mercoledì, gennaio 20, 2016

Disa argumente kundër mohuesve të egzistencës së ZOTIT, Krijuesit të universit

Egzistenca e ZOTIT mundet me u demonstrue në disa mënyra, të cilat i kam huazue kryesisht prej "Përmbledhjes teologjike" ("Summa theologica") të Doktorit êngjelluer të Kishës Shêjte Katolike, sh'Tomë Akuinit (Pt. 1, Q. 2 Art. 3)

1) Argumenti i parë mêrret prej lëvizjes.

Asht e kjartë dhe evidente për shqisat tona se n'botë disa gjâna janë në lëvizje. Gjithshka që âsht në lëvizje âsht vue n'lëvizje prej nji diçkaje tjetër, sepse lëvizja âsht vuemja e nji sendi mundësisht (potencjalisht) të lëvizshëm në lëvizje aktuale. Por asgjâ nuk mundet me u vue në lëvizje përveçse prej nji gjâjet tjetër që âsht aktualisht në lëvizje. Kshtû për shembull, nji send që âsht aktualisht i nxehtë, si zjermi, e ban drunin, që âsht potencjalisht i nxehtë, me kênë aktualisht i nxehtë tuej e lëvizë dhe ndryshue até. Por âsht e pamujtun që i njêjti sênd që âsht aktualisht i nxehtë me kênë potencjalisht i nxehtë, por mundet me kênë në të njêjten kohë potencjalisht i ftoftë. Prandaj âsht e pamujtun që në t'njêjten kohë dhe në t'njêjten mnyrë nji send të jetë lëvizës dhe i lëvizun, pra që t'lëvizë vedin. Për rrjedhojë, gjthshka që âsht në lëvizje duhet të vêhet në lëvizje prej nji gjâje tjetër. E n'kjoft se kjo gjâ tjetër âsht vue në lëvizje, atherë ka kênë nji tjetër gjâ që e ka vue até në lëvizje, e kshtu me rradhë. Por kjo nuk mundet me shkue deri n'pafundsí sepse atherë nuk do t'egzistonte nji lëvizës i parë e për rrjedhojë nuk do t'egzistote asnji lëvizës. E ky konstatim bjen n'kundërshtim me realitetin që na rrethon. Si konkluzion duhet t'pranojmë të nevojshme dhe t'arsyeshme egzistencen e nji Lëvizësi të parë që nuk vêhet në lëvizje prej askujt. E ky Lëvizës i parë âsht ZOTI, Krijuesi i gjithsisë.

2) Argumenti i dytë mêrret prej natyrës së shkakut efikas.

Në botën e shqisave shohim se egziston nji sistem shkaqesh efikase. Nuk egziston asnji rast, dhe nuk âsht e mujtun, që nji send të jetë shkaku efikas i egzistencës së vetvedit, sepse atherë aj do t'egzistote përpara vetvedit, që âsht e pamujtun. Përsa i përket shkaqeve efikase, nuk mundena me shkue deri n'pafundsí sepse në sistemin e tâna shkaqeve efikase, i pari âsht shkaku i shkakut të ndërmjetëm, dhe i ndërmjetmi âsht shkaku i shkakut final, pavarsisht se shkaqet ndërmjetse munden me kênë nji ose disa. Tashti me hjekë shkakun don me thanë me hjekë efektin, ashtû si me hjekë rênë don me thanë me hjekë shíun. Prandej, n'kjoft se nuk do të kishte nji shkak primar (fillestar) ndërmjet shkaqeve efikase, atherë nuk do të kishte as shkak final e as shkak ndërmjetës. E n'kjoft se tuej analizue shkaqet efikase shkojmë deri në pafundsi, atherë nuk do të egzistonte nji shkak efikas primar e për rrjedhojë nuk do të egiztonte asnji efekt final e as ndonji shkak tjetër ndërmjetës. Por kjo âsht plotsisht fallso. Prandej, si konkluzion, âsht e nevojshme dhe e arsyeshme me pranue egzistencën e nji Shkaku të parë efikas, që âsht ZOTI, Krijuesi i universit.

3) Argumenti i tretë mërret prej mundësisë dhe nevojës.

