n'sajë t'ksaj sakrificë shêjte Mbreti Aserius nuk egzekutoi çfutnit (Libri Esterit 4:16).

Juda Makabéu me ushtarët e tij, n'sajë t'njinesës që praktikuen, moren ndihmë prej Qiellit dhe fituen shumë beteja kundër armiqve të tyne të shumtë.

Sh'Ambrozi ia atribon tâna mrekullitë e Elisë njinesave të shumta të ktij profeti shêjt. Nëpërmjet njinesës, Elia mbylli Qiellin mos me râ shî, njâlli djalin e nânës t'vé, ndali përmbytjet, uli zjermin prej Qiellit, frenoi ujin e Jordanit dhe hypi n'Qiell mbi nji karrocë t'zjarrtë (De Elia et jejun.).

Disa thonë se kanë njinue por Zoti nuk e ka pâ njinesën e tyne. Kjo ka ndodhë, thotë profeti Izaia, sepse n'ditët e njinesës, ata kanë ndjekë kapriçiot dhe vullnesen e tyne (LVIII: 3). Thyeni zinxhirët e imoralitetit, flet Zoti nëpermjet gojës së profetit Elia, mbâni barren bashkë me ata që janë të përkulun, ngushlloni t'pikëlluemt, këputni litarët e t'burgosunve (LVIII: 6). Ndàjeni kashàten me até që ku ûjë, merrni nën çatinë tuej t'pastrehët. Kur t'shifni nji njiri lakuriq, mbulojeni e mos e përbuzni mishin me t'cilin edhe ju jeni veshë (LVIII: 7). Atherë drita juej ka me ndriçue si mjesi, do t'ju kthej shndetin, drejtsíja juej ka me ecë para jush dhe keni me u rrethue prej lavdisë së Zotit (LVIII : VIII). E kur t'thirrni Hyjin, Zoti ka me ju plotsue lutjen, dhe n'thirrjen tuej t'parë ka me ju përgjigjë : Qé ku jam (LVIII: 9).

Merita e njinesës, thotë sh'Leoni, nuk âsht vetëm në shmang'jen e ushqimit. Nuk vlen asgjâ me ia hjekë trupit ushqimin n'kjoftë se shpirti nuk largohet prej mkatit (Serm. IV Quadrag.).

N'kjoft se goja ka mkatnue, thotë sh'Bernardi, atherë mjafton që vetëm goja t'bâjë pendesë. N'kjoftë se syni ka mkatnue me shikime mkatnore, atherë syni duhet me njinue tue mos pâ gjâna të panevojshme e kurioze ; n'kjoftë se veshi ka mkatnue tue ndigjue me knaqsi fjalë mkatnore, atherë veshi duhet me njinue tue mos ndigjue fjalë t'kqija, shpifje, etj.; Në t'njâjten mnyrë, gjuha duhet me njinue për mkatet që ka folë ; duert duhen me njinue, tue iu largue dembelízmit ; por mbi gjithçka, shpirti duhet me njinue tue iu largue mkatit, e kjo me vullnesë t'lirë përndryshej Zoti nuk ka me e pranue njinesën (Serm. III de Jejun. Quadrag).

Pra âsht e rândsishme me e bâ t'meritueshme e t'pranueshme njinesën e trupit me anen e njinesës së shpirtit e të zemrës. Kjo ishte edhe njinesa që profeti Joël i urdhnonte hebrejve me bâ :

"Shêjtnoni njinesen tuej" (I. 25).

Me shêjtnue njinesen, thotë sh'Gregori, don me thânë me i ofrue Zotit abstinencën prej mishit s'bashkut me veprat e mira. Grindjet t'pushojnë, ngatrresat t'qetsohen, sepse âsht e kotë me mundue trupin n'kjoftë se nuk i vêmë frê pasioneve të kqija.

Ndàni buken tuej me até që ka ûjë (Isaia. LVIII. 7). Kjo âsht edhe kondita e dytë që Zoti kërkon prej nesh, për me pranue njinesën tonë. Njinesa, thotë sh'Gregori, duhet shoqnue prej uratës dhe lëmoshës, duhet me i dhanë bukë t'vorfnit, mikpritje t'huejit dhe veshje të zhdeshunit (Homil. XVI in Evang.).

Shêjtnoni njinesën tuej, thotë sh'Bernardi. Bâni njinesën me krahë për me hypë deri n'Qiell : me krahun e lutjes dhe krahun e drejtsisë. Ajo që shêjtnon njinesën âsht qëllimi i drejtë dhe lutja e flakët (Serm. IV de Jejun. Quadrag.).

Duhet pra me ba pendese! Nana e Kshillit te Mire na ndihmoft ma ba nji krezhme te shejte !