Në natyrë gjêjmë sênde që munden me kênë ose mos me kênë, sepse ata gjenerohen (prej sêndeve të tjera), korruptohen dhe, për rrjedhojë, ata munden me egzistue ose mos me egzistue. Pra, n'varësi të egzistencës s'tyne, ata nuk munden me egzistue përgjithmonë. Prandej n'kjoft se gjithshka mundet mos me egzistue, atherë n'nji kohë t'caktueme nuk do të kishte pasë asnji send në egzistencë. N'kjoft se kjo do të ishte e vërtetë, edhe tashti nuk do të kishte asgja n'egzistencë sepse ajo gjâ që nuk egziston fillon me egzistue nëpërmjet nji gjâje tjetër që egzistonte mâ parë. Prandej n'kjoft se n'nji perjudhë kohet asgja nuk ka egzistue, atherë do të kishte kênë e pamujtun që ndonji gjâ të fillonte me egzistue; për rrjedhojë, edhe tashti asgja nuk do të egzistonte, që âsht absurde. Prandej, jo të tana gjallesat janë jo vetëm të mundshme me egzistue, por duhet të egzistojë diçka, egzistenca e të cilës t'jetë e nevojshme. Por çdo gjâ e nevojshme ose i plotëson nevojat e saja nëpërmjet nji gjâje tjetër ose jo. E kshtû, âsht e pamujtun me shkue deri n'pafundsí, tuej konsiderue gjânat e nevojshme që i plotsojnë nevojat e tyne me anen e gjânave (sendeve, gjallesave, etj) të tjera, ashtû si e provueme ma nâlt në argumentin e shkaqeve efikase. Për rrjedhojë, duhet t'pranojmë t'kênunit e nji Egzistence që i plotson nevojat e veta n'vetvedi, pa nevojen e askujt tjetër dhe që âsht e domosdoshme me plotsue nevojat e të tjerëve. Kjo Egzistencë âsht ZOTi.

4) Argumenti i katërt vjen prej qeverisjes së botës.

Na shohim se sêndet që nuk kanë inteligjencë, si trupat fizikë, veprojnë drejt nji fundi, destíne, dhe kjo âsht evidente kur konstatojmë se ata veprojnë gjithmonë, ose pothuajse gjithmonë, në t'njêjten mnyrë, me qellim me mbrritë rezultatin mâ t'mirë. Për kyt arsye, nuk âsht aksidentale por e qëllimshme lëvizja që ata bajnë drejt fundit të tyne. Tashti, gjithçka që nuk ka inteligjencë nuk mundet me lëvizë drejt nji fundi, po të mos drejtohet prej ndonji egzistence të pajisun me njohuni dhe inteligjencë, ashtû si shkon shigjeta drejt shêjit prej harkut të shigjetarit. Prandej, asht nji Egzistencë inteligjente që qeverisë dhe udhëhjek drejt fundit të tyne të gjitha gjânat (sendet, qênjet, etj.) natyrore. Dhe kyt Egzistencë e quejmë ZOT.

Ti përmbledhim atherë argumentat e mâsipërme si mâ poshtë, tuej u mbështetë në Kateshizmin e At Thomas Pègues O.P. :

- A egziston ZOTi ?
- Po, ZOTi egziston.

- Pse thoni ju se ZOTi egziston ?
- Sepse po të mos egzistonte ZOTi, asgjâ tjetër nuk do t'egzistonte.

- Si e provoni ju se n'kjoft se ZOTi nuk do t'egzistonte, asgjâ tjetër nuk do t'egzistonte ?
- Kjo provohet kshtû : Çka egziston në sajë të ZOTIT nuk do t'egzistonte, n'kjoft se ZOTI nuk do t'egzistonte. Por gjithçka që egziston dhe nuk âsht ZOTI egziston vetëm në sajë të ZOTIT. Pra, n'kjoft se ZOTi nuk do t'egzistonte, asgjâ tjetër nuk do t'egzistonte.

- Por si e provoni ju se çka egziston dhe që nuk âsht ZOTI egziston në sajë të ZOTIT ?
- Çka egziston jo në sajë të vetvedit, egziston, n'fund të fundit, vetëm në sajë të nji Egzistence tjetër, që jeton në sajë të vetvedit, dhe që ne e quejmë ZOT. Por çka egziston dhe nuk âsht ZOT, nuk jeton në sajë të vetvehtes. Pra, çka egziston dhe që nuk âsht ZOT, egziston, në fund të fundit, vetëm nëpërmjet ZOTIT.

- E si e demonstroni ju se çka egziston dhe që nuk âsht ZOTI nuk egziston në sajë të vehtes ?
- Asnji sênd, që ka nevojë për diçka, nuk egziton në sajë të vetvehtes. Por gjithshka që egziston dhe nuk âsht ZOTI ka nevojë për diçka. Pra, gjithçka që egziston dhe nuk âsht ZOTI, nuk egziston në sajë të vetvehtes.

- Pse thoni ju se asgjâ, që ka nevojë për diçka, nuk egziston në sajë të vetvehtes ?
- Sepse ajo egzistencë që jeton në sajë të vetvedit nuk varet dhe nuk mundet me kênë e varun prej asnji gjâjet apo personit; dhe gjithçka që ka nevojë për ndonji gjâ apo ndonji person varet prej ksaj gjâjet ose ktij personit.

- E pse thoni ju se ajo egzistencë që jeton në sajë të vetvehtes nuk varet e nuk mundet me u varë prej asnji gjâjet e asnji personit ?
- Sepse tuej jetue në sajë të vetvehtes, ajo egzistencë ka gjithçka në vetvedi dhe nuk mundet me marrë asgjâ prej asnji gjâjet e prej asnji personit.

- Pra çdo gjâ që egziston dhe që ka nevojë për diçka demonstron kjartë, për vetë faktin e egzistencës se saj, se ZOTI egziston ?
- Po, çdo gjâ që egziston dhe që ka nevojë për diçka manifeston haptazi, nëpërmjet egzistencës së saj, se ZOTI egziston.

- Çka bajnë atherë ata që mohojnë egzistencën e ZOTIT ?
- Ata afirmojnë se, në t'njêjten kohë, aj send që ka nevojë për gjithçka nuk ka nevojë për asgjâ.

- Por kjo âsht nji kontraditë ?
- Natyrisht, dhe nuk mundena me mohue egzistencën e ZOTit pa kundërshtue vetvedin.

- Atherë âsht nji çmenduni e vërtetë me mohue ZOTIN?
- Po, âsht nji çmenduni e vërtetë me mohue ZOTin. (Rev. Pègues O.P., "Catéchisme de la Somme théologique...", 1920, pages 3-5)

ZOTI nuk do të ishte Vetvetja n'kjoft se nuk do të ishte Aj që egziston në sajë të Vetvehtes. E Aj që egziston në sajë të vetvehtes duhet me kênë perfekt sepse Aj ka gjithshka në Vetvehte dhe nuk ka nevojë për askënd e për asgjâ; Tuej kênë perfekt, ZOTI âsht domosdoshmënisht, pafundsisht i mirë. Aj âsht i pafund, përndryshej ndonji gjâ do të vepronte mbi Té për me e kufizue; Tuej kênë i pafund, ZOTI âsht gjithkund. ZOTI âsht i pandryshueshëm, përndryshej Aj do të ishte në kërkim të ndonji gjâjet; Tuej kênë i pandryshueshëm, ZOTI âsht i përjetshëm, sepse koha âsht nji seri apo varg momentesh që nënkupton ndryshimin. E tuej kênë pafundsisht perfekt, mundet me egzistue vetëm nji ZOT; dy egzistenca pafundsisht perfekte janë të pamunduna me egzistue, sepse njêna nuk do të dallohej n'asgjâ prej tjetrës. ("Idem", page 7)

Monsinjor de Ségur mson se egzistenca e Hyjit mjafton me u demonstrue vetëm me nji voe pulet. Tuej udhtue me arsye mbrapa në kohë, shofim se nji pulë që ka vojë voenë ka dalë vetë prej nji voejet. E pula e parë âsht bâ vetëm prej ZOTIT.

Si konkluzjon, ZOTI egziston dhe âsht çmenduní ose djallzí e madhe me mohue egzistencen e Tij. Përderisa baballarve tanë i detyrohena respekt e nderim, aq mâ tepër Krijuesit tonë i detyrohena kultin e adhurimit dhe të lavdisë që vetë Hyji na e ka zbulue, e ky kult i vetëm perfekt âsht Féja shêjte Katolike, në mnyrë që inteligjenca jonë ta njohë, vullneti jonë ta duejë dhe fakultet e tjera njerzore ta praktikojnë, me ndihmen e hirit hyjnuer, me perfekcjon e dashtní për ZOTIN